Intervista e parë si kryetare e Parlamentit, Lindita Nikolla: Formula ime në politikë

Janë ditët e para në zyrën e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën sapo hyn, në të majtë, sheh një pikturë të Nënë Terezës, e cila do të shohë për 4 vitet e ardhshme një grua katolike, bjonde, tek të 50-tat, me zërin e ulët gjithnjë, tek hyn e del, Lindita Nikollën, deputeten e Mirditës edhe si origjinë. Përballë kolltukut të pritjes qëndron fotoja e zmadhuar e Ismail Qemalit, i cili sheshoi një herë e mirë aventurat me presidentë që viheshin dhe hiqeshin nga muret e zyrave sipas emocioneve politike, që tek ne janë me okë. Ndoshta do të vijë një ditë që të rikthejmë respektin edhe për figurat politike të gjalla në funksione të larta, sepse njerëzit kanë nevojë të lexojnë respekt për ata që i drejtojnë.

Kushedi sa biseda kanë ndodhur në këtë zyrë ndër vite- them me vete. Muret dhe Pikturat sipas mandateve e dinë.

Shtëpitë dhe zyrat tregojnë shumë për “pronarin” e tyre.

Është një zyrë e madhe, ku sundon ngjyra e mobilieve arrë dhe ulliri. Një buqetë me lule, që ende i ka rezistuar ditës së votimit në parlament të kujton se kapitull i ri që ka nisur është ende i freskët por edhe delikat, si lulet. Në politikë është e vështirë të bësh kalkulime, edhe në qofsh një mësuese matematike apo një talent politik. Ndonjëherë të duhet fat, me raste një lëkurë prej rinoceronti. Manuale nuk ka.

Lindita Nikolla, jo Nikolli! Është një gabim që e përndjek edhe me gazetarët që ua kujton shpesh para ndonjë interviste: “Faleminderit Mira që nuk e ngatërron mbiemrin. Im shoq gjithmonë mërzitet për këtë gjë. Nuk kam arritur asnjëherë ta korrigjoj. Një ditë isha me një gazetar dhe një minutë para se të ishim live, i kujtova Nikolla, jo Nikolli. Ai m’u përgjigj: Po, e di unë këtë. Rri pa merak. Sapo ishim live, ai raportoi: Jam këtu me Lindita Nikollin…”!

Por sigurisht kjo nuk është hataja sepse Lindita Nikolla ka prekur fundin dhe majën në jetën politike. Greva e studentëve dhe protesta në dhjetorin e 2018-ës i dhanë një dridhje gjithë Shqipërisë, madje çliruan një energji të munguar në vend të përzier me shpresë dhe çiltërsi. Rrugës veç u përzie edhe politika dhe prishi gjithçka.

Dorëheqja e Nikollës në atë kohë si ministre Arsimi ishte i vetmi rezultat.

Ky moment do ta shoqërojë gjithnjë dhe ajo e duket sikur e di, për më tepër për një njeri që vjen nga mësuesia. Në këtë intervistë Nikolla tregon se çfarë i ka mbetur peng nga ato ditë dhjetori me studentët dhe thirrja që e bëri të dilte nga zyra në Bulevard.

Bashkë me një kafe biseduam për detyrën e re. Raportin “besnik” me Edi Ramën, si e komenton ajo urimin e presidentit Ilir Meta pak minuta pas votimit në parlament dhe çfarë raporti ka me Ilir Metën, i cili tregoi respekt për zgjedhjen e saj duke qenë korrekt. Flasim sesi normalja na duket diçka hyjnore. Sesi një komunikim institucional na bën përshtypje. Ngaqë s’jemi mësuar ose sepse jemi farkëtuar në kriza.

Kjo pashpirtësi e jetës publike e paketuar si pjesë e lojës na ka bërë keq!

Siç i ka bërë keq Znj.Nikolla sjellja e opozitës për votimin ndaj saj. Është ndjerë e trishtuar (edhe pse dihej që ishin votat, por kush nuk do të respektohet) ose siç thotë ajo, ligsht.

Sidomos kur fletën me emrin e saj e grisi e para një grua nga PD-ja, një zonjë si Flutura Açka nga e cila thotë se kishte një pritshmëri tjetër.

“Por ju e dini zonja Nikolla që vendimet e kryetarit zbatohen në mënyrë unanime tek të gjitha partitë”, i them. Përgjigjen e saj e gjeni në intervistën me video.

Nuk është e lehtë të bësh sot diferencën si grua apo qoftë edhe si burrë në parlament dhe bisedën e zhvendosim tek ajo që mund të bëhet në të ardhmen pa e zgjatur shumë sesi lëndohen e lëndojnë njëra-tjetrën gratë, sepse vendimet merren nga burrat e partive. (Përgjigjja e Nikollës në intervistën me video)

Kjo është intervista e parë e kryetares së parlamentit, Lindita Nikolla, për një media. Ajo është e ndarë në profesionale dhe personale dhe kupton se me kohën një politikani të dyja i bashkohen në një mënyrë të çuditshme duke u bërë njësh. Kudo janë titujt që i përndjekin, prindër që rrinë me zemër në dorë, intriga, ulje dhe ngritje që pak i lënë asaj jetës me gëzime të vogla vend.

Ka ditë të vështira por edhe ditë të shpërblimit. Formula e Nikollës për të dyja anët e medaljes, nga ajo që kupton në 33 minuta intervistë është e një njeriu që nuk ka shpërthime emocionale, njeriu të butë, besnik, mirënjohës mendoj -edhe pse gjithnjë e më shumë kuptoj që intervistat me politikanë janë si pikturat, secili i interpreton sipas këndvështrimit apo formulës së vet.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *