Ju prezantoj me Ninën e vërtetë të serialit

Nga Mira Kazhani/ Për Ninën kisha dëgjuar që kur jepej në RTSH, ndërsa për Raelvën vetëm në dhjetorin e shkuar, nga Zefina Hasani, e cila më tha: “E di kë duhet të takosh ti? Autoren e Ninës. Ajo nuk del askund, por ti pyete”

Unë e pyeta dhe ja ku jemi! Aq më tepër që një serial shqiptar që shkëlqen mes ortekut turk të serialeve, ishte si imperativë për mua si gazetare.

Në intervistë do kuptoni që janë i njëjti person me Ninën, plus edhe Olta Dakun që e merr rolin dhe aty mbaron diskutimi.

Po kush është Raelva? Skenaristja dhe autorja e serialit shqiptar të suksesshëm “Nina”. Është një 39-vjeçare me vetëbesim, gjatë intervistës do ia dalloni direkt. Ajo ka bërë një kapërcim 360 gradë në pandemi. Ishte pikërisht ky izolimi që e nxori atë nga kuadrati në të cilin jetonte prej vitesh. Iu fut një jete të re. Ajo ka përfunduar studimet në Ekonomik. Ka punuar në disa banka, më pas është gjetur në një fushatë politike, një pune në Kryeministri, ku disa vite ka punuar me zv.kryeministrin e kohës Niko Peleshi. Më pas në një post tjetër. Pra që të mos i numëroj të gjitha, ishte një punonjëse administrate premtuese. Tamam ajo që ëndërrojnë pjesa dërrmuese në Shqipëri.

Zëri i këtij podcast-i përfaqëson sipas meje, inkurajimin për të zbuluar veten. Për të ikur nga komforti dhe jeta e të gjithëve. Për të zgjedhur jetën tënde, me zemër dhe jo me rregulla të shkruara. Për të sfiduar veten, për të provuar shijet e gabimeve dhe dështimeve, siç tregon Raelva; me disa zgjedhje, që thotë se falë atyre dështimeve, më pas e korrigjon, pengesave; ajo i është afruar më shumë dhuratës që Ai lart ka për të. Dhe më pëlqeu edhe historia e saj për Zotin!

Intervista e Transkriptuar:

Mira Kazhani: Janë dy arsye të shëndosha për mua që e kam ftuar në këtë podcast personazhin e kësaj jave. E para, se është një vajzë, historia e së cilës më kujtoi se nuk është asnjëherë vonë për të zbuluar talentin e vërtetë dhe për të bërë atë që do më shumë në jetë. E dyta, fakti që seriali shqiptar “Nina”, ku ajo është autore dhe skenariste, është aktualisht shumë i pëlqyer në Shqipëri. Dhe po, kam parë edhe unë para ca vitesh “Ezelin” dhe prapë e them me bindje se telenovelat turke nuk janë argëtim, por pushtim kulturor. Ne kemi shumë për të bërë në “screen” me historinë tonë, diku mes humorit, komedisë, diku mes dramës apo biografisë. Kemi plot!

Raelva, komplimente për “Ninën”!

Si po e përballon suksesin?

Raelva Shabanaj: Me shumë vështirësi. Nuk e di, s`më ndahen fotografët, autografet (qesh).

Mira Kazhani: Përtej shakasë, suksesi disa njerëz i deh, disa i bën me më këmbë në tokë. Po gjithsesi kënaqësinë ta jep. Nuk e di. Ti ku bën pjesë? Te njerëzit që fillon dhe e kërkon më shumë? Nuk gjen karar me veten? Apo e shijon?

Raelva Shabanaj: Njeriu është natyrë që kërkon gjithmonë më shumë nga vetja. Kam rënë në qetësi këto kohë. Nuk kërkoj më shumë. Them se jam mirë deri tani. Për sukses lidhur me serialin nuk di të them se s`është se tek unë personalisht ka pasur ndonjë impakt, ndonjë vrull kaq të madh, komentet për mua personalisht… po përgjithësisht njerëzit që marrin vesh nga filmat, nga kinematografia kanë thënë fjalë shumë të mira dhe ndjehem mirë.

Mira Kazhani: Për rrethin tënd të ngushtë po të pyesja, sepse ti nuk je fare figurë publike. Madje shumë private. Nuk ke dhënë asnjë intervistë. I ke refuzuar. Faleminderit që i the Po podcast-it. Kishe ndonjë arsye? Ke raporte të mira me podcast-et?

Raelva Shabanaj: Jo, je natyrë shumë këmbëngulëse (qesh) dhe të falënderoj për këtë!

Mira Kazhani: Mua nuk m`u duk që u lodhëm shumë. Dua të flasim për “Ninën” si gazetare, po edhe si spektatore, si qytetare. Më vjen shumë mirë kur produksione shqiptare ia dalin dhe janë vërtet të suksesshëm. Pra nuk bëhen thjesht të famshëm, por i pëlqejnë njerëzit. Kalimi nga RTSH në TV Klan qe një blerje. Njerëzit unë e shoh që po e komentojnë. Vetë e kam parë. Madje edhe gjatë këtyre ditëve dhe më shijojnë shumë batutat e “Ninës”, ose Olta Dakut.

Meqë ra fjala tek Olta, biem dakord që Olta çdo gjë që e merr përsipër, çdo rol, e çon në një shkallë më lart?

Raelva Shabanaj: Duke qenë se kam një klauzolë në kontratë me Oltën që nuk flas dot gjëra negative, s`kam sesi të them ndryshe (qesh). Absolutisht që është një nga aktoret më të mira që kemi. Është një blerje shumë e mirë e Kinostudio “Dar Dan”. Padiskutim që Olta jep vlerat e veta të pashmangshme.

Mira Kazhani: Ngjan me Oltën në faktin që flisni pak. Pak e saktë. Se kështu ishte intervista me Oltën.

Raelva Shabanaj: Ngjaj me Oltën edhe në faktin që jemi beqare të dyja (qesh).

Mira Kazhani: Edhe ti je beqare, single?

Raelva Shabanaj: Unë jam siç është seriali.

Mira Kazhani: Pra “Nina” ka lidhje shumë me ty?

Raelva Shabanaj: Nina jam unë.

Mira Kazhani: Ti je Nina, nuk është Olta.

Raelva Shabanaj: Jo (qesh).

Mira Kazhani: Po dhe Olta ngjan shumë me Ninën.

Raelva Shabanaj: Më imiton mirë (qesh).

Mira Kazhani: Mami i Ninës është mami yt në të vërtetë?

Raelva Shabanaj: Absolutisht po.

Mira Kazhani: Si quhet mami yt?

Raelva Shabanaj: Vasilika.

Mira Kazhani: Çfarë thotë Vasilika për Ninën?

Raelva Shabanaj: Vasilika thotë: “Kaq keq dukem unë? Kaq keq sillem me ty”. I them unë: “Edhe më keq, por jam munduar të të zbus.”

Mira Kazhani: Nuk e di nëse e pe Raelva, në TikTok u bë shumë virale një pjesë e komunikimit tim nga podcasti me Olta Dakun. Në fakt ka qenë një nga pjesët më të vështira, sepse Olta nuk po përgjigjej. Po përgjigjej me Po, ose Jo dhe shkurt. Nuk donte. Po donte ta evitonte. Në fakt atë pëlqyen njerëzit dhe unë e kuptoj pse. Dhe sidomos vajzat! Se tek kjo puna e dashurisë, njerëzit kanë shumë empati. E gjejnë shumë veten tek dashuritë e pamundura. Tek fakti që je vetëm. Shet kjo dashuria shumë.

Raelva Shabanaj: Ndoshta edhe tek fakti që Olta u tregua më e çlirët mbrapa intervistës, sesa përgjatë intervistës. Edhe i tha ato fjalët ashtu siç i erdhën. Mbase kjo ka bërë impaktin e vet. Futi edhe njëçik paranë. Ç`e dua lekun në krahasim me dashurinë, gjë që Nina edhe e ka, po edhe jo deri diku.

Mira Kazhani: I pëlqejnë njerëzit historitë e dashurisë dhe dashuritë që të bëjnë të qash e të lënë vetëm. Kanë një lloj suksesi edhe për këtë shkak apo jo?

Raelva Shabanaj: Kanë. Unë jam munduar që Ninën ta lë vetëm në kuadrin e komedisë. “Deri diku një komedi serioze”, thotë Fatos Berisha, ish-regjisori që ka bërë sezonin e parë. Është shumë e lehtë të shkruash për drama, sepse njerëzit qajnë për të njëjtat gjëra. Dhe është shumë, shumë e vështirë të shkruash për komedi, sepse njerëzit qeshin për gjëra të ndryshme. Kjo ka qenë sfida e parë në këtë serial, që të mundohesha t`i bëja njerëzit për të qeshur duke llogaritur temperamente të ndryshme, karaktere të ndryshme. Uroj t`ia kem dalë deri diku! Besoj se ia kam dalë!

Mira Kazhani: Ia ke dalë. Ia ke dalë, prandaj edhe jemi këtu. Është një gjë që duket, për hir të së vërtetës. Komedi serioze. Është batutë e sofistikuar, batutë e mirë. Ka dialogje simpatik. Më pëlqen dhe fotografia. Është e bukur. Po ndërkohë, ajo që dua të di nga një skenariste dhe nga një vajzë që i është dedikuar tani filmit, si ka mundësi që audienca jonë është e tërhequr veçanërisht me komedinë? Ne si shoqëri pse duam vetëm të qeshim? Shumë bukur është po… Duket sikur vetëm kjo po bëhet, vetëm komedia.

Raelva Shabanaj: Nuk do t`i futem, sepse nuk di të bëj analiza sociale. Unë do e llogaris me veten. Ndodhën shumë gjëra në atë periudhë. Se ne na ranë dhe radhë tërmeti, pandemia, iranianët, zgjedhjet. Dhe doja patjetër që të bëja diçka që të bëja veten time njëherë për të qeshur. Thashë po i bëj një dhuratë publikut shqipfolës. Pse jo të mos jetë një serial siç do doja unë ta kishte vendi ynë, siç kanë dhe shtetet e tjera, seriale shumë të bukur me të rinj. Potentialin e kemi. Aktorët janë shumë të mirë. Pajisjet gjithashtu. Lekët janë. Bizneset deri diku ndihmojnë që të zhvillohen sipërmarrje të tilla dhe kështu nis rrugëtimi i “Ninës” për të bërë njerëzit për të qeshur.

Mira Kazhani: Në podcast-in para teje ishte një profesor shumë i mirë i Ekonomisë që ne kemi këtu në Shqipëri, Selami Xhepa dhe tha një gjë – se më ngacmoi kjo për lekët – tha, paratë janë Mira. Ai e kishte më së shumti për biznesmenët, po në fakt e kishte dhe me ne si shoqëri, po na mungojnë idetë.

Unë të kam ftuar ty dhe kjo është një koiçidencë, se ke qenë prej kohësh në plan, po fiks pas asaj që tha profesori i Ekonomisë. Tani ti je ai njeriu që je këtu, sepse ke pasur një ide. Historia jote është se ti nuk ke bërë as shkollë për regjisurë, as si skenariste. Ke punuar në administratë. Ke qenë këshilltare në kryeministri për disa vite.

Raelva Shabanaj: Në kabinetin e zv.kryeministrit.

Mira Kazhani: Të Niko Peleshit?

Raelva Shabanaj: Po.

Mira Kazhani: Më pas ke punuar në disa banka. Edhe në Credins. Edhe në një bankë tjetër. Më pas ke qenë pjesë e administratës. Tani drejt Raelva, je i vetmi njeri që takoj në Shqipëri që nuk e ke dashur administratën. Të gjithë vdesin të punojnë në administratë. Ti ke qenë aty, edhe e ke lënë, se ke pasur një ide.

Raelva Shabanaj: Se kam pasur një ide. Jo tamam kështu. Nuk e kam dashur administratën. Në fakt as administrata s`më ka dashur shumë mua. Si duket isha pak natyrë rebele për t`u qëndruar atyre klisheve. Ka pasur eksperiencën e vet. Vështirësitë e veta. Madje unë e them me humor kanë qenë vitet më të errëta të jetës time aty, sepse orari ka qenë i tejngopur, i tejzgjatur, përgjegjësi pafund. Kënaqësi më vete të punosh me Nikon. Më erdhi si propozim nga Gent Prizreni, që është pronari i Dar Dan Studios. Në atë kohë punoja tek autoritet i mbikqyrjes financiare. Mbasi lash punën në kryeministri për shkak të mandatit të zv.kryeministrit të asaj kohe. Dhe më tha: “Raelva, nëse ke dëshirë t`i bashkohesh ekipit. Kam ngritur këtë gjë dhe dua që të jesh pjesë.” Mua më pëlqejnë sfidat. E mora si sfidë. Më erdhi si argëtim. Si çdo gjë që marr përsipër. Di, s`di ta bëj, mësoj rrugës. Ama jap maksimumin dhe mundohem për këtë. Kështu që deri diku ia dal.

Mira Kazhani: Prindërit çfarë të thanë kur e more këtë vendim?

Raelva Shabanaj: Prindërit akoma habiten për këtë vendim. Isha duke vajtur me mamin me babin në Vlorë. Unë jam nga Vlora me origjinë. Kam lindur në Vlorë, jam rritur në Tiranë. Mami pyeti babin: Rakip, kaq humor ka pas kjo goca jonë që ne nuk e dinim? Mami im akoma s`e di që unë kam humor.

Mira Kazhani: Akoma nuk e beson? Edhe duke parë Ninën?

Raelva Shabanaj: Madje, madje, i pëlqen shumë. Duke parë diku tek episodi i tretë, ose i katërt nuk më kujtohet mirë, tek RTV Klan që ka ekskluzivitetin e premierës dhe pasi po qeshte, po qeshte, po qeshte erdhi tek dhoma dhe më tha: “Do t`i tregosh mamit, e sigurt që s`ke paguar dikë që ta shkruajë për ty? Ime më është psikologe në profesion.

Mira Kazhani: Sa do të pyesja, se duket si hetuese.

Raelva Shabanaj: Epo ngjan pak psikologjia me hetuesinë.

Mira Kazhani: Mamatë janë pak hetuese dhe mosbesuese.

Raelva Shabanaj: Sidomos mamatë korçare. Se imja është korçare.

Mira Kazhani: Pse janë mosbesuese?

Raelva Shabanaj: Nuk do thoja mosbesuese, sesa skeptike. Kënaqen me pak. Mezi ta thonë atë fjalën e mirë. Kjo deri diku të bën që të mundohesh të japësh maksimumin. Unë nuk kam qenë ndonjëherë në garë me veten. Unë gjithmonë kam qenë në garë me mamanë. Duke qenë në garë me nënën time, me atë që ajo pretendonte që unë të isha, ndoshta kjo më ka bërë që të bëj dhe kalime të ndryshme. Ku ta gjej veten. Çfarë asaj i pëlqen.

Mira Kazhani: Po të mundon kjo apo të jep kënaqësi?

Raelva Shabanaj: Se mua më mundon, edhe më jep kënaqësi. Të dyja. Po ndonjëherë edhe më lodh. Më mundonte. Jam mësuar tani me këtë ritmin dhe më jep kënaqësi se në fund të ditës unë kam marrë shumë nga ajo.

Mira Kazhani: Çfarë tipari ke nga mami për shembull?

Raelva Shabanaj: Intuitën.

Mira Kazhani: Mami ka humor vetë?

Raelva Shabanaj: Mami ka humor po.

Mira Kazhani: Po e paske përgjigjen.

Raelva Shabanaj: Po e ka pas dy gotave verë, kështu që… (qesh)

Mira Kazhani: Ti ke humor në jetën e përditshme? Apo e ke vetëm kur shkruan?

Raelva Shabanaj: Kam humor në jetën e përditshme kur më teket. Kur jam në një ambient të këndshëm që ndihem komode. Po jo gjithmonë. Përgjithësisht më thonë që jam e ashpër. Jam shumë serioze. Si duket më ka ngel akoma ajo hija e administratës.

Mira Kazhani: E ke pak atë hije.

Raelva Shabanaj: E kam ëëë? Epo e shikon çfarë pune…

Mira Kazhani: Ke një lloj peshe, një lloj rëndese.

Raelva Shabanaj: Këtë pastaj ia kam marrë babit.

Mira Kazhani: Babi çfarë profesioni ka?

Raelva Shabanaj: Im atë është piktor. Rakip Shabanaj.

Mira Kazhani: Epo piktorët janë kështu si të menduar. Po në atë botën e tyre duken shumë të lezetshëm.

Raelva Shabanaj: Janë. Edhe ai është shumë i këndshëm. Nga ai kam marrë shumë. Im atë ka më shumë humor madje.

Mira Kazhani: Ai e beson që ti ke humor dhe që ti e bën vetë Ninën?

Raelva Shabanaj: Absolutisht ai po (qesh). Ai dhe stafi që më kanë parë, po.

Mira Kazhani: Raelva, kur shkruan ti? Cila është koha jote? E ke me frymëzim në çdo orar të ditës apo ke një kohë të caktuar, je e disiplinuar?

Raelva Shabanaj: Jo, nuk funksionon me disiplinë. Të paktën tek mua jo. Unë mund të shkruaj dhe kur jam në një restorant, në kartëpeceta. Kam shkruar edhe në fleta gjobash. Ku më ka ardh frymëzimi, kam shkruar. Përgjithësisht e mbaj laptopin gjithmonë. Kam një lap top të vogël që e mbaj me vete. Ndodh që ka ditë të tëra që ajo fleta ri e bardhë dhe nuk kam asnjë pikë ideje. Ndodh që shkruaj aq gjatë dhe aq shumë sa ndjej dhimbje në shtyllën kurizore. Nuk është se më duhet të mendohem para se të shkruaj. Mua më dalin si vegime, si imazhe të qarta. Sikur e shoh njëherë filmin, pastaj e transkriptoj, e shkruaj.

Mira Kazhani: Ke qenë e mirë në hartime, në letërsi gjatë periudhës së gjimnazit apo fakultetit? Kishe të dhëna që kishe penë?

Raelva Shabanaj: Unë kam pasur fatin që të kem dy zysha shumë të mira Gjuhë-Letërsie, si në 8-vjeçare, si në gjimnaz. Nga më të mirat. Ma kanë stimuluar këtë gjë dhe sipas tyre më jepej për letërsinë. Shkruaja po.

Mira Kazhani: Po ama ti shkove dhe studiove ekonomik. Ekonomikun e doje? Si e bëre? Se këto vendime që marrim në një moshë… 18 vjeç të gjithë marrim vendimet më të rëndësishme për jetën dhe mendoj që s`jemi gati.

Raelva Shabanaj: Është e vërtetë. 18 vjeç të mendosh për të ardhmen, për degën që duhet të zgjedhësh. Po kështu ishte koha atëherë. Unë jam matura 2002. Në modë ishte o Ekonomiku, o Juridiku për vajzat, se për Mjekësinë nuk jam e prerë. Konkurova tek të dyja. Zgjodha ekonomikun edhe për shkakun se një pjesë e shoqeve të mia nga gjimnazi vazhduan atë degë. Doja të vazhdonte shoqëria, jo të shihja seriozisht të ardhmen. Një degë që nuk më ka ngjitur shumë. Paçka se kam punuar në profilin e Financë-Bankës, unë vetë kam mbaruar Ekonomiks. Po jo, nuk kam qenë shumë e apasionuar dhe nuk jam pas ekomomisë.

Mira Kazhani: Sa vjeç ishe kur kuptove pasionin tënd të vërtetë dhe talentin tënd të vërtetë?

Raelva Shabanaj: S`e kam marrë vesh akoma (qesh)

Mira Kazhani: Akoma s`e di?

Raelva Shabanaj: Jo, akoma.

Mira Kazhani: Mirë, kur more vendimin për të lënë administratën apo punën si ekonomiste dhe iu fute filmit?

Raelva Shabanaj: Kjo ka ndodhur para 3 vjetësh.

Mira Kazhani: Në pandemi.

Raelva Shabanaj: Në pandemi. Në periudhën më të mirë për të marrë vendime (qesh). Isha vetëm aty edhe…

Mira Kazhani: Si e kalove pandeminë?

Raelva Shabanaj: Bleva një kitarë online. Unë s`di të luaj kitarë. Bleva një kitarë dhe fillova ta mësoj vetë. Ka qenë momenti kur mami dhe babi vendosën të mos jetonin më në një shtëpi me mua dhe ikën në Vlorë. Se nuk dita t`i jap drejtim kitarës. Kështu që kam kaluar mirë.

Mira Kazhani: Ti ke motra apo vëllezër?

Raelva Shabanaj: Po, kam një motër. Kam një motër që ndryshe nga unë është më “bussines oriented”. Edhe ajo e ka shumë dëshirë artin, e ka pasion. Drejton një galeri arti. Galerinë e tim eti. Ka qenë një periudhë kur im atë vendosi të na jepte një pjesë të kursimeve të tij që ne të investonim në biznes. Unë në atë kohë mora pjesën time dhe investova tek një lokal i thjeshtë tek Kalaja e Tiranës, por që e kisha shumë qejf. Dështova me shumë sukses. Ndërkohë që ime motër investoi tek biznesi për artin dhe është shumë më mirë nga ana financiare sesa unë.

Mira Kazhani: Lokali ishte kafe apo restorant?

Raelva Shabanaj: Ishte bar kafe, por edhe me gjëra të vogla. Shërbeheshin për të shoqëruar verën. “Unur”, quhej. Një fjalë e vjetër shqipe që gjeta unë bashkë me mikeshën time Klesën, që ishim ortake. Unur ishte një lloj çakmaku që përdoret në veri. Kur përplaset guri me një lloj hekuri, bën xixa. Se konstruksionin brenda, arkitekturën, arredimin ne e kishim vetëm me gur dhe me hekur, pjesën më të madhe. Po që kaq. Dështoi me sukses, sepse kaloi pandemia. Ndoshta dhe nuk dija ta menaxhoja. Pjesën më të madhe të miqve i qerasja (qesh).

Mira Kazhani: Kjo tregon që nuk është për ty.

Raelva Shabanaj: Prandaj thashë, ekonomia nuk ishte për mua që në fillim, që kur vendosa të merresha me degën.

Mira Kazhani: Po u mërzite? Si e përjetove?

Raelva Shabanaj: U mërzita? Jo. Një gjë tjetër do vinte. Unë jam e kësaj bindje. Ikën një gjë, vjen një tjetër. Jeta vazhdon.

Mira Kazhani: Mami Vasilika kështu tha, jeta vazhdon, nuk ka problem që i humbe paratë?

Raelva Shabanaj: Pak a shumë. Pak a shumë. Se edhe mami Vasilika e pinte kafenë falas aty. I hante brioshët falas. U mërzit pak. Po e kaloi. Gjeti një lokal tjetër, që t`i shërbenin po me aq dashuri.

Mira Kazhani: Ndërkohë që po më tregoje këtë histori, po mendoja që është e çuditshme. Ne duhet të kemi më shumë dashuri dhe respekt për disa pengesa që na dalin në rrugë, sepse ndoshta janë sinjale dhe një mënyrë për të na çuar tek ai oazi ynë, tek aveniri ynë, tek legjenda jonë personale. Kur i shikon në perspektivë, a i sheh kështu pengesat e tua gjatë rrugës?

Raelva Shabanaj: Diku kam lexuar një shprehje që e mbaj thesar edhe thotë që – unë jam besimtare vetë – edhe thotë: Zoti të jep një dhuratë, që është dhuratë. Është e mbështjellë në një mënyrë të tillë që nuk duket shumë si dhuratë më shumë sesa si pako, si kuti, po ka shumë shtresa paketimi dhe ato shtresa janë sikletet, telashet, sfidat, disfatat, humbjet, dështimet që kalon, ama në fund kur i heq të gjitha këto, të pret një dhuratë shumë e bukur. Dhe jam duke pritur, se po heq akoma. Po hap paketimin.

Mira Kazhani: Të shpresojmë që po i afrohesh.

Raelva Shabanaj: Shpresoj dhe unë!

Mira Kazhani: Kur u futa të bëj një lloj Google për ty, nuk është se gjeta shumë informacione, por ama aty tek Dar Dan Studio lexova që flisje disa gjuhë të huaja: spanjisht, italisht, anglisht, gjermanisht.

Raelva Shabanaj: Po mësoj arabisht.

Mira Kazhani: Po arabisht pse? Interesante, po pse?

Raelva Shabanaj: Se prapë po kthehemi tek mami. Më mirë të kishte ardhur mami për intervistë sot.

Mira Kazhani: Herës tjetër (qesh)

Raelva Shabanaj: Hipi në një karrige. Se si korçare që është do pastronte diçka dhe në fakt ra shumë keq. Përplasi kokën, e çau. Ka ndenjur disa ditë në spital. Kisha frikë se mos e humbja dhe kam bërë një lutje atë natë: Zot, po e shpëtove mamin, do mësoj gjuhën më të vështirë që ekziston, përveç kinezçes. Aty e bëra një “deal”.

Mira Kazhani: Ke negocionuar.

Raelva Shabanaj: Se ka sens humori, përderisa ma ka dhënë dhe mua. Dhe vendosëm të dy (për Zotin) që të mësoj arabishten.

Mira Kazhani: Në çfarë niveli je tani?

Raelva Shabanaj: Në nivel fillestar. E fillova nga zero se s`kam pasur asnjë lloj informacioni.

Mira Kazhani: Si mund ta thuash arabisht: Podcasti i Mirës duhet ndjekur!

Raelva Shabanaj: Inshallah (qesh)

Mira Kazhani: Këtë inshallah e di dhe vetë (qesh).

Unë isha për festat e Vitit të Ri në New York dhe ku më qëlloi një uber-ist që nuk dinte asnjë fjalë në anglisht. Ai më fliste spanjisht. Një Zot e di sesi, po unë jam marrë vesh me të.

Raelva Shabanaj: Më kishe marrë mua në telefon.

Mira Kazhani: Ndoshta edhe nga telenovelat dikur që kanë qenë spanjolle dhe sikur u morëm vesh.

Një pyetje që është edhe shqetësim, por e kam edhe një lloj kurioziteti, dëshire, urimi. Do ishte shumë bukur që të rinjtë, që shohin më shumë YouTube, shohin më shumë tabletet e tyre, televizor, nuk është se lexojnë shumë libra, ta njohin historinë e Ismail Qemalit përmes një seriali. Pra jo vetëm Ismail Qemali si babai i shtetit shqiptar me ngritjen e flamurit në Vlorë. Po gjithë jeta e tij, mes Stambollit, dy martesat, vajzat, fëmijët, vdekja misterioze në Perugia. A flisni ju me njëri tjetrin, ju njerëzit e artit dhe të filmit për të bërë diçka të tillë? A është si diskutim, si ide?

Raelva Shabanaj: Patjetër. Njerëzit e artit vetëm për këto gjëra flasin. Ide ka pafund. Shqipëria falë Zotit ka shumë histori. Problemi nuk qëndron në ide. Problemi qëndron në fonde. Fatkeqësisht nuk është mëshuar shumë që të marri hov arti, kinematografia. Kosova për shembull është shumë më përpara nesh. Shoh që atje investohet për këtë gjë. Po ecet përpara. Këtu ngelemi thjesht në projekte, në letra. Pra dëshira nuk ka munguar, por mbështetja po. Në rastin kryesor “Nina” falë Zotit që ka biznese që besojnë në art, që na kanë ndihmuar dhe heqin një zë buxhetor. Nuk i çojnë të gjitha për reklama, për reklama produkti që do ndryshojë, që kushton shumë. Dhe investojnë këtu, sepse e dinë që kjo gjë i bën të përjetshëm.

Ai material do qëndrojë gjithë jetën. Këto biznese apo këta individë që financojnë në artin dhe kulturën në Shqipëri, bëhen të përjetshëm sepse vendosin logon e tyre, emrin e tyre dhe ngelet përgjatë gjithë kohës. Them është mënyra më e mirë për të investuar dhe do doja që isntitucionet shtetërore ta kishin këtë logon e përjetësisë, të paktën në këtë kohë, se ka qenë dikur. Po nuk mbaj mend që të paktën 20 vitet e fundit që t`i jetë mëshuar shumë kësaj gjëje fatkeqësisht.

Mira Kazhani: E pate të vështirë t`i mblidhe këto fonde në serialin e Ninës ku nuk e dije nëse do kishte apo jo sukses?

Raelva Shabanaj: Absolutisht që ka qenë e vështirë. Në fillim fare është bërë një thirrje nga Radio Televizioni Shqiptar, pra u mor një fond nga RTSH, sigurisht nuk dilte. Ishte një pjesë shumë e vogël për gjithë prodhimin. Pastaj ishim vetë ne që gjetëm pjesën tjetër falë sponsorave, që i falenderoj gjatë gjithë kohës. Kështu nisi sezoni i parë që është tashmë pronësi e Radio Televizionit Shqiptar. Sezoni i dytë ka qënë edhe më i vështirë duke qenë se nuk hymë në asnjë tender, donim ta mbanim vetë si material, në pronësinë tonë. Patëm një bashkëbisedim me televizionin Klan që pranoi ta merrte ekskluzive premierën edhe ja ku jemi.

Mira Kazhani: Shumë mirë ka bërë televizioni Klan! Jam e bindur që edhe drejtuesit janë të bindur që e kanë atë kompleksin që kanë ofruar shumë telenovela turke. Shiko, Turqia në një farë forme, unë e thashë është pushtim kulturor, duket një gjë e menduar mirë, strategji për të bërë një lloj ekspansioni të imazhit të vendit të tyre dhe nuk e bëjnë keq.

Raelva Shabanaj: Është një vend që investon shumë….

Mira Kazhani: Se ka investuar shumë, ndër vite.

Raelva Shabanaj: Ata e kanë një lloj reklamimi, marketingu këtë gjë të vlerave të tyre.

Mira Kazhani: Është marketing, nxjerrin shtëpitë më të bukura, aktoret më të bukura, aktorët më të bukur, historitë… të gjitha

Raelva Shabanaj: Turizmin, evidentojnë shumë gjëra.

Mira Kazhani: Po e shohin dhe në Itali shumë. E di këtë besoj?

Raelva Shabanaj: Përgjithësisht me çfarë kam parë nuk shohin dramat, këto që shohim ne me shpulla, me ulërima, me shpata. Kanë bërë blerje me komeditë, për një moshë tek adoleshentët përgjithësisht. Ato blerje kanë bërë.

Mira Kazhani: Epo habi e madhe dhe kjo me italianët

Raelva Shabanaj: Epo italianët, si italianët kanë atë stilin e tyre. Ndërkohë që ne i kemi marrë të gjitha me luftë, pa luftë, drama familjare që për mua nuk janë shumë të nevojshme në Shqipëri se kemi ato problemet tona, shtoi dhe këto…

Mira Kazhani: I shtojnë shumë emocione ndoshta dhe…

Raelva Shabanaj: Po ne natyra ballkanese jemi shumë emotiv, shumë gjak nxehtë, pasionant dhe këto na duhen.

Mira Kazhani: E pëlqen spektatori ballkanas dhunën nëpër filma? Ka një simpati, në subkoshiencë të pavetëdijshme mbase.

Raelva Shabanaj: Tani po flas në emër të Ballkanit unë? (qesh)

Mira Kazhani: Jo, jo të Ballkanit por ajo çfarë lexon nga audiencat, nga përvoja jote.

Raelva Shabanaj: Them se, jo e duan dhunën, duan adrenalinën. Adrenalinë nuk të jep komedia. Adrenalinë të japin filmat aksion, dhuna. Formatet televizive që po shohim së fundmi.

Mira Kazhani: Unë vdes për filma aksion. Po skenat e dhunës nuk i shoh shumë.

Raelva Shabanaj: Ok, ndryshe me ne gocat, ndryshe me meshkujt, po them se i duam. Po!

Mira Kazhani: A do të pëlqente ta çoje në Netflix, “Ninën”? A është e mundur?

Raelva Shabanaj: Ne kemi kontaktuar me disa platforma, Netflix një prej tyre. Ngërçi i vetëm është numri i popullsisë. Ata investojnë në kinematografi, filma, prodhime të shteteve që kanë më shumë se 3 milionë banorë. Flas për territorin tonë, se ne kemi vajtur 10 milionë banorë dhe mos më shumë. Të paktën kjo ka qënë, por që vazhdojmë tratativat për ne platforma të tjera, edhe në Netflix.

Mira Kazhani: Po të shpresojmë!

Raelva Shabanaj: Shpresojmë!

Mira Kazhani: Pas Ninës do të jetë një sezon i tretë apo do mendosh diçka të re? Do vazhdojë Nina? Do martohet Nina? Do gjejë burrë Nina?

Raelva Shabanaj: Nina do të martohet kur të martohem unë njëherë. Pa u martuar unë nuk martohet Nina (qesh)

Mira Kazhani: Ok (qesh)

Raelva Shabanaj: Po besoj do të ketë vazhdim. Shpresoj të këtë vazhdim. Shpresoj të mos lodhemi shumë në gjendjen e fondeve, sepse po i gjetëm do bëhet dhe më bukur dhe më gjatë dhe më mirë. Aktorët i kemi shumë të mirë. Regjisor Diopia është shumë i mirë. Zamir Kokonozi gjej rastin i përshëndes. Mateon. Agim Poçarin, drejtorin e prodhimit Gent Prizrenin padiskutim se pa atë s`do ishte bërë gjithë kjo gjë. Dhe duke qenë kast njerëzish që e bëjnë punën e tyre me dëshirë, janë njerëz profesionistë, pse jo të mos vazhdojë? Çdo gjë varet nga fondi, sepse dëshira nuk mungon, sigurisht. Kemi filluar në fakt, po merremi me…

Mira Kazhani: Edhe nga ti se si dihet, papritur mund të zgjohesh dhe të kesh një ide tjetër dhe të bësh dicka tjetër me jetën tënde.

Raelva Shabanaj: Kjo është e vërtetë (qesh) po s`po më vjen ofertë tjetër. Për momentin Dar Dan-i është i sigurtë.

Mira Kazhani: Sot rrugës kur po vija këtu tek Eksperimentali për intervistën, për bisedën tonë se unë nuk i quaj tamam, tamam intervista ne fakt, janë biseda të dashura. Për mua po njëherë, e sigurtë. Po lexoja Jovanotti-n, i cili kishte dhënë diku një intervistë dhe thoshte që vendi ku ndihem vetëm është skena dhe kurioze jam: Si ndihesh ti në skenë? Si Jovanotti?

Raelva Shabanaj: Unë kam hipur në skena kur punoja në kryeministri se duhet të merresha me eventin, me mbarëvajtjen, ku është projektori, ku kjo, ku ajo. Nuk jam ndjerë vetëm se kanë qenë gjithmonë njerëz të tjerë. Unë jam një njeri që nuk e dua fare vetminë, nuk më pëlqen të them të drejtën, jam kundra. S’bie dakord me vetminë, s`e kam shoqe hiç dhe s`dua ta kem. Kështu që kam ato personazhet e mia dhe kur jam vetëm në dhomë me laptopin para dhe kur shkruaj nuk jam vetëm asnjëherë se kam ato…

Mira Kazhani: Ti je Bricjap?

Raelva Shabanaj: Po! (qesh)

Mira Kazhani: Ok!

Raelva Shabanaj: Ju dini të lexoni dhe dorën? (qesh)

Mira Kazhani: Kjo është rastësi, po ndonjëherë disa shenja arrij t`i kuptoj kur thonë që vetmia… nuk njoh asnjë bricjap në jetë që do të rrijë vetëm. Sikundër nuk njoh asnjë Dash që nuk grindet (qesh)

Raelva Shabanaj: Dhe Bricjapi grindet kur e prek tek gjërat e veta, po vetminë s`e dua.

Mira Kazhani: Po dhe Demi, të gjithë.

Raelva Shabanaj: Kështu që Jovanotti bën shumë mirë të rrijë në atë vetminë e vet.

Mira Kazhani: Jo, ai e kishte në sensin e emocionit, aty je vetëm dhe duhet të japësh më të mirën, por kur je autor dhe skenarist je shumë komod.

Raelva Shabanaj: Je mbrapa kështu që më pëlqen ajo e ndenjura mbrapa, nuk e dua shumë…

Mira Kazhani: Të pëlqen privatësia, është komoditet.

Raelva Shabanaj: Shumë! Jo se kam ndonje gjë interesante për të ruajtur të them të drejtën. Sa jam ekstroverte jam dhe introverte. I ka Bricjapi dhe këto. Po më pëlqen që gjërat e mia t`i di vetëm unë dhe ai rrethi im i ngushtë familjar dhe për arsyen se nuk janë shumë interesante për t`u treguar për më tepër.

Mira Kazhani: Atë s`e dimë, pa na i treguar.

Raelva Shabanaj: Tani varet nga pyetja

Mira Kazhani: Si mendon ti për dashurinë?

Raelva Shabanaj: Për dashurinë, mendoj se kam rënë në dashuri se prapë se kam kuptuar ka qenë infatuacion, po ja po themi kam rënë në dashuri. Po ti futesh me kërkesa është llogari dhe prapë siç thamë unë në atë pjesë nuk jam mirë si ekonomiste, kështu që jo. Dashuria është një ndjesi që të vjen, e kupton dhe kaq se po t`u hysh llogarive.

Mira Kazhani: Një gjendje kështu psiko-fizike, po që ezaurohet një ditë, thonë.

Raelva Shabanaj: Si çdo gjë.

Mira Kazhani: Pastaj hapen shtigje të tjera.

Raelva Shabanaj: Pastaj vazhdon ajo pakoja që hapet.

Mira Kazhani: Faleminderit Raelva Shabanaj! Të uroj shumë suksese në Nina-t e radhës. Unë shpresoj që ta martosh Ninën.

Raelva Shabanaj: Ashtu shpreson dhe mami im (qesh)

Mira Kazhani: Po më së shumti uroj që Nina të jetë e lumtur dhe të gjitha Ninat të jenë të lumtura!

Raelva Shabanaj: Ajo ka rëndësi!

Mira Kazhani: Besoj gratë janë pikë e fortë në këtë audiencë.

Raelva Shabanaj: Nga sondazhet që kemi, jo. Janë 50 me 50. Të dyja gjinitë e ndjekin serialin.

Mira Kazhani: Epo mirë, shumë mirë!

Raelva Shabanaj: Ne më shumë për gjininë tjetër e kemi bërë në fakt, sesa për gratë.

Mira Kazhani: Që ata të reflektojnë! Këto janë kërkesat!

Raelva Shabanaj: Këto janë!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *