Shtëpi e “ëmbla smart” shtëpi

Mira Kazhani/ Ishte një ngjyrë që më çoi në mendje të bëja një podcast, i cili s`ka sesi mos t`ju interesojë të gjithëve. Kur bëhet fjalë për shtëpinë, zyrën apo kafetë tona është interesante tema. “Viva Magenta” është ngjyra e vitit e shpallur jo vetëm për nga bukuria e saj apo forca, por sidomos nga mesazhi. Ajo përfaqëson gëzimin e jetës, kurajën për të kapërcyer limitet e vetes sonë, jokonvecionalizmin sidomos. Me pak fjalë, një e përditshme me më shumë “colour” në 2023. Kjo ishte një bisedë që bëhej veç me një artist, një arkitekt që unë e kam zbuluar pikërisht nga ngjyrat, stili i tij dhe e ftova në këtë podcast, Besnik Grainca, faleminderit!

Intervista e transkriptuar:

Besnik Grainca: Faleminderit shumë për ftesën! Urime dhe për këtë podcast!

Mira Kazhani: Në fakt u kënaqa kur më the që e njihje podcastin dhe kishe ndjekur disa prej tyre.

Besnik Grainca: Po. Më pëlqejnë dhe mysafirët që i sjell këtu. Është nder të jem në mesin e tyre.

Mira Kazhani: Viva Magenta është e vështirë për t`u përshkruar si ngjyrë, se mesazhin e kemi kuptuar. Çfarë kombinimi është? Për shembull, trikoja ime futet tek Viva Magenta?

Besnik Grainca: Futet në atë familje. Është tek familja e të kuqes. Është ngjyrë e guximshme, shumë ekspresive. Në këtë kohë që po jetojmë është një ngjyrë e guximshme. U duhet guxim të gjithëve.

Mira Kazhani: Shtëpitë, duhet t`i kemi me ngjyra? Dhe kur themi shtëpitë me ngjyra, çfarë nënkuptohet?

Besnik Grainca: Me ngjyra po. Po kjo s`do të thotë që të jetë muri me ngjyra apo tavani. Unë zakonisht i përdor ngjyrat, por mundohem t`i fus nëpër piktura, në gjëra që kanë një vlerë edhe më shumë. Në aksesorë të ndryshëm artistikë. Po ngjyrat reflektojnë personalitetin e çdo njeriu. Secili ka ato ngjyrat e veta. Thjesht si arkitekt duhet t`i gjesh atë kombinimin e duhur, që të jenë në harmoni me njëra-tjetrën pa e tepruar, që mos të bëhen të lodhshme.

Mira Kazhani: Si po evoluojnë shtëpitë e shqiptarëve?

Besnik Grainca: Ndoshta mund ta marrim pak më gjerë, në përgjithësi tani është bërë bota e njëjtë. Po evolojnë të gjithë në të njëjtën kohë. Mendoj që arkitektura ka filluar me shtëpinë. Objekti i parë që është bërë, është bërë shtëpia që në kohërat parahistorike, kur kanë filluar me struktura të kockave të kafshëve dhe lëkurat. Deri tek grekët e lashtë, romakët, që kishin atë vatrën në mes të shtëpisë ku edhe gatuanin, edhe ngroheshin, por edhe ndriçonin shtëpinë. Deri në ditët e sotme që jetojmë në një shtëpi smart. Nuk është një ambient që vetëm jetojmë ne, po sikur jeton me ne edhe shtëpia në të njëjtën kohë. Ia vlen të ndalojmë 100 vjet përpara kur ndodhi revolucioni më i rëndësishëm që për ne në arkitekturë ishte Revolucioni Industrial, kur filloi dhe modernizmi. Një nga pionerët më me influencë të kësaj periudhe Le Corbusier shkroi një libër. Ai ka shkruar shumë libra, po kjo është një ndër këto me rëndësi shumë për të gjithë arkitektët. Është edhe në shqip i përkthyer nga profesori Artan Rasha. Mund ta lexojë kushdo. S`do të thotë që ta lexojnë vetëm arkitektë. Ai aty flet duke u inspiruar nga inxhinierët mekanikë që i bëjnë shumë përshtypje sesi e bëjnë makinerinë të punojë, sesi e çojnë botën përpara. Ai thotë që shtëpia duhet të jetë një makinë për të jetuar. Me këtë ai nënkupon që njeriu duhet të jetë qendra e vëmendjes, ai thelbi kryesor. Të ketë rëndësi në shtëpi. Jo këto dekoret e ornamentet që e zbehin njeriun pastaj aty në atë fotografi. E merr rëndësinë muri apo tavani më shumë se njeriu. Ky me këtë, e hodhi një ide për shtëpitë e të ardhmes.

Mira Kazhani: Përcaktoi një trend për të ardhmen.

Besnik Grainca: Një trend mund ta quajmë ndoshta. Deri sot që ne nga një “smart device”, celular e kontrollojmë gjithë shtëpinë. Prandaj thashë jeton edhe shtëpia me neve. Ne nuk jemi në shtëpi, por e rregullojmë temperaturën si të duam, ka sensorë zjarri, sensorë ajri, lagështire, gjithçka që të kesh një shtëpi edhe më të shëndetshme. Gjithashtu përmes teknologjisë mund të bësh edhe energjinë e rinovueshme. Kur shtëpia s`ka nevojë më dhe e merr të gjithë energjinë nga dielli.

Mira Kazhani: Kjo është shumë e rëndësishme. Po i bëjnë shtëpitë në këtë linjë?

Besnik Grainca: Po, po. Patjetër. Edhe në Shqipëri përdoret. Ndoshta jo 100%, po mund të bëhet. Në Shqipëri janë 270 ditë mos gaboj me diell.

Mira Kazhani: Shumica e vitit me diell.

Besnik Grainca: Dielli, një orë energji që na jep në gjithë Tokën, ne mund të na duhet në vit për ta konsumuar nëqoftëse dimë ta mbledhim atë energji, ta ruajmë diku.

Mira Kazhani: Besnik, kur thua shtëpia të ketë në qendër njeriun, çfarë nënkupton?

Besnik Grainca: Në kohërat klasike kishte shumë, ishte edhe veshja e njeriut, edhe dizajni gjithçka kishte shumë ornamente. Kishte shumë dekore. Shumë make up, shumë buzëkuq. Kështu që humbte njeriu. Është njësoj sikur njeriu të vishet, të maskohet, humb ai thelbi, i vërteti. Kur themi Corbusier foli për shtëpinë si një makinë, foli për funksionin e shtëpisë, që domethënë ne po ndryshojmë, po evoluojmë, mënyra sesi po jetojmë po evoluon, po duhet të ndryshojë edhe shtëpia. Ne duhet ta bëjmë sipas mënyrës si jetojmë. Tani në kohën e teknologjisë, ta bësh shtëpinë smart për shembull është shumë efektive.

Mira Kazhani: Për shembull, je kundër shtëpive klasike sot? Njerëzit kanë simpati për klasiken.

Besnik Grainca: Unë kam shumë simpati, nëqoftëse janë bërë në kohën e duhur dhe aty e kanë atë lezetin. Po të bësh tani shtëpi klasike është jashtë kohës dhe nuk përshtatet me stilin e jetesës tonë. Një profesor yni thoshte: Si ta marrësh Luigjin e XIV, apo paruken e tij dhe ta vësh ti në këtë kohë, si do dukesh? Nuk ështe e kohës.

Mira Kazhani: E kërkojnë klientët klasiken ende?

Besnik Grainca: E kanë pas kërkuar, por kanë filluar ta kuptojnë që… e provuan domethënë dhe e panë që…

Mira Kazhani: Të lutem më thuaj që ka marrë fund edhe stili industrial. Ai stili me ato çimentot që u bë aq shumë në modë. U bënë të gjithë kafetë, restorantet e shtëpitë në Tiranë ashtu.

Besnik Grainca: Po ta shohësh, zakonisht i bëjnë edhe pronarët vetë pa arkitektë. Kështu që unë prapë do t`ia kisha dhënë një vlerë meqë mundohen të përdorin elementë të ricikluar që përdorin paleta druri etj, etj, e ka atë lezetin po aq për kafe. Kurse për shtëpi nuk janë praktike fare, për mirëmbajtje, t`i pastrosh për shembull është e pamundur. Kështu që arkitektët nuk është se e përdorin shumë.

Mira Kazhani: Po ai trendi me shtëpitë që kanë si dërrasë në mur? Duket shtëpia si hotel. Çfarë mendon ti për këtë?

Besnik Grainca: Kjo është pjesë e dekorit. Nuk mund ta bësh një mur më të bukur se njeriu. S`ka nevojë të vësh dekore. Mund të vësh një pikturë. Të mërzitet? E lëviz, e vë diku tjetër. Mund të vësh një fotografi që ka një histori mbrapa. Po të vësh dru në mur ose në tavan është… Maksimumi në dysheme. S`ke pse. Në mur mund të vihet për shkak të akustikës. Tek kjo salla që jemi ne, në ambientin ku duhet akustikë. Po jo të bësh dhomën e gjumit, tavanin me xham e me këto… Janë dekore të tepërta. Make up, buzëkuq.

Mira Kazhani: Janë dhe më të shtrenjta besoj?

Besnik Grainca: Varet.

Mira Kazhani: Varet se një pikturë mund të jetë shumë më e shtrenjtë se ai muri prej druri.

Besnik Grainca: Të paktën pikturës nuk i bie vlera, kurse atij muri…

Mira Kazhani: …i bie vlera.

Besnik Grainca: Normal.

Mira Kazhani: Kështu që kush na dëgjon, ta ketë parasysh. Po bëhen shumë shtëpi në këto kohë?

Besnik Grainca: Po vetëm shtëpitë nuk ndalojnë kurrë. Gjithmonë ka çifte të reja. Shtëpitë nuk ndalojnë. Në arkitekturë më së shumti shtëpi bëhen.

Mira Kazhani: Unë nisem gjithmonë nga gjërat që shoh në Instagram edhe në rrjetet sociale më duket sikur mbisundon e zeza, grija, ose e bardha tek ne shqiptarët. Nuk e di nëse është shija e arkitektëve apo e njerëzve apo një klishe që e kalojnë më kollaj.

Besnik Grainca: Ngjyrat pasqyrojnë shumë… ne që merremi me ngjyra dhe e njohim shumë njeriun përmes ngjyrave, mënyra si vishet dhe ndoshta kjo që s`përdorin ngjyra, ndoshta s`duan edhe t`i njohësh. Nuk duan të njihen direkt, të ekspozohen. Po s`ka të thotë. Mua më pëlqen e bardha në shtëpi, po jo e ekzagjeruar në të gjitha. Duhet të bëhet një kontrast, të ngrohet ajo e bardha. Duhet të ketë diçka afër që të ketë kuptim ajo. Nuk është puna tek një ngjyrë. Është tek kombinimi i të gjithës. Kur e sheh të gjithën, të jetë ajo harmonia. Të krijojë atë gjendjen e qetësisë, atë ngrohtësinë.

Mira Kazhani: Një shtëpi e arreduar mirë domosdoshmërisht shkon edhe me një çmim të shtrenjtë apo është të dish sesa të kesh në këtë rast?

Besnik Grainca: Arkitektin duhet ta marrësh që të kursesh në këtë rast. T`i harxhosh lekët aty ku duhet. Prandaj po thosha që s`ke pse e bën tavanin me dru, me xham. Kështu që s`ka të bëjë me koston arredimi i mirë.

Mira Kazhani: Sa shkon për shembull një apartament i thjeshtë 80 metër katror? Cili do të ishte një arredim dhe një çmim?

Besnik Grainca: Kjo është pyetje shumë e vështirë, se këtë pyetje na bëjnë gjithmonë.

Mira Kazhani: Unë jam kliente (qesh)

Besnik Grainca: Mund të fillosh nga kaq, deri pafund. Kështu që më mirë s`po e jap ndonjë gjë të saktë se dikush mund të trembet e të thotë, meqë s`i kam këto, s`po e bëj shtëpinë. Aq sa ke, aq mund të bësh.

Mira Kazhani: Nuk kam asnjë plan, por njeriu ëndërron. Kështu e thotë dhe ngjyra e vitit, që duhet të kapërcejmë limitet tona, do të kisha për të bërë një shtëpi, cilat do ishin tre këshillat bazike që do më jepje?

Besnik Grainca: E para do ishte që…

Mira Kazhani: Merr arkitekt të mirë (qesh)

Besnik Grainca: Po patjetër. E dyta, siç thotë dhe Corbusier – se e përmendëm disa herë po ka shumë gjëra aty që…

Mira Kazhani: Si quhej në shqip titulli i librit?

Besnik Grainca: “Drejt një arkitekture”.

Duhet të merret parasysh stili i jetesës që bën dhe shtëpia të bëhet sa më funksionale. Të mos mendohet dekori apo të thuash “ky muri më duket bosh, kjo duhet të duket e plotë”. Duhet të jetë funksioni në fillim, roli kryesor i njeriut që do jetojë. Të jetë e rehatshme, sepse tek e fundit në shtëpi shkon për të pushuar. Edhe mos të mendohet që kur të vijë një mysafir ta shohë shtëpinë, ta bëj të bukur. Bëje për vete me pak fjalë, jo për njerëzit e tjerë.

Mira Kazhani: Ne e bëjmë pak shtëpinë për mysafirët.

Besnik Grainca: Po kjo duhet të ndryshojë.

Mira Kazhani: Të gjitha shoqëritë e kanë këtë? Apo ne e kemi veçanërisht?

Besnik Grainca: Të gjitha e kanë pas se ne në hapat e tyre shkojmë, po në të njëjtën rrugë janë të gjithë. Të gjithë e bëjnë këtë gabim.

Mira Kazhani: Je kurioz për shtëpitë e të tjerëve? Unë jam gjithmonë. Kam qenë që e vogël kurioze. Dua shumë të di si i kanë shtëpitë njerëzit dhe të shoh shtëpi.

Besnik Grainca: Këtë besoj që e kanë të gjithë fëmijët, sepse kur je fëmijë dhe shkon një një shtëpi të të afërmit, të ngelet ajo memorja, ajo lëvizja nëpër shtëpi. Unë e di që e kanë të gjithë, jo vetëm unë si arkitekt. Se njeh shumë për ata njerëz në bazë të shtëpisë që kanë. Mua më shumë më pëlqejnë ato shtëpitë e vjetra kur s`kanë pasur arkitekt. Tani kur i bëjnë me arkitekt, nuk është se kam ndonjë…

Mira Kazhani: Nuk do thosha shtëpitë e të tjerëve në këtë moshë, më shumë sesa ballkonet edhe verandat. Kur shoh ballkon me lule, më ngacmojnë. Edhe një ballkon të vogël, kur e rregullojnë ashtu me lule, kam shumë respekt.

Besnik Grainca: Po normal, ne nuk kemi evoluuar si njerëz që të jetojmë brenda atyre katër mureve. Miliona vjet kemi jetuar nëpër shpella, nëpër pemë… Kështu që jemi shumë të lidhur me natyrën edhe pa e kuptuar.

Mira Kazhani: Cilat janë ngjyrat që të qetësojnë në shtëpi? Që të japin një gjendje të mirë? Ka një rregull? Jeshilja?

Besnik Grainca: Ngjyrat e natyrës, do s`do… jemi mësuar me ngjyrat e natyrës. Nuk mund ta imagjinojmë diellin blu. Është harmonia mes tyre, kombinimi. Duhet të dish. Viva Magentës, i thonë e guximshme, se është shumë e fortë, ekspresive. Ta përdorësh këtë, duhet të mendohesh shumë herë edhe ku ta përdorësh. Mund të dali dhe mirë. Mund të dalë dhe shumë gabim.

Mira Kazhani: Nëse ke tre klientë, një të pasur, një intelektual dhe një artist, a ngjajnë kërkesat e tyre për shtëpinë dhe ku dallojnë?

Besnik Grainca: Besoj intelektuali me artistin mund të ngjajnë më shumë. Kjo s`do të thotë që të jesh i pasur nuk je intelektual. Po zakonisht të pasurit kërkojnë shtëpi më të mirë se e një të pasuri tjetër.

Mira Kazhani: Sa të lezetshëm që janë (qesh)

Besnik Grainca: Kurse intelektualët janë ata që dinë çfarë kërkojnë. Janë shumë të saktë. I bëjnë llogaritë ndryshe. Artistët janë shumë më të komplikuar, por me artistët bën gjëra të reja, sepse rrezikojnë dhe eksperimentojnë.

Mira Kazhani: Ata janë Viva Magenta.

Besnik Grainca: Janë tamam Viva Magenta kështu që është kënaqësi me të gjitha llojet.

Mira Kazhani: Aman bëja më të mirë atij të pasurit, sesa ai i pasuri tjetër (qesh) E bën? Përpiqesh?

Besnik Grainca: Mund të bëhet.

Mira Kazhani: Nëse paguan më shumë se ai i pasuri tjetër, patjetër.

Besnik Grainca: Nëse harxhon më shumë!

Mira Kazhani: Pandemia – thonë, të gjitha studimet, arkitektët, kolegët e tu ndërkombëtar, – e ndryshoi konceptin për shtëpinë. Po reflektohet kjo në Shqipëri dhe në Kosovë?

Besnik Grainca: Po patjetër. Nëpër të gjithë botën. Nëpër platformat e arkitekturës, revistat sheh tërë kohën që është folur shumë për pandeminë, jo vetëm si e ka ndryshuar mënyrën e jetesës, por edhe shtëpitë tona. Duke pasur kohë të rrimë në shtëpi më shumë, filluan njerëzit edhe duke u njohur më shumë edhe me të shtëpisë, me të familjes më shumë. Filluan të kërkojnë ato hapësirat e veta më private. Ajo ideja e “open plan” që është shtëpia sa më e hapur, sikur filloi pak të zbehej. Se secili donte atë hapësirën e vet.

Mira Kazhani: E vërtetë!

Besnik Grainca: Filluan pastaj të kërkonin që në një hapësirë të ketë më shumë funksione. Një zyrë në shtëpi, një studio. Ose nëqoftëse nuk ke mundësi për zyrë, të kesh tek dhoma e gjumit një tavolinë, ose një fitness. Kjo e ka ndryshuar goxha.

Mira Kazhani: Para disa ditësh lexova një artikull ishte një studim në Itali, që pas 30 vitesh thoshte, kuzhina do të zhduket nga shtëpitë tona. Tani ky nuk më erdhi mirë si studim dhe as si lajm. Unë e adhuroj kuzhinën, madje kur mendoj shtëpinë time të ëndrrave, e mendoj me atë ishullin në mes. Më pëlqen dhe ishulli shumë.

Besnik Grainca: Shtëpia fillon nga kuzhina. Siç thashë dhe për grekët e lashtë kur i bënin ato shtëpitë me ato vatrat në mes, edhe gatuhej, edhe mblidheshin rreth vatrës, edhe hanin, edhe pinin, edhe ngroheshin. Po kjo që do zhduket kuzhina?! Njerëzit kanë ngrënë prej miliona vjetësh dhe do vazhdojnë të hanë.

Mira Kazhani: Ndoshta do fillojnë të hanë vetëm në restorant?

Besnik Grainca: Po prapë kuzhinën do e kesh në shtëpi, ose mund të evoluojnë kuzhina në vetvete. Se dhe kuzhina ka ato pajisjet smart të vetat. Ose mund të jetë ndonjë si ai filmi “Passenger” që vetëm shkon dhe printon çfarë të duash, çfarëdo ushqimi, e printon 3D edhe… Po që të hiqet nga shtëpia nuk e imagjinoj.

Mira Kazhani: Sinqerisht më tremb kjo jeta kështu me “touch”. Foli ti dhe të hapet dera. Ose me password-e. E di që aty do shkojmë. Duhet të ambientohemi.

Besnik Grainca: Jemi në fillimin e revolucionit të inteligjencës artificiale. Siç e dimë, revolucionet ecin shpejt e më shpejt.

Mira Kazhani: Njerëzit gjithmonë habiten. Edhe me elektrifikimin janë habitur shumë. Është një pasazh tek “Downton Abbey”, një serial shumë simpatik dhe është ai momenti kur vijnë dritat, nis elektrifikimi dhe gjyshja e ka shumë tmerr atë, do të ndezë qirinjtë. Ndoshta kështu po reagojmë dhe ne.

Besnik Grainca: Atëherë ka ndodhur pak më ngadalë, pak më avash. Të gjitha revolucionet, para 500 vjetësh Revolucioni Shkencor, para 100 vitesh Revolucioni Industrial, kurse tani po vijnë e po shpejtohen.

Mira Kazhani: Çdo 10 vjet është…

Besnik Grainca: Po shpejtohen dhe nuk mund t`i kapim të gjitha. Po bëhet jeta shumë më e gjatë, por në të njëjtën kohë shumë më e shkurtër, sepse s`po i kapim të gjitha gjërat.

Mira Kazhani: Ka disa njerëz, siç e the, që edhe pa arkitektë bëjnë shtëpi. Ndërtojnë edhe shtëpi të vogla në fshat. Disa i bëjnë prej druri, me atë stilin alpin. Cilat janë disa shtëpi që i ke parë dhe të kanë lënë shumë mbresa, po dhe na trego pse dhe çfarë kanë ato?

Besnik Grainca: Ka në disa fshatra për shembull që fshatarët i kanë bërë shtëpitë me mjetet rrethanore që kanë aty. Kjo quhet “sustainable architecture” që përdor atë që ke aty. Atë gur që ke, atë dru që ke. Duket sikur ato kanë mbirë aty, nuk janë ndërtuar. Edhe më pëlqejnë. Po ndodh edhe e kundërta që mund të jenë bërë dhe me arkitekt, afër këtyre, diçka që nuk shkon fare me atë kontekst. Më shumë më pëlqejnë këto, se ato me arkitekt të pamenduara. Bëjnë një shtëpi e quajnë moderne, ia vënë ca emra, që s`kanë të bëjnë me ambientin.

Mira Kazhani: Po ato shtëpitë që duken si Shtëpia e Bardhë.

Je simpatizant, mbështetës i shtëpive një-katëshe apo dy kate të pëlqejnë? Dhe duplekset ndoshta.

Besnik Grainca: Po deri në dy kate është maksimumi për vilë për mendimin tim. Kur kalojnë dy kate, s`më duket vilë më. Fillon bëhet pallat.

Mira Kazhani: Më lehtësisht ngrohet po të jetë një kat apo jo?

Besnik Grainca: Jo domosdo, ka shumë elementë për këtë pjesë. Po një kat është luks, se duhet të kesh hapësirë, duhet të kesh oborr. Një kat është ajo që më pëlqen, por edhe dy kate nuk është keq.

Mira Kazhani: Në pallat apo në shtëpi private?

Besnik Grainca: Unë jam rrit në Kosovë në shtëpi private, kurse prej sa kohë jetoj në Tiranë, në pallat. Në pallat më duket sikur jam mysafir, sikur jam i përkohshëm gjithmonë. Shtëpi ne i themi shtëpisë kur është vilë, kurse apartamenteve iu themi banesë. Thjesht banon aty. Nuk është “home”, si me thënë.

Mira Kazhani: Megjithatë shtëpia për shembull në qytet ka të mirat e veta. Nuk merr makinën nëse je në qendër.

Besnik Grainca: Tani po ndryshon edhe koncepti nëpër të gjithë botën. Këto komplekset me vila jashtë Tiranës, në periferi, në të gjithë botën kjo doli si eksperiment i dështuar nga ana sociale. Se atje shkojnë njerëzit, futen në shtëpi dhe nuk e njohin as komshiun. Janë të gjitha shtëpitë të njëjta. Nuk ka një dyqan për të dalë, për të ecur në këmbë. Duhet të jetë “mixed used”. Një lagje që të jetë e shëndetshme nga të gjitha anët, duhet të kesh një farmaci të vogël. Duhet të kesh një furrë buke, sikur e kemi pas më herët. Ashtu po kthehet nëpër botë.

Mira Kazhani: Po si ka mundësi që i ndërtojnë vetë, dhe për veten e vetë nuk e bëjnë një farmaci, një fushë tenisi, një kalçeto? Ka shumë rezidenca, jo vetëm rreth Tiranës, po edhe ato që janë në plazh për pushim, është shumë e çuditshme që nuk kanë mjedise rekreative, argëtimi. Si ka mundësi që e kemi bërë këtë gabim edhe s`po korrigjohet?

Besnik Grainca: Ajo bëhet me qëllim. Është gabim me qëllim.

Mira Kazhani: Po jetojnë edhe vetë aty.

Besnik Grainca: Tenisi ose një fushë basketbolli, futbolli, në atë hapësirë ti mund të bësh 2-3 vila të tjera që shiten më shumë. Me rëndësi është të thuash: Kam vilë në këtë kompleks. Jo: Unë dal aty shëtis e luaj.

Mira Kazhani: A ka ndonjë rast, njeh dikë që po e bën në fakt? Po e shikon me këtë sy?

Besnik Grainca: Po, kanë filluar duke e kuptuar. Kanë filluar duke e menduar së paku.

Mira Kazhani: Në letër është akoma kjo?

Besnik Grainca: Tani njerëzit janë mësuar. Edhe pyetjen ti që po e bën, po e bëjnë të gjithë njerëzit. Se janë mësuar. Kanë bërë një shtëpi, dy shtëpi, tre shtëpi, nga përvoja i bën që ta bëjnë dhe këtë pyetje dhe këtë kërkesë. Ky stil filloi në Amerikë para 60-70 viteve mos gaboj. Bënin ca vila diku dhe shkonin njerëzit e pasur. Tek ne filloi shumë vonë. Më vonë erdhëm në jetë, zbritëm në tokë. (qesh). Në Amerikë edhe nëpër universitetet urbanistike po diskutohet kjo që t`i kthejnë në “mixed use” që të ecin njerëzit në këmbë. Në 500 metra rreze të kesh këto dyqanet e vogla. Edhe këto “shopping mall” sikur po zhduken.

Mira Kazhani: E marr me mend që je njeri që nuk të pëlqejnë, por unë pas një ore në një “shopping mall” nuk jam më i njëjti njeri.

Besnik Grainca: Po normal se është më mirë t`i kesh në lagje të gjitha, që i njeh, një dyqan të vogël, një market të vogël, një farmaci përballë shtëpisë. Të shëtisësh nëpër lagje. Të ecësh, të flasësh me njerëzit. Kurse në “shopping mall” s`do njohësh askënd. Shkon bën një shëtitje…

Mira Kazhani: Unë nuk e ndërroj Idën tek lagja ime dhe portokallet e saj, mandarinat, avokadon. Gjithmonë m`i zgjedh të mira. Kjo është e mira.

Besnik Grainca: Aty marrin vlerë. Janë edhe më të shëndetshme.

Mira Kazhani: Shtëpia jote e ëndrrave është një shtëpi e gjitha me “touch”, “smart”?

Besnik Grainca: Nuk e paskam menduar kurrë me thënë të drejtën. Jo, nuk është patjetër që të jetë smart. Është një libër i Franco Purini-t “Të kompozosh arkitekturën”, është edhe ai i përkthyer në shqip nga një profesor aty në Polis, Llazar Kumaraku, edhe ai mund të lexohet nga të gjithë. Është shumë poetik, shumë i bukur. Ai thotë teknika në vetvete nuk është etikë, por përdorimi i saj, po. Nuk do të thotë që mund të bëjmë shumë gjëra me teknologji dhe duhet t`i bëjmë patjetër. Se dhe aty fillon humb ai koncepti i idesë fillestare. Kthehet prapë tek ajo që njeriu e humb vëmendjen. S`bëhet shtëpia më e rëndësishme se njeriu. Njeriu duhet të jetë përdoruesi i saj. Se për njerëz bëhet.

Mira Kazhani: Disa shtëpinë, shtëpi kanë. Disa kanë veten.

Faleminderit Besnik Grainca! Ishte një bisedë shumë interesante, sidomos, ajo që kuptova unë është: Më mirë lexoni libra të mirë arkitekture, sesa shkoni kaloni kohë duke parë Pinterest-in. Se shtëpia nuk bëhet ashtu si Pinterest. Duhet të kesh konceptin, pa të shkosh tek ajo shtëpia që do dhe të kuptosh edhe që mbase dalëngadalë po shkojmë drejt autentikes, siç na e mëson edhe Viva Magenta që të guxojmë pak dhe të kemi të gjithë një gjë që na ngjan neve dhe i ngjajmë.

Besnik Grainca: Faleminderit shumë!

Mira Kazhani: Edhe gëzuar festat! Dhjetor të bukur!

Besnik Grainca: Gjithashtu! Gëzuar!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *