Anisa në botën e memeve 

Nga Mira Kazhani/ Në këtë podcast do të flasim për memet, në Instagram, TikTok, ect. Nga ato që kur i dëgjon të pëlqejnë aq shumë sa do doje ta kishe thënë vetë. Duken të thjeshta, por s`është ashtu. Unë kam zgjedhur një adresë në Instagram, mes shumë të tillave që ka online, një vajzë që për mua ka diçka genuine në quote-t e saj, kur ironizon fenomene apo edhe personazhe. Bën një jetë minimaliste. Ajo është e ulur përballë meje dhe po pret pyetjen time të parë. Unë në fakt pres cila do të ishte një meme e saj apo batutë për podcastin që unë bëj. Ose për gjendjen në të cilën ndihesh tani.


Anisa Kushta: Në siklet, por s`ka gjë. Po jap batutën për podcastin. Mira Kazhani nuk gjen më personazhe, mori Anisa Kushtën. (qesh)

Mira Kazhani: Sa autoironi! (qesh) Personazhe ka plot. Po unë dua këta të vështirët. Anisat për shembull.

Anisa Kushta: Dukem e vështirë, por nuk jam. Thuaje që mezi e gjetëm një orar, një ditë.

Mira Kazhani: Tani do ta them. Si është puna që mezi more leje tek ajo puna që bën ti si ekonomiste, llogaritare. Çfarë je aty?

Anisa Kushta: Ekonomiste. Ta rrisim pak piacën.

Kur e kërkova lejen e mora shumë kollaj. Problemi im është ta kërkoj lejen. Më duket pak… për gjëra të tilla… Ok, për mua janë të rëndësishme, por është puna dhe e kam shumë siklet të kërkoj leje për këto gjëra. Kështu që them më mirë jo.

Mira Kazhani: Çfarë mendojnë ata në punë për memet e tua, për quotes, për batutat?

Anisa Kushta: Nuk shprehen, kështu që besoj i pëlqejnë.

Mira Kazhani: Bën në punë?

Anisa Kushta: Batuta me kolegen që e kam më të afërt në punë dhe të tjerët. E dinë që jam batutaxhie, por…

Mira Kazhani: Batutën e ke organike. Është kaq e natyrshme tek ty. I ngjan dikujt në shtëpi? E keni traditë kështu? Flisni me ironi? Jeni si familje?

Anisa Kushta: Unë i ngjaj babait. Im atë nuk jeton më. Ai ka qenë batutaxhi i madh. E kam besoj të trashëguar. Është dhunti. Nuk është se kam punuar unë për të bërë kushedi se çfarë. Besoj i ngjaj atij. Pastaj po, të gjithë jemi. Është edhe vëllai i madh gjithashtu. Edhe të tjerët mundohen, por nuk arrijnë nivelin tonë (qesh).

Mira Kazhani: Kur nise t`i shkruash gjërat që i thoje me njerëzit rëndom?

Anisa Kushta: Në fakt unë kam filluar në Facebook se Instagrami ka qenë shumë i vonshëm. Normal Instagrami doli më vonë.

Mira Kazhani: Unë të njoh në Instagram, prandaj edhe iu referova.

Anisa Kushta: Tani jam vetëm pothuajse në Instagram dhe jo në Facebook. Kam filluar atje. Thjesht shprehja ato që mendoja. Punë sekondash. Kam pasur guximin që t`i shkruaj gjithmonë gjërat që më vinin ndër mend, batutat. Pastaj dhe inkurajimi i njerëzve: Sa bukur shkruan. Gallatë. Kështu vazhdoi pastaj me Instagramin.

Mira Kazhani: Kur hoqe dorë nga Facebook-u?

Anisa Kushta: Vitet e fundit.

Mira Kazhani: Çfarë të bezdisi në Facebook? Se mua asgjë nuk më pëlqen në Facebook, po ty dua të di. Mendimin tënd.

Anisa Kushta: Nuk e di. Nuk është më tërheqës. Janë ca personazhe që vijnë rrotull aty. Është më komod Instagrami.

Mira Kazhani: Unë e di shumë mirë që ti Instagramin e ke vërtet një hobi. Kur në fakt, në kohën e influencërve, në kohën e njerëzve që kanë fuqinë e fjalës së duhur, humorin fin, kjo mund të shndërrohet edhe në biznes. Mund të kthehet edhe në para. Ti nga ana tjetër, ke një punë me një rrogë normale. Ke një jetë shumë minimaliste. E tregon edhe me batutat e tua kur tallesh me faktin që je në shtëpi në pikun e vapës dhe nuk je me pushime.

Anisa Kushta: Unë nuk fitoj nga Instagrami, ndoshta se nuk di si të fitoj nga Instagrami. Po nuk është qëllimi im, absolutisht. Influencer që përmende e kanë mënyrë jetese, kanë zgjedhur atë mënyrë për të jetuar, unë kam një tjetër gjë me të cilën jetoj. Nuk do i hyjmë muhabetit sa e kënaqur jam etj, etj. Është tjetër çështje, por Instagrami për mua është argëtim. Sigurisht mesazhet që më vijnë nga njerëzit që më komplimentojnë patjetër që më bëjnë shumë qejfin. Kam pasur dhe raste shumë të vogla që është kthyer pastaj në përfitim monetar. Por që nuk është qëllimi im. Nëse do ketë propozime, patjetër që unë do t`i pranoj, por jo për ta kthyer mënyrën time të jetesës vetëm nëpërmjet asaj. S`besoj që do e bëj ndonjëherë.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për ata që e bëjnë këtë gjë dhe e kanë biznes?

Anisa Kushta: Bravo iu qoftë! Absolutisht i kam zili për mirë. Mua më duket sfilitëse. Ndoshta sepse unë mendoj që për të përfituar monetarisht nga Instagrami ose nga rrjetet sociale të duhet edhe prezencë fizike, me video, me foto dhe unë këtë nuk e bëj dot. Ata e bëjnë. I kam zili nga kjo anë. Për mua është lodhje ajo.

Mira Kazhani: Çfarë reklamash për shembull të çuditshme të kanë kërkuar ty që i ke refuzuar?

Anisa Kushta: Për produktet që ofrojnë që t`iu bëj reklamë, mund të më duken të çuditshme, sepse nuk më përshtaten. Por nuk do t`i përmend se…

Mira Kazhani: Po mirë mos thuaj markën. Thuaj produktin!

Anisa Kushta: Unë jam adhuruese e kafes. Unë zgjohem, ngrysem, dua vetëm të pi kafe. Më kanë ardhur propozime për të bërë reklama, por ca propozime që më vjen keq ta them, por qesharake. Domethënë, “të të japim kaq kapsula kafe, bëj reklamë”. Ok, i blej vetë. Nuk është problem. Gjëja më qesharake duke më njohur gjithë Instagrami im, është për produktet e kujdesit të fytyrës. Këto skin care routine. E kam bërë njëherë dhe nuk do ta bëj më. Nuk më përshtatej fare, fare, fare. Ishte komplet jashtë profilit tim. Duke më njohur çfarë tipi jam… gjithsesi vazhdojnë vetëm këto më vijnë.

Mira Kazhani: Nuk e kam këtë. Po si e bëre këtë reklamën e skin care?

Anisa Kushta: Lëre mos t`i kthehemi. (qesh). E bëra me shumë… ok, u përpoqa. Me atë djalin që folëm: Mundohu – tha ai – nuk është ndonjë gjë shumë e madhe. Dhe unë jam munduar, por unë e di çfarë djersë për të bërë atë videon. Gjëja më qesharake është si të aplikoni një krem. Si të… Tani që e mendoj jam penduar që e kam bërë.

Mira Kazhani: Si të vijnë ty batutat? Për shembull sheh diçka dhe e thua në moment dhe shkon e shkruan?

Anisa Kushta: Jo gjithmonë, sepse ndonjëherë edhe duhet ta përpunoj. Sidomos me fenomenet që ndodhin kam filluar të jem pak e kujdesshme. Se duke u shtuar ndjekësit është një përgjegjësi që merr përsipër për atë që do thuash. Kështu që mund të kem gabuar me raste. Nuk ma ka thënë njeri. Do shpresoja shumë që nëse kam gabuar të ma kishin thënë.

Mira Kazhani: S`më duket jo.

Anisa Kushta: Por, po. Batuta më vjen në sekond. Ato që janë thjesht gallatë, për të qeshur, i hedh edhe pa u menduar shumë. Se nuk do prekin kënd.

Mira Kazhani: Është prekur ndonjë personazh nga ty? Nuk është se merresh shumë me emra. Ti në përgjithësi trajton fenomenet.

Anisa Kushta: Më përpara merresha.

Mira Kazhani: Më përpara dhe e ke bërë.

Anisa Kushta: Më përpara merresha, por duke filluar të më ndiqnin këta emra, thashë obobo… (qesh)

Mira Kazhani: Kur të bëhen miq aty në Instagram…

Anisa Kushta: Mendimi im i parë është: Erdhi që unë mos ta përmend më.

Mira Kazhani: Po ti mos bjer në atë kurth.

Anisa Kushta: Jo, po emrat nuk duhen përmendur në fakt. Ok, kur është thjesht për një batutë një ironi e çastit nuk është problem. Po pastaj kur mendoj që është ofenduese… Unë nuk e di çfarë mund ta ofendojë tjetrin. Mund ta prekë në pika që mua më duken ok, por për atë janë ofenduese. Kështu që rezervohem.

Mira Kazhani: Më trego ndonjë personazh që është prekur edhe tani është rasti dhe mund t`ia qetësosh shpirtin.

Anisa Kushta: Nuk do ia them emrin. Po ka bërë një shkrim në Facebook ose në një portal. Ndoshta ka qenë Anabel portali dhe kam përmendur shumë personazhe. Njëri prej tyre nëpërmjet një miku më çoi mesazh që ishte ndjerë jo mirë me atë artikull. Nuk e di pse.

Mira Kazhani: Çfarë kishe thënë ti në atë artikull?

Anisa Kushta: Nuk kisha thënë ndonjë gjë kushedi. Unë kisha ironizuar në fakt programin që ai drejtonte.

Mira Kazhani: Është prezantues. Mund të jetë dhe prezantuese.

Anisa Kushta: Po. Rashë në kurth. (qesh)

Dhe e hoqa pastaj. Përderisa dikush më thotë që nuk ndihet mirë me atë që kam shkruar, absolutisht duhet të…

Mira Kazhani: I ndjek ti programet?

Anisa Kushta: Jo më.

Mira Kazhani: Prej sa kohësh?

Anisa Kushta: Katër vite.

Mira Kazhani: Qenkemi shoqe bashkë këtu. Po ndiqi që të na thuash diçka.

Anisa Kushta: Nuk dua të hiqem sikur çfarë. Arsyeja kryesore është se televizorin na e ka privatizuar mami. S`ka shanse të shohim ne.

Mira Kazhani: Mami shikon?

Anisa Kushta: Telenovelat.

Më përpara edhe kur i shihja i shihja për të bërë ndonjë batutë, jo se merrja diçka. Unë mendoj që ka programe nga të cilat mund të marrësh në televizion. Vetëm se të duhet shumë t`i kërkosh. Sepse hapësirën kryesore e kanë zënë ato që për mua nuk përcjellin ndonjë vlerë. Edhe argëtim jo. Nuk e di. Ka më shumë banalitet, zënka. Asgjë që mund të marrësh.

Mira Kazhani: Ti do ishe një kritike shumë e mirë e emisioneve televizive apo edhe të medias online.

Anisa Kushta: Mund të isha, por jo përballë kamerave. Është sikleti im më i madh.

Mira Kazhani: Mua më pëlqejnë shumë nga batutat e tua, por do gjej këtu një nga më të bukurat që më ka pëlqyer dhe dua t`ua lexoj edhe djemve të Barraka Production që i kam këtu tani. Një nga të shumtat që mua më tërheqin, por me këtë nuk di sa shumë qeshur dhe ua kam dërguar shumë njerëzve.

(Mira lexon nga Instagrami i Anisës)

“Mami dëgjoi këtë lajmin që një të moshuare i është zbrazur llogaria bankare nga banka dhe më tha prapë për të dytën herë brenda vitit, të tërhiqja lekët që kisha në bankë dhe t`i mbaja në shtëpi. Për të dytën herë brenda vitit e qetësova duke i thënë që këto skenare s`ka shanse të më ndodhin mua. Ha Ha Ha. Vazhdon mendon se kam lekë në bankë. Ça e mil”.

Anisa Kushta: Ka qenë një para kësaj me luftën në Ukrainë, po qe gjasme si meme.

Mira Kazhani: Po ka ndodhur vërtet? Vërtet mami e thoshte këtë?

Anisa Kushta: E ka thënë. Vazhdimi është i imi, por po. E ka thënë.

Mira Kazhani: Po vazhdimi, që “vazhdon mendon se unë kam lekë në bankë, sa e mirë”.

Anisa Kushta: Mendojnë pozitivisht mamatë për fëmijët. (qesh)

Mira Kazhani: Si e ke raportin ti me paranë?

Anisa Kushta: Shumë të ngushtë.

Mira Kazhani: Apo ç`raport të kesh?

Anisa Kushta: Me mamin, po patjetër. Kam një raport shumë të ngushtë.

Mira Kazhani: Më fal, e kisha për paratë.

Anisa Kushta: Raport shumë të keq, patjetër. Ok, s`kam aq shumë sa t`i shpenzoja të gjitha, por aq sa kam di t`i shpenzoj mirë. Nuk bëj shpenzime të çmendura ç`është e vërteta. Edhe këtu them që i ngjan tim ati. Edhe atij nuk i rrinte paraja në dorë. Thoshte: Kam një vrimë në dorë. Më ikën.

Mira Kazhani: Komplet si ti. Dukesh që i ngjan. Ti jeton vetëm me mamin tani?

Anisa Kushta: Dhe me vëllain binjak.

Mira Kazhani: Po flasim pak për mamin.

Anisa Kushta: Patjetër. Për vëllain njëherë tjetër (qesh).

Mira Kazhani: 36 vjeç. Mund ta themi moshën?

Anisa Kushta: Po patjetër.

Mira Kazhani: S`ka problem për ty, se ti nuk ke kështu kompleksesh.

Anisa Kushta: Jo fare.

Mira Kazhani: Qëkur nuk bën reklama kremrash, nuk ke as këtë kompleks. Mami do donte që ti të jetoje vetëm apo është shumë e lumtur që e ka gocën në shtëpi?

Anisa Kushta: Vetëm vetëm jo. Vetëm e martuar po. Do të donte patjetër. Edhe pse nuk më ngacmon më. Ka shumë kohë që nuk më bezdis fare të them të drejtën. Vetëm kur e përmend ndonjëherë që do doja të jetoja sikur një kohë vetëm fare, sëmuret. “Mos më sëmur”, thotë. Kam një raport shumë të veçantë. Është bërë më i veçantë me kalimin e kohës. Unë kam qenë shumë e lidhur me tim atë. Shumë e lidhur. Aq e lidhur sa kur e lija për të dalë me shoqërinë, nëse ai më thoshte “Do dalim bashkë?”, e anuloja me shoqërinë dhe dilja me të. Pas humbjes së tij, avash avash jam lidhur shumë me mamin. E kam kuptuar rëndësinë e prindit tjetër. Unë kam qenë 22 vjeç kur im atë është ndarë nga jeta. Patjetër që e doja mamin, por isha shumë e lidhur me tim atë dhe më vonë thashë dale se duhet t`i kushtoj më shumë rëndësi dhe mamit. Besoj që e kam bërë mirë detyrën. Nëse mund ta quaj detyrë, si vajzë.

Mira Kazhani: Po detyrë kemi ndaj prindërve.

Anisa Kushta: Patjetër.

Mira Kazhani: E kanë thënë mirë ata. Që Zoti nuk mund të ishte kudo dhe për këtë zgjodhi nënat. Çfarë do të mendonte mami po të lërë një telenovelë për të parë këtë podcast me ty? E bën?

Anisa Kushta: U interesua në fakt në çfarë televizioni do ishte dhe u qetësua kur i thashë nuk është në televizion. Tani do e shohë kushedi se sa herë duke qenë se do jetë në YouTube.

Mira Kazhani: Në YouTube, në Spotify, kudo do jetë.

Anisa Kushta: Po Spotify nuk e nget ajo. Kështu që besoj do e shohë në YouTube.

Mira Kazhani: E thashë për të tjerët. (qesh)

Anisa Kushta: Ajo më shtyn për këto gjërat në fakt. Shko kur të ftojnë. Unë nuk para shkoj. Në televizione as që bëhet fjalë. Jam shumë rrallë që dal në Tv. Ajo më thotë: Po pse jo, të keqen mami? Çfarë ka të keqe? Ti je shumë mirë. Dukesh shumë mirë. Më shtyn për këtë.

Mira Kazhani: Është e vërtetë. Prindërit tanë në përgjithësi janë nxitës. Edhe të mitë e kanë dashur jetën publike. Nuk është se i janë trembur ndonjëherë. Po nuk e dinë që nuk është gjithmonë aq e bukur.

Anisa Kushta: Mua s`më është dukur e bukur. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë vetëm radioja. Radioja më pëlqen dhe më duket shumë komode.

Mira Kazhani: Po bëj radio.

Anisa Kushta: Po të ma ofrojnë e bëj patjetër radion. Nuk di sesi ta kërkoj. Se më thonë shumë që shko vetë kërkoje. Nuk e di.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për këtë shprehje ti, shko vetë kërkoje? Kërkoje se s`ta fal kush asgjë.

Anisa Kushta: Mirë ndoshta e kanë. Ka ca shprehje klishe që thuhen lart e poshtë. Ta them atë që s`më pëlqen fare?

Mira Kazhani: Thuaje.

Anisa Kushta: Është kjo që thonë “selfmade”. Domethënë unë jam e bërë vetë. Kam arritur këtu ku jam vetëm. Kjo është kaq shprehje mosmirënjohëse mendoj unë. Sepse gjithmonë, për çdo gjë që kemi arritur, kemi pasur dikë që na ka mbështetur. Sikur qoftë edhe me një fjalë. Patjetër që edhe të tjerët financiarisht, bashkëpunëtorë. Kjo më duket shprehja më mosmirënjohëse. Nuk di pse e përdorin kaq shumë.

Mira Kazhani: Më pëlqeu kjo! Madje dhe ata që na pengojnë gjatë rrugës, edhe ata na kanë ndihmuar se ndonjëherë ai inati të shtyn më shumë t`i bësh gjërash. Si ata që të mbështesin me pozitivizëm. Edhe ata që ndoshta nuk e duan suksesin tënd, edhe ata të ndihmojnë se të bëjnë të ecësh përpara.

Anisa Kushta: Faleminderit dhe atyre!

Mira Kazhani: Ti je pjesa e bukur e Instagramit. Ajo që të bën të qeshësh. Të reflektosh për fenomenet përmes buzëqeshjes, përmes ironisë tënde, po nga ana tjetër jeta online, TikTok, Instagram, Facebook, është edhe shumë toksike. Ka shumë bullizëm. Është vendi ku bëhet gjyqi publik. Ka shumë helm. Adoleshentët janë sot shumë të rrezikuar. Në TikTok flitet me një gjuhë shumë të rëndë.

Anisa Kushta: Sidomos TikTok-u…

Mira Kazhani: Në TikTok flitet me një gjuhë shumë të rëndë. Hapen faqe anonime që linçohen dhe….

Anisa Kushta: TikTok-u është shumë shumë toksik. Ajo që kam vënë re nga TikTok-u është që aty të del përpara çfarëdolloj gjëje. Nëse në Instagram duhet përgjithësisht t`i ndjekësh dhe pastaj të ushqehesh me postimet, aty të del para çfarëdolloj gjëje dhe më habit fakti që ka njerëz, unë nuk dua të ofendoj askënd por, pa nivel, të pashkolluar që dalin në ato që quhen live, jo thjesht fjalori por ajo çfarë përcjellin… Një boshllëk i madh sikur u mësojnë fëmijëve që shkolla nuk vlen asgjë, i pasur mund të bëhesh nga TikTok-u, edhe pse ajo pasuria as një vit nuk do të zgjasë. Kjo është një famë false, sepse është bosh.

Mira Kazhani: Ndoshta dhe zgjat Anisa shumë, por sa vlerë ka një pasuri në atë lloj gjendje shpirtërore dhe mendore?

Anisa Kushta: Absolutisht nuk ka. Po me këtë po i ushqejnë fëmijët dhe adoleshentët sot. Nëse i sheh dhe në shkollë – se po të hysh në TikTok dhe të shohësh këta personazhe që hyjnë live dhe të shohësh – ata që i ndjekin janë fëmijë që ndërkohë janë në mësim dhe janë në një live TikTok-u pa vlerë. Ajo pavlera që të bën keq, të bën dëm. Është për t`u shqetësuar për të ardhmen e këtij vendi realisht.

Mira Kazhani: Të gjithë botës. E gjithë bota…

Anisa Kushta: Po, por meqënëse jetojmë në Shqipëri. Patjetër edhe gjithë bota, sepse këtu vijnë trendet që kanë kaluar në botë. Absolutisht po!

Mira Kazhani: Unë këtyre u them “luanët e tastierës” (qesh). Aty je shumë i fortë të shkruash edhe i fshehur pas një profili fals.

Anisa Kushta: Po, por … nuk e di.

Mira Kazhani Çfarë mendon ti? Do t`iu vijë fundi? Se ne themi ndonjëherë do vijë një moment që do ndalojë, po s`po ndalon. Në fakt po rritet. Më agresive po bëhet. Më e vështirë po bëhet.

Anisa Kushta: Unë besoj dhe shpresoj që do i vijë fundi, por kam frikë se do vijë fundi i kësaj gjëje dhe do të dalë diçka edhe më e keqe, kështu që…

Mira Kazhani: Si e shpjegon që në përgjithësi dhe ka studime tashmë që janë bërë, që në rrjetet sociale një lajm i mirë apo diçka e mirë merr like-s, merr pëlqime, po asnjëherë sa një gjë që ndjell urrejtje, që shkakton urrejtje, që shkakton nerv?

Anisa Kushta: Unë besoj që ka të bëjë me faktin që njerëzit që në fëmijëri nuk kanë diku ku të shprehen, diku ku të nxjerrin mërzinë, nervin të gjitha i akumulojnë, i akumulojnë dhe sa gjejnë gjëra të tilla o burra të shajmë, të gjykojmë. Është për të ardhur keq. Është mllef i akumuluar i gjithi. Ne jemi një popull….

Mira Kazhani: Shoqëria jonë, pa psikologë.

Anisa Kushta: Ne kemi nevojë për psikologë të gjithë, nga më i vogli deri tek më i madhi. Ne e quajmë ende turp. E quajmë ende diçka shumë të rëndë, nëse dikush thotë po shkoj tek psikologu, por nuk e di. Duket sikur as nuk shprehemi as me njëri-tjetin, as me miqtë. Mbajmë gjëra reserve. Nuk e di, është një helm që akumulojmë nga diçka. Dhimbja rritet dhe pastaj të del ky rasti i ndodhive që shan dikë e di që nuk do të të kthehet. E di që nuk ka çfarë të të bëjë. Thjesht shprehesh aty me mllef dhe nuk e di si ndihen më pas. Nëse ndihen mirë, unë them ok. Nëse ndihen më mirë lë të vazhdojnë, le ta bëjnë, nuk është problem.

Mira Kazhani: Si reagon ti nëse dikush të shan, flet keq?

Anisa Kushta: T`ia fus kot, sepse nuk kam pasur ndonjëherë rast. Shumë, shumë rrallë, thjesht i kam lexuar dhe i kam fshirë si mesazhe, as nuk kam kthyer përgjigje. Nuk u jap rëndësi, kaq. Por nuk jam shumë dakord dhe me këtë pjesën, ka shumë personazhe që pastaj i rilinçojnë. Marrin atë mesazhin që u kanë çuar dhe pastaj e postojnë tek profili i tyre, ja ç`a më tha, ja si u përgjigja. Kjo është t`i japësh rëndësi pastaj mendoj unë atij personit negativ. Por është e vërtetë që rrjetet sociale janë të mbushura me njerëz të tillë. Nuk di ta shpjegoj, s’jam psikologe.

Mira Kazhani: Ankoheshim për picat dhe për ushqimet që postonin, ato janë lule. Ato janë gjëja më e mirë (qesh). Ato të hapin oreksin. Algoritmet e Instagramit tim janë me interior design se më pëlqejnë shumë, me gatime dhe me mediat e huaja.

Anisa Kushta: Gatimet më janë shtuar shumë pas një periudhe që duhet të kujdesesha për mamin, për një problem shëndetësor që ka kaluar. Ngaqë kërkoja çfarë të gatuaja dhe nuk kisha ide fare atëherë kuptova mamin që thoshte: “Më thoni çfarë të gatuaj se nuk e di!” (qesh)

Mira Kazhani: Po, shqetësimi i nënave tona gjithmonë.

Anisa Kushta: Kështu që algoritmi tani është bërë vetëm gatime, gatime dhe tani duhet ta heq, boll.

Mira Kazhani: Çfarë i gatove mamit gjatë asaj kohe?

Anisa Kushta: Nga të gjitha. Kam qënë e stresuar në kuptimin, lexoja çfarë i bën mirë, çfarë i bën keq. Ajo kaloi dy ndërhyrje kirurgjikale. Çfarë është mirë për plagën, çfarë jo.

Mira Kazhani: Si është tani?

Anisa Kushta: Lavdi Zotit është shumë më mirë. Kemi kaluar dy vite të vështira. Ky vit akoma dhe më i vështirë, me probleme që as ma merrte mendja që do ndodhnin.

Mira Kazhani: Çfarë ndodhi?

Anisa Kushta: Ajo u diagnostikua me tumor në gji, vitin e kaluar, në prill. Pastaj këtë vit bëri ndërhyrjen dhe gjërat nuk shkuan ashtu siç… në vetvete ndërhyrja shkoi mirë falë Zotit. Biopsia falë Zotit doli shumë, shumë mirë, por problemet që pati me plagën ishin pastaj të vështira. Mund të them që për mua kanë qënë traumë e vërtetë, sepse m`u desh pastaj të kujdesesha vetë për ta mjekuar.

Mira Kazhani: E ke mjekuar vetë mamin?

Anisa Kushta: Po!

Mira Kazhani: Nuk kishe frikë?

Anisa Kushta: Arriti një fazë që duhej vetë.

Mira Kazhani: Çfarë goce!

Anisa Kushta: Një miku im që më ndihmoi që ishtë mjek kiurg, bëri aq sa mundi. Pastaj duhet të largohej dhe ma la mua. Flisja me të. Më thoshte “bravo, je bërë doktoreshë. Jam krenare për ty”.

Mira Kazhani: Ua!

Anisa Kushta: Jo, shiko nuk është heroizëm absolutisht. Kam bërë çfarë duhet të bëja, po nuk ishte e lehtë.

Mira Kazhani: Patjetër, po ndoshta do pak kurajo. Do dhe pak ekspertizë se nuk është e lehtë të bëhesh infermiere.

Anisa Kushta: Më mësoi ai, por e mora sigurisht në një fazë që mund ta merrja unë si amatore e fushës sepse përndryshe…por po, ok jam pak krenare për veten. (qesh)

Mira Kazhani: Duhet të jesh edhe kushedi sa është mamaja jote për ty.

Anisa Kushta: Besoj që po!

Mira Kazhani: Jemi dhe ne që po dëgjojmë tani.

Anisa Kushta: Faleminderit!

Mira Kazhani: Vëllai çfarë roli kishte gjatë kësaj kohe?

Anisa Kushta: Më suportonte. Forca! (qesh)

Mira Kazhani: Ai kishte më shumë frikë për shembull.

Anisa Kushta: Djemtë janë të tërhequr. Ai e shikonte kështu si larg plagën, por nja dy herë u afrua dhe ta bënte, po unë kisha merak pastaj: “Jo, jo s`do preket asgjë, rri larg”, sepse kisha problemin e infektmit, gjëra të tilla.

Mira Kazhani: Çunat, djemtë, burrat janë frikacakë.

Anisa Kushta: Absolutisht po, janë, por sidomos më shumë tek vetja, ndoshta.

Mira Kazhani: Pse u jemi bindur me shekuj? Sikur ta dinim… (qesh)

Anisa Kushta: Sidomos për probleme shëndetësore tek vetja janë shumë frikacakë, sikur çfarë ka ndodhur.

Mira Kazhani: Po po. Nuk e përballojnë 37.1 temperaturën.

Si e sheh të ardhmen tënde në Shqipëri?

Anisa Kushta: Nuk e di. Më përpara bëja plane për veten, por kur e pashë që nuk ecnin fare, lëre fare thashë. Mos u mundo.

Mira Kazhani: Çfarë planesh për shembull ke bërë që s`të kanë dalë?

Anisa Kushta: Po kur isha më e re, do mbaroj shkollën, do punoj në një zyrë të madhe, do jem nga këto vajzat që rrinë më taka, mbajnë dosjet, edhe pse takat unë i kam urryer gjithmonë. Nuk e di pse mendoja këtë për veten, po kam veshur atlete. Nuk e di e mendoja veten një zyrtare të lartë. Ndoshta kisha shembullin e prindërve të mi. Ata kanë punuar të dy ekonomistë dhe kanë qenë disi në pozitë, por nuk jam fare e tillë. Unë dua një jetë të qetë ç`është e vërteta. Jashtë fokusit publik po e po. Nuk e di, dhe kur jam në ambiente me shumë njerëz, unë zgjedh ata njerëzit e mi dhe tërhiqem pak. Jam ajo që quhet introverte.

Mira Kazhani: Introverte! Po pse e pranove podcast-in me mua?

Anisa Kushta: E di si e pranova? Sapo më the thashë Po, nëse do e mendoja do thoja Jo!

Mira Kazhani Në një botë ku ambicia ndoshta është mesazhi më i marketuar, një njeri që thotë se nuk ka shumë ambicie dhe që do një jetë të qetë mua më duket brilante.

Anisa Kushta: Të dashurit një jetë të qetë ndoshta është ambicie më vete në këto kohë ku jetojmë.

Mira Kazhani: Antidot!

Anisa Kushta: Sa zgjohesh është vetëm stres, kështu që, pse jo! E di si e imagjinoj unë… por është shumë vonë dhe ndoshta s`do bëhet (qesh). Të kem një kënd timin atje që të çohem kur të dua. Jo se jam gjumashe absolutisht, po dua ta marr pak jetën me ritmin tim ndonjëherë. Të kem një kompjuter dhe të shkruaj.

Mira Kazhani: Ide shumë e mirë! Unë këtu do jem duke bërë podcaste, kështu që dhe për librin tënd…

Anisa Kushta Flasim prapë!

Mira Kazhani: Politika! E ndjek politikën? Sepse të shoh që e ironizon.

Anisa Kushta: Shiko se politikën edhe nëse s`e ndjek, të ndjek ajo. Se është pjesë e jetës. Çdo vendim që merr, politika na ndikon në jetë, kështu që…por që të merrem në mënyrë aktive jo absolutisht.

Mira Kazhani: Voton?

Anisa Kushta: Kam nja 2-3 vite që jo.

Mira Kazhani: Një herë në 2 vite ka zgjedhje, ose lokale ose parlamentare.

Anisa Kushta: 2 palë zgjedhje jo. Një vendore dhe tjetra e përgjithshme. Jo nuk kam votuar.

Mira Kazhani: Do vazhdosh të mos votosh?

Anisa Kushta: Të shohim! Nuk e di. Më ka humbur…

Mira Kazhani: Elektorati gri është shumë gri në këtë karrige (qesh)

Anisa Kushta: Nuk e di, nuk e di! Duhet të dalin figura të reja ndoshta që…megjithëse unë jam e zhgënjyer edhe nga figurat e reja. Shiko kushdo që del gjithsesi është… nuk e di pse ka një lidhje që përfundon prapë tek ata të vjetrit.

Mira Kazhani: Ti ke një raport të veçantë me kishën.

Anisa Kushta: Absolutisht po!

Mira Kazhani: Në përvojën tënde jetësore Anisa, çfarë transformimi të bën të jesh një besimtar?

Anisa Kushta: Unë do them si jam bërë besimtare dhe ndoshta pastaj nga kjo kuptohet. Unë kam shkuar në kishë me zor që e vogël. Ishte ime motër dhe im vëlla, po ime motër ka qënë goxha aktive. Ajo na merrte që fëmijë dhe sigurisht kisha dëgjuar. Po nuk e di për mua u kthye pastaj… u rebelova, jo ndaj Zotit realisht, por ndaj këtyre njerëzve që të merrnin me zor për të bërë diçka që nuk e doje. Duhet të thoje disa gjëra që t`i ishe fëmijë dhe as nuk doje t`i thoje dhe u shkëputa për shumë kohë. Isha ajo ateistja që kur diçka nuk shkonte mirë shkoja dhe i lutesha Zotit në fshehtësi, por isha ateiste. Por unë kam besuar në ditën që im atë ka humbur jetën. Ai ka bërë radio-terapi. E ka kapur sëmundjen shumë vonë, ose u diagnostikua nga mjekët me shumë vonesë. Vëllai im i madh e shoqëronte atëherë që bënte rrezet në spital dhe mbaj mend që një ditë janë kthyer, ka shoqëruar tim atë në shtëpi dhe o më ka thënë hajde pijmë një kafe, ose unë kam qënë në kafe, me shumë mundësi kjo e dyta dhe më thotë…ai ishte besimtar prej shumë vitesh edhe më thotë: Si mund të mendosh që jeta e babait tonë, një jetë me sakrifica, – ai ishte një njeri shumë punëtor, karizmatik, i urtë, i mençur, këshillonte të tjerët, ka qënë një shembull realisht – dhe si mund të mendosh tha që përfundon me kaq. Ai më dha dhe mesazhin që babai po vdiste, sepse unë isha 22-vjeç, por nuk e kuptova asnjëherë se çfarë ndodhi. Realisht, ndoshta ka qënë mbrojtja e Zotit në mendjen time. Personi më i dashur po humbiste jetën, por unë s`e kam kuptuar në asnjë moment. E kisha para syve faktin, por realisht mendja ime nuk e cekte. Mbaj mend vetwm që kam qarë në fakt. Nuk është se i kam dhënë një përgjigje që ke të drejtë… Vetëm kam qarë dhe ai ka qarë dhe ok… (Përlotet) Nuk e di sa koha ka kaluar pastaj derisa im atë humbi jetën. Vëllai im nuk ka qënë atë ditë. Ka qënë në Gjermani për një intership dhe kur ka ardhur e ka gjetur të pajetë dhe mbaj mend vetëm që më ka përqafuar dhe më ka thënë: “Zoti është në kontroll” dhe ai ka qënë momenti për mua. Unë kam besuar dhe besoj sot në një Zot që është në kontroll të gjërave që më ndodhin, që ndodhin në përgjithësi. Në jetë do të ketë nga të gjitha. Kush beson që ka një Zot, beson se ka dhe një djall. Do ndodhin gjërat negative të gjitha, por unë kapem fort tek ky Zot që… dhe tek premtimet që lexoj në Bibël gjithmonë. E besoj fuqishëm dhe besimi në të më ka bërë pastaj që të shikoj dhe mrekulli. Besoj që shërimi i nënës time është mrekullia e Tij. Jam mirënjohëse ndaj mjekëve absolutisht. Ndaj gjithë njerëzve që na kanë mbështetur në këtë periudhë. Shumë herë kur thua ‘E shëroi Zoti, bëri mrekulli Zoti’ njerëzit kundërvihen dhe të thonë: Shiko se ishte mjeku ai që të shëroi, ishin terapitë. Absolutisht po, por Zoti ka bërë që mjeku të ketë aftësitë që ka, të kujdesej, të gjenim mjekun që gjetëm…

Mira Kazhani: … që vajza të gjente forcën dhe kurajën të mjekonte plagët

Anisa Kushta: Absolutisht po. Në spital, kur im atë mjekohej, terapia mezi gjendej atëherë, në ato vite. Tani është shumë kollaj. E gjen. Unë besoj që këto janë vepra të Zotit. Ai përdor njerëz për të arritur gjërat e mira dhe të mrekullueshme.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për martesën?

Anisa Kushta: Po shumë mirë ata që janë martuar. Mirë kanë bërë! (qesh)

Mira Kazhani: E ke në plan? Apo vetëm nëse e ka Zoti?

Anisa Kushta: Po e ka Ai në plan. Unë s`kam asnjë plan për momentin. Po nëse ai e ka në plan…

Mira Kazhani: Nuk ke një shok?

Anisa Kushta: Jo. Sa e trishtë! (qesh) Jo nuk kam.

Mira Kazhani: Nuk mendoj fare që është e trishtë. Pse? Mund të jetë e trishtë duke pasur një shok që të trishton.

Anisa Kushta: Nuk kam. Për momentin jam shumë ok.

Mira Kazhani: Ke rënë të paktën njëherë në dashuri, kështu kokë e këmbë? S`do të flasësh?

Anisa Kushta: Po ka ndodhur po. Po ca do themi?

Mira Kazhani: Ti e di. Secili e jeton në mënyrën e vet dashurinë. Dashuria interesante mbetet. Nuk del nga moda thonë dhe këta që shpjegojnë algoritmet, teknologjinë… Që na çmendën. Na lajthitën.

Anisa Kushta: Ç`lidhje kanë këta me dashurinë për shembull?

Mira Kazhani: Po thonë që algoritmet do shpikin këtë, do shpikin atë, po dashurinë jo. Dashurinë na e kanë lënë ne njerëzve.

Anisa Kushta: Lavdi Zotit! (qesh)

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *