Miliarderi incognito

Në këtë ZëmeMirënPodcast vjen rrëfimi ekskluziv i Vllaznim Xhihës. Historia e një të pasuri atipik për botën tonë shqiptare, për nga të gjitha rrethanat e jetës. A njihni ju një sipërmarrës që beson se pasuria nuk i përket vetëm atij, por se një ditë duhet t’ia kthejë shoqërisë një pjesë?

Ky është rasti.

I lindur në një familje diplomatësh, i rritur nëpër botë. Zelandë e Re, Zyrih e Beograd, Vllaznim Xhiha është shqiptari i parë i diplomuar si inxhinier në universitetin e Ajnshtajnit.

Inxhinieri pati një ide bashkë me shokun e tij Filipin, zviceran dhe në vitet ‘90 ai u bë një sipërmarrës dhe inovator. Më pas edhe miliarder. Por pikërisht këtu nis historia frymëzuese dhe reflektuese e këtij njeriu, që me modesti, larg show e spektaklit me politikanë në krah, prej më shumë se një dekade me një pjesë të pasurisë së tij po bën diçka të mrekullueshme për vendin e tij.

Ndiqe të plotë këtë rrëfim në kanalin e YouTube dhe bëj share nëse kjo histori të pëlqen!

Podcasti i transkriptuar

Mira Kazhani: Në një botë paralele, ky podcast do të ishte duke u regjistruar në vilën e tij të bukur në Lugano. Unë do të isha duke ju treguar historinë e një shqiptari të suksesshëm, që ka studiuar në Universitetin e Ajnshtajnit në Zyrih, që falë mendjes së bukur, ka bërë një jetë të pazakontë. Është i jashtëzakonshëm, por ja që në realitet jam në Prishtinë, sepse ai është më shumë sesa një i pasur. Do thoja që është një i pasur atipik për atë që ne njohim në hapësirën shqiptare dhe për modelet që ne shohim vitet e fundit. Për këtë arsye jam këtu që t`jua tregoj juve këtë personazh.

Vllaznim Xhiha, inxhinier, faleminderit dhe mirëse të gjeta!

Vllaznim Xhiha: Faleminderit edhe juve për vizitën!

Mira Kazhani: Insistuat që unë të mos përdor në asnjë moment fjalën miliarder, edhe pse është e vërtetë.

Vllaznim Xhiha: Jo, plotësisht. Miliarder është Elon Musk, Bill Gates. Unë nuk jam miliarder. Edhe nuk më intereson shumë të jem miliarder. Ju e thatë, kam pasur fat që kam punuar dhe kam fituar në jetë edhe jam i kënaqur me atë që kam bërë. Mbas një kohe edhe u ndala, sepse mendoj që ka gjëra të tjera në jetë që mundesh t`i shijosh me shoqërinë, me familjen. Prandaj nuk është gjithçka tek paraja, tek fitimi.

Mira Kazhani: Dikush që e dëgjon këtë fjali tuajën tani thotë që është kollaj të thuash që duhet të shijosh dhe të shikosh të mirën e jetës, pasi ke përmbushur shumë nga arritjet e saj. Pasi ke krijuar një stabilitet ekonomik, ke bërë një histori suksesi. Ju keni qenë gjithmonë kështu? Edhe kur nuk i kishit këto që keni sot?

Vllaznim Xhiha: Jo. Unë nuk kam pasur objektiv, qëllim të jem njeri i suksesshëm, i pasur apo diçka të ngjashme. Unë së pari kam punuar për familjen, për ekzistencë. Kam punuar për të mësuar diçka dhe pjesa e sipërmarrjes më erdhi në mënyrë natyrore. U zhvillua nga mënyra e jetës, e rrethanave të jetës.

Mira Kazhani: E nisim nga fillimi. Ju jeni lindur dhe rritur në Prishtinë apo diku tjetër?

Vllaznim Xhiha: Lindur në Prishtinë, por jam rritur në vende të tjera, të ndryshme. Siç është Beogradi i ish-Jugosllavisë, siç është Burlington në Zelandën e Re, ose Zyrihu në Zvicër.

Kam jetuar në shumë vende, për arsyen se babai im ka qenë diplomat. Ka qenë diplomat i lindur. E ka nisur karrierën si diplomat dhe e ka përfunduar karrierën si diplomat. Edhe ne e kemi shoqëruar babain në udhëtimet e tij.

Mira Kazhani: Babai është nga Prishtina?

Vllaznim Xhiha: Ka qenë gjakovar. Është shkolluar në Shqipëri. Se në atë kohë ka qenë e vështirë të shkolloheshe në gjuhën shqipe në Gjakovë dhe në vende të tjera të Kosovës. Po flas për vitet `30, të shekullit të kaluar. Kurse nëna ime Allteni, ka lindur në Prishtinë edhe është kujdesur për familjen tonë. Kam vetëm një motër, Lirinë. Jeton në Prishtinë. Është më e madhe se unë.

Mira Kazhani: Jeni vetëm motër e vëlla?

Vllaznim Xhiha: Vetëm motër e vëlla.

Mira Kazhani: Ju ka shërbyer kjo jeta si një fëmijë diplomati. Çfarë mëson? Çfarë i ndodh një fëmije kur jeton në realitete, kultura dhe mentalitete të ndryshme?

Vllaznim Xhiha: Nëse shkon mirë jeta, atëherë përfiton shumë. Mëson kultura të reja, gjuhë të reja. Por mundet të shkojë edhe mbrapsht, për arsyen se ndryshimet e shpeshta për një fëmijë që e ndërron një kulturë, një gjuhë, një rreth, çdo 3-4 vjet, është shumë, shumë një barrë e madhe. Nëse fëmija nuk ka mbështetjen e prindërve, nëse nuk ka karakterin e fortë, mund të devijojë. Është një barrë e madhe. Prandaj bëhet rebel. Unë kam qenë fëmijë pak rebel. Shkonim në Zelandë. Mësoja gjuhën me vështirësi. Nuk dija asnjë fjalë. Dëgjoja njerëzit që flisnin anglisht, nuk i kuptoja. Kur qeshnin mendoja se po qeshnin me mua. Kjo më ngarkonte gjithmonë. Sa mësohesha me një vend, mbas 2, 3, 4 vitesh, babai thoshte: Tani po kthehemi. Pastaj duhej t`ia nisnim nga fillimi. Këto ngarkesat e shpeshta, kanë qenë të mundimshme. Por kur e sheh më vonë, më ka ndihmuar shumë se kam mësuar shumë gjuhë, kultura të reja, jam bërë më i hapur ndaj njerëzve. Kështu që ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme.

Mira Kazhani: Në Zyrih është pjesa e adoleshencës dhe e rinisë tuaj?

Vllaznim Xhiha: Ashtu. Babai im ka qenë konsull, gjeneral në Zyrih, në vitin `67-`71 dhe unë kam shkuar bashkë me të. Kam bërë gjimnazin aty dhe e kam përfunduar. Edhe ajo ka qenë një fazë kur s`kam ditur as gjermanisht, as frëngjisht. Shkova në shkollë në vitin e parë të gjimnazit dhe s`merrja vesh asnjë gjë. Vetëm anglisht. Natyrisht m`u desh një vit derisa ta zotëroja gjuhën gjermane, pastaj edhe frëngjishten. Ka qenë një ngarkesë shumë e madhe. E bëra gjimnazin në Zyrih dhe pastaj u kthyem në Beograd dy vjet. Nisa studimet në Beograd. Babai u kthye përsëri në Zvicër dhe e vazhdova në Politeknikumin e Zyrihut. 3 vjet studiova në Zyrih, u diplomova dhe pastaj bëra edhe studimet pasdiplomike, gjithashtu në ETH, Politeknikumi i Zyrihut. ETH që do të thotë: Eidgenössische Technische Hochschule, që domethënë, Shkolla e Lartë, Teknike, Teknofederatës Zvicerane. Pse e them këtë? Për arsye se Politeknikumi i Zyrihut, financohet nga krejt Federata e Zvricrës. Buxheti vjetor i ETH vjet ka qenë 1 miliardë e 900 milionë franga zvicerane. Afërsisht 2 miliardë euro. Buxheti i Kosovës për vitin 2024, sivjet, do të jetë afër 3 miliardë. 2 miliardë me 3 miliardë, një universitet, krahasuar me një shtet.

Mira Kazhani: Ekonomia e dijes!

Vllaznim Xhiha: Kjo thotë edhe që investimi në dije, që mua më ka interesuar gjithmonë, është gjëja më e rëndësishme dhe shtylla më e madhe e një shoqërie.

Mira Kazhani: Si ka mundësi që nuk e bëjmë ne? As në Shqipëri dhe as në Kosovë nuk jemi të përqendruar.

Vllaznim Xhiha: Unë nuk mendoj që vetëm Kosova dhe Shqipëria nuk investojnë. Ka shumë shtete që i reduktojnë investimet për shkollim, edhe për kulturë. Janë politikat, politika. Ka njerëz që janë të kulturës, të shkencës dhe ka njerëz që nuk janë. Varet kush e udhëheq shtetin dhe si e udhëheq. Kur jam kthyer në Kosovë pas studimeve, kam nisur karrierën në Fakultetin Teknik të Prishtinës, si Ligjërues dhe kemi qenë një gjeneratë e re e entuziastëve që kemi pasur ëndërr të ndërtojmë një Politeknikum të ri në gjuhën shqipe. Nuk kemi pasur Politeknikum në gjuhën shqipe, në Kosovë, as në Jugosllavi. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin e tij. Pastaj pas vdekjes së Titos dhe fillimit të diktaturës së Millosheviç ka ndryshuar gjithçka. Kanë qenë 10 vite të jashtëzakonshme në zhvillimin e kuadrove të kualifikuar me shkollë të lartë, ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm.

Mira Kazhani: Bëhet fjalë për vitet…

Vllaznim Xhiha: Për vitet `70.

Mira Kazhani: Deri në `80-ën.

Vllaznim Xhiha: Po, domethënë 10 vjet. Është hapur një dritare e madhe për arsimin e lartë Kosovar. Ka qenë një mundësi e madhe atëherë. Me mijëra studentë kanë ardhur edhe prej Maqedonisë, edhe prej Malit të Zi, edhe prej Serbisë, për të studiuar në Prishtinë, në gjuhën shqipe.

Mira Kazhani: U krijua nyja e mirë. Më pas jeni kthyer në Zyrih në vitet `80 sërish?

Vllaznim Xhiha: Më ndodhën edhe dy ngjarje në Prishtinë.

Mira Kazhani: Çfarë ndodhi?

Vllaznim Xhiha: U martova me Nitën dhe më lindi djali i parë, Drini. Pastaj në vitin 1986 m`u ofrua një punë si inxhinier në Lugano dhe unë punova 8 vjet si inxhinier. Në atë kohë kam mësuar shumë për sipërmarrjen. Kam mësuar shumë për organizimin, për delegimin, për tregun, për prodhimin, për dizajnin. Nita gjithmonë më shtynte, më thoshte: Pse s`po bëhesh i pavarur? Unë kam pasur koleg dhe mik, një inxhinier, partnerin e ardhshëm timin, Filipo Marba i cili ka qenë gjithashtu inxhinier. Ne të dy kemi folur shpesh për këtë ide. Meqënëse kemi njohur mirë tregun e UPS, makinat që furnizojnë me energji elektrike pajisje të ndjeshme siç është kompjuteri, ose qendrat llogaritëse, kur ndalet rryma UPS vazhdon ta ushqejë qendrën llogaritëse, edhe ajo nuk e ndjen, nuk ndalet puna.

Pajisjet që janë ekstremisht të rëndësishme sot, sidomos me zhvillimin e teknologjisë dhe inteligjencës Artificiale, nuk shkon pa UPS. Filipo edhe unë kemi pasur një ide për një teknologji krejt të re, që tregu nuk e ka pasur. UPS duhet të jetë i besueshëm, edhe me rendiment të lartë. Se harxhon vetë shumë energji. Kur flasim për megavat, vetëm 10% është… Gjithashtu në rendin e madhësisë është megavat… Kështu që humbje të mëdha. Energjia kushton shtrenjtë.

Ne kemi zhvilluar makinën inovative, e cila është më e besueshme dhe e ka efiçencën 50% më të lartë sesa makina tradicionale. Zhvilluam ato makinat, nisëm t`i prodhonim ato. Nisëm edhe t`i shisnim.

Mira Kazhani: Në çfarë viti?

Vllaznim Xhiha: Ne nisëm Newwave se UPS prodhon një valë, sinusoid.

Mira Kazhani: Një valë e re.

Vllaznim Xhiha: Mendova se nëse emri nuk thotë asgjë për firmën, atëherë është humbje e marketingut.

Mira Kazhani: Në çfarë viti e kishe këtë qasje kaq të mirë?

Vllaznim Xhiha: Nisa të merresha me marketingun edhe pse nuk e kam profesion, po marketingu më ka interesuar se është diplomacia në industri. Ç`ka është diplomacia në politikë, në industri është marketingu, komunikimi.

Thoja kur ta bëj ndërmarrjen, duhet t`ia vë emrin të qëlluar. Nëse nuk ia vë emrin të qëlluar i cili nuk flet diçka për atë ndërmarrje, atëherë ti humb diçka, nuk ke folur deri në fund.

Mira Kazhani: Kush e gjeti emrin? Ju apo Filipi?

Vllaznim Xhiha: Filipi është pjesa teknike. Ai ka qenë dhe është inxhinier gjenial. Unë kam qenë ideator për produktin, sepse kam punuar në treg dhe e kam hulumtuar tregun e jam kthyer me idenë. I kam thënë, a mundesh ti ta realizosh këtë ide? Mbas një jave që është menduar, ka thënë Po. Se ka qenë krejt një teknologji e re.

Mira Kazhani: Pra ju keni qenë shpirti dhe mendja?

Vllaznim Xhiha: Me përvojën time me klientët, i kam pyetur çfarë është për ju më me rëndësi, çfarë nuk është, atëherë e krijova këtë ide, të cilën bashkë e diskutuam dhe Filipo tha që mundej ta realizonte. Kjo ka qenë pikënisja. Ne kemi bashkëpunuar në mënyrë të jashtëzakonshme bashkë. Nuk kemi pasur kurrë një kontratë të përbashkët. Krejt ka qenë besim.

Mira Kazhani: Besim, morale!

Vllaznim Xhiha: Ai zviceran, unë shqiptar. Mundesh ta marrësh me mend, miqtë e tij, familja e tij që i thoshin: Ti duhet të nënshkruash kontratë me shqiptarin. Mirëpo ai ka qenë një njeri që më ka lexuar. Unë e kam lexuar. Kur thoshte a, unë e dija çfarë do ishte zh. Kur thosha unë a, ai e dinte ku është zh-ja. Kështu që kemi pasur një frekuencë të përbashkët që…

Mira Kazhani: Kur jeni takuar me Filipin, që në shkollë?

Vllaznim Xhiha: Jo. Në punë. Kur kemi shkuar në Zvicër, për të parën herë që punova si inxhinier, ai ka punuar në të njëjtën ndërmarrje dhe kemi qenë miq.

Mira Kazhani: Më shumë sesa miq. Keni pasur besim tek njëri-tjetri.

Vllaznim Xhiha: Ne ende ndiqemi. Ai vjen këtu në dasmat tona. Ne shkojmë atje në dasmat e tij. Sa herë shkoj në Lugano dalim për darkë bashkë, edhe me gratë. Kështu që kemi një afërsi jashtëzakonisht të madhe.

Mira Kazhani: Çfarë bën Filipi tani atje? Ka bërë diçka të re? Se ne do flasim për të renë tuaj. Për Newwave-in e radhës

Vllaznim Xhiha: Filipo, kur ia kemi shitur firmën, ndërmarrjen tonë Koorporatës ABB, na u desh të nënshkruanim një marrëveshje të non-compete, domethënë që ne nuk bëjmë asgjë që është në konkurrencë me ABB për tre vjet. Unë s`kam pasur problem, sepse unë e vendosa të kthehesha në Prishtinë dhe për këtë ishte ideja ta shisja firmën. Filipo ka krijuar produktet dhe ka qenë bebi i tij. Firma ka qenë bebi ynë, por produkti ka qenë bebi i tij. Prandaj Filipo e ka pasur të vështirë të ndahej nga Newwave dhe e ka pasur të vështirë ta përpijë atë pilulë të vështirë.

Mira Kazhani: E thatë shumë bukur

Vllaznim Xhiha: Unë e kam bërë për dy arsye. Për të vazhduar Newwave të rritej, duhej të investoheshin para të mëdha në marketing. Duhej të hynim në tregun e Amerikës dhe të Kinës. Të hysh në tregun e Amerikës, ose të Kinës është si të hysh në gojën e luanit. Jashtëzakonisht shumë e vështirë. Dy natyra të tregjeve të ndryshëm, po të dyja shumë të rrezikshme. Prandaj të rrezikonim para të mëdha, të rrezikonim firmën dhe aq sa kishim arritur, ishte për mua rrezik i madh. Filipo nuk i kuptonte deri në fund çështjet e tregut. Më në fund pranoi edhe ai. Bordi e pranoi. Kur erdhi oferta prej ABB ishte e vështirë të refuzohej. Filipo mbas tre viteve që nuk ka guxuar ta prekte UPS, vendosi të hapte firmën e vet, të re, të UPS. Edhe pse ka pasur nohaun. Pastaj ka ardhur tek unë këtu në Prishtinë, me partnerin e tij të ri. Më tha: Ne kemi vendosur të fusim ty në firmën tonë të re, si bashkëaksioner.

Mira Kazhani: Me partnerin e ri kishte bërë kontratë apo edhe me atë ka marrëdhënie besimi?

Vllaznim Xhiha: Me atë e ka bërë kontratën. (qesh)

Unë nuk e pranova, për arsyen se unë e shita firmën për t`ju kushtuar gjërave të tjera në jetë. Nuk e pranova, mirëpo i thashë unë me çfarë mund të të ndihmoj, do ta bëj. Kështu që unë me djalin tim kemi bërë krejt marketingun dhe faqen, përshkrimin e dokumenteve unë i bëja krejt në Newwave, kështu që ishte e lehtë. E kam lidhur me shumicën e partnerëve, miqve të mi. Se mbasi e shita firmën, kam mbetur mik me partnerët e mi në gjithë botën. Edhe sot komunikojmë me njëri-tjetrin. I shkruajta që unë kam ndal, por Filipo ka ndërtuar një firmë të vetën, me produkte po aq të mira sa atëherë.

Mira Kazhani: Ju kompaninë Newwave e keni themeluar në 1993?

Vllaznim Xhiha: Në fund të 93-shit.

Mira Kazhani: Ok, le të themi edhe 1994. Dhe e keni shitur në 2011-ën. Megjithatë ju u bëtë të suksessshëm edhe falë gjetjes, edhe falë nuhatjes për marketingun, por edhe sepse hytë shpejt në bursën e Zyrihut.

Vllaznim Xhiha: Ashtu është. Dinamika, trajektorja e rritjes së firmës ka qenë shumë afër eksponenciales. Katër vitet e para kemi punuar me humbje. Derisa nuk i kishim ndërtuar produktet, derisa nuk i krijuam shërbimet, derisa nuk krijova tregun. Pastaj kur e bëmë portofolin e produkteve, edhe i kontaktova partnerët në treg, puna nuk ka ec. Pastaj nisi përnjëherësh. Tipping Point, ajo pika e kthesës së madhe. Pastaj kemi pasur rritje mesatare 30% në vit, që për një industri është mahnitëse. Pas 12 viteve, këshilltarët tanë na këshilluan të hynim në bursën e Zyrihut. Ne nuk e dinim saktësisht se çfarë do të thoshte. Duhet ta mësonim se çfarë do të thoshte të hynim në bursë. Të hysh në bursë është t`ia ofrosh një pjesë të aksioneve të ndërmarrjes tregut publik. Pastaj të inkasoje mjetet financiare dhe të investonim në firmë, për ta rritur. Bursa përpos që na ka ndihmuar edhe neve të rritnim standardin tonë, të Filipos ose timin, kemi investuar edhe tek firma, kemi ndërtuar fabrikën e re, kemi investuar tek firma, tek pajisjet. Kemi angazhuar punëtorët më të mirë, më cilësor. Në 2007-ën, me suksesin e madh, është pranuar Newwave në bursën e Zyrihut. Ne kemi shitur 1 milion e 800 aksione. Kërkesa ka qenë për 18 milionë. 10-fish më e madhe. Një sukses i jashtëzakonshëm. Ditën e parë të transaksioneve, kur hyra në bursë, titulli ka qenë 31 franga, në mbrëmje ka qenë 47.

Mira Kazhani: Rritje e jashtëzakonshme.

Vllaznim Xhiha: Natyrisht ne hymë në radarin e investitorëve të mëdhenj të vendit dhe të jashtëm. Më tej ata investuan. Blenë aksionet. U rrit edhe vlera e firmës. Kemi mundur edhe ta zgjerojmë dhe rritim më shumë.

Mira Kazhani: Kur e nisët në `93-shin, morët një kredi, kishit kursime? Se është i rëndësishëm ai momenti. Mund të kesh idenë, mund të kesh ortakun e duhur, por duhen edhe paratë apo jo?

Vllaznim Xhiha: Në Zvicër, kur e themelon një ndërmarrje, për shembull AGE, pra shoqëri aksionere, atëherë duhet të kesh kapitalin tënd prej 100 mijë frangash minimumi. Filipo i dha 50 mijë. Unë i dhashë 50 mijë prej kursimeve. Filipo i kishte marrë nga nëna e vet borxh. Ne i kishim kursyer 50 mijë. Kishim punuar 8-9 vjet në Zvicër. I futëm ato para në firmë dhe me ato paguam rrogat tona për një vit, sepse s`kishim të ardhura. S`kishim çfarë të shisnim, se produktet nuk ekzistonin. Pastaj meqënëse na u desh kapitali për të nisur prodhimin, për të zhvilluar produktet, kemi shkuar tek bankat e Zvicrës, por në fillim, kur je start up i ri nuk ka shanse të marrësh para nga banka. Është gati e pamundur, se nuk ke histori. Dhe ke rrezik që s`do të kesh sukses. Me fjalë nuk kalon. Po ne e gjetëm një business angel të Zyrihut, i cili gjithashtu ka qenë student i ETH. Business Angels janë njerëz që kanë pasur sukses në sipërmarrje dhe të cilët ndihmojnë të tjerët me kapital nëse besojnë tek ta. Kur e pa kush jemi ne të dy, si inxhinier e kuptoi menjëherë potencialin, prandaj na e dha një kapital prej gjysmë milionë frangash, me 5% kamatë vjetore dhe 30% të firmës na u desh t`ia jepnim atij.

Mira Kazhani: Si është puna inxhinier Vllaznimi. Duhen të gjitha në jetë. Që të ndodhë diçka, që të ketë një supernova, duhet edhe mendja e bukur, duhet edhe shpirti, duhej edhe ato 50 mijë frangat, edhe business angel. Bëhen të gjitha bashkë.

Vllaznim Xhiha: Edhe në fund vjen fati. Por jo përpara.

Mira Kazhani: Si e ke raportin me fatin? A mendon se fati ndërtohet vetë nga njeriu apo ndonjëherë fati shkon edhe tek ndonjë njeri që s`ka bërë asgjë për të?

Vllaznim Xhiha: Është e vështirë të japësh një përgjigje të prerë. Unë iu kam thënë edhe fëmijë të mi, kur punon, krijon, punon, krijon, atëherë në një moment vjen edhe fati.

Mira Kazhani: E besoj edhe këtë. Njeriu mund të bëjë diçka për fatin e vet

Vllaznim Xhiha: Po, po me siguri. Por duhet të punosh.

Mira Kazhani: Duhet të punosh, edhe të rrezikosh.

Vllaznim Xhiha: Absolutisht. Pa rrezik, nuk ka.

Mira Kazhani: Gjatë katër viteve të para, kur nuk po kishit të ardhura, nuk e kishit parë suksesin, kishte momente krizash, depresioni, frike?

Vllaznim Xhiha: Si të gjithë. Mirëpo edhe Filipo, edhe unë kemi qenë inxhiniera të ETH-së, ajo ka qenë kartëvizita më e mirë për t`u punësuar.

Mira Kazhani: Universiteti që ka studiuar Ajnshtajn.

Vllaznim Xhiha: Po. Ajnshtajni dhe shumë shkencëtarë, mendje të tjera. 22 laureatë të Nobelit, ose kanë studiuar, ose kanë punuar në ETH. Është një prej kritereve të matjes së universiteteve, numri i laureatëve Nobel. Një nga kriteret.

Mira Kazhani: Unë nuk gaboj nëse nga leximet e mia, se kur kam kërkuar për ju Vllaznim, ju jeni shqiptari i parë i diplomuar në atë universitet.

Vllaznim Xhiha: Unë nuk e di se nuk i kam parë librat e ETH, derisa kam qenë unë student në ETH nuk kam takuar asnjë shqiptar nga Shqipëria, ose nga Kosova, ose nga Maqedonia. Ndoshta kam qenë i pari. Nuk e di. Sot jam nga 200-300 në Zyrih.

Mira Kazhani: Është shumë e vështirë të gjesh njerëz që të kenë këtë lloj raporti me suksesin, me miqtë, me paranë edhe ndoshta këtu nis edhe podcasti ynë.

Vllaznim Xhiha: Suksesi i një njeriu nuk është meritë vetëm e atij njeriu. Nuk është e mundur të jetë meritë vetëm e një njeriu. Kur është sukses, atëherë kanë marrë pjesë edhe të tjerët në atë sukses. Duke nisur nga familja, nga gruaja, nga familja më e gjerë, nga miqtë, nga bashkëpunëtorët, nga këshilltarët, nga partnerët, është një komunitet i njerëzve që kanë marrë pjesë. Prandaj të thuash: unë e kam bërë. Është gabim. Suksesi përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë është performanca personale, pjesa e dytë është të pranosh se dikush tjetër, ose një komunitet tjetër të ka ndihmuar të bëhesh. Prandaj e ke për detyrë ta kthesh një pjesë të atij suksesi, për të mirën e përgjithshme.

Mira Kazhani: Ishte pikërisht kjo pjesë e fjalimit tuaj, ky paragraf që më ka frymëzuar për t`ju gjetur dhe në fakt, për rrjedhojë, çuditërisht siç ju ka ndikuar Nita, bashkëshortja juaj për shumë gjëra që keni arritur, që ju kanë nxitur drejt pavarësisë, ishte në sfond Nita ajo që bëri që unë të kisha besimin tuaj dhe të takoheshim për këtë podcast. Se më thatë që Nita ju kishte prezantuar me podcastin.

Vllaznim Xhiha: Nita merret me median. Ka kryer në prishtinë Gjuhën dhe Letërsinë Angleze, por kur kemi shkuar në Lugano ka bërë edhe master në media. Kështu që ajo e ka median si ushqim mendor, përcjell, lexon. Edhe ajo ka para intervistën tuaj me Dr.Kita Sallabanda Diaz dhe më sugjeroi që ta pranoj ftesën tuaj për intervistë, të cilën unë e pranova me kënaqësi.

Mira Kazhani: Po, sepse më kishin informuar, edhe mua një koleg shumë i mirë që e kemi në Zvicër, Enver Robelli, që ju do ishit një i ftuar shumë simpatik, por do të ishte e vështirë t`ju bindja, sepse ai më tha: Është një miliarder i padukshëm. Është antidoti i atyre njerëzve që ne jemi mësuar të shohim, biznesmenëve, sipërmarrësve, të pasurve në botën shqiptare. Por ja, patëm fat. U takuam.

Vllaznim Xhiha: Miliarder është Bill Gates, Elon Musk

Mira Kazhani: E sqaruam, e sqaruam… (qesh)

Ndërkohë që ju flisnit, po mendoja pikërisht për atë pjesë të fjalimit tuaj që keni thënë kur keni marrë një çmim në Zvicër, që: Asnjë i pasur, nuk është bërë i pasur vetëm. Asnjë i suksesshëm, nuk është bërë i suksesshëm vetëm. Dhe kur vjen një moment që ti i ke arritur të gjitha, duhet të fillosh t`ia kthesh në një kuptim shoqërisë. Vendimi juaj për të mos shijuar bukuritë e botës dhe për të marrë Nitën për dore e për të udhëtuar apo për të shijuar nipërit dhe mbesat, ishte në fakt të vinit në Prishtinë dhe të bënit diçka për fëmijët e Kosovës. Me projektin “Bonevet”.

Vllaznim Xhiha: Ashtu është. Unë kur jemi kthyer në Kosovë me Nitën më ka irrituar shumë dobësia e sistemit tonë arsimor. Kur është sistemi arsimor i dobët në një shtet atëherë dëmtohet talenti i krejt gjeneratave të fëmijëve. Kjo është si të dëmtosh ambientin. Si të djegësh pyjet, t`i presësh pyjet. E njëjta gjë është. Njëra është fizike, tjetra është mentale. Kjo më ka penguar jashtëzakonisht shumë. Prandaj kam menduar të krijoj një organizatë alternative të shkollës, joformale, që ndoshta e komplementon shkollën, por nuk është formale dhe nuk është shkollë. “Bonevet”, siç e thotë edhe emri – edhe këtë emër e kemi zbuluar ne. Të bësh vetë është shumë e rëndësishme. Fëmija duhet të mësohet të jetë i pavarur dhe të punojë në mënyrë të pavarur. Sa më shpejt që ta bëjë këtë, aq më i suksesshëm do të jetë. Bonevet është një ambient ku fëmija flet lirshëm, pa frikë. Nuk ka autoritet mësuesi që thotë t`i kështu, ti ashtu. Kur bën pyetje, ia pret fjalën. Nuk e lejon. Ajo është shekulli 18-19, jo 21. Shekulli 21 është krejt diçka tjetër. Sot këtu gjithçka ndryshon në minutë, jo në vit. Kështu që fëmijët duhet të jenë të përgatitur për të përballuar të gjitha sfidat e shekullit 21, sidomos ndryshimet e shpejta. Për ta bërë këtë duhet të kesh edhe njohuri, edhe aftësi. Të dyja. Në Bonevet, jam inspiruar nga fakti se çdo fëmijë që lind, çdo fëmijë i ka aftësitë natyrore të kurreshtjes, imagjinatës dhe të kreativitetit. Nuk ka përjashtime. Njëkohësisht fëmijët kanë edhe talent. Talenti është individual, i veçantë. Ndaj ne kemi vendosur të zhvillojmë një qendër ku ushqehet kurreshtja, imagjinata dhe kreativiteti. Dhe ku i inkurajojmë fëmijët të identifikojnë talentin e tyre. Për t`u zhvilluar me pasion dhe dashuri. Kjo është. Është një ambient ku fëmija formohet në një mënyrë holistike. Mësojnë të flasin, edhe shqip, edhe anglisht. Mësojnë të mbrojnë projektet që mbarojnë. E mbarojnë dhe e mbrojnë për të treguar që dinë se çfarë po flasin. Ndihmojnë njëri-tjetrin. Punojnë në ekipe. Ka shumë detaje…

Mira Kazhani: Si erdhi ideja për fëmijët? Ka diçka nga fëmijëria juaj? Takuat një fëmijë? Kur ju lindi ideja. Se kurioze jam për këtë momentin kur ju lindin idetë.

Vllaznim Xhiha: Në fillim kur u ktheva në Kosovë nuk ka qenë projekti im i parë Bonevet. Projekti im i parë ka qenë EYE, Encouraging Young Entrepreneurs. Meqënëse unë kam qenë sipërmarrës, me një eksperiencë të gjatë mendova se efektin më të madh të punës do e kisha bërë me një inciativë për të inkurajuar të rinjtë për të ndërtuar ndërmarrje të suksesshme. Formuam një ekip nga ndërmarrësit kosovarë, të rinj, të talentuar dhe kemi bërë gara për ide biznesi. Në vitin e parë kemi pasur 41 kandidatë. Cilësia ka qenë relativisht e dobët. Në vitin e dytë kemi pasur 30 kandidatë me plane biznesi, cilësia ka qenë edhe më e dobët. Vitin e tretë vetëm 13. E ndërpreva.

Mira Kazhani: U zhgënjyet?

Vllaznim Xhiha: Po kemi investuar shumë kohë, shumë punë, mirëpo duhej gjetur arsyeja pse ka ndodhur ajo. Kemi jetuar në Jugosllavi, që ka qenë shtet socialist. Në socializëm ti duhet të bësh atë që të thuhet. Nuk ka iniciativa personale.

Mira Kazhani: Ti duhet! Jo, ti mundesh. Ne jemi tek shekulli “Yes you can”.

Vllaznim Xhiha: Jemi mësuar me atë mentalitet dhe nuk kemi marrë inciativë. Ka pasur iniciativë, por të pakët. Në diktaturën e Millosheviçit s`ka pasur përparim. Ka pasur vetëm shkatërrim. Pastaj lufta, shkatërrim me tutje. Pastaj fillimi i Kosovës tonë. Mirëpo edhe këtu ka pasur shumë ndihma nga jashtë, nga diaspora. Ka qenë paraja e lehtë. Mendoj që të gjitha këto histori kanë kontribuar që fëmijët të mos zhvillohen si ndërmarrës, që bëjnë diçka, që mbarojnë diçka, që krijojnë diçka, që marrin iniciativë dhe kanë durim. Kjo nuk ndodhi në ato tri vite që punova unë me të rinjtë. Prandaj i thashë vetes, në vend që të punosh me studentë, kthehemi mbrapa…

Mira Kazhani: Do t`i marr që filiza

Vllaznim Xhiha: Po, thashë kthehemi mbrapa, punojmë me makers. Po ku janë makers, nuk kemi as makers. Thashë edhe një hap mbrapa, t`i krijojmë makers. Ndaj Bonevet i nis me 5 vjeç. Si fillim i mësojmë. Fëmijët tashmë programojnë në cilëndo gjuhë. Punojnë me 3d printera, mësojnë matematikë, mësojnë shkencë, art. Të gjitha. Ata janë tashmë makers. Ka shumë prej tyre që janë bërë makers. Ka disa që kanë nisur firmat e veta. 18-19 vjeç. Ka disa që kanë konkurruar për scholarship në shumë universitete të huaja. Kanë dalë të parët, të dytët, ose të tretët. Kështu po zhvillohet një gjeneratë.

Mira Kazhani: Mund të quheni një business angel për ta, për jetën e tyre, ose një angel për jetën e tyre.

Vllaznim Xhiha: Unë do të isha jashtëzakonisht i gëzuar nëse një pjesë e madhe e atyre kanë përfituar prej asaj pune që është bërë në Bonevet.

Mira Kazhani: Prekët një gjë shumë interesante që është fenomen në gjithë hapësirën tonë, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, “parja e lehtë”. Dua shumë një qëndrim tuajin. Si e kemi të ardhmen me këtë? Do marrë fund? Çfarë mendoni ju për “paren e lehtë”? Të gjithë i duan shpejt gjërat. Nuk duan të lodhen. Dembelizëm i madh.

Vllaznim Xhiha: Kjo është mungesë e një tradite ndërmarrësie të industrializimit, të zhvillimit. Kjo është pakëz e lidhur me unin, me lakminë apo jo? Ne themi, shpirtin e kemi në fyt. Duan t`i bëjnë shpejt, Gjithçka duan ta bëjnë shpejt. Kur e ngisni makinën këtu, duhet të ecni ngadalë, as shpejt majtas, as shpejt djathtas. Ku nguten gjithë këta njerëz? Pse e bëjnë këtë?

Mira Kazhani: Unë kam dëgjuar podcaste, kam parë edhe intervista, por edhe di shumë raste të pasurish, kur je i pasur, të gjithë kanë një emërues të përbashkët, thonë që thjesht duan të kenë edhe më shumë. Nuk ndalon dot egoja për të pasur para. Pra shumë pak njerëz kthehen në filantropistë, kthehen tek njeriu. Do merrja shembull Giorgio Armanin apo Brunello Cucinelli, janë të pasur, janë sqimatarë italianë që mendojnë shumë për njeriun, por janë pak si me pikatore këta njerëzit kështu.

Vllaznim Xhiha: Lakmia është një gropë pa fund. Ka shumë arsye për lakmi. Unë nuk jam psikolog. Se mendon që është edhe një lloj çrregullimi.

Mira Kazhani: Një lloj psikologu ndoshta edhe jeni.

Vllaznim Xhiha: Për shembull statusi shoqëror, fama, një arsye për këtë. Frika, t`i paloj paratë sa më shumë, nesër ndoshta i humbas disa, kështu që të kem sa më shumë. Zilia, pse Vllaznimi po dhe unë jo. Kështu që ka shumë arsye. Me rëndësi është të japësh shembull të mirë, me punë jo me fjalë.

Mira Kazhani: Ndërsa flisni ju, kam edhe një gjë tjetër që dua ta them se s`bën. Habitem shumë që pasi keni ardhur në Prishtinë nuk keni menduar të bëni një qendër të re tregtare, ndonjë aeroport, ndonjë rezidencë luksoze. Si ka mundësi që i keni rezistuar joshjes tipike? Ne këtë dimë që bëjnë të pasurit. Shumë pak kemi shembuj që të merren me shoqërinë.

Vllaznim Xhiha: Në karrierën time unë kam punuar shumë dhe përgjatë kohës dhe puna intensive e imja më ka ndarë një kohë të gjatë prej familjes. Ka qenë një barrë edhe për mua edhe për familjen time. Ndaj me të kryer transaksionin, unë e vendosa të ndalesha. Barazpesha, ose drejtpeshimi në mes të jetës private edhe jetës profesionale, edhe shkalla e këtij drejtpeshimi është shkalla e harmonisë që njeriu duhet ta ketë edhe në punën e tij profesionale.

Mira Kazhani: Pra ju kur shitët kompaninë Newwave në 2011-ën, menduat për lumturinë tuaj. Menduat për një lloj harmonie. Menduat se nuk kishit pse të kërkonit të shtonit pasurinë apo të merreshit me të tjerë projekte që në fakt mund t`ju pasuronin juve më shumë, por e vërteta është që ju patët nevojë për diçka tjetër. Kishit nevojë t`i kthenit mbrapsht diçka shoqërisë. Të merreshit me fëmijët, siç po bëni tani.

Vllaznim Xhiha: Pikërisht kur u ktheva në Kosovë pasi e kisha kryer karrierën time si ndërmarrës, isha 59 vjeç. Kështu që nuk e kisha arritur as moshën e pensionit. Prandaj Nita ka propozuar që ta themelojmë fondacionin tonë. E kemi themeluar në vitin 2008. Edhe fondacionit ia vura emrin unë. Nita e ka propozuar, por emrin ia kam vënë unë “Unë e du Kosovën”. Ka njerëz që nuk e duan Kosovën, edhe pse janë kosovarë. Duhet t`iu kujtohet. Edhe kjo shkon në drejtimin e asaj që po thua ti, a jemi filantropë a nuk jemi filantropë. A e duam vendin tonë, a nuk e duam vendin tonë. Kur e dëgjon Fondacionin “Unë e du Kosovën” ndoshta…

Mira Kazhani: Pra ju po thoni, ka rëndësi mënyra sesi e duam vendin tonë. Dhe ta duash vendin, është të heqësh diçka nga vetja dhe të mos mendosh për…

Vllaznim Xhiha: Patjetër, kjo më duket shumë e logjikshme.

Mira Kazhani: Një gjë që më ka bërë përshtypje ishte fakti që nuk gjeja intervista tuajat. Lexova shumë artikuj ku shkruhej për ju, por ju nuk keni intervista. Ju nuk jeni i famshëm në Shqipëri, në Kosovë. Ne i njohim pak a shumë sipërmarrësit e mëdhenj dhe të suksesshëm për shkak se i shohim me politikanë. I shohim kur presin shiritat e kuq për vepra të ndryshëm që ata bëjnë. Ndërsa ju jeni si një…

Vllaznim Xhiha: Incognito…

Mira Kazhani: I padukshëm, fiks

Vllaznim Xhiha: A është më me rëndësi se kush je apo çfarë bën?

Mira Kazhani: Të dyja them unë

Vllaznim Xhiha: Ta ilustroj me një shembull këtë krahasim. Që nga themelimi i rrjetit Bonevet para 10 vitesh, klasat e Bonevet i kanë ndjekur 10 mijë fëmijë deri tani. Në 6 vitet e ardhshme, në 6 qendrat e Bonevet në Kosovë presim që do të shtohen edhe 20 mijë fëmijë të tjerë. Domethënë gjithsej do të jenë 30 mijë fëmijë në vitin 2023. Kemi edhe një platformë jashtëzakonisht të mirë në Kosovë, të dobishme për digjitalizimin e shkollave, gara më e madhe e robotikës që e ka emrin “Kosova makers league”, e cila në 6 vitet e fundit i ka angazhuar 14500 fëmijë të shkollave fillore, në garat nacionale të robotikës. Kanë mësuar programim. Jo vetëm fëmijët, por kemi mësuar edhe mësuesit që t`i mësonin fëmijët në robotikë. Mbas 6 vitesh unë po mendoj që edhe nja 15500 fëmijë do të shtohen dhe në vitin 2030 do të bëhen edhe 30 mijë fëmijë të tjerë. Tani paramendo se çfarë potenciali dhe çfarë ndikimi mund të kenë këta 60 mijë fëmijë me njohuritë dhe me shkathtësitë që i mësojnë në shkollë.

Mira Kazhani: Po mësojnë ta duan Kosovën.

Vllaznim Xhiha: Po edhe të kontribuojnë me aftësitë. imagjino se sa është i fortë zëri i 60 mijë fëmijëve në krahasim me një zë të Vllaznim Xhihas. Kjo është ajo që them, që veprat tregojnë për njeriun dhe për punën e tij.

Mira Kazhani: Çfarë do t`i këshillonit një 43-vjeçareje, që e keni përpara, gazetare, po të kishit qenë në vendin tim në këtë kohë, në të njëjtën karrige, të një njëjtën pozitë. Çfarë duhet të kishte parasysh në jetën e vet?

Vllaznim Xhiha: Juve e udhëhiqni kaq mirë këtë intervistë dhe e lini të intervistuarit ta ndjejë veten mirë edhe qetë. Prandaj nuk kam këshilla, aspak. Asnjë. Tjetër është çfarë mendoj unë për mediat edhe për gazetarinë dhe rëndësinë e tyre, pavarësinë e tyre. Mirëpo përsa iu përket juve, mendoj që jeni duke shkuar rrugës mirë.

Mira Kazhani: Emrin ia kam vënë mirë, ZëmeMirënPodcast? Kam pasur gjithmonë një lloj sikleti për faktin se po vija emrin tim aty.

Vllaznim Xhiha: Jo, jo sh mirë është.

Mira Kazhani: Nuk është vanitet.

Vllaznim Xhiha: Asesi

Mira Kazhani: Me intervistat i keni shumë mirë punët tani që po e shoh. Ka disa njerëz që janë shumë të aftë, shumë interesantë, por nuk e duan kamerën, por mesa kuptoj thjesht nuk keni dashur të jepni intervista. Jo se nuk dini t`i bëni ato.

Vllaznim Xhiha: Nuk kam qenë fort i intervistave, duhet ta pranoj. Se mendoj që ka mundësi të ndryshme sesi mund të paraqitet ideja, qëndrimi, vepra e njeriut. Prandaj intervistat për mua kanë qenë pakëz jo shumë simpatike. Për mua.

Mira Kazhani: Çfarë këshille u jepni sot prindërve që rrisin fëmijët?

Vllaznim Xhiha: 3 këshilla. Këshilla e parë është t`i mësojnë fëmijët të lexojnë. Këshilla e dytë është t`i mësojnë fëmijët të lexojnë. Këshilla e tretë është t`i mësojnë fëmijët të lexojnë. Mendoj sot në këtë situatë në të cilën gjendemi ne me këto shkollat e dobëta, leximi është fondamental. Kush nuk lexon, nuk ka shanse të zhvillohet. Kështu që për mua është ndoshta jo vetëm për fëmijët, por për një shoqëri, arsimi është gjithçka. Po s`kemi arsim, s`kemi as ekonomi, s`kemi as kulturë, as politikë.

Mira Kazhani: Përveç Filipos, kush është një sipërmarrës që ju e respektoni shumë? Mund të jetë edhe një emër i famshëm, botëror, që mund të zgjidhni.

Vllaznim Xhiha: Unë i ndjek krejt këta miliarderët. Jo se kanë para shumë, por për çfarë bëjnë. Kur kam nisur Newwave nuk kam qenë ndërmarrës. Kam qenë autodidakt. Nuk kam ditur asgjë për kontabilitetin, për tregun, për prodhimin.

Mira Kazhani: Ku punonit atëherë?

Vllaznim Xhiha: Kam qenë në një ndërmarrje zvicerane. Kam punuar si inxhinier, pastaj kam kaluar në njësi të tjera. Kështu që në atë kohë ka qenë Microsoft, firma që po shkonte në hava dhe kam lexuar librin për jetën e Bill Gates, për t`u frymëzuar dhe ajo ka qenë për mua një inspirim. Kurse sot e sa vite, kur ka qenë kaq i vogël, kam ndjekur Elon Musk. Ai është tashmë një personazh kontradiktor. Duhet ta kuptosh ashtu siç është. Ka bërë shumë gabime.

Mira Kazhani: Për shembull një gabim?

Vllaznim Xhiha: Po duket sikur ka bërë gabim me Twitter-in. Po duket, sepse tek ai nuk dihet. Ai vjen edhe përnjëherë rritet në mënyrë eksponenciale. Kush nuk gabon, nuk mëson asgjë. Ne i mësojmë fëmijët të mësojnë. Gabo edhe mos u frikëso prej gabimit. Se kur gabon, atëherë mëson edhe mëson mirë. Se gabimi mund të të dhembë. Edhe atëherë mëson. Kështu që Elon Musk për mua është një prej personazheve më të rëndësishëm në industrinë botërore. Edhe është një prej mendjeve më inovative që ka bota sot.

Mira Kazhani: Çfarë mendoni për këta miliarderët e botës Jeff Bezos, Elon Musk e gjithë të tjerët që po mendojnë për anije kozmike, synojnë Hënën, ndërkohë që Toka ka kaq shumë probleme? Ka kaq shumë për të bërë dhe për t`ia kthyer shoqërisë.

Vllaznim Xhiha: Arsyen pse Elon Musk do të shkojë të Mars e di. Për këtë të tjerët nuk e di. Ata as nuk kanë nohaun për të mbërritur deri tek Marsi. Edhe pse kanë para, edhe pse kanë anije të gjithësisë, nuk e kanë teknologjinë. Elon Musk e ka teknologjinë. Elon Musk e di pse. Edhe unë e kam pyetur veten gjithmonë, pse nuk i investon paratë për të mbrojtur ambientin edhe do të shkojë në Mars.

Mira Kazhani: T`ua japin të varfërve, t`i mësojnë, t`i ndihmojnë…

Vllaznim Xhiha: Ai mendon ndryshe. Ai mendon ç`ka mund të ndodhë me këtë botë në 50 vitet e ardhshme. Cilat janë rreziqet e shkatërrimit të civilizimit. Ai mendon në këto terma. Lufta nukleare është një rrezik i madh. Po e shohim sot gjithkund kemi luftë dhe rreziku është i madh. Shkatërrimi i ambientit, ndryshimet klimatike e kanë arritur atë pikën ku nuk mund të kthehemi më dhe e treta më e madhja është Inteligjenca Artificiale. A kemi ne forcë ta kontrollojmë atë? Se inteligjenca Artificiale po zhvillohet me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Po pritet që relativisht shpejt do të arrijë inteligjencën e njeriut.

Mira Kazhani: Do t`i kapë të gjitha neuronet tona.

Vllaznim Xhiha: Në atë moment që do e arrijë këtë inteligjencë, atëherë çfarë? Nëse e arrin atë, atëherë inteligjenca Artificiale ka emocione, mundet vetë të zhvillohet, mundet vetë të mësojë e të bëhet superinteligjent, atëherë ne s`kemi shans.

Mira Kazhani: E kuptoj, por kam frikë se në Mars do të shkojnë të pasurit prapë dhe politikanët. Prapë ne do mbetemi këtu.

Ndoshta, por Elon Musk si rrezonon, çfarë thotë ai. Ai thotë unë kam bërë çfarë kam mundur për këtë botë. Po prodhoj automobilat elektrikë për të mbrojtur ambientin. Kam krijuar komplekset gjigante të baterive për të stabilizuar rrjetin elektrik pa prodhuar C02. Ai e ka elektrifikuar praktikisht me panele solare krejt Kaliforninë. Pa krijuar CO2. Kështu që ai thotë, unë kam bërë më shumë në këtë botë, në këtë Tokë për të mbrojtur ambientin, mirëpo unë kam dyshime se kjo botë, ky civilimin po ikën nga rruga e duhur dhe unë po dua ta shpëtoj civilizimin, vetëdijen. Domethënë, unë dua të shkoj në Mars, edhe nëse shkatërrohet Toka, kemi Marsin, nga Marsi vazhdojmë më tutje. A është mirë kjo a nuk është mirë mund të debatohet.

Mira Kazhani: A keni frikë ju nga e ardhmja Vllaznim?

Vllaznim Xhiha: Për vete jo. Për mbesën edhe për nipin tim, po.

Mira Kazhani: Nga çfarë keni frikë më shumë për ta?

Vllaznim Xhiha: Po për këto që folëm. Rreziqet që janë të mëdha dhe unë i frikësohem aksidenteve të mëdha.

Mira Kazhani: Për çfarë e kishit fjalën?

Vllaznim Xhiha: Për shembull të shtypësh sustën, shkon raketa nukleare. Ose shkrihet akulli në Antarktidë, ndryshojnë qytetet. Inteligjenca Artificiale na mbërrin më shpejt.

Mira Kazhani: Të shpresojmë që nuk do ndodhin këto.

Ju keni tre djem?

Vllaznim Xhiha: Tre djem.

Mira Kazhani: Jetojnë në Zvicër?

Vllaznim Xhiha: Drini, i madhi, jeton në Berlin me gruan e vet shqiptare me mbesën 2 vjeç e gjysmë. Shari, ai ka kryer Universitetin në Zyrih. Gjithashtu ka kryer ETH-në. Edhe ai është arkitekt në Zyrih.

Mira Kazhani: It runs in the blood (qesh).

Vllaznim Xhiha: Është koiçidencë (qesh). Edhe ai është i martuar gjithashtu me shqiptare dhe ka një djalë 5 muajsh. Kam dhe djalin e tretë, Arbi e ka emrin ai ka kryer Financën në Zyrih. Është në Zyrih edhe ai. Ata janë atje, ne jemi këtu. Po ruajmë Kosovën.

Mira Kazhani: Shumë mirë, me radhë. Do t`iu vijë dita edhe atyre. E keni me merak që s`e keni një vajzë?

Vllaznim Xhiha: Posaçërisht Nita. Unë po, se unë kam dëgjuar që vajzat e duan babain më shumë se nënën. A është e vërtetë a nuk është, nuk e di. Mirëpo, kemi mbesën. Ajo është një fat i madh.

Mira Kazhani: Kaloi Nita në fillim pak shpejt, edhe pse u përmend shpesh, për shkak se po flisnim për kompaninë, por më thatë që e keni takuar në Kosovë. A mund të ma kujtosh takimin e parë me Nitën? ishte një dashuri me shikim të parë?

Vllaznim Xhiha: Ne jemi parë, edhe nuk e di a e ke pas parasysh kemi pasur Sheshin Nënë Tereza që quhet sot. Nuk ka as automobile. S`kemi pasur televizorë, kompjuterë, por shëtitnim. Bënim ato takimet, kontaktet, aty u pamë.

Mira Kazhani: Çfarë të pëlqeu më shumë? Që të tërhoqi?

Vllaznim Xhiha: Nita ka një karakter të jashtëzakonshëm. Është me karakter stabil, të fortë, ka emocione, është e dhënë pas famijes, edhe të prindërve, por edhe të vetën. Ka shumë empati. Është një njeri që lexon shumë, që di të bisedojë, me të cilën mund të bësh çfarëdo bisede. Kjo është shumë me rëndësi, se të rrish bashkë e mos të dish çfarë të flasësh, është…

Mira Kazhani: Çfarë është një gjë që paratë nuk e blejnë kurrë?

Vllaznim Xhiha: Dashurinë. E pamundur është ta blesh.

Mira Kazhani: Sa vjeç jeni sot?

Vllaznim Xhiha: Në gusht të këtij viti mbush 72 vjeç.

Mira Kazhani: Jeni Virgjëreshë?

Vllaznim Xhiha: Luan, më 16 gusht.

Mira Kazhani: Ju shkon Luani.

Vllaznim Xhiha: Ma thonë. Unë jam pak edhe autoritar në familje. Fëmijët më kanë thënë, ti je Luan gjithmonë, autoritar. Unë kam qenë bosi i familjes. Kam menduar, por më vonë më kanë thënë që jo, bosi ka qenë Nita. Unë e udhëhiqja pak a shumë lojën. Nita ngaqë ka qenë më e re se unë më ka respektuar, prandaj nuk ka insistuar aq.

Mira Kazhani: Edhe ju rri, edhe ju shkon. Nuk është se ke qenë bosi i pamendimeve.

Vllaznim Xhiha: Jam i vetëdijshëm nëse kam gabuar, e kam bërë me vetëdije.

Mira Kazhani: Me përvojën që keni a ka ndonjë moment inxhinier Vllaznimi që diçka do kishit dashur ta kishit bërë ndryshe. Një peng e keni nga jeta? Se duket sikur të gjithë gjërat i keni bërë mirë që fëmijë.

Vllaznim Xhiha: Po duket sikur janë bërë të gjitha mirë, por ka qenë rrjedha… Ka shumë vlerësime, gjykime gjatë shtegtimit. Nuk kam hyrë në duhet të bëhej kështu apo ashtu. A kam gabuar aty apo këtu. Jetë është kjo. Bukuria e jetës është që ti nuk di çfarë do të ndodhë nesër. Po të dish se çfarë do të ndodhë nesër, nuk është më interesante.

Mira Kazhani: Vetëm Elon Musk e di më duket. Edhe ai ndoshta nuk është shumë i lumtur për këtë fakt. Duhet të mbetemi kuriozë si fëmijët e Bonevet.

Vllaznim Xhiha: Patjetër.

Mira Kazhani: Shtëpia këtu është e madhe, e bukur, e veçantë. Nuk është katrore. Arkitekti ka qenë i huaj, zviceran apo djali?

Vllaznim Xhiha: Arkitekti ka qenë zviceran. Një njeri që ne e kemi njohur në Zvicër. Ai ka bërë idenë për shtëpinë, sipas udhëzimeve të Nitës. Se kjo shtëpi praktikisht është bërë me iniciativë të Nitës. Pastaj realizimi është bërë me një arkitekt të Kosovës, i cili ka bërë më tej vizatimin teknik. I ka përcjellë punët e kështu me radhë. Ne nuk e dinim atëherë a do vinin fëmijët ndonjë ditë të jetonin me ne, a s`do të vinin të jetonin me ne, prandaj kemi bërë një shtëpi që kush të vijë, ka vend. Është bërë me shumë shije se Nita ka shije.

Mira Kazhani: Është shumë e bukur, një shtëpi që nuk ma kishte parë syri dhe s`e kisha menduar as në imagjinatë. Është krejt e thjeshtë dhe shumë e bukur njëkohësisht.

Kur e sheh Prishtinën nga ballkoni, nga veranda, çfarë mendon?

Vllaznim Xhiha: Mund të bëhet më mirë!

Mira Kazhani: Duhet me e bo vetë. Se nuk na e bën vendin tonë asnjë i tretë. Faleminderit shumë! Ishte kënaqësi që ju takova dhe jam e lumtur që ndjekësit e podcast do kenë mundësi të dëgjojnë nga një njeri si puna juaj.

Vllaznim Xhiha: Faleminderit shumë!

Podcasti “Zë me Mirën” u mbështet nga ABI Bank, Melia Durrës, Lajthiza

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *