Elton Kodra, rrëfimi i një trajneri dhe mësuesi të edukimit fizik që do t`ju fusë në mendime për sportin dhe fëmijët

Nga Mira Kazhani/ Kjo është një intervistë jo s`i të bëhen fëmijët e suksesshëm, as më të mirët e shkollës, klasës, apo lagjes. Nuk është një intervistë për të gjetur formula bukurie që sot po i bombardojnë njerëzit, fëmijë e të rritur. Kjo është një intervistë për shëndetin, për fëmijët që qeshin, që zbulojnë karakterin dhe sesi ta zhvillojnë atë. Kjo është një intervistë për fëmijët me faqe të kuqe që s`po i shohim më!

Ndiq intervistën e plotë me Elton Kodrën, mësues edukimi fizik dhe trajner.

Intervista me Elton Kodrën e transkriptuar:

Mira Kazhani: Sot do të flas për sportin dhe fëmijët. E di që të rriturit i dinë të gjitha, kështu që ndoshta është më mirë të flasim për ta, për të vegjlit. Në internet di gjithashtu se mund të gjesh gjithçka. Disa informacione ndodh që vlejnë në Google, por interneti nuk është as doktor, as instruktor. I tillë, shumë i mirë, profesionist është Elton Kodra, të cilit i besoj dhe e çmoj shumë.

Toni faleminderit për këtë bisedë!

Elton Kodra: Faleminderit ty për ftesën, është kënaqësi!

Mira Kazhani: Mendon që për sportin i dinë të gjitha?

Elton Kodra: Ti e nise me ‘të rriturit i dinë të gjitha’, fëmijët jo, por në fakt unë mendoj që për sportin është më shumë e kundërta. Fëmijët mendoj që dinë më shumë sesa të rriturit.

Mira Kazhani: E kisha fjalën që të rriturit sot sillen sikur i dinë të gjitha, sepse i besojnë shumë internetit. Për këtë arsye ata ndikojnë shumë edhe tek fëmijët. Sigurisht, me këtë qëllim doja edhe të bisedonim. Kur është mirë që një fëmijë të futet në sport, të fillojë të ketë aktivitet fizik?

Elton Kodra: Nuk ka një moshë të caktuar. Fëmijët duhet të jetë aktivë. Sot ka programe që sa lindin bebet, ka qoftë tek pjesa e ujit, me notin, qoftë me aktivizimin e këmbëve nga prindërit, por me ndihmën e profesionistëve se çfarë lëvizje të ekstremiteteve duhet t`u bëjnë, këmbëve dhe krahëve, që të zhvillohet në mënyrë sa më simetrike dhe sa më harmonike trupi.

Për sa u përket sporteve harmonike, sporteve kompetitive apo sporteve të tjera që mund të bëjnë, mosha 3-4 vjeç është mosha optimale që fëmijët të fillojnë edhe të angazhohen me një lloj sporti. Përgjithësisht në këtë grupmoshë, sportet më të thjeshta për t`u praktikuar janë sportet individuale, që mund të jetë atletika, mund të jetë deri diku gjimnastika. Megjithëse hyn tek arti më shumë, baleti është shumë i mirë për pjesën e posturës, lëvizshmërisë, të artikulacioneve dhe zhvillimit simetrik të trupit. Gjithashtu janë sportet që quhen kalitëse ose që futen tek artet marciale që janë taekwondo, ose karate, janë sporte që kanë të bëjnë shumë me edukimin, qëndrimin, posturën dhe zhvillimin simetrik të fëmijës.

Mira Kazhani: Kujt i thua sporte harmonike?

Elton Kodra: Në sporte harmonike hyjnë kategori të ndryshme, që përgjithësisht përfaqësohen nga lojërat sportive të ndryshme. Nuk është basketboll, nuk është volejboll, nuk është atletikë, por është e gjitha bashkë. Pra ti fut një sërë elementësh në formën e një loje ku fëmijët bëjnë secilën nga këto lojëra në mënyrë të harmonizuar me njëra-tjetrën dhe ti nuk po bën asnjë prej këtyre sporteve, por në të njëjtën kohë po i bën të gjitha bashkë.

Mira Kazhani: Ka një interes nga prindërit për t`i përfshirë fëmijët në sporte. Është rritur ndjeshëm ndoshta vitet e fundit.

Elton Kodra: Për hir të së vërtetës ka një tendencë në rritje. Akoma jemi shumë dobët. Akoma jemi shumë poshtë me çfarë duhet të jemi dhe me çfarë problematikash sjell sot mungesa e sportit, veçanërisht tek fëmijët, por në përgjithësi në shoqërinë tonë, por ne temën e kemi për fëmijët, kështu që do përqendrohemi tek ta. Ka problematika të jashtëzakonshme me zhvillimin e tyre, me socializimin e tyre, me mirëqenien direkte të tyre, me shëndetin e tyre dhe me çdo gjë tjetër që definon cilësinë e jetës.

Mira Kazhani: Kur thua që jemi shumë poshtë edhe shumë vonë, e ke fjalën konkretisht për…?

Elton Kodra: Konkretisht për aktivitetin që fëmijët tanë kanë sot. Mund të shumëzohet me zero. Pra përveçse një grupi, një kategorie që janë të angazhuar tek pjesa privatisht e kurseve të ndryshme sportive të cilat zhvillohen, që kanë ngelur sot pjesa më e shëndetshme e sportit, të vetmet që po ofrojnë një produkt tamam-tamam të mirëfilltë për sportin, pjesa tjetër pastaj, institucionale përpos disa përpjekjeve që mund të jenë bërë, lë shumë për të dëshiruar. Kur them institucionale e them për shkollat, sepse atje fillon. Baza e sportit do fillojë tek edukimi fizik, tek mësuesi i fizkulturës, pra tek mësuesi i edukimit fizik. Do marr një shembull të thjeshtë, nëse do shkojmë në vendet perëndimore, por edhe në këto popujt ish-vëllezërit tanë, siç ka qenë Kina apo Rusia, 70 apo 80% të infrastrukturës së një institucioni arsimor përbëhet nga sporti dhe arti, pastaj janë të tjerat. Kurse këtu fatkeqësisht terrenet sportive nëpër institucionet tona arsimore mbas ‘90-ës dhe këtej, ka ndodhur një shkatërrim total i tyre.

Mira Kazhani: Nuk ka një rikthim kohët e fundit të fushave të volejbollit, të basketbollit?

Elton Kodra: Ka një tendencë në rritje, përmirësim dhe kjo vjen duke u kthyer tek pyetja pararendëse e kësaj, që ka një tendencë në rritje të interesit. Dhe kur ka një tendencë në rritje të interesit, normalisht institucionet janë të detyruara të reagojnë. Pra gjithmonë kjo pjesë është bashkëpunim. Ata që drejtojnë, me këta poshtë.

Mira Kazhani: Mungojnë vetëm terrenet sportive apo mungon mbi të gjitha qasja njerëzore, vetëdija edukative për sportin. A ka kudo mësues të mirë fizkulture dhe thjesht nuk ka shkolla që ta nxisin dhe t`i japin peshë? Janë pak të paguar? Janë pak të motivuar? Nuk e di si mund ta përmbledhim, ku qëndrojnë të gjitha problemet?

Elton Kodra: Është komplekse. E para, po filloj me terrenet. Ka një tendencë rikthimi të interesit tek sporti dhe ka një tendencë investimi në këto terrene, qoftë nëpër blloqet e banimit, në ato hapësira që mund të kenë ngelur, sepse fatkeqësisht është bërë masakër me pjesën urbane, në çdo qytet në përgjithësi, dhe qoftë me hapësirat që mund t`i kenë ngelur shkollës në vetvete. Nëse do investohet, do investohet edhe tek infrastruktura shkollore. Është bërë një hap i mirë përpara me palestrat. Një projekt shumë i mirë, po flasim konkretisht për Tiranën, Bashkia ka bërë një projekt shumë të mirë që është “Shkolla Qendër Komunitare”, ku shoqatave të ndryshme sportive që zhvillojnë aktivitetin e vetë në qytetin e Tiranës, iu ka dhënë mundësinë e shfrytëzimit të ambienteve sportive të shkollave jashtë procesit mësimor. Dhe ata ofrojnë këtë shërbim duke rritur pjesën e aktivitetit fizik të sportit. Ky është një ndikim direkt intitucional sesi mund të përmirësohet dhe si mund të rritet pjesëmarrja në sport e fëmijëve dhe angazhimi i fëmijëve në sport. Por duke qenë që këto terrene janë shumë të pakta, gjithmonë do ketë problematika me procesin e zhvillimit normal.

Për t`iu kthyer procesit normal të mësimit pastaj, se kjo është pjesa jashtë mësimit. Nuk është se mungojnë mësuesit, ka mësues. Pastaj të mirë, të këqij… Nëse do t`i vësh njerëzit në kushte pune normale, pastaj mund të bësh dhe një diferencim dhe vlerësim që Mira është shumë e mirë, Toni është shumë i keq, pastaj është konkurenca ajo që do selektojë më të mirin. Toni do dalë pa punë, Mira do vazhdojë do ecë përpara. Kjo është një çështje që e zgjidh konkurenca. Po ti duhet të kesh kushtet e punës. Pra nëse në një shkollë fillore, 9-vjeçare apo gjimnaz një mësues i edukimit fizik nuk ka një bazë materiale minimale për të zhvilluar procesin e mësimit, si mund t`i kërkosh që të zhvillojë procesin e mësimit?

Problem i madh ngelet përsëri ngarkesa e klasave. Pra në momentin që shkon 40-45 nxënës në një klasë, nëse do t`i ndash meshkuj-femra, siç i ndajnë zakonisht në shtet, që nuk bën dhe shumë sens, po kjo është çështje tjetër, i bie që një mësues të ketë 22-23 nxënës. Po gjithsesi gjithë klasa është 45 sa terrene sportive kemi? Kemi një palestër dhe janë 45 nxënës që do stërviten në një palestër. Po nëse kemi dy klasa paralele që do bëjnë mësim? Pra është shumë e vështirë, sepse vihen si në qendër të vëmendjes.

Mira Kazhani: A ka interes të prindërve? Ka një presion të prindërve nëpër shkolla?

Elton Kodra: Unë vij nga mësimdhënia. Takim me prindër, unë nuk di ndonjë prind, jam i lumtur nëse do shikoj ndonjë koment pas kësaj interviste tonën, që të më dalë një prind që ka kërkuar një takim me mësuesin e edukimit fizik. Të gjithë janë dyndur tek matematika, kimia, fizika, nuk e di, por të shkojë dhe ta pyesë mësuesin e edukimit fizik se si është fëmija im, asnjë nuk shkon ta pyesë.

Mira Kazhani: Si është ajo historia që nuk sheh më fëmijë me faqet e kuqe? Pse?

Elton Kodra: Kjo ka të bëjë me tendencën tani. Sot kemi kushte më të mira dhe fatkeqësisht kemi fëmijë më pak aktivë. Fëmijë që lodhen. Dikur nuk gjeje. Mund të gjeje fëmijë të zhubravitur në fytyrë, ngaqë vraponin gjithë kohën, flokët të parregulluar, të djersitur, vetëm se i shikoje të lumtur dhe të kuq. Sot i shikon të gjithë me faqe të verdha, sepse mungon qarkullimi i gjakut. Nëse ti nuk je aktiv, qarkullimi i gjakut është i ulët, është i pakët. Tonusi muskular është i pakët. Trupi kaq nevojë ka për qarkullim. Normalisht zemra u përshtatet ngarkesave fizike që bën çdo person. Ky qarkullim gjaku bën që të kemi sot fëmijë që gati-gati duken si anemik kur i sheh. Janë të gjithë të bardhë, ose të verdhë në fytyrë. Edhe nëse lodhen, nuk skuqen më, por zverdhen akoma më shumë. Pra është problem madhor.

Mira Kazhani: Ka një interes dhe është si trend në Shqipëri që t`i futësh fëmijët në shumë kurse. Edhe në piano, edhe në futboll, edhe në not, edhe në tenis. Nuk e di, por ka një lloj shpërqendrimi. A është gjë e mirë kjo në vetvete apo është pak e lodhshme dhe e shpërndan? Duhet orientuar? Duhet fokusuar fëmija? E shikon që ka talent në balet apo ka talent në muzikë edhe mund të bëjë vetëm një sport sa për të qenë me faqen e kuqe?

Elton Kodra: Si tendencë dhe si dëshirë është shumë e mirë, sepse minimalisht do t`i bëjë mbarë dhe do shkojnë të kërkojnë një shërbim të caktuar, nuk ka rëndësi se çfarë është art apo sport.

Mira Kazhani: Gjithmonë privatisht? Gjithmonë duke paguar?

Elton Kodra: Gjithmonë privatisht. Si në shtet që paguhen pak lekë, si në privat që paguhen shumë lekë, kërkohet pak llogari.

Mira Kazhani: Pra si aty ku paguan pak lekë, si aty ku paguan shumë lekë, ka pak kërkesë llogarie?

Elton Kodra: Aty ku po paguan në rastin e arsimit privat, po paguhen shumë lekë tek ky arsimi privat, pse nuk e pyet mësuesin, se ti po paguan shumë lekë në atë shkollë. A bëhet fizkultura? Po i them fizkulturë, por normalisht është ofendim se është edukim fizik, por ka ngel zhargon. Pra a bëhet edukim fizik? A bëhet ndonjë gjë në këtë orën e mësimit? Apo thjesht lëri të bëjnë çfarë të duan?

Mira Kazhani: A ke pasur raste gjatë punës tënde që një fëmijë me aftësi ndryshe, me probleme të autizmit apo gjithfarë, sepse sot e shohim që ka një rritje në fakt të këtyre ndryshimeve, dhe, edhe unë nga interneti, kam lexuar që sportet ndihmojnë shumë. Po cili është shpjegimi i një profesionisti, krahasuar me psikologun. A janë kokë më kokë?

Elton Kodra: Ato janë probleme specifike që kërkojnë trajtime të shumanshme, nuk kërkojnë vetëm një lloj trajtimi. Një ndër zgjidhjet më optimale për socializmin e tyre dhe për bërjen të tyre pjesë të shoqërisë është sporti. Pra nuk ka asnjë aktivitet tjetër që ata mund t`i bëjë bashkë. Unë kam pasur mundësinë t`i kem edhe në proces mësimor edhe tek ekipet e fëmijëve, kam pasur shansin, mundësinë dhe është fat faktikisht për t`u marrë me ata fëmijë, sepse ata janë fëmijë që japin shumë. Ndoshta sepse janë të trysnuar gjatë gjithë kohës dhe ata kanë dëshirë shumë të japin shumë dashuri. Nëse gjejnë një ambient që i mirëpret, që i aktivizon dhe që u jep besim në njëfarë mënyre, ata fillojnë edhe të shprehen, të dalin pak. Është si një njeri normal, se edhe ne kur jemi në një ambient të trysnuar, nuk shprehemi mirë, tërhiqemi, në varësi të tipit pastaj. Çdo njeri në një ambient tjetër, tërhiqet. Shikon terezinë e vet. Përpiqet të kuptojë njëherë ambientin, pastaj të veprojë. Kurse kur shkon në një ambient që të gjithë janë të çlirët, të gjithë qeshin dhe të gjithë të mirëpresin, ti normalisht që fillon të komunikosh më shpejt, të komunikosh më lirshëm.

Mira Kazhani: Çfarë sporti do t`u sugjeroje këtyre fëmijëve? Për shembull një fëmije që ka tipare të autizmit?

Elton Kodra: Sporte kolektive. Sepse kanë nevojë të jenë gjithë kohën me fëmijë të tjerë. I ndihmon shumë qoftë tek pjesa e të folurit, qoftë tek pjesa e sjelljes, përveç punës që ata kanë nevojë për psikologë, për logopedë, sepse siç e thashë, ata kanë nevojë për një kompleks gjërash, por sporti i çliron.

Mira Kazhani: Çfarë ndodh në tru? Endorfina çlirohet? Çfarë i bën endorfina trurit të një njeriu?

Elton Kodra: Janë disa hormone që çlirohen. Një ndër to është edhe pjesa e hormonit të kënaqësisë që quhet. Pra ti çliron vetëm pozitivitet. Negativitet i kalon, i nxjerr jashtë dhe ti je vetëm pozitiv në ato momente.

Mira Kazhani: Po heqin dorë shqiptarët që t`i bëjnë fëmijët të gjithë futbollistë?

Elton Kodra: Sporti më i ndjekur faktikisht, tani edhe botëror është futbolli, dhe tendenca është atje. Duke futur vitet e fundit edhe pjesën materiale, se është bërë çdo gjë është materie, e kanë harruar frymën fare. Harrojnë që ne po s`morëm frymë, s`ekzistojmë më. Është bërë çdo gjë materie. Është edhe sporti që ka të ardhurat më të shumta dhe të gjithë prindërit: Djali im si Ronaldo, si Messi. Se ata janë lojtarë të mirë normalisht paguhen mirë.

Mira Kazhani: Po ata janë shumë pak.

Elton Kodra: Këto janë dy qëllimet e prindërve që i nxitin fëmijët të shkojnë në sport kompetitiv, por baza ngelet sporti për të gjithë. Sporti për shëndetin. Ka shumë problematika sot me deviacionet e shtyllës kurrizore që asnjë s`i vlerëson. Ne në Shqipëri, kemi me statistika të Ministrisë së Shëndetësisë, para disa vitesh, se nuk po e mbaj mend vitin, ka qenë gati 75%. Spanja e ka pasur 3% dhe u bë mbledhje emergjente nga kryeministri me ministrat përkatës, të shëndetësisë, të sportit, të edukimit do merreshin masa, çfarë do bëjmë ne që të ulim këtë 3%.

Mira Kazhani: Unë shoh shumë adoleshentë që rrinë kështu (tregon qëndrimin), kryesisht gjithë adoleshentët janë me kurriz.

Elton Kodra: Sepse kanë filluar edhe zgjatjen.

Mira Kazhani: Po pse rrinë ashtu?

Elton Kodra: Sepse nuk bëjnë asgjë. Tërë kohën je i ulur në bankë.

Mira Kazhani: Çfarë mund të bëhet? Si mund ta rikuperojmë?

Elton Kodra: Vetëm sporti. Ushtrime të ndryshme.

Mira Kazhani: Çfarë lloj sporti rikuperon staturën dhe shtyllën kurrizore?

Elton Kodra: Ka dy tendenca.

Mira Kazhani: Basketbolli?

Elton Kodra: Basketbolli është një ndër. Po mjafton të jetë sport agonistik, sport i luajtur, jo fitnes domosdoshmërisht. Sepse kanë ndodhur dy faktorë, edhe kjo pjesa që thamë e tendencës në shtim. Vjen si efekt estetik. Njerëzit sot shikojnë, e lidhe shumë korrekt fillimin me Google, me internetin, me Instagramin, shikojmë aty qoftë VIP, qoftë trajnerë, qoftë sportistë të suksesshëm, qoftë ‘fitness model’, të gjithë këta hedhin disa postime, disa foto, disa video, hedhin edhe format e tyre trupore që mund t`i kenë shumë të mira, pavarësisht filtrave dhe ku e di se çfarë gjërash të tjera mund të kenë bërë pafund, dhe të gjithë duhet të bëhen si këta. Është pjesa e shembullit. ‘Role model’ i thonë në gjuhë moderne, unë po i qëndroj shqip. Shembulli, çfarë shembulli do të shikojmë dhe si do bëhemi ne? Edhe kjo pjesë e interesit të sportit, më shumë po vjen si efekt estetik sesa po vjen si efekt domosdoshmërie dhe shëndeti. Çfarë benefitesh sjellin ato. Estetika në sport është derivat. Nuk mundemi ne të shkojnë tani e të bazohemi tek estetika. Mund të mirëkuptohet një person që është i pjekur. Ka një status të caktuar, po baza është shëndeti në çdo rast. Sidomos tek fëmija.

Mira Kazhani: Mua më duket sikur ka një lloj ndërgjegjësimi. Fakti që prindërit tentojnë t`i organizojnë dhe t`i çojnë fëmijët dhe ndoshta një bashkim i fuqive institucionale, por dhe me shkollat dhe me edukatorët dhe me mësuesit, do vullnet dhe do dëshirë. Duhet të shkosh e ta takosh atë mësuesin e fizkulturës.

Elton Kodra: Nëse gjërat duhet të nxiten, institucionet përkatëse duhet patjetër t`i japin shtyrje, t`i japin prioritet. Nëse kjo gjë nuk bëhet prioritet, kjo gjë do ngelet gjithmonë në dëshirën. Mira e ka edukatën dhe kulturën, do ta çojë në sport. Toni është me dy të majta, nuk ka për ta çuar ndonjëherë.

Mira Kazhani: Cilat janë sportet më në trend, gaboj apo tenisi po futet fuqishëm?

Elton Kodra: Nuk është vetëm trend. Ka të bëjë edhe me mundësitë, me infrastrukturën. Për momentin, futbolli ngelet gjithmonë i pari. Edhe sepse për hir të së vërtetës, federata ka bërë punë të mirë. Është federatë e pasur, e shëndetshme dhe investon shumë te futbolli.

Mira Kazhani: Shumë mirë, bravo!

Elton Kodra: Pjesa tjetër e sportit që ngelet atraktive, është basketbolli dhe volejbolli, sepse kanë terrene të mbyllura dhe qoftë shi, qoftë nxehtë e ke mundësinë që të ushtrosh aktivitetin tënd dhe plus janë sporte shumë të mira. Por numri një si atraksion, sot për sot, dhe që është sporti kryesor është atletika, por që shumë pak kanë se ku ta ushtrojnë. Është bërë një punë shumë e mirë tek liqeni që minimalisht, tek sporti për shëndet është jashtëzakonisht mirë që të dalin njerëzit. Kanë korsinë e vet të vrapimit. Kanë korsinë e biçikletës. Të gjitha këto, edhe korsitë e biçikletave që janë bërë në kryeqytet janë shumë stimul i mirë për pjesën e jetës së shëndetshme të komunitetit. Është shumë e rëndësishme se që atje do fillojë.

Mira Kazhani: Dhe në fakt në atletikë ne kemi nxjerrë edhe talente. Është fakti që ne invenstohemi më shumë aty, apo ka një prirje të shqiptarëve, se është edhe origjinë sporti? Siç është futbolli për portugezët dhe brazilianët. Edhe për italianët, skuadrën time të preferuar.

Elton Kodra: E kemi dhe skuadrën europiane. I kemi komshinj kështu që duam, s`duam do bëjnë tifozllëk.

Mira Kazhani: Ata kemi!

Elton Kodra: Tek pjesa e atletikës, faktikisht, sportet individuale në gjithë botën, të gjitha suportohen dhe rregullohen me ligje shteti. Ka atletë që mund të kenë sponsor personal. Italia për shembull i ke përgjithësisht o Karabinieri, o Fiamme Gialle, pra pjesë të ushtrisë.

Mira Kazhani: Po ne si e kemi?

Elton Kodra: Ne për momentin nuk kemi diçka. Ne e kemi vetëfinancim çdo gjë.

Mira Kazhani: Është e vështirë, është dërrmuese për një atlet të gjejë mbështetës?

Elton Kodra: Është e vështirë. Ne kemi Luiza Gegën sot që doli e 13-ta në Tokio, pra kapi finalen e Lojërave Olimpike. Nuk e di nëse ne do ta arrijmë ndonjëherë tjetër këtë lloj rezultati. Dhe Luiza Gega vrapon ku vrapojmë ne për shëndet, aty vrapon dhe ajo për stërvitje. Kemi Izmir Smajlajn që është kampion Evrope në kërcim zgjatje dhe e bën stërvitjen në një korridor që i ka bërë fatmirësisht Bashkia tek kodrat e liqenit, që minimalisht arrin atje të bëjë kërcim zgjatje, pasi ka bërë gropën e kërcim-zgjatje atje, po vetëm kaq. Pra duhet të bëhet shumë më shumë, sepse kjo na çon tek shembulli dhe sesi do vijnë ata poshtë nesh. Pra nëse ne nuk kemi një shembull kë të ndjekim, ku do shkojmë?

Mira Kazhani: Shumë e trishtë ajo që më the, që prindërit nuk më kanë takuar asnjëherë. Kanë humbur shumë!

Elton Kodra: Ata nuk e dinë sa humbin. Në Amerikë, në Shtetet e Bashkuara, mësuesi më i kërkuar në takim me prindër ishte mësuesi i sportit, sepse sporti ka një specifikë. Sporti është e vetmja lëndë, nëse do hyjmë tek pjesa e shkollës, që krijon komunitet shkolle, jo komunitet klase. Ne kemi komunitete klase. Nëse je në matematikë apo në letërsi, je tek banka jote. Nëse ke një mësues shumë të mirë, maksimumi do të vërë në një punë në grup që do kesh pak interaktivitet. Nëse ke ndonjë që lexo-riprodho, do jesh tek banka jote, kush e riprodhon më mirë është më i miri i klasës, por kaq ke. Nuk ke shumë komunitet. Ndërkohë në sport, tek edukimi fizik ti ke komunitetin brenda klasës, por ndërkohë ti ke dhe aktivitete brenda shkollore, ke orë të lira. Luajnë klasa të ndryshme me njëra tjetrën dhe socializohen dhe ti krijon komunitet shkolle. E njëjta gjë krijon komunitet lagje. Thonë sot nuk dimë kë kemi në lagje. Po s`luan më njëri në lagje. Ne njiheshim se luanim në lagje. Krijonim shoqërinë tonë tek lagja. Mblidheshim të gjithë aty tek sheshi dhe luanim të gjithë bashkë.

Mira Kazhani: Kjo duket si kohë e ikur fatkeqësisht!

Elton Kodra: Sporti ka disa qendra. Po bëjnë disa komplekse që po ndërtohen tani, po e bëjnë pjesën e brendshme të tyre që i ngjason po themi ‘mëhallava’ tona të vjetra që është ai sheshi i pallatit ku të gjithë mblidhen bashkë dhe argëtohen. Edhe në ato mund të bëhet më mirë, por minimalisht kanë hapësirën dhe fëmijët mund të rrinë aty të luajnë të shkujdesur me njëri-tjetrin dhe shumë mirë.

Pra sporti krijon këtë që nuk e krijon asgjë tjetër, e para. E dyta, sporti tek fëmijët zhvillon personalitetin, por edhe tregon personalitetin. Pra ti në sport, si në asnjë vend tjetër, nuk e kupton një fëmijë që ka probleme apo një fëmijë që është mirë, sepse në sport, do s`do do shprehet ai fëmijë. Nëse po rri i tërhequr, nëse po rri mënjanë, diçka nuk shkon, do marrësh masa. Një mësues i mirë di si ta shtrojë. Ose flet me prindërit, me psikologun dhe çfarëdo që të ketë ai fëmijë i paraprin një problematike më të madhe që mund të ndodhë. Ka mësues sot që thonë: “Uuu si erdhi filani, nuk durohej. Sa flet ai gjatë mësimit.” Po duhet t`i gjesh mënyrën që ai të shkarkojë atë energji që ka. Ne thonë kemi pasur edukatë. Unë them kemi pasur më shumë frikë se edukatë. Pra një fëmijë çapkën, nuk është domosdoshmërisht i keq apo problem. Ose një fëmijë që nuk është i shkëlqyer në mësime ta paragjykosh sepse nëse vijmë me termat sot, po e bullizojmë. Pse po e bullizojmë ne këtë fëmijë? Ai aq mëson. A ke mundësi ta bësh pak më mirë? Po bëje pjesë të grupit minimalisht, mos e lër mënjanë se gjithmonë do kesh probleme pastaj me atë nxënës. Ai gjithmonë do jetë konfliktual se ai është në luftë me veten. Pak është në siklet që nuk mëson sa duhet ndoshta me klasën, pak e vë edhe ti në trysni. Kurse në sport gjithë këto gjëra i sheshon. Në sport edhe një fëmijë që mund të duket ‘çun mami’ apo ato që i quajmë ne ‘gocë llasticë’ në sport do krijojnë respekt për veten. Nëse ato dinë të luajnë mirë basketboll, ose bëjnë një element të mirë gjimnastikor fiton respektin e gjithë klasës. Se thonë, dale se nuk qenka kështu siç duket.

Mira Kazhani: Ndihmon edhe në vetëvlerësim.

Elton Kodra: Se ka njerëz që në tavolinë nuk shprehen, por shprehen atje ku duhet. Këta fëmijë shkrihen me të tjerët dhe i afrojnë, nuk i largojnë më. Pra krijon një frymë tjetër që nuk e krijon dot askund tjetër. Vetëm në sport mund të ndodhë.

Mira Kazhani: Shumë faleminderit Toni! Unë mendoj që ishin informacione shumë të vyera për të rriturit, sepse ne folëm për fëmijët që të dëgjojnë të rriturit. Bjeri pragut të dëgjojë dera. Shpresoj që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe prindërit të takojnë mësuesit e edukimit fizik. Se ndoshta do t`i njohin më kollaj dhe më shpejt fëmijët e tyre. Faleminderit!

Elton Kodra: Faleminderit ty!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *