Amos, djali që vjen nga Bibla 

Nga Mira Kazhani/ Ai është një aktor i talentuar, një djalë artist që nuk jep shpesh intervista, por nuk është i vetmi në shtëpinë e tij që flet rrallë dhe as i vetmi artist. Tek familja e tyre artisti është diçka normale, sikur të jesh një bakall apo inxhinier. Amos Muji Zaharia, është intervista e kësaj jave në Tiranapost.

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Amos përshëndetje!

Amos Muji Zaharia: Përshëndetje!

Mira Kazhani: Amos, jo Amos (me theks tek o-ja).

Amos Muji Zaharia: Po, Amos Muji Zaharia.

Mira Kazhani: Kishte pak probleme me shqiptimin e emrit tënd.

Amos Muji Zaharia: E kam pak të vështirë, sepse nuk është emër shumë shqiptar.

Mira Kazhani: Nga një kërkim që bëra në Google, para se të takoheshim, ti ke lindur në 1987-ën dhe ke një emër hebre që është emri i një profeti, nëse nuk gaboj.

Amos Muji Zaharia: Po, është babai i atyre që ndërtuan kullën e Babilonisë, është tek Dhjata e Vjetër. Në kohën që Yllka ishte shtatzënë me mua ishte duke lexuar Biblën dhe i doli aty emri i Profetit Amos. Në atë kohë, që ishte ende koha e komunizmit, s`kishin hyrë kaq shumë emrat modern (modern në thonjëza si të thuash, se është emër i lashtë).

Mira Kazhani: As Bibla nuk qarkullonte kaq thjeshtë. Si ishte Bibla në shtëpinë tuaj në atë kohë?

Amos Muji Zaharia: Unë s`e di. Mbase ka qenë e fshehur në një mënyrë. Nuk e di se si ka qenë Bibla, por Yllka ka qenë duke e lexuar dhe në një moment u intrigua nga emri dhe guxoi që të ma vinte Amos edhe pse ishim në kohë diktature.

Mira Kazhani: Si ia doli që ta bindte atë gruan tek regjistri civil të shkruante Amos? Se unë e kam Mira dhe 20% e popullsisë në Shqipëri kthejnë kokën kur thërret Mira.

Amos Muji Zaharia: Nuk e di mbase nga fakti që Yllka figurë publike që atëherë dhe mbase kanë bërë një lëshim të vogël. Kur vinte puna tek artistët, bënin lëshime të kësaj natyre.

Mira Kazhani: Ti kujton pak se ke qenë i vogël, por besoj që vitet ’90 nuk është se kishin një diferencë shumë të madhe përpos faktit që ishim më të lirë dhe regjimet kishin ndryshuar.

Amos Muji Zaharia: Besoj ka pasur më shumë kaos në vitet ’90 sesa përpara komunizmit e vetmja gjë që mund të hamendësoj.

Mira Kazhani: Çfarë thotë Yllka, kanë jetuar më mirë aktorët në ato vite apo mendon që brezi juaj, djali i saj, ti Amos jetoni më mirë tani, tani keni më shumë mundësi? Kur respektohej aktori më shumë? Kur ishte artisti më i vlerësuar?

Amos Muji Zaharia: Kam përshtypjen, edhe bindem në fakt, jo se kam vetëm përshtypjen që përpara viteve ’90 aktori duke qenë se ka qenë një mjet propagande ka qenë shumë i mbështetur nga shteti, sepse ishte një mjet që ai e përdorte, si të thuash, një lloj opiumi mase. Për aq kohë sa ne ishim mbase i vetmi shtet në glob me kushtetutë ateiste, kështu që shqiptari fenë nuk e kishte, ndaj kishte nevojë për diçka tjetër. Mjete të tjera argëtimi nuk ka pasur, kështu që dashje pa dashje artistët dhe filmat ishin mediumi më i rëndësishëm i asaj shoqërie që kemi kaluar. Sot është tjetër gjë. Kanë ndryshuar shumë gjërat. Është futur teknologjia në lojë, është futur Instagrami, është futur Netflix, është futur Hollywood-i. Të jesh aktor sot në Shqipëri nuk është më ai privilegj që ka pas qenë në atë kohë. Kur them privilegj, e kam thjesht në raportin aktor-spektator, ose popull (si të thuash). Sidoqoftë unë e ndjej veten shumë të privilegjuar që arrij edhe bëj një profesion kaq të bukur sa është aktrimi. Kështu që edhe nëse do të kisha mundësi ta ktheja kohën mbrapa do kisha bërë po prapë të njëjtën zgjedhje.

Mira Kazhani: Të ka kompleksuar ty suksesi dhe emri i fuqishëm i mamit, i Yllkës?

Amos Muji Zaharia: Jo, jo nuk është se më ka kompleksuar, por thjesht më ka ndërgjegjësuar që mbase për mua do të jetë pak më e vështirë për të krijuar një identitet artistik se gjithmonë do ekzistojë, ose ka ekzistuar paragjykimi që je ‘figlio d`arte’ është pak e vështirë që ti të arrish edhe të dalësh nga hija e madhe e nënës ose babait tënd artist. Dua të them thjesht që mbase ka qenë pak më e vështirë që t`u tregosh të tjerëve se sa të vlen lëkura.

Mira Kazhani: Ke pasur një luftë të brendshme?

Amos Muji Zaharia: Jo tamam. As luftë nuk mund ta quaj. Unë thjesht kaq bërë atë që kam dashur të bëj, që ka qenë aktrimi edhe s`e kam vrarë shumë mendjen pastaj për çfarë kanë menduar të tjerët. E vetmja gjë që ka pasur rëndësi është që këtë gjë që bëj ta bëj mirë.

Mira Kazhani: Dikush më tha para se të të intervistoja: ‘Mos e pyet për Yllkën se do e ketë shumë problem’. Edhe isha përgatitur që do më jepje një përgjigje të kësaj natyre.

Amos Muji Zaharia: Kush ishte ky dikushi se s`po ia themi emrin?

Mira Kazhani: Nuk po them emra. Po të më përgjigjeshe që e ke pasur problem, do të thoja në mënyrë rebele që çfarë keni ju fëmijët me prindër kaq të suksesshëm dhe të talentuar? Mami im ka qenë mami dhe jam shumë krenare për të dhe po ta kisha pasur artiste të famshme do isha po aq e lumtur dhe krenare. Nuk e kam kuptuar asnjëherë kompleksin e fëmijëve që duan t`i ikin emrit të babait apo të nënës. Pse? Ti si mendon?

Amos Muji Zaharia: Sepse çdo njeri që vjen në këtë jetë vjen i shoqëruar nga një ego dhe egoja nga greqishtja do të thotë (unë) dhe uni i çdo njeriu ka nevojë të ketë vlerë, sepse në momentin që egoja humbet nga vlera, humbet edhe nga sensi që i jep egoja jetës në vetvete. Një ego ka nevojë të jetë e vlerësuar që të ketë mundësi të ekzistojë. Një ego që nuk ndihet e vlerësuar shkon drejt zhdukjes.

Mira Kazhani: Nevoja për të pasur identitetin tënd dhe për të qenë unik është speciale.

Amos Muji Zaharia: Kështu që nuk besoj që është thjesht raporti që ka fëmija me prindin, por edhe raporti që ka fëmija ose egoja me veten e vet. Njeriu ka nevojë që t`i japë sens jetës së vet edhe të jetë i vlerësuar për atë që bën.

Mira Kazhani: Çfarë raporti ke ti me prindërit, me të dy, me mamin dhe me babin?

Amos Muji Zaharia: Tani më shoqërore. Jashtëzakonisht shumë të mira. Më shumë e kam pasur me Yllkën, sepse me atë jam rritur. Ajo ka qenë më shumë prezente dhe kjo nuk do të thotë që babai nuk ka qenë prezent, por jo aq sa ka qenë Yllka, nëna ime. Siç ndodh në përgjithësi në të gjitha familjet që babai është gjithmonë pak më…

Mira Kazhani: Ose siç ndodh me çunat që gjithmonë duan nënat më shumë. Edhe nënat djemtë. Ka diçka të vërtetë në këtë?

Amos Muji Zaharia: Mbase mund të ketë një kompleks Edipi. Unë e dua Yllkën jo thjesht për faktin se është nëna ime, por unë e dua Yllkën për faktin që është ashtu siç është. Unë dhe Yllka kemi një kimi shumë të mirë me njëri-tjetrin. Jemi shumë miq të mirë. Flasim me njëri-tjetrin për çfarëdolloj gjëje në absolut. Domethënë nuk ka asnjë lloj sekreti midis meje dhe saj.

Mira Kazhani: Flisni çdo ditë? Për shembull sot ke folur me të?

Amos Muji Zaharia: Çdo ditë jo, por pothuajse çdo ditë. Edhe për t`u takuar nuk takohemi çdo ditë, por kemi këtë raportin që nuk duam t`i rrimë shumë ngjitur njëri-tjetrit. Ideja është që në çfarëdolloj raporti, qoftë edhe ai prind-fëmijë, të krijohet një lloj hapësire herë pas here që ndërrohet pak ajri dhe kur ritakohesh ke më shumë gjëra për të thënë, të ka marrë më shumë malli, biseda nuk bëhet asnjëherë e mërzitshme, kështu që në këtë aspekt unë me Yllkën takohemi mbase dy ose tre herë në javë. Për të folur në telefon pastaj thuajse çdo ditë, ‘si je, çfarë bën’.

Mira Kazhani: Si e ke përballuar divorcin e prindërve?

Amos Muji Zaharia: S`e kam çarë kokën fare. Zero, asnjë gjë. Madje nga një anë edhe më ka shijuar, sepse kisha dy lagje, kisha dy shtëpi, kisha më shumë variacion në rritjen time. Nuk e kam çarë kokën fare.

Mira Kazhani: Sa më pëlqeu kjo përgjigje!

Amos Muji Zaharia: Jo, kam përshtypjen që shumë njerëz viktimizohen duke thënë ‘Hë se jam rritur me prindër të ndarë prandaj kam gjithë këto probleme psikologjike’. Nuk është e vërtetë. Edhe unë kam pasur probleme si të gjithë. Mos të them që njerëzit që rriten në familje me prindërit që i kanë bashkë, kanë më shumë probleme, se një çift që rri prej 30 vitesh me njëri-tjetrin mund të plasë edhe ndonjë sherr herë pas here, por dua të them që të gjithë njerëzit do të kenë probleme psikologjike dhe nuk ke pse ua atashon prindërve arsyet e problemeve të tua neurotike. Të gjithë do kemi, pavarësisht se si kanë shkuar prindërit me njëri-tjetrin.

Mira Kazhani: Je kaq sportiv gjithmonë? Në të gjitha raportet e tua, si me familjen, por edhe me shokët, edhe me punën? Kaq njeri me humor të mirë? Se dukesh që në minutat e para të intervistës që je djalë sportiv.

Amos Muji Zaharia: Përpiqem. Unë jam natyrë shumë dramatike, por mbase për ta kamufluar gjithë këtë gjë, njeriu fshihet tek e kundërta. Përpos shakave gjysmë të vërteta, e mira është që jetën ta marrësh me sportivitet se fundja fare askush nuk do dalë gjallë që këtej, sado me ‘ububu’ ta marrësh jetën do shkosh me të shumtët. Është për të ardhur keq.

Mira Kazhani: Po ama njerëzit gjithmonë mendojnë Amos që të gjithë do vdesin një ditë, ‘ndoshta dhe unë’. E di atë shprehjen ‘Ndoshta dhe unë?’ Njerëzit mendojnë që janë të pavdekshëm.

Amos Muji Zaharia: Mbase njerëzit e kanë ndjesinë që të gjithë do vdesin, po se ç`kam një gjë speciale unë nuk do vdes. Unë do vazhdoj të jetoj, sepse mua më ka zgjedhur Perëndia. Ky është një monolog që të gjithë ia bëjnë vetes, por sa më shpejt që të shpëtosh nga ky monolog, aq më mirë është, sepse mbase fillon dhe i bën gjërat me urgjencën dhe me të kuptuarin që koha që ke është e limituar. Kështu që bëj qejf, merri me sportivitet dhe përpiqu të bëhesh i pavdekshëm duke lënë diçka tek brezat që do vijnë.

Mira Kazhani: E ke frikë vdekjen? Si e mendon vdekjen?

Amos Muji Zaharia: E kam pasur shumë. Ka pasur raste që më dilte gjumi në 3 të mëngjesit edhe kisha një realizim, një ditë do vdes. Edhe më vinte si një gjendje ankthi, paniku. Sot nuk e vras më mendjen pothuajse fare. Dua vetëm që kur të vijë (do thosha që nëse do vijë) të vijë në mënyrë sa më të paqtë. Pa ndonjë aksident të tmerrshëm.

Mira Kazhani: Mos të jetë fatale?

Amos Muji Zaharia: Jo, fatale vdekja është në vetvete, por të mos jetë e dhunshme, mos të jetë agresive, mos të jetë me ankth. Nëse do isha duke i shtrënguar dorën vajzës time të ardhshme për shembull, edhe duke e parë në sy, duke i thënë që ‘të dua’, është një mënyrë e mirë për të ikur.

Mira Kazhani: Unë them gjithmonë për shembull që nuk dua të iki para prindërve. Nuk dua që prindërit të vuajnë për mua. Kjo është frika ime më e madhe për vdekjen.

Amos Muji Zaharia: Gjërat janë me radhë. Nëse ne shkojmë përpara prindërve tanë do të jetë një vuajtje e jashtëzakonshme se nuk do jetë sipas rendit.

Mira Kazhani: Sigurisht që nuk e besoj që do vdesin prindërit tanë, prindërit e mi veçanërisht, por gjithmonë mendoj që ata nuk duhet të vuajnë për fëmijën. Asnjë prind nuk duhet të vuajë për fëmijën.

Amos Muji Zaharia: Do ishte një vuajtje e tmerrshme.

Mira Kazhani: Ke humbur ndonjë njeri të rëndësishëm në jetë Amos?

Amos Muji Zaharia: Gjyshërit e mi të cilët i kam dashur shumë që të katërt. Se kam pasur fatin që t`i njoh që të katërt. Kaq, nga familja shyqyr Zotit të gjithë mirë janë (qesh).

Mira Kazhani: Amos Muji Zaharian unë e kam parë për herë të parë në filmin ‘Amaneti’ dhe në fund Amos vdes. Kështu kishte vendosur skenaristi Ruzhdi Pulaha, por edhe regjisori Namik Ajazi, dhe u mërzita shumë që ti vdiqe. Nuk e kisha menduar që do flisnim kaq shumë për vdekjen (qesh).

Amos Muji Zaharia: Në radhë të parë nuk isha unë që vdiq, por ishte Martin Hasa. Unë ja ku jam (qesh).

Mira Kazhani: Po filmat i besojmë gjithmonë.

Amos Muji Zaharia: Kjo është gjë e mirë, sepse ç`është e vërteta në Shqipëri nuk është se bëhen filma cilësorë që të arrijnë të shkojnë qoftë edhe emocionalisht tek publiku, kështu që më vjen mirë që filmi të ka pëlqyer. Faleminderit shumë, por nuk është rasti im i përhershëm që të bëhen filma që të shkelqejnë edhe të arrijnë të krijojnë një emocion, edhe ta ngjisin spektatorin tek ekrani.

Mira Kazhani: Je i përmbushur me jetën që bën tani?

Amos Muji Zaharia: Me jetën personale do të thuash?

Mira Kazhani: Profesionale.

Amos Muji Zaharia: Asnjëherë. Në momentin që njeriu kënaqet nga vetja e vet profesionalisht, është momenti që njeriu ka ndaluar së zhvilluari dhe në momentin që ke ndaluar së zhvilluari, ke filluar të vdesësh. Mikelanxhelo ishte 89 vjeç edhe në atë moshë tha jam akoma duke mësuar. Kështu që edhe unë në këtë aspekt them kam shumë etje për t`u perfeksionuar sa më shumë. Gjithmonë, sa herë shoh një rol timin them mund ta kisha bërë më ndryshe, mund, mund…

Mira Kazhani: Cilët janë aktorët Hollywood-ian (se atje është bota e filmit) që të frymëzojnë, që të sfidojnë, që të bëjnë të mendosh për rolet e tua, që ndoshta gjen pak veten, ose që do doje të kishe një rol të atyre përmasave?

Amos Muji Zaharia: Mua më pëlqejnë shumë aktorët metodikë. Më pëlqen shumë Daniel Day Lewis, që është një aktor që jeton dy vite me një rol.

Mira Kazhani: Nuk e njoh fare.

Amos Muji Zaharia: E njeh patjetër, por nuk e di që e njeh. ‘There will be Blood’ e ke parë besoj?

Mira Kazhani: Po.

Amos Muji Zaharia: Ai ka ndenjur me rolin dhe ka jetuar për të paktën dy vite e ca. I futet personazhit në mënyrë kaq vertikale, sa që kur dalin para kamerës nuk është se po interpretojnë. Ka ndodhur një lloj metamorfoze dhe ata janë bërë personazhi. Kjo është ajo që unë do synoja të bëja si aktor një ditë në të ardhmen. Është luks për Shqipërinë, sepse nuk ta krijon Shqipëria një okazion të tillë që ti të kesh kaq shumë kohë dhe kaq shumë predispozitë për t`u marrë me një rol, për një kohë kaq të gjatë. Joaquin Phoenix më pëlqen shumë. Ke aktor sa të duash. Hollywood-i ka aktorë pafund që shkëlqejnë në atë që bëjnë.

Mira Kazhani: Të shqetëson që dhe Hollywood-i po bëhet pak komercial? Unë shoh disa filma në Netflix, kur shoh aty super aktorë, emra të mëdhenj dhe filmi me thënë të drejtën ‘fa schifo’. Janë shumë të dobët. Si ka mundësi? Çfarë po ndodh?

Amos Muji Zaharia: Hollywood-i për mendimin tim ka qenë gjithmonë komercial. Nuk është se ka filluar të bëhet tani. ‘It`s a money making machine’ është industri dhe duke qenë se pikësynimi parimor i Hollywood-it është që të bëjë para, patjetër që do shkojë edhe tek komercializmi. Ama Hollywood-i nga ana tjetër bën 30 filma në vit, që janë komercial, por bën edhe 5 filma që të lënë me gojë hapur. Dhe gjithmonë këtë ka bërë. Domethënë nuk jam shqetësuar me Hollywood-in që ka shkuar tek komercializmi, sepse atë gjë ka bërë gjithmonë. Po kam përshtypjen, i gjithë trendi botëror ka shkuar drejt një lloj limonate, drejt diçkaje sipërfaqësore. Drejt një lloj horizontaliteti. Domethënë nuk po i futemi gjërave vertikalisht. Mendoj që është një periudhë e globit.

Mira Kazhani: Pse mendon që ka arritur këtu shoqëria? Është për shkak të kapitalizmit?

Amos Muji Zaharia: Mbase mund të jetë edhe çështje politike.

Mira Kazhani: Apo dhe teknologjike?

Amos Muji Zaharia: Jo, është edhe çështje psikologjike besoj. Sido që të jetë intelekti në vetvete peshon shumë. Një njeriu intelektual i peshon koka shumë edhe e ka të vështirë që ta shijojë jetën tek gjërat e vogla. Dhe duke qenë se mbase mund të ketë pasur për vite e vite me radhë një presion intelektualizmi, njerëzit kanë nevojë që ta qetësojnë trurin dhe të qeshin e të gajasen e mos ta vrasin mendjen shumë. Mund të jetë edhe si pasojë e një presioni.

Mira Kazhani: A mendon dhe ti si ata që thonë në Shqipëri se këtu ka 30 vite që edhe kur bëhen filma bëhen për periudhën komuniste, nuk po arrijmë dot të bëjmë një film dhe të tregojmë kohën që po jetojmë tani, temat ndonjëherë janë pak klishe dhe stereotipe. Unë mendoj që deri diku qëndron, por ndoshta mund të ketë edhe ndonjë ekzagjerim. Do doja komentin tënd.

Amos Muji Zaharia: Jo, është shumë e vërtetë ajo që thua. Është defiçit në përgjithësi i kineastëve shqiptarë. Unë jam vetë kineast, se kam mbaruar për regji filmi dhe në përgjithësi të gjithë regjisorët shqiptarë bëjnë një kompromis, për mendimin tim shumë të shëmtuar. Dhe kompromisi është ky: Filmat i bëjmë për t`i çuar në festivalet ndërkombëtare. Dhe festivalet ndërkombëtare nuk duan që të shohin një film urban të bërë nga shqiptarët, sepse një film urban i bërë nga spanjollët është shumë herë më interesant.

Mira Kazhani: “Parasite” i Koresë së Jugut për shembull ishte i kohës tani.

Amos Muji Zaharia: Kështu që duke paralelizuar këto dy kinema Korenë e Jugut me Shqipërinë, dihet shumë mirë që ata dinë ta bëjnë shumë mirë filmin e ditëve të sotme. Kështu që çfarë bëjnë? Zgjedhin nga shqiptarët që të sjellin tema ekzotike i quajnë shqiptarët, tema të komunizmit, tema të varfërisë, emigracion.

Mira Kazhani: Gjakmarrjes, burrneshat.

Amos Muji Zaharia: Të gjithë regjisorët shqiptarë këtë lloj kompromisi kanë bërë që bëjnë tema që të kenë mundësi, të kenë një lloj shansi nëpër festivalet që bëhen. Ndërkohë që nuk bëjnë filma që t`i flasin shoqërisë së tyre që është qëllimi parimor i një kineasti. Ai duhet t`i flasë shoqërisë së vet, të mos bëjë filma me idenë që ta çojë diku, të marrë një çmim në një festival. I marrin festivalet. Bëjnë bujë nja një javë në Facebook edhe mbaron me kaq, ndërkohë që këto janë filma që financohen nga taksapaguesi shqiptar dhe me të drejtë filmat duhen bërë për taksapaguesit dhe jo për festivalet që shkojnë edhe bredhin.

Mira Kazhani: E kam parë edhe tek gazetarët e huaj, kur vijnë në Shqipëri, nuk e di pse është ky keqkuptimi i madh me bunkerizimin tonë dhe me periudhën e komunizmit, shkruajnë më shumë për këto histori. Kanë ngelur këto tre histori: komunizmi, gjakmarrja, burrneshat.

Amos Muji Zaharia: Emigracioni.

Mira Kazhani: Emigracioni. Dhe ndërkohë këtu ka shumë gjëra të tjera ndoshta anë po aq të errëta dhe të bukura po ne nuk e transmetojmë dot Shqipërinë e kohëve të sotme. Pse nuk jetojmë ne në të sotmen? Është e përgjithshme. Edhe të tjerët na lexojnë kështu. Duan të na shohin kështu.

Amos Muji Zaharia: Mbase ky është imazhi që ne u krijojmë të huajve që vijnë.

Mira Kazhani: Mund të kenë ndikuar filmat?

Amos Muji Zaharia: Deri diku po, sepse është një mënyrë për t`u njohur me shoqërinë, edhe t`ia shikosh kinemanë, edhe t`ia dëgjosh muzikën. Arti nuk është një shaka siç shumë të tjerë mund ta mendojnë. Mbase i shpëtojnë këtij realiteti sepse njeriu ka nevojë të shpëtojë nga ky realitet, se sido që të jetë jetojmë në realitetin e “Big Brother”-it, po jetojmë në realitetin e “Përputhen”, po jetojmë në realitetin ku fëmijët vriten barbarisht nga të sëmurë psiqik që lihen rrugëve, nuk mendoj se po jetojmë në kushtet optimale sa për të dashur për të folur për këtë shoqëri. Megjithatë nga ana tjetër, funksioni i artit është ky që ta vërë gishtin në plagë, ndërkohë që nuk s`po e bëjmë. Po flasim akoma për temën e gjakmarrjes, për Lekë Dukagjinin. Më fal, po është një film që kujt po i flet? Po u flet atyre 5 vetave që jetojnë në majë të malit, më fal. Jo. Tirana është 1 milionë e gjysmë banorë. Bëj një film për Tiranën, sepse ka tema sa të duash. Tirana vetëm është një minierë ari për të nxjerrë tema nga e përditshmja pafund.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për televizionin dhe gazetarinë në Shqipëri (meqë i përmende pak)?

Amos Muji Zaharia: Faleminderit për pyetjen!

Mira Kazhani: Më shaj dhe mua s`ka problem.

Amos Muji Zaharia: Jo, jo.

Mira Kazhani: Më kritiko dhe mua.

Amos Muji Zaharia: Do kritikoj mbase mediumin tënd, por jo ty. Ty do të të lavdëroj. Këtë doja të thoja që kam dhënë disa intervista, dhjetëra, mbase dhe ndonjë qindëshe.

Mira Kazhani: Të gjitha një titull kishin se kërkova në Google për ty: “Lidhja e Amosit”. “Është i lidhur, është i palidhur”. Je i lidhur? Nuk ta bëj këtë pyetje se do marrin titullin.

Amos Muji Zaharia: Janë gjithmonë të njëjtat pyetje. Janë gjithmonë të njëjtat orientime përsa i përket intervistës. Nuk pyet asnjëherë intervistuesi, Amos, po ti kush je realisht? Kush është marrëdhënia me mamin? Kush është marrëdhënia me babin? Kush është marrëdhënia me motrën? Kush është marrëdhënia me Lekën? A je i fejuar? Kur do martohesh? Ok, i bëre këto pyetje, sepse je gazetare do që t`i marrësh vesh. Gazetarja pasardhëse bën ekzaktësisht të njëjtat pyetje. Edhe ti do japësh normalisht të njëjtat përgjigje. Pastaj kur të vjen gazetarja e tretë dhe bën po prapë të njëjtat pyetje, fillon i alternon njëçik.

Mira Kazhani: Edhe unë të pyeta për marrëdhënien me Yllkën.

Amos Muji Zaharia: Dakord, por mbase të kam dhënë një përgjigje tjetër (qesh). Mund edhe ta presësh. Nuk e di. Do ta shikojmë, do ta shohësh vetë. Dua të them që ka një lloj përtacie kur vjen puna tek gazetaret e kulturës. Pastaj gazetaria përsa i përket anës politike është çështje më e koklavitur sepse një pjesë e madhe e mediave janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejt me politikanët edhe anasjelltas, edhe është thjesht pastaj lojë interesash.

Mira Kazhani: Je ti qenie politike? Je njeri politik që të intereson politika? Ka shumë artistë të angazhuar. Nuk është se të kam parë lart e poshtë, as në protesta, as në deklarata, as në mitingje.

Amos Muji Zaharia: Jo, nuk është se shprehem shumë politikisht, sepse unë i kam humbur të gjitha shpresat përsa i përket politikës së këtij vendi. Vendosa njëherë të merresha edhe thashë ok, do shoh një muaj në televizor se çfarë bëhet në politikë.

Mira Kazhani: Ia dhe shansin?

Amos Muji Zaharia: Po, ia dhashë shansin një muaj dhe pashë një cirk që përsëritej dhe përsëritej, dhe përsëritej, dhe përsëritej dhe ishte një cirk që nuk kishte fund. Unë nuk e kuptoj sesi ka mundësi që shqiptarët pas 30 viteve vazhdojnë akoma edhe besojnë. I shikojnë në dritë të syrit po të njëjtat figura dhe vazhdojnë të gënjehen nga po të njëjtat gënjeshtra dhe vazhdojnë të shpresojnë po të njëjtat utopira që u premtojnë këta.

Mira Kazhani: E di pse? Të ta jap unë përgjigjen?

Amos Muji Zaharia: Ma jep ti përgjigjen.

Mira Kazhani: Sepse njerëzit si puna jote kanë hequr dorë. I kanë dhënë shans vetëm një muaj dhe janë dorëzuar. Nuk bëjnë presion.

Amos Muji Zaharia: Unë presionin e bëj nëpërmjet artit tim në njëfarë mënyre. Kam përshtypjen që faji nuk është detyrimisht i politikanëve dhe as i njerëzve si unë, por është i njerëzve që vendosin të besojnë edhe mbas 30 viteve ‘repetition’ dhe vazhdojnë të besojnë po prapë të njëjtat gjëra. Ne jemi popull që duhet të ndërgjegjësohemi se për mendimin tim jemi krejtësisht në gjumë. Nuk është fare çudi që Sali Berisha mbledh akoma njerëz. Ata shkojnë edhe unë i shikoj duartrokasin po njësoj, e shohin në dritë të syrit, ulërasin, bëjnë kështu si të çmendur. Them me vete s`ka ndryshuar absolutisht asnjë gjë. Po të shikosh shqiptarin e 2021-shit dhe ta krahasosh me shqiptarin e 1993-shit, janë krejtësisht e njëjta qenie. E njëjta mënyrë të pari, e njëjta mënyrë të veshuri, e njëjta mënyrë të besuari. Domethënë këtu ka ngelur koha në vend.

Mira Kazhani: Si mund të ecë? Si mund të lëvizin gjërat?

Amos Muji Zaharia: Unë them që ndryshimi vjen nga vetja, por ne me sa duket nuk po na bën dërman vuajtja. Se njeriu kur vuan do t`i shpëtojë kësaj gjëje. Ne mbase jemi një popull mazokist. Neve na pëlqen të vuajmë. Është edhe një gjë tjetër, që ne nuk duam fare t`ia shikojmë të mirën njëri-tjetrit.

Mira Kazhani: E beson këtë?

Amos Muji Zaharia: Po, po. Domethënë, shqiptari më mirë të të shohë ty keq, sesa ta shohë veten mirë. U bëmë shumë seriozë.

Mira Kazhani: Tani u bëre më shumë dramatik. Kjo ishte pjesë shumë e rëndësishme. Ishte kush është Amosi. Jo çfarë raporti ka Amosi me prindërit, me Elian, me Lekën e me tjetrin e me tjetrin.

Para se të nisnim intervistën më the në një moment kur po flisnim pak për politikën: “Shiko Mira, ata (referuar kosovarëve) janë shumë të mirë edhe në aktrim”. Madje më tregove për një vajzë shumë të talentuar, madje më sugjerove ta intervistoj. “Janë shumë të mirë dhe më të mirë sesa ne, po ndërkohë dhe në politikë, më the “Nuk e pe si janë bërë europianë? Ata janë bërë para nesh”. Pse? Shumë mirë që janë bërë. Unë gëzohem, po pse?

Amos Muji Zaharia: Ata me sa duket kanë qenë europianë. Aktori është një qenie që mund t`ia lërë krejtësisht profesionin e vet edhe instinktit dhe të rrijë mbi ujë, por nuk e kam specifikisht tek aktorët, e kam tek regjisori. Se regjisori është një qenie që përveç talentit ka nevojë edhe për mendim. Ka nevojë për intelekt. Duhet ta ketë kokën plot. Ti mund të jesh i talentuar shumë, por nuk thua asgjë, po s`e pate kokën plot. Kështu që në aspektin e regjisë edhe të filmave që ata bëjnë janë njerëz që kanë një lloj vizioni. Kjo tregon për një emancipim të qenies në përgjithësi. Duke pasur regjisorë të mirë dhe duke bërë shfaqje të mira, edukojnë edhe një popull dhe e çojnë pak më sipër. Kjo gjë reflektohet gjithashtu edhe në politikë që edhe pse 10 vite shtet, arritën që të kenë një lloj konsensusi me njëri-tjetrin, arritën t`i shtrëngonin dorën fituesit, t`i thoshin ‘Bravo të qoftë’, na ke nga mbrapa. Sepse në fund fare, edhe pse është betejë politike, qëllimi është i njëjtë, që ti t`i shërbesh vendit tënd dhe ta çosh vendin tënd sa më përpara dhe sa më lart. Ne nuk e kemi këtë gjë. Kaq gjë e thjeshtë është.

Mira Kazhani: E shpjegove shumë mirë.

Ke një shtëpi tënden besoj në Tiranë?

Amos Muji Zaharia: Yes (Po).

Mira Kazhani: Nuk është se dua adresën, por për të kuptuar se si jeton? Je njeri që të pëlqen luksi, të pëlqen jeta e thjeshtë? Po të shikoj stilin, dukesh kështu si i huaj. Edhe nga emri dukesh si i huaj ti, po edhe në stil, ku i gjen këto rrobat? Se në Tiranë shumë pak vishen kështu si puna jote.

Amos Muji Zaharia: Të gjitha rrobat i ke në Tiranë. Kombinimi është çështja.

Unë jetoj vetëm. Kam një apartament që ma ka trashëguar Yllka. Ma ka lënë, sepse ajo jeton me Elian momentalisht. Më pëlqen vetmia në 70% të kohës dhe 30%-shi i mbetur pastaj është ose me njerëzit, ose me kafshët.

Mira Kazhani: Ke ndonje qen apo mace në shtëpi?

Amos Muji Zaharia: Kam një mace.

Mira Kazhani: Si quhet?

Amos Muji Zaharia: ‘Calypso’ (Kalipso).

Mira Kazhani: Pse Kalipso?

Amos Muji Zaharia: Isha duke lexuar Odisenë edhe Kalipso është pengesa e fundit që i bëhet Odisesë për të shkuar në Itaka, për t`u kthyer në shtëpi.

Mira Kazhani: Lexon çdo natë apo në përgjithësi?

Amos Muji Zaharia: Jo, çdo natë jo, por lexoj në përgjithësi. Lexoj. E kam si me dallgë. Ka raste që kur filloj të lexoj, 6 muaj rresht nuk e heq librin nga dora. Ka raste që tre muaj as më shkon mendja të lexoj asgjë.

Mira Kazhani: Një regjisor, meqë thamë s`po përmendim emra, shumë i famshëm dhe me reputacion në Shqipëri, më tregoi në një moment për një pyetje që unë e kisha, që pse pijnë kaq shumë alkool artistët. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë janë njerëz që u jepen “veseve”, edhe regjisori më sqaroi: të luash një rol, ose të jesh në teatër, një shfaqje ose një rol ka fuqi emocionale sa përplasja e makinës dhe hapja e airbag-ut. Është një studim. Kaq tronditje përjeton një aktor dhe vetëm duke shkelur disa rregulla mund ta marrë veten. Është e vërtetë kjo? Ti bën pjesë këtu?

Amos Muji Zaharia: Jo, nuk e di a është kjo arsyeja pse, jo vetëm artistët, por në përgjithësi njerëzit pijnë, ose përdorin drogërat. Të bësh teatër, në vetvete është një adrenalinë shumë e madhe. Ta gjesh veten përpara një publiku të gjerë, përpara 500 vetave dhe njëmijë sy janë tek ti është përgjegjësi e madhe, por gjithashtu edhe kënaqësi e madhe dhe adrenalinë e madhe. Kur shfaqja mbaron, e gjithë kjo hyperadraline zhduket. Dhe vjen një moment që të kthehet në drogë ajo gjë dhe ti ke nevojë që ta rikrijosh, ose të kompesosh.

Mira Kazhani: Duartrokitja duhet të vazhdojë.

Amos Muji Zaharia: Po njëfarë mënyre që të ketë atë shpërthim serotonine në tru, që të ndihesh po aq mirë. Se të kthehet në drogë. Mbase kjo është një nga arsyet. Është bërë një eksperiment në vitet ’70 me disa minj. E lidhnin me ushtarët që ktheheshin nga Vietnami dhe përfundonin në heroinë, histori të tmerrshme dhe bënë një eksperiment me minj, ku i vinin një vend ku mund të pinin ujë dhe një vend ku mund të pinin ujë me kokainë. Por ambienti ku këta minj jetonin ishte krejtësisht i varfër. Pra miu nuk kishte as partnere për t`u çiftuar, nuk kishte as lodra dhe gjithmonë miu zgjidhte ujin me kokainë derisa vdiste. Ndërsa nga ana tjetër, i njëjti eksperiment, ama këtë herë miu ishte në një kafaz shumë më të madh, me miushet me të cilat mund të çiftëzohej, me vende ku mund të luante dhe të argëtohej dhe gjithmonë miu zgjidhte ujin e pastër. Kjo tregoi që në fakt është ambienti ai që karakterizon dhe është determinues për abuzimin e njeriut me drogërat. Pra nëse ti jeton në një parajsë nuk ke nevojë të drogohesh, sepse parajsën e ke përpara syve. Nëse ti jeton në një ferr dhe ke nevojë të shpëtosh nga ky ferr, atëherë detyrimisht kalon tek drogëra të ndryshme siç mund të jetë alkooli, heroina e të tjera. Në vetvete është thjesht një tentativë për të shpëtuar nga një realitet i shëmtuar.

Mira Kazhani: Një jetë me gabime, por që të jep adrenalinë edhe gëzim, por me çmim të shtrenjtë apo një jetë e rregulltë që të jep qetësi? Apo sipas moshës?

Amos Muji Zaharia: Pak nga të dyja besoj.

Mira Kazhani: Si e mendon veten 50 vjeç, 60 vjeç?

Amos Muji Zaharia: Të shkoj njëherë aq.

Mira Kazhani: Uroj të shkosh!

Amos Muji Zaharia: Faleminderit! Nuk e di se përpiqem të jetoj në të tashmen.

Mira Kazhani: E mendon veten për shembull me shumë fëmijë?

Amos Muji Zaharia: Jo.

Mira Kazhani: Ndoshta jo me fëmijë, me familje?

Amos Muji Zaharia: Fatkeqësisht e mendoj veten vetëm në një shtëpi të errët me një bibliotekë shumë të madhe.

Mira Kazhani: E mbyllim me këtë?

Amos Muji Zaharia: Si të duash ti.

Mira Kazhani: Ku do shkosh sot?

Amos Muji Zaharia: Në shtëpi.

Mira Kazhani: Shikon televizor?

Amos Muji Zaharia: Unë kam televizor, por nuk kam antenë.

Mira Kazhani: E ke hequr antenën nga shtëpia? Nuk ia vlen?

Amos Muji Zaharia: Është një realitet që nuk dua ta shikoj.

Mira Kazhani: Po çfarë fsheh? Çfarë sheh? (Qesh) Tamam çfarë fsheh.

Amos Muji Zaharia: Çfarë fsheh? Njeriu është një pus që fsheh shumë gjëra, por duhet të dish të hedhësh grepin.

Mira Kazhani: Çfarë sheh gjatë këtyre 5 viteve, kurioze jam?

Amos Muji Zaharia: Shikoj në përgjithësi filma që unë zgjedh t`i shikoj. Në përgjithësi futem në internet ku të paktën kam iluzionin e zgjedhjes. Pra futem kërkoj atë që dua dhe shikoj atë që dua. Ky është në thonjëza iluzion i zgjedhjes. Kaq. Është një iluzion pak më i sofistikuar, nuk është se nuk është iluzion në vetvete.

Mira Kazhani: Mua, “Barraka Production” dhe atyre që na shohin do na sugjerosh një film ta shikojmë këtë fundjavë?

Amos Muji Zaharia: Si je me horrorin?

Mira Kazhani: Jo dhe aq mirë. Mua mos më propozo horror. Ndonjë komedi po deshe, ose romancë.

Amos Muji Zaharia: Nuk është horror me monstra. Është horror psikologjik, njerëzor.

Mira Kazhani: Psikologjik më pëlqen.

Amos Muji Zaharia: Ok, “Martyrs”, një film francez. Unë kur e kam parë kam thënë ky është filmi më horror dhe më i bukur horror që kam parë në jetën time.

Mira Kazhani: Ku ta gjej? Ta piratoj?

Amos Muji Zaharia: Piratoje. Koha e piratëve.

Mira Kazhani: Vërtet, nuk ka asnjë mundësi për shembull, nuk është në Netflix dhe në këto platformat?

Amos Muji Zaharia: Jo.

Mira Kazhani: Ok, duhet t`i futemi Google-it vetë.

Amos Muji Zaharia: Për mua dil nga Netflix edhe futu në MUBI.

Mira Kazhani: Faleminderit Amos!

Amos Muji Zaharia: Faleminderit ty Mira!

Mira Kazhani: Ishte intervistë shumë interesante dhe simpatike.

Amos Muji Zaharia: Faleminderit shumë!

Mira Kazhani: Shpresoj që folëm për Amosin!

Amos Muji Zaharia: Jam i sigurt që folëm për Amosin. Faleminderit!

Mira Kazhani: U përpoqëm që të mos japim nga ato titujt që janë me dhjetëra në Google tashmë.

Amos Muji Zaharia: Më kanë ardhur në majë të hundës.

Mira Kazhani: Faleminderit!

Amos Muji Zaharia: Faleminderit ty!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *