Bota gjithnjë ka tendencën për t`u kthyer pas 

Nga Mira Kazhani/ Ju e dini që më pëlqen të gërmoj. Ndonjëherë të takoj personazhe të jetës shqiptare, që kanë bërë mënjanë. Sigurisht, unë kam radio në makinë dhe kam në plan të ftoj edhe personazhe si ata. Jam edhe në TikTok tashmë. Në një App ku gëlon një brez i fuqishëm, në audiencë, por edhe në pigment. Janë të rinjtë që nuk kanë asnjë lidhje më me atë që thotë Diana Çuli në videopodcastin tim për shoqërinë shqiptare. Kultura e së cilës, shpeshherë e drunjtë, ka mbyllur gojë e në përgjithësi i ka intimiduar njerëzit të flasin çiltërsisht.

Po, Diana ka të drejtë, sepse e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë tonë është e tillë, jashtë TikTok-ut.

Në videopodcastin me Dianën, shkrimtaren fine tonën, folëm për shumëçka. Ajo është një grua, duke jetuar kapitullin e saj të tretë. Me pamjen e Barbara Streisand mbërriti në teatër dhe para se të nisnim bisedën folëm një copë herë për vitaminat. E bukur! Më pëlqen shumë kur i dëgjoj gratë të flasin për vitaminat. Diana ka ndërmend të bëjë edhe një libër madje. Por një pikë tjetër e fortë e saj është forca për ta jetuar jetën më butë. Ajo gjithashtu është një mbijetuese. Dhe këtë do ta kuptoni në videopodcast.

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Ishte ligji i ri për abortin në Amerikë, në vendin që ne jemi mësuar ta quajmë mëmën e lirive, që më kujtoi për Diana Çulin dhe nevojën për një videopodcast me një shkrimtare tonën, që me librin e saj “Dreri i Trotuareve” bëri histori edhe për temën e dashurisë, për seksin, abortin. Libri në fakt ka shumë vite që ribotohet, sepse “drerët”, simbolikë për të rinjtë e asaj kohe, vitet ’70- ’80, kanë gjithmonë një pyll të ri për të zbuluar me gëzime, por dhe disfata.

Diana mua gjithmonë më ngacmon ajo që ndodh zakonisht. Pse njerëzit e mirë pësojnë disfata në jetë?

Diana Çuli: Le të themi njerëzit. Të gjithë njerëzit pësojnë disfata. Ndoshta është edhe objektive. Bie një tërmet. Po le të themi disfatat personale…

Mira Kazhani: Për ato e kisha…

Diana Çuli: Ato ndodhin sidomos në rini, që ke më pak përvojë. Po mund të ndodhin edhe në moshë të madhe. Zakonisht njerëzit që janë pozitivë ndaj jetës, që ndihmojnë të tjerët, që janë të dashur, që duan të përmirësojnë edhe shoqërinë, ata që kanë idera, kauza, nuk vënë re intrigat e vogla, meskinitetet që bëhen. Nuk i vënë re. Nuk e kanë mendjen. Kështu që një intrigë e vogël apo e madhe, ata i mposht më lehtë.

Mira Kazhani: Ju thoni se askush nuk është imun ndaj intrigave?

Diana Çuli: Në përgjithësi jo. Varet sesi kombinohet ajo.

Mira Kazhani: Po më të predispozuar janë njerëzit e ndershëm. Janë njerëzit parimorë?

Diana Çuli: Po, parimorët.

Mira Kazhani: Pse bien pre ata?

Diana Çuli: Se s`e kanë mendjen. Se e kanë mendjen tek parimi i tyre. Ashtu janë edukuar. Janë edukuar të jenë të dashur, t`i besojnë tjetrit, të falin gabimin, të mundohen të bëjnë kompromise, negociata dhe jo të keqen. Zakonisht njerëzit që janë më të dhunshëm, janë më të mbrojtur.

Mira Kazhani: Si t`ia bëjmë, të bëjmë një shkollë a një ministri për shembull për intrigat? (qesh)

Diana Çuli: Në këto gjëra është arti, letërsia, kultura që e përmirësojnë shpirtin e njeriut. Si thoshin iluministët e dikurshëm të Francës: Arsimi, arsimi dhe arsimi. Kulturojini njerëzit sa më shumë. Jepini dritë! Duke u dhënë dritë njerëzve, aq më tepër ata bëhen të mirë, të ndershëm, parimorë. Shtohet numri. Thoshte Umberto Eco: Një njeri që nuk lexon, jeton jetën e tij, me betejat, me përballjet që ka për të bërë. Një njeri që lexon, ka jetuar 60 jetë. Dhe prej këtyre 60 jetëve, ka mësuar pafund.

Mira Kazhani: Vetë ti si Diana, si shkrimtare, si një grua me eksperiencë, si i ke përballur intrigat në jetën tënde?

Diana Çuli: Po të gjithë i kanë. I ke në mënyra të ndryshme. Kur je e vogël, i ke me kalamajtë aty në klasë, por ato nuk janë intriga. Janë lojëra. Ato fillojnë dalëngadalë, me jetën, me punën që bën, me ambientin ku je. Ndonjëherë bëhen për shkak të xhelozisë profesionale. Ndonjëherë bëhen thjesht për shkak të një mediokriteti. Ndonjëherë bëhen për shkak të ndonjë gabimi tënd. Shumë herë, kur janë të vogla dhe nuk janë shumë të rëndësishme, bëj sikur nuk i shikoj. I anashkaloj dhe mundohem të largohem nga ai mjedis ku kam parë, nuhatur apo kuptuar. Kur janë të mëdha, do t`i përballësh. Do t`i dalësh përballë. Do përpiqesh edhe t`i demaskosh, edhe t`i thuash. Po varet nga situata.

Mira Kazhani: Ndërkohë që po flet, më duket sikur ke një ngjashmëri me Barbara Streisand. Të më mbështesin, ose të më refuzojnë djemtë (e kamerës). Ja, Roi më thotë që po, ngjan shumë. Nuk gabova.

Diana Çuli: Më vjen çudi, sepse një jetë tjetër, shumë dekada përpara, ma thoshte Jusuf Vrioni, që punonte me mua. (qesh)

Mira Kazhani: Vërtet?

Diana Çuli: Unë isha vajzë e re si puna juaj. Ai ishte burrë i madh. Po më thoshte: Ti ke një ngjashmëri me Barbara Streisand. Unë rrija kështu… (improvizon qëndrimin)

Mira Kazhani: Ke punuar me Jusuf Vrionin?

Diana Çuli: Po. Unë punoja në “Les letteres albanaises”. Ishte një revistë që dilte në frëngjisht. Jusufi përkthente shumicën e saj. Kështu që kishim edhe miqësi. E shoqja punonte me mua në revistë.

Mira Kazhani: Vitin që shkoi lexova një libër të tij “Shënimet autobiografe”. Shumë e impresionuar nga figura e tij dhe shumë kurioze. Tani të kam zili që e ke njohur. Si ishte ai nga afër?

Diana Çuli: Unë e quaj një fat që kam punuar me të. Ishte një njeri vërtet fisnik. Në kuptimin, jo të fisnikërisë si shtresë aristokratike dhe e pasur, por si fisnik në shpirt.

Mira Kazhani: Si ia doli ai që t`i shpëtonte diktaturës dhe burgut?

Diana Çuli: Ai ishte në burg, ishte i dënuar.

Mira Kazhani: Unë mendova që frëngjishtja e tij e mirë mund ta ketë ndihmuar. Po a kishte një arsye tjetër që ai ia doli të mbijetonte?

Diana Çuli: Ai ka qenë i dënuar me 100 vjet, që do të thotë me burgim të përjetshëm. Po pastaj Enver Hoxha – ne mendojmë dhe ai vetë mendonte – që meqënëse filloi të botonte serinë e librave të tij dhe ekspertët që e dinin këtë çështje, që përkthimi nuk bëhet dot nga shqiptarë që e kanë mësuar gjuhën, por duhet bërë nga një njeri që e ka gjuhë nëne, dhe shumë i kulturuar dhe intelektual, ai donte ta kishte përkthimin e veprave të tij në nivelin më të lartë, pavarësisht se nuk i lexoi njeri, po ai ashtu mendonte, jashtë shtetit e kam fjalën, dhe aty i vunë gishtin. Se ata e dinin shumë mirë kë kishin, ku i kishin dhe e nxorën shumë shpejt. Jusufi bëri rreth 12 vjet dhe e vunë në shtëpinë botuese, tek zyra e përkthimit të veprave. Edhe atje punonte dhe kur u hap revista jonë e Lidhjes së Shkrimtarëve, i dhanë përsipër edhe përkthimin. Atëherë e kam njohur unë. Kam pasur shansin ta njoh. Ai nuk kishte triskë fronti deri vonë, derisa ka rënë regjimi. Ishte gjithmonë i survejuar dhe nën kontroll, por doli nga burgu, u martua, bëri fëmijë, pati shtëpi. E shikonte jetën në mënyrë pozitive. Kur i thoshim ne: Si nuk ankohesh kurrë? Ai thoshte: Shumë shokë të mi, që kam studiuar në Universitet në Paris – se ai kishte bërë 3-4 fakultete, ishte një nga njerëzit më të përgatitur edhe të Francës – thoshte, ata në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kush ishte me origjinë hebreje, i burgosën, i dogjën në furra, kështu që unë jam një njeri me fat. Dola nga burgu, u martova, po jetoj. Ai e shikonte jetën kështu dhe të mësonte në këtë qëndrim ndaj jetës. Të mos biesh pre e vuajtjes, të qash veten tënde tërë kohës, por të shikosh pozitivisht atë që mund të bësh.

Mira Kazhani: Gjithmonë kanë kuriozuar mbijetuesit.

Diana Çuli: Po është e vërtetë!

Mira Kazhani: Po tani që e mendon, morali i fabulës është që kur je ndoshta i shkëlqyer dhe shumë i zoti në diçka, mbijeton pavarësisht çdo sistemi dhe diktature, ia del?

Diana Çuli: Po absolutisht.

Mira Kazhani: Duhet pak fat?

Diana Çuli: Në diktaturat e egra duhet edhe pak fat, që mos të të kapë lapsi, sepse ata ta vënë syrin. Diktatura staliniste ka zhdukur njerëz shumë të rrallë dhe shumë të aftë. Ose edhe i përzinte, siç ka përzënë për shembull Solzhenitsyn-in. Një e burgoste, një e çonte në Siberi. Kishte ato shkallëzimet e veta, por sidomos në demokraci, po ishe i zoti, ka gjithmonë rrugë të ecësh. Nuk do të thotë që mbijetesa është patjetër para. Se këtu e ngjatërrojmë njëçik ne. E quajmë veten që jemi të mbijetuar dhe të suksesshëm po patëm para. Nuk do të thotë. Ti mund të jetosh shumë mirë dhe me të ardhura normale, por ama të jesh i lumtur me veten.

Mira Kazhani: Cili është tipari kryesor që të ndihmon të mbijetosh në çdo kohë? Që duhet ta ketë të veshur në karakterin e tij një njeri?

Diana Çuli: Unë mendoj e para është puna. Duhet të kesh gjithmonë dëshirë të punosh. Puna nuk të lë kurrë pa gjë. Edhe në momentin më të vështirë. Do bësh edhe punë të thjeshta kur s`ka mundësi të bësh punët që do ti, për të cilat je shumë i zoti. Nuk e ke atë fat në atë sekond. Bëj një punë tjetër. Ajo prapë do të të mbajë dhe ti do dalësh mbi ujë se je shumë i zgjuar dhe do gjesh një shteg tjetër.

Mira Kazhani: Si e përballon jetën një shkrimtare? Mendoj që me “Drerin e Trotuareve”, po edhe me përkthimet tuaja, ju keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare. Si e sheh jetën e saj një shkrimtare, Diana Çuli në një kohë të komerçit? Ke Instagram? Ke Facebook? I ndjek?

Diana Çuli: Jo. Një Facebook e hapa se më tallnin të gjithë që nuk ke, duhet ta hapësh të shikosh se çfarë ndodh. E hapa, po nuk është se më jep më shumë informacion nga sa unë marr. S`e kuptoj pse duhet ta kem patjetër. Nuk kam nevojën të them që sot hëngra picë dhe ta nxjerr fotografi.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për ata që e bëjnë këtë?

Diana Çuli: Secili ka dëshirat e veta. Nuk i gjykoj njerëzit. Unë hyj shumë në internet. Shikoj blogjet letrare, politikën, botën, çfarë ndodh. Unë rri në internet. Marr shumë më tepër informacion…

Mira Kazhani: Shkon aty ku do vetë.

Diana Çuli: Shkoj aty ku dua.

Mira Kazhani: Nuk u përgjigjesh algoritmeve.

Diana Çuli: Pastaj ndonjëherë, njëherë në javë u hedh një sy, se them dale të shikoj çfarë i ka ndodhur miqësisë time. Mos ka ndonjë martesë. Nuk ka ndonjë larg qoftë, vdekje, dhe do bësh një ngushëllim, ose një urim për një gjë të bukur, po kaq. Nuk dua të them që: Unë sot mendova këtë gjë. (qesh)

Mira Kazhani: Miqtë e tu, brezi yt, rrinë shumë në Facebook?

Diana Çuli: Jo, jo.

Mira Kazhani: Se mua më duket sikur ky brez po rri shumë në Facebook.

Diana Çuli: Edhe moshatarë të mitë rrinë shumë në Facebook, por rrethi im miqësor dhe ata me të cilët punoj, kolegët e mi dhe janë dhe shokët e shoqet e mia, se me ata na lidhin dhe idetë, nuk e kanë këtë qëndrimin të ngulur me Facebook-un apo me Instagramin. Instagrami mendoj është më shumë për rininë.

Mira Kazhani: Siç thashë, u kujtova për ty Diana, për shkak të “Dreri i trotuareve” dhe bëra atë lidhjen me ligjin e abortit.

Diana Çuli: Ligjin unë e lexova menjëherë në të gjitha gazetat që unë lexoj në internet. E dëgjova menjëherë në lajme. Se dëgjoj Euronews, CNN.

Mira Kazhani: Çfarë ndjesie pate?

Diana Çuli: Ti e di që unë jam marrë shumë dhe me lëvizjen e gruas. Kështu që o u ndjeva unë shumë keq me këtë gjë. Bashkë me koleget e mia menjëherë ramë në kontakt. Kemi grupet në Whatsapp dhe të gjitha këto… Po janë gjëra që të lidhin me idetë.

Mira Kazhani: Çfarë the? Cila ishte fjalia jote?

Diana Çuli: S`kam çfarë të them. Unë e di që bota kthehet edhe mbrapa. Nuk është se ti e bëre ligjin në ’73-shin si e bënë amerikanët. Në atë kohë ata arritën të bënin një ligj të mirë, kushtetues, që e jepte lirinë e abortit. Kjo nuk do të thotë se ti shpëtove dhe mbaroi epoka e keqe. Se deri atëherë në Amerikë ishte njësoj si në Shqipëri. Jo në vendet e lindjes. Vetëm në Shqipëri ka qenë i ndaluar aborti. Se vendet e tjera socialiste e quanin fitore të socializmit, të drejtë të gruas. Kurse ne e interpretonim dhe marksizmin si e donim ne. Për shembull gratë e kohës së leninizmit kanë qenë shumë gra të lira. Thoshin martesa e pengon gruan, Rosa Luxemburg edhe të famshmet e asaj kohe. Komunistet e para…

Mira Kazhani: Pse jemi kaq interpretues të jashtëzakonshëm të të gjitha sistemeve? Edhe demokracinë e interpretojmë sipas humorit tonë.

Diana Çuli: Kjo ka shpjegimet e veta. Se këtë e bëjnë njerëzit. Kurse atëherë e bënin teoricienët. E bëri vetë Enver Hoxha. Për shkak se donte një komb pronatalist, ishin pronatalistë. Ne duhej të bënim sa më shumë fëmijë që të mbroheshim nga imperializmi dhe revizionizmi, atëherë ndalohej aborti. Unë mendoj se këtu futet edhe fanatizmi dhe morali patriarkal. Jo direkt nga feja. Se vendet e tjera e kanë o nga feja katolike apo myslimane. Nga një kulturë shumë konservatore. Ne e kishim nga një prapambetje e thellë patriarkale. E kemi pasur, që u bashkua me këtë idenë që kombi ynë duhet të jetë i fortë, se do na vijë armiku. Dhe u ndalua në mënyrën më të egër. Për shembull, edhe mamitë që mund të ushtronin abortin, futeshin në burg. Ti i di historitë e atëhershme. Vdisnin shumë gra. Sepse gratë gjithë jetën e kanë bërë abortin klandestin. Që në kohën e antikitetit e deri më sot. Gjejnë gjithmonë mënyra për të bërë një abort, sepse e para nuk bëjnë dot 12 fëmijë. Nuk kanë kushte për t`i mbajtur. Le të mos shkojmë në ekstremet e tjera që mund t`i përdhunojnë që 12-13 vjeç. Unë mbaj mend kam qenë në një konferencë në Bosnje, mbase luftës. Atje kishte shumë fëmijë të lindur nga përdhunimet e ushtarëve, kur u bë lufta serbe në Bosnje. Ato gratë e dhunuara ishin o në spitale psikiatrike. Ata fëmijët ishin të braktisur se familjet e prindërve nuk i merrnin. Ishte një situatë e tmerrshme. Kështu që t`i lëmë këto të drejtat e mia si person, por të mendojmë edhe çfarë ndodh. Se njeriu është shumë i egër në raste të caktuara. Kështu që ky ishte një kthim mbrapa. E ka bërë Polonia që ështv vend i BE-së. E ka bërë shumë më përpara këtë, por nuk iu vu shumë veshi se Polonia nuk është Amerika si peshë.

Mira Kazhani: Po dhe mesazhi i çon botës është nga ‘vendi i lirive’ që themi ne…

Diana Çuli: Po në Amerikë ka edhe një pjesë konservatore, katolike që është e bindur që nuk duhet bërë kjo. Nuk e ka fituar dot me shumicë votash më përpara, tani e fitoi.

Mira Kazhani: E ka puritanizmin të theksuar Amerika.

Diana Çuli: E ka të vjetër, edhe madje protestantët e kanë. E kanë të dy palët. Unë madje kam përkthyer së fundi një libër “Shkolla e rrugës” ose “Edukimi, Arsimimi” e ka në anglisht. Aty flet për sot, në kohën reale, për sektin e Mormonëve, që është një sekt ekstremist i Krishterë, që jeton në zonat malore të Idahos, në Amerikën malore, qëndrore dhe këta jo janë kundër abortit, këta janë kundër të shkuarit në spital për ta lindur kalamanin.

Mira Kazhani: Në fakt e kanë bërë edhe personazhe të famshëm publik. Seç kanë këto teoritë gjithçka e natyrshme, si gjyshet tona.

Diana Çuli: Po kanë dhe unë ua sugjeroj gjithnjë të lexojnë. Unë kam qenë në Brazil, në forum social dhe problemi më i madh që ka qenë atje, ka qenë se ka shumë Katolikë. Nuk e lejojnë abortin. Nga ana tjetër marrëdhëniet seksuale i kanë tepër të lira. Atje vajzat 12 vjeçe, 13 vjeç lindin fëmijë pa qenë të martuara. Këta fëmijë familja i përzë. Tani sikur e kanë zgjidhur pak, por në kohën që unë kam qenë nja 10 vjet përpara, këta fëmijë ishin rritur në rrugë dhe rrinin turma të tëra poshtë urave. Natën dilnin ca “skuadra të zeza”, quheshin, me maska, që i vrisnin. Ishin ekstremistë të tjerë këta, që nuk i donin këta rrugëve. Ky qe një problem që nuk po dinte shoqëria si ta zgjidhte. Se nga njëra anë ishte shumë e zorshme të binin kanonet e fesë dhe të pranohej kjo gjë. Nga ana tjetër ishte kjo jeta e tyre liberale që nuk i jepnin shumë rëndësi se çfarë ndodhte. Pastaj kanë bërë shumë punë dhe më duket që nuk ekziston më kjo poshtë urave.

Mira Kazhani: Pse mendon që bota e ka tendencën për t`u kthyer mbrapa? Dhe forcimi i grupeve fetare dhe ligji për të drejtën e riprodhimit?

Diana Çuli: Zhvillimi njerëzor është në formë spirale. Domethënë ecën përpara, por ka një pjesë paralele me atë poshtë. Siç është spiralja që ngrihet kështu? Ka paralele. I bën prapë ato gabime, por ndoshta i bën më pak dhe vazhdon ecën. Kemi arritur shumë fitore, por duhet të jesh gjithmonë i vëmendshëm që kjo fitore që ke arritur nuk është e përjetshme. Të shkonte mendja që do kishim luftë? Se lufta është tek dera. Pse nuk mëson njeriu nga mizoritë e luftërave? Vetëm Europa pati dy luftëra botërore, ku kanë vdekur miliona njerëz. Kjo është çudia, çfarë ndodhi me rusët. Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore humbi 25 milionë njerëz. Mbajti peshën e luftës kundër nazizmit, sepse të gjithë forcat aleate, anglize, amerikane dhe të gjitha rezistencat tona në Europë, bashkë me ushtritë tona të vogla ishin gjithsej 3-4 milionë njerëz, me 25 milionë që humbi Bashkimi Sovjetik. Unë kam qenë shumë e vogël, por më kujtohet që thoshin këta që ktheheshin nga Moska që atje vajzat martoheshin shumë me të huajt, sepse nuk kishte meshkuj, ishin vrarë. 25 milionë i thonë baraz me gjithë Ballkanin. Iku një pjesë e djemve, u zhduk. Tani këta njerëz që kanë pasur këtë peshë kaq të madhe, kaq të rëndë, që e kuptojnë çfarë do të thotë të vdesësh në luftë 18 vjeç, të të ikë një brez i tërë, këta shkojnë dhe e bëjnë këtë gjë, te një tjetër, kushëri i tyre, ose vëlla i tyre, se janë një racë, vrasin dhe djemtë e tyre, se ata ushtarët rusë që vriten atje, njerëz janë, bij nënash janë. Njerëzimi nuk mëson. Mbajnë bombën atomike nëpër duar. Ne kemi një rrezik më të madh se aborti, se gjithçka brezat tanë. Unë kam shumë frikë për fëmijët, për nipërit, për çfarë do vijë. Akoma bomba atomike është në dorë të të çmendurve. Mundet ai Mellahu i Iranit, i cili mendon që bota perëndimore është shumë e degraduar, dekadente, imorale, mund ta hedhë. Se ai mendon që është shumë në rregull me Allahun.

Mira Kazhani: Po ka shumë vite që e mendojnë këtë, por nuk e hedhin…

Diana Çuli: Jo nuk i dihet.

Mira Kazhani: Nuk e shtypin atë butonin dhe të shpresojmë që mos të shtypet.

Diana Çuli: Mos shpreso kurrë. Duhet luftuar gjithmonë që energjia bërthamore të mos përdoret për armatim.

Mira Kazhani: Cili është gëzimi dhe shqetësimi yt më i madh në kohërat që jetojmë? Çfarë të jep më shumë kënaqësi nga jeta, nga 2022-shi?

Diana Çuli: Në këto vite unë përveç kohës së pandemisë, tërmetit, gjithë këto që ndodhën, se ne s`na lë asgjë. Kemi gjithmonë tronditje dhe është e përgjithshme, është për të gjithë ne. Individualisht, personalisht, unë kam një periudhë pak më të qetë se fëmijët kanë bërë familjet e tyre. Janë sistemuar në jetë. Se kjo është një betejë shumë e madhe. E ke që ditën që ata lindin edhe deri gjithë jetën. Sigurisht që ka probleme. Ka gjëra që të shqetësojnë, por ke edhe këtë ndjesi që tani ata janë të pavarur. Kanë jetën e tyre. Kjo të jep një gëzim shumë të madh, në çdolloj problematike që mund të ekzistojë, për çështjet e punës, për shqetësimet që kanë ata. Mua kjo më jep një… Them kam fituar këtë betejë të madhe të jetës që ata janë mirë. Edhe që familja është. Takohemi. Nuk është se takohemi shumë shpesh, por takohemi. Kemi nipër, mbesa.

Mira Kazhani: Çfarë raporti ke me kohën? Për shembull ka njerëz që kanë frikë nga mosha. Ka njerëz që kam njohur dhe dëgjuar që e shijojnë atë, e marrin si një proces të bukur, normal, natyral, reflektiv, të qetë. Se je më i sigurt me kalimin e viteve. Nuk ke ankthet e rinisë.

Diana Çuli: Po, nuk i ke ato, se ke zgjidhur shumë gjëra. Kur je i ri do zgjidhësh shumë probleme përpara që ke. Punën, familjen, dashurinë, fëmijët, profesionin. I ke beteja.

Mira Kazhani: S`ke eksperiencë, rrëzohesh më shumë, vritesh më shumë.

Diana Çuli: Të gjitha. Në këtë periudhë, edhe të duash të bësh gjëra të tjera, nuk bën dot. S`ke kohë. Kështu që unë bëj paqe me veten dhe them, sa të mundem. Mund të shkruaj një gjë? Po. Profesioni im është i tillë që është shumë i përshtashëm për këtë moshë, se rri tek kompjuteri edhe nuk ke nevojë të vraposh se të iku ora. E bën vetë disiplinën, edhe të lejon të punosh akoma.

Mira Kazhani: Ke ndonjë gjë që do doje ta kishe bërë më mirë gjatë jetës tënde?

Diana Çuli: Pafund.

Mira Kazhani: Ndonjë gjë që thuhet?

Diana Çuli: Një libër që s`e kam shkruar, që do doja ta kisha shkruar. Nuk e kam bërë dot. Kam bërë shumë libra. Po atë që do doja unë ta bëja më mirë. Se gjithmonë s`kam pasur kohë.

Mira Kazhani: S`ke pasur kohë se të është dashur të punosh shumë? Fëmijët? Familja?

Diana Çuli: Më është dashur të punoj shumë. Se nuk jeton dot me libra. As në atë kohë, as në këtë kohë. Kështu që më është dashur të punoj shumë, për të jetuar në mënyrë mesatare, ose afër mesatares dhe gjithë kjo më pengonte orët për të punuar për librin. Gjithmonë i kam bërë fshehurazi, fshehurazi me veten. Pastaj më zinte gjumi. Pastaj duhet të ngrihesha shumë herët.

Mira Kazhani: Ke një orar kur shkruan, apo kohë të caktuar të ditës?

Diana Çuli: Tani po. Dikur nuk e kam pasur se varej nga koha që ngelej. Tani e kam orarin. Ia vë vetes orarin. Për shembull në 8 jam në kompjuter. Punoj në mëngjes.

Mira Kazhani: Çohesh herët në mëngjes?

Diana Çuli: Tani unë herët çohem se më është bërë zakon. Iku ajo punë. S`më del më gjumi vonë mua. (qesh)

Mira Kazhani: Vetëm në rini del gjumi vonë (qesh).

Diana Çuli: Në rini vdisja të flija dhe një orë, po nuk flija dot as atëherë se do ngriheshe. Atëherë fillonte puna dhe në 7. Në 7 pa dhjetë duhet të isha në gazetë unë. Tani fillon në 8, fillon në 9 nëpër zyra.

Mira Kazhani: Unë i kam shumë zili njerëzit që kanë fjetur gjumë. Tani nuk fle më se çohem edhe unë. Po kur doja të flija, më zgjonte mami: Çohu! Ç`është kjo punë? Pse s`na keni lënë të flemë?

Diana Çuli: Nuk na linin. Ishte një zakon që na ngrinin. Këtë e mbaj mend vetëm sa isha studente që doja të flija. Po pastaj s`ka pasur më kohë të fle. Po mbaj mend që në gazetë duhet të isha në orën 7, 7 pa 10.

Mira Kazhani: Ke frikë nga vdekja?

Diana Çuli: Jo. Nuk kam. Kam frikë mos më zë ndonjë sëmundje që të zë krevatin. Kam frikë nga sëmundjet, jo nga vdekja. Ato më duken më mallkim. Jo se jam manjake, por jam e kujdesshme. Marr gjithë vitaminat që duhen. Jam shumë e kujdesshme tek ushqimi.

Mira Kazhani: Çfarë vitaminash merr?

Diana Çuli: Gjithë çfarë shoh që duhet t`i marrë mosha ime. I lexoj, edhe i marr. C-ja nuk mungon për shembull. Mund të mungojnë gjitha të tjerat, por C-ja nuk mungon. Edhe jam shumë e kujdesshme në ushqim.

Mira Kazhani: Është e dukshme.

Diana Çuli: Jo thjesht për peshën. Po ajo është e përbashkët. Nëqoftëse ha shëndetshëm, nuk merr obezitet. Është bashkë. Jam e kujdesshme në këto. Mund të bëj një libër të vogël.

Mira Kazhani: Duhet ta bësh! E di si do shitet ky libri?

Diana Çuli: E di, po s`ka kohë ta bëj. (qesh)

Mira Kazhani: Njerëzit duan vetëm receta si të mbeten të rinj, si të ushqehen mirë, si të duken bukur.

Diana Çuli: I kanë në internet pafund. Dhe kur s`do ti, ta sjell telefoni.

Mira Kazhani: Kjo tendenca për bukurinë, sa ç`është e ekzagjeruar dhe ta sjell në majë të hundës ndonjëherë, është edhe e bukur në fund të fundit.

Diana Çuli: Mua më pëlqen. Njerëzit më mirë të merren me këtë, sesa të merren me ligësira “Ai fshati im është më i mirë se i yti” apo jo? Më mirë të merren me bukurinë. Çfarë ka të keqe bukuria?

Mira Kazhani: Dhe unë them që ta mbyllim me bukurinë. Faleminderit Diana Çuli për këtë bisedë të këndshme në videopodcast! Kishe dëgjuar më përpara për podcastet?

Diana Çuli: Patjetër! Edhe kam ndjekur në TED Talk Isabel Allende dhe shkrimtarë të tjerë që i ngjan podcastit.

Mira Kazhani: Edhe unë e ndjek shumë Isabel Allende-n.

Diana Çuli: Sa interesante që është, edhe në të folurën e saj.

Mira Kazhani: Unë mendoj që ajo është shumë interesante, sepse është shumë spontane dhe e sinqertë. Nuk mban asgjë për vete. Kurse ne shqiptarët mbajmë shumë sekrete. Pse nuk i themi dot të gjitha?

Diana Çuli: Se është shoqëria.

Mira Kazhani: Kam takuar shumë personazhe që kanë histori dhe mund të flasin dhe nuk duan të dalin në shesh.

Diana Çuli: Atëherë le ta mbyllim me një shpjegim relativ timin. Mendoj që është edhe çështje kulture shoqërore. Shoqëria e saj është më e hapur. Nuk e gjykojnë aq shumë. Këtu të gjykon kushdo që ti flet. Çfarëdo që ti thua, dhe mirë…

Mira Kazhani: Kjo është shumë e vërtetë. Po mes gjithë këtyre, ka edhe disa që unë i vë re, që më shkruajnë ndonjëherë, që e duan shumë të vërtetën. Edhe duhet t`i flasim edhe atij 20%-shit, 10%-shit

Diana Çuli: Migjeni thoshte: Me një qiri në dorë, do eci në errësirë e do jap dritë. Me një qiri në dorë.

Mira Kazhani: (Duartroket) Migjenit. Sa i mirë që ishte dhe sa i ri që iku. Faleminderit Diana!

Diana Çuli: Faleminderit për këtë gjë të bukur që bën!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *