Pyetjet që s’ia bëra vetes kur mësova që kisha një tumor

Kur u takuam për të folur rreth idesë së një podcast-i për betejën e saj me tumorin deri pak muaj më parë, i rrodhën disa herë lot.

“Nuk kam qarë asnjë ditë kur mora vesh se kisha këtë problem, por tani që çdo gjë kaloi (dhe bashkon duart me shenjën e një lutje), shpesh përlotem”.

Ajo ç’ka më bëri më shumë përshtypje ishte fakti që Mirela e kishte mundur me brishtësinë e saj sëmundjen. Nuk është inati dhe rebelimi gjithmonë forca shtytëse. Sa më shumë gra e vajza që takoj, që kalojnë përmes kësaj udhe drithëruese, kuptoj se sekreti është tek empatia dhe ndjeshmëria për jetën.

Mirela bënte truk dhe nisej në kimioterapi.

“Doja të dukesha vajza e përhershme dhe jo një paciente, as për doktorët e mi. Kur isha mirë, dilja nëpër qytet”, – tregon ajo.

“U kurova në Itali se atje kam motrën dhe vetë kam dokumentet. Ishte një kohë kur kuptova shumë, shumë gjëra”.

Tani është kthyer në Tiranë dhe mezi pret t’i rriten flokët, sepse e ka marrë malli për bishtalecin apo kur i mbante ashtu shpenguar. Edhe pse i thonë të gjithë se të shkurtër prapë i rrinë aq mirë për shkak të formës perfekte të kokës dhe portretit të saj.

Por ajo e di vetë ç’do bëjë me jetën e saj. Kur del nga një betejë, s’je më kurrë ai i mëparshmi. Njeriu ndahet në para dhe pas. Eksperienca me një sëmundje të hap disa dyer e të mbyll disa të tjera.

Unë diku nga fundi i bisedës sikur nuk po i gjeja fjalët, siç iu ndodh të gjithëve dhe papritur i thashë të porositnim një sallatë me avokado. Ajo më tha: “Çfarë të dua mund të ha”… !!!

Do ta dëgjoni vetë në podcast këtë histori literalisht Jete.

Kujdes veten të gjithëve! Duhet të dëgjojmë çdo sinjal të trupit tonë. Ai i di të gjitha dhe na flet herë pas here.


Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: Unë kam privilegjin që në këtë episod të podcast-it të kem një vajzë të bukur me një histori nga ato të fortat e jetës. Se jeta është e tillë. Ndonjëherë na vë në disa prova dhe nuk pyet as për moshën, as sa njeri i mirë je, etj, etj. Mirela! Ishte lajmi më i mirë shërimi yt në këtë fillim viti dhe shumë urime që ia dole!

Mirela Koçollari: Të falënderoj shumë për urimin edhe ishte dhe një gëzim edhe për mua gjithashtu, kështu që jam shumë e lumtur që jam këtu me ty dhe të falënderoj për ftesën.

Mira Kazhani: Si është ndjesia kur merr lajmin nga doktori që je shëruar? Kur ty t`u tha ky lajm çfarë bëre atë ditë dhe çfarë ndjeve, përveçse gëzim nuk diskutohet?

Mirela Koçollari: Së pari unë e ndjej, kam një vokacion të brendshëm dhe pranova ta bëj këtë intervistë, sepse ndjeva që duhet të ndaja eksperiencën time, dhimbjen time, por edhe fitoren. Janë disa momente që as vetë nuk i kupton, i superon dhe me shumë forcë ia del. Kështu që e kisha shumë të rëndësishme për ta bërë këtë intervistë që t`u jepja kurajë dhe forcë të gjithë njerëzve që janë përballur, janë duke u përballur dhe do të përballen me sfida në jetë. Uroj që askush të mos përballet, por ja që kjo qenka jeta. Çfarë ndodhi kur mora lajmin që u shërova? Kam qarë, kam qarë shumë, sepse përgjatë procesit nuk kisha kohë të qaja. Përgjatë procesit ishte fokusi vetëm të shikoja zgjidhjen, të shikoja si të shërohesha, të shikoja se si të menaxhoja të gjithë këtë situatë, kështu që, qava por ishin lot… (qan) edhe tani prekem, por janë gëzimi i cili m`u shkarkua në ato momente. Sigurisht e shijova, sigurisht që reflektova për gjithë gjënë që më ndodhi, por që ishte një fitore shumë e madhe.

Mira Kazhani: Me kë fole në telefon?

Mirela Koçollari: Isha e rrethuar nga prindërit, kështu që ishin ata të parët që e morën lajmin e hidhur dhe të parët që e morën dhe lajmin e mirë dhe pastaj të gjithë miqtë me radhë që më mbështetën gjatë gjithë kohës.

Mira Kazhani: A qave kur e more vesh që ishe e sëmurë, se vuaje nga një tumor?

Mirela Koçollari: Jo, ishte pikërisht ky ndërrimi i rolit dhe ky momenti që unë nuk kisha kohë të qaja. U tremba për hir të së vërtetës. Jam trembur vetëm një ditë. Ditën kur nuk e dija ende mirë se çfarë kisha, nuk më ishte diagnostikuar ende e gjithë sëmundja dhe ishte i vetmi moment që u tremba, por pas këtij momenti nuk di se çfarë ndodhi me mua, mora vendimin që duhet të fokusohem tek zgjidhja, duhet të fokusohem se me çfarë do ta ndihmoj veten time se sa kam unë në dorë ta ndihmoj veten time për këtë gjë. Tashmë ajo ishte fakt. Ndodhesha para një problemi. Ndodhesha para një dileme. Ndodhesha para një pikëpyetje të madhe se çfarë do ndodhte me Mirelën, me jetën time. Kështu që e vetmja gjë që unë arrita të bëj ishte të fokusohesha, të gjeja një zgjidhje dhe të mundohesha të mos ankohesha shumë tek prindërit dhe të afërmit, që të mos mërziteshin dhe ata. Të bëja vajzën e mirë le të themi.

Mira Kazhani: Po ku e gjeje forcën në momente si këto? Nga përvoja jote jetësore ku e gjete forcën për të qenë ajo Mirela që nuk qan dhe për të menduar, për t`u bërë administratore e zgjidhjes së problemit?

Mirela Koçollari: Mendoj që janë një sërë faktorësh dhe një sërë arsyesh sepse, unë jam kjo që jam dhe reagova në këtë mënyrë që unë reagova.

Mira Kazhani: Sa mirë!

Mirela Koçollari: Sigurisht që themeli dhe baza është familja, edukata që ke marrë, sistemi i vlerave që të kanë transmetuar dhe që të kanë ndërtuar, edukimi, kurioziteti yt në jetë për të njohurën, të panjohurën, për t`u rritur dhe për të parë shumë gjëra. Patjetër janë ca gjëra mendoj që lindin dhe nuk ke dorë që t`i ndërtosh apo që ta ndërtosh Mirelën se si do ti që të jetë, kështu që janë një miks i këtyre elementeve që mua më bënë të tillë. Sigurisht e gjithë kjo forcë nuk të vjen vetëm nga këto, por dhe nga njerëzit që ti je e rrethuar në ato momente, nga mënyra si të flasin, si të mbështesin edhe kjo të jep një forcë shumë të madhe. Është pastaj dhe një moment shumë i vogël që unë nuk e shpjegoj dot, jo vetëm në këtë intervistë, por në jetën time të përditshme nuk e shpjegoj dot me zë se si në disa momente të caktuara njeriut i vjen një lloj force e brendshme, ose dhe jo, për të përballur disa gjëra.

Mira Kazhani: Mos ndoshta është Zoti lart që të jep një energji, një fuqi?

Mirela Koçollari: Nuk di të them, por ndjej që ka një energji e cila të jep një lloj force, një lloj kuraje dhe guximi, por mendoj që puna më e madhe është puna që kemi bërë ne dhe bëjmë çdo ditë me veten tonë. Të gjitha zgjidhjet, përgjigjet, forca dhe kurajo për të përballuar gjërat, për aq sa kemi ne në dorë, nuk po flas për shkencën e kemi brenda nesh, pra është puna që ne duhet të bëjmë me veten tonë.

Mira Kazhani: Çfarë mendon ti Mirela sot për shkencën?

Mirela Koçollari: Unë besoj shumë në shkencë. E vërtetova për aq sa mua më takon dhe për aq sa doktorët më transmetuan dhe treguan se falë punës kërkimore që shkencëtarët, profesorët, doktorët bëjnë dita-ditës. Ata kanë gjetur shumë kura për tumore, sëmundje të rënda që deri dje dhe deri para pak vitesh ishin të panjohura dhe nuk kishte shpëtim. Edhe kura e sëmundjes time deri pak vitesh kishte shumë efekte anësore. Kishte shumë probleme gjarë rrugës që gjatë gjithë këtyre viteve sa ka ardhur dhe është përmirësuar dhe unë falë Zotit kisha për çdo problem dhe efekt anësor që mua më ndodhte e kishin gjetur një zgjidhje, një ilaç, një gjilpërë apo diçka për ta zgjidhur.

Mira Kazhani: E dije që në fillim që është e kurueshme?

Mirela Koçollari: Unë mora vendimin të mos lexoj asgjë. Ajo që në ditët e sotme na vjen më natyrshëm është të marrim telefonin dhe të fillojmë me një motor kërkimi të pyesim dhe të kërkojmë se çfarë do të thotë dhe çfarë është. E mora këtë vendim pasi thashë jo, nuk jam e zonja që të arrij të vlerësoj dhe të kuptoj të gjitha gjërat sepse njeriu duhet të jetë koshient për vlerat, aftësitë dhe limitet që ka. Unë e kam këtë limit në fushën e mjekësisë të jem e sinqertë…

Mira Kazhani: Doktori nuk është në Google

Mirela Koçollari: Ekzakt! Dhe jo të gjitha gjërat janë në Google kështu që… Nuk isha përballur ndonjëherë me probleme shëndetësore në kaq vjet sa jam. Mund të kem pasur gjëra shumë të vogla rutinë që i ka çdo njeri dhe thashë, jo do ua lë në dorë njerëzve që janë kompetent për këtë gjë dhe mbase do më bënte mirë mua që mos të futesha nëpër labirinthe dhe nëpër mendime të çuditshme që mbase do më bënin vetëm keq.

Mira Kazhani: Kur e kuptove që kishe disa shenja që po të shqetësonin dhe shkove të bësh një vizitë tek doktori?

Mirela Koçollari: Fatkeqësisht ky tumor kishte shenja shumë normale. Pra pak temperaturë, pak rënie në peshë, gjëra shumë të thjeshta që deri aty ti nuk e kupton që lidhet me një sëmundje kaq të madhe. E mora vesh kur në zonën e qafës më dolën disa kokrra dhe m`u frynë nga sot nesër. Nuk i lashë shumë gjatë, i lashë pak ditë dhe pastaj sigurisht u alarmova për të parë se çfarë janë këto. U ndoqa pak në Shqipëri. Pastaj fati im që unë kam dokumentat italiane, kam studiuar atje, kam një motër të madhe e cila është dhe shtetase italiane, kështu që gjithë këto gjëra i kisha në avantazhin tim. Kisha dokumentat, çdo gjë dhe shërbimin shëndetësor. Shkova dhe bëra dhe një konfront atje dhe më pas u ndoqa, sepse më thanë që duhet të rrish, të vazhdosh dhe të ndjekësh protokollin. Më bënë biopsinë, e vërtetuan që ishte e tillë dhe direkt fillova kimioterapinë. Ishte një rrugëtim pak i vështirë, impenjativ në shumë forma sepse duhet të ishe aty me mendje, duhet të ishe e kthjellët, duhet të ndiqje çdo protokoll, duhet të dëgjoje këshillat e doktorit.

Mira Kazhani: Si është kimioterapia për një trup të ri, për një njeri në moshë të re? Është më e përballueshme?

Mirela Koçollari: Po! Unë dua të bëj një parantezë që unë këtu flas vetëm për atë çfarë kam kaluar, sepse çdo terapi, çdo sëmundje dhe çdo tumor ka specifikat e veta. Unë mund të ndaj me ju vetëm atë që unë kam përjetuar. Ajo ishte rreth gjashtë muaj. Kimioterapia bëhej një herë në dy javë. Merrej nëpërmjet serumit. Ilaçe shumë të forta normalisht, por kjo quhet edhe një “tumor i të rinjve”, sepse maksimumi kap moshat deri maksimumi 35-36 vjeç, por mund të kapë edhe fëmijë shumë të vegjël. Pra njihet si “tumori i të rinjve”. Kimio në vetvete është pak e rëndë dhe impenjative si gjë, por me thënë të drejtën tre muajt e parë ishin shumë të lehtë. Trupi ende ishte shumë në formë dhe e përballoi shumë, shumë mirë sa unë dhe dyshoja herë pas here. I thoja doktorëve: “Po më bëni ndonjë gjë apo s’po funksionon, sepse nuk ndjej asgjë”? Ishte një moment komod. Tre muajt e fundit ishin më të rëndë. Dukeshin dhe ishin më të rënda edhe efektet anësore, por që ishin të superueshme. Pra ishte vetëm në momentin që unë bëja terapinë që ishte pak më impenjativ, me të vjella dhe kështu me radhë dhe pastaj e rimerrje veten dhe vinte përsëri dita e seancës së ardhshme.

Mira Kazhani: Shkoje vetë në kimioterapi, me motrën, me prindërit?

Mirela Koçollari: Shkoja me motrën ose me prindërit, më shoqëronin.

Mira Kazhani: Si të pëlqente ty të shkoje?

Mirela Koçollari: Unë për hir të së vërtetës nuk e lashë asnjëherë veten dhe nuk e konsiderova asnjëherë veten një paciente dhe një të sëmurë apo që në këto momente ishte e limituar le të themi. Mua më ranë flokët, po unë vazhdoja të lyhesha. Unë shkoja në spital me një kurajë dhe me një qejf, sepse ishte vendi ku unë po shpëtoja. Ishte shpëtimi im. Pra, nuk e kisha aspak frikë spitalin dhe mësova që nuk duhet ta kesh frikë. Se ndonjëherë ne jemi mësuar, na kanë lënë larg disa argumentave që janë pjesë e jetës si: vdekja, spitali, sëmundja, problemet.

Mira Kazhani: Shumë e vërtetë! Ka shumë sigma. Edhe në familje nuk edukohemi.

Mirela Koçollari: Ndërkohë që një fëmijë, apo një person duhet të rritet, të edukohet dhe të mësohet edhe me pjesën e keqe të jetës, edhe me problemet. Neuroshkenca thotë se fëmijët deri në moshën tre vjeçare krijojnë ato hartat emotive. Edhe pse Frojdi thotë deri në moshën gjashtë vjeç kështu që, gjithsesi duhet të mësohen me të mirën dhe të keqen.

Mira Kazhani: Hollë-hollë gjatë gjithë jetës mëson. Mëson edhe 35 edhe 33, 34 dhe 50 dhe 80. Kjo është e vërteta.

Mirela Koçollari: Është shumë e vërtetë. Kështu që unë le të themi nuk iu frikësova, po përkundrazi shkoja e lyer, me taka ndonjëherë, pra vazhdoja jetën time normalisht.

Mira Kazhani: Të ka dhënë pak motiv edhe forma jote e bukur e kokës, portreti yt i bukur. Nuk e di nëse të thonë… e di sa bukur që dukesh.

Mirela Koçollari: Faleminderit!

Mira Kazhani: Jo të gjithë ndoshta do e kishin këtë perfeksion. Ke një ngjashmëri me atë këngëtaren që këndon “Nothing Compares 2 U” Sinéad O’Connor. Ta kanë thënë?

Mirela Koçollari: Po ma kanë thënë, por as vetë nuk e dija që e kisha kaq rrumbullake kokën. Unë i kam mbajtur flokët e shkurtra kur kam qenë në 8-vjeçare dhe në gjimnaz, pak më të gjata kuptohet. Por kur më ranë flokët dhe pastaj që i preva dhe mora këtë vendimin thashë: “nuk janë dhe kaq keq dhe tani që më dolën”.

Mira Kazhani: U mërzite kur…?

Mirela Koçollari: Po!

Mira Kazhani: Mërzitesh gjithmonë kur ndodh?

Mirela Koçollari: Sigurisht mërzitesh dhe preokupohesh për gjithë gjënë. Kur të thonë këtë gjënë e flokëve për një femër është pak e vështirë, por ishte problemi më i vogël.

Unë pastaj arrita ta menaxhoj këtë emocion që më dha pak një lloj efekti dhe pastaj e mora vetë vendimin. I kisha flokët e gjata, pastaj thashë dua t`i pres deri këtu, pa filluar, pa më rënë flokët. Para se të filloja kimion, fllova ta ambientoj veten time.

Mira Kazhani: E bëre gradualisht?

Mirela Koçollari: E bëra gradualisht.

Mira Kazhani: Të gjitha këto janë vendime që i ke marrë me mendjen tënde, nuk është se këshilloheshe me ndonjë psikolog apo me një njeri që ti i beson shumë?

Mirela Koçollari: Jo, sigurisht që ne psikologun e bëjmë ditë për ditë me shokët, me shoqet, me mamin dhe babin, me familjarët tanë, me njerëzit që ne i besojmë, por janë ca gjëra që duhet t`i konsultosh vetëm me veten tënde. Sepse e di ti se si e ndjen. E di ti çfarë të pret. E di ti çfarë të bën të ndihesh më mirë apo më keq. Mjafton të dëgjosh veten dhe të dialogosh dhe reflektosh me veten. Pra edhe tek pjesa e vendimeve që merr, edhe tek pjesa e flokëve, edhe tek pjesa që nuk qava edhe tek pjesa që nuk u tremba… Kisha një forcë të brendshme që e gjeta tek vetja ime, brenda.

Mira Kazhani: E jashtëzakonshme! Mirela kishte momente ku ishe pesimiste dhe ku kishe frikë se mos “po sikur të jem unë përjashtimi dhe…”

Mirela Koçollari: Po, ekzakt atë që sapo the. Për ata që do dëgjojnë këtë intervistë mund të thonë: “uau bravo”, “kjo goca sa e fortë”.

Mira Kazhani: Të gjithë do e thonë këtë.

Mirela Koçollari: Po kjo forca brenda ka edhe shumë ndjeshmëri, shumë lodhje, shumë frikëra, shumë dilema. I ka të gjitha brenda. Unë i kisha. Sigurisht mendoja mund të jem unë përjashtimi, sepse shërueshmëria ishte shumë e lartë nga ajo që më thanë mjekët, pra kura është gjetur, shërueshmëria e lartë. Nuk ishte një problem shumë i madh le të themi, por kishte përjashtime dhe ty të shkon gjthmonë mendja tek e keqja dhe të shkon mendja tek kjo gjë. E mendoja, por vendosa që, jo të jepja një argument apo të justifikoja veten, por thoja që çdo gjë që ndodh në jetë e ka një arsye. Nuk dua që ta gjej tani. Nuk dua që të them përse më ndodhi mua, obobo unë…

Mira Kazhani: Qoftë edhe në mënyrë të pakontrolluar, nuk të ndodhi që të qash dhe të trembesh, të kesh stres?

Mirela Koçollari: Jo, sepse ajo që thashë unë e kisha fokusin vetëm tek shërimi, tek zgjidhja sepse po të merresha me këto mendime, të thellohesha dhe të dialogoja me veten, pse, qysh, tek nuk do e kisha mendjen tek përmirësimi dhe do humbisja shumë fokusin.

Mira Kazhani: Shumë njerëz as nuk e kanë kuptuar që ti përgjatë një viti ke kaluar betejën me sëmundjen tënde, për shkak se ne tashmë komunikojmë dhe e ruajmë miqësinë tonë në Instagram, në rrjetet sociale. Ti aty shfaqeshe çdo ditë. Në mos çdo ditë, ishe shpesh aktive, e qeshur, normale, reagoje madje dhe bashkë kemi shkëmbyer sms për podcast-in.

Mirela Koçollari: Nuk e shkëputa, sepse unë ndihesha dhe kisha këtë kurajën dhe forcën e brendshme që e mora si një projekt jete.

Mira Kazhani: Çfarë bëje gjatë ditëve në Itali kur ishe mirë, kur ishe më në formë?

Mirela Koçollari: Kishte ditë që unë nuk bëja dot asgjë. Duhet të kalonin ato ditët e kimioterapisë, sepse kishte shumë efekte anësore. Po unë lexoja shumë. Merresha shumë me veten. Shikoja filma. Dëgjoja podcast-e. Shikoja ekspozita. Shikoja muze. Pjesa e leximit ka qenë më e rëndësishmja. Kam lexuar shumë edhe e mora si një moment reflektimi dhe qetësie edhe me veten time. Bëra disa gjëra që në një rutinë që na kap ndonjëherë në punë e sipër nuk i bëjmë gjithmonë.

Mira Kazhani: Kaq solare dhe kaq e fortë sa ç’dukesh ti më shkon mendja se do kishte qenë fantastike nëse do kishe mbajtur një ditar. Ke mbajtur ditar? Duhet të shkruash një libër për këtë.

Mirela Koçollari: Do e konsideroj. Është interesante në fakt, po ndonjëherë janë ca ndjesi që nuk arrin dot që t`i shpjegosh me fjalë. Janë ca ndjesi dhe ca përjetime që nuk arrin dot t`i transmetosh tek njerëzit. Unë kam mbajtur patjetër. Kam mbajtur jo vetëm shënime, po dhe objekte, mesazhe të miqve apo letra që më kanë shkruar. Letra, letra fizikisht jo vetëm mesazhe. Kanë qenë gjëra shumë të bukura në fakt që më kanë ardhur papritmas me postë. Mesazhe inkurajuese, mbështetëse, fjalë shumë të bukura që në ato momente Mira ishte gjëja më e rëndësishme. Ajo fjala që thonë dhe ajo fjala që të transmetojnë, ai urimi që të thonë, ajo ishte një terapi më vete. Ishte kimioterapia e shkencës, ilaçi, po ishte dhe ky ilaçi tjetër i mendjes, i shpirtit dhe i zemrës.

Mira Kazhani: Fjala!

Mirela Koçollari: Fjala ishte shumë e rëndësishme dhe nuk e ke idenë se çfarë gëzimi, optimizmi dhe me çfarë dashurie mbushesha kur më vinin mesazhe nga miq, të njohur edhe të panjohur që më kanë shkruar sepse e kishin marrë vesh, për të më dhënë kurajë. Kështu që aty është një moment që ti i shikon me të vërtetë njerëzit, që merr konfirmime dhe e kupton se sa e rëndësishme është edhe një herë fjala.

Mira Kazhani: Oh sa e bukur! Ka ndonjë fjalë që do ta thoje sot që të ka dhënë shumë?

Mirela Koçollari: Ajo që mua më ka kënaqur dhe më ka dhënë akoma më shumë forcë dhe kurajë ishte ai mesazhi inkurajues duke më thënë se sa e fortë jam dhe se sa janë habitur që unë po e përballoj në këtë mënyrë sëmundjen. Duke më konfirmuar këtë pjesë të karakterit tim, të Mirelës se si është e bërë, më jepte dhe më shumë kurajë dhe optimizëm dhe thoja: “Po, unë jam e fortë dhe do ia dal”.

Mira Kazhani: Njerëzit e qeshur janë më të fortë, duken sikur janë më të thjeshtë, më të lehtë, më të kollajshëm, po të qeshësh është një lloj force.

Mirela Koçollari: E vërtetë! Unë kam një forcë edhe t`i shpreh emocionet e mia.

Mira Kazhani: Çfarë shenje je ti në horoskop?

Mirela Koçollari: Unë jam Peshore.

Mira Kazhani: Ti je Peshore.

Mirela Koçollari: Unë i shpreh emocionet. Nuk kam frikë t`i shpreh. Edhe kur qaj, edhe kur më dridhet zëri, edhe kur ka një gjë të padrejtë, e them. Edhe kur kam një vlerësim të madh për dikë që e dua dhe për një mik apo mikeshë, edhe kur jam e dashuruar, ia shpreh sepse njerëzve u duhet thënë një fjalë. Njerëzve iu duhet dhënë kurajë. Duhet me iu thënë edhe “sa i zoti je”, “sa e zonja je”, “faleminderit që je shoqja ime”, “faleminderit që je shoku im”, “bravo kështu vazhdo”. Në momente të caktuara duhet thënë. Ndonjëherë harrojmë. Ndonjëherë e bëjmë me qëllim, ndonjëherë pa qëllim, por më beso ajo që i rikthehem edhe njëherë, fjala dhe transmetimi i energjisë së mirë dhe emocioneve të mira duhet bërë se është shumë e rëndësishme për një njeri.

Mira Kazhani: Po por këtë e mëson njeriu vetëm kur lufton për jetën.

Mirela Koçollari: Fatkeqësisht apo fatmirësisht? Mbase të dyja. Unë e dija le të themi. E kisha dëgjuar apo e kisha parë dhe nga eksperienca e njerëzve të tjerë që kur kalon një vështirësi bëhesh më i fortë, ke një perspektivë tjetër për jetën, i shikon gjërat ndryshe. Teorikisht i dija të gjitha këto dhe besoj të gjithë e dimë, edhe ti e di bashkë me mua.

Mira Kazhani: Po, teorikisht i dimë të gjithë.

Mirela Koçollari: Por kur ti kalon ato vështirësi thua: Duhet të kalonte kjo situatë që unë ta konfirmoja dhe ta besoja që realisht kjo është jeta. Duhet të përgatitemi dhe të përballemi me të gjitha, çfarë surprizash na vijnë si në të mirë, si në të keq.

Mira Kazhani: Tani që je shëruar, çfarë gjërash mendon për jetën? Ke plane? Cilat janë gjërat që do të doje të bëje?

Mirela Koçollari: Unë si Mirelë, si para dhe pas…

Mira Kazhani: E sheh veten besoj, para dhe pas.

Mirela Koçollari: Ka një pikë zero (qesh). Kështu që patjetër. Ndodh diçka kur superon këtë gjë. Për hir të së vërtetës nuk kam bërë një plan preçiz çfarë do bëj unë me jetën time pas këtij momenti. Kam vendosur të mos bëj plane të mëdha, sepse asnjëherë nuk i dihet, por të shikoj jetën me një perspektivë tjetër. Të vlerësoj gjëra të vogla dhe ato që kam tani t`i vlerësoj shumë, sepse nuk e dimë se çfarë ndodh nesër dhe kur je në buzë të një gremine që nuk e di se si do të shkojë ky fat, do bjerë aty poshtë apo do qëndrojë, e kupton që shëndeti është gjëja më e rëndësishme.

Mira Kazhani: Çfarë pret nga e ardhmja?

Mirela Koçollari: E kaluara ka ndodhur. E tashmja ndodh dhe e ardhmja… le t`Ia lëmë të ardhmes atë që do të ndodhë. Unë tashmë jam e përgatitur me të gjitha municionet për t`u përballur me të gjitha gjërat edhe nuk i frikësohem asnjë gjëje në të ardhmen. Dhe kur thonë si të jetë e shkruar çfarëdo lloj gjëje, ajo që ne na takon të bëjmë është të përballemi me kurajë dhe me forcë, pastaj është dhe çështje fati.

Mira Kazhani: Ta provojmë fatin meqë është vakt dreke me një sallatë me avokado unë dhe ti?

Mirela Koçollari: Poo!

Mira Kazhani: Me dietën si je tani? I ha të gjitha?

Mirela Koçollari: Në fakt po. E mira ishte se mua më pëlqen shumë ushqimi. Ha goxha dhe e kisha njëçik problem nëse do isha e limituar në disa gjëra, por jo nuk isha e limituar. Sigurisht doktorët më thanë që duhet të bësh edhe tani mbas thjesht një jetë të shëndetshme. Ky është një mesazh për të gjithë ne. T`i hamë të gjitha gjërat me masë, pa ekzagjeruar dhe të bëjmë aktivitet sportiv. Kështu që kjo është një jetesë që na bën mirë të gjithëve, jo vetëm mua që isha në atë situatë, por edhe ty edhe kujtdo që na ndjek. Kështu që po e mirëpres ftesën dhe jam shumë dakord.

Mira Kazhani: Ti mund të zgjedhësh çfarë të duash, ajo më erdhi ndërmend.

Pse kam përshtypjen që me doktorin duhet të jeni bërë miq të mirë?

Mirela Koçollari: Po jemi bërë miq të mirë…

Mira Kazhani: Me këtë natyrën tënde…

Mirela Koçollari: Po (qesh). Që e pyesja për çdo gjë, që kuriozohesha për çdo gjë.

Mira Kazhani: Flisni?

Mirela Koçollari: Po. Italia është një shtet i cili është tepër social.

Mira Kazhani: Edhe fjalën nuk e kursen, përveç ilaçeve dhe spitaleve të mira, dhe fjalën e kanë të bukur shumë.

Mirela Koçollari: Ata në fakt janë një popull shumë human dhe unë kur shkoja në spital, që nga infermierja dhe deri tek i pari i spitalit kishin një sjellje aq humane dhe dua ta theksoj, sepse përveç meje që unë kisha dokumentat dhe letrat që kam studiuar atje, kanë ndihmuar shumë shqiptarë të cilët ishin pa letra, të cilët nuk kishin asnjë dokument dhe vetëm me mirësinë e tyre dhe me anën humane ata kanë ndihmuar. Unë kam njohur shumë njerëz atje të cilët kanë gjetur shërim, kanë gjetur shpëtim dhe ata janë një popull dhe njerëz të jashtëzakonshëm. Edhe pse nuk i takon, tani që unë mbarova ta bezdis për kuriozitetet e mia, por janë aq të mirë sa më kthejnë përgjigje. Mbaj kontaktet dhe realisht i falënderoj si njerëz mbi të gjitha, pastaj si profesionistë patjetër. Po si njerëz janë fantastikë.

Mira Kazhani: E di sa shpesh e them që sa me fat jemi që jemi komshinj me ta, kudo që shkoj. Janë shumë të mirë dhe ne i falënderojmë për këtë lloj…

Mirela Koçollari: Humanizmi që kanë ata ndaj nesh!

Mira Kazhani: Humanizmi dhe hospitaliteti që të kanë dhënë ty dhe u japin shqiptarëve që shkojë atje. Është fantastike, e lëmë atëherë shkojmë për pica.

Mirela Koçollari: Faleminderit! Ikim.

Mira Kazhani: Faleminderit!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *