Ç`mendon një grua në biznes për Shqipërinë

Nga Mira Kazhani/ Rafaela Rica ose Rafi, siç i thërrasin dhe e njohin të gjithë është vajza nga Mirdita, studente e anglishtes e cila pati xixën dhe guximin e duhur për të kapur një çast, që do ta kthente shumë shpejt në një sipërmarrëse serioze në treg. Në vitet 2000 pak informacion kishim dhe ndoshta kush dinte pak anglisht pati edhe më shumë dyer të hapura. Në biznes, Rafi kishte edhe talentin e iniciativës, guximit për të gabuar si në Natën e Vitit të Ri, në 2001-shin me DJ zviceran tek Piramida, ku një shef policie i paqartë me nocionin DJ dhe njerëzit që festonin, i shpërndau të gjithë për në shtëpi…

Ajo sot është një grua e suksesshme, e pasur, dhe sidomos në një fazë të lumtur të jetës, sepse siç thotë ajo, pasuria e vërtetë është të jesh mirë me veten. Në këtë video podcast tregon vështirësitë e një biznesi në Shqipëri, bukurinë e risive, si dhe dashurinë me partnerin e saj ku në dashtë Zoti dhe Universi, siç thotë Rafi, do të bëhen edhe tre.

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Rafi, si të erdhi si ide PR, kur njerëzit në 2003-shin nuk dinin as akronimin PR (Public Relation), domethënë, komunikim, reklamë?

Rafaela Rica: Në fakt e kam nisur edhe më herët se 2003-shi. Edhe pse e kam nisur si person fizik dhe regjistrimi me Iceberg Communication është bërë në 2003-shin. Në fillim e kam nisur si një agjenci reklamash. Pasi PR nuk është se njihej si koncept. Më pas, në udhëtimin tim të biznesit kam ardhur duke shtuar dhe diversifikuar portofolin nga ato kartëvizitat e para që bënim dhe printonim, fletëpalosje, sot jemi një kompani që merremi me disa shërbime, që janë reklamat, PR, marketingu, dekoret sezonale që shihni në qytete dhe evenimentet që janë një zë i madh në portofolin e punëve që ne bëjmë.

Mira Kazhani: E ke nisur këtë si kompani, në një kohë kur Shqipëria shumë informacion nuk kishte. Edhe lëvizja ka qenë shumë e pakët. Pate ti një kontakt, pe një film, kishe një udhëtim ku e more idenë apo…?

Rafaela Rica: Ka qenë vetëm një moment që kam pasur një takim me një mikun tim sot, asokohe thjesht bëmë një takim pune, kur unë punoja tek Gazeta Shekulli, në departamentin e marketingut. Ai menaxhonte një agjenci reklamash atëherë që quhej Delta Publicity, mbase dhe ti e njeh. Është Tit Seraili. Ka qenë personi që në fakt më ka ndez llambën për të nisur dhe unë një biznes si Iceberg Communication. Në fillim e nisa si Iceberg Publicity, më pas fillova të mendoja që duhej t`i ndryshoja dhe unë termat. Nuk e dija realisht se çfarë po bëja. Thashë, thjesht kisha dëshirën e madhe që të bëja edhe unë atë gjë që po bënte Titi. Ai kishte disa klientë që i menaxhonte dhe unë mendova se duke punuar në një gazetë dhe duke e njohur për shumë pak muaj tregun e reklamave, mendova se i dija të gjitha, por në të vërtetë nuk dija asgjë. Pastaj ishte një eksperiencë që unë kam mësuar duke punuar. Nuk kam pasur asnjë background.

Mira Kazhani: Cilat ishin ato gabimet e para, për të mos i quajtur dështime. Edhe pse nga dështimet njeriu mëson më shumë se nga suksesi.

Rafaela Rica: Shumë gabime kam bërë në menaxhimin e kompanisë, pasi realisht nuk dija. Nuk mund t`i quaj gabime më shumë sesa mund t`i quaj mosdije për të ndjekur hapat e duhura. Mbase më është dashur shumë kohë për të kaluar nga pika A në pikën B, ndërkohë që mund ta kisha pasur rrugën më të shkurtër. E kam marrë rrugën me shumë kthesa, derisa kam vajtur tek pika B që jam ngritur nga ai momenti duke qëndruar në këmbë si një fëmijë i vogël që mezi qëndron në këmbë. Ideja është që nëse do të kisha pasur mundësinë që të kisha mësuar nga dikush, ose të kisha pasur një mentor në biznes, ose të kisha pasur një model suksesi, mbase do ta kisha pasur më të thjeshtë, sepse do kisha parë, do kisha lexuar, do kisha dëgjuar. Flasim edhe për kohët kur aksesi me internetin nuk ka qenë kaq shumë i thjeshtë sa është tani. Mbaj mend që kanë qenë shumë pak vende ku mund të aksesoje internetin. Më pas morëm një linjë interneti që të mund të kishim internet, të mund të shihnim email-et, të mund të hapnim adresat. Kështu që po flas për një periudhë kohe që kush hyri në biznes, hyri me një iniciativë dhe po flasim për pothuajse dy dekada më parë dhe nuk është se dikush mbaroi administrim biznesi universitetin dhe filloi punë. Mund të ketë pasur ndonjë rast, por nuk kam ndeshur gjatë gjithë këtyre viteve. Kush hyri në biznes, hyri sepse pati një ide dhe mori atë iniciativën për ta bërë këtë gjë. Kështu që nuk kujtoj një gabim më specifik. Mund të tregoj një rast që solla një DJ nga Zvicra (qesh), me atë çmendurinë time, iniciativën… ndoshta ka qenë një nga DJ-të e parë, për të mos thënë i pari që vinte në Shqipëri dhe dështova me sukses, sepse ideja dhe çdo gjë ishte shumë e mirë. Bëmë një festë të madhe tek Piramida, mirëpo për arsye të pakuptueshme, natën e Vitit të Ri që ishte edhe nata që DJ do luante muzikë, Policia shpërndau njerëzit dhe për mua kjo ka qenë…

Mira Kazhani: Cili vit?

Rafaela Rica: Ka qenë në mos gaboj viti 2000, ose 2001, nuk e mbaj mend mirë. Po duhet të ketë qenë në fillimet e biznesit tim. Atë natë unë humba 6 mijë euro që ndoshta sot mund të jenë në vlerë 60 mijë si vlerë paraje në kohë dhe unë vërtet pësova një shok. Ka qenë momenti që kuptova që këto goditjet e tilla të bëjnë që të ringrihesh më e fortë.

Mira Kazhani: Pse i shpërndau Policia njerëzit?

Rafaela Rica: Nuk besoj se ka qenë një gjë tendencioze. Mund të ketë qenë një veprim… Kanë parë një grup njerëzish… Kishte një radhë të madhe tek Piramida, tek hyrja kryesore e Piramidës, edhe nuk e di. Nuk besoj se ka qenë diçka tendencioze. Ka qenë ndoshta thjesht veprim i një shefi policie që tha pse është gjithë ky grupim në natën e Vitit të Ri këtu. Ende nuk e kam marrë vesh pse, por ajo ndodhi dhe në biznes në shumë raste nuk e kupton pse të ndodhin disa gjëra. Prandaj duhet të kesh gjithmonë një plan B, një backup.

Mira Kazhani: Tani nuk ke më atë zyrën e vogël dhe modeste të para dy dekadave. Në informacionin tim ke një zyrë, në një nga rezidencat luxury në Tiranë. Kur shkon aty dhe del tek ajo dritarja Rafi, çfarë mendon për veten, për gjërat që ke arritur? Çfarë ndjesie ke? Frikë, gëzim?

Rafaela Rica: Të them të drejtën unë gjithmonë kam qenë në këto përpëlitjet e mendimeve që mund të kisha bërë shumë më shumë me sa punë kam bërë. Shumë vite investim 100% në punë dhe shpeshherë mendoj që po t`i kisha bërë këto përpjekje në një vend tjetër mbase do më ishte shpërblyer më shumë. Nuk e kam vetëm fjalën për shpërblim material, por për gjërat që mund të bësh në një treg të lirë, ku nuk pengohesh, ecën përpara, ke një mbështetje më të madhe nga shteti, sidomos për gratë që janë në biznes. Ndërkohë që tani shoh që ka mbështetje për gratë që janë në biznes në shumë forma. Në kohën time nuk kam pasur… Më vonë ndoshta ka qenë ndonjë projekt që më ka ndihmuar ndoshta me një konsulencë, por jo… Kur e shoh Tiranën nga lart, mendoj që mund të isha ngjitur më lart. Mund ta shihja dhe më lart. Po prapë mundohem të jem shumë falenderuese dhe mirënjohëse për këtë që kam arritur. Në fund fare, vërtet e shoh nga lart dhe them deri këtu ku kam ardhur, kam ardhur me forcat e mia. Jam krenare për këtë dhe jo vetëm unë si Rafael. Jam krenare për gjithë ekipin që kam pasur fatin e madh ta kem përkrah prej shumë vitesh.

Mira Kazhani: Sa punonjës ke tani dhe sa kishe në fillim?

Rafaela Rica: Tani aktualisht kam 22 punonjës që janë full time, po kam edhe dy projekte që i kam me shumë ekspertë të angazhuar që janë edhe ata rreth 10 punonjës të tjerë që janë po prapë pjesë e stafit të Iceberg. Plus në fund të çdo viti ne marrim 10-15 punonjës duke qenë se bëjmë projektet e fundit të vitit, dekoret që i keni parë. Kështu që jam shumë krenare për stafin që kam ndërtuar, për njerëzit që i kam mbajtur dhe kanë qëndruar. Ka qenë reciprok besimi. Kam një djalë që është një nga personat që për atë besnikërinë që ka treguar për Iceberg, më duket se është pjesë e familjes time. Nuk mund ta quaj më as si staf. Është Edi. Është dizajner në kompani. Ka 19 vite pothuajse që punon me kompaninë. Pastaj kam Arbanën, motrën që është krahu im i djathtë. Kam Suelën, kam disa të tjerë që kanë mbi 15 vite që punojnë me kompaninë. Kam Dhuratën dhe që janë bërë pjesë e familjes së Iceberg-ut.

Mira Kazhani: Rafi, çfarë ndjen ti kur shikon një lloj – nuk dua të them agresion- por edhe agresion është, në rrjetet sociale, por edhe në media ndaj biznesmenëve, ndaj njerëzve të pasur… Unë jam e bindur që ata e kanë me hajdutët, jo me biznesmenët, po ndonjëherë digjet i njohi me të thatin, themi ne shqiptarët. Ti çfarë thua në kafet e tua apo në takimet me miqtë e tu për këtë?

Rafaela Rica: Pjesa e rrjeteve sociale është një sulm që në fillim na bënte shumë përshtypje kur shikoje që njerëzit flasin keq për këdo në fakt, jo vetëm për njerëzit që janë të suksesshëm. Sigurisht që unë respektoj të gjithë ata që flasin me baza dhe me fakte për shumë raste kur ka diçka për të folur dhe jam absolutisht pro mediave serioze që bëjnë një oponencë ndaj rasteve që i shohin që nuk janë të drejta. Në fillim, kur unë jam sulmuar në media, dhe kjo ka ndodhur mbase edhe para 10 vitesh, për herë të parë, momenti i parë ka qenë shumë shokues. Kisha nisur biznesin, punoja. Për këdo që e njeh Rafaelën, e di që kam qenë një person që kam marrë çdo furgon të mundshëm për të shkuar e për të takuar klientë. E kam ndërtuar punën vërtet me punë. Ajo që kam bërë në rrugëtimin tim është se politika ime e vetme ka qenë puna. Nuk jam marrë asnjëherë në jetën time me politikë. Edhe pse më kanë thënë je marrë me të djathtët, e më vonë kur fillova të punoja me të majtët, më thanë je pozicionuar me të majtët. Në të vërtetë, kurrë në jetën time nuk jam marrë me politikë. Kam refuzuar të futem në palët partiake. Kam thënë unë jam këtu për të bërë biznes. Edhe pse unë bëj një punë që shumë pak veta mund ta bëjnë. Jo sepse unë jam më e zonja, por sepse unë kam zgjedhur ta bëj këtë punë. Si i thuhet në anglisht “by default”, një pjesë e këtyre do vijnë të punojnë me mua, sepse dikush tjetër nuk e ofron këtë shërbim. Kur shoh që sulmohem krejtësisht me të padrejtë dhe kur ti sheh që për të bërë një projekt të Vitit të Ri, të duhet një punë e jashtëzakonshme. Blerje e mallit një vit përpara. Këtë vitin e fundit sidomos, rritja e çmimeve trefish, rritja e transportit, kur ti ke stafin që punojnë gjithë natën për të ndërtuar materialet dhe shkojnë i vendosin në mes të shiut dhe dëborës dhe në kushte atmosferike tepër të vështira, për buxhete realisht shumë të ulëta… Me atë buxhet që ne do dekorojmë një qytet, mund të kishim bërë një qendër tregtare po ta bënim këtë shërbim jashtë Shqipërie, dhe kur çohesh të nesërmen dhe sheh një artikull në gazetë, kur ka qenë me një prokurim publik të hapur dhe në tender s`ka hyrë askush tjetër përveçse Iceberg-ut, kur kanë pasur mundësi të hyjnë edhe të tjerë, edhe lexon artikuj të ndryshëm, thua, uau… Është e pabesueshme. Thashë nga ai momenti i parë, para 10 vitesh që u shokova, tani thjesht nuk më bëjnë përshtypje. Mundohem t`i injoroj.

Mira Kazhani: Dhe vazhdon të dekorosh…

Rafaela Rica: Vazhdoj punën time. Për kaq kohë sa unë thjesht po bëj punën dhe s`kam bërë deri më sot asnjë turp që të ndihem keq për punën që kam bërë. Po ti e ke parasysh vetë. Kam përshtypjen që në këtë vorbull jemi të gjithë. Kushdo që përpiqet të bëjë diçka dhe është e paevitueshme, që në momentin që ti qëndron pak ndryshe nga turma, do të sulmohesh. Këtë e kam kuptuar. Ajo që më vjen keq është që kam parë shpeshherë sulme nga njerëz që unë i kam parë si homologë biznesi, që kur kanë pasur nevojë për ndihmën time, unë ua kam dhënë ndihmën. Aty jam ndjerë më e thyer, nga pabesia e tyre. Se unë e di shumë mirë, në një treg të tillë sigurisht që puna ndërtohet me punë, por edhe me marrëdhënie, njohje, këtë e dimë të gjithë.

Mira Kazhani: Të gjithë ata që janë në frontin e parë sulmohen dhe linçohen në shumicën e rasteve edhe padrejtësisht. Unë mendoj që e ka thënë ai tek “The Wolf of Wallstreet”, është më mirë kur je i pasur, në të gjitha rastet. Edhe sulmet i kalon më mirë tek zyra jote e bukur. (qesh)

Rafi, Rafaela, e ke të bukur emrin. Si ta kanë vendosur në komunizëm kështu?

Rafaela Rica: Unë e kam marrë emrin nga Raffaella Carra. Im atë kur ishte student e adhuronte Rafaella Carra-në, edhe shkoi për ta vënë emrin në gjendjen civile me dy ‘f’ dhe me dy ‘l’, edhe i thanë nuk lejohet, se në kohën e Enverit nuk lejohej. Edhe i hoqën një ‘f’ dhe një ‘l’ dhe e kam Rafaela thjesht. Sikurse edhe motra ime e madhe Alma e mori emrin nga një balerinë e famshme mos gaboj.

Mira Kazhani: Babi çfarë profesioni ka qenë?

Rafaela Rica: Babi ka pak vite që ka dalë në pension. Është ekonomist. Po është shumë më shumë se kaq. Është personi që unë kam pasur idhull dhe vazhdoj ta kem ende. Do doja të isha bërë pak si ai, se përveç faktit që ka qenë një ekonomist shumë i zoti, ka punuar në institucione të rëndësishme si auditues, si audit-kontrolli. Ka shkruar katër test-libra. Është studiues. Është euridit. Atë i them, je një njeri aq i ditur, aq i lexuar sa është vërtet kënaqësi të shpenzosh edhe gjysmë ore me tim atë. Është shumë i ditur dhe shumë i zoti. Sigurisht ka qenë gjithmonë brenda kornizave dhe në pjesën që më ka vlejtur dhe më ka ndihmuar shumë, përpos gjithë këshillave, ka qenë që gjithmonë im atë më ka mësuar sesa e rëndësishme është të jesh i kujdesshëm, të jesh i rregullt me shtetin, se këtë fjalinë e ka gjithmonë kujdes (qesh). Ime më nga ana tjetër ka qenë mësuese, se tani edhe mami ka dalë në pension. Në fund fare mendoj që ne jemi këtu sepse kemi pasur ata prindër, edhe pse…

Mira Kazhani: Këta prindër që e kanë dashur kaq shumë shtetin dhe na kanë edukuar që të respektojmë çdo gjë të shtetit. Dhe e çuditshme është si ka mundësi që nuk është bërë Shqipëria. Jo se s`është bërë. Është zhvilluar, por prapë duhet të ishim akoma më mirë kur mendoj këtë edukimin e prindërve tanë, tipik.

Rafaela Rica: E vërtetë është. Tani sigurisht Shqipëria ka ndryshuar shumë nga ku kemi qenë. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë kaosin lukrativ, sepse është një “Lucrative Chaos” në Tiranë. Është interesante, por edhe e ç`organizuar. Ndoshta me këtë edhe jemi mësuar. Është proces. Mendoj se do të duhen edhe disa vite. Sigurisht që është një treg i vogël që fatkeqësisht po merr shumë kohë për t`u ndërtuar siç duhet. Mendoj që brezi i prindërve tanë e kanë vendosur atë themelin. Tani sigurisht që në themelin e fortë që u vendos, ka pasur edhe ndërtime pa leje (qesh) që janë shembur dhe duhet të rindërtohen. Po mendoj që edhe ne jemi këtu ku jemi edhe prej asaj shtyllës kurrizore që na kanë dhënë prindërit.

Mira Kazhani: Boshtit të vlerave që kanë trashëguar ata

Më the pak më parë që nuk je e pasur. Çfarë është për ty pasuria? Që të quhesh që je i pasur, çfarë duhet të kesh? Gjithmonë në Shqipëri. Nuk e mas me Manhattan. (qesh)

Rafaela Rica: Sigurisht nëse flasim për pasuri materiale, pasuria është relative. Për mua të qenurit i pasur ka të bëjë me disa dimensione të njeriut. Një njeri mund të ndihet i pasur pa dashur të dukem shumë… se s`dua të tingëllojë shumë klishe kjo që po them, por një njeri mund të jetë i pasur edhe pse ka dy fëmijë të bukur edhe një familje të lumtur. Edhe ndihet shumë i pasur, sepse ka gjëra shumë më shumë sesa vetë paraja. Ashtu sikurse ka dhe shumë njerëz që kanë shumë para dhe janë totalisht të varfër në shumë gjëra të tjera. Për mua një njeri është i pasur kur ka disa gjëra në balancë. Kur investon vazhdimisht tek vetja, kur sheh për të krijuar ato gjëra që janë me më shumë vlerë, sesa vlera e parasë dhe sigurisht kur ka dhe një jetë që përmbush ato nevojat bazë. Se tani për të thënë atë që është, është mëse e vërtetë që një njeri jeton shumë më mirë dhe e ka jetën më të lehtë, nëse ka disa para. Pra s`dua të them tani që s`ka rëndësi. Ka rëndësi dhe unë vazhdimisht iu them edhe të rinjve dhe kryesisht grave, që pavarësia financiare të jep lirinë. Është gjëja kryesore që ti të fitosh lirinë tënde.

Mira Kazhani: Deri para ca vitesh ishe single. Ishe një vajzë simpatike në qytet, shumë e përkushtuar me biznesin, me karrierën tënde dhe me pavarësinë tënde financiare, por ke disa vite që ke gjetur dashurinë edhe një djalë shumë të mirë që quhet Shpati. Me Shpatin ka plane për dasmë?

Rafaela Rica: Me Shpatin vërtet kam pasur fat. Kam pasur fat që kam njohur një djalë si Shpati. Për momentin jemi shumë mirë me njëri-tjetrin… (qesh)

Mira Kazhani: Jeni shumë të pasur shpirtërisht… (qesh)

Rafaela Rica: Po jemi shumë të kompletuar. Është shumë e rëndësishme për dikë që i ka bërë gjërat vetëm, jam shumë e lumtur që tani kam një partner që bëjmë plane bashkë. Merr më shumë kuptim jeta me një person. Më vjen mirë që kam gjetur një njeri të tillë. I kemi lënë gjërat të rrjedhin natyrshëm. Të shohim sesi do shkojnë gjërat. Po për momentin jemi këtu.

Mira Kazhani: Jeni këtu, që jeni shumë mirë me njëri tjetrin?

Rafaela Rica: Po.

Mira Kazhani: Ndonjë bebe edhe mundet ta keni në plan? Ta zbukuroni dhe më shumë Iceberg-un. (qesh)

Rafaela Rica: Po edhe atë… Nëse do të jetë e thënë për të ndodhur, gjërat ndodhin. Unë besoj gjithmonë që gjërat ndodhin nëse e ka thënë Zoti apo Universi. Jemi të hapur. Jemi në kërkim të zgjerimit të familjes, por kjo do vijë dalëngadalë, hap pas hapi.

Mira Kazhani: Rafi, faleminderit! Të uroj që Zoti të ketë vetëm plane të mira për ty!

Rafaela Rica: Faleminderit shumë! Ky ishte urimi më i mirë. Edhe për ty!

Mira Kazhani: Faleminderit!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *