Nga Mira Kazhani/ Olta Daku nuk jep intervista, ajo e di që shkëlqimin e ka në skenë dhe në tavolina me miqtë. Detyrohet të sajojë shumë justifikime me gazetarët, por këtë herë tha Po.
Është një intervistë ku shfaqet një anë e Oltës serioze, të brishtë, me dhimbje, ndonjë peng, por edhe sarkastike dhe me humor. Sidomos e vërtetë! Ajo flet për një histori dashurie, e cila e ka bërë të mos besojë më tek Dashuria (se mos është e vetmja)!!!
Po të qe për dhimbjen që lënë pas njerëzit që ikin, do bëheshim shumë, veçse Olta nuk ka fasada kur përgjigjet. Thjesht i thotë e nuk i mbulon dhimbjet. E trajton zhgënjimin si pjesë e jetës, siç është në të vërtetë.
Teksa ajo fliste mendoja se çfarë fuqie ka ky njeri në raport me të qenit vetja. Njerëzit kryesisht dështojnë kur dalin nga maskat dhe rolet e tyre në jetë. Të fshihesh është një lloj nevoje sot. E imponon hipokrizia që sa vjen i shtohet shoqërisë me ndihmën e medias sociale, e cila kërkon ‘likes’ dhe konfirmim në këmbim të shitjes së jetës. Ky nuk është rasti i saj.
Çfarë paqeje duhet të jetë, të mos kesh nevojë t’u pëlqesh njerëzve me çdo mjet, të mos u kërkosh ‘likes’, por e kundërta t’i duash ti pafund ata, t’u japësh pa kriter, t`u jepesh pa çmim. Edhe pse siç thotë Olta: Çdo gjë e bukur ka fryt dhimbjen!
Olta Daku është direkte. Ka një drejtpërdrejtësi që nuk e bën të duket arrogante, përkundrazi delikate, dhe njerëzore. Ka vetëm një frikë. Plakjen! Me çdo gjë tjetër është pajtuar. Sidomos me fatin e saj.
Ajo është një aktore me prerje Hollivudi, por nuk është tip që pjek qiqra në hell. Artiste që e do vendin e saj, që nuk sillet si e mërzitur, që i ka rënë fati të lindë e të bëjë karrierën në këtë kënd të vogël të botës. Një njeri me këmbë në tokë dhe që çdo plagë e shëron me një gotë verë darkave me miq, ndonjëherë deri në mëngjes. Një vajzë që e do familjen e saj mbi çdo gjë, dhe se sot e kësaj dite ka veç një prehër të sigurt dhe një njeri të vetëm që e bën krenare: mamin e saj!
Kur u nisa për ta intervistuar isha mprehur që vetëm do qeshja. Në fakt isha gabim. Jeta nuk është një rol, dhe Olta ma konfirmoi duke e ndarë trishtimin po aq sa humorin. Artiste apo jo?!
Oltën që e duan të gjithë dhe i ka të gjitha…veç atij!
Ky ishte një nga titujt, që zgjodha mes disave.
Secili mund të gjejë titullin e vet në këtë intervistë dhe nëse do i dërgoni do t’jua postoj në story!
Intervista e transkriptuar me Olta Dakun
Në ‘lockdown’ unë gjeta një adresë ku mund të qeshja, apo edhe të dëgjoja një version sarkastik të vetmisë dhe frikës që solli pandemia në pranverën e parë të saj, ku jo vetëm ne, po me thënë të drejtën edhe shefi i OBSH-së nuk dinte ç`thoshte, si një ditë, një ditë tjetër. Lëre pastaj edhe liderët politikë, edhe ata në kaos. Unë zbulova rastësisht Olta Dakun në Instagram, sepse si aktore që me “Çiftin e shqyer” ramë dakord që ajo është një ndër më të talentuarat e brezit të vetë. Për mua është më e talentuara! Sigurisht, Olta Daku nuk ka ndjekës dhe ‘like’ siç kanë ata që skuqin karkaleca. Ata që i hedhin edhe pak salcë kërri kanë edhe më shumë, apo dhe të famshmit që shesin jetën e tyre, dihet. Është thjesht një aktore e talentuar tek e fundit. Për të folur për këtë realitet, por edhe për disa gjëra personale sot, jam me Olta Dakun.
Mira Kazhani: Olta, faleminderit që e ke pranuar ftesën time!
Olta Daku: Me kënaqësi Mira!
Mira Kazhani: Ke frikë nga intervistat?
Olta Daku: Shumë, edhe me thënë të drejtën, mendimi i parë që më erdhi ishte ta anuloja. Por të admiroj shumë Mira dhe…
Mira Kazhani: Uaa faleminderit shumë, unë të admiroj ty, por nuk do ta kthejmë këtë në cicmicin pula-vezën apo veza-pulën. Ty të admirojnë shumë njerëz!
Ne jemi takuar bashkë për herë të parë para dy javësh, kur unë të kërkova që të bënim këtë intervistë. Si aktore sigurisht të kam ndjekur me shumë simpati gjatë gjithë viteve të tua në skenën e teatrit dhe në pandemi, (siç e thashë edhe në prezantim), ishte ai zbulimi ku unë bëra edhe një shkrim për ty.
Olta Daku: Po, dhe falë teje m`u shtuan 10 mijë ‘followers’-a. Faleminderit Mira!
Mira Kazhani: Po mirë, nga këta 10 mijë ‘followers’-a ke përfituar diçka?
Olta Daku: Kam përfituar shumë ‘like’. Tani është ‘All about likes’.
Mira Kazhani: Çfarë marrëdhënie ke me Instagramin?
Olta Daku: Mendoj që është mënyra më e mirë e komunikimit. Më ndihmon shumë sidomos kur kam shfaqje apo me serialin që ka dalë tani. Domethënë deri këtu e përdor. Ndonjëherë për tek tuk ndonjë foto, por nuk është se jam e fiksuar.
Mira Kazhani: E keni ju Olta këtë shqetësimin që kam unë. Është një lloj proteste e imja e brendshme në fakt, që njerëzit si ty duhet të kishin shumë ndjekës. Ke shumë njerëz që të duan, por nuk e di, nuk shihen këto në mediat sociale. Është ky fakt që mediat sociale kanë diçka ‘fake’? Apo në fakt është e vërteta kështu?
Olta Daku: E vërteta si?
Mira Kazhani: E vërteta është që njerëzit shumë të talentuar nuk janë aq shumë popullorë në kohët që jetojmë sot?
Olta Daku: Nuk e di. Nuk është se e vras shumë mendjen për këtë, por mendoj që fatkeqësisht jemi futur drejt një rruge pa kthim. Instagrami është kthyer në një fiksim. Jeta jonë private nuk është më e jona, është e të gjithëve. Ne aty do nxjerrim çdo gjë, çdo puthje, çdo prekje, çdo… s`po e vazhdoj më gjatë.
Mira Kazhani: Jeta jote private e kujt është?
Olta Daku: E imja.
Mira Kazhani: Si e ke ti jetën tënde private?
Olta Daku: Një lëmsh i vërtetë Mira. Nuk di nga të vërtitem.
Mira Kazhani: Ke një shok meqë ra fjala?
Olta Daku: Kam shumë.
Mira Kazhani: Jo, e kam fjalën të dashur.
Olta Daku: Aaa të dashur?
Mira Kazhani: Partner.
Olta Daku: Partner? Jo.
Mira Kazhani: Je vetëm?
Olta Daku: Po.
Mira Kazhani: Po pse je vetëm?
Olta Daku: Sepse nuk e di, jam shumë e zonja për të bërë zgjedhje të gabuara. E gjithë jeta kështu.
Mira Kazhani: Kur thua zgjedhje të gabuara ke parasysh që shkon tek njerëzit e gabuar?
Olta Daku: Po, që të përfundoj të jem vetëm.
Mira Kazhani: Ke ndonjë peng?
Olta Daku: Po, shumë.
Mira Kazhani: Për një njeri apo disa pengje?
Olta Daku: Vetëm për një njeri.
Mira Kazhani: Beson tek dashuria?
Olta Daku: Poo… jo.
Mira Kazhani: Po, Jo?
Olta Daku: Jo, nuk besoj.
Mira Kazhani: Po sikur të biesh në dashuri prapë?
Olta Daku: Atëherë do besoj.
Mira Kazhani: Ndonjëherë ndodh që nuk besojmë tek dashuria ose tek fati ynë, por shohim njerëz që duken kaq të dashuruar. Ti për shembull njeh njerëz që janë të dashuruar?
Olta Daku: Absolutisht, dhe i kam shumë zili. Them, do doja të isha ashtu.
Mira Kazhani: Beson tek martesa?
Olta Daku: Patjetër, patjetër. Dashuria është gjëja më e mrekullueshme që mund t`i ndodhë dikujt. Sigurisht që kam besuar tek dashuria dhe nuk e di pse më erdhi ky moment këtu që të flas për këtë. Është gjithçka frut i dhimbjes, edhe mosbesimi, edhe besimi.
Mira Kazhani: Si do ta përshkruaje veten tënde në një martesë? Nuk besoj që do ishe si tek “Çifti i shqyer” në skenë.
Olta Daku: Jo, jo.
Mira Kazhani: Si do ishe ti në një martesë? E ke përfytyruar veten tënde? Si është modeli i atij partneri që do ishte në shtëpi me ty? E ke krijuar ti këtë imagjinatë në kokën tënde ndonjëherë Olta?
Olta Daku: Me thënë të drejtën nuk kam dashur asnjëherë të martohem. As edhe një herë! Domethënë s`e di, është gjëja e fundit që mund të dëshiroj. Mund të ndodhë, por në këtë moment jo. Prej shumë kohësh nuk dua.
Mira Kazhani: Prindërit e tu?
Olta Daku: Prindërit e mi kanë një martesë shumë të mirë, shumë të bukur, shumë të qetë. Ka lidhje me vetëbesimin, i shikoj ata të dy dhe them që nuk do jem kurrë si ata. S`e di. Ndoshta gaboj, por kështu mendoj.
Mira Kazhani: Çfarë thonë ata për martesën, për shembull janë prindër tipik shqiptarë që presin që vajza e tyre një ditë të ketë një jetë konvencionale apo jo?
Olta Daku: Po sigurisht. Sidomos babi. Jo se mami nuk do, por mami nuk është se më ushtron shumë presion. Ndërsa babi do të martohem dhe të kem role kryesore.
Mira Kazhani: Rolet kryesore i ke përmbushur?
Olta Daku: Pak a shumë po. I thashë, babi do vish në premierë? Çfarë roli ke, më tha mua, ke rol kryesor? Po rol shumë i bukur, i thashë. A jo jo, nuk vij, tha.
Mira Kazhani: Ke raport të veçantë me babin, apo njësoj si me mamin dhe me babin?
Olta Daku: Me mamin. Mami është jeta ime. Është frymëzimi im. Është gjithçka që kam. Mami është këtu (vendos dorën tek zemra).
Mira Kazhani: Mami ka qenë mezzo-soprano?
Olta Daku: Mezzo-soprano në opera.
Mira Kazhani: Kështu që është një njeri që e ka jetuar skenën?
Olta Daku: Absolutisht. Nëse kam arritur diçka, është vetëm falë mamit. Për mua ka qenë fat shumë i madh, sepse që e vogël e kam njohur skenën. Shikoja objektet. Nuk më linte mami asnjëherë para shfaqjes nga meraku që unë do të lëvizja diçka që nuk duhej dhe mbas shfaqjes kam studiuar çdo objekt, kam studiuar çdo këngëtar para se të futej në skenë dhe me këtë gjë jam rritur. Dhe sigurisht që për mua është fat shumë i madh.
Mira Kazhani: Nëse ata do dëgjojnë këtë intervistë (kur të ndjekin në intervista), ndryshe nga skena, si janë? Janë më të emocionuar dhe ata, ashtu siç je edhe ti me intervistën? Apo janë më indiferentë?
Olta Daku: Jo nuk janë asnjëri indiferent. Janë gjithmonë të emocionuar dhe sidomos të tromaksur tani që dëgjuan që s`dua të martohem kurrë. Por kjo jam unë.
Mira Kazhani: Po nuk është e thënë të martohesh për të pasur një bebe, për t`u bërë nënë. E ke këtë në plan?
Olta Daku: Nëqoftëse do e doja dikë, patjetër.
Mira Kazhani: Pra do bëje një bebe gjithmonë me një partner?
Olta Daku: Po.
Mira Kazhani: Nuk i mbështet mënyrat e reja që ofron koha e re?
Olta Daku: Jo, jo i mbështes, thjesht kam frikë. Mendoj që të rritësh një fëmijë vetëm është shumë e vështirë dhe më tremb kjo gjë.
Mira Kazhani: Nuk e kam idenë e moshës tënde, se kemi dhe këtë moshën biologjike ne gocat, gratë.
Olta Daku: Nuk e kuptoj pse më bën kështu pyetjesh Mira. Unë vdes tani këtu dhe moshën nuk e tregoj. Kurrë në botë.
Mira Kazhani: Nuk dua të ma tregosh. E ke problem moshën?
Olta Daku: Po. Nuk e kam pasur, por tani e kam. Nuk e di, më duket sikur vrapojnë. Dale i them, prit se s`ka ndonjë gjë për të vrapuar. Merre pak më qetë. Nuk dëgjojnë fare.
Mira Kazhani: Ke një lloj melankolie apo e ke shqetësim serioz?
Olta Daku: Jo, jo e kam shqetësim serioz. Dua të jem e re.
Mira Kazhani: Për shembull këto yjet e Hollivudit që mund të ishe një e tillë po të kishe lindur atje, me bindje nuk e them unë, se unë jam thjesht një admiruese, por njerëz me peshë në këtë vend, edhe që dinë se çfarë është kinemaja e thonë shumë në tavolina, që Olta Daku është një prerje Hollivudi. Është fat për ne, por një lloj “fatkeqësie” që je në një vend të vogël dhe nuk ke pasur mundësi që të bëje karrierë ndërkombëtare. Ato yjet e Hollivudit për shembull thonë që mosha është vetëm një numër si “James Bond”-i.
Olta Daku: Kolegët e Hollivudit? Kolegët i kam shumë optimistë. Ne këtu tek ky vendi i vogël jemi pak më ndryshe. Më mirë të vuash në një Ferrari, sesa në një biçikletë apo jo?
Mira Kazhani: Më mirë të kishe lindur në Kaliforni apo këtu në Tiranë?
Olta Daku: E para faleminderit për komplimentin! Sigurisht që unë nuk i mendoj kurrë, po kurrë këto gjëra. Këtu kam marrë kënaqësi që nuk ma merrte mendja që do t`i provoja. Fakti është që kam lindur këtu, në një vend që mundohet çdo ditë të imitojë botën e zhvilluar, por vetëm për artistët nuk e bën këtë gjë. (thotë ajo me pezm) Tek artisti (e ka për vendin) ka vendosur të jetë origjinal. Pra artisti të jetë i mjerë. Kur kam qenë aktore në moshë më të re, unë nuk e kam menduar që do arrinim kurrë në këtë pikë. Kam hyrë në teatër me sytë gjithë dritë dhe me një shpresë të jashtëzakonshme dhe gati-gati nuk i përfillja shqetësimet, sepse gjithmonë kam menduar që do bëhet më mirë, sigurisht kam qenë edhe më e re. Duke kaluar koha, akoma nuk arrij ta besoj që si mundet të bëhet keq dhe më keq dhe më keq.
Mira Kazhani: Çfarë mendon se do ishte një vlerësim dhe ndryshim i historisë? Nga ku duhet të nisë?
Olta Daku: Nga shumë gjëra. Për shembull kur kam hyrë në teatër ka qenë një politikë e tillë që për çdo rol të ri që bëje në sezon, ti merrje një pagesë ekstra. Ndërsa tani, nuk e mbaj mend sa vite ka, që është hequr. Domethënë ti mund të bësh katër role, apo pesë, apo një dhe ti merr thjesht rrogën. Është një ndjesi që duket sikur… “Hej, pak se po merr rrogën, por do dhe shpërblim”. Pra, po bëhet çfarëdo lloj gjëje që të jetë e mundur që artistit t`i hiqen të gjitha përfitimet që mund të ketë. Ne jemi në një pikë që kur na ftojnë në një eveniment apo në ndonjë vend ne na kap sikleti se çfarë do veshim. Edhe u biem telefonave, e rroba borxh, edhe bëhemi një lëmsh i madh, sepse ky është realiteti.
Mira Kazhani: Sot je veshur shumë bukur, me të zeza. Të tuat duken (qesh).
Olta Daku: Po Mira. Ky është kostumi im i vetëm që kam. Këtë e mbaja në fakt për pajë Mira (qesh), por vendosa ta nxirrja sot për intervistën.
Mira Kazhani: Pajë me lëkurë ëë?
Olta Daku: Po po pajë me lëkurë. Po tani nuk mund të jem kështu nuse, nuse tradicionale. Diçka do kem dhe unë.
Mira Kazhani: Kam parë nga Instagrami gjithmonë, (sepse Instagrami është burim informacioni për hir të së vërtetës), që “Nina” në RTSH ka sukses.
Olta Daku: Po dhe nuk di të të them se çfarë lumturie më ka dhënë kjo gjë. Sigurisht e dija që po punonim diçka të mirë. Në përgjithësi mundohem, nuk e di sa ia arrij, por mundohem të jem e vetëdijshme për gjërat që bëj. Por nuk ma priste mendja që do kishte kaq sukses. Nuk di sa mesazhe më vijnë çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë. Dhe falënderoj shumë spektatorin, telespektatorin. Nuk e di mesazhe të jashtëzakonshme. Jam e lumtur.
Mira Kazhani: Po këto janë iniciativa të gjitha private?
Olta Daku: Private. “Dar Dan Studio” është sponsori kryesor i serialit.
Mira Kazhani: Mendon që së shpejti këto do të jenë një realitet, dhe serialet duke nxitur konkurrencën, do shtojë edhe buxhetet, edhe do bëhen gjithmonë më të mirë? Se filmat varen nga buxhetet. Buxhet i vogël, buxhet i madh edhe e kupton pastaj se sa ke mundësi të paguash drejtorin e fotografisë apo aktorin më të mirë.
Olta Daku: Absolutisht, shpresoj shumë të ndodhë kjo gjë. Por kam mësuar që në Shqipëri ‘nuk duhet me shpresu shumë e nuk duhet me bë plane shumë’.
Mira Kazhani: Më pëlqen! Sensi yt është realist dhe në këtë rast nuk të bën të qeshësh, të bën pak për të qarë në fakt. Mund ta bësh edhe aktoren e dramës?
Olta Daku: Shumica e njerëzve më përkufizojnë me aktore të komedisë. Unë dua thjesht vetëm një gjë; të jem aktore e mirë. Kaq.
Mira Kazhani: Kush është shoqja jote e ngushtë?
Olta Daku: Kam disa.
Mira Kazhani: Po shokë? Ke shumë shokë besoj se më the në fillim që ke shumë shokë edhe asnjë partner.
Olta Daku: Po kam shumë shokë dhe i kam të gjithë si vëllezër. Më konsiderojnë të gjithë si motër. Po avash, mos më shiko si motër. Bëj shaka.
Mira Kazhani: Cila është e meta jonë më e madhe si shoqëri, dhe e mira jonë?
Olta Daku: E meta jonë që nuk duam të mirën tonë. Nuk besoj se ka shoqëri si e jona. Unë mendoj që nuk ka. Mbase mund të ketë, por kemi qejf shumë t`i mbyllim sytë.
Mira Kazhani: Në ç`kuptim?
Olta Daku: Të mos shikojmë asgjë. Të bëjmë sikur nuk shikojmë, sikur nuk dëgjojmë. Është ai varianti që ne vazhdojmë të rendim pas forcave politike, ndërkohë që nuk shikojmë atë që ndodh në tryezën tonë, në familjet tona.
Mira Kazhani: Ku i bën pushimet? Ku udhëton?
Olta Daku: Gjithmonë kam pasur dëshirë t`i bëj në Shqipëri. Gjithmonë kam luftuar që pushimet të bëhen në Shqipëri. Por sigurisht që këtë vit u betova që s`do i bëj më në Shqipëri. Një orë për të thërritur kamerierin për t`i dhënë lekët. Nuk e di.
Mira Kazhani: Ku do të shkosh vitin tjetër?
Olta Daku: Në Shqipëri do rri prapë (qesh). Në Dhërmi, aty e kam.
Mira Kazhani: Është i bukur Dhërmiu.
Olta Daku: Shumë.
Mira Kazhani: Çfarë ka ai fshati aty?
Olta Daku: Personalisht ngaqë kam shumë vite që i kaloj në Dhërmi dhe kam shumë kujtime aty me njerëz që nuk shoqërohem më tani.
Mira Kazhani: Po më trego ndonjë kujtim.
Olta Daku: Më pëlqen shumë vendi, më pëlqen deti, më pëlqen ai ajri, më pëlqejnë kujtimet që kam aty.
Mira Kazhani: Edhe që nuk i tregon. E di që je e rezervuar? Dukesh kaq njeri i hapur, mendjehapur, spontane, por të shoh që ke disa çelësa. Nuk i thua, nuk i tregon të gjitha.
Olta Daku: Po as ti s`na ke thënë ndonjë gjë Mira që unë të filloj të them ndonjë gjë. Duhet të fillosh dhe ti të thuash diçka që dhe unë të gjej mbështetje dhe të them.
Mira Kazhani: Po unë në këtë rast jam në rolin e intervistueses. Sa herë që jap intervista, tregoj shumë për veten, edhe po ta them sinqerisht ty sot: Nuk bëj mirë! Të kthehet në kosto të qenit vetvetja. E mendon dhe ti këtë?
Olta Daku: E vërtetë! Mirë do ishte të m`i kishe thënë përpara se të flisja (qesh), megjithatë tani iku. Po ke të drejtë, por mua më pëlqen të jem vetvetja. Është një kosto të cilën e kam pranuar ta paguaj.
Mira Kazhani: Për ta mbyllur, se nuk dua të të lodh, je nga të paktët njerëz që i shkon vetvetja! Pra Oltës i shkon Olta Daku. Të gjithë mund të jenë të vërtetë edhe mund të ngjajnë shëmtuar. Mund të ngjajnë vulgarë, se varet sesi je brenda. Ne themi që të jesh vetja e të jesh original, por jo çdo version origjinal është i pranueshëm dhe i këndshëm. Ju jeni një version shumë i mirë i të qenit vetvetja. Edhe jeni shumë e zonja në skenë! Jeni shumë e mirë në Instagram, sepse jeni vetja, keni sens humori, keni autoironi! Në intervistë ishe mirë, nuk ishe keq (qesh).
Olta Daku: Po jo shumë mirë, e kupton? Unë ta thashë, që më mirë mos ta japim këtë intervistë.
Mira Kazhani: Faleminderit Olta Daku! Të uroj shumë suksese! Mos u plaksh kurrë! Je shumë e re, duket klishe, por njeriu vërtet është sa ndihet dhe si e jeton jetën!
Olta Daku: Faleminderit Mira! Dhe unë të uroj çfarë të të dëshirojë zemra!