Njeriu është një qenie e mistershme. Më saktë vetja e secilit prej nesh është një kërkim i pafundëm pothuajse deri në fund të jetës.
Ndërsa lodhemi të kuptojmë të tjerët, ndoshta jemi thjesht të paqartë për çfarë e kush jemi ne vetë. Çdo gjë ka burim fjalën e bukur dhe personale “vete”.
Një vete që krijohet fillimisht nga të tjerët, prindërit dhe më pas një vete që ndikohet nga një numër më i madh të tjerësh siç janë njerëzit e shumtë që takojmë gjatë jetës.
“Ne jemi si deti”, – më tha Anila Sulstarova dhe ajo që shohim tek vetja jonë është maja e ajsbergut.
Por në varësi të kohës edhe kurajës, mesa duket anija jonë mund të shohë edhe në thellësi të detit.
“Anijet e mbytura” – i thashë unë dhe qesha, që ta dini – nga pasiguria ose frika e anijeve të mia.
Në këtë pasazh mendoj se gjeta edhe titullin e këtij episodi me Anila Sulstarovën, që e kam takuar para shumë vitesh gjatë një kohe të keqe, me anije në fund të detit dhe plot maja ajsbergësh.
Shpesh ma kishin kërkuar pedagogen e Psikologjisë që ta ftoja, por edhe psikologët kanë anijet e tyre. Zgjati pak, por ja tek u ankorua një bisedë nga ato që mua më bëjnë krenare që i ndaj me ndjekësit e këtij podcast.
Podcasti i transkriptuar:
Mira Kazhani: Më në fund e kam Anila Sulstarovën, psikologen që e duan të gjithë. Sa mirë që erdhe Anila!
Anila Sulstarova: Faleminderit për ftesën!
Mira Kazhani: Çfarë i shkakton trurit, njeriut, dashuria dhe aprovimi i të tjerëve?
Anila Sulstarova: Dashuria është një gjë e shëndetshme. Aprovimi është jo fort i shëndetshëm, sepse aprovimi nxitet nga ankthi, nga nevoja që të tjerët ta aprovojnë. Shumë sjellje njeriu i bën që të jetë i aprovuar, por nuk sillet në mënyrë autentike, siç e ndjen.
Mira Kazhani: Gjysmë, për gjysmë ndoshta jam tani. Me ndihmën e psikologut. Ende kërkoj aprovim.
Anila Sulstarova: Ndodh!
Mira Kazhani: Vetë ti kërkon aprovim?
Anila Sulstarova: Ka raste që është i rëndësishëm, por për shembull në këto momente ka një lloj ankthi, që vjen një pjesë është i shëndetshëm, sepse kam përgjegjësinë që jam përballë teje dhe pastaj përballë një publiku tjetër që duhet të dëgjojë informacion të saktë dhe një ankthi që mund të jetë i pashëndetshëm sepse vjen pikërisht nga nevoja që të jem e pëlqyer. Kjo nevojë që njeriu të jetë i pëlqyer vjen nga fëmijëria. Nga fakti që, që herët në jetë jemi mësuar të bëjmë sjellje që të tjerët të na aprovojnë, që të tjerët të na pëlqejnë. Se nëse jemi vetja jonë, dikush është i pakënaqur, dikush ka një kritikë. Fëmija që të shmangë kritikën, një mendim negativ të dikujt tjetër, ngre një sistem alarmi vëzhgues, që vëzhgon çfarë të tjerët duan dhe sillen sipas asaj që të tjerët duan. Kjo e shmang nga ajo vetja e vet. Sa më shumë shmanget nga ajo çfarë unë kam nevojë dhe çfarë të tjerët presin, aq më shumë shtohet intensiteti i ankthit.
Mira Kazhani: Ti më ke dhënë shumë këshilla të mira gjatë jetës. Unë si gazetare sot, mund të të jap të njëjtën këshillë që u jap të gjithë miqve që ftoj, që nuk jepet intervistë duke u përpjekur për të dalë mirë.
Anila Sulstarova: Sigurisht që jo! Po nga ana tjetër është e pashmangshme, se ka dy kahe, ka një sy vëzhgues.
Mira Kazhani: E vërtetë!
Anila Sulstarova: Është e pashmangshme.
Mira Kazhani: Gjatë të gjithë sezoneve të këtij podcast, unë herë pas here kam marrë mesazhe: “Oh të lutem, të të jap një sugjerim. Sikur të ftosh Anila Sulstarovën!” Me siguri do të kenë qenë studente, student, ndoshta edhe njerëz që kanë shëruar mendjen dhe shpirtin me ndihmën tënde. Shërohet shpirti dhe mendja? Nga psikologu dhe doktori apo nga vetja?
Anila Sulstarova: Shërohet nga njeriu. Psikologu, doktori, psikiatri janë njerëz që e ndihmojnë njeriun të shërojë veten, por nuk janë ata shëronjësit. Njeriu vetë e ka në dorë të shërohet. Po e para duhet të kuptojë që ka plagë, që janë plagë nga fëmijëria. Se këto plagë bëhen si një gropë thithëse, që nëse nuk shërohen, njeriu vazhdon të luftojë për të mbushur atë boshllëk, i cili nuk mbushet kurrë, sepse është vërtet si gropë thithëse. Në momentin që njeriu vendos të punojë me veten, me plagën e vet dhe të stopojë atë që quhet performim për të tjerët, të jetojë për të tjerët, për pritshmëritë të tjerëve, për kënaqësitë e të tjerëve, ky është momenti i parë që njeriu fillon të reflektojë, çfarë kam unë nevojë? Sigurisht që ka momente që nevojat e njeriut nuk përputhen me nevojat e familjes dhe shpeshherë njerëzit tentojnë të mos dëgjojnë nevojat e tyre, por të dëgjojnë nevojat e të tjerëve dhe të funksionojnë në bazë të të tjerëve. Kjo sjell që njeriu jo vetëm të vuajë vetë, por të ndihet i vogël dhe i parëndësishëm nga vetja e vetë e deri tek të tjerët.
Mira Kazhani: I pamjaftueshëm?
Anila Sulstarova: I pamjaftueshëm shpeshherë mund të ndihet njeriu nëse vendos të veprojë sipas nevojave të veta. Për shembull, nëse kemi një familje që gjërat nuk po shkojnë siç duhet dhe njeri nga anëtarët e çiftit mendon se ndarja është gjëja më e mirë dhe anëtari tjetër i çiftit nuk e kërkon këtë gjë, do që të rrijë në një martesë, ndonëse të dyja palët nuk janë të kënaqura, njeriu që ka nevojë të ndahet, sepse ndjen që martesa është konsumuar, ndjen që nuk është i lumtur, ndjen që çdo gjë që bën e bën për gruan, për fëmijën, ose gruaja e bën për burrin e bën për fëmijët dhe është një jetë që përsëritet dhe përsëritet pa një kuptim, duke u ndjerë bosh, të konsumuar, se nëse heqin dorë nga martesa ju ngacmohen fort ndjenjat e fajit dhe që të shmangin ndjenjat e fajit, qëndrojnë në një marrëdhënie që nuk janë të lumtur. Shpesh e dëgjojmë këtë gjë. E keqja është që në këtë marrëdhënie që njerëzit qëndrojnë pavarësisht se nuk janë të lumtur, pavarësisht se nuk e njohin njëri-tjetrin, pavarësisht se nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht se nuk plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit, në këto marrëdhënie vetet e ndershme, njeriu i ndershëm, humbet. Se kthehet e gjitha në një kukull performuese për të bërë burrin e mirë apo për të bërë gruan e mirë.
Mira Kazhani: Për tjetrin…
Anila Sulstarova: Për tjetrin dhe për familjen. Kjo performancë shtyhet në fakt nga nevoja për t`u aprovuar nga të tjerët dhe nga frika që njeriu ka për të ndjerë faj. Faji është një shok i vjetër i yni që na e kanë mësuar që fëmijë. Që ne duhet të sillemi në forma të caktuara, sepse prindërit tanë po sakrifikojnë kaq shumë për ne dhe po bëjnë kaq shumë për ne dhe që ne nuk jemi të vetëdijshëm për sakrificat e tyre e që ata jo rrallëherë në streset e tyre, në pamundësitë e tyre për të na ndihmuar, pikërisht këtë shtypur si buton. Unë po bëj kaq shumë për ty. Unë po sakrifikoj kaq shumë për ty dhe çfarë po bën ti? Çfarë të mungon ty që nuk merr 10? Çfarë të mungon ty që nuk po rritesh siç shoqëria pret?
Mira Kazhani: Fajet nuk zhbëhen, por si mund të bëhet njeriu shok me fajin?
Anila Sulstarova: Nuk ka pse të bëhet shok me fajin. Faji është si acid. Të helmon. Njeriu që të mos jetë i helmuar, vendos të jetojë… që të mos aktivizojë ndjenjat e fajit. Në darkë secili nga ne fle me jastëkun tonë, me hallet tona. Nuk marrim të tjerët me vete. As se çfarë të tjerët thonë, as se na pëlqejnë, ose nëse nuk na pëlqejnë, edhe nëse na admirojnë apo nuk na admirojnë, në darkë kemi vetëm veten tonë. Në fund të jetës do jesh me vdekjen. Nëse ajo të pyet a je ti e kënaqur me jetën që ke bërë, përgjigjja është Jo, sepse unë kam jetuar për të tjerët. Është një faj i jashtëzakonshëm që njeriu ndjen për veten e tij. Kështu që e sigurt është që në jetë kemi zgjedhje për të bërë dhe çdo zgjedhje ka vështirësi dhe dhimbje. Çfarë vendos të bësh? Të jetosh për dhimbjen tënde apo për dhimbjen e të tjerëve? Për fajin tënd që ti s`ke jetuar apo për faktin që ke jetuar që ti mos të provosh ndenja faji nëse të tjerët do vuajnë prej teje.
Mira Kazhani: A mundet njeriu ta kompesojë një fëmijëri që e ka dëmtuar dhe janë ato filizat e demonëve që krijohen që në fëmijëri.
Anila Sulstarova: Po. Miqtë tanë të pashëndetshëm, turpi, faji dhe frika aktivizohen gjatë fëmijërisë tonë. Bëhen shokët e ngushtë gjatë fëmijërisë tonë dhe ne duket sikur kujdesemi gjatë gjithë jetës që këta ttre shokë të ngushtë, të padukshëm t`i fuqizojmë, t`i fuqizojmë deri në një pikë sa ata janë shumë të fuqishëm dhe ne jemi shumë të vegjël para atyre. Ata udhëheqin jetën tonë dhe kjo është e pashëndetshme. Si punohet? Punohet që këta shokët tanë do jenë, por të jenë në nivele të shëndetshme dhe jo më të mëdha se vetë trupi i njeriut. Se kur janë më të mëdhenj, shkaktojnë një mori problemesh, jo vetëm psikologjike, por edhe fizike. Shumë sëmundje autoimune, sipas studimeve lidhen pikërisht me faktin që njeriu ka jetuar për tjetrin. Ka jetuar nga frika se mos tjetri nuk e pranon, nga frika se mos tjetri e refuzon. Që në thelb është nevoja për të qenë i dashur. Njeriu mendon që nëse s`më pranon dikush, do të thotë që nuk më do dikush dhe nevoja për të qenë i dashur, është një nga nevojat bazë që ne kemi, e cila për fat të keq, jo gjithmonë mund të mos plotësohet në fëmijëri. Ajo që dua të them – se s`dua të keqkuptohem – është që prindërit natyrisht që i duan fëmijët e tyre dhe bëjnë maksimumin për fëmijët e tyre… Prindërit e tu, prindërit e mi, prindërit e atyre që na dëgjojnë kanë bërë maksimumin. Çështja është që ata vetë vijnë nga plagë të tyret dhe nuk kanë mundur të gjejnë një ekuilibër për të vetërregulluar emocionet e tyre, pikërisht si frika, turpi dhe faji. Në një shpirt të pashëruar, mundësia që të rritësh një shpirt të shëndetshëm është e ulët. Se duke qenë i frikësuar nëse pranohem apo jo nga të tjerët, këtë frikë e transmetoj, duke kërkuar pikërisht që fëmija të sillet në një formë të tillë që të jetë i pranuar nga të tjerët. Kështu që këto dëmtime që fillojnë që herët, fillojnë pikërisht nga fakti që vetë prindërit vijnë me plagët e tyre dhe për faktin që jeta ka një dinamikë të caktuar dhe nevoja për të mbijetuar, për të prodhuar para është gjithmonë shumë e madhe.
Mira Kazhani: Cilët janë ‘red flags’, flamujt e kuq, që dikush e kupton se diçka po ndodh me të? Shpirti nuk është mirë. Mendja nuk është mirë.
Anila Sulstarova: Kur ankthi, shqetësimet, parehatia, mungesa e motivimit janë shumë të shpeshta, e shoqërojnë gjithmonë. Pra nuk ka një moment, ose një ditë që njeriu të ndihet i qetë ose në paqe. Këto janë ato red flags. Fakti që është kthyer në një stil jete, që njeriu jeton për të plotësuar disa pritshmëri, për të arritur disa detyrime, por nuk ka kontakt, nuk i shijon, nuk jeton momentin, nxiton të kalojë ditën që të ikë dhe një ditë. Iku dhe një problem, iku dhe një hall, kjo është vdekje e shpejtë, e parakohshme ku jeta mungon. Ky është një red flag, se njeriu duhet ta shijojë ditën, duhet ta shijojë pushimin, fundjavën, muzikën. Sigurisht që ka momente që njeriu do lodhet, do mërzitet, do trishtohet. Patjetër, këto janë pjesë e jetës, por nëse mungon gëzimi, ajo lumturia fëminore që secili nga ne ka për të zbuluar një gjë të re, për të shijuar…
Mira Kazhani: Naiviteti dhe idealja, kur shijon edhe gjërat e vogla. I gëzohesh gjithçkaje…
Anila Sulstarova: Ka njerëz që i shikon të ngrysur.
Mira Kazhani: Kudo që të jenë…
Anila Sulstarova: Kërkojnë vetëm të bëjnë këtë detyrë, të kryejnë këtë punë, pa e shijuar fare.
Mira Kazhani: Jeta është një punë apo një kënaqësi?
Anila Sulstarova: Varet si e sheh. Varet çfarë plagësh ke?
Mira Kazhani: Si e sheh një psikologe?
Anila Sulstarova: Varet nga plagët e veta edhe një psikologe (qesh)
Mira Kazhani: Si e sheh Anila jetën e saj?
Anila Sulstarova: Me kalimin e viteve ka qenë gjithmonë një kënaqësi.
Mira Kazhani: Edhe për mua, sidomos pas 40-tave.
Anila Sulstarova: Me kalimin e viteve kthehet në një kënaqësi dhe shtohen momentet që shijohen gjërat, njerëzit.
Mira Kazhani: Sepse nuk ka më pretendime të mëdha? Ulen pritshmëritë? Përvoja, eksperienca…
Anila Sulstarova: Varet e para sa është punuar me veten dhe me plagët dhe e dyta kur punohet me veten dhe me plagët ka disa procese, por një nga proceset, përveçse ta dish që ok unë kam këtë problem, nevojën për të qenë e aprovuar, është ta pranosh që në fakt unë jam edhe e limituar dhe është e pamundur që të aprovohem nga të gjithë. Pranimi është çelësi. Disa njerëzve u ndodh për shkak të pjekurisë, por unë besoj nga ajo që kam parë që shumë njerëzve iu vjen për shkak të pranimit të vetes, të jetës, të limiteve, të fatit.
Mira Kazhani: Çfarë mendon Anila për ata njerëzit që janë të vetëmjaftueshëm, madje kanë një lloj supremacie? Janë ai tjetri që u mjafton vetja dhe mendojnë të marrin gjithçka nga të tjerët. Ata janë rritur mirë? Edhe pse duket si siguri dhe plot me vete “Full of themselves” siç thuhet në termin anglisht, besoj që edhe tek ata duhet të jetë një deficit fëminor, i çuditshëm.
Anila Sulstarova: Nga përvoja ime, njerëzit që kam njohur dhe nga leximet që kam bërë, këta njerëz vijnë me plagët e tyre nga e shkuara. Këta njerëz janë ata që kanë pasur shumë nevojë të kenë qenë të dashur, ta kenë ndjerë dashurinë e prindërve, të cilët për arsye të ndryshme ua kanë dhënë, por jo në formën që fëmija ka nevojë. Ky fëmijë, duke qenë se nuk i plotësohet nevoja bazë e të qenit i dashur, ndalon së kërkuari ndihmë, ndalon së kërkuari dashuri nga të tjerët dhe fillon ndërton ca barriera për t`u vetëkënaqur, për t`u vetëmjaftuar. Se do të shmangë dhimbjen që vjen nëse nuk të duan. Nëse nuk më duan, atëherë unë rri larg njerëzve, nuk e kërkoj dashurinë, vetëmjaftohem që të shmang atë frikën nga braktisja, atë frikën nga të qenit i padashur.
Mira Kazhani: Pra në thelb ata janë gjithashtu njerëz po aq të pasigurtë.
Anila Sulstarova: Në thelb ata janë njerëz që vuajnë dhe vuajtja të bën të dobët, të bën të brishtë, të bën arrogant, të bën të egër, të strukur. Dhimbja e rrit njeriun. Dhimbja është pasuri po të dish ta lexosh dhe të rritesh, por kur bëhet e së përditshmes dhe njeriu nuk ka fuqi as të kuptojë dhe as të punojë, deformon shumë.
Mira Kazhani: Më pëlqeu shumë sesi e ndave dhimbjen me vuajtjen. Për herë të parë Anila unë e kam provuar ndjesinë e ankthit, besoj duhet të ketë qenë viti 2009, ose që unë kam qenë koshiente që ai ishte ankth. Nuk e kujtoj emrin e një profesori që e kam takuar, një mik më dha numrin e tij, por mbaj mend një kafe diku aty tek Juridiku, ishte një burrë i moshuar. Nuk besoj që jeton më, se ishte shumë i moshuar që atëherë, tek 80-tat. Ai më ka bërë një shpjegim për atë cirkuitin, rrethin vicioz të ankthit. Ulja e nivelit të serotoninës, sesi mendimet gri i bien serotoninës, ajo struket, pastaj truri i kërkon gjak zemrës, zemra pompon. Do doja një shpjegim nga Anila Sulstarova sot!
Anila Sulstarova: Për ankthin?
Mira Kazhani: T`ua shpjegojmë njerëzve çfarë është si proces kimik, çfarë ndodh, si ndodh?
Anila Sulstarova: Ajo që njerëzit tremben nga ankthi janë reagimet fiziologjike. Rrahja e zemrës, ngushtimi këtu (tregon kraharorin) që mezi mbushen me frymë, dridhja e duarve, lagia e duarve. Trupi reagon në mënyrë normale. Çështja është se çfarë ndodh me trurin apo me atë që perceptohet me atë që ndodh jashtë.
Njerëzit merren zakonisht me reagimet fizike të trupit, ndërkohë që çështja është sesi truri e përkthen një sinjal të caktuar. Unë kur punoj me njerëzit që flasin për ankthin, pyetja është çfarë tamam mendove në atë moment? Se është një mendim që shtyp një buton, i cili bën që hormone të caktuara të zhbalancohen, duke rritur shumë hormonin e stresit. Sa më shumë rritet ky hormon i stresit, aq më shumë trupi reagon. Nëse ne vrapojmë, sigurisht që zemra rreh fort dhe ne nuk themi pse na rreh zemra fort, mos kam ndonjë problem? Kur vrapon njeriu, normalisht që zemra i rreh fort. Kur ka një mendim që e frikëson, sigurisht që zemra i rreh fort. Shpeshherë njerëzit thonë që më rreth zemra fort dhe unë u them që kjo është një gjë shumë e mirë. Problemi është kur nuk rreh zemra. Kur rreh zemra është një gjë shumë e mirë se do të thotë që i përgjigjet sipas ngacmimeve që merr.
Mira Kazhani: Çfarë është një terapi e mirë përveç psikologut? Ti ma ke thënë që jeshilja i bën shumë mirë trurit. Truri lexon kur sheh ngjyrën jeshile, kur shkon në park
Anila Sulstarova: Parku, natyra, por nuk është jeshilja…
Mira Kazhani: Jo jeshilja në fletë, jeshilja që shkon në natyrë…
Anila Sulstarova: Sigurisht që kontakti me natyrën është shumë i mirë. Por terapia më e mirë për njeriun është të njohë dhe të kuptojë veten. Pastaj me psikologë, me psikiatër sigurisht që unë do rekomnadoja psikoterapi në këtë rast se ka kuptim, ka përvoja, ka psikoterapistë që janë të fokusuar për ankthin. Ndonëse më duhet të sqaroj edhe një gjë për ankthin. Ankthi është vetëm maja e ajsbergut dhe njerëzit merren kryesisht me ankthin. Ndodh që edhe në auditore ta them që ndonjëherë ata që kanë antkh janë me fat, sepse trupi i tyre është aq i ndershëm sa jep sinjale që unë nuk jam mirë, unë kam nevojë për ndihmë. Ankthi është si një sistem alarmi që sa herë që futet një “i huaj”, ndizet. Një mendim i papërshtatshëm, një situatë e papërshtatshme, një gjë që duhet punuar.
Mira Kazhani: Vigjilencë e trupit
Anila Sulstarova: Është një vigjilencë. Do të thotë që puno! Kam diçka që kam nevoja ta punosh. Prandaj është ndonjëherë dhuratë. Sigurisht që rrënjët e ankthit janë në fëmijëri. Ka njerëz që pavarësisht traumave që kanë pasur gjatë fëmijërisë, jetojnë të qetë sepse mund të ndodhë që gjatë jetës mund të mos kenë pasur asnjë situatë që t`ju ketë ngacmuar plagët e fëmijërisë. Sikundër ka njerëz që një situatë fare banale iu ngacmon një pasiguri ekstreme dhe aty kërkojnë ndihmë. Ka shumë mënyra sesi njeriu mund të punojë për të luftuar ankthin. Mua nuk më pëlqen fjala luftë, sepse nuk mund ta luftosh ankthin. Ankthin duhet ta kuptosh. Në momentin që e kupton, atëherë vjen një lloj pranimi dhe ankthi nuk është armiku i njerëzve.
Mira Kazhani: E the bukur! Nuk është vetëm ankthi. Madje ata që janë me ankth duhet të jenë në një kuptim me fat, sepse reagojnë ndaj një problemi. Ka shumë çrregullime që janë të ndryshme. Ne i themi bipolare, narcistike janë çrregullime të ndryshme që i njeh më mirë ti, që janë tek njerëzit dhe që nuk duken. Nuk është se kanë atë pamjen e depresionit apo të ankthit. Po janë ndoshta edhe më të rrezikshme. A mund t`i përmendësh disa çrregullime të personaliteteve?
Anila Sulstarova: Nuk do thosha më të rrezikshme.
Mira Kazhani: Për mua…
Anila Sulstarova: Ideja është se askush nga afër nuk është normal. Ne të gjithë jetojmë me plagët tonë, me problemet tona dhe ndoshta edhe me çrregullimet tona që nuk janë të dukshme. Mua më vjen keq që ka shumë njerëz që vuajnë, pavarësisht llojit të çrregullimit që kanë dhe mësojnë të jetojnë me vuajtjen dhe jo të shërohen. Dhimbja e tyre më duket më e padurueshme dhe si profesioniste më dhemb kur shoh sa shumë vuajnë. Ka njerëz që e kanë shumë të qartë çrregullimin e tyre çfarëdo të jetë ai dhe janë mësuar të jetojnë me atë. Nuk është se e pranojnë, por nuk është që e luftojnë. Nuk do thosha ka çrregullime me të këqija. Varet sesa vuan njeriu. Nëse njeriu vuan shumë, sigurisht që duhet të kërkojë ndihmë. Ky është një nga problemet që gjatë fëmijërisë, kur ne marrim këto mesazhet e gabuara që na duan, por na duan me kushte, na duan nëse sillemi në një formë të caktuar, nëse nuk bëjmë gabime, njeriu mëson që dhimbjen e vetë të mos ta shprehë. Ka frikë ta shprehë se një nga stigmat që është këtu është se dhimbja, sëmundjet psikologjike dhe mendore janë për njerëzit e dobët. Ndërkohë që ata që kanë kurajë të vuajnë, ta lejojnë dhimbjen, për mua janë njerëz të fortë. Më problem janë ata që nuk duan ta pranojnë që po vuajnë. Nuk duan ta pranojnë që kanë dhimbje dhe që janë të fortë mjaftueshëm për ta përballuar gjithçka në jetë. Të gjithë i përballojmë gjërat në jetë.
Mira Kazhani: Në fund fare të gjithë! Në një mënyrë apo në një tjetër.
Anila Sulstarova: Edhe një fëmijë që qan dhe nëna nuk i përgjigjet dhe e zë gjumi nga e qara edhe nga uria e përballon në njëfarë mënyre. Cili është suksesi i këtij përballimi të fortë që nuk ka nevojë për njeri?
Mira Kazhani: Ka njeriu në strukturën e tij edhe përballjen? Jemi të gjithë të pajisur edhe me dobësinë, por edhe me forcën për t`u adaptuar, për t`u përballur me një problem, për t`u shëruar? I kemi të gjitha brenda?
Anila Sulstarova: Për të pasur i kemi. Çështja është cila është më aktive. Është ajo “lufto ose ik”. Ose ngri! Cili është reagimi natyral që u vjen njerëzve. Kjo është e ndryshme. Për shembull, në tërmet kemi përvoja të ndryshme; njerëz që janë çuar dhe kanë vrapuar, njerëz që kanë ngrirë dhe iu është dashur që t`i tërheqin të tjerët dhe njerëz që nuk kanë ngrirë, thjesht kanë filluar të qajnë dhe të tremben pafund.
Mira Kazhani: Ju çfarë bëtë?
Anila Sulstarova: Të parën. Këto janë format organike dhe secili nga ne i ka të ndryshme. Nuk do të thotë që dikush që ka luftën është më i fortë se ai që ngrin. Se e gjitha kjo ndikohet nga dhimbjet tona të së shkuarës. Si na kanë mësuar të luftojmë? Na ka mësuar të luftojmë dhe të këmbëngulim që t`i arrijmë gjërat. Na kanë mësuar që sa herë që fillojmë të qajmë për të kërkuar ndihmë, jemi fyer, lënduar dhe kemi mësuar që t`i ngrijmë emocionet tona. Kemi mësuar që thjesht t`i arrijmë gjërat duke qarë, duke qarë, duke qarë.
Mira Kazhani: Mua kjo nuk më pëlqen.
Anila Sulstarova: Është një formë reagimi. Është një formë e mësuar. Megjithatë diçka tjetër për ankthin. Ankthi ka edhe një faktor genetik.
Mira Kazhani: Është i trashëgueshëm?
Anila Sulstarova: Ka një faktor të rëndësishëm genetik, i cili kur kombinohet me faktorët në të cilët rritet fëmija… Pra një fëmijë që rritet nga një prind ankthioz, që çohet të bëjë punët, se duhet të vërë ditën para, të gatuajë, të jetë e rregullt për komshijet, të jetë e zonja në punë… Një nënë kaq ankthioze e mëson fëmijën përmes modelit. Se fëmijët nuk mësojnë përmes librave. Fëmijët mësojnë përmes vëzhgimeve.
Mira Kazhani: Përmes forcës së shembullit, asaj që shohin.
Anila Sulstarova: Po, vëzhgimeve. Për prindërit, vëzhguesit më të mirë janë prindërit e tyre. Fëmijët i njohin prindërit më mirë seç ndoshta vetë prindërit njohin veten. Janë aq analizues, aq reflektues për prindin. Prindi nuk e di sesa kohë i kushton fëmija i vet analizës së prindit për ta kuptuar.
Mira Kazhani: Përveç familjes, miqtë, njerëzit, shoqëria, ata që takojmë gjatë rrugës, sa e kanë në dorë jetën tonë sentimentale, shëndetin tonë mendor?
Anila Sulstarova: Sa e lejon ti Mira. Është e gjitha sa e lejon ti. Ne sigurisht jemi krijesa sociale. Ne kemi nevojë për tjetrin, por kam nevojë të jetoj me njerëz, të ndërveproj me njerëz, por pa humbur veten. Nëse ky ndërveprim kushton veten, që unë nuk jam më një vete, por jam thjesht pjesë e turmës, mendoj si turma, jetoj si turma, për turmën…
Mira Kazhani: Do të thoja që e kam pasur deri vonë. Ndoshta ende herë pas here të vështirë të them Jo. A mësohet të thuash Jo?
Anila Sulstarova: Patjetër që mësohet. Varet se kë vë ti prioritet. Vë veten tënde apo vë tjetrin? Se këtu sërish dalim; jetoj për tjetrin, që tjetri të më pranojë, që tjetri të mos vuajë, që tjetri të mos më shajë apo jetoj për veten me kushtin që tjetri mund të mos jetë i kënaqur me mua dhe është ok, le të mos jetë i kënaqur. Sërish, në fund të ditës, në fund të jetës, pyetjes “Ke ndonjë pishman në jetë” si do t`i përgjigjesh?
Mira Kazhani: Patjetër që kam!
Anila Sulstarova: Patjetër që ke. Po përgjigja është se “unë nuk kam jetuar” apo “unë kam gabuar”? Cila është përgjigja që do donin njerëzit? “Unë nuk kam jetuar” për mua është shumë e rëndë vs “unë kam gabuar”.
Mira Kazhani: Jam tek “unë kam gabuar” nëse do më pyeste psikologia.
Anila Sulstarova: Ke akoma kohë para.
Mira Kazhani: S`i dihet, por po, është e vërtetë. Duhet të jetojmë! Raportet me veten janë më të komplikuara. Se ne flasim për të tjerët sigurisht që familja, nëna, babai, vëllai, motra, fëmijëria, miqtë që takojmë në jetë, dashuritë që provojmë, në fund jemi ne kryefjala. Jemi ne heroi i jetës tonë. Kur unë të ftova në podcast dhe ti ke hezituar shumë, sepse nuk je shumë njeri që e ke qejf jetën publike. Të pëlqen të jetosh mes auditorit dhe terapive, punës tënde, ka ndonjë problem – të pyeta – që pse nuk po vjen tek unë, se të kam ftuar disa herë? Dhe Anila Sulstarova m`u përgjigj: Veten Mira kemi të gjithë problem. Edhe një psikologe e ka veten problem?
Anila Sulstarova: Po kjo është një arsye pse një psikologe, një terapiste bën punën që bën.
Mira Kazhani: Ke pasur një arsye personale që je bërë psikologe?
Anila Sulstarova: Kur e zgjodha degën nuk është se isha aq e sigurt pse po studioja, por thelbi ky është: Të njoh dhe të kuptoj veten edhe tjetrin.
Mira Kazhani: Ti thua, duhet të mendojmë për veten…
Anila Sulstarova: Se duket kështu si narciziste që duhet të mendojmë për veten.
Mira Kazhani: (Do ta sqarojmë) Duhet të mendojmë për veten, duket të mësojmë të themi Jo, qoftë edhe prindërve tanë.
Anila Sulstarova: Patjetër!
Mira Kazhani: Pra duhet t`u vëmë limite në jetë të gjithëve në mënyrë që të kemi një jetë të shëndetshme. Nga ana tjetër, dikush si puna ime mund të thotë: Ok, por mos ndoshta jeta nuk është vetëm ajo ora e terapisë me psikologun, por në jetë duhet të jemi edhe tolerantë. Duhet të pranojmë edhe disa të meta tek njerëzit tanë, sepse nëse do t`i futim të gjithë në atë filtrin perfekt, do mbeteshim vetëm ndoshta.
Anila Sulstarova: Nuk kisha parasysh asnjë filtër perfekt, por në momentin që individi është i ndershëm me veten e vet, çfarë ka nevojë dhe si ka nevojë t`i plotësohet. Ka mendësinë të pranojë shumë më hapur tjetrin, megjithë defektet. Një njeri që nuk lexon nevojat e veta, por funksionon vetëm që të plotësojë pritshmëritë e tjetrit, është më i ngurtë për të pranuar tjetrin, sepse ai thotë, për sa kohë unë sakrifikoj kaq shumë për ty, pse ti duhet të ekspozosh gabimin tënd? Shtype, siç e shtyp edhe unë. Kështu që nuk bëhet fjalë për njeriun që jeton vetëm brenda kufijve të vet. Bëhet fjalë pikërisht për të kundërtën, për një njeri që i ka kufijtë fleksibël. Këto janë nevojat e mia, këto janë hapësirat e mia dhe unë jam i gatshëm të të lejoj të hysh apo të dalësh në varësi të nevojave të mia dhe të nevojave të tua. E rëndësishme është që unë të mos jem i detyruar që të lejoj ty të hysh në hapësirën time, thjesht sepse unë kam frikë se nëse s`të lejoj, ti lëndohesh, nëse ti lëndohesh, unë do kem ndjenja faji dhe nëse ti lëndohesh edhe më shumë, mjedisi rreth nesh do na gjykojë dhe unë mund të ndjej edhe turp. Kështu që mos të ndjej faj, turp dhe frikë se të tjerët do më braktisin, atëherë unë të lejoj që të hysh. Kjo është e pashëndetshme. Ne jemi qenie sociale. Ne kemi nevojë për tjetrin. Ne rritemi përmes tjetrit. Ne kuptojmë veten përmes tjetrit. Diferenca është: Unë jetoj dhe dua të jetoj me ty vs Unë jetoj për ty. Është një bashkëjetesë. Ankthi gjeneron nga fakti që unë nuk tentoj të plotësoj nevojat e mia sipas asaj që unë ndjej, por tentoj të shmang frikën se nuk do më duash, duke u sjellë siç ti do dhe duke bërë gjërat që ti do, pa e dëgjuar unë atë që kam nevojë të bëj.
Mira Kazhani: Ishte një fizikant, një shkencëtar në një podcast. E kam parë diku në Instagram me ato videot e shkurtra dhe i përgjigjej pyetjes “Po ta nisje jetën nga fillimi, çfarë do bëje” dhe thoshte: Do kisha studiuar edhe punuar më pak dhe do kisha jetuar më shumë.
Anila Sulstarova: Po. Njerëzit që punojnë shumë, duke harruar të jetojnë, kur takojnë vdekjen me siguri këtë pishman kanë, nuk kanë jetuar.
Mira Kazhani: Njerëzit që nuk punojnë, nuk përpiqen, por i fusin një mendje të lehtë?
Anila Sulstarova: Nuk e di a i fusin një mendje të lehtë. Duket sikur i fusin një mendje të lehtë, si përkundër edhe këta që punojnë shumë duket sikur janë të vetëkënaqur, por në fakt janë aq të vetmuar thellë, ndërsa njerëzit që i fusin një mendje të lehtë, nuk besoj që ka mendje të lehtë, por mendoj që janë njerëz që kanë frikë nga dështimi. Kështu që parapëlqejnë që të pozicionohen vetë si të dështuar që në fillim, si të pafuqishëm, si vulnerabël që të kenë këtë lloj vëmendjeje.
Mira Kazhani: Më pranoni kështu!
Anila Sulstarova: Më pranoni kështu!
Mira Kazhani: Mendja është mister i madh.
Anila Sulstarova: Truri është mister i madh. Mendja është tjetër gjë.
Mira Kazhani: Ku dallon truri me mendjen?
Anila Sulstarova: Truri është organ i vendosur brenda kafkës, ndërsa mendja është më abstrakte. Po truri është organ si veshka, si mëlçia. Ne nuk jemi përgjegjës. Se shpesh njerëzit që vuajnë nga ankthi dhe ndonjëherë janë ilaçet që i ndihmojnë, mendojnë se kjo është shenjë dobësie. Nuk është, sepse edhe njerëzit që vuajnë nga depresioni mund ta kenë edhe genetike për shkak të traumave apo kontekstit që janë rritur gjatë fëmijërisë. Truri është një organ dhe ne nuk e dimë si funksionon ai dhe nuk jemi përgjegjës për të. Siç nuk e dimë se çfarë po ndodh me veshkën tonë në këto momente. Ka çrregullime që vijnë prej organit dhe prej mendjes. Mendja është mënyra si ne e shikojmë realitetin, përpunojmë emocionet, kujtojmë gjërat po e gjitha kjo mendja që është abstrakte nuk do funksiononte nëse truri nuk do funksiononte po ashtu i tëri dhe i plotë megjithë ato qoshet e veta ku përpunohen informacionet. Psikoterapia kryesisht merret me mendjen, me kujtesën, me historinë personale të njeriut, me mënyrën sesi njeriu i përjeton, i vuan apo i shijon ca gjëra.
Mira Kazhani: Si i magazinojmë disa kujtime dhe si i fshijmë disa të tjera, si i harrojmë?
Anila Sulstarova: Nuk besoj që ka një harresë në kuptimin e parë të fjalës. Mendja dhe truri në bashkëpunim me njëri-tjetrin vendosin të nxjerrin ca gjëra në sipërfaqe. Kjo në varësi të situatave. Se më pëlqen të përdor këtë krahasim: Njeriu është si puna e një deti. Secili nga ne është det më vete. Ka gjëra që i shohim në sipërfaqe, pluskojnë në sipërfaqe, por asnjëherë nuk e dimë se çfarë ka në fund të detit.
Mira Kazhani: Mund të ketë anije të mbytura atje…
Anila Sulstarova: Mund të ketë kohë të keqe dhe varet edhe nga faktorë të jashtëm sesi ndikojnë tek ky deti ynë për të nxjerrë nga fundi i detit gjëra që ne i kemi harruar. Ama kur dalin në sipërfaqe çuditërisht kujtohen. Në këtë pikë nuk ka harresë. Sigurisht që ekziston, por me pak punë ne i kujtojmë ca gjëra atëherë kur ne jemi gati t`i kujtojmë. Ka një arsye pse kjo harresa ekziston. Se unë nuk jam gati të përballem me një kujtim të caktuar, me një dhimbje që më ka shkaktuar dikur kjo plagë që kam marrë.
Mira Kazhani: Këtë një Zot e di se çfarë e shkakton dhe organizon kështu.
Anila Sulstarova: Këtë harresë apo këtë rizgjim të plagës?
Mira Kazhani: Të dyja bashkë. Këtë lloj procedure.
Anila Sulstarova: Harresa është një lloj mekanizmi mbrojtës. Unë mbroj veten time nga dhimbja dhe nuk dua ta kujtoj si ngjarje. Ndërsa kujtesa ka njëmijë faktorë. Ose unë jam gati dhe kam punuar mjaftueshëm, ose ka një ngjarje nga jashtë që e ka nxjerrë në sipërfaqe atë anijen e mbytur, atë Titanikun e mbytur.
Mira Kazhani: Si është mendja jote në këto momente që flasim në këtë intervistë?
Anila Sulstarova: E qetë.
Mira Kazhani: Si duhet të jetë e imja? (qesh)
Anila Sulstarova: Besoj e qetë.
Mira Kazhani: Kurioze të mos harroj asnjë nga pyetjet që dua të t`i bëj.
Anila Sulstarova: Si është në fakt mendja jote tani?
Mira Kazhani: E motivuar, mirë.
Anila Sulstarova: Ka një ndikim të dritës, të diellit, të kushteve…
Anila Sulstarova: Ne jemi pjesë e natyrës. Ne jemi pjesë e një ekosistemi shumë të madh. Jemi pjesë e kësaj natyre. Drita, dielli, deti, gjelbërimi kanë një ndikim shumë pozitiv. Në ADN-në tonë kemi këtë memorje. Ne jemi pjesë e natyrës. Nëse do të dënosh dikë, siç ndodh janë burgjet. Ti e kufizon nga kontakti me natyrën. Kështu që po, natyra është jashtëzakonisht e rëndësishme. Njeriu ka nevojë për natyrën.
Mira Kazhani: Çfarë i bën mendjes suksesi?
Anila Sulstarova: Varet sërish. Nëse unë suksesin e kam që të më duartrokasësh ti, më motivon shumë që të vazhdoj të përpiqem të të kënaq ty. Nëse suksesi është i imi dhe e jetoj unë vetë pavarësisht se ti s`më duartroket, them “it`s ok”, unë jam e motivuar në mënyrë më permanente, më të përditshme, më të shëndetshme të vazhdoj të rritem. Pra është shumë e rëndësishme për kë dua të vazhdoj të kem sukses. Për kë po jetoj? Dua të kem sukses që të tjerët të më duan, të më pëlqejnë, se vështirë të të duan, nuk para të duan, të pëlqejnë. Të tjerët të më pëlqejnë apo dua të kem sukses që unë të kënaqem me veten time dhe që në darkë të jem e kënaqur me atë që kam bërë sot.
Mira Kazhani: Ku dallon “të duash” me “të pëlqesh”?
Anila Sulstarova: Ka sjellje të caktuara që ne nuk na pëlqejnë edhe kur i bëjnë njerëzit tanë të dashur dhe është ok. Shpeshherë, për fat të keq ngatërrohet që meqë unë s`po pëlqej një sjellje tënde të caktuar, duket sikur unë nuk të dua për shkak të kësaj sjelljeje që ti ke bërë. Po në shoqërinë tonë, për shkak të gjuhës, për shkak të njëmijë gjërave, ne ndëshkojmë në dashuri. Shpeshherë dëgjon prindërit duke u thënë fëmijëve që nuk të kam xhan, nëse ai qan në publik. Nuk të kam xhan, nëse ti bën këtë gjë. Ky ndëshkim në dashuri është i gabuar dhe pjesë e filizave, çrregullimeve apo patologjive të gjithsecilit nga ne janë pikërisht këto kërcënimet në dashuri. Kështu që po, ne jemi njerëz që gabojmë dhe kjo është ok. Dhe që ti mund të bësh një sjellje që mua nuk më pëlqen, madje edhe mund të më lëndojë, mund të them që kjo sjellje e jotja mua vërtet më lëndoi. Kjo nuk do të thotë që ti je njeri i keq. Kjo nuk do të thotë që unë nuk të kam xhan. Për fat të keq ne e lidhim sjelljen me njeriun. Kemi shprehjen e tmerrshme: Të të vijë turp nga vetja! Mund të kem bërë një veprim që nuk është ok, që mund të kem lënduar njerëz dhe po, do doja të ma thoshin që kjo gjëja që the apo që bëre është fyese, është lënduese, unë nuk ndihem mirë me këtë. Po “të të vijë turp nga vetja” është sikur gjithë qenia ime është e papërshtatshme dhe kjo është një nga shprehjet që e dëgjojmë shumë shpesh që fëmijë. Tani si të rritur ne e kemi aparatin për të kuptuar që ok, mund të themi diçka në nxitim apo në nervozizëm e sipër, mund të bëjmë diferencën që familjari, kolegia nuk e kishin seriozisht atë që thanë, ishin thjesht të lënduar, por e kemi tani si të rritur. Një fëmijë nuk e ka këtë aparat kaq të zhvilluar sa të bëjë diferencën që babi ma tha këtë mua, por ma tha se është me nerva, jo se vërtet ai nuk më do.
Mira Kazhani: A themi në nerva të vërtetën tonë?
Anila Sulstarova: Jo gjithmonë.
Mira Kazhani: S`është e thënë.
Anila Sulstarova: Zemërimi ynë nuk është gjithmonë aq i ndershëm sa mendojmë. Zemërimi ynë është hakmarrës gjithashtu dhe unë e di sesi mund të të lëndoj ty, por kjo s`do të thotë që unë jam e ndershme në këtë.
Mira Kazhani: Ka një këshillë që nuk do ta jepje kurrë, që nuk jepet?
Anila Sulstarova: Këshilla e vetme që nuk do e jepja kurrë, është që mos dëgjo veten! Domethënë këshilla është “Dëgjo veten”!
Mira Kazhani: Të duash veten ka ndonjë teknikë? Ka ndonjë mënyrë që dikush ta shpjegon? Se njerëzit duan ta duan veten, por mund ta duan në mënyrën e gabuar dhe mund t`i thonë që në emër të dashurisë për veten po bëj kaq shumë për këtë tjetrin, edhe po harroj veten.
Anila Sulstarova: Jo nuk ka një mënyrë edhe as një teknikë të caktuar, as një shkollë të caktuar. Është një raport i gjatë që njeriu ka me veten.
Mira Kazhani: Që kur lind.
Anila Sulstarova: Që kur bëhet i zoti për të kontrolluar veten, mendimet, sjelljet. Se deri në ato momente janë të tjerët që të mësojnë dhe ti mëson vetëm përmes modeleve që shikon dhe përpiqesh të përshtatesh. Kur njeriu fiton një lloj vetëdije për atë që është dhe dëshiron të jetë, këtu fillon përpjekja. Shkolla e njohjes së vetes, pranimit të vetes. Edhe vetja është e ndryshme. Nuk është se arrihet një stad maturie dhe aq është. Ne jemi njerëz që rritemi, lëndohemi.
Mira Kazhani: Vetja na surprizon ndonjëherë, të gjithëve. Kemi gjëra të reja.
Anila Sulstarova: Sa kohë jetojmë, aq më shumë e njohim veten. Nuk jemi qenie të ngurta. Rritemi, zhvillohemi, plakemi, zbukurohemi. Vetja është shumëdimensionale dhe është një proces i vazhdueshëm për ta njohur, për ta kuptuar veten, për ta pranuar veten dhe kjo është pjesa më e vështirë dhe pastaj një vete e kuptuar dhe e pranuar është një vete e dashur dhe është gati të ndërveprojë me tjetrin, pa e lënduar tjetrin.
Mira Kazhani: Faleminderit shumë Anila Sulstarova!
Anila Sulstarova: Të lutem!
*Podcasti “Zë me Mirën” u mbështet nga Vodafone, ABI Bank, Lajthiza, UBA, Eurosig dhe Universiteti Metropolitan
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore