Dikush më tha: “Nga të shkoi ty mendja tek Sinan Hoxha?”
Përgjigjen time e keni në podcast, por dua të them se edhe pse pas 10 minutave të para temperatura ime kishte shkuar ( siç më vonë e mata) 38.1 gradë, nuk e kuptova fare, falë bisedës së rrjedhshme.
Unë mendoj që Sinani është artist i lindur. E kam respektuar që ka ndjekur rrugën e tij. Nuk e kam parë asnjëherë t’i afrohet politikës, por vetëm publikut të tij. Ka mbushur dhe e ka tundur Pallatin e Kongreseve.
Asnjë koleg nuk flet një fjalë të keqe për të. Më duket se i rendita të gjitha arsyet pse doja të flisja në një podcast me Sinanin, që kur ta dëgjoni, do donit ta kishit në shtëpi një si puna e tij.
Podcasti i transkriptuar:
Mira Kazhani: Sinan Hoxha, faleminderit shumë që e pranove ftesën për këtë podcast!
Sinan Hoxha: Faleminderit ty. Është kënaqësi të jem në emisionin tënd. I kam parë të gjitha puntatat.
Mira Kazhani: Vërtet?!
Sinan Hoxha: Sinqerisht i kam parë dhe më pëlqen jashtë mase. Nuk e vë në dyshim cilësinë e intervistave të tua apo mënyrën sesi e drejton apo e bën ti intervistën, por në tërësi i ke pasur emisionet fantastike.
Mira Kazhani: Kërkova Eraldo Rexhën për të gjetur mënyrën për t`u lidhur me ty, se gati-gati mendoja që as nuk më njeh.
Sinan Hoxha: Tirana është shumë e vogël dhe ju gazetarët dhe ne artistët njihemi të gjithë me njëri-tjetrin. Bashkë nuk na ka rënë rasti të njiheshim nga afër, megjithatë ti nuk e di që katundi im me katundin tënd janë 10km larg në vijë ajrore me njëri-tjetrin. Kështu që ne jemi nga e njëjta zonë. Origjina jonë është shumë e njëjtë dhe e afërt në distancë.
Mira Kazhani: Ndoshta kjo e shpjegon një lloj afërsie që më është dukur sikur je pjesëtar i familjes.
Sinan Hoxha: Na tërheq gjaku, zona.
Mira Kazhani: Na tërheq katundi (qesh)
S`ka si katundi! Unë e nisa me fotografinë, sepse mendoj që aty nisi suksesi dhe fama jote. Sigurisht zëri ishte yti, talenti është i yti, por ka shumë talente që nuk arrijnë dot të bëjnë një këngë aq shumë të dashur dhe që t`i çojë si një trampolinë menjëherë drejt famës. Ti ia dedikon suksesin tënd sadopak asaj kënge, asaj gjetjeje?
Sinan Hoxha: Në fakt ti ke dëgjuar këngën e parë timen që më dha suksesin në ato vite. Unë isha një djalë i thjeshtë, kam kënduar atë këngë sonte dhe të nesërmen kam qenë shumë i njohur. Ajo këngë është kënduar në një festival të muzikës së lehtë në atë kohë. Siç janë “Ethet e së premtes” apo këto formatet e tjera, në vitet kur është kënduar “Fotografia” ka qenë e vetmja dritare për artistët dhe për publikun ka qenë RTSH dhe sapo ishte hapur televizioni i parë privat në Durrës, Tv Teuta. Nuk ishte as Top Chanel, as Klani, asnjë nga këta televizionet e mëdha sot.
Mira Kazhani: Duhet të ketë qenë `93, `94.
Sinan Hoxha: I pari televizion privat ishte Teuta Tv, ku ishte pronar Bashkim Hoxha edhe bënte festivalin e parë privat të zërave të rinj, në bashkëpunim me Alban Karabashin, studio Xhes në atë kohë. Studio e parë, muzikore, private në Shqipëri. Në atë festival unë kam marrë pjesë me këngën “Fotografia” edhe kam marrë çmimin e dytë. Pra është kënga që më ka sjellë shumë fat. Shkallët e karrierës zakonisht ngjiten një e nga një, kurse unë me atë këngë i kapërceva nja dhjetë shkallë përnjëherë.
Mira Kazhani: Brenda natës ishe i famshëm. Sa vjeç ishe atëherë?
Sinan Hoxha: Kam qenë adoleshent, 18, 19.
Mira Kazhani: Adoleshent, djalë shumë i ri, djalosh.
Si e gjete këngën?
Sinan Hoxha: Jetoja në Greqi në ato vite. Sapo kisha vajtur në Greqi, edhe punoja në një buzuk grek, si një njeri që e adhuronte muzikën. Në ato kohë të vështira, më është dashur të emigroj në Greqi, si gjithë shqiptarët, për kushte më të mira. Mirëpo nuk mund të bëja një punë tjetër, përveçse një pune që i afrohej asaj të cilës unë ëndërroja dhe dëshiroja me gjithë forcën e trupit. Mirëpo atje s`më njihte askush dhe vija nga një vend i varfër si Shqipëria. Këmbëngula që të punoja kamerier, por doja të punoja në një buzuk grek ku të kisha mundësi të dëgjoja dhe të shijoja muzikën e bukur greke. Aty e kam mësuar këngën e bukur “Fotografia”. Është një këngë e një këngëtari shumë të famshëm grek, Antonis Vardis me të birin. Kthehem në Shqipëri dhe kompozitori Alban Furtuna në atë kohë, ishim edhe komshinj, e dinte që unë e pëlqeja shumë atë këngë, edhe e këndoja në gjuhën greke. Rastësisht takojmë Bashkim Hoxhën edhe më thotë që po bëjmë një festival me zëra të rinj ku na duhen vokale të reja, por tekstin duam ta kemi në shqip. Është një tekst i bërë në atë kohë nga Sokol Marsi. Sokol Marsi në atë kohë punonte në studion Xhes. Edhe ai sapo kishte ardhur nga Vlora. I ri në Tiranë. Edhe kështu, më solli fat kjo këngë.
Mira Kazhani: Më mbeti mendja pak tek puna si kamerier në atë buzukun në Greqi. Arrite të këndoje në atë buzuk gjatë kohës që ishe atje?
Sinan Hoxha: Unë kam jetuar shumë pak në Greqi. Kam punuar tre muaj. Ndoshta Zoti e kishte shkruar që unë të bëja atë gjë që doja dhe që e ëndërroja. Ma realizoi shumë shpejt. Punova tre muaj në atë buzuk edhe u ktheva thjesht për një kohë të shkurtër, të vizitoja familjen dhe të kthehesha prapë. Mirëpo ajo këngë më ndaloi në Tiranë edhe nuk ika më kurrë.
Mira Kazhani: Ishte këtu e ardhmja pastaj. Nisi menjëherë. E konsideron veten që ke lindur me këmishë, që ke lindur me fat?
Sinan Hoxha: Të gjithë njerëzit mendojnë që fati jonë është i paraparë dhe i parashkruar nga Ai Atje Lart, shumë më parpara. Unë nuk besoj shumë në fat. Unë nuk kam pasur fatin të lind djali i një këngëtari të madh apo i një regjisori të madh apo i një familje ku ka artistë brenda. Unë kam pasur fatin e madh të jem djali i dy prindërve shumë të thjeshtë, punëtorë shumë të thjeshtë, të vuajtur në maksimum, por që na kanë rritur me një dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, ku baza ka qenë puna dhe ndershmëria. Im atë dhe ime më, gjithë jetën kanë sakrifikuar për ne dhe kanë dashur që ne të jemi të suksesshëm në llojin tonë përmes punës dhe të vërtetës. Kështu që gjithçka mendoj që e kam arritur aty ku jam sot, në këtë pozicion minimalist ku jam sot, e kam arritur vetëm me punë dhe jo me fat.
Mira Kazhani: Ndërsa po tregoje për familjen tënde.. ky është fati. Edhe të marrësh këtë lloj dashurie, edhe të edukohesh me këtë lloj ndershmërie. Në një familje në fshat, me nëntë fëmijë, të lindësh me këtë talent, edhe pse prindërit nuk janë muzikantë, unë them që një pluhur magjik ka lëshuar Ai Lart.
Sinan Hoxha: Zoti ka parë tek unë talentin, pastaj më ka dhënë mendjen që unë ta zhvilloj.
Mira Kazhani: Ti duhet të bësh pjesë tek njerëzit që thonë është karakteri ai që bën fatin dhe jo fati karakterin.
Sinan Hoxha: Unë nuk besoj tek njerëzit që thonë “Ky është karakteri im dhe kështu jam unë e nuk ndryshoj”. Njeriu zhvillohet, ecën, ndryshon, evoluon, emancipohet. Janë të dyja bashkë.
Mira Kazhani: Më trego pak për fëmijërinë tënde. Për shembull, një kujtim që e ke gjithmonë të gëzueshëm, sa herë që të ndërmendet fëmijëria.
Sinan Hoxha: Ne jemi nëntë fëmijë dhe unë jam gati nga fundi (qesh)
Mira Kazhani: Se ka dhe pas teje?
Sinan Hoxha: Po, ka dhe pas meje. Jam gati nga fundi. Në atë kohë gjithë Shqipëria ka qenë e varfër e jo më ne me nëntë fëmijë. Mirëpo unë nuk është se kam pasur ndonjë fëmijëri të frikshme, të mërzitshme. Jo. Kam pasur një fëmijëri shumë të gëzuar. Shumë të mirë. Siç duket ngaqë kam pasur vëllezërit dhe motrat më të rritur dhe ndoshta na kanë përkëdhelur ne më të vegjëlve. Po kujtime kam shumë të bukura. Jam i vetmi në familje që merrem me muzikë dhe ajo zhurma që i kam shkaktuar orar pa orar, në oraret e drekës në atë kohë. Mbaj mend që të gjithë vinin nga puna të lodhur. Edhe gjithë shqiptarët kishin një dy orësh që flinin gjumë…
Mira Kazhani: Po, si princër… (qesh)
Sinan Hoxha: Mirëpo unë bëja atë zhurmën. Gjeja mënyra të ndryshme për të shprehur atë që kisha nga brenda…
Mira Kazhani: Për të prodhuar muzikë…
Sinan Hoxha: Improvizoja me tenxhere, me kazanë, me llamarina, me gjithçka çfarë kisha, bëja një zhurmë të frikshme dhe ato vrapimet e shpeshta që bëja pasi më ndiqte motra të më godiste me shkop ngaqë e zgjoja nga gjumi, i kujtoj sa herë në familje me nostalgji, edhe qesh.
Mira Kazhani: Motra që të ndiqte me shkop, ia ka parë hajrin suksesit tënd besoj
Sinan Hoxha: Mamaja ime dhe motra e madhe… më kujtohet kemi pasur afër shtëpisë një si tip kazani të ngritur lart. Ishte një lavatriçe që lante inertet, zhavorin, rërën e ndërmarrjes shtetërore dhe mbaj mend që hipja në majë të kësaj gjësë lart dhe këndoja me gishta në vesh, në mes të drekës, në mes të vapës. Motra dhe mamaja dilnin dhe më bërtisnin sa herë më thoshte mamaja: Ore, mos me këndo në majë të hekurave atje. Burrë është ai që shkon e këndon atje ku e ka vendin.
Mira Kazhani: Në skenë!
Sinan Hoxha: Në skenë!
Mira Kazhani: Po ja, të ka inkurajuar. Çfarë këngësh këndoje ti atje në atë kohë?
Sinan Hoxha: Kur isha i vogël, çuditërisht nuk këndoja këngët e pionerëve. Se kam qenë në Shtëpinë e Pionerit në fakt dhe kishim këngë për xhaxhin dhe për partinë. Këndoja këngët që këndonin hallat e mia, tezet e mia në ambientet dhe gëzimet familjare që bëheshin në atë kohë.
Mira Kazhani: Ma kujto një këngë.
Sinan Hoxha: Ishin këngë qytetare që këndoheshin nëpër dasma. Në vitet `90 kur u hap gjithë gjëja edhe në Shqipëri mbërritën kasetat e para dhe patëm mundësinë të blinim një “majtofon”, 24 orë në 24 dëgjonim të vetmin, Michael Jackson. E gjithë lagjja…
Mira Kazhani: Sa bukur i the “majtofon”. Kështu i thonim në fakt. Nuk i kemi thënë magnetofon.
Sinan Hoxha: Majtofon mo majtofon (qesh)
Mira Kazhani: Asnjë prej të tjerëve nuk këndon në shtëpi, nuk ka talent.
Sinan Hoxha: Jo. Nga motrat dhe vëllezërit e mi, asnjëri.
Mira Kazhani: Pra nuk shpjegohet fare në ADN talenti yt.
Sinan Hoxha: Jo, fare, fare, fare. Nuk e di.
Mira Kazhani: Fëmijët e tu? Ke dy djem.
Sinan Hoxha: Unë kam dy djem. Ansi, 8 vjeç dhe Ajan që është 3 vjeç. I madhi s`ka lidhje fare me muzikën. Ndërsa i vogli mendoj që ka shumë talent, megjithëse unë jam i vetmi këngëtar që nuk do që i biri të bëhet këngëtar, artist.
Mira Kazhani: Po pse?
Sinan Hoxha: Unë nuk do doja kurrë, por kurrën e kurrës që fëmija im të bëhej artist.
Mira Kazhani: Ke merak se gjithmonë do ta krahasojnë me ty dhe s`do ketë identitetin e vet apo është e lodhshme të jesh artist?
Sinan Hoxha: Sipas meje është profesion shumë i frikshëm të qenurit artist. S`e ke vënë re që në gjithë botën artistët vdesin shpejt, vdesin para kohe?
Mira Kazhani: Ka qenë vdesin para kohe…
Sinan Hoxha: Kemi të bëjmë me emocione shumë të forta Mira. Emocionet e një artisti janë të frikshme. Shumica e artistëve bëhen me tension, me diabet. Përpara se të dalësh në skenë, është një emocion aq i fuqishëm sa unë nuk di të ta shpjegoj edhe ta them, por specialistët që merren me këtë gjë thonë që është goditje aq e fortë, sa nuk e krahason dot as me një punëtor që punon në ndërtim, nga 12 orë në ditë.
Mira Kazhani: Është shumë interesante kjo. Ka shumë shpjegime. Duhet të jenë bërë edhe studime në fakt. Po ama, ne të zakonshmit, ne të vdekshmit ndryshe, nuk provojmë dot atë emocionin që provojnë artistët. Për shembull, unë gjithmonë them: Çfarë ndjesie duhet të ketë dikush që këndon. Shoh Celine Dion apo edhe një aktor të famshëm të Hollivudit, Denzel Washington, ti thua, këta njerëz të rrethuar me aq shumë dashuri, me aq shumë emocione, kanë ndoshta një jetë të dytë brenda një jete. Brenda asaj jetës që kanë sikur jetojnë ca më shumë se të tjerët.
Sinan Hoxha: Unë e thashë këtë pjesën e problematikës që ka të qenurit artist. Sigurisht që ka benefitet e veta. Sadisfaksioni është i jashtëzakonshëm. Ajo bllokada ndodh para se të dalësh në skenë. Mua më ka ndodhur në një koncert, përpara se të dilja në skenë, frymë nuk merrja dot, aq emocione të forta kisha dhe aq i bllokuar isha. Organizatori i koncertit gjatë gjithë kohës, mbaj mend që i thoshte kolegut të vet, ky ma prishi koncertin sonte. Dal në skenë, mbaroj performancën, kthehem dhe më thotë: Ti ose je mashtrues, ose je magjistar. Nuk e di çfarë je ti. Përpara se të dalësh në skenë, këtu është problematika. Në momentin që unë dal në skenë, le të jenë përpara dhe 100 mijë vetë, shndërrohet në një gjë krejt tjetër. Kjo është forcë e mbinatyrshme që ta jep Zoti. Emocionet aty fashiten. Fillon dhe merr një energji të frikshme për të bërë atë që ke brenda dhe sadisfaksioni i artistit në fund fare është shumë i madh.
Mira Kazhani: Sinan, ka disa rregulla që ti i di, një lloj disipline përpara sesa të ngjitesh në skenë. Nuk e di, nuk duhet të drekoni, nuk duhet të keni pirë, se njerëz jeni.
Sinan Hoxha: Të gjithë artistët që performojnë live… Për çdo të shtunë, unë minimumi duhet të këndoj 4 orë live… Kjo është problematika e këngëtarëve popullorë. Nuk na lejohet playback. E kemi të ndaluar rreptësisht. Të kënduarit 4 orë live duhet patjetër të mbash një lloj regjimi. Katër orë përpara se të performosh nuk duhet të konsumosh absolutisht asgjë, përveçse ujë. Madje një orë përpara se të këndosh, as ujë s`duhet të pish. Pasi kordat ngacmohen. Duhet të jenë të drejta. 30 minuta para se të dalësh në skenë, duhet të bësh 15 minuta nxehje vokale, vokalica. Kështu që nuk është aq kollaj sa duket. Në pamje të parë duket sikur bëjmë qejf, por nuk është ashtu.
Mira Kazhani: E besoj, sepse ne shohim vetëm shkëlqimin dhe nuk shohim asnjëherë ato sfidat. Dhe një aspekt tjetër suksesi, që është fama dhe të qenit nën dritën e publikut, ku gjithçka vëzhgohet, çdo gjë komentohet, kam dëgjuar shumë artistë botërorë… Kate Winslet kishte thënë në një intervistë që fama që mora me Titanik ishte e tmerrshme. Për të kishte qenë torturuese. Vjen një moment që fama është e bezdisshme. Edhe pse njerëzit ëndërrojnë të bëhen të famshëm. Të rinjtë atë kanë qëllim, të kenë një lloj identiteti, por për ata që provojnë famën, e dinë që ka shumë dritëhije. Ajo që ndodh edhe me disa artistë që the pak më parë.
Sinan Hoxha: Prandaj thashë që nuk do doja që im bir të bëhej artist.
Mira Kazhani: Ke frikë nga fama, nga kostoja, çmimi i famës?
Sinan Hoxha: Sigurisht.
Mira Kazhani: Ke pasur ndonjë moment që ke thënë, po të kthehesha dhe njëherë mbrapsht 20, nuk do t`i futesha kësaj rruge?
Sinan Hoxha: Epo ky është konflikti i madh që ndodh me ne. Ti e do megjithë fuqinë e trupit. Në momentin që e ke pastaj të bezdis. Ka momente të caktuara kur është shumë e bezdisshme.
Mira Kazhani: Gazetarët kur bëjnë tituj, e keni problem?
Sinan Hoxha: Gazetarët kur bëjnë tituj mua s`më pengojnë aq shumë sa më pengojnë njerëzit që paragjykojnë dhe diskutojnë pa të njohur ty aspak në të vërtetë. Nuk do doja për shembull të jepte koment dikush që nuk më ka parë njëherë në jetën e tij, në një koncert live. Ai s`më njeh fare mua.
Mira Kazhani: Epo kjo është një gjë që nuk zgjidhet dot. Është një valixhe që e merr me vete. Nuk ke ku e çon.
Ka edhe benefitet e veta.
Sinan Hoxha: Më shumë ka benefite.
Mira Kazhani: Më shumë ka benefite. Se çdo gjë në jetë do kurajë dhe guxim. E para, për të respektuar zgjedhjet e tua. Se asnjë jetë nuk është e lehtë. Hajde t`i pyesim ata njerëzit që nuk kanë krijuar një lloj identiteti gjatë gjithë jetës, se sa të dëshpëruar janë.
Çfarë të ka mësuar babai Sinan?
Sinan Hoxha: Im atë më ka mësuar që gjithçka që kërkon në jetë, bëhet vetëm e vetëm me punë. Im atë është shumë punëtor. Im atë sot është 87 vjeç edhe akoma merr gërshërët dhe krasit rrushin. Se kemi një shtëpi private. 87 vjeç. Shumë herë “I bërtas” se më duket sikur do rrëzohet. Është moshë e thyer dhe ajo na duhet pastaj. Mirëpo është shumë punëtor. Ashtu jemi rritur, duke parë atë që punon pafundësisht shumë.
Mira Kazhani: Më kujtove gjyshin. Edhe gjyshi mbaroi disa punë, edhe vdiq pas 2-3 orësh. Është e çuditshme. Është kjo gjenerata që do të vdesin duke punuar.
Sinan Hoxha: Kurse mamaja ime, si një njeri jo i shkolluar, jo për fajin e saj, por për fajin e kohës, çuditërisht gjithmonë ka thënë, në momentin që unë arrita të bëhesha ai që doja… Se gjithmonë i thoja: Të jap njëherë një koncert në Pallat të Kongreseve dhe le të vdes. Mirëpo dhashë koncert në Pallat të Kongreseve, dhashë edhe në sallat më të mëdha të botës, koncerte, dhe nuk vdiqa ja ku jam. Por ime më, më thoshte: Ti këndove në Pallat të Kogreseve dhe u bëre ai që deshe. Rruga për t`u bërë i famshëm mund të jetë e lehtë, por për ta mbajtur famën do të jetë shumë e vështirë. Kjo varet vetëm nga ty dhe nga askush tjetër.
Mira Kazhani: Nga forca e karakterit. Edhe ka pasur të drejtë. Nëna dhe babai kanë ardhur të të shohin në Pallatin e Kongreseve?
Sinan Hoxha: Në të gjitha koncertet.
Mira Kazhani: Vijnë gjithmonë?
Sinan Hoxha: S`mund ta imagjinoj që unë të këndoj dhe nëna ime e babai mos të jenë në sallë këtu në Tiranë.
Mira Kazhani: E jashtëzakonshme!
Sinan Hoxha: S`e imagjinoj dot!
Mira Kazhani: Përveç kësaj, më pëlqen shumë edhe raporti që ke me Andrrën. Tani shumë gjëra ne i lexojmë dhe i percetojmë nga Instagrami. E di që shumë thonë: Instagrami fake. Por Instagrami disa gjëra i thotë. Unë edhe në Instagram e kuptoj, kush është fake dhe kush jo.
Sinan Hoxha: As unë dhe as Andrra fatmirësisht nuk e përdorim Instagramin për të pasqyruar gjërat më të bukura tonat.
Mira Kazhani: Sa keq! Pse nuk e bëni?
Sinan Hoxha: Jo, nuk e përdorim. Unë e përdor për të reklamuar koncertet. Andrra për punën e saj. Nuk është se e përdorim për të reklamuar jetën luksoze, që nuk e kemi në fakt. Siç ndodh rëndom.
Mira Kazhani: Pse si e keni jetën?
Sinan Hoxha: Shumë normale. Si gjithë të tjerët. Për të mos thënë edhe pak më të vështirë se të tjerët.
Mira Kazhani: Kujt i thua jetë luksoze sot?
Sinan Hoxha: Unë nuk e di në fakt jetën luksoze, se s`kam bërë ndonjëherë jetë luksoze. Unë nuk di çfarë është jeta luksoze, por unë di çfarë është jeta jo luksoze. Jeta normale. Unë di të them që po të më thuash tani… shumë e sinqertë kjo – Unë kam mbi 25 vite që jetoj brenda në bllok – po të më thuash emrin e X lokali, unë nuk e di ku është. Marr Eraldon: Ku ndodhet X lokal? Eraldo e di dhe ma shpjegon, por kur ia them një miku që vjen nga Kosova, i duket sikur po bëj humor. As në adoleshencë, jo më tani, nuk është se kam bërë një jetë luksoze të të dalurit në diskoteka, të të vajturit në pushime në Maldive. Asgjë nga këto. Të marr bileta në business class. Të blej rroba të shtrenjta.
Mira Kazhani: Po ti ke mundësi t`i bësh këto. E ke zgjedhje, jo se nuk ke mundësi ta bësh.
Sinan Hoxha: Më duket pak edhe budallallëk për shembull të marrësh një rrobë firmato 800 euro apo 1 mijë euro më duket gjëja më idiote e mundshme, ndërkohë që kostumi që kam veshur unë, i gjithi kushton 300 mijë lekë të vjetra dhe e kam blerë në Tiranë, në Myslym Shyr.
Mira Kazhani: Të rri shumë mirë!
Sinan Hoxha: Gardëroba ime nuk ka asnjë rrobë firmato.
Mira Kazhani: Kisha krijuar idenë që je pak vanitoz, por mesa duket jo. Për shembull për nga veshjet. Ngaqë i zgjedh kështu, që të shkojnë.
Sinan Hoxha: Unë jam njeriu që vishet më “shëmtut” se gjithë artistët e tjerë. Unë jam këngëtari me gardërobën më kot që ka gjithë estrada.
Mira Kazhani: Po nuk dukesh ashtu pra. Nuk është e thënë që të jetë e shtrenjtë dhe të jetë e bukur. Një njeri mund të vishet me stil, edhe me një çmim të arsyeshëm.
Sinan Hoxha: Kjo më pëlqen.
Mira Kazhani: Ky respekti që paske ti për paranë, po më pëlqen mua shumë. Se unë jam e bindur që me suksesin tënd, ti ke bërë para. Nuk po të bëj llogarinë. Se nuk i di llogaritë e tua bankare. Po nga suksesi, duhet të kesh bërë para.
Sinan Hoxha: Po, është e vërtetë që kam bërë para. Po raporti im me paranë, ndryshe nga çfarë the ti, unë ndoshta mund të kursej tek veshjet, tek gjërat luksoze, por jam një shkatarraq i madh dhe i frikshëm tek karriera. Këngëtari, artisti, duhet të investojë aq sa është tregu. Duhet të dimë kujt tregu i referohemi.
Mira Kazhani: E kuptova. Ti ndonjëherë e kapërcen këtë gjë, sepse është dëshira jote për të qenë perfeksionist.
Sinan Hoxha: E teproj komplet. Që në momentin që ka ardhur Andrra dhe jam martuar që kam filluar të kursej diçka. Deri para se të martohesha, gjithë paratë e mia shkonin për videoklipe. Janë gjëra të dukshme. Videoklipet e mia janë të frikshme. Unë kam mbi 100 e ca videoklipe. Një videoklip i imi me 100 personazhe brenda…
Mira Kazhani: Sa kushton një personazh që vjen aty?
Sinan Hoxha: Minimumi një personazh do 50 mijë lekë të marrë pjesë në një videoklip. Figurantët. Janë çmime që dihen në treg.
Mira Kazhani: Unë nuk i di, ndaj të pyes.
Sinan Hoxha: Shumica e pasurisë time ka shkuar investim pak i tepruar në fakt për karrierën time.
Mira Kazhani: Po familjen tënde besoj e ke mbështetur? Je një njeri që e fal paranë? Është tjetër gjë të mos blesh marka dhe ka njerëz që e kanë kënaqësi të dhënin.
Sinan Hoxha: Shkonim në një koncert në New York, unë, Artjola dhe Poni, dy koleget e mia të nderuara edhe e kishim bërë në jetë që të merrnim iPhone. Thamë, mos t`i marrim tani në gusht në Tiranë, po i marrim në Amerikë më lirë. Se dhe ne kursejmë. Shkojmë në Amerikë dhe futemi në Apple Store. Qëlloi që të flisja unë me shitësin edhe i them: Më duhen 8 iPhone, edhe më kthehet Artjola. Ore di anglisht ti apo s`di anglisht. I ke thënë 8. Po tetë pra 8 i thashë. Pse 8 tha, ne jemi 3. Të tregoj unë. Morëm iPhone-t dhe kur dolëm më tha Artjola, mos më trego, se e kuptova. E mora mesazhin. Sepse ti i ke blerë iPhone nipërve. Kur u nisa, më tha njëri nga nipërit: Dua një iPhone. Duke ikur rrugës, po mendoja: Po t`i blej atij dhe mos t`i blej katër të tjerëve, do mërziten. Kënaqësia më e madhe imja, është kur bëj dhurata dhe kur bëj të tjerët të lumtur. Të flasësh për veten është pak e vështirë, por për ata që më njohin nga afër, familja ime, jo vetëm që ka pasur mbështetjen time atëherë kur isha beqar, por edhe tani që jam i martuar, do ta kenë deri në ditën që do marrë frymë. Familja jonë, motra dhe vëllezër, që jemi shumë (preket), po ta kishte sa gjysma e kësaj marrëdhënie e gjithë Shqipëria, do ishte shumë bukur.
Mira Kazhani: E the shumë mirë dhe është aq e dukshme.
Sinan Hoxha: Më falni që ju shita pak mend.
Mira Kazhani: Ia vlen të shesësh mend për dashurinë. Është një gjë që ende rrezaton në familjet shqiptare. Është një vlerë që duhet ta ruajmë dhe ta promovojmë.
Sinan Hoxha: Zemërgjerësia dhe bujaria e shqiptarit është e pakrahasueshme me asnjë komb tjetër të planetit.
Mira Kazhani: Dhe duhet ta ruajmë, se po shkojmë pak tek ajo bota e vanitetit. Duan vetëm “likes”. Për shembull, një gjë që nuk është se më pëlqen shumë dhe është kudo kjo, jo vetëm tek artistët, por edhe tek njerëzit e zakonshëm. Shoqëria e internetit ka shkaktuar këtë konfliktin e madh që njerëzit më parë humbin veten sesa të zhgënjejnë të tjerët. Pra, jetojnë për t`iu pëlqyer të gjithëve. Është mirë t`i pëlqejmë vetes në radhë të parë. Jam dakord. Duhet dhe pak simpati, sepse nëse ne bëjmë këtë podcast bashkë, unë do doja shumë që ta pëlqejnë podcastin, ta pëlqejnë këtë punë, por jo në emër të pëlqimit, të shtiremi. Unë them që ajo e vërteta, ajo vetja ka gjithmonë vlerë.
Sinan Hoxha: Kohët e fundit ka humbur kjo tek njerëzit. Nuk e di çfarë po ndodh. Kjo është ndoshta globale. Aq mirë na ka bërë kjo koha moderne e teknologjisë së zhvilluar, po dhe aq dëm mendoj.
Mira Kazhani: Çfarë frike ke për dy djemtë e tu?
Sinan Hoxha: Luftë e madhe me iPad-ët që kemi bërë shumë gabim që i kemi në shtëpi dhe mundohemi sa më pak të jetë e mundur. Shumë herë e kap djalin… megjithëse e kam telefonin me passëord, nuk e di si e gjen mënyrën, e kap edhe që hyn në TikTok-un tim dhe sheh budalliqet që ka TikTok-u. Shumë e frikshme është me thënë të drejtën. Mirëpo nuk i shpëtojmë dot.
Mira Kazhani: Ndryshoje passwordin. E ke menduar ndonjëherë ta ndryshosh passwordin?
Sinan Hoxha: Kanë lindur me kompjuter këta fëmijët e sotëm.
Mira Kazhani: E nisa qëparë me Andrrën, edhe më dukeni shumë mirë bashkë. Është meritë e Andrrës apo e jotja? Si mendon ti?
Sinan Hoxha: Këtu pastaj dalim tek fati. S`është meritë fare, as e Andrrës, as e imja. Ne s`kemi pasur lidhje. Ne s`kemi ditur çfarë bëmë atëherë kur u bashkuam bashkë. Ne kemi qenë të dy të verbuar. Fati, këtu është fati i madh. Martesa është fat. Unë mendoj sinqërisht që këtu jam me shumë fat. Nuk e zgjedh dot. Në momentet që kam parë Andrrën… Kurrë s`e kam besuar dashurinë me shikim të parë. As nuk e besoj akoma, por…
Mira Kazhani: Akoma s`e beson, por ndërkohë je me Andrrën.
Sinan Hoxha: Ditën që kam parë time shoqe, jam dashuruar marrëzisht me të. Kam thënë: Kjo është ajo që ëndërroj. Ishallah, do pranojë ajo të bëhet e imja. Megjithëse më ka lodhur shumë. 1 vit.
Mira Kazhani: 1 vit nuk të ka lodhur shumë. Mendova dhe më shumë.
Sinan Hoxha: Një vit më ka lodhur për të pranuar për të pirë kafe me mua, për të pranuar të jetë me mua. Mirëpo ia kishte vlejtur. Jam vërtet me shumë, shumë fat. Nuk e them këtë për efekt televiziv. Nuk e them se do më ndjekin të gjithë ndjekësit tuaj, por jam me fat që kam një bashkëshorte si Andrra Destani.
Mira Kazhani: Andrra është një ëndërr. Po ku e ka vlerën e madhe Andrra, veç asaj pamjes që e ka engjëllore, e që unë ia kam parë në fotografi? Një gjë që ia vlerëson ti shumë.
Sinan Hoxha: Përveç asaj bukurisë së frikshme…. Bëj shaka. Bukuria dhe dashuria nuk janë të përjetshme, mbas atij, e ke parasysh qypin me mjaltë që i themi neve, t’i pastaj mësohesh me të gjithë bukuritë dhe me gjërat e mira të saj dhe shef çfarë njeriu të ka rënë dhe ke disa kërkesa të tjera pastaj. Unë po them edhe njëherë tjetër më duket sikur e kam zgjedhur, e kam ditur që i ka patur të gjitha kërkesat që unë kërkoj, të gjitha gjërat që i takon të bëjë një nënë e përkushtuar dhe e kujdesshme dhe një grua zonjë.
Mira Kazhani: Dhe një shoqe e jetës.
Sinan Hoxha: Edhe një shoqe e jetës, i ka të gjitha gjërat që i duhen një mashkulli, një familjeje, shumë sinqerisht, i ka ime shoqe.
Mira Kazhani: Çfarë nuk duron dot te një grua, te sjellja e një gruaje?
Sinan Hoxha: Prit se ka edhe këtu problematikat e veta. Për shembull gjëja që nuk kam pëlqyer gjithmonë që kam urryer gjithmonë te njerëzit në tërësi, është xhelozia. Nuk e di pse më duket gjë idiote, gjë pa kuptim…
Mira Kazhani: Ndjesi, nga dashuria vjen.
Sinan Hoxha: Unë nuk jam xheloz fare pasi mua më ka dhënë Zoti aftësinë, trutë, mendjen për të kuptuar.
Mira Kazhani: Kur bëhet e sëmurë është keq, një lloj xhelozie e vogël ka lezetin e vet.
Sinan Hoxha: Ime shoqe është xheloze, këtë e ka.
Mira Kazhani: Ajo është dashuri, shenjë dashurie, ajo nuk të imponohet.
Sinan Hoxha: Ashtu thotë ‘S’ke faj ti thotë, do bëhen një mospërfillëse që ta shikosh pastaj’.
Mira Kazhani: Unë jam me ty Andrra, aleate. Dhe ti duhet ta marrësh këtë si një kompliment që ajo ka vëmendje ndaj teje.
Sinan Hoxha: Po sigurisht, sigurisht.
Mira Kazhani: Mendo që ajo të ishte kaq e qetë dhe ta kishte zero xhelozinë, duhet të shqetësoheshe shumë.
Sinan Hoxha: Edhe kjo do të ishte problem.
Mira Kazhani: Se tregon mungesë interesi.
Sinan Hoxha: Po njeriu është qenie e çuditshme, ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’.
Mira Kazhani: (qesh) Fiks fare. Në rininë tënde ke patur ndonjë histori dashurie, nga ato që të kanë zhgënjyer?
Sinan Hoxha: Në adoleshencë, të gjithë kemi patur. Ti bën disa pyetje që më duket sikur do gënjej, më duket sikur s’do më besojnë njerëzit. Unë kam rënë në dashuri kokë e këmbë vetëm me time shoqe.
Mira Kazhani: Të besoj!
Sinan Hoxha: Nuk diskutohet që kam patur pëlqimet e mia të adoleshencës, por nuk quhen. Unë nuk mendoj se kam rënë ndonjëherë në dashuri, sa rashë me të.
Mira Kazhani: Sa vjeç ishe kur e takove Andrrën?
Sinan Hoxha: Unë, kur e kam takuar Andrrën kam qenë 37-38 vjeç. Ne kemi 10-vjet martesë dhe dy vjet njohje, se më duket sikur jam martuar dje.
Mira Kazhani: Të qeshin sytë kur flet për Andrrën.
Kur ke bërë ato udhëtimet e para si këngëtar dhe kishe bërë një dorë parash, çfarë gjërash ke bërë? Çfarë të ka bërë përshtypje, ku ke shkuar, ndonjë histori të këtyre kohëve?
Sinan Hoxha: Udhëtimi i parë i imi ka qenë në Nju York, në shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sigurisht që në ato vite, gjysma e botës e ka ëndërr të shkojë të vizitojë New Yorkun, të jemi realist, jo më në ato vite. Mbaj mend kur kam zbritur në Nju York për herë të parë, edhe kur kam fjetur në një vilë të pronarit që bënte koncertin, një shqiptaro-amerikani atje. E thënë në gjuhën e popullit edhe në gjuhën e myslimanëve, e njerëzve që praktikojnë fenë. Kam rënë në shehadet, qeshin kameramanët. Edhe kam falenderuar Allahun, kam falenderuar Zotin që më dha atë mundësi, jo vetëm të shkoja në Nju York, por të performoja në një ndër sallat më të mëdha të Nju Yorkut, në Madison që këndojnë të gjithë yjet e Hollivudit.
Mira Kazhani: Madison Square.
Sinan Hoxha: Madison Square. Ka qenë koncerti i parë dhe i vetëm që është bërë në atë sallë që është bërë nga një shqiptaro-amerikan dhe kam patur fatin të performoj në atë sallë. Dhe aty kam parë…
Mira Kazhani: Ke provuar një emocion.
Sinan Hoxha: Kam provuar një emocion.
Mira Kazhani: Sa artist që je. Çdo që e përshkruan nëpërmjet emocioneve. Për shembull dikush tjetër, unë, do thoja një ndërtesë që më ka bërë përshtypje, një ushqim, një veshje që kam blerë, një libër, nuk ka rëndësi.
Sinan Hoxha: Po është e vërtetë.
Mira Kazhani: Të gjitha përgjigjet ti i jep me një emocion që të kanë dhënë, varet nga emocioni. Dhe po thua që Manhattani, po shpjegon atë fuqinë e skenës atje. Shumë interesante. As atëherë nuk mendove që do të jetoje atje? Prapë Tirana mbetej Manhattani?
Sinan Hoxha: Në atë kohë, shumica e kolegëve, këngëtarëve që shkonin në Amërikë…
Mira Kazhani: Rrinin në Amerikë, prandaj po të pyes.
Sinan Hoxha: Për shembull kishte vajtur Parashqevia, nuk ishte kthyer, kishte vajtur Merita s’u kthye. Sigurisht që u kthyen për të dhënë shfaqje këtu.
Mira Kazhani: Kthehen, por jo të jetojnë.
Sinan Hoxha: Jo të jetojnë. Për asnjë moment nuk kam hezituar që do të jetoja atje.
Mira Kazhani: Nuk je tunduar asnjëherë.
Sinan Hoxha: Nuk jam tunduar në asnjë moment. Mirëpo, organizatorët dhe miqtë e mi atje në Amerikë më thonin ‘kështu kanë thënë edhe kolegët e tu kur kanë ardhur në fillim, por herën e dytë të garantoj që nuk do kthehesh më’. Unë vajta për herën e dytë, për herën e tretë dhe për herën e 23-të…
Mira Kazhani: S’u bërë as me të dytën, as me të tretën, as me të dhjetën…
Sinan Hoxha: S’u bëra asnjëherë. Unë nuk e di, por unë e adhuroj dhe e dua këtë Tiranën tonë, me këto rrugica dhe me atë shtëpinë tonë që e kam atje, kur shkoj te nëna, me ato rrugicat me gropa me baltë, të gjitha më shijojnë pafundësisht.
Mira: E do. E ke mësuar anglishten? Se iPhonet i kishe blerë mirë në anglisht.
Sinan Hoxha: Unë kam 23 vjet që shkoj në Amerikë dhe kjo amerikançja ime, ‘rrangulla, bërrdangulla’, që qeshin me lot kolegët e mi. Merrem vesh shumë mirë, por nuk e mësova asnjëherë perfekt. Kjo si duket ngaqë unë flas shumë mirë greqisht. Më është bërë një lëmsh kjo, shko në Gjermani, shko në Itali, shko në Greqi, nuk e di pse. Me gjuhët nuk kam patur ndonjëherë marrëdhënie shumë të mira.
Mira Kazhani: Po merresh vesh ama?
Sinan Hoxha: Po sigurisht që e di anglishten, e marr vesh…
Mira Kazhani: Kjo ka rëndësi.
Sinan Hoxha: Por ta di perfekt, nuk e di, të jem i sinqertë.
Mira Kazhani: Të kthehemi pak në Shqipëri. Ke një shtëpi në bllok më the? Jeton në bllok në Tiranë?
Sinan Hoxha: Tani jam shkëputur, kam vajtur në “Katund”.
Mira Kazhani: Po jeton në “Katund”.
Sinan Hoxha: Po, po jetoj në fshat, unë po jetoj tani në Lundër, në fshat, jo brenda komplekseve, rezidencave.
Mira Kazhani: E kuptoj.
Sinan Hoxha: U lodha me thënë të vërtetën, nga blloku, nga makinat, nga zhurmat, nga diskotekat dhe nga lokalet e zhurmshme të bllokut dhe kam bërë një shtëpi modeste, timen në Lundër.
Mira Kazhani: Po përpiqet dhe kryeministri të bëhet katundar, por s’po ia del dot.
Sinan Hoxha: Kryeministri është katundar, sepse edhe origjinën e ka nga fshati, por edhe jeton në fshat. Ai e shfrytëzon shtëpinë e fshatit, mesa di unë ka vite që jeton atje.
Mira Kazhani: Ishte thjesht për batutë, nuk kemi fare interes të flasim për këtë gjë. Çfarë muzike dëgjon ti në makinë kur udhëton?
Sinan Hoxha: Të gjithë njerëzit mendojnë ky këndon muzikë popullore, dëgjon muzikë popullore. Kjo është e bukura, unë nuk them që dëgjoj muzikë operistike, nuk them se dëgjoj muzikë rap.
Mira Kazhani: Për shembull kur të ndodh të dëgjosh Andrea Bocellin, çfarë ndjen ti.
Sinan Hoxha: Unë dëgjoj rrangullin e Andrea Bocellit në fakt.
Mira Kazhani: Rrangullin i Andrea Bocellit, e qave.
Sinan Hoxha: Unë këtë lloj kategorie artistësh dëgjoj. Muzika është “tutti gusti, sono giusti’. Muzika është e gjerë, e larmishme, dikush do këtë zhaner, dikush zhanerin tjetër. Unë sigurisht që muzikën popullore, jo vetëm unë, por të gjithë shqiptarët…
Mira Kazhani: E kemi në gjak.
Sinan Hoxha: Edhe më rrokeri, që pretendon që nuk dëgjon muzikë popullore, edhe më moderni, i vetëquajturi, se ne shqiptarët këtu e kemi çik atë ngërçin, ne duam të behemi më moderne, më amerikanë se amerikanët dhe më katolikë se Papa. Jemi tjetër gjë dhe duam të hiqemi tjetër gjë. Kjo është gjë jo e këndshme që e kemi ne shqiptarët.
Mira Kazhani: Sforco e panevojshme.
Sinan Hoxha: E panevojshme, por muzika popullore na hyn nëpër damarë të gjithëve ne.
Mira Kazhani: E kemi në gjak, në fund të dasmës të gjithë dalin duke kërcyer.
Sinan Hoxha: Atë i thashë një shokut tim mendjemadh, i cili tha nuk dëgjoj muzikë shqiptare, dëgjoj vetëm muzikë të huaj. Por kur je martuar vet dhe ke martuar fëmijët e tu, me çfarë i ke martuar me Michael Jackson, me Celine Dion apo me…
Mira Kazhani: Me Sinonin.
Sinan Hoxha: Apo me Sinonin, Hafsa Zyberin, Bujar Qamilin apo Artjola Toskën apo…
Mira Kazhani: Merita Halilin.
Sinan Hoxha: Po Merita Halilin. Ajo që më jep mua qetësi shpirtërore në momente të caktuara edhe më gjerë është kjo lloj muzike që sapo thamë Celine Dion, Whitney Houston.
Mira Kazhani: Të kënaqin. Cila është kënga e preferuar?
Sinan Hoxha: Unë kam disa këngë të preferuara…
Mira Kazhani: Po më thuaj disa.
Sinan Hoxha: Tani me tituj…
Mira Kazhani: Po mirë m’i sill me refren, ti ke edhe zë të bukur, unë nuk këndoj dot, po ti mund të këndosh.
Sinan Hoxha: Nuk do të merrja guximin të këndoja tani Celine Dion dhe të bëhesha meme në të gjitha portalet e Tiranës edhe të më falje gjithë botën ti mua. Kështu që nuk e marr këtë përsipër, maksimumi më thuaj të këndoj muzikë popullore tironse, të këndoj sa të duash ti. Pyetja e radhës.
Mira Kazhani: Po mirë më kujto, më thuaj, më këndo këtë muzikën e fotografisë në greqisht.
Sinan Hoxha: Në greqisht e do?
Mira Kazhani: Në greqisht e doja.
Sinan Hoxha: E kam harruar në greqisht.
Mira Kazhani: E mirë lëre fare.
Sinan Hoxha: (Këndon këngën në greqisht) I harrova fjalët. I kam harruar në Greqisht, e kam kënduar shumë vite në shqip.
Mira Kazhani: Nga këngëtarët shqiptarë, nga ata që jetojnë dhe ata që s’jetojnë më, cilët janë të preferuarit e tu.
Sinan Hoxha: Ka disa, ka disa këngëtarë, ka shumë shumë vokalë shumë të mira. Te muzika tradicionale, popullore tiranase për shembull të këngëtarëve të përparshëm Hafsa Zyberi, Atifete Rexha. Te zërat e kohës janë disa, unë po të përmend njërin…
Mira Kazhani: Do të mërzitet tjetri, mos të shkojmë në emra.
Sinan Hoxha: Por kam edhe një këngëtar mashkull të muzikës popullore, Sinan Hoxha. Ndërsa te këngëtarët e muzikës tjetër kam disa të tjerë, shumë shumë. Ka disa këngëtarë shumë shumë të mirë.
Mira Kazhani: Për shembull do të këndoje një muzikë tjetër përveç popullore.
Sinan Hoxha: Të thashë që e kam nisur te muzika e lehtë. Dëgjo artisti që mendoj unë nuk duhet të eksplorojë dhe…
Mira Kazhani: Të bëjë prova me veten…
Sinan Hoxha: Të bëjë prova me veten. Rri aty në ato ujërat e tua. Njëherë kam kënduar një këngë, në atë kohë stil më pak modern dhe një avokate, që mos t’ia përmend emrin shumë e nderuar më tha. Për të dëgjuar këtë stil që ke bërë ti tha, dëgjoj Noizy-n unë edhe Shpat Kasapin, ty të dua në atë stilin tënd, mos më bëj devijime më tha, se të mbyta.
Mira Kazhani: Të ka dhënë dëshirën e duhur.
Sinan Hoxha: Dhe kështu çdo kush të rrijë, të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Ka patur tentativa të këngëtarëve, të kolegëve që kanë ndërruar, kanë dashur të marrin pjesë edhe në spektakle…
Mira Kazhani: Kompeticione, festivale.
Sinan Hoxha: Festivale të muzikës së lehtë dhe kanë bërë mirë që kanë bërë, por prapëseprapë janë kthyer në origjinë te e vetja. Tani është si t`i thuash një reperi të bëjë muzikë popullore
Mira Kazhani: Dhe sa mirë bëra që insistova për këtë podcast me ty, se ishe pak i vështirë në fillim, me the nuk dua intervista Mira.
Sinan Hoxha: Dëgjo, unë nuk jam i vështirë për intervista fare. Unë i kam bezdi daljet vend e pavend, pa patur asgjë për të thënë ose kur ke thënë gjithçka, e para. Dhe e dyta, të gjithë ata që më njohin e dinë që në dukje mund të dukem shumë kështu…
Mira Kazhani: Social dhe i çlirët dhe i pasforcuar por…
Sinan Hoxha: Por e kam thënë me qindra e me mijëra herë. Kjo është e vetmja gjë që e kam thënë shumë herë në emisionin tënd, e vetmja gjë që e kam thënë shumë herë në emisione të tjera, se gjithçka që thashë më duket se nuk e kam thënë herë tjetër. Ky objektivi i kamerës e di si më duket kur dal para intervistës, si grykë topi, një lloj bllokade, një lloj trashje truri, që ti më bën pyetjen, unë jam i bllokuar komplet.
Mira Kazhani: Nuk e kishe fare sot.
Sinan Hoxha: Mirëpo sot çuditërisht, 80-90%, e kisha pak, por jo shumë. Si duket këtë komoditet të intervistës ma ke dhënë ti.
Mira Kazhani: Jo, jo. Nuk po peshkoja për një kompliment, sinqerisht. Është meritë e jotja.
Sinan Hoxha: Sinqerisht ma ke dhënë ti. Ishe shumë shumë e dashur me mua, ishe shumë e sinqertë. Më intervistove ashtu siç e meritoja dhe e mendoja unë të më intervistonin, të më intervistonte ndonjëherë ndonjë gazetar dhe siç thashë edhe më parë, na i ka bërë kjo që jemi të dy nga një Katund.
Mira Kazhani: Shumë mirë është edhe kjo.
Sinan Hoxha: Që e mësuam sot. Që ishim nga anë.
Mira Kazhani: Sa të rrojmë do të mësojmë.
Sinan Hoxha: Me gjithë zemër shumë shumë faleminderit, është kënaqësi e madhe të isha në emisionin tend!
Mira Kazhani: Faleminderit shumë Sinan Hoxha. Jam e bindur që ndjekësit e shumtë të këtij podcasti do ta shijojnë shumë këtë rrëfim të Sinanit. Unë e thashë në fillim dhe do ta rithem sërish në mbyllje që edhe nga kamera dhe kudo që të jesh ti, edhe nga skena, janë disa njerëz si puna jote, edhe disa të tjerë që papritur bëhen si pjesëtar të familjes, vetëm se ti nuk na blen iPhone ne. Me këtë dallim. Ti na ke dhënë emocionin, atë që është më i rëndësishmi për ty. Faleminderit shumë për këtë rrëfim!
Podcasti “Zë me Mirën” u mbështet nga Credins Bank, Melia Durrës
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore