Mërgim Cahani, ose Jeff Bezos-i shqiptar

Në këtë episod kam folur me një 44-vjeçar që e ka parashikuar jetën e tij që 9 vjeç para kompjuterit. Një dhunti që ai nuk e shpjegon si diçka nga qielli, por preferon ta lidhë me neuronet e njeriut. Mërgim Cahani është krijuesi i Gjirafës, jo gjitarit por një kompanie shqiptare që i ngjan Amazon-it të Jeff Bezos.
Ai la ëndrrën amerikane, që e tija ishte puna si pedagog në NYC, krijues app-esh, makinën 100 mijë euro, shtëpinë e bukur dhe u kthye në Prishtinë në vitin 2013.

Dy javë iu deshën për të kuptuar se donte të bënte diçka të paparë në Ballkan dhe sot ia ka dalë. Kur askush nuk besonte këndejpari tek ekonomia e internetit, tek blerjet online, ai besoi. Sigurisht ishte gjeniu 9-vjeçar i rritur që e bën atë më të ngjashëm me personazhet e kohës sot, Steve Jobs, Bill Gates, Jeff Bezos apo Elon Musk. Këtë të fundit duket ai e admiron dhe të kuptohemi nuk pretendon që është ndonjëri prej tyre, por njëri nga ne që po ecën në gjurmët e tyre.

Në këtë episod fola për të ardhmen dhe jam shumë më e qetë e nuk kam frikë se një botë më e koklavitur na pret. Përkundrazi, do jetojmë më mirë e do punojmë më pak.

E di që ju pëlqen të gjithëve kjo e fundit, por më mirë dëgjoni Mërgimin në ZëmeMirën Podcast.

Podcasti i transkriptuar:

Mira Kazhani: Mërgim Cahanin kam dashur që ta takoj prej shumë kohësh, por ai gjithmonë o ishte në një cep të botës, ose ishte në telefonatë. Për mua është një Jeff Bezos i Shqipërisë, por është shumë më simpatik, se është djali ynë, është djalë i Kosovës. Kështu e kam parë Gjirafën, si Amazon e Ballkanit.

Mërgim Cahani: Shumë faleminderit Mira, mirë se ke ardhur dhe faleminderit që ke gjetur kohën të bisedosh me neve. Të kërkoj ndjesë që na ka zgjatur pak kohë derisa jemi takuar, por po më bëhet qejfi që jemi këtu bashkë dhe shumë faleminderit për fjalët e mira. Jeff Bezos dhe Amazon janë shumë përpara. Ne marrim më shumë motiv nga ata sesa të mendojmë të bëhemi ata. Se në fund të ditës edhe tregjet tona, Kosova, Shqipëria, i kanë edhe kërkesat, nevojat të ndryshme, kulturë tjetër. Po e kemi si motiv, si ideal edhe Amazon, edhe Jeff Bezos, edhe zhvillimet dhe inovacionet që ndodhin në SHBA.

Mira Kazhani: Ti e ke emrin Mërgim. Unë edhe ti duhet të jemi shumë afër me vite. I takon një Kosove ku emrat ishin me një lloj kuptimi. Ike nga Kosova dhe emri nuk të korrespondon shumë me atë që ke bërë në jetë në fakt. Ike në Amerikë. Ishe student. Ke gjetur një punë të mirë atje. Të gjitha këto i kam lexuar në Google. Ti më korrigjo (qesh) Dhe ke vendosur që të kthehesh në Prishtinë. Pra në një moment ku mund të të shndërriste fati shumë mirë atje. Pate nje ide apo u ktheve për pushime dhe gjithçka ndodhi rastësisht më pas?

Mërgim Cahani: Momenti kur ka ndodhur vendimi, ka zgjatur 2 javë për t`u kthyer. Po derisa ka ardhur puna të merrja atë vendim, mora informacionet e duhura, përgatitjet e duhura. Si ato psikologjike, si ato praktike, ka zgjatur një kohë. Unë shkova në SHBA për të përfunduar studimet e mia. Kam përfunduar vetëm shkollën e mesme në Kosovë dhe filloren dhe pastaj shkova në New York për të përfunduar Fakultetin dhe masterat. Kisha shkuar me një qëllim që të arrija diçka nga sistemi arsimor, edukativ i Amerikës, në mënyrë që të përgatitem më mirë për çfarë do të bëj në të ardhmen. Që fëmijië kam pasur kompjuter edhe në Kosovë. Teknologjia dhe inovacioni kanë qenë të limituara tek ne. Kështu që pasi përfundova studimet, pasi kalova 12 vite në New York, i pashë mundësitë që të ofron New York. Punova në disa prej kompanive më të mëdha në botë atje. Kam dhënë edhe mësim në universitet për dy vite e gjysmë në New York. I pashë mundësitë që t`i ofron Amerika. Unë shpesh e them, pasi u arrit “The American dream”, që njihet si e hënë – e premte, 9 – 5, fundjava pushim. Me një shtëpi dhe një veturë, një jetë të mirë, “American dream”, pashë që nuk është krejt stabiliteti financiar dhe ekonomik. Në jetë ka dhe mundësi të tjera.

Mira Kazhani: Nuk është ajo ëndrra jote.

Mërgim Cahani: Ajo ishte lidhja apo motivi ideologjik i imi. Pastaj nga aspekti praktik, unë vij nga një vend që shpesh neglizhohet prej krejt Europës në shumë perspektiva, por sidomos në perspektivën ekonomike. Këtu ku unë jam i fokusuar, nuk po flasim për gjëra të tjera… Përgatitja ime profesionale atje, pasioni im për teknologji, edhe mundësitë e tregut që ishin në Kosovës, Shqipëri, Maqedoni dhe në Ballkan në përgjithësi, ishte një perfect match. Se unë isha i ekspozuar në New York në inovacione më të larta të asaj kohe, vija të vizitoja familjen dhe të shkoja në bregdet në Shqipëri dhe shikoja dallimet. Edhe sot i shohim ato dallime. Janë më të ulëta, por prapë i shohim. Automatikisht e vërejta që kisha mundësi të bëja diçka. Një ditë vendosa të largoja pensionet e mia dhe i shita të gjitha asetet që kisha, përveç librave. Librat i mora me vete, edhe u ktheva brenda dy javëve në Kosovë.

Mira Kazhani: Unë kam shumë pyetje për Gjirafën, por ka diskutim edhe për punën e librave. Ok, librat të ndihmojnë. Po deri ku të çojnë librat dhe ku është pastaj një faktor X që duhet ta kesh dhe çfarë kërkon kjo kohë më së shumti? Nëse një i ri dëgjon. Do dojë të bëjë diçka, një app apo një sipërmarrje, gjithmonë në kushtet e e-commerse-it në atë që po ndodh tani në botë…

Mërgim Cahani: Është pyetje e vështirë. Po Steve Jobs e ka thënë këtë më së mirë dhe është shumë e vështirë të thuash diçka më të fortë se ajo që ka thënë Steve Jobs.

Mira Kazhani: Nuk i dihet asnjëherë. Mund ta thuash edhe më mirë.

Mërgim Cahani: Po mundet e vërtetë. Po e citoj Steve Jobs, pastaj po jap një koment timin. Steve Jobs thotë: Nuk mundet t`i lidhësh pikat duke parë përpara. Mund t`i lidhësh pikat vetëm duke parë nga e kaluara. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë si e kupton që një vendim apo një rrugëtim që merr është i duhuri për të ecur përpara? Nuk e di, por duhet ta besosh. Duhet ta besosh që atë rrugë që po e merr, në fakt është rruga e duhur. E vetmja mënyrë që mund ta ndjekësh diçka përpara, është vetëm ke pasion për atë punë. E vetmja mënyrë që të kesh pasion për diçka është nëse e do. Kështu që përgjigjja është harroji krejt. Nëse e do atë që e bën, vazhdoje atë rrugëtim, se aty lidhen punët.

Mira Kazhani: Mund ta duash shumë një gjë, por ndoshta nuk di ta duash. Cilat janë disa të dhëna që duhet t`i ketë dashuria për diçka? Se dashuria duhet të përfshijë sakrificën, vetëmohimin, rrezikun. Të mendosh që gjithçka mund të dështojë. Ti mund të falimentosh dhe mund të mos ia dalësh. Të punosh shumë. Nuk e di.

Mërgim Cahani: Këtu mund të dalim edhe tek definimi i dashurisë, për profesionin apo diçka tjetër. Ajo që po mendoj janë më shumë ndoshta tiparet, cilësitë, njëra prej tyre është fiksimi për diçka. Fiksim marramendës për diçka. Kokëfortësia apo këmbëngulja për diçka. Po duhet me pas edhe disiplinën, sakrificën e atij niveli që e bën vetëm për dashuri. Se mund të kesh disiplinën 9 deri në 5. Të rri i përpiktë në punë, të dalë në pauzë më pak se 60 minuta. T`i bëj të gjitha punët mirë. Për dikë është disiplinë. Për dikë disiplinë është të punosh 12 orë në ditë, 7 ditë të javës. Elon Musk thotë: Unë nëse punoj 50% më shumë se të tjerët, nëse dikush punon 40 orë, unë punoj 80 orë. Atë që ata e bëjnë për një vit, unë e bëj për 6 muaj. Është matematikë e thjeshtë. Disiplina, përkushtimi, persistenca janë tiparet e duhura. Dashuria e sinqertë. Po duhet të dish e do apo s`e do atë gjë. Kjo është çështja.

Mira Kazhani: Ta mëson vetja. Ta mëson përvoja, eksperienca ndoshta.

Mërgim Cahani: Do thoja që fillon me një crush për profesionin. Pastaj duke pasur pak sukses e pak sfida të jep një feedback loop jeta që ta rrit crush-in në diçka më tepër dhe fillon e rritet. Duke të dhënë një indikacion që ke sukses apo nëse shikohet nga aspekti biologjik, një çlirim të dopaminës, serotoninës, pastaj rrit edhe dashurinë, pasionin dhe të nxit që nëse ke qenë i përkushtuar 70 orë, punon 72, sepse shpërblimi është më i madh. Është si flluska e dëborës vjen duke u rritur, ekziston ai feedback loop. Po për të filluar duhet pasur një ndjenjë. Ndoshta kjo vjen edhe prej fëmijërisë. E imja ka nisur me kompjuterin e parë kur kam qenë 9 vjeç. Prej asaj kohe unë jam ekspozuar në diçka që mundesh. Një 10 vjeçar të shkruajë një kod, i cili numëron nga numri 1 në numrin 1 milion… Ky ka qenë feedback loop-i i parë i imi kur ka filluar. Ka filluar pastaj të rritet për të treguar që është e mundur. Si konkluzion do thoja duhet filluar nga një dashuri që nuk është shumë e madhe, por që të jep një loop që vazhdon e sofistikon edhe më tepër. Vjen duke u rritur dhe bëhet aq e madhe, aq me impakt, sa besoj që ka edhe impakt…

Mira Kazhani: Nga një kompjuter, bëhet një gjirafë e madhe.

Mërgim Cahani: Prapë kthehem tek Steve Jobs. Ndiq zemrën!

Mira Kazhani: Duhet vënë zemra kudo në fakt. Nuk ka gjë pa zemër. Edhe pse profesor Harari thotë… E lexoj gjithmonë, e kam për zemër profesorin e Historisë. Ai nuk është se i di gjithë gjërat tuaja, por flet bukur për zbulimet e IT dhe inxhinierëve të cilët në fakt po na përcaktojnë jetën në njëfarë forme. Ai thotë të gjitha algoritmet, do të shpiken. Do të arrijnë të formojnë edhe zërin e Beyonce, por asnjëherë dashurinë. Mendon që mund ta ketë ndoshta edhe gabim? Shpresoj që mos të zbulohet edhe dashuria. Mos të krijohet dhe dashuria nga Inteligjenca Artificiale.

Mërgim Cahani: E kam problem të kundërshtoj Hararin se është legjendë ekzistuese. Shpesh kur kemi lexuar për Aristotelin, Sokratin, Platonin, kemi menduar: O kanë jetuar ata njëherë e një kohë. Sot Harari është njëri prej tyre që jeton në mesin tonë. Kështu që është problem t`i kundërshtoj mendimet e tij sa i përket të ardhmes, njerëzimit, homosapiensit, mirëpo opinion im është pak më ndryshe prej atij. Nuk do të thotë që është i saktë apo jo, por unë mendoj që Inteligjenca Artificiale ka mundësi të krijojë edhe poezi, edhe art, edhe dashuri. Jo ende, por me kohën. Ti ke studiuar psikologji. Unë kam studiuar shkenca kompjuterike, kështu që unë s`mund ta di perspektivën tënde, por perspektiva ime është krejt këto ndjenja apo motive, feelings që njeriu i ka, nuk janë asgjë tjetër veçse zbërthime kimike të trupit që krijohen prej sistemit nervor. Dopamina, serotonina, endorfina, të gjitha këto krijohen prej trupit, ato janë kimikale që e nxisin një akt. Përderisa ekziston një zbërthim që ne ende s`e kuptojmë mirë, atëherë edhe Inteligjenca Artificiale mundet të njëjtën ta stimulojë. Ashtu siç stimulon mendimin, shkrimin. Në teori unë mendoj që ka kapacitet ta projektojë.

Mira Kazhani: Pse mua më tremb kjo dhe ndoshta mund të ketë si puna ime shumë. Juve të IT-së, juve inxhinierëve kjo nuk iu tremb, përkundrazi, ju kuriozon dhe ju përfshin edhe më shumë në atë crush-in tuaj?

Mërgim Cahani: Na tremb sepse njëra prej teorive të Elon Musk është që ne jetojmë në botë simuluese. Kjo na tremb sepse nëse AI mundet t`i ketë ato që ne kemi, atëherë pyetja që bëhet është: A jemi edhe ne AI dhe nuk e dimë se jemi AI, që është krijuar më herët? Këtë e ka thënë Elon Musk më herët. Kjo na tremb. Na heq atë fuqinë që të kuptojmë se kush jemi ne, por thotë që jemi në botë simuluese.

Mira Kazhani: Kjo është një bisedë që iu intereson shumë njerëzve dhe dukeni sikur ju jeni një hap përpara. Keni disa kode që ne nuk i kemi.

Mërgim Cahani: Ashtu mendojmë, po jo.

Mira Kazhani: Në fakt edhe jeni pak më afër disa informacioneve. Ty si një 44-vjeçar, të tremb që një ditë Inteligjenca Artificiale mund të shkojë aq larg, sa të kontrollojë botën humane, ta kontrollojë njerëzimin? A do ishte mirë që të ishin njerëzit që ta kontrollonin Inteligjencën Artificiale? Deri më tani duket sikur ende janë njerëzit…

Mërgim Cahani: Po kush thotë që edhe sot AI nuk është te? ne Unë dhe ti kemi telefonin afër. Varemi prej telefonit. Është pothuajse gjymtyrë e dytë e jona. E dyta, por më afër trurit. Ndoshta edhe më e vlefshme se gjymtyrë të tjera të cilat i përdorim, por nuk janë në atë nivel. Kështu që AI është këtu, është duke e kontrolluar një pjesë tonën. Çështja është sa sot dhe sa nesër. E dyta, një futurist i të ardhmes tha: Nëse mundemi të jetojmë edhe 5 vitet e ardhshme shëndetshëm, do të jetojmë edhe 500. E parashikon të ardhmen nga aspekti i teknologjisë, por kjo nuk duhet keqkuptuar që do të jetojmë edhe 500 vite në formën si jemi sot. Mund të qëndrojë ndërgjegjja jonë në një formë artificiale edhe 500 vite.

Mira Kazhani: 5 vitet e ardhshme janë testi ynë për 500 vitet e ardhshme.

Mërgim Cahani: Po. Sot një vit AI ka për të qenë më i mençur, më i sofistikuar se njeriu. Çështja është sa kontroll ka sot dhe sa kontroll do ketë në të ardhmen. Kjo nuk më frikëson. Besoj që është mundësi. Mundësi shumë e mirë për neve si njerëzim, si shoqëri ta shfrytëzojmë për një cilësi më të mirë të jetës. Vitet e ardhshme me siguri do të ketë UBI, Universal Basic Income, ku njerëzit nuk do kenë nevojë të punojnë. Do kenë të ardhura të mjaftueshme të jetojnë. Do kenë mundësi e veta të eksplorojnë çfarë duan të eksplorojnë, ku e kanë zemrën dhe pasionin dhe do fillojë të ndërtohet, nëse nuk ndodh diçka në botë, që njerëzimi zakonisht i bën kohë pas kohe. Po besoj që kjo është e ardhmja dhe AI na e mundëson këtë punë.

Mira Kazhani: Do vazhdojë të ketë gazetarë? Do jem unë gazetare pas 20 vitesh? Se mos del ndonjë robote me emrin Mira edhe bën podcaste (qesh)

Mërgim Cahani: Unë besoj që vetëm do na ndihmojë neve. Do na sofistikojë. Kështu që edhe gazetaria apo profesione të tjera nuk besoj që do humbin, por sigurisht çdo profesion do ndryshojë edhe formën e vetë. Sot bisedova me një shok timin, i cili nuk ka programuar për një kohë të gjatë. Domethënë ka harruar edhe si të programojë. Përmes ChatGPT e ka krijuar komplet një start up, pa asnjë programues në punë, krejt duke ia dhënë instruksionet ChatGPT-së se si të krijojë një kod. Ti mundesh sot në Chat GPT nëse kupton logjikën e programimit, t`i japësh instruksionet e duhura, ChatGPT ta jep kodin, ti e ekzekuton dhe krijon një software. Ky shoku im e ka krijuar një software, në start up, pa asnjë programues. Kështu që jo vetëm në gazetari, por edhe programuesit, edhe avokat, edhe mjekë në aspektin e diagnostikimit dhe intervenimeve të ndryshme, shumë profesione do ndryshojnë në 5 apo 10 vitet e ardhshme.

Mira Kazhani: Të shohim çfarë do ndodhë për këto 5 vjet. Nga këto figurat e kohës sot, e pashë përmende Steve Jobs, Elon Musk. Cili është njëri që të entuziazmon dhe të kuriozon më shumë nga të tjerët?

Mërgim Cahani: Elon Musk.

Mira Kazhani: Elon Musk, karizmatik i madh, gjeni.

Mërgim Cahani: Ka edhe ato anët negative, por varet cilën pjesë do njeriu të shikojë. Se gjithkush i ka ato pjesët e veta.

Mira Kazhani: Të gjithë i kemi se s`jemi vetëm engjëj. Të gjithë i kemi anët negative.

Mërgim Cahani: Po kur e sheh Elon Musk që e merr jetën si lodër, në atë aspekt që mundet të ketë ndikim në të ardhmen tonë si njerëzim. Qoftë ajo në Mars, për të krijuar komunitetin atje, për të krijuar mbijetesë atje apo për ta parë jetën në planete të tjera. Se e sheh që planeti ynë me kohën do të shuhet. Mendja e tij mendon në këto nivele që probleme të tjera të vogla, që neve na duken shumë të mëdha, për atë janë si lodra, si playground. Unë besoj që arritja e kapacitetit të njeriut për të krijuar në atë nivel, në fotografi të madhe, për njerëzimin, jo për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, ekonomia e internetit e e-commerce, po diçka të njerëzit unë mendoj që përkundër të metave të tjera që mund të ketë, përkundër mënyrës “fëminore” që i bën në Twitter, unë besoj inspirimi për mua vjen tek ai në mënyrën sesi ai e shikon edhe të ardhmen tonë.

Mira Kazhani: Nëse sheh larg, nëse je në gjendje të bësh një shpikje të madhe, nuk mund të jesh edhe njeri i zakonshëm. Nuk mund të jesh dhe shumë normal. Është e pamundur që të jesh normal, edhe të kesh elementë të gjeniut. Sikur nuk flenë bashkë. Duhet pak i çmendur në jetë. A je ti pak i çmendur?

Mërgim Cahani: Për disa gjëra ndoshta. Për shembull shpesh kur flas me shoqërinë apo me familjen, apo prej shumicës së njerëzve, shikohet puna dhe jeta. Bëhet pyetja si e balancon apo si e shikon jetën private dhe punën. Për mua, i shikoj të dyja që nuk kanë dallim. Është një. Për shembull, nëse ti je këtu për shkak të eventit apo të Prishtinës, jemi në zyrë apo në shtëpi, si e shtunë apo si e diel, nëse e shikon si një… Unë këtë e kam problem edhe ta shpjegoj tek të tjerët, kështu që kjo mund të jetë njëra prej pjesëve që mund ta quaja të çmendura. Pjesë të tjera i kam brenda normales. Po edhe bëhem shumë i fiksuar për diçka që dua ta krijoj. Edhe nëse duket e pamundur. Për shembull, para një viti e gjysmë u takuam me një shok timin që e ka një kompani në Çeki shumë të suksesshme. Ata shesin makina online. Bisedova me ta për të lançuar edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni edhe me të gjithë njerëzit që kam biseduar 99% të njerëzve më kanë thënë, nuk mundet dikush të blejë makinë online pa e parë makinën, pa e prekur. Unë i thashë, e kam dëgjuar këtë histori më herët para se të hapja Gjirafa50, nuk shitet asgjë online në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni. Për arsyen se ne si shqiptarë duam ta prekim produktin para se ta blejmë. Pas një viti e gjysmë, në 19 shkurt të muajit të kaluar, e lançuam produktin dhe jemi 2-fish, 3-fish më shumë se plani. E shitëm një makinë 158 mijë euro online. Blerësi as që e ka parë makinën ndonjëherë.

Mira Kazhani: Duket një lloj komoditeti në fakt blerja online. Edhe pse nuk e ka atë kënaqësinë e blerjes fizike.

Mërgim Cahani: Se jemi mësuar.

Mira Kazhani: Një fustan që e provoj… do doja. Po nëse ke mundësi ta kthesh, komoditet i madh është. Kur të vjen ajo pakoja tek dera. I shoh kushërirat e mia, shoqet që kam në Amerikë. Të gjithë me kutinë e Amazon aty tek dera. Gjithçka, gjithçka. Mund të fitosh kohë. Sidomos në vende që kanë distanca të mëdha.

Mërgim Cahani: Kështu që unë pajtohem me këtë. Kur kam biseduar me njerëzit për makina online, të gjithë thoshin mos fillo, se nuk ecën, të humbin resurset, të humbet kohë.

Mira Kazhani: Po kështu thonë normalët Mërgim.

Mërgim Cahani: E vërtetë! Kjo është pjesa e çmendurisë time, që është fiksimi apo përkushtimi.

Mira Kazhani: Siç thoshte Steve Jobs, jepu njerëzve diçka që nuk e dinë se kanë nevojë.

Mërgim Cahani: Steve Jobs gjithashtu ka thënë se, vetëm ata që s`e dinë sa e vështirë është diçka, e bëjnë atë. Se ta dish sa e vështirë është, nuk e kishin filluar fare.

Mira Kazhani: Francezët seç kanë një shprehje, sa ta mendojë i mençuri, budallai e bëri. Në një kuptim, i çmenduri. Kështu që gjithë bota e ka kuptuar që duhet edhe të kësh pak kurajë e të mos e dish se çfarë të pret.

Mërgim Cahani: E vërtetë!

Mira Kazhani: Gjirafa, unë e thashë në fillim është Amazon i Ballkanit. Po Gjirafa pse ia ke vënë emrin? Mbase e ke thënë edhe herë tjetër…

Mërgim Cahani: Po është pyetje që bëhet me të drejtë se është emër pak unik. E ka një histori të mirë. Në Google, në kampusin e Google në Amerikë ekziston një skeleton, një skulpturë e dinosaurit. Është një rikujtim për ekipin e tyre që nëse nuk adaptohesh në rrethana të reja, zhdukesh. Unë e pashë dhe ky ishte inspirimi im. I pamë që nga të gjithë gjitarët që ekzistojnë sot, njëri nga gjitarët që është i çmendur nga aspeti i adaptimit dhe evolucionit të vet, që ka mbijetuar, ka qenë gjirafa. Gjirafa 10 minuta pasi lind, qëndron në këmbët e veta, pas 10 orëve mund të vrapojë. Neve si njerëz na nevojitet një vit. Kështu që gjirafa nuk është predatori i asnjë kafshe tjetër, po nuk është as pre jo medoemos as e luanit, sepse mund të luftojë edhe me luanin. Është një kafshë që ka një konotacion pozitiv në të njëjtën kohë. Është e qendrueshme si karakter. Mund të qëndrojë në ambient, të adaptohet në rrethana të reja. Kështu që nën rreshta këtu është adaptimi. Njësoj si ka qenë dinosauri atje. Kështu që ne e kemi gjirafën si një simbol të thelbit të kulturës tonë të ekipit për t`u adaptuar. Ne kemi filluar si motor kërkimi. Ajo nuk na ka ecur shumë mirë për shumë arsye të tjera që mund t`i bisedojmë. Jemi adaptuar, kemi dalë dhe jemi zgjeruar në e-commerce, në content, në video, në production. Adaptimi është arsyeja pse e kemi emrin Gjirafa.

Mira Kazhani: Ma merr mendja që ka qenë një zyrë e vogël, modeste në ato fillime.

Mërgim Cahani: S`ka qenë zyrë fare. Ka qenë një dhomë në Prizren. Kam familjen aty. Dhoma ime e fjetjes ka qenë zyrë. S`ka qenë garazh. Ka qenë dhomë.

Mira Kazhani: Më mirë tek dhoma. Është kjo pyetja që iu vjen njerëzve, më vjen edhe mua. Ok, ideja është interesante. Ideja mund të aplikohet, por duhen edhe ato dreq para.

Mërgim Cahani: Po duhen.

Mira Kazhani: Gjete një business angel, kishe një investitor, kishe ti diçka mënjanë dhe i vendose të gjitha?

Mërgim Cahani: Kjo pjesë më pëlqen më shumë edhe për t`u diskutuar. Unë kam pasur disa kompani më herët në SHBA që i kam filluar. Shumica prej tyre kanë dështuar. E kam kuptuar që elementi kyç i ndërmarrësit janë ato që i thamë më herët, obsesioni, përkushtimi, kokëfortësia. Ato nuk janë veç fjalë, por edhe në praktikë definimi i tyre varet shumë. Nuk mundet dikush të fillojë një biznes, të kërkojë 10 mijë euro, 20 mijë euro prej dikujt, nëse ka një telefon që kushton 1 mijë euro, një makinë që kushton 5 mijë apo 10 mijë euro. Nëse i ke shitur të gjitha asetet dhe i ke futur paratë e tua të gjitha dhe pastaj kërkon te të tjerët, është ok. Po nuk mund të shkosh diku të thuash po më nevojiten 20 mijë euro për investim, nëse ke një makinë 10 mijë euro. Sipas definimit tim nuk je sipërmarrës apo ndërmarrës. Ndërmarrësia nënkupton marrjen e riskut shumë të madh, për një kthim të investimit tepër më të madh në të ardhmen, por nëse dështon e humbe krejt. Nëse nuk e merr atë risk, atëherë nuk je ndërmarrës, atëherë je vetëm një person me mendime pak më të mëdha, me ambicie pak më të mëdha, por nuk ke dëshirën për të marrë riskun. Vetëm do përfitimin pas një viti apo pas një muaji.

Mira Kazhani: Do vetëm të realizosh ëndrrën, ndërkohë që të t`i bëjnë gati gjërat edhe të mos sakrifikosh asgjë nga vetja jote. Këtë bëre ti? I shite të gjitha gjërat e tua?

Mërgim Cahani: Krejt çfarë kam pas.

Mira Kazhani: Edhe telefonin?

Mërgim Cahani: Përveç librave. S`kam pas në atë kohë telefon shumë të mirë. Kam pasur një makinë shumë të mirë. M`u nevojitën 7-8 vite pasi e kemi hapur Gjirafën të kisha një kthim të vogël të investimit për të mundur të blija një makinë ekuivalente.

Mira Kazhani: 7-8 vite ke qenë pa makinë apo shite makinën e mirë apo kishe ndonjë tjetër?

Mërgim Cahani: Makinën e mirë 7-8 vite. 3-4 vite kam qenë pa makinë. Kam ndenjur në të njëjtën shtëpi 30 e ca vjeçar me babain. Kam ardhur në Prishtinë me autobus. Nëse ka qenë 2-3 kilometra, kam ecur në këmbë. Edhe pse kam pasur cash se të gjitha ato kanë hyrë në kompani. Kemi pasur 17 vetë në ekip. Është kërkuar ai lloj dedikimi për të mundur të arrijmë. Unë nuk njoh ndonjë ndërmarrës që ka krijuar diçka nëse nuk ka sakrifikuar diçka. Njoh një shaka me domate. Dalin dy shokë, njëri ka bërë shumë pasuri dhe i thonë, si e bëre pasurinë? Thotë, dola një ditë. Bleva 1 kg domate për 1 euro dhe dola i shita për 2 euro. Pastaj dola bleva me 2 euro 2 kg domate dhe i shita për 4. Pastaj vazhdova kështu. Muajin e dytë më vdiq daja dhe ma la pasurinë mua. Kështu që nuk njoh dikë që ka krijuar diçka nëse nuk ka pasur një sakrificë. Nuk po flas për trashëgimi apo diçka tjetër.

Mira Kazhani: E vlerësoj shumë këtë. Se njerëzit gjithmonë janë të prirur sidomos kohët e sotme, për shkak të lehtësisë së komunikimit që vjen nga teknologjia, që shohin atë shkëlqimin, atë momentin kur ti nuk ke dështuar. Se ti e the me një natyrshmëri. E the në mënyrë organike pak më përpara që kam hapur disa kompani në Amerikë, të cilat kanë dështuar dhe vazhdove nomralisht. Nuk u ndale për ta qarë, për ta vajtuar. Se është një gjë normale e një njeriu. Duhet të dështosh pastaj ndoshta do ia dalësh. Po njerëzit nga ana tjetër Mërgim, shohin këtë shkëlqimin dhe mendojnë se çdo gjë bëhet vetë, ose bëhet se të ka shkëlqyer ai ylli i fatit. Unë kam filluar nga takimet me njerëz si puna jote, të kuptoj gjithnjë e më shumë që ylli në ballë është sakrifica. Është gatishmëria për t`i humbur të gjitha, për të rrezikuar dhe për ta kapërcyer edhe veten tënde. Më pëlqeu shumë ai rrëfim, sepse njerëzit nuk duhet të shohin vetëm shkëlqimin.

Mërgim Cahani: Unë besoj pa e parë shkëlqimin, nuk ka nxitje. Kur fillon pastaj, të shtohet.

Mira Kazhani: Që të mbërrish aty, është shumë bukur të frymëzohesh nga shkëlqimi, por tek shkëlqimi nuk vjen dikush të merr me veturë.

Mërgim Cahani: E vërtetë!

Mira Kazhani: Ke jetuar në New York, Prishtinë, Prizren, Gjakovë…

Mërgim Cahani: Në Gjakovë kam lindur dhe shkollën fillore në Gjakovë. Një pjesë të klasës së tetë edhe të mesmen në Prizren. Në prishtinë nja 6 muaj, një semestër përpara luftës, pastaj në New York 12 vite, prej që kur jam kthyer në Prizren dhe Prishtinë.

Mira Kazhani: Cili është qyteti yt?

Mërgim Cahani: Për çfarë? Varet. Qyteti i mundësive, që të lejon, që “It makes you, or it breaks you” është New York. New York i ka krejt mundësitë. Think big, think small, New York i ka të gjitha. Thuhet të shkosh nga Upper East Side deri ne Downtown New York, vetëm në Manhattan, jo krejt New York-ut, një herë, është si të shkosh në krejt botën 3 herë. Po për mua është vështirë të qëndroj atje më shumë se 10-15 vite se është aq shumë oportunistik dhe i madh, edhe të përbin. Gjakova ka atë pjesën e fëmijërisë. Prizreni ka qenë miks. Prizreni ka qenë koha kur kam qenë adoleshent. Fillova të luaja basketboll. Basketbollin e kam për zemër. Nuk e ndoqa atë ëndërr. Prishtina ka qenë vetëm për punë për mua. Për momentin nuk e kisha ndryshuar Prishtinën për të jetuar askund tjetër. Tirana ndoshta i afrohet për të jetuar, por nëse mendoj për të ardhmen, midis Kosovës dhe Shqipërisë, mendoj Prishtina.

Mira Kazhani: Më trego pak për Gjirafën. Janë shtuar shumë shërbimet…

Mërgim Cahani: Biznesin kryesor kemi e-commerce. Gjirafa50 funksionon edhe në Shqipëri. Po kemi edhe Gjirafa50 në Kosovë, Gjirafa50 në Maqedoni. Ky është biznesi elektronik i yni. Laptop, komjutera, televizorë, pjesën Hitech, elektronike. Pastaj kemi GjirafaMall që për momentin është vetëm në Kosovë. I ka të gjitha kategoritë. Veshmbathje, parfume, pajisje shtëpiake, çfarëdo që mendon është aty, përveç pjesës ushqimore. Kjo është biznesi kyç i yni. Biznesi tjetër që është 20-30% e kompanisë, është contenti, prodhimi, marketingu online, biletat e autobusit. Jemi shumë të fortë në Shqipëri me biletat e autobusit. GjirafaTravel ne u shesim ndërkombëtarëve më së shumti bileta online Tiranë – Sarandë, Sarandë – Tiranë, po edhe aeroport dhe Prishtinë – Tiranë, Tiranë – Shkup. Për biletat e autobusit jemi shumë aktiv në Shqipëri. Veç në Gjirafatravel.com. Pastaj kemi një biznes në Çeki. Këtë nuk e kemi shumë të publikuar këtu. Merret vetëm me software për media. Kemi klientë anembanë botës. Çeki, Francë, Amerikë, Indonezi…

Mira Kazhani: Gjirafa quhet apo…

Mërgim Cahani: Quhet GjirafaTech është biznes më vete. Kemi investitorë të tjerë. Gjysma e asaj kompanie është e jona, gjysma është e investitorëve. Tani rishtaz kemi hapur Carvago.com. Që është shitja e makinave, veturave. Edhe ky është një biznes i ri dhe kemi 2-3 të tjera që jemi duke i shënuar. Po misioni ynë është të ndërtojmë ekonominë e internetit në rajon. Çfarë nënkuptojmë me ekonomi të internetit? Të gjitha shërbimet që i shërbejnë konsumatorit, krahas, ekonomia digjitale dhe ekonomia e internetit, ne e bëjmë dallimin që ekonomia digjitale përfshin edhe shërbimet qeveritare apo shërbimet e biznesit, vetëm me internet services.

Mira Kazhani: Mërgim, mendon që ekonomia e internetit do t`i mbyllë këto Mall-et e mëdha, këto qendrat tregtare, dyqanet, në një të ardhme të afërt?

Mërgim Cahani: Jo dhe me shumë besim e them jo. Vetëm e plotëson. E bën më të lehtë. Se nëse do t`i kishin mbyllur, do t`i kishin mbyllur në Amerikë. Në Amerikë Amazon është numër 1, po është edhe Wallmart, edhe qendra tregtare. Ka ndryshuar pak mënyrën, sjelljen e konsumatorit. Njerëzit prapë dalin në qendrat tregtare edhe në SHBA, po përpara se të dalin e shikojnë çmimin në Amazon, e shikojnë ku është më i mirë. Mundet ta shikojnë një produkt online dhe të shkojnë ta blejnë offline. Mundet ta shikojnë offline dhe ta porositin pastaj online. Domethënë e plotësojnë njëra-tjetrën. Tregu i e-commerce është nën industrinë e retail, e cila është gjithmonë në vazhdimësi e në rritje. Duke u rritur GDP e një shteti rritet edhe retail. Kështu që nuk besoj që online i mbyll ato, vetëm që e lehtëson dhe e përshpejton mënyrën sesi kompanitë mund të bëjnë biznes. Për shembull, ne e kemi plan që brenda 1-2 viteve, një biznes po themi artizanal, i vogël në Burrel, të shesë produktet e saj në Pejë dhe një biznes nga Gjakova t`i shesë produktet në Shkodër, dhe nga Shkodra në Tetovë dhe në Gostivar. Kjo s`do kishte qenë e mundur, se për të marrë unë atë produkt që krijohet në Burrel, unë duhet të jem prezent aty. Përmes online, tani mund ta bëj këtë.

Mira Kazhani: Të betohem që përpara se ta thoje këtë, po thoja që a do ishte një ide e mirë dhe do ta kisha shitur idenë (qesh), por jo, është dikush që e ka menduar përpara meje – do thoja, a mundet Gjirafa që të marrë një fshatar, një bujk, një biznes të vogël, t`ia lehtësojë, që ta shesë atë online, që ai të mos falimentojë, të mbijetojë.

Mërgim Cahani: Po më pëlqen ideja.

Mira Kazhani: Faleminderit shumë! (qesh) Ndërkohë që e the, thashë: Ok Mira, je vonë, po shumë mirë, e rëndësishme është që e ke në plan për ta bërë, se duhen përfshirë njerëzit.

Mërgim Cahani: Në fund të ditës, aktiviteti ekonomik në retail, në biznes, në commerce, nëse e shikon fondamentalisht, është krijuar prej kur njerëzit organizohen dhe krijojnë një produkt apo shërbim që shton vlerë tek dikush tjetër. Ata të tjerët krijojnë një produkt që shton vlerë tek dikush tjetër.

Mira Kazhani: Është imazhi gjithmonë, duhet ai imazhi i mirë.

Mërgim Cahani: Mënyra, kuantifikimi i kësaj ka qenë paraja. Ekonomia nuk ekziston pa krijimin e vlerës së produktit të këtyre kompanive për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën. E-commerce e përshpjeton këtë punë edhe e ka edhe këtë detyrë. Kjo është edhe arsyeja pse ne ekzistojmë në këtë kompani.

Mira Kazhani: Kam dëgjuar që tek gjigantët si Amazon apo të tjerë, të rinjtë, njerëzit që punojnë, lodhen shumë, kanë shumë ngarkesë. Punojnë me orë të zgjatura, ka shumë presion. Nuk është aspakt e lehtë.

Mërgim Cahani: Më vjen që e hape këtë temë. Është shumë relevante se ne shpesh e përmendim këmbëngulja, kokëfortësia, dedikimi, pasioni, nuk bëhen brenda natës. Të gjitha këto vijnë me një bagazh. Nëse nuk kujdeset njeriu për veten, qoftë në aspektin mendor apo të pushimit, mund të ketë burn, thuhet në anglisht dhe mund të ketë problem pastaj me rekuperimin. Kjo shihet shumë qartë në Silicon Valley ka njerëz që marrin edhe prescription drugs, hape. Unë isha në Silicon Valley përpara disa kohësh dhe takova disa njerëz të komunitetit dhe pashë që në aktivitetin e tyre është bërë si diçka normale. Si të pish një aspirinë. Kjo është ana e keqe. Besoj që duhet menaxhuar se me kohën, nëse nuk menaxhohet mund të ketë efekt të keq dhe negativ. Çdo kompani që ka rritje të shpejtë kanë qenë shumë të vështira. Thuhej për shembull në atë kohë që Amazon nuk ishte për këdo. Nëse një kompani rritet 10-fish, normal që s`mund të jesh i njëjtë. Nëse Gjirafa sot ka 250 punëtorë dhe shet 30 milionë euro në vit. Nëse do shkojmë në 1 mijë apo 2 mijë punëtorë në ekip dhe do shkojnë në 300 milionë, është 10-fish rritje. Që do të thotë, unë si CEO i kompanisë, mënyrën e menaxhimit dhe të përkushtimit siç e kam sot nuk mundem ta kem të njëjtë. Po nëse unë kam 8 takime sot me 30 milionë në qarkullim, sa takime do kem me 300 milionë. A do të kem 80 takime?

Mira Kazhani: A kujdesesh për veten?

Mërgim Cahani: Po, me fitnes dhe me ushqim zakonisht. Po si mund t`i menaxhosh 300 milionë. Nëse është problem tek unë, është problem edhe tek tjetri e tjetri që janë në kompani. Si i menaxhojmë këto? Momenti që kemi pasur një reflektim është kur kemi dalë në këto zyrat këtu. Kemi qenë 260 metra katrorë atje. Jemi 5300 metra këtu. Ka qenë 20-fish rritje me hapësirë të zyrës, por ka qenë rritje me 10-fish në qarkullim vjetor, me numër të ekipit. Dhe ka qenë një shok. Aty ka qenë një “dispensation” që kemi vërejtur që duhet bërë. Njëra prej përgjigjeve që ka qenë, unë edhe menaxhmenti i ngushtë mendojnë që fitnesi është mënyra më e mirë për të balancuar kortizolin e mëngjesit. Kjo është e para. Qoftë vrapimi, qoftë crossfit, qoftë peshëngritja, qoftë kickbox.

Mira Kazhani: Gjithçka që ka të bëjë me stërvitjen.

Mërgim Cahani: Gjithçka që ka të bëjë me aktivitet. Kjo jep fuqi edhe energji. Shpesh kemi bërë shaka duke thënë, nëse dikush do të na bashkohet neve, do e pyesim: Sa e ke VO2 Max-in? VO2 Max është njësi matëse e atyre që vrapojnë që tregon sa ka kapacitet mushkëria të absorbojë oksigjen për mililitër dhe kilogram të peshës së trupit. Është një indikator që përdoret. Maratonistët e kanë 70, në varësi të moshës, gjinisë shkon 30, 40, 45 është e mirë. Kush e ka 50 janë profesionistë. VO2 Max tregon se sa mundesh të qëndrosh ti në një takim, të absorbosh oksigjen duke qenë aktiv në mendje pa u lodhur. Se mundesh të kesh kapacitet mendor për 10 minuta, po a mundet të mbash për 3 orë apo për 8 takime, për 8 orë. Në fund vlera e shtuar nuk është vetëm se sa ke kapacitet të shtosh vlerë për një periudhë të caktuar kohore, por është konsistenca dhe stabiliteti, gym, fitnesi.

Mira Kazhani: Përveç gym-it, pushimi…

Mërgim Cahani: E dyta, nëse ne sot kemi 8 takime për 30 milionë të ardhura, do të arrijmë 300 milionë të ardhura, nuk është praktike të bësh 80 takime. Po është sesi të krijosh ekip që së bashku të kesh më shumë impakt së bashku me njerëz. Del një formë të lidershipit që ndryshon edhe pozita e punës. Se nëse unë bëj të njëjtën punë si sot, si pas 5 viteve, atëherë nuk është ngrit.

Mira Kazhani: Delegimi…

Mërgim Cahani: Delegimi duket më i lehtë për t`u përdorur. Përdoret në fushën e menaxhimit shpesh, por është përtej delegimit. Është më shumë abstraktimi i punës që nevojitet që të mundet të zbërthehet në atë lloj forme, që ta dish a ia dërgon një njeriu, a i merr 5 ia dërgon krejtve, a e zbërthen projektin në tre projekte… Veç me delegu, ti i ke përsipër financat apo shitjet, kjo nuk funksionon. Duhet të reflektosh në punët që janë duke ndodh, për t`i deleguar.

Mira Kazhani: Sa ditë pushon në javë? Pushon të dielën?

Mërgim Cahani: Zakonisht çdo të diel e kam pushim. Shumicën e të shtunave jemi këtu. Po jo vetëm unë, por së bashku me ekipin.

Mira Kazhani: Edhe ata që punojnë një ditë kanë pushim.

Mërgim Cahani: Jo, ata të tjerët e kanë të hënë – të premte, 9 me 5. E shtunë, e diel, pushim. Kushdo që rri jashtë orareve apo fundjavave është më shumë në pjesë vullnetare. Një pjesë e madhe e ekipit janë aksionerë në kompani.

Mira Kazhani: Besoj punohet edhe nga shtëpia.

Mërgim Cahani: Po. Para disa viteve e kemi pasur remote. Tani e kemi larguar. Ka raste përjashtimi.

Mira Kazhani: Unë shpresoj të marrë fund si kulturë. E risolli, e përforcoi shumë pandemia, por është shumë e trishtueshme edhe të punosh në shtëpi, edhe të pushosh të shtëpi, edhe të mbyllesh aty brenda katër mureve.

Mërgim Cahani: Edhe produktiviteti nuk është i njëjtë. Në përgjithësi. Se ka përjashtime nga rregulli, por në përgjithësi nuk është i njëjtë. E pamë që nuk… Jemi njerëz. Jemi qenie shoqërore. Nuk mund të izolohemi.

Mira Kazhani: Kemi nevojë që të komunikojmë. Duhet ajo pjesa njerëzore. Të shpresojmë që s`do t`i bëjnë të gjitha robotët në këtë botë.

Mërgim Cahani: Tani kthehemi tek ajo tema tjetër. Unë po besoj që aty jemi duke shkuar.

Mira Kazhani: Pra pas 5 vitesh mund të kesh një robot që do më përgjigjet mua në telefon, që do t`i përgjigjet robotit tim në telefon?

Mërgim Cahani: Unë do kisha shkuar edhe një hap para. As roboti juaj as i yni nuk do të flasë, artikulli vetë do të krijohet prej sendeve që ndodhin të ndërlidhura, ne ndoshta i monitorojmë.

Mira Kazhani: Prapë me vonesë unë.

Mërgim Cahani: Është e frikshme dhe e vështirë të parashikohet. Rritja, kapaciteti, absorbimi i informatave është duke ecur shumë më shpejt tani. Kështu që është shumë e vështirë të dish se si do të ecë. Po unë jam i besimit që ka për të qenë shumë pozitiv për neve si njerëzim. Do na shtyjë përpara. Do na ndihmojë në fund të ditës për një cilësi jete më të mirë dhe për të shijuar dhe të bëjmë gjërat që duam të bëjmë.

Mira Kazhani: Do ta shpikin dhe lumturinë thua? Do ta pijmë në një gotë uji?

Mërgim Cahani: Do ta simulojnë.

Mira Kazhani: Do ta simulojnë dhe lumturinë!

Mërgim Cahani: Nëse pajtohemi me këtë definicion që ndjenjat e njeriut nuk janë gjë tjetër veçse kimikale që shkojnë nëpër sistemin njerëzor dhe trupin tonë, atëherë po, nuk ka arsye pse mos ta simulosh. Po nëse ndjenjat e përfshira në pjesën e vetëvijes dhe shpirtit atëherë ekziston argumenti që jo, se nuk mundesh të krijosh diçka që nuk e di çfarë është. Në momentin që e dimë se çfarë është, AI mundet ta simulojë. Si mendon ti që do të jetë AI? Mua më intereson mendimi yt.

Mira Kazhani: Çfarë mendoj unë për Intelingjencën Artificiale?

Mërgim Cahani: Përsa i përket kontrollit të njerëzimit apo jo.

Mira Kazhani: S`e di. Unë nuk bëj pjesë tek negativistët. Se unë falë Inteligjencës Artificiale, falë teknologjisë, jam sot një gazetare e lirë. Nuk do të isha sot këtu me ty. Do isha një njeri që punonte diku. Do të merrte një rrogë, do bënte dy pyetje e do ta mbyllte ditën dhe do shkonte në shtëpi. Besoj se ia kam parë hajrin Inteligjencës Artificiale. Më pëlqen komunikimi, por jam sigurisht si me çdo gjë në jetë, sado e mirë, nëse është e tepërt, nëse është e ekzagjeruar, nëse është e pakontrolluar, nuk është mirë. Ti mund ta pish një gotë verë, por nëse e tepron, pastaj çohesh me dhimbje koke, si çdo gjë tjetër. Thjesht uroj që të ketë një lloj kontrolli. Besoj pak tek gjërat e thjeshta dhe të vogla të jetës. Se jam një njeri i zakonshëm. Jam një vajzë normale. Jam një qenie normale. Nuk jam Elon Musk që e shoh botën si lodër. Asgjë nuk shoh si lodër fatkeqësisht. Do ishte mirë. Por uroj që të shkoj mirë. Unë anoj tek pozitivja. Nuk më tremb. Nuk e marr si ububu, që çfarë po ndodh. Se njerëzit janë trembur edhe kur ka ardhur elektriciteti. Kanë dashur të mbajnë qirinj se u është dikur si një monstër ajo gjë. Kështu që gjithmonë e reja do na trembe.

Mërgim Cahani: Unë besoj që nga katër revolucionet, kjo është e pesta. E reja më e madhe që kemi parë ndonjëherë si njerëzim. Nuk kemi parë ndonjëherë këtë lloj revolucioni edhe të mëhershëm. Besoj që është e mundur që të kesh opinione pozitive. Të njëjtat i kam edhe unë. Po as nuk mund ta ndalim më. Ka filluar.

Mira Kazhani: Nëse në mitologji ata kanë besuar në mrekulli apo na kanë përcjellë përmes Homerit, Iliadës apo Odisesë e veprave të tjera, mrekulli që i kanë parë, që sigurisht mua më duken përralla, ne në fakt po shohim mrekulli të ndodhin. Kjo është një lloj mrekullie. Ne po jetojmë në një epokë mrekullie. Po ka një shqetësim për privatësinë. Ka shumë nostalgjik që thonë: O sa mirë kanë qenë ata në vitet `90, `80. Lufta për privatësi më duket e kotë. Nuk ka privatësi. Më vjen keq.

Mërgim Cahani: Privatësia ka vdekur kohë më përpara. Pas disa viteve, njeriu do ketë mundësi të shikojë krejt jetën e vet si është rritur. Unë ndoshta i kam disa fotografi kur isha fëmijë dhe nuk kam asnjë digital fingerprint para internetit. Nuk e di a është keq. Nuk besoj që është keq. Se veç na unifikon neve si njerëzim. Po prapë të gjitha këto që mendojmë në kontekst të Inteligjencës Artificiale, privatësisë edhe të ardhmes, unë besoj varet nga përkufizimi sesi ne e perceptojmë edhe botën rreth nesh.

Mira Kazhani: Po edhe privatësia është pak e lodhshme. Të mbash sekrete. Të jesh vazhdimisht i kujdesshëm për gjithçka. Në një botë më transparente njerëzit mos ta vrasin shumë mendjen dhe le të jenë vetja e tyre se një jetë kemi. Nuk e di tani. Mbase do shpiket një jetë e dytë, por këtë s`e di.

Mërgim Cahani: Vjen më vonë ajo.

Mira Kazhani: Besoj ne i përkasim kësaj jete në tokë.

Mërgim Cahani: Nuk mundemi të humbasim individualitetin dbe kontributin e njerëzve, se pastaj humbet ai motivi i kontributit dhe krijimit. Të shtosh vlera apo të krijosh diçka të re të inovacionit, ndërmarrësisë. Nëse krejt kanë të njëjtat UBI, Universal Basic Incomes, s`ka nevojë askush të punojë, ndoshta bëhen krejt më pasivë e ndoshta nuk është mirë.

Mira Kazhani: Cili është libri që të ka ndryshuar jetën?

Mërgim Cahani: Ka disa po kam njërin që është i pari. E kemi libër të kërkueshëm, kushdo që na bashkohet tek Gjirafa. Është një libër profesional. Nuk është “out of the box”. Nuk pritet të jetë libri i pari i imi, por është “Working Backyards”, të punosh mbrapa, i Amazon. Ai libër tregon sesi kanë mundur disa kompani, në këtë rast Amazon, por aplikohet gjithkund tjetër, nuk është sesi mund të krijohet kompania, më shumë mindset-i i një sipërmarrësi, sesi mendon përpara. Komplet thelbi i librit është nëse dëshiron të krijosh diçka, për shembull para se të fillosh podcastin, fillon me një datë të caktuar kur do lançohet podcasti. Po themi 15 maj 2024 ke për të bërë lançimin e parë të podcastit, episodin e parë dhe tani puno backyards për çfarë të nevojitet për podcastin. Personazhi i duhur, koha, kamera, ekipi. I tregon shumë specifike sesi të arrish deri tek kjo. Sot në treg jemi duke lançuar një produkt të ri dhe na u bashkëngjit një djalë nga Shqipëria, i cili është rrit në Amerikë edhe është kthyer. Sot me të folëm për këtë biznes dhe patëm këtë temë. Ky është libri i parë. Pastaj është edhe “Thinking fast and thinking slow”, “Rich Dad, Pour Dad”, “Superintelligence”, të gjitha të Hararit. “Sapiens”, ndoshta i pari. Ndoshta edhe ndonjë libër dytësor që më ka ndihmuar mua kur kam qenë student. Për pjesën ideologjike, filozofike të jetës është Dekarti. “5 Meditimet” e Dekartit.

Mira Kazhani: Filmi?

Mërgim Cahani: Tre janë ndodh top. Më pëlqen Christopher Nolan të Batmanit. Por më shumë është Christopher Nolan se “Batman”, ka ndodh që ky e ka bërë “Batman”. Mënyra e ekzekutimit nga Christopher Nolan për “Batman”. “Good Will Haunting” edhe “Beautiful Mind”.

Mira Kazhani: Këngëtarja, këngëtar që të pëlqejnë, që i dëgjon në makinë?

Mërgim Cahani: Më pëlqejnë këto pyetje se nuk më ka pyetur asnjëherë askush.

Mira Kazhani: Sepse ju pyesin vetëm për kodet dhe pastaj ju marrin edhe për të çmendur. (qesh)

Mërgim Cahani: Për këngëtare të parën normale që është Adea Pula, e di ajo. Mua më pëlqen Michael Jackson, por më pëlqen edhe Eminem, më pëlqen edhe Metallica si grup, kështu që jam shumë i diversifikuar…

Mira Kazhani: Dallon që jemi një brez Metallica, Guns and Roses.

Mërgim Cahani: Guns and Roses, Led Zeppelin… Kështu që kjo është për këngëtarët dhe këngëtaret…

Mira Kazhani: Përtej kompjuterit, përtej kodeve, përtej atyre që blejmë, veshim, online apo në dyqan nuk ka rëndësi, jemi njerëz që kemi shije dhe preferenca. Kur sheh një kompjuter çfarë mendon, çfarë ndjen, jo çfarë mendon?

Mërgim Cahani: Kompjuteri i parë kur është marrë, si 9-vjeçar, kemi qenë duke jetuar në Gjakovë në atë kohë, ka qenë njëri prej kompjuterave të rrallë për qytetin e Gjakovës. Aq shumë sa njerëz profesionistë, inxhinierë që punonin për kompani të ndryshme vinin tek unë në shtëpi donin të shihnin sesi dukej kompjuteri. Nuk ka pasur mouse, ka qenë bardhezi, veç me tastierë. Nuk ka qenë Windows, ka qenë MS Dos, ndoshta të kujtohet.

Mira Kazhani: Po më kujtohet, na i sollën në shkollë të mësonim.

Mërgim Cahani: Javët e para, muajt e parë, kam qëndruar para kompjuterit 13 orë, 2-3 muajt e parë, pa bërë asgjë vetëm duke shënuar dhe ma kthente ‘bad command file’.

Mira Kazhani: 9-vjeç.

Mërgim Cahani: Veç kam shënuar edhe enter edhe kurrgjë s’ka ndodhur se kam shkruajt si me thënë emrin tim dhe ai ka thënë ‘s’po e kuptoj çfarë po thua’ ‘bad command, or file name’. Nuk ekziston kjo komanda apo emri i files. Non stop e kam përdorur derisa kam instaluar lojëra, një ditë kam bërë kombinimin e fjalëve ‘Help’, jo se kam ditë anglisht ndoshta dy tri fjalë. Kur kam shkruajt Help, më ka shkruajt nja 70 komanda. Edhe MS Dos kur shkruan ‘Help’ të shkruan krejt komandat të cilat aplikohen. Ato komandat i kam shkruajt në një letër dhe çdo ditë kam përdorur çdo komandë. Kur kam arritur tek delete, kam fshirë file në sistem. Domethënë në këtë mënyrë e kam mësuar kompjuterin 2-3 muajt e parë.

Mira Kazhani: Autodidakte, e ke mësuar vetë dhe e ke pasur talent…

Mërgim Cahani: S’kam pasur libra.

Mira Kazhani: Çdo gjë e ke bërë me…

Mërgim Cahani: Me tastaturë.

Mira Kazhani: Me tastet, po dhe pa e ditur, një fëmijë 9 vjeç. Një lloj gjeniu.

Mërgim Cahani: Nuk besoj se është gjeni. Faleminderit që po e thua, por…. Pas muajve të parë pastaj ka qenë mentori im i parë, Astrit Minxhija, ka qenë inxhinier ai. Ai më ka dhënë shtytjen e parë, duke mbajtur shënime, më instaloi disa lojëra. Por dy tre muajt e parë vetëm intuitivisht kam punuar aty. Por kjo lidhet me pasionin, me dashurinë, për mua ka qenë, nuk e di pse, intuitive, të rrija para kompjuterit me orë të tëra edhe pse nuk ka bërë asgjë kompjuteri. Domethënë është shumë e vështirë për një fëmijë që të rrijë para diçkaje, që nuk ka feedback loop.

Mira Kazhani: Si e shpjegon dhuntinë Mërgim, këtë lloj dhuntie, Faktori X, që e ke patur ti, e ke provuar? Është kaq e dukshme në këtë që po tregon.

Mërgim Cahani: Nga aspekti psikologjik nuk e di.

Mira Kazhani: Nga aspekti mistik, është një gjë e mbinatyrshme, është një dhunti që ta jep një forcë tjetër apo…?

Mërgim Cahani: Unë edhe në jetë në përgjithësi jam një person me korelacion, shpjegim të logjikës, sesa dhuntisë së pashpjegueshme. Këto mund t’i shpjegosh me 2-3 evente apo fakte. Para se të kisha kompjuterin e parë unë gjithmonë kam pas qenë i apasionuar pas filmave vizatimorë. Në atë kohë në 7:30 kanë qenë lajmet, 7:20 kanë qenë filmat vizatimorë, Tom and Jerry, Micki Mouse. Gjasat kanë qenë shumë të mëdha që gjatë shikimit të atyre filmave vizatimorë ka patur indikacione për të cilat kanë shkrepur ide për zgjimin e kureshtjes nga aspekti i teknologjisë, ky është supozimi im. Dhe e dyta, ky nuk është supozim, ka qenë një dyqan në Gjakovë, ku kam kaluar shpesh. Tani është Librari. Te një rrugë e ngushtë në Gjakovë, që ka shitur lodra për fëmijë. Lodra të ndryshme, po njëra nga ato ka qenë një Atari, shumë i vjetër, i pari, i cili ka qenë një console i lojës që është lidhur me ekran, edhe unë shpesh kam kaluar aty edhe forma e Atarit ka qenë jashtë çdo gjëje që ka qenë në atë kohë. Atëherë jemi mësuar më së shumti që të shihnim trena elektronikë apo lodra.

Mira Kazhani: Qenusha, kukulla, kështu gjërash.

Mërgim Cahani: Ajo ka qenë diçka edhe mbaj mend, në shumë raste unë kam qëndruar para xhamit, rreth 15 minuta duke e observuar. Kështu që ndoshta ekspozimi në materiale televizive, qoftë filma vizatimorë apo edhe kalimi nga ajo rrugë kanë nxitur atë kureshtjen time në nënvetëdije për të pasur më shumë zgjim kureshtjeje për teknologji. Kështu që kur më është dhënë mundësia ndoshta ajo u bë ‘build up’, aty e kam shprehur drejtpërdrejt. Unë më shumë e mendoj në këtë aspekt. Prirja në matematikë gjithmonë e kam patur edhe që fëmijë, ndoshta edhe kjo më ka ndihmuar.

Mira Kazhani: I ngjan ndonjërit prej prindërve?

Mërgim Cahani: Ndoshta për disiplinën, nënës. Për ndërmarrësi, kokëfortësi, ambicie, besim, konfidencë, babait.

Mira Kazhani: Super kombinim.

Mërgim Cahani: Babai gjithmonë ka qenë ndërmarrës dhe nëna ka qenë në mjekësi.

Mira Kazhani: Ke motra apo vëllezër?

Mërgim Cahani: Një motër dhe një vëlla.

Mira Kazhani: Ata janë?

Mërgim Cahani: Festimi, vëllai, është 14 vjeç më i vogël se unë është…

Mira Kazhani: Prandaj kanë festuar ata…(qesh)

Mërgim Cahani: E vërtetë (qesh). Me Festimin në fakt kemi filluar edhe Gjirafën në fillim bashkë para 3-4 viteve. Festimi vendosi pastaj të ndërronte profesionin edhe hyri në aktrim. Tani këndon, është aktor, por punon si programues part-time. Ai është një njeri i jetës, është pak më ndryshe nga unë, por ka më shumë prirje se unë. Për shembull unë nuk di të këndoj. Ai di. Ai ka instrumentin e vet. Por di edhe programim. Është më i gjithanshëm.

Mira Kazhani: Ka artin e të jetuarit Festimi, siç ka emrin ia kanë ngjitur.

Mërgim Cahani: E vërtetë.

Mira Kazhani: Ti shpjegoje me korrelacionin sa duhet, por…

Mërgim Cahani: Emri e ka bërë të vetën

Mira Kazhani: Edhe ta shenjojnë disi fatin.

Mërgim Cahani: Edona është motra. Ajo është 7 vjet më e vogël se unë. Ajo është për korrelacion, njeriu më i dashur që unë njoh. Ajo është krejt zemër. Gjithmonë ka veç dashni.

Mira Kazhani: Çfarë vëllai, sa bukur! Mërgim shumë faleminderit! Edhe shpresoj që të jesh ndjerë mirë në këtë podcast.

Mërgim Cahani: Faleminderit shumë edhe besoj që ka qenë një prej intervistave, diskutimeve, bisedave më të hapura. I kam hyrë shumë më thellë temave që asnjëherë publikisht nuk i kam hyrë. Janë pak më profesionale, më praktike. Jo të hysh të flasësh pëe besimin ku ësht AI apo çfarë ndodh aty. Kështu që faleminderit që më bëre të ndihem rehat për të biseduar. Faleminderit që je në Kosovë! Të sugjeroj ka edhe shumë ndërmarrës dhe ndërmarrëse të Kosovës që besoj do e kenë nder të bisedojnë me ty.

Mira Kazhani: Edhe unë gjithashtu jam në kërkim të njerëzve që kanë diçka për të thënë dhe për këto biseda të thjeshta ndoshta edhe për këtë arsye e ndjekin edhe njerëzit podcastin. Unë kode nuk bëj, por pyetje të thjeshta bëj.

Mërgim Cahani: Kështu që më shpesh në Kosovë.

Mira Kazhani: Po do të vij patjetër. Faleminderit shumë edhe suksese me Gjirafën. Ke zyra në Tiranë?

Mërgim Cahani: Kemi. E vogël është. Por po mendojmë ta rrisim. Mendojmë të zgjerohemi.

Mira Kazhani: Shumë mirë.

Mërgim Cahani: Faleminderit shumë!

Podcasti “Zë me Mirën” u mbështet nga ABI Bank, Vodafone, Lajthiza, RCC

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *