Dita, unë vajza me sytë nga Pogradeci 

Nga Mira Kazhani/ Në episodin e sotëm është një shqiptare e Maqedonisë së Veriut. Kam dashur dhe dua që gjeografia e këtij podcasti të jetë ngado. Ishte në fakt Vjosa Berisha ajo që ma sugjeroi Dita Starovën dhe ja ku jemi Dita.

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Si është jeta?! Vjosa na sheh e na dëgjon nga lart, por më ka folur aq shumë për ty… Ishit shoqe?

Dita Starova: Po. Unë jam Dita Starova Qerimi, Drejtoreshë e Galerisë Nacionale në Shkup. Po ashtu edhe piktore. Ndër vite e kam ndjekur punën e Vjosës, e cila e zhvillonte në Kosovë dhe Shqipëri, duke bërë shumë bujë në vendet shqipfolëse. Përbrenda kisha dëshirë ta takoja, të zhvilloja disa takime dhe biseda për disa nga idetë tepër inventive që kishte, për t`i zhvilluar edhe në Shkup.

Mira Kazhani: Interesante si është jeta! Të paktën rasti i Vjosës të kujton që duhet vlerësuar çdo çast dhe e ardhmja është tani. Është ky çast që po jeton. Apo jo?

Dita Starova: Ashtu është. Ajo në çdo mënyrë në të cilën vepronte ishte e shpejtë. Ecte me shpejtësi dhe nuk ishte çdo herë e lehtë ta mbaje tempin e saj, por gëzohem shumë që edhe mbas shumë muajsh veprat e saj janë të shumta dhe i vazhdojmë në frymën e saj.

Mira Kazhani: Ja, ajo fryma e saj ishte që të takonte njerëzit. U takuam unë dhe ti bashkë. Kemi 8 muaj që flasim herë pas here… Flasim pak për ty Dita.

U përpoqa të shoh në Instagramin tënd çfarë bën ti edhe një nga gjërat që më ngeli në mendje ishte një ekspozitë me lulekuqe. Unë lulëkuqet i kam lulet e fëmijërisë, bashkë me manushaqet. Kur shkoja tek gjyshërit në fshat, lulëkuqet ishin… ato më ndërmendin tani, më risjellin fëmijërinë. Ke një raport ti me lulëkuqet, apo ekspozita e lulëkuqeve kishte një mesazh tjetër?

Dita Starova: Është një moment në të cilin ne artistët e kemi një frymëzim si kapëse për të krijuar veprimtarinë tonë. Lulëkuqet lulëzojnë në maj. I kam shijuar kur vizitoja gjyshërit e mi. Po ashtu poema e famshme e Asdrenit “Lulëkuqja” më ka lënë çdo herë një frymëzim të madh. Një simbol i fuqishëm për të rikujtuar thelbin e ekzistencës.

Mira Kazhani: Mua më bën shumë përshtypje kur shqiptarët përtej kufirit, kudo që ata janë, i referohen Asdrenit që ne e kemi bërë në klasë fillore, poetëve tanë të Rilindjes. Unë kam mësuar që ti je rritur pak në Tunizi, pak në Paris, pastaj në Strugë, duke parë nga Podradeci. Si është ta shohësh vendin amë nga larg?

Dita Starova: E frymëzuar gjithë jetën nga babai im, Luan Starova, tani i ndjerë. Çdo herë më ka frymëzuar me idealet se vendi të cilit ne i përkasin është Shqipëria. Ai ku lindëm, Pogradeci. Na rikujtonte se e kemi një shpirt aty, miqtë aty dhe po ashtu poetët e mëdhenj, emrat e mëdhenj të spikatur. Janë emra që ndër vite dhe historikisht mbajnë kombin të fortë dhe se sa herë duhet të rikthehemi për të pasur idealin për të vepruar sa më mirë për njëri-tjetrin.

Mira Kazhani: Babai, Luani, shkrimtar i njohur dhe nëna gjithashtu ju kanë rritur shumë me idenë e Shqipërisë, Pogradecit. Çfarë ju thoshte konkretisht? M`i trego thjesht

Dita Starova: Mami po ashtu rrjedh nga një familje shumë e lartë e Shqipërisë. Mamaja e saj po ashtu e ka vijuar këtu shkollimin tek Nëna Mbretëreshë, e cila pastaj vjen në Shkup dhe punësohet si një ndër mësueset e para të shkollës.

Mira Kazhani: Gjyshja nga nëna?

Dita Starova: Po gjyshja. Po ashtu edhe nga ana e babait, po ashtu e ka pasur traditën e shkollimit, të dyja në Shkup. Po ashtu edhe gjyshërit e mi. Gjyshi nga ana e babait ka qenë edhe studiues i drejtësisë.

Mira Kazhani: Çfarë i çoi të gjithë ata në Shkup? Ndonjë histori dashurie? Ndonjë punë?

Dita Starova: Familjarisht, shpërngulën babain në Shkup dhe gjyshja po, është një histori dashurie…

Mira Kazhani: Si jetojmë sot shqiptarët në Maqedoninë e Veriut?

Dita Starova: Mundem të them se tani për tani në Maqedoni kemi pozita shumë të larta. Kryeparlamentari është shqiptar. Ministrat… Zëvendëskryeministri është shqiptar. Kemi shumë gjykatës, mjekë të spikatur. Po ashtu dhe të komunitetit kulturor kemi shumë njerëz të spikatur.

Mira Kazhani: Drejtoresha e Galerisë së Arteve është një shqiptare (qesh) Kjo ka qenë arsyeja që unë e doja këtë podcast me ty.

Dita Starova: Besoj se me këto pozita që kemi marrë jemi shumë të fortë në punët që bëjmë.

Mira Kazhani: Kështu që drita është jeshile. Gjërat kanë ndryshuar dhe janë përmirësuar shumë.

Dita Starova: Në rastin tim në Galerinë Nacionale ndër vite nuk kam mundur të ekspozohem, të frymëzohen arte të ndryshme. Po ja tani ndryshimi është thelbësor.

Mira Kazhani: Pra vijnë shqiptarë dhe hapin ekspozitat e tyre?

Dita Starova: Po, po.

Mira Kazhani: Deri në çfarë viti kjo nuk konceptohej që të ndodhte?

Dita Starova: Nuk mundem të them që nuk konceptohej, por nuk kishte një fluks të madh të cilin mund ta nuhasim. Jo vetëm në suazat e Maqedonisë, por edhe jashtë vendit. Ndërkombëtarisht jemi shumë aktivë.

Mira Kazhani: Para një viti ndoshta lexova diku që u hap një bibliotekë që quhej “Nobel”. Në fakt nuk kisha parë bibliotekë kaq të bukur. Kam lexuar artikullin dhe kam parë fotot me libra në shqip sigurisht, në Shkup. Po nuk rezistoi. Pas një viti u mbyll. Unë e kuptoj dhe teknologjinë. Njerëzit lexojnë në Kindle, rrinë shumë në telefon. Ka dhe që nuk lexojnë fare. Po pata një keqardhje që u mbyll ajo biblioteka në shqip. Çfarë ndodhte? Nuk lexonin shumë? Nuk blejnë shumë libra? Pati ndonjë arsye tjetër?

Dita Starova: Pajtohem shumë. Ishte një bibliotekë e mahnitshme, shumë interesate që frekuentohej shumë. Nuk i di saktë arsyet e biznesit, të shitjeve të librit se pse është mbyll ajo librari. Po besoj fuqishëm se dhe këto frekuentimet e shpeshta, të Kosovës, të Shqipërisë, librat tani edhe mundemi t`i gjejmë në vende të tjera dhe mundet çmimi i kostos të cilat barteshin në Shkup… se dhe ajo ka qenë një impenjim pakëz i madh për ta siguruar librin. Po besoj fuqishëm dhe babai im thoshte se libri çdo herë vjen tek lexuesi. Pra nuk është një shpresë e humbur. Se Shkupi ka lexues.

Mira Kazhani: Cila pjesë e letërsisë dhe e autorëve shqiptarë është në shkollat e Maqedonisë së Veriut?

Dita Starova: Të njëjtët si këtu. Se tani po mundohemi edhe ta unifikojmë. Ata emrat e mëdhenj, të spikatur të letërsisë shqiptare janë po ashtu.

Mira Kazhani: Janë që të gjithë?

Dita Starova: Po.

Mira Kazhani: Cilët janë autorët e tu të preferuar, përveç babait tënd?

Dita Starova: Mundem ta them tani se cili. Ismail Kadare dhe shumë të tjerë. Ne artistët… – që të mos i cilësoj emrat e letërsisë bashkohore dhe atë të vjetër – secilët që më lënë një ide të ndryshme dhe një kahje tjetër të perceptimit.

Mira Kazhani: Si Asdreni me Lulëkuqet.

Dita Starova: Po.

Mira Kazhani: Është e vërtetë Dita që ju artistët keni një “stardust”, një prekje yjesh. Sikur jetoni në një regjistër tjetër, ndryshe nga ne të zakonshmit, normalët. Çfarë është ajo? Mund të ma shpjegosh?

Dita Starova: Ne kemi një dhunti nga Zoti. Gjërat i kuptojmë më emocionalisht dhe nuk i qasemi problemeve me vrap. Po e kemi atë lehtësinë dhe mendojmë një kontekst tjetër të veprimeve dhe të qasjeve.

Mira Kazhani: Më pëlqeu shumë kur the nuk i qasemi gjërave me vrap. (qesh) Unë për shembull ndonjëherë vrapoj.

Dita Starova: Unë mendoj që e kemi këtë lehtësi ne artistët, të cilët e kemi pak më me lehtë dhe na kuptojnë.

Mira Kazhani: Ballkani është ena shumë e fortë edhe e mirë për të frymëzuar, për të të bërë artist. Por te kesh një karrierë prej artisti, ndoshta nuk është vendi i duhur dhe në përgjithësi artistët kërkojnë një karrierë ndërkombëtare. A do kishe dashur që të ishe në një karrierë ndërkombëtare, ndoshta në një vend ku arti është si brioshi, si mëngjesi? Apo jo në fakt? Ti ke vendosur të jetosh në Shkup se aty e gjen veten? Aty është përkatësia jote?

Dita Starova: Siç thashë edhe më përpara, kam pasur fatin të vizitoja shumë qytete dhe shumë shtete.

Mira Kazhani: Po për shkak të babait ambasador. Një vajzë ambasadori shëtit ngado.

Dita Starova: Dhe mund të them që gjithë ai frymëzim që nga mosha shumë e re, kërkesa ishte që në vendin tim… ato shëtitjet e mia nëpër Luvër, nëpër Bordo, nëpër Tunizi, sikur mungonin në vendin tonë. Kur i vizitoja institucionet, sikur ishin të harruara nga koha dhe besoja se edhe ne mund ta shndërronin në një Luvër të vogël. Edhe në Maqedoni. Edhe në vende të tjera të përafërta.

Mira Kazhani: A ndihesh globaliste për shkak edhe të mënyrës sesi je lindur, rritur, edukuar dhe ke pasur rrethanat e jetës që ke jetuar në vende të ndryshme?

Dita Starova: Mund të them po.

Mira Kazhani: Fëmijët e tu, dëshiron që të studiojnë dhe jetojnë në Shkup apo je e hapur që ata ta provojnë veten e tyre në botë?

Dita Starova: Kam dy fëmijë. Arbri 10 vjeç dhe Arba 8 vjeçe. Ata janë po ashtu shumë idealistë për moshën që kanë. Fuqishëm mendojnë se bota mund të ndryshohet lehtë, se kudo që të shkojnë bota është e hapur për ta. Si mami e tyre nuk dua që ajo ide t`u zbehet. Duhet të jenë të kapshëm dhe ajo fuqia e mendimit se munden ta ndryshojnë botën të mbetet. Aty ku do ta gjejnë fatin, aty t`u përkrahet dhe t`u japim motiv për jetën.

Mira Kazhani: Patjetër. Këtë duhet të bëjnë tashmë prindërit. Fëmijët janë të lirë për të zgjedhur rrugën e tyre. Tirana u pëlqen atyre apo më shumë bregdeti?

Dita Starova: U pëlqen shumë Tirana. “Mami, mami Tiranën ta shikojmë.” Çdo ardhje në Tiranë është një emocion tepër për ata.

Mira Kazhani: Çfarë u pëlqen më shumë në Tiranë? Ku i çon?

Dita Starova: Në Parkun e qytetit, rreth Liqenit. Po ashtu edhe para Galerisë së Arteve. Ai instalacioni shumë i famshëm, të cilin e kanë edhe të kapshëm për moshën e tyre.

Mira Kazhani: Pushimet ku i bëni si familje?

Dita Starova: Pushimet në vende të ndryshme. Shqipëria është një ndër vendet e para që kemi në plan.

Mira Kazhani: Për shembull? Të pëlqen Dhërmiu? Himara? Saranda? Vlora? Velipoja?

Dita Starova: Ngaqë gjithë jetën kam dëgjuar dhe kam lexuar nëpërmjet librave të babait për atë vend të bukur, mund të them se personalisht çdo herë do të jetë përzgjedhja ime Liqeni i Pogradecit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *