Në prill, dy ditë pas përvjetorit tim të 44 një mesazh zanor në WhatsApp nga Rudina Xhunga më uronte ditëlindjen.
Mes autoironisë dhe dashurisë së një kolegeje, qesha me shpirt, por në fund ndjeva një shigjetë të butë që më kaloi.
Fjalia e fundit e mesazhit të Rudinës, më bëri të mendoj. Ajo fjali ishte edhe motivi i kësaj interviste që e quajta “Kohët e Rudinës”. (Më thoshte diçka për kohën që dua ta dëgjoni vetë në episod)
◦ Për mua është një nga top 10 podcaste. Xhunga erdhi si një tregim i Allendes, me familjen, babain e ikur, nënën që kujdeset, motrat, martesën, vetminë, lirinë, marrëzinë, gazetarinë në majë dhe në tokë dhe leksionin e madh të jetës se shanset nuk të jepen, por rrëmbehen, siç bëri ajo 25 vjet më parë duke veshur një xhaketë dy numra më të mëdhenj për t’u dukur bindëse në RTSH, kur e para grua do të drejtonte një emision politik.
◦ Është një podcast për kohën që fluturon, fatet që kryqëzohen dhe njerëzit që vijnë e ikin në jetët tona.
◦ Se asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Se ka ditë kur bota rrotullohet rreth teje dhe ditë kur duhet ti të bësh rrotullime rreth saj, pa e kthyer kokën pas.
◦ Mesazhin e ditëlindjes së këtij viti, por edhe një bisedë të 2006-ës kur punoja me Rudinën në “Shqip”, në një kohë të vështirë të jetës sime si vajzë e re, që më ndezi llambën për të ardhmen time, i keni të gjitha në podcast.
◦ Kemi folur si dy shoqe, sikur nuk kishim dy kamera dhe dy mikrofonë.
*Ky podcast i “Zë me Mirën” u mbështet nga ABI Bank, Eurosig, Metropolitan
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore