Enver Petrovci Real(isht) 

Ai më tha që kishte ardhur me bindjen që kjo do të ishte intervista e fundit që jep për një gazetar.

Nuk u gëzova, sepse e pashë që e kishte nga zhgënjimi, jo se nuk do të flasë. Përkundrazi, atij nuk i rrihet pa folur atë që mendon. Ky konstatim gjithsesi më shtyu të marr sa mundem nga rrëfimi i tij i jetës dhe në fund m’u duk sikur pashë një film a shfaqje në Teatër.

Enver Petrovci është 70 vjeç. Para se të ulemi tek Teatri, ndalojmë të pijmë një kafe, ai porositi dy njëra pas tjetrës dhe tha: – “Mira, nuk ka një pa dy. Njeriu duhet ta teprojë!”

Më pas, shkuam dhe u ulëm përballë për të folur për të që nga fëmijëria, rinia, ditët e mira dhe ato të hidhëta. Për jetën që bën një artist i madh. Një burrë që ka jetuar jo pak, një shqiptar që ka guximin për të qenë vetvetja në një botë ku shumica rendin për të qenë si tjetri.

S`ka pak që ka kaluar një kancer, por ka parë edhe dritën, atë që e bëri të mos kishte më frikë, por sidomos përgjithmonë besimtar. Në Zot! Vetëm në Zot!

Të kuptohemi, Enver Petrovci nuk është një yll i lehtë, as për ata që e rrethojnë, takojnë, e sidomos për veten e tij. Ai ka një raport të pazakontë me jetën, një marrëdhënie me të vërtetën siç e ndjen dhe mendon.

Është një nga bisedat më reale që kam bërë, ndaj mos humbni këtë episod, kudo që jeni në Kosovë, Diasporë, apo Shqipëri!


Podcasti i transkriptuar

Enver Petrovci: Ku e keni mësuar ju këtë zanat? (iu drejtohet djemve të xhirimit)
Po më nxirrni mallin e turqve. Nuk kam parë ekip më të mirë se ata.

Jo Hollivud, por ata e kishin tejkaluar Hollivudin.

(përshpërin) dhe veç ia bënin me gisht atij shefit, regjisorit. (Imiton sërish)

Fantastike! (Pastaj imiton duke bërtitur grupet e xhirimit në Kosovë) Edhe thonë: Hajde luaj. Çfarë të luash? Të betohem po.

Mira Kazhani: Desh u nervozove edhe duke ardhur, përpara podcastit, për Teatrin.

Enver Petrovci: Isha me makinë. Mendova se e dija ku ishte Teatri. Po e kam humb se gjithmonë kam ardhur me ndonjë shofer. Pashë një vajzë, ishte vetëm edhe i thashë: Të lutem zonjushë, të të pyes diçka? Ajo (e imiton me kokën lart dhe mosinteresim). I thashë – Më falni, a e dini se ku është Teatri? “Nuk e di”, medemek me krenari e tha nuk e di. Kështu me radhë më pas, derisa më mësove ku është Bashkia. Edhe u thashë: Ku është Bashkia? Bashkia më thanë, është këtu. Mos të dish ku është Teatri.

Mira Kazhani: U nervozove?

Enver Petrovci: Shumë. Për Zotin po. Mos të dish ku është Teatri.

Mira Kazhani: Ky podcast është i Enver Petrovcit, i cili kur e takova më tha: Kjo Mira, do të jetë intervista ime e fundit. Tani unë po e marr të mirëqenë, sepse ju e mbani fjalën, por nuk është se kam ndonjë pretendim që të kem ekskluzivitetin e intervistës tuaj të fundit. Shpresoj të jepni edhe të tjera, pse jo?

Enver Petrovci: E thashë se ashtu po ndihem. Unë jam njeri i sinqertë së pari, për shkak të vetes edhe pastaj për shkak të të tjerëve. Të kam premtuar, ka kohë, se po mos të të kisha premtuar, sot s`kisha dalë me ty. Jo me ty, me askënd. Po premtimin s`dua ta prish. Gazetaria është bërë në 99% vetëm klikime. Të gjesh diçka për ta klikuar. Ose e ndajnë për ta klikuar. Me klikime po jetojnë. Nuk e di, por ma fitove zemrën dhe po të besoj. Mendoj që me këtë gazetari ti do të merresh tërë jetën. Mendoj që njeriu që do të merret me një punë në mënyrë profesionale tërë jetën, duhet të jetë serioz. Unë me këtë punën time që e kam bërë dhe po e bëj, e kam bërë jo për shkak të parave, por më ka pëlqyer dhe kam dashur ta bëj punën deri në fund. Paratë? Ato kanë ardhur vetvetiu. Kanë ardhur vërtet vetvetiu. Edhe kurrë, çfarëdo projekti që ka ndodh nuk e kam lënë nëse i kam premtuar se do ta bëj deri në fund. Ka ndodhur që e kam lënë, por jemi marrë vesh prej fillimi: Nëse nuk më pëlqen, llogarit se mund ta lë projektin. Dhe e kam lënë para premierës. Regjisori, kolegët janë hidhëruar. Kur kanë kaluar 2, 3, 4 vjet, ndoshta dhe më shumë, ka ardhur më ka kërkuar falje. Më ka thënë e ke pas mirë, se imagjinoje të kisha dalë me atë projekt aq të keq, unë sot s`isha marrë më me regji. Ti më ke shpëtuar prej të keqes time. Unë thashë: S`e kam bërë atë për shkakun tënd, e kam bërë për shkak të vetes. Më ka ardh keq të dalë në atë projekt që është aq i keq. Më ka falenderuar dhe ai regjjisor ka bërë emër pastaj.

Mira Kazhani: Çfarë karakteri e quani veten tuaj ju?

Enver Petrovci: Unë s`mund ta ndaj veten nga karakteri, pa profesionin tim. Po e di me siguri, se jam sprovuar disa herë në jetë, që unë kam qejf të jem shqiptar. Shumë! Në këtë moshë që jam, me këtë përvojë që kam, me të gjitha mundësitë që m`i ka dhënë kjo jetë, po të më kishit pyetur, çfarë do të bëheshit tani, unë e kisha përzgjedh prapë: të jem shqiptar. Jo se jam patriot. Ka shumë më patriotë se unë. Po thjesht e dua së pari edukatën që më ka dhënë babai edhe nëna sidomos. Se nëna të edukon, jo babai. E dua lashtësinë e popullit shqiptar. E dua krenarinë e popullit, pa marrë parasysh se ne jemi të gatshëm ta shajmë veten shumë dhe nuk ka popull që e shan veten aq shumë sa ne dimë ta shajmë. Ky është ndoshta nga kompleksi se kurrë s`kemi pushtuar askënd. Kurrë s`kemi luftuar kundër askujt. Kemi luftuar, por nuk kemi pushtuar.

Mira Kazhani: Kemi luftuar për të mbrojtur veten.

Enver Petrovci: Për të mbrojtur veten. Kemi jetuar shumë vite pa ligje, me kanune. E dua shumë, kam shumë respekt ndaj femrës, nënës shqiptare. Deri në lot kam respekt për nënën shqiptare. Tani kur po flas, po rrëqethem. Është e sinqertë kjo nga ana ime. Nënat shqiptare e kanë mbajtur këtë komb. Jo burrat, shkërdhatat shqiptarë. Jo, të betohem. Një prej tyre jam edhe unë, shkërdhat. Familjen time nuk e mbaj unë, po nëna e fëmijëve të mi. Nëna ime më ka bërë ky që jam. Babai ka qenë mysafir. Edhe pse ka qenë në kohën e tij ballist. Për këtë arsye kam shumë respekt ndaj nënës tonë. Tani është radha, ndoshta në Kosovë është ende herët, në Maqedoni hiç e hiç, por Shqipëria e meriton që udhëheqjen ta kenë femrat. Jo femrat, por nënat ta udhëheqin këtë shtet. Ato edhe po e udhëheqin në rrethinë, por duhet të jemi konkretë. Me president, me kryeministër, me ministre, me drejtoresha. Nënën shqiptare ta marrësh për të udhëhequr këtë shtet. Me meshkuj u pa me qindra vite që s`ditën të bëjnë shtet.

Mira Kazhani: Do mërziten burrat shumë me këtë që thatë.

Enver Petrovci: Burrat këtë e dinë. Po a e di kush s`e di? Burrecat nuk e dinë. Ata që shesin mend që janë burra, ata janë burreca. Kjo është ajo kontra ime.

Mira Kazhani: Kontra-loja.

Enver Petrovci: Kontra-loja. Ashtu edhe në jetë. Njeriu që rreh gjoksin “unë, unë”, diheni se është shumë burrec.

Mira Kazhani: E vlerësoj shumë këtë që thoni, se unë jam grua. Edhe pse në fakt mendoj që kam takuar për biseda burra të jashtëzakonshëm, shumë të mirë. Nuk mendoj se janë të gjithë burrat ashtu siç thatë ju. S`po e përdor termin.

Enver Petrovci: Jo, mos më keqkupto. Nuk thashë për të gjithë. Unë thashë për kombin shqiptar. E kanë mbajtur nënat shqiptare. Natyrisht nënat shqiptare s`mund të lindin fëmijë nëse s`kanë burra. Ajo nënkuptohet.

Mira Kazhani: Si e kujton nënën?

Enver Petrovci: Kur bëja gabime më kërciste shuplakë b*thëve, edhe unë e dija që më priste, që kisha bërë gabim. Gabimet ishin për shembull, kur luaja me top, luaja me teshat, xhaketë edhe pantallona, me kravatë…

Mira Kazhani: Kaq bukur jeni veshur fëmijë?

Enver Petrovci: Po s`kam pasur unë tesha të tjera.

Mira Kazhani: Keni qenë të pasur apo…?

Enver Petrovci: Jo, jo ka qenë rendi. Na i blinin nga një palë gjithmonë për Bajram. S`kisha tuta. Luaja futboll me këto tesha, në pluhur. Isha mbrojtës. Kur i përlyeja teshat e dija çfarë më priste. Ka pasur shumë frikë nga insektet. E merrja një flutur mbrapa dhe kur vinte ajo të më jepte shuplakën, unë ia tregoja fluturën, ikte prej meje. Unë e ndiqtja atë, ikte prej meje. Pastaj i kalonte ajo.

Mira Kazhani: Si skenë filmi m`u duk.

Enver Petrovci: Po çdo jetë është skenë filmi.

Mira Kazhani: Kur e kuptove që kishe talent për aktor? Kush e kuptoi talentin tek ju?

Enver Petrovci: Shumë herët. Kur ka ardhur televizori herën e parë në shtëpinë tonë. Unë s`e kam ditur që quhej aktor, por kisha nevojë të isha ai brenda. Atëherë televizori ishte me çelës. Babai im e ndizte televizorin, pastaj e fshihte.

Mira Kazhani: Si quhej televizori me çelës në atë kohë dhe për çfarë viti bëhej fjalë?

Enver Petrovci: `62-`63. S`ka pasur televizor atëherë. Ndoshta në gjithë Prishtinën kanë qenë 2-3. Edhe ky e mori rastësisht. E bleu në Shkup. Ka qenë tërmet. Shumë njerëz vdiqën nga tërmeti në Shkup. Ka shkuar atje, ka ndenjur, gjatë, 1 muaj, 2 edhe kur është kthyer, është kthyer me një televizor. Po ne nuk e dinim as çfarë ishte. Frigorifer s`kishte. Të ka sjellë babai bioskop. Bioskop i thoshim ne dhe krejt lagjja vinte të shikonte bioskop. Kishte lajme. Ishin drejtpërdrejt. Të gjitha gjërat ishin drejtpërdrejt. S`ka pasur t`i xhiroje dhe pastaj transmetoje. Më kujtohet, në televizor dilte dhe thoshte: Na falni për pengesën, na falni për pengesën ndërkohë që bëhej ndërrimi i kamerave dhe shkonin për në skenën tjetër.

Mira Kazhani: Çdo gjë e gjallë.

Enver Petrovci: Çdo gjë e gjallë. Serial kam parë të gjallë. Serial. Më vonë e kam kuptuar, ma kanë treguar që ajo ka qenë drejtpërdrejt. Serial çdo javë, ka qenë hiti i hiteve. Edhe hajdutët nuk vidhnin kur ishte ai seriali se shkonin për ta parë. Ka qenë dy orë program, nga ora 6 deri në 8. Pastaj filloi të zhvillohej. Kur e kam parë atë, kanë dashur dhe unë të isha atje në kuti. Babai e mbyllte atë me çelës. Unë kisha nevojë ta hapja. Si kanë hyrë brenda? S`e kuptoja si kanë hyrë brenda, si janë zvogëluar ata? Më vonë e kam kuptuar. Kjo ka qenë dëshira ime e parë të isha ai atje brenda. Më vonë e kam kuptuar se ai brenda quhet aktor. Është e bukur figura ime e parë që e kam parë në televizor. Ka qenë një spikere e radiotelevizionit të Beogradit, Dusan Kakanj, një zonjë. Kur kam shkuar pas shumë viteve në Beograd e kam takuar. Ende punonte.

Mira Kazhani: Një grua.

Enver Petrovci: Po ajo gruaja. Unë kisha bërë pak emër edhe ajo më njohu. Unë i thashë: Zonjë, ju jeni figura e parë që kam parë në televizor. Jeni diku në indirekt, inspirimi im. U gëzua shumë që arrita ta takoja figurën e parë në televizor.

Mira Kazhani: Si është jeta. Është një lloj destini i njeriut që e çon… Beson tek energjia, tek fati?

Enver Petrovci: Unë besoj në Zot. Në detaje nuk kam hyrë, por besoj në Zot. Besimi në Zot ma ka dhënë forcën që të mos kem frikë prej askujt. Ndoshta mendoni se po e teproj, por prej askujt s`kam frikë, prej asgjëje.

Mira Kazhani: Nuk ke tani frikë apo nuk ke pasur asnjëherë frikë, as 20, as 30, as 40, as 50?

Enver Petrovci: Jo, nuk është e vërtetë. Prej që ku e kam parë dritën, prej aty vetëm e kam konstatuar se Zoti ekziston edhe kam thënë faleminderit që ma vërtetove. Se edhe më përpara kam besuar, por vetëm ma vërtetoi se ekziston. E kam falenderuar. As kam kërkuar asgjë. Se dhe unë isha krenar të kërkoja diçka. Më ka dhënë, mjafton. Kaq sa kam mjafton sa më ka dhënë. Është zhduk ajo dritë. E kam edhe në libër, e shpjegoj këtë.

Mira Kazhani: Po thoni që keni takuar Zotin?

Enver Petrovci: Jo Zotin. Nuk e di çfarë është ajo. Dritën. Zoti s`kishte emër.

Mira Kazhani: Kur e keni parë këtë dritë?

Enver Petrovci: E kam parë nga ballkoni im në orën 2 të natës.

Mira Kazhani: Në çfarë moshe?

Enver Petrovci: Me vite mund të gaboj. Më duket se ka qenë para luftës. E di se në atë banesë kam jetuar përpara luftës, pastaj e kam ndërruar. E kam zgjuar gruan. Tani po më bën të flas diçka që e kam folur edhe dy herë diku. Kur vija nga shkallët e përjetë, unë banoja në katin e pestë, ka qenë një mjegull e tmerrshme. Në katin e tretë ndodhi një ndryshim tek mua. Unë nuk janë farë burri, unë jam burrec, edhe kur shkoj në shtëpi natën vonë, e hap derën ngadalë për mos të zgjuar askënd, sidomos gruan.

Mira Kazhani: Se nuk ke as flutura me vete, si me nënën (qesh)

Enver Petrovci: E hapa kështu (e imiton zhurmën), se dera ka qenë prej metali, ngaqë kishim drojë nga serbët. Thyenin dyert ata, gjithçka bënin. Hyra, e mbylla me çelës. Shkova në anën e majtë, “Valbonë çohu”, i thashë. Çfarë ke, tha. S`e di, i thashë. Hajde me mua. Ku? Këtu në ballkon. Nuk e di pse po e bëja atë. A thua se kishte hyrë dikush tek mua. Kurrë s`e kam bërë në jetë. Shkova në ballkon u ula, mjegull. Asgjë nuk shihej. Ajo erdhi, çfarë ke tha. Nuk e di, i thashë, por ulu. U ul dhe po shikonim në horizont, por nuk shihej asgjë. Përnjëherë, mjegulla filloi si e prerë në mes, u hap. Ama me shpejtësi të tmerrshme. E pashë horizontin. Është një mal atje tek ne në Prishtinë. Po e shihja horizontin. Shihej si vijë e zezë. Mbrapa asaj doli drita e madhe sa njëmijë diej. Nuk u frikësova aspak. E falenderova që doli dhe vërtetoi besimin tim. U zhduk. Erdhi mjegulla siç ishte. U ktheva nga Valbona. Valbonë, pe diçka? Ajo tha, nuk e di çfarë ke parë ti, po unë pashë dritë. Thashë: Mirë jam, normal qenkam. E kam vërtetuar më vonë se po mos ta kisha zgjuar atë ky tregim i imi do kishte mbet gënjeshtër.

Mira Kazhani: Pa dëshmitarë.

Enver Petrovci: Po. E zgjova për të qenë dëshmitare. Gruaja ime s`ka besuar në asgjë. Pyeteni tani. Edhe ma ka ndaluar ta flas këtë. Nuk e kam folur 20 vjet. Mos fol, se do të shpallin të çmendur, më ka thënë. Se është shumë më e mençur se unë për këto punë dhe e di me kë jeton. Mirëpo kur fillova të shkruaj librin “Kujtimet e mia” që ma kanë porosit nga Beogradi, më doli edhe kjo. Duhet ta thuash këtë. Është e nevojshme ta thuash, ta dinë njerëzit. Se ai s`më doli kot mua. Edhe e shkrova e prej atëherë kam filluar ta tregoj. Libri kur botohet nuk e di. Se në kohët e fundit s`po di të shkruaj dhe e kam ndërprerë për momentin. Po e them, po e flas. Ajo dritë s`kishte as emër, as mbiemër, as trup. Vetëm kishte dritë. Edhe ma besoni. Vjet kur konstatuan se kam kancer, më besoni që hiç s`kam… Nuk po them se jam gëzuar. Po nuk jam mërzitur shumë. Ku po shkoj? Po shkoj tek drita. Po a ka më bukuri? Gëzimi më i madh. Do shoh të gjithë ata që më presin. Nëse e meritojnë, nëse nuk kanë shkuar diku tjetër.

Mira Kazhani: Të shpresojmë që do jesh gjatë nën diellin këtu. Si je me shëndet tani?

Enver Petrovci: Kur më thanë se kam kancer, fillova të shkruaj këtë librin, “Amanete zemre”. Në të vërtetë jo. Fillova të shkruaja amanete njerëzve që i dua, thjesht të lija ndonjë fjali të mirë. I shkrova, kur pas 5-6 muajve, më thanë: Enver, je shëruar. Nuk ke më kancer. U mërzita. Të gjithë u gëzuan, unë u mërzita. Thashë: Çfarë do bëj tani me këtë libër? Se s`ka kuptim të dalë. Unë s`po vdes. Unë jam intelektual, s`di a e di. Jam i mençur shumë. M`u kujtua një ide gjeniale, të hiqja emrat. I lashë vetëm fjalitë, mendimet. Tani ka dalë një libër për të gjithë. Po në anën tjetër, secili që më njeh do ta gjejë veten aty.

Mira Kazhani: Si është kjo punë! Jeta ta heq pak lirinë. Të bën redaktor të disa gjërave kur mendon që mund të ikësh nga kjo jetë, je më i lirë për t`i thënë gjërat me sinqeritet të plotë, 360 gradë. Ti bëre redaktime pastaj.

Enver Petrovci: Po nuk është e drejtë të lësh amanete të pasinqerta. Tani të them diçka nga inati, një amanet për të të munduar. Se amanetet të mundojnë. Tani mirë që i kam hequr emrat. Ata që duhet do ta njohin veten, për kë e kam fjalën. Po besoj edhe për këto 1 mijë vitet e mia të eksperiencës diçka njerëzit edhe mund ta marrin prej atij libri.

Mira Kazhani: Tani që e shikon në perspektivë një pjesë të mirë të jetës tënde, se është tjetër gjë kur e shikon me përvojën, me shumë ngjarje, me rrëzime, me ringritje, me suksese, me dhimbje, me familjen, me shokë, me miq, me armiq, ka diçka që do t`ia këshilloje dikujt që po e ndjek këtë bisedë tonën?

Enver Petrovci: Kam shumëçka t`i them.

Mira Kazhani: Më kryesoren ndoshta. Një të vetme, nëse do zgjidhje.

Enver Petrovci: Nëse merreni me art, mos u merrni nëse s`jeni njeri i mirë. Është baza. Se keqësia jote shpirtërore nuk të lë të përparosh në art. Nuk të lejon. Është e çuditshme sa është i lidhur arti me të mirën e njeriut. Është e çuditshme, por nuk të lë. Ti mendon se po bën diçka. Ti shkon deri diku, por e keqja jote nuk të lë të përparosh. Mbetesh gjithmonë aty. Kur e kupton që të tjerët kanë ikur dhe ti ke mbetur aty fillon e të mundon. Pse unë s`po mundem si ai apo si ajo. Të mundon ajo. Problemi është se je njeri i keq. Nuk je pozitiv. Këtë duhet ta kuptojnë artistët në përgjithësi. Ti mundesh të jesh ndaj një personi të bësh gabime, të urresh dikë, por i keq si njeri, nuk ke ku shkon. Ajo të mbyt. Vetja jote bëhet armiku më i madh i artit tënd. Kjo është ajo që kisha për të thënë.

Mira Kazhani: Vlen ndoshta edhe për njerëz të tjerë që s`bëjnë art.

Enver Petrovci: Unë po flas për art. Nëse je i keq në politikë, mundesh…

Mira Kazhani: T`ia dalësh…

Enver Petrovci: Madje të duan nëse je i keq.

Mira Kazhani: A ka një gjë në ADN-në tonë, në shoqërinë tonë që e duam të keqin?

Enver Petrovci: Këtë pyetje askush s`ma ka bërë. Jam zënë me shokun tim të ndjerë. E donte hajdutin. I thashë: A është hajdut ai? Po. Pse e voton? Po ai di. A është hajdut? Po ku ka hajdut që lufton për kombin? Ai lufton vetëm për interesat personale. Kjo pyetja jote më kujtoi atë. Unë kam konstatuar dhe të gjithëve po iu them, nëse është dikush hajdut, punë e tij, por nuk mundet ai të më udhëheqë. Nuk mundet! Nuk mundet! Se ai është aty për vete, pastaj çfarë mbetet edhe për ty.

Mira Kazhani: Vetëm për këtë arsye e doni Albinin?

Enver Petrovci: Unë? Jo unë nuk e dua Albinin. Albinin e duan të gjithë. Edhe opozita e do. A e dini që e do gjithë opozita?

Mira Kazhani: Nuk duken kështu ata? Mbase e duan fshehurazi.

Enver Petrovci: Absolutisht po. Të gjithë janë krenarë me të. Ata e kanë për detyrë ta kritikojnë. Në të vërtetë e kanë ëndërr të bëjnë atë që ka bërë ai. Ëndërr e kanë.

Mira Kazhani: Të ka falenderuar ndonjëherë? Të ka shkruar ndonjë mesazh mirënjohje për këtë vlerësim?

Enver Petrovci: Jo, jo.

Mira Kazhani: Fakti që jeni një figurë publike.

Enver Petrovci: Jo, madje do më kishte ofenduar nëse do më kishte kontaktuar për të më thënë “Faleminderit”. S`e bën atë.

Mira Kazhani: Nuk jeni miq?

Enver Petrovci: Jo, çfarë miqsh. E kam parë njëherë Vjosa Osmanin me të, njëherë kalimthi. Shumë e dua dhe atë.

Mira Kazhani: Kur zgjohesh në mëngjes dhe del bën një shëtitje në Prishtinë, ma merr mendja që ndodh kjo me rutinën tënde, çfarë ndjen kur sheh njerëzit në Prishtinë?

Enver Petrovci: Unë kur zgjohem në mëngjes falenderoj Zotin që ma fali edhe një ditë të shëndetshme, familjes time edhe mua, shoqërisë time, popullit tim. E besoni që është ashtu?

Mira Kazhani: E besoj!

Enver Petrovci: E falenderoj edhe e lus, të lutem mos më sprovo me të keqen sa jam unë në këtë jetë, se jam i ndjeshëm. Shumë i ndjeshëm. Kohët e fundit jam bërë i lig. Qaj për gjithçka. Po të më përmendësh sidomos studentët e mi që kanë vdekur, ose kanë luftuar. Jam shumë krenar për ta. Apo për ata që i kanë vrarë, shumë prekem. Se e kam një turp në vete. (preket) A e meritoj unë të jetoj dhe ata të jenë atje? Ndoshta gabimi im ka qenë se i kam edukuar keq. I kam edukuar të luftojnë. Vetë s`kam pasur forcën të bëj të njëjtën. S`po them se i kam edukuar unë, por kanë qenë të paraprirë ta pranojnë edukatën. Në anën tjetër, besimi në Zot më thotë se ata janë rehat. Ata janë mirë. Madje qeshin me mendimet e mia. Jam ligështuar. Dikur flisja edhe e kaloja pa kurrfarë emocioni në dukje. Po tani po reagon edhe trupi. Unë shkruaj kohët e fundit, se ju e dini jam intelektual (e thotë me ironi) dhe duke shkruar e fus vetveten në qarje. Qaj. Pastaj e lexoj edhe njëherë dhe qaj. Derisa ngopem. Vetë e kam imagjinuar. Vetë e kam shkruar dhe qaj. Lexoj dramën time që e kam shkruar para 20 viteve dhe qaj. Bëj regji, aktorët më dëgjojnë, ia them diçka dhe filloj të qaj. Më shikojnë: Çfarë ke more? Më qahet për atë moment të pikëlluar. Unë qaj, jo aktorët. Aktorët nuk e kuptojnë pse po qaj. Edhe bëj pauzë.

Mira Kazhani: Petrovci, se e vë re shpesh që në disa herë keni thënë: Se unë jam intelektual. E thoni me një ton shpotitës, pak tallës, ironik. Keni parasysh diçka, po talleni me një fenonem? Intelektuali është fjalë e mirë.

Enver Petrovci: Kur flas budalliqe them unë jam intelektual. E kam vjedhur prej një politikani që s`dua ta përmend. S`dua pastaj të më akuzojnë. Në moshë, ka kryer shkolla, master dhe prej që kur ka marrë atë diplomë që e ka paguar, nga kompleksi thotë: Unë si intelektual mendoj. Për çfarëdo që e pyet, ai thotë, unë si intelektual medoj që… E pyet, çfarë dite është sot? Ai thotë: Unë si intelektual, mendoj se dita është e mirë. E kam vjedh prej tij. Në fillim është ditur kur e kam folur. I thonë për shembull, çfarë kafe po pi? Ky thotë: Unë si intelektual e dua me pak sheqer. Unë e them seriozisht këtë. Këta mendojnë qenka vërtet budalla, ky intelektuali. Po me kohën e kuptojnë. Këtë e kam marrë prej tyre. Unë tërë jetën vjedh nga jeta.

Mira Kazhani: Një intelektual që e çmoni në jetën shqiptare?

Enver Petrovci: Tani varet çfarë lloj intelektuali. Intelektual politik, shkencëtar, akademik…

Mira Kazhani: Një akademik, një politik, një shkencëtar, një në art…

Enver Petrovci: Njerëzit nëse nuk i përmend të gjithë, më hidhërohen. Por po të them sinqerisht për mua i vetmi që unë kam njohur akademik, ka qenë Gazmend Zajmi nga Prishtina. Ka qenë komplet akademik. Jo vetëm në atë që ka punuar, por edhe se çfarë ka folur dhe si ka jetuar. Në politikë ka qenë Arbën Xhaferi i Shkupit. Ka qenë njeriu në politikë më i urti, jo në mesin e shqiptarëve, në përgjithësi. Kur them akademik nuk mendoj shqiptar, por mendoj botëror. Ai e ka pas në nivelin botëror. Ky e ka pas nivelin e mendimit politik, botëror. Unë kështu flas. Unë nuk flas në mesin e mëhallave.

Mira Kazhani: Ka shumë njerëz që mendojnë se ju mund të kishit qenë një aktor ndërkombëtar, një aktor botëror. A të vjen keq që nuk u bëre një aktor botëror?

Enver Petrovci: Zoti m`i ka falur dy shanse, menjëherë pas diplomimit të shkoja në Amerikë. Madje e dija dhe çfarë do të luaja dhe kur do të luaja. Më ka mashtruar një drejtoreshë e “Atelje 212” në Beograd. Në atë kohë më dukej ajo shumë, shumë drejtoreshë e madhe dhe vërtet. Nëpër jetën time kanë kaluar sigurisht qindra drejtorë, por si ajo s`kam takuar. Ajo më ka ofruar rolin kryesor në “Atelje 212”. Isha shumë i ri. M`u duk ajo punë e madhe. Më shpallën yll pas atij roli dhe mua më pëlqeu kjo që më shpallën yll në Beograd, edhe e harrova Amerikën. Hera e dytë ka qenë kur më shpërblyen, më zgjodhën si “Aktori më i Mirë i Evropës Juglindore”. Më dhanë 5 mijë dollarë si shpërblim dhe ato nuk shkova kurrë t`i merrja. Pasi më plagosën gjatë luftës, shpëtuam, Valbona tha: Shko në Amerikë. Merri ato para. Pusho pak edhe qetësohu. Thashë, ide e mirë dhe shkova. Pati kaluar goxha kohë. Mbërrita në orën 10, në 11 m`i dhanë paratë, më pritën dhe më thanë rri këtu një muaj. Ndenjta një muaj. M`i dhanë dy menaxhere edhe ma dhanë shansin të bëja shfaqje. Çfarë gruaje o Zot. Ishte zezake. Tha, çfarë keni? I thashë, po punoj këtë. Vendosi dorën në libër, në dramë tha: Kjo nuk është temë amerikane. I thashë, ku e di? E di. Ma lexoi librin me prekje. Më dhanë pastaj një dhomë me kuzhinë në Teatër. Pra rri këtu dhe vazhdojmë me bashkëpunim. Po nuk e bëra atë. U ktheva në Prishtinë.

Mira Kazhani: Ke bërë mirë? Ke bërë gabim?

Enver Petrovci: Tani s`ka kuptim të them kam bërë mirë apo gabim.

Mira Kazhani: Tani s`ke asgjë për të humbur, mund të jesh i sinqertë edhe ta thuash nëse e ke pak peng.

Enver Petrovci: Nëse them jam penduar, atëherë duhet të bëj vetëvrasje. Tërë jetën e kam pasur gabim. Por mua më mban kjo shpresë që jam në këtë botë për një qëllim. Këtë popull që e dua shumë, aq sa mundem ta ndihmoj. Pa marrë parasysh, me të gjitha keqkuptimet që i kanë me mua apo mosrespektin që kanë ndaj meje. Se ne kemi një të keqe të madhe. Nuk e durojmë suksesin e tjetrit. Suksesin e tjetrit kemi qejf ta shkatërrojmë. Ne e durojmë suksesin aty pak më i mirë se unë, por kur është shumë, shumë i mirë, atëherë nuk e durojmë. Amerika krejt kulturën e ka vjedh. Duke i paguar. Tani ata vazhdojnë. Ia ka dhënë të gjithë kushtet.

Mira Kazhani: Kanë jetuar me tjetrin ata. Janë mësuar. Është bërë me tjetrin.

Enver Petrovci: Kur ia jep të gjitha kushtet, ai e ndjen veten mirë. E kur e ndjen veten mirë. Unë jam amerikan. S`ke nevojë të thuash unë jam ai apo ky. E ndjen veten mirë.

Mira Kazhani: E pashë që e përmendni shpesh Beogradin si një gjë organike, se e tillë është. Keni jetuar atje. Unë kam qenë vetëm një herë në jetën time.

Enver Petrovci: Varet se ku.

Mira Kazhani: Në Beograd, në një aktivitet.

Enver Petrovci: Kur?

Mira Kazhani: Para katër vitesh.

Enver Petrovci: Ah jo. Beogradi më nuk është. Beogradi tani është serb. Beogradi është serb si Nisi, si çdo katund në Serbi. Beogradi nuk është më Beograd, është serb. Dikur ka qenë Beogradi internacional. Ka mbledhur njerëz të mirë. E kanë kulturë ata. Ne për shembull Bekim Fehmiun e kemi dëbuar. Një minutë heshtje nuk ia kemi ofruar kur ka vdekur. Një minutë heshtje e kemi refuzuar.

Mira Kazhani: Pse?

Enver Petrovci: Se është shumë i madh. E kam dëgjuar pastaj, s`po dua të jap emra, ata politikanë që e kanë akuzuar, as e kanë ditur kush është ai. Unë kuptoj, ke të drejtë të mos e dish se kush është, po s`ke të drejtë të jesh në postin e madh dhe mos ta dish. Ateherë merru me ata që të takojnë. Merru me nivelin tënd. S`ke të drejtë mos ta dish. S`kam të drejtë unë mos ta di kush është Aleksandër Moisiu. S`kam të drejtë të jem ky që jam mos të di kush ka qenë Kadri Roshi. Çfarë ndodh? Ata thonë e kanë refuzuar shqiptarët. Ky është i yni. Se ata s`e duan. Pra, edhe puro shqiptar, siç ka qenë Bekim Fehmiu. Dhe e dini kush e ka refuzuar? E kanë refuzuar këta që s`kanë ditur çfarë është flamuri shqiptar. Kur babai i tij, Ibrahimi i ndjerë i Bekimit, e kanë varrosur me flamur shqiptar, në atë kohë kur të vrisnin për një flamur. Të vrisnin. Atë na e ka dhënë si forcë babai i tij. Pastaj edhe emrat që u ka vënë fëmijëve. Të gjithë emra shqiptar. Jo si emri im.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për emrin tënd?

Enver Petrovci: Po m*t emër.

Mira Kazhani: Për shkak të Enver Hoxhës e ke këtë kompleks?

Enver Petrovci: Në vend ta kisha Shkëlzen apo Agim… Enver. Arab, as turk.

Mira Kazhani: Nëse do zgjidhje sot emrin tënd, çfarë emri do t`i vije vetes?

Enver Petrovci: Shqiptar. Nuk e di. Ka shumë emra. Djali im quhet Astrit. Vajza ime quhet Hana. E vogla quhet Vanesa. E dini pse Vanesa?

Mira Kazhani: Pse?

Enver Petrovci: Se shoqja ime e mirë është aktorja Vanessa Redgrave që i ka dy Oscar. Ajo ka qenë për vizitë disa herë tek unë. Më quante mua… s`dinte si… (e imiton). Më vonë e zbulova. I thashë, më quaj Denver, pa D. Enver, ja kjo është. Çfarë emri ke turk, më tha ajo. Unë e dija që e kam turk. Unë e kam emrin ilir e ti e ke turk.

Mira Kazhani: Pse Vanesa është ilir?

Enver Petrovci: Po ilir.

Mira Kazhani: Ti turk, ajo ilire.

Enver Petrovci: Po unë turk, ajo ilire. I thashë Valbonës, po e bëjmë edhe një çikë. Edhe e bëmë, ia vumë emrin Vanesa dhe ajo u bë kumbarë. Po mos të kishte qenë Vanesa, ia kisha vënë një emër shqiptar që e merr vesh bota. Po edhe këtu në Shqipëri, lloj lloj emrash po vënë. O Zot, o Zot, vetëm shqip mos të jetë.

Mira Kazhani: Ka një tendencë të emrave shqip për hir të së vërtetës.

Enver Petrovci: Yes!

Mira Kazhani: Unë për shembull, nipit tim përpara 10 vitesh ia vura emrin Drin. Je i kënaqur besoj?

Enver Petrovci: Sa bukur moj vajzë. Isha në një lagje kur ma dhanë pasaportën. Tha ai restoranti Blue Jeans, ku e di unë, diçka pa lidhje. Thashë, a ka ndonjë emër shqip? Trandofilat. Uuu e gjeta, trandofilat. Ende e mbaj mend. Blue Jeans, Blue Sky s`mbahen mend.

Mira Kazhani: Po të them që ka ndryshuar, po ndryshon. Ka një ndërgjegjësim për të vendosur emra shqip, ilir, të pastër. Po ikin pak nga sajesat.

Enver Petrovci: Euronews, Topnews, Kosovanews, thuaje more lajme. Thuaje lajme se s`po e marr vesh. Këto news-at më janë përzierë aq sa s`di çfarë po shikoj. Thuaj Kosova Lajme edhe unë e marr vesh dhe e kërkoj atë.

Mira Kazhani: Ku e ke njohur Valbonën me emrin e bukur?

Enver Petrovci: Kam pasur një rol ku ëshë dashur të luaja kompozitorin. Natyrisht, ka qenë rol kryesor, si gjithmonë, në Beograd. Patëm pauzë dy muaj pastaj vazhduam me provat. Regjisorja më tha: Duhet të mësosh në piano Ave Marian, ta këndoja dhe ta luaja. Unë shfrytëzova rastin erdha në Prishtinë tek prindërit. Kisha dëgjuar për Valbonën si pianiste. Ajo ka qenë pianistja e parë profesioniste në Kosovë, e diplomuar. E njihja vëllain e saj dhe përmes tij më vuri në kontakt, edhe i thashë. Ishte në Fakultet ajo edhe më pyeti: Çfarë niveli ke? Asgjë, unë jam analfabet. Po si do t`i biesh, më tha. Dale të shoh gishtat, edhe bazë të kësaj… Shumë shpejt ajo filloi. Bënim pauza për të pirë kafe. Unë pëlqeja një shoqen e saj edhe dilja me të për shkak të shoqes së saj. Me kohët kuptova se ajo ishte vetëm e pashme. Atëherë ka pasur femra të pashme. E shikoja që gjithë kohës dilja me të dhe shoqërohesha me Valbonën. E pashë që ajo po më pengonte, kjo e dyta. Dhe dola veç me Valbonën. Nejse u bëmë shokë shumë të mirë. Një ditë as nuk e kuptuam…

Mira Kazhani: Kjo është gruaja e jetës, shoqja e ngushtë.

Enver Petrovci: Me të vërtetë kemi mbetur shokë.

Mira Kazhani: Sa vite u bëtë bashkë?

Enver Petrovci: Ku di unë. Asnjë lidhje s`kam hiç. Më duket se kam qenë 31 vjeç kur jam martuar me të.

Mira Kazhani: U martove se ishte shoqja e ngushtë apo re dhe në dashuri me të?

Enver Petrovci: Kjo ka qenë diçka më shumë se dashuri. Po më provokon. Kur je i ri, ti dashurohesh në 99% gabimisht. Ne e përziejmë pëlqimin me dashurinë. Kur je i ri, edhe të falet, se je budalla edhe martohesh. Pastaj e kupton që nuk ka lidhje kjo me këtë. Ajo mua më pëlqente si mendje, si shok, si dikush që më shkonte muhabeti. Se gëzohesha të takohesha me të.

Mira Kazhani: Kjo është dashuria!

Enver Petrovci: Po nuk e kisha menduar. Se isha edhe unë budalla si të tjerët. E kuptova se të takohesha me të, në të vërtetë ishte gëzim. Kisha dëshirë të rrija me të. Nëse quhet kjo dashuri, mirë.

Mira Kazhani: Kështu është edhe sot kur të kthehesh në shtëpi pas kësaj bisede që po regjistrojmë, kur të shkosh tek Valbona?

Enver Petrovci: Tani jam më i dobët si mashkull, si njeri, si burrë. Kam nevojë që ajo të jetë e shëndetshme. Shumë kam qejf. Shumë kam dëshirë. E lus Zotin çdo mëngjes që të jetë e shëndetshme.

Mira Kazhani: Të jetë e shëndetshme për veten e saj apo të jetë ajo shumë e shëndetshme sepse ti ke nevojë për të?

Enver Petrovci: Po, edhe kam nevojë për të. Po edhe e meriton të jetë e shëndetshme se është shumë safrifikuese, si çdo nënë shqiptare.

Mira Kazhani: E këshillon martesën, në çdo kohë? Se ka qëndrime të ndryshme. Unë nuk jam e martuar për shembull dhe dëgjoj të martuarit seç thonë atë muhabetin e qypit. Jam e prirur të besoj versionin tënd sot.

Enver Petrovci: Unë mendoj që martesa duhet të jetë bindje. Unë kam nevojë në këtë fazë të jetës të kem dikë, të krijoj familje. Është bindje. Gjynah t`i thuash një djali 18-vjeçar: Krijo familje! Ai nuk e di çfarë kushti ka. Duhet të piqet, për ideale. Gjynah një vajzë 16-vjeçare të lind fëmijë. Ajo është ende fëmijë. Ajo duhet të piqet që të ketë nevojë të lind, të krijojë familje, ta mbrojë atë familje. Unë nuk po flas se kam lexuar libra. Unë po flas se kam parë njerëz.

Mira Kazhani: Se ke jetuar.

Enver Petrovci: Mendoj se është koha ideale. Dikush i mbush 30 vjeç dhe nuk bindet. Dikush 40 vjeç nuk bindet. Nuk bindet se s`ka nevojë për të krijuar familje. Ndjehet nevoja për të krijuar familje kur lodhesh nga jeta që po bën tani. Ka njerëz që dalin në kafe, kanë shoqëri, kanë edhe para, kënaqen, një natë, dy, pesë vjet, lodhesh. E kuptoj që më nuk po i dilet. Nuk ka nevojë më për atë mënyrë të jetës. Çfarë është shpëtimi? Fëmija është shpëtimi. Ta ndërron krejt jetën. Çdo gjë që bën në jetë, e di që dikush po të pret atje, fëmijët apo gruaja. Me këtë ngopesh. Do të vijnë nipërit, mbesat të mashtrojnë.

Mira Kazhani: Je gjysh i mirë? Çfarë pyetje e çmendur ëë?

Enver Petrovci: S`po më intereson hiç. Unë kënaqem me mbesat. Hiç s`më intereson a jam gjysh i mirë, a s`jam gjysh i mirë. Unë i dua dy mbesat e mia edhe nipin. Kënaqem me të. A jam i mirë a jo, hiç s`po më intereson. Kur nisesh sinqerisht nuk gabon. Po edhe nëse gaboj, hiç s`po mërzitem. Ata e dinë se unë i dua. Po edhe e kundërta. Edhe ata nëse gabojnë ndaj meje… Pra nuk e mendoj hajde të bëhem gjysh i mirë. Nuk e bëj me atë qëllim. Nuk e bëj me një shok të mirë, hajt po bëhem i mirë me të se ky e meriton. Thjesht e do atë shok edhe del me të. A gabon ai a ti është krejt diçka tjetër. Unë e jetoj jetën pa sherr. Nuk kam sherr. Më thonë, profesor, ai studenti kishte folur keq për ty. I thashë, jo ka folur keq për veten. Më pas më thanë: Profesor ai kishte folur mirë për ty. I thashë, jo, s`ka folur mirë për mua, ka folur për veten. Nuk po e flas si frazë e mësuar më besoni. Po e them si frazë që e kam takuar në jetë.

Mira Kazhani: Ka kaluar përmes teje.

Enver Petrovci: Të betohem, më dhimbsen ata njerëz. Në fillim i kam pasur inat. Si mund të më bësh të keqen, kur të kam bërë mirë? Shumë inatosesha, pikëllohesha. Si mundej njeriu të ishte i tillë? Kohët e fundit, vitet e fundit, thashë ata më dhimbsen. Për nder po, ata më dhimbsen. Çfarë jete të tmerrshme kanë ata! Ajo është jetë e tmerrshme. Të kthesh të mirën me të keq, duhet të jesh monstër. Po edhe mos të jesh monstër, ke ndërgjegje. Nuk ka njeri pa ndërgjegje. Besomëni, jo më larg se pardje, më telefonoi një njeri që i kam bërë shumë mirë. Është Ortodoks. Prej tij edhe kam mësuar çfarë është të besosh. Prindërit e tij vinin nëpër kisha. Kisha pak frikë prej atyre ritualeve edhe pse isha fëmijë. Ka pasur në biznes shumë të mirë, por nuk e di s`ka paguar taksa edhe ia kanë marrë të gjithë pasurinë, shtëpisë. E kanë futur në burg një vit. Unë i pata dhënë ca para. I thashë me kusht që të m`i kthesh se duhet të blej një tokë me ato para. Tha, po, po t`i kthej. Shok i mirë i imi. Edhe u zhduk 10 a 15 vjet. Dy herë i çova mesazh, nuk reagoi. Pata nevojë për para për operacion ndaj e kontaktova, nuk reagoi, pardje më mori në telefon. Më tha, Enver unë jam ky. U gëzova, besomë. Tha: A je i hidhëruar me mua? Jo more, i thashë. Se mund të hidhërohem unë me ty! Po më ndodhin shumë gjëra të këqija kohët e fundit, tha. Po më vjen shumë keq, i thashë. E kam konstatuar pse, më tha. Pse, i thashë. Se të kam tradhtuar se kam blerë një tokë… Kam ikur prej teje se më vinte turp. Aq të këqija po më ndodhin, sa edhe në burg më futën. Ai është gjithçka, vetëm për burg nuk është. Është shumë njeri i mirë. E kishin dënuar 1 vit, 6 muaj ia kishin falur. Tani kam dalë nga burgu, po të telefonoj të ta them. Ndërgjegjja i ka punuar. Unë kam mbijetuar edhe pa ato para, mirëpo nuk shitet emocioni, shoku i mirë për para. Besomëni se nuk shitet! Shitet, por kurrë i lumtur s`do të jesh. Unë kam pasur shumë para, por shumë kam dhënë dhe shumë më kanë tradhtuar. Nejse, jetoj mirë shumë. Më tha nusja, shiko ai ka atë, ai ka atë, ky shoku i tij… I thashë: Ti vajzë a e di sa e pasur je? Po jo… Ka një vajzë një vjeçe. I thashë: Këtë gishtin e vogël të kësaj ma kishe dhënë të t`i jap 10 mijë euro? Jooo. Po 100 mijë euro, do ma jepje gishtin e saj? Jooo. Po 1 milion? Jooo. Po 10? Jooo. E sa? Jooo. E krejt qytetin? Jooo. E shikon sa e pasur je, i thashë. Një qytet e ke për një gisht të saj. A po e kupton sa e pasur je? U ndal. Ia ka fal Zoti një fëmijë të shëndetshëm që e kall krejt shtëpinë. Na ka dhënë gëzim. A paguhet gëzimi? Nuk paguhet. Sa herë jemi nisur për Vit të Ri, për dasma, kemi dhënë para, jemi përgatitur një muaj dhe kemi shkuar e jemi kthyer të pikëlluar? Nuk paguhet gëzimi. Rregulloje si të duash, këngë, e ring gjasme jemi më të lumtur e po kërcejmë. Askush nuk është i lumtur. Kalon rrugës, takon një shoqe a një shko me një fëmijë dhe kalon një ditë të shkëlqyer. Edhe shkon në shtëpi, oh çfarë dite kam kaluar.

(Mira duartroket)

Mira Kazhani: Kjo ishte sikur të shikonim një shfaqje në skenë të Enver Petrovcit.

Enver Petrovci: Po unë jam vetë shfaqja.

Mira Kazhani: Ju jeni shfaqja, po patjetër.

Enver Petrovci: Jam munduar ta ndaj jetën nga profesioni, nuk mundem. Unë jam ai.

Mira Kazhani: Shumë faleminderit për këtë artin e të jetuarit që e shpjegove shumë mirë. Njerëzit kanë nevojë ta dëgjojnë këtë. Kanë nevojën ta dëgjojnë nga njerëz që e kanë jetuar jetën edhe kanë pasur shqisat e forta, indet e forta të ndjeshmërisë, siç është një artist i përmasave tuaja.

Enver Petrovci, a ndihet njeriu i ngopur me jetë? Edhe një si puna juaj

Enver Petrovci: Jo. Kam qenë edhe ndoshta njëçik jam tani… Çfarë domethënë i ngopur? Kur s`ke më çfarë bën. Kur s`ke me çfarë të punosh. Kur s`ke ndonjë motiv, ndonjë ide, ndonjë qëllim. Atëherë ngopesh me jetën. Mund të ngopesh edhe me 30 vjet. I ke parë njerëzit e rinj që bëjnë vetëvrasje? S`kanë ide, s`kanë qëllim edhe bëjnë vetëvrasje. S`kanë më çfarë… Unë e kam lutur Zotin dhe po e lus ende të më mundësojë këto qëllime humane që kam. Të më japë kohën që t`i kryej. Pastaj unë vetë e lajmëroj. Për Zotin, vetë e lajmëroj. Hajde më merr! Sado që ne flasim, flasim, e kemi drojën jo nga vdekja, por nga shkuarja në botën tjetër. Sepse edhe nëna kur lind për herë të parë, sado që ka traditë, i flasin… prapë e ka drojën kur lind për herë të parë. Se lindja është baraz me vdekje. Një fëmijë i cili është rehat aty në bark… rehat? Kënaqet… e nxjerr në një botë tjetër edhe ajo bota është gjithmonë me qarje (bën si foshnje). Le ta njohë këtë botë. Mandej rehatohet në këtë botë dhe duhet të shkojë në botën tjetër. Prapë është për të qarë. Është bota tjetër, e treta. Për këtë arsye, unë po e kuptoj jam ai bebi që kam lindur, e di që kjo botë është më e mirë se në bark. Më e mirë është kjo botë se ajo në bark dhe tani e di se më e mirë është ajo botë, se kjo që po jetojmë tani. Mos kini dyshim. Vetëm kur vdes dikush e ka kryer provimin pranues. E ka kryer provimin në këtë botë dhe tani është në botë tjetër. Po varet sesi e ka kryer atë provim.

Mira Kazhani: Të gjithëve na pëlqen ta besojmë këtë! Qoftë kështu!

Enver Petrovci: Kur ta thotë Enver Petrovci, kështu është.

Mira Kazhani: Të besoj.

Enver Petrovci: Vërtet mirë e ke. Si ta besosh, s`të ka ndodhur drita.

Mira Kazhani: Jo. Po kam takuar shumë njerëz me dritë, kështu që sinjale janë edhe këto.

Enver Petrovci: Shumë njerëz me dritë?

Mira Kazhani: Po.

Enver Petrovci: Atëherë s`paksa ndodh kurrgjë me mua.

Mira Kazhani: Nëna ime është një dritë. Gjyshja. Hë, e rregullova. Faleminderit shumë Enver Petrovci! Jam e lumtur që ju jeni një lule e veçantë në tufën e luleve të zërave që unë kam marrë në këtë podcast. Kjo është një shprehje e juaja që unë e di, ju ma keni thënë.

Enver Petrovci: Ishallah është ashtu.

Podcasti “Zë me Mirën” u mbështet nga Credins Bank, Vodafone, Melia Durrës

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *