Linda Treska, nga zero në shumë zero në New York

Nga Mira Kazhani/ Linda Treskën e zbulova në Instagram, prej Xhesikës, modeles shqiptare që jeton në Manhattan. Por mund ta kisha gjetur edhe nga Gal Gadot, yllit izraelit që vuri buzëkuqin e krijuar nga Linda. Kur e zbulova që ishte një shqiptare e suksesshme, mendova t’i shkruaj në inbox. Hezitova dhe e shtyva për një herë tjetër. Është në natyrën time një lloj rezervimi, shpesh më shumë sesa duhet. Vetëm dy orë pasi vendosa të mos e nis SMS-në, një follow erdhi në Instagramin tim. Ishte Linda Treska.

“O Zot!”, thashë me vete. Na përgjon Instagrami edhe mendimet? Algoritmet? Rastësia? Universi? Ndoshta ky i fundit, sepse më pëlqen t’i besoj.

Kështu u la një videopodcast për historinë e Lindës, që mbërriti 16 vjeç në Amerikë dhe bukuria e NYC e tërhoqi aq shumë sa vendosi që t’i dedikohej në kuptimin e vërtetë. Punoi për 18 vite me markat më të famshme kozmetike. E nisi nga fundi… ose fillimi! “Në katin e parë ndodhin të gjitha”, – thotë ajo me të drejtë. Aty kuptoi filozofinë e biznesit. Ata që shkëlqejnë janë thjesht punëtorë dhe inovatorë. Kjo e fundit i dha Lindës dorë, para disa vitesh. Udhëtimet e shumta nëpër botë i shërbyen të kuptojë se e ardhmja, ishte edhe për produktet kozmetike, e njëjtë siç thotë Leonardo DiCaprio për pyjet, detet dhe lumenjtë: ECO- friendly!

Kur punonte për një kompani dhe iu tregoi për mundësinë e një produkti “waterless”, më pak ujë, asnjë s’e dëgjoi. E bëri vetë dhe ishte e para. Tani po shkojnë edhe të tjerë, por “Pinch Of Colour” ka flamurin e parë në këtë treg nga një shqiptare, prej Korçe.

Jeton një urë përtej Manhattan-it. Ka tre fëmijë dhe bashkëshortin avokat. Fëmijët flasin shqip rrjedhshëm. Kjo e fundit, flet po aq shumë për këtë grua dhe familjen e saj.

Njihuni me të në videopodcast-in e radhës, “Zë me Mirën”.


Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Në këtë episod të videopodcastit “Zë me Mirën” kam një të ftuar nga New York-u, por është shqiptare, madje korçare-korçare. E dinë të gjithë magjinë e lotarisë që duhet të jesh korçar që të të bjerë. (qesh) Kështu ndodhi ndoshta me familjen e Linda Treskës. Kur në vitin e brishtë, 1997 morën vetëm valixhen secili dhe pasaportën, duke ikur nga Shqipëria, drejt Amerikës. Ajo ishte 16 vjeç atëherë. Sot është mami e tre fëmijëve. Ka krijuar kompaninë e saj të produkteve të bukurisë në New York “Pinch of Colour”. Dhe nga Instagrami, nëse nuk do të postonte lakror dhe valle shqiptare në mbrëmjet e saj të filantropisë, mund ta marrësh edhe për një skinny New Yorker.

Linda Treska: Po patjetër!

Mira Kazhani: Nëse nuk do ta kuptoja, ashtu dukesh në fakt.

Linda Treska: Skinny New Yorker na bën jeta dhe fakti që nuk kemi asnjë moment të qetë ose pushim, sepse jetojmë në një qytet shumë, shumë aktiv dhe jam e lumtur që jam aty. Edhe pse më mungon Shqipëria, është një vend që e adhuroj dhe vij çdo vit. Po kam 25 vjet në New York.

Mira Kazhani: Respekt njëherë për ata që ia dalin, kanë sukses dhe bëjnë gjëra. Integrohen vërtet shumë mirë në shoqëritë e tyre. Nuk është e lehtë t`ia dalësh në New York, me atë ritëm frenetik. Unë e di, bashkëshorti yt Genti është avokat në Manhattan, ndihmon shumë emigrantët.

Po ti ndërkohë ke bërë rrugëtimin tënd. E ke nisur në supermarket.

Linda Treska: Po. E kam nisur në supermarket, sepse nuk flisja anglisht. Kur kam qenë këtu në shkollë kam studiuar vetëm frëngjishten. Pata fatin të jetoja dhe dy vite në Rumani. Kam dalë jashtë shtetit me bursë studenti dhe flisja frëngjishten dhe rumanishten dhe kur kam lëvizur në New York për herë të parë, ishin dy gjuhët që më kanë dhënë shansin të mbijetoj, sepse anglishten nuk e flisja fare. Nuk dija as edhe një fjalë.

Mira Kazhani: Po frëngjishtja besoj më shumë sesa rumanishtja? Apo s`është e thënë?

Linda Treska: Është një komunitet shumë i madh rumun në NY dhe tani pas shumë vitesh mora vesh që është edhe një komunitet shumë i madh francez në Larchmont, New York. Pothuajse gjithë qyteti është me francezë, megjithatë më ka ndihmuar shumë për të mësuar dhe për të komunikuar gjatë periudhës tre-mujorëshe të parë, që nuk e flisja gjuhën dhe e fillova pak nga pak. Ka qenë supermaketi ai që më ka ndihmuar të komunikoja me njerëzit, të kisha kontakte direkt me fjalët e përditshme, derisa hyra në temë pak nga pak.

Mira Kazhani: Ndonjëherë anglishtja me ato fjalët e përditshme të duket më e vështirë. Unë e gjej më kollaj veten të përkthej një fjalim politik, sesa të them ndonjëherë një gjë të thjeshtë. Nuk e di pse ndodh kjo.

Linda Treska: Po janë slang, që flasin shumë shpejt dhe i presin shumë nga fjalët. Nëqoftëse nuk jeton aty çdo ditë, veshi nuk është mësuar me ato fjalë të vogla, të shpejta apo të prera dhe them ndoshta kjo është vështirësia.

Mira Kazhani: Sa qëndrove në supermarket? Ndërkohë dhe studioje?

Linda Treska: Në 1997-ën kam punuar në supermarket. Ishte fillimi i fillimit tonë. Shumë i vështirë. Kam qenë aty 9 muaj, sepse hyra direkt pastaj në gjimnaz. Njëkohësisht mora vesh që ishte një shkollë për makeup artist që ka qenë ëndrra ime dhe nuk e di për çfarë arsye ëndërroja të isha në botën e tualeteve, kozmetikës, modës.

Mira Kazhani: Është pak vajzash kjo.

Linda Treska: Është, po e kisha të theksuar. Më të theksuar nga çdo person që isha e rrethuar në atë kohë.

Mira Kazhani: Doje të bëje nuse në atë kohë? Apo mendoje këtë kompaninë e madhe? Kishe shkuar tek kjo ëndrra e madhe? Si e mendoje ti? Si e kishe vizionin në atë kohë?

Linda Treska: Ishte një ëndërr e largët shumë, që nuk e dija nëse do realizohej. Doja të krijoja diçka. Ishte gjithmonë fakti për të krijuar diçka. Se çfarë, nuk e di. Kur lëvizëm në New York, e kuptova që ishte vendi i ëndrrave, gjithashtu edhe i modës dhe kozmetikës. Dhe kishte shumë mundësi për të bërë gjërat që doja të bëja. U regjistrova në një shkollë make up artist. Kam shkuar aty për gjashtë muaj dhe kam marrë certifikatën si make up artist. Ajo gjë më dha drejtim. Fillova të punoja pastaj për kompani të mëdha, si make up artist.

Mira Kazhani: Të ka ndihmuar fakti që ishe elegante, e gjatë, bionde? I shohin, janë “sipërfaqësorë” new york-ezët? Të ndihmon ndonjëherë pamja?

Linda Treska: Nuk e di. Ishte më shumë fakti që kisha talent. Vlerësohej dhe vlerësohet shumë talenti. Në përgjithësi, në Amerikë dhe në NY këtë kam vënë re. Që nëqoftëse ke dhunti, ke dëshirë, ke talent, të hapen dyert, sepse amerikanët këtë gjë e vlerësojnë shumë. Nuk ka rëndësi nëse je i bardhë apo racë tjetër. Unë në fushën time kam punuar me shumë raca të ndryshme, njerëz të ndryshëm, nga shtete të ndryshme. Është një biznes internacional që më ka përplasur me shumë njerëz të ndryshëm. Kam pasur fatin mund të them. Është puna ajo që vlerësohet më shumë. Kam qenë shumë workaholic. E kam adhuruar dhe vazhdoj ta adhuroj punën.

Mira Kazhani: Kur thua workaholic sa orë në ditë nënkupton? Kur zgjohesh dhe kur fle?

Linda Treska: Të jap një shembull. Gjashtë vitet e para në Amerikë nuk kam pasur asnjë ditë pushimi. Punoja 7 ditë në javë. Shkoja në shkollë. Kisha dhe dy punë të tjera. Gjithmonë kam punuar dy ose tre punë në të njëjtën kohë. Nuk kam pasur asnjë moment pushimi. Edhe kur njerëzit festonin Christmas që mbyllet çdo gjë, ose Thankgiving, ose 4 Korrikun, unë do kisha gjithmonë diçka. Ndonjë event, ndonjë party, ndonjë martesë, fejesë. Diçka që më bënte gjithmonë të punoja. Nuk është se ankohem. Nuk e bëja me idenë që ishte punë. Për mua ishte kënaqësi.

Mira Kazhani: Ishte pasion. Ishte ëndërr. Ti po ndiqje yllin tënd në një kuptim. Sa vjeç ishe?

Linda Treska: E fillova punën që 16 vjeçe. Dhe derisa mbarova universitetin, në moshën 22 vjeç, kam qenë non stop. Kur e mendoj… Nuk kisha pushim në asnjë lloj momenti. Po më pëlqente dhe pak leku, të them të drejtën.

Mira Kazhani: Epo nga Korça (qesh)

Linda Treska: Nga Korça. Na e kanë vënë neve… e kemi si damkë. Arrita të kuptoj që një femër që bën lekë dhe ka mundësi të rrijë në këmbët e saj, ke një indipendencë shumë të fortë nga çdo gjë. Gjëja e parë ka qenë nga familja ime. Nga prindërit e mi. Nuk doja të isha në varësinë e lekëve të tyre, nuk doja të më caktonin limite. Nuk kam qenë person që kam harxhuar apo që kam abuzuar, sepse kam ndihmuar familjen time në maksimum. Doja të ndihesha që edhe unë kisha fuqinë time për të bërë lekë dhe për të përballuar jetën në çfarëdolloj momenti.

Mira Kazhani: Të kuptoj shumë mirë Linda. Unë kam qenë 21 vjeçe. Isha në fakultet. Edhe arsyeja pse jam sot gazetare, mund të jetë për një 2 mijë lekësh të babit, sepse kur ia kërkoja, më thoshte: Ta dhashë pardje. (qesh) Po nuk më dilnin. Dhe në fakt nuk ishte pasioni, sa ishte nevoja për disa shpenzime, për para. Më pas pastaj fillon dhe e zbulon. Po është e vërtetë kjo.

Linda Treska: Shumë, shumë më pas.

Mira Kazhani: E di ku është e mira e asaj që e lexoj në historinë tënde, edhe tek Amerika apo vendet e tjera të zhvilluara? Ta mësojnë paranë përmes punës. Jo ta fitosh shpejt. Ta fitosh avash-avash. Kjo rruga deri tek maja që mbërrite ti, të është dashur 18 vjet për të hapur biznesin tënd. Ti ke punuar për Estee Lauder, për Laura Mercier. Çfarë vodhe ti në kuptimin metaforik prej të mëdhenjve? Çfarë kanë ata që kanë sukses? Që ti e kape dhe dite ta përdorësh tek biznesi yt?

Linda Treska: Ka qenë një moment kur kam qenë 18-19 vjeç, që isha akoma në vrullin e punës dhe punoja për një dyqan, ndoshta e ke dëgjuar, Macy`s.

Mira Kazhani: Po e kam dëgjuar. S`kam qenë asnjëherë në Amerikë, por e kam dëgjuar këtë Macy`s-in e famshëm.

Linda Treska: Kur të vish do të të çoj në të gjitha dyqanet që kam punuar unë.

Mira Kazhani: Do ta bëj me shumë kënaqësi.

Linda Treska: Kam punuar në të gjitha dyqanet e kozmetikës, që janë edhe me emër të madh. Macy`s, Blomingdale`s, Barnes, Bergdorf Goodman. Barnes, na u mbyll fatkeqësisht. Henri Bendel na u mbyll. Kanë qenë gjëra që janë afektuar edhe nga pandemia. Po ka qenë një moment gjatë kësaj periudhe kohe, isha shumë e vogël, shkoja në universitet dhe punoja për një kompani që në atë kohë u ble nga një “sell orders” dhe quhej Origins- nëse e ke dëgjuar – shumë e madhe, vazhdon të jetë akoma si kompani. Atë ditë menaxherja e Origins na tha që duhet të përgatiteni, sepse do të vijnë njerëz nga Coorporate. Unë nuk e kisha dëgjuar fjalën Coorporate. Thashë çfarë është Coorporate? M`u duk diçka shumë e madhe. Edhe është diçka shumë e madhe. Pastruam vendin. Ndërruam të gjithë atë uniformën. Se ishim me uniforma, u bëmë gati. Pas pak, kanë hyrë gati 20 veta. Gjithë pjesa e koorporatës, të njerëzve që drejtonin biznesin e Origins. Këta njerëz punonin në “5 Avenue” dhe “59 Street”, që është ndërtesa e “sell order”. Ka hyrë një person me emrin Lin Green, një grua goxha zonjë. Ajo ishte një nga CEO-t e kompanisë në atë kohë. E mbaj mend, se unë fëmijë në atë kohë, 18 vjeç. Ishte shumë e edukuar, e sjellshme, e ëmbël në sjellje. Na foli të gjithëve. Duke i parë këta njerëz, në kokën time fillova të pyesja: Çfarë kanë këta njerëz që kanë arritur aty? Çfarë kanë? Nuk kanë asgjë. Thjesht kanë punuar shumë shumë “hard” dhe me një pikëqëllimi që do arrijnë diku. Është ajo, se s`më vjen dhe në shqip “You set a goal”.

Mira Kazhani: Ti vendos një qëllim, një objektiv.

Linda Treska: Po. Kjo është. Nuk të motivon asgjë tjetër veç faktit që ti e sheh atë gjë dhe thua: Pse jo mua? Në atë pikë e kuptova që biznesi ku punoja unë në atë moment nuk mbaronte aty. Po ishte shumë më lart nga pjesa ku isha unë në atë moment. Unë isha tek fundi pothuajse, ose tek fillimi. Çdo gjë ndodh në “floor” themi ne.

Mira Kazhani: Në katin e parë, e vërtetë! Aty mësohet gjithçka.

Linda Treska: Aty vijnë klientë. Aty shitet produkti. Nëqoftëse e fillon që aty, ke filluar nga një bazë shumë e fortë, sepse kupton klientin, fuqinë e klientit, fuqinë e psikologjisë së klientit. Mua kjo më ka ndihmuar shumë se gjashtë vitet e para unë kam bërë rolin e make up artist, por edhe të shitëses. Mësova si të shisja, si të negocioja. Diçka që kur hyra në koorporatë nuk e kishin atë eksperiencë. Ajo më ka ndihmuar për të çarë edhe më tutje, se flisja me autoritet për klienten.

Mira Kazhani: A janë kompanitë e mëdha Linda, të pashpirt, të egër, që nuk falin, sepse po falin dhe po u morën me gjërat njerëzore, ka shumë për të humbur?

Linda Treska: “There is no room for mistakes”. Se ka aq shumë konkurrencë. Unë kur kam filluar të punoj në këtë fushë nuk kam pasur lidhje me shqiptarët. Pothuajse mund të isha e vetmja shqiptare që iu futa kësaj rruge shumë agresive, shumë konkuruese, me shumë femra. Edhe në momentet kur s`bëje gabime, të bënin që të bëje gabime. (qesh). Duhet të ishe shumë e fortë dhe shumë e prerë. Ndoshta ngaqë jemi shqiptarë, kemi edhe një damar prej të forti, them unë, që na ndihmon të ecim përpara se nuk e mendojmë dy herë. Çfarë do ndodhë më e fundit? Do më heqin nga puna. Po le të më heqin nga puna. Gjë që amerikanët… po më vjen korçarçe tani, amerikanët i bëjnë shumë teklif punës. I bëjnë hyzmet, se nuk janë kokëfortë si ne. Ne e kemi një damar.

Mira Kazhani: S`e kanë këtë damarin tonë.

Linda Treska: Jo.

Mira Kazhani: Imagjino të kishin edhe damarin tonë.

Linda Treska: Harroje!

Mira Kazhani: Si ka mundësi që me këtë damar kaq të bukur dhe që të çon përpara, ne kështu me njëri-tjetrin sesi jemi? Çfarë na mungon? Çfarë duhet të kishim si amerikanët?

Linda Treska: Janë shumë politikanë. Amerikanët kanë një diplomaci të përkryer.

Mira Kazhani: Oh, darling. You look so good. (qesh)

Linda Treska: Nuk ta thonë asnjëherë fjalën ashtu siç është. Ndoshta dhe jo për të të ofenduar. E kanë këtë kulturë. Ne jemi më të drejtpërdrejt. E themi ashtu siç e shikojmë. Amerikanët e kanë pak me “sweety”, me “honey”, me “darling”. Derisa ta thonë, në mënyrat e tyre.

Mira Kazhani: Ti mbërrite dhe hape kompaninë tënde kozmetike “Pinch of colour”. Më pëlqen titulli yt. Është shumë i bukur, i dashur, simpatik.

Ka shumë ofertë. Nuk pate fare frikë se mund të riskosh me një tjetër kompani kozmetike, ku të gjithë po prodhojnë? Të gjithë! Dhe duket sikur oferta është më shumë sesa kërkesa. Apo ka vend në New York?

Linda Treska: Unë them për njerëzit që hapin kompanitë e tyre, duhet të jesh edhe pak egoist.

Mira Kazhani: Vanitoz, në kuptimin që të të pëlqejë vetja jote.

Linda Treska: Në kuptimin, atë që po bëj unë, nuk e ka njeri tjetër. Mund ta kenë dhe të tjerët, se në fund të ditës buzëkuq është. Po shesim kozmetikë. Gjëra që janë bërë prej qindra vitesh më përpara, por është ajo ideja që thua “What I have is special” (Ajo që kam unë është speciale) dhe “Ajo që kam unë është e veçantë”. Dhe nëqoftëse e beson atë koncept dhe beson tek produkti që krijon, nuk trembesh nga konkurrenca. Nuk trembesh nga asgjë.

Mira Kazhani: Çfarë të veçante kanë produktet e Pinch of Colour?

Linda Treska: Pinch of Colour ka qenë kompania e parë që është krijuar me idenë e një kompanie “sustainable” dhe “sustainable waterless”.

Mira Kazhani: Pra nuk kanë shumë ujë.

Linda Treska: Nuk kanë ujë fare. Nuk ekziston uji në përbërjen e tualetit. Arsyeja që doja të bëja këtë gjë, ishte sepse doja të krijoja një kompani që i përgjigjej një nga zhvillimeve të botës…

Mira Kazhani: Është dhurata e Lindës (Mira provon produktet kozmetike).

Kanë mbi të gjitha dhe aromë shumë të mirë. Janë si të thata pak.

Linda Treska: Mat.

Mira Kazhani: Po është një që është…

Linda Treska: Gloss-i. Lip oil.

Mira Kazhani: Me këto të dyja do ta bëj gjithë sezonin e dytë të “Zë me Mirën”.

Linda Treska: Ideja ishte të krijoja një kompani që nuk kishte ujë në përbërjen e saj. Në 2015-ën kam qenë në një udhëtim në Kore dhe Koreja është shumë e avancuar në teknologjinë e skin care, make up. Ia kanë kaluar edhe Japonisë, mund të them.

Mira Kazhani: Ia kalojnë edhe të vegjlit të mëdhenjve ndonjëherë. Më pëlqen që po ia kalon Japonisë.

Linda Treska: Kanë investuar shumë për të arritur aty ku janë dhe bravo se kanë bërë një punë të shkëlqyer. Dhe për një moment, në një takim, me një nga laboratorët në Kore u përmend fjala “waterless”. Nuk u përmend si kategori, por ishte thjesht një fjalë që ma kapi veshi. Kur jam kthyer në NY, kam bërë një prezantim të madh. Se isha pjesa e “trend forecast”, që parashikonim gjithë trendet që do vinin në botën e kozmetikës dhe parfumeve. Kur u ktheva në NY kam bërë prezantimin dhe një nga trendet që unë identifikova ka qenë “waterless”. Mirëpo asnjë nga kompania që punoja në atë moment nuk e kapi si koncept.

Mira Kazhani: Epo prandaj s`kanë kompaninë e vet kozmetike ata.

Linda Treska: Isha duke u thënë: “It`s a big trend. We should focus on waterless”. (Është trend. Duhet të fokusohemi tek produktet pa ujë).

Mira Kazhani: Tek cila kompani ishe kur nuk e kuptuan?

Linda Treska: Isha tek Laura Geller. Më vonë fillova të bëja pak më shumë “research” (kërkim) dhe “waterless” është një produkt që në gjuhën e kimisë quhet “anhydrous”, pa ujë. Ideja është që në vend të ujit ta zëvendësosh me vajra natyrale, me esenca gjalpi natyral, ekstrakte që të ndihmojnë për lëkurën shumë më shumë se një produkt që ka ujë. Uji përdoret më shumë për efektin që ta bëjë produktin pak më të lirë, sepse kur hedh ujë, e zvogëlon sasinë e materialeve të mira, esencat, ekstraktet. Domethënë me 80% ujë dhe 20% gjëra që funksionojnë.

Mira Kazhani: Je e vetmja që e ke këtë waterless apo ka edhe të tjerë?

Linda Treska: Mbas nesh filluan shumë kompani të tjera.

Mira Kazhani: Pas teje?

Linda Treska: Po. Shumë kompani të tjera. Madje edhe L` Oreal, edhe PMG edhe shumë të tjera filluan të hynin në të njëjtën rrugë që waterless është e rëndësishme për të mos sakrifikuar ujin e pijshëm, sepse pa ujë nuk jetojmë dot.

Mira Kazhani: Ke arritur të gjesh personazhe të famshëm? Ke dashur të kesh personazhe të famshëm – që është normale kur vjen puna tek marketingu – që e blejnë, e përdorin Pinch of Colour?

Linda Treska: Po, kemi pasur goxha “celebrities” (të famshëm) që i kanë përdorur, se i kanë dashur. Gal Gadot e ka përdorur.

Mira Kazhani: Më pëlqen Gal Gadot. Ka shumë karakter.

Linda Treska: E kemi edhe në Instagram kur e ka vënë. Si s`më ra të fiktë. Se nuk e besoja. Kemi pasur edhe Lucy Boynton që luan “Bohemian Rhapsody” që mori çmim Oscar. Aktorja bionde…

Mira Kazhani: Luante rolin e bashkëshortes së Freddie Mercury-t.

Linda Treska: Po.

Mira Kazhani: Ok. Tani e kujtoj.

Linda Treska: Mori dhe ajo goxha çmime.

Nuk kemi bërë marketing të paguar të them të drejtën. Kemi qenë me fat që shumë nga revistat e modës nëpër botë, sidomos dhe të NY, nga Vogue, Marie Claire, Glamour, Allure, të gjitha të njohurat na kanë dhënë një suport shumë të madh. Jo se i kemi paguar. Se kur i paguan, sigurisht do të japin suport. Por kemi qenë me fat se na kanë pëlqyer si koncept, si brand, si produkt. Na kanë dhënë goxha ndihmë nga ajo anë.

Mira Kazhani: Po ndërkohë të gjitha këto ndodhin kur ti ke edhe tre fëmijë në tre mosha shumë të ndryshme.

Linda Treska: Shumë të ndryshme.

Mira Kazhani: Unë kam mësuar, edhe kur folëm paraprakisht, që kishe një jetë me një ritëm frenetik. Për shembull që nga mëngjesi kur ka shumë njerëz që kanë frikë t`i japin makinës në NY, në Amerikë, se ecin shumë shpejt, por më the që të pëlqen ajo adrenalinë. E nis ditën herët në mëngjes dhe e mbyll në mbrëmje. Përveç punëve të tua, zyrën e ke në shtëpi, të duhet të merresh me tre fëmijë: vajza adoleshente, djali më në mes…

Linda Treska: Dhe një e vogël fare.

Mira Kazhani: Dhe një e vogël fare që është 2 vjeçe.

Linda Treska: Po 2 vjeçe. Është ajo që thamë përpara, vendos një qëllim dhe është ajo çfarë kërkon nga jeta. Më pëlqente ideja e fëmijëve. I dua shumë fëmijët. I pata në shumë momente të ndryshme të jetës. Po kjo ka qenë prej punëve që kam pasur. Lëvizjeve të shpeshta nëpër botë.

Mira Kazhani: E ke gjetur gjithsesi kohën.

Linda Treska: E kam gjetur kohën. Kur bëra të parën thashë: Nuk bëj më. (qesh) Se ishte shumë e vështirë. Për herë të parë prind, ka qenë shumë e vështirë. Pastaj më vinte keq ta lija vetëm. Kur u bë i dyti, i dyti doli engjëll dhe thashë: Uau, 10 të tillë të kem, s`e kam problem fare. E treta erdhi surprizë në kohën e pandemisë. Në një kohë shumë të tmerrshme.

Mira Kazhani: Po pushim ishit… (qesh)

Linda Treska: Ka qenë ajo që na mbajti trurin në rregull.

Mira Kazhani: Çfarë është një gjë që të pëlqen shumë nga NY, përveç faktit që të ka dhënë këto mundësitë. Që është kompetitiv dhe po je i talentuar, po punove, ia del dhe diçka që në fakt, edhe pasi i arrin të gjitha, është një gjë që mungon? Për shembull, një kafe ekspres me atë shijen tipike të Mesdheut.

Linda Treska: Për Zotin, një kafe ekspres më mungon çdo ditë në NY. NY-un e adhuroj sepse në radhë të parë më është bërë “home”, është shtëpia ime. Kudo që shkoj në botë, nuk ndihem rehat. Po në momentin që hyj në NY, në zhulin e NY-ut them unë, sa hapen dyert e J.F.K (aeroportit), me zhurmat, me sirenat, me taksitë, me njerëzit që të bërtasin dhe të gjitha këto, është një moment që ndaloj dhe them: “I`m home!” Ndoshta ngaqë kam 25 vjet aty dhe nuk njoh asgjë tjetër më mirë sa njoh NY-un. Po ështe edhe energjia. Ka një energji të paparë. Ka një prezencë. Çohesh në mëngjes, çdo gjë gumëzhin. Jemi mësuar me zhurmë. Nuk jetoj dot në qetësi.

Mira Kazhani: Jeton shumë afër Manhattan?

Linda Treska: Po, jam në një lagje që quhet Astoria, një lum i vogël na ndan. Aty kam qenë gjithmonë. Në Manhattan jam çdo ditë, sepse aty i bëj gjithë takimet. Çdo gjë ndodh në Manhattan. Jam e kënaqur se Astoria është pak më neighborhood, si i themi ne. Ka pak më shumë qetësi nga Manhattan, po njësoj. NY është njësoj kudo.

Mira Kazhani: Flasin shumë për paranë njerëzit në Amerikë? Vetëm për paratë? Apo flasin tani dhe për wellness? Se po flasin tani dhe për dietat…

Linda Treska: Po dhe wellness-i tek paraja del. Se duhet ta blesh edhe wellness. Kryesisht njerëzve që jetojnë në NY iu pëlqen paraja. Ka punë, ka jetë, ka mundësi të mëdha dhe kryesisht njerëzit që janë aty, janë për para.

Mira Kazhani: Për çfarë duhet paraja dhe për çfarë nuk duhet fare në fakt? Për disa gjëra që thua: Këtë nuk e bën paraja.

Linda Treska: Pa lekë, pa para në NY, ose kudo, po sidomos NY është shumë i shtrenjtë, nuk mund të jetosh dot. Shumë njerëz lëvizin nga NY për faktin që nuk arrijnë dot të bëjnë atë lek që të mbijetojnë. Po ka shumë gjëra që na mungojnë. Për shembull edhe qetësia. Në Evropë them se njerëzit e shijojnë më shumë jetën. Janë më të qetë. Jeta, kryesisht shëndeti është më i rëndësishëm sesa leku, kurse për ne leku është më i rëndësishëm sesa shëndeti. Ke shumë njerëz që janë të sëmurë, me lloj lloj sëmundjesh. Vazhdojnë shkojnë në punë. Ke njerëz që janë nga 90 vjeç që çohen në mëngjes dhe vazhdojnë shkojnë në punë. Adrenalina dhe paraja janë dy gjëra që NY-u i ka.

Mira Kazhani: Kur vjen në Tiranë, vjen në Shqipëri, kur shkon në Korçë takon njerëzit e tu, në jug, kudo që shkon, çfarë bisedash dëgjon më shumë? Për çfarë flasim ne shumë?

Linda Treska: Zakonisht dëgjoj shumë ankesa. (qesh). Një gjë që edhe e vuaj kur shoh në disa persona që nuk më pëlqen se me të vërtet vuajnë dhe jam tip që kur shoh një person që vuan, filloj vuaj dhe unë nga ana psikologjike.

Mira Kazhani: Po është ngjitëse. Sidomos ankthi i tjetrit është ngjitës.

Linda Treska: Por më pëlqen se qesh shpeshherë këtu. Madje kemi qenë rrugës për një Korçë njëherë. Ndaluam pyetëm një xhaxhi me një gomar, në rrugë, anash, i thashë: O xhaxhi, nga shkohet për në Korçë? Se ishte hera e parë që i jepnim makinës. Më pa, – dëgjo tani – më tha mua, e shikon këtë asfaltin këtu? Ndiq asfaltin dhe në Korçë do përfundosh. Ne ishim në fillim të Tiranës. Janë disa momente që janë shumë funny, shumë origjinale, shumë autentike. Gjëra që nuk i përjetojmë në një qytet si NY. Njerëzit janë shumë “guarded” (të kujdesshëm) tërë kohën e kohës. Kurse këtu, ta themi, ashtu siç është. Flasin për shumë gjëra. Kemi një shoqëri shumë të madhe. Kryesisht shoqërinë e Rumanisë. U rritëm bashkë.

Mira Kazhani: Si jetojnë ata? Janë të kënaqur?

Linda Treska: Jetojnë mirë. Po si gjithmonë njeriu kërkon për më mirë. Edhe ata që janë mirë, gjithmonë kanë atë idenë: Po sikur të vijmë në Amerikë? Po sikur të vijmë aty?

Mira Kazhani: Çfarë iu thua kur të thonë ‘Po sikur të vijmë në Amerikë?’

Linda Treska: Amerika është shumë e vështirë.

Mira Kazhani: Për çfarë i paralajmëron më së shumti?

Linda Treska: I paralajmëroj për faktin që… tha them?

Mira Kazhani: Po, po.

Linda Treska: Duhet të kesh b*thë për Amerikën.

Kur mendon faktin që këtu pi 4-5 kafe në ditë, është diçka që aty nuk e mendon. Aty merr një kafe në mëngjes dhe je duke vrapuar të kapësh trenin, të shkosh në punë. Gjatë orarit të punës nuk merr pushim dreke. Dhe zakonisht do ikësh nga puna në orën 8-9, ose kur punoja unë në koorporatë, 80-90 orë në javë, po. Pa ndalim. Tani, nëse je person që e do këtë ritëm jete, Amerika është për ty. Nëqoftëse je mësuar me një jetë pak më të qetë, më lento-lento, duhet të mendohesh disa herë.

Mira Kazhani: Fëmijët flasin shqip?

Linda Treska: Fluent. Po.

Mira Kazhani: Mendon ndonjëherë në një kohë të tretë, në një kapitull tjetër të jetës të vish, të rehatohesh në Shqipëri?

Linda Treska: Të jetoj nuk e di. Nuk e di. Sepse kam qëndruar për periudha të gjata në Shqipëri, 3-mujorëshe dhe vjen një pikë që “I need to get out”. Është ajo ndjenja që duhet të shkoj mbrapsht në NY, sepse aty është vendi im. Aty ndihem, siç e thashë më përpara, shtëpia ime. Kurse këtu prapë, ka shumë gjëra që… koncepte jetese… mentaliteti. Unë jam larguar shumë e vogël dhe nuk përpuqen.

Mira Kazhani: Kemi nevojë për histori frymëzuese dhe histori njerëzish që janë bërë nga puna e tyre.

Linda Treska: Shumë faleminderit! E vlerësoj shumë!

Mira Kazhani: Faleminderit Linda dhe të uroj suksese!

Linda Treska: Faleminderit!

Mira Kazhani: Takohemi në New York!

Linda Treska: Po, të pres!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *