Isha në prehrin e nënës kur më buzëqeshi fati!

Nga Mira Kazhani/ E them pa doreza, se intervistë më të rrjedhshme kur përgjigjet dhe tregimet ishin perfekte në kohë dhe cilësi, nuk kam bërë. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm, të fuqishëm në mendim, spontanitet, sukses dhe histori jete, por Elbenita Kajtazi, ndoshta se më zuri gafil, ishte “one of a kind”, e rrallë.

Podcasti që do ndiqni këtë javë është historia e një 31-vjeçareje nga Mitrovica, Elbenita Kajtazi, që aktualisht është soprano në Teatrin e Operas së Hamburgut, ndërkaq e presin interpretime në skenat më prestigjioze. Ajo i ka të mbyllura datat e koncerteve për dy vitet e ardhshme, poor, poor ka gjithnjë një pikë zero në jetën e një njeriu që ia del të përmbushë aspiratën e tij.

Nga ditëlindja, kuptohet që ka qenë një vogëlushe gjatë kohës së luftës në Kosovë, dhe një tregim i Elbenitës për atë kohë, më erdh si një nga më të vërtetët. Ajo solli dhimbjen, dramën, tytën e automatikut të ushtarit serb dhe paratë nëpër trup të babait e gjithë familjes që ua jepnin gjatë atij udhëtimi biblik, ushtarëve serbë deri kur kaloi vijën e kuqe që ndante Kukësin me Prizrenin, dhe aty e mori në krahë ushtari që i foli shqip. Pas disa ditësh, vogëlushja Elbenita pa detin për herë të parë dhe iu këndonte të strehuarve në kampin belg në Durrës, nga skena e jetës. Tani këndon në skenë tjetër dhe fëmijëria e pajetuar e ka bërë më të fortë, çuditërisht me një shpirt të ndezur për jetën e mirë. Ajo qesh shpesh ndërsa flet. Nuk ka frikë nga asgjë, dhe të kujton njëmend shprehjen: Jeta është luftë. Elbenita Kajtazi i ka provuar të dyja kuptimet. Luftën në kuptimin e parë të saj dhe atë tjetrën kur askush nuk të përgjigjet dhe nuk ta hap derën, derisa një ditë në prehrin e nënës, dëgjoi një grua në televizor, të cilës i dërgoi një mesazh dhe e la telefonin mbi piano. Aty nisi një histori e re dhe siç thotë ajo: Qielli m’u hap!

Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: Në episodin e këtij podcasti kam një soprano nga Kosova, e cila po këndon në operat më me emër në Europë. Aktualisht ajo jeton në Hamburg të Gjermanisë, por është e lindur dhe e rritur në Mitrovicë në një familje me shumë fëmijë. Është 31 vjeç, por e ka jetuar edhe pse fëmijë luftën, dhe aty mësoi të mos trembet nga asgjë. Sa shumë gjëra për të folur me ty Elbenita Kajtazi.

Elbenita Kajtazi: Kur do fillojmë?!

Mira Kazhani: Zëra si ty, me historinë tënde, më ngjajnë shumë me atë që unë kërkoj. Është si të thuash, podcasti që dua.

Elbenita Kajtazi: Faleminderit shumë për ftesën! Mua më vjen mirë që e bën këtë podcast dhe fton mysafirë jashtëzakonisht të veçantë, sepse ju përcjell me kënaqësi.

Mira Kazhani: Vërtet? Nga Hamburg-u?

Elbenita Kajtazi: Po. Nga Hamburgu ju përcjell dhe kam filluar me Olta Dakun kur e ke pasur të ftuar. Jam adhuruese e flaktë e Oltës. Pastaj kam vazhduar dhe i kam parë të gjithë me radhë.

Mira Kazhani: Olta ka shkuar tek të gjithë. Është bërë virale dhe është bërë fenomen në TikTok kohët e fundit. E kam vënë re. Më vjen mirë.

Elbenita Kajtazi: S`i dihet!

Mira Kazhani: Mund të të ndodhë edhe ty. Kujdes! Kujdes nga përgjigjet që do japësh.

Elbenita Kajtazi: Po. Se mund të ndodhë ndonjë shpërthim.

Mira Kazhani: Pse jo?! Si e zbulove që kishe talent? Nuk e di, mund ta kem ndoshta jo shumë empirike, por e kam të dëgjuar që ju të Mitrovicës, keni shumë talent në muzikë. Ka ndonjë arsye?

Elbenita Kajtazi: Mitrovica gjithmonë ka qenë djep i talenteve të muzikës sidomos. Ne themi që Ibri na jep mirësi edhe talent.

Mira Kazhani: Aaa është për shkak të lumit Ibër.

Elbenita Kajtazi: Kështu që besoj që nga uji e marrim talentin, sepse në fëmijëri ne notojmë në Ibër gjithë kohës.

Mira Kazhani: Si ne fëmijët e periudhës ende socialiste shkonim në det, por shkonim dhe në lum. Ishim të bekuar të shkonim dhe në lum. Nuk ka qenë pak.

Elbenita, është bukur të takosh njerëz të suksesshëm edhe të flasësh për historitë e tyre, sepse frymëzojnë edhe njerëzit që i shikojnë përtej. Madje edhe ata që janë vetë të suksesshëm, nga historia e një suksesi tjetër, gjejnë diçka të re gjithmonë. Po ka gjithmonë një pikë zero. Një pikë zero tek e cila mua më pëlqen të startoj, të nis bisedën. Mbarove universitetin në Prishtinë dhe ishe… ku ishe? Në pritje?

Elbenita Kajtazi: Kur mbarova shkollën e mesme unë u pranova në fakultet në Prishtinë. Pastaj mbarova studimet në Prishtinë, po isha në një pikë ku mendova ta lë muzikën, sepse nuk shihja të ardhme në muzikën klasike, operistike në Kosovë. Nuk harroj kurrë një ditë. U ktheva prej Prishtinës dhe isha e dërrmuar, e demoralizuar. Rashë në një lloj depresioni të lehtë, që kisha frikë se mos po thellohej më rëndë. U ktheva në Mitrovicë. Aty ku jam rritur. Nëna ishte në dhomën e ndenjes dhe iu afrova dhe u shtriva në prehërin e saj: “Nënë” – i thashë- “kam vendosur ta lë”. Ajo tha: “Çfarë je duke folur”. “Nuk po shoh të ardhme. Sa jam e re po marr një drejtim tjetër. Po e shoh që Kosova është e izoluar në mundësi. Të largohem s`kam… Po marr një drejtim tjetër ku mund të jem e suksesshme, se kjo nuk do të më sjellë asgjë.” Në atë moment del një person i mrekullueshëm në televizion, Ermonela Jaho, të cilën nuk e kisha njohur më herët. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Ishte duke dhënë intervistë, për një gazetar, më duket Bledi e ka emrin. Është pak pa flokë (qesh).

Mira Kazhani: Po. E kuptoj ku e ke parë. Është Blendi.

Elbenita Kajtazi: Ka qenë intervista në Londër kur kishte kënduar Ermonela “Traviatën” më duket. Nëna më tha: “Pse nuk po i shkruan kësaj gocës. Shih sa e mirë, sa e çiltër, sa zemër të madhe po duket që ka.” Ermonela si gjithmonë që rrezaton shumë pozitivitet. Thashë: “Po, jo. Edhe kjo si gjithë të tjerët.” Se i kisha shkruar disave më herët dhe s`më ishin përgjigjur. Isha pak e zhgënjyer. “Të lutem shkruaj. Nëse më do vetëm pak si nënë që më ke, shkruaja një mesazh dhe nëse kjo të thotë që nuk mundesh t`ia dalësh, atëherë edhe unë do të përkrah ta ndërrosh drejtimin”.

Mira Kazhani: Instinkti i nënës.

Elbenita Kajtazi: Instinkti i nënës. Unë thashë, “po mirë se po ia shkruaj një mesazh”. E shkruajta mesazhin dhe e lashë telefonin mbi piano, në katin e dytë të shtëpisë. Ia dërgova Ermonelës: Të lutem, me gjithë respektin që kam. A mundesh vetëm të më thuash, a do ia dal? A kam potencial apo nuk kam?

Derisa shkova poshtë të merrja një çaj dhe u ktheva lart, Ermonela më ka kthyer përgjigje dhe ma ka ndryshuar jetën. Përnjëherë më ka kthyer shpresën që me të vërtetë mundem t`ia dal, me të vërtetë kam potencial, edhe talentet mund të vijnë nga kudo. Nuk është me rëndësi nëse merret familja jote me muzikë. Nuk je mirë financiarisht apo sido që të jetë, kur ke dëshirën e madhe t`ia dalësh, ia del.

Mira Kazhani: Ooo çfarë Ermonele!

Elbenita Kajtazi: Çfarë Ermonele!

Mira Kazhani: E kisha dëgjuar dhe e di mirë këtë që Ermonela Jaho ka ndihmuar çdo shqiptar që ka pasur këtë talent dhe ka pasur mundësinë.

Elbenita Kajtazi: E vërtetë!

Mira Kazhani: Më vjen mirë që ta ka dhënë dorën dhe e dëshmon. E ke parë podcastin edhe të Ermonelës?

Elbenita Kajtazi: Po patjetër.

Mira Kazhani: Ermonela krijoi vërtet rrymë dhe vibe. (qesh)

Elbenita Kajtazi: Unë kam një lidhje të pashpjegueshme me Ermonelën. Përveçse e kam si shembull të suksesit të papërshkrueshëm, e kam edhe si motër. Ermonelën e kam afër vetes në çdo hap të jetës.

Mira Kazhani: Ok, shumë mirë! Ermonela është treguar shumë e mirë të ka dhënë dorën, të ka dhënë kurajë dhe ndoshta të ka orientuar ku të shkosh të japësh një konkurs apo të ka treguar një derë. Po pastaj suksesi bëhet vetë. Nuk të mban dot askush.

Elbenita Kajtazi: Puna. Puna e madhe!

Mira Kazhani: Se ne e kemi zakon të themi: “Kush të ndihmoi? Po sa fat pate. Po si ia dole?” Po pastaj ti u fute. Ia dole. I fitove ato konkurse.

Elbenita Kajtazi: Mund të ndodhë që dora të zgjatet, po mund të ndodhë që nuk je punëtor mjaftueshëm ta mbash atë sukses, edhe ta zhvillosh punën tënde. Unë kam pasur nevojë vetëm për një zgjatje dore. Atë e mora nga Ermonela, e mora nga Vera Calabria, e cila m`i organizoi audicionet. E mora nga profesoresha ime Caroline Merz. Mblodha gjërat e mira dhe pastaj ngadalë u zhvillova në drejtimin që zgjodha, për një karrierë në Europë ose në botë.

Mira Kazhani: Për çfarë shquhesh ti në karakter, në punë? Çfarë të veçon ty nga artistët e tjerë të llojit tënd?

Elbenita Kajtazi: E them pa modesti që jam qen i punës (qesh). Nëse provat fillojnë në orën 10:00, unë jam në 8 e gjysmë në teatër. Gjithmonë kam kërkesa të shumta. E gjykoj veten shumë.

Mira Kazhani: Ta ka mësuar Gjermania këtë? Fakti që je në Hamburg?

Elbenita Kajtazi: Ma ka mësuar Gjermania në mënyrën më ekstreme të mundshme. Kur u pranova në programin e artistëve të rinj në Deutsche Oper Berlin, shkova në provën e parë unë si zonjë nga Kosova, si zonjushë e re, 15 minuta me vonesë.

Mira Kazhani: Çfarë thua?!

Elbenita Kajtazi: Shok për gjermanët. Një shok i vërtetë! (qesh) Ka qenë një asistente regjisore Gerlinde Perkowski, edhe më tha: Ulu këtu. Nuk je këtu në Kosovë. Ti duhet të jesh 15 minuta më herët. Nga ai moment, unë e kam regjistruar shumë mirë në trurin tim që nuk ka humor këtu. Nuk është çështje humori. I jam përkushtuar shumë punës dhe gjithmonë jam më herët. Gjithmonë jam e përgatitur. Edhe në mes të provave kur kam pushim, shkoj në palestër. Jam e përkushtuar. Jam vërtet e futur në atë botë komplet.

Mira Kazhani: Vërtet? Bën palestër? Është rregull për të gjithë ju që këndoni, të bëni palestër? Ju ndihmon për diafragmën?

Elbenita Kajtazi: Po, po, patjetër. Unë zakonisht jam shumë aktive. Ka ndodhur që gjatë një jave kam pasur 4 shfaqje. Duhet ta mbash energjinë e trupit. Duhet të jesh shumë aktive. Muskujt duhet të jenë shumë të përgatitur për të gjitha frymëmarrjet. Duhet të jesh shumë i përgatitur për t`i mbijetuar një shfaqjeje me pesë akte. Dhe prandaj është e domosdoshme. Sporti është i domosdoshëm.

Mira Kazhani: Bën çdo ditë?

Elbenita Kajtazi: Një ditë po, një ditë jo.

Mira Kazhani: Ku përqendrohesh, çfarë ushtrimesh?

Elbenita Kajtazi: Përqendrohem shumë tek ushtrimet e barkut, tek ushtrimet e këmbëve. Tek duart jam pak më e dobët, sepse kam pasur edhe një intervenim të vogël në dorë dhe s`mund të mbaj pesha të rënda.

Mira Kazhani: Po s`ka gjë. Ruaji duart! Për atë që duhen e bën. Ja të shoh që i lëviz shumë bukur.

Elbenita Kajtazi: Pianos mundem t`i bie.

Mira Kazhani: Ndërhyrja diçka serioze?

Elbenita Kajtazi: Fatmirësisht nuk ishte serioze, por u mendua në fillim se ishte serioze. Kam pasur nja dy javë pak një dyshim, po fatmirësisht nuk doli ashtu. Në Gjermani doktorët janë të jashtëzakonshëm. E kapën në kohë dhe përfundoi me sukses.

Mira Kazhani: Je natyrë që trembesh me sëmundjet?

Elbenita Kajtazi: Unë nuk i trembem vdekjes, as sëmundjes. Gjithmonë them që çfarëdo që vjen prej Zotit mirësevjen. Duhet t`i pranojmë gjërat ashtu si vijnë. Besoj që kjo është rrjedhë e fëmijërisë që kam pasur. Vdekjen me sy e kam parë që 8 vjeçe, kur serbët më kanë vënë automatikun në fyt. Ose kur kanë kërcënuar gjithë familjen për t`i vrarë, me bomba, me mina nëpër duar. Në atë kohë e kam kuptuar që janë gjëra që nuk i kam në dorë unë.

Mira Kazhani: Më fal, nuk ishte metaforë ajo që the për tytën në fyt?

Elbenita Kajtazi: Jo. Nuk është metaforë.

Mira Kazhani: Ka ndodhur realisht.

Elbenita Kajtazi: Po ka ndodhur. Gjatë rrugës si refugjatë që kemi ardhur në Shqipëri, kanë qenë dy kolona shumë të gjata. Ka qenë një tmerr i vërtetë. Në atë kohë nuk ka qenë luftë e pastër. Nuk ka qenë luftë vetëm me UÇK-në. Po ka qenë luftë… krime njerëzore janë bërë me popullin e Kosovës. Gjatë rrugës ka pasur momente kur serbët e kërcënuan babin, kanë vënë automatikun tek unë, tek gjyshja, të axha, tek mami, duke e kërcënuar për të dhënë lekë. Ato gjëra unë i mbaj mend. Nga ai moment nuk kam frikë nga asgjë. As frikë nga korona nuk kam pas hiç. (qesh)

Mira Kazhani: Fakti që nuk u shkrep ishte se u tregua tolerant serbi apo se babi kishte para?

Elbenita Kajtazi: Jo. Babi kishte para. Kishte para fatmirësisht, se përndryshe…

Mira Kazhani: Gjatë gjithë rrugës jepte para?

Elbenita Kajtazi: Po gjatë gjithë rrugës.

Mira Kazhani: E ke idenë e shumës?

Elbenita Kajtazi: Ka qenë natë. Edhe në njëfarë mënyre serbët kanë qenë edhe të dehur dhe nuk e kanë parë se çfarë po marrin. Babi më tregon që njëherë në një rast, ka dhënë edhe numër telefoni. Ka pasur një letër, numra telefoni dhe veç ia ka lëshuar në grusht. Se kanë qenë edhe të dehur, të droguar. Kanë qenë kriminelë të vërtetë. Kemi pas xhaxhallarët në Gjermani dhe kemi pasur rezerva. E kishim ditur që ajo ditë do të vijë. Në atë mënyrë kemi shpëtuar derisa kemi ardhur si emigrantë në Shqipëri.

Mira Kazhani: Babi i kishte marrë paratë me vete dhe se do t`i duheshin për jetën në Shqipëri për disa kohë, apo e dinte që gjatë atij rrugëtimi duhet t`i blinte në njëfarë forme ushtarët serbë.

Elbenita Kajtazi: E kemi ditur që do të jetë ashtu. Se ne luftën e kishim përjetuar prej një viti në Kosovë. E dinim që do të ishte në këtë mënyrë agresive. Babi e kishte kuptuar që me para mund t`i blije. Që mos të të vrisnin, mos të të masakronin, mos të të bënin gjëra të tmerrshme, edhe prandaj babi dhe gjyshja i kanë kursyer gjithë ato para, i kanë marrë nga xhaxhallarët dhe i kanë fshehur. Të gjithë kemi pasur para të fshehura nëpër trup. Në atë mënyrë kemi shpëtuar.

Mira Kazhani: Ku shkuat?

Elbenita Kajtazi: Në fillim kemi ardhur në Kukës. Jemi ndalur në kampin e parë që ishte ndërtuar në Kukës.

Mira Kazhani: Kishte një ndjesi kur hytë në Kukës që e kujton? Sa vjeç ishe në atë kohë?

Elbenita Kajtazi: Unë e kujtoj. Kam qenë 8 vjeç e gjysmë. Ka qenë një vijë e kuqe që ndante dy shtetet, Shqipërinë dhe Kosovën. Kurrë s`e harroj që kur kemi kaluar vijën e kuqe, kanë ardhur ushtarë të Shqipërisë edhe më kanë kapur mua për qafe. Kam menduar që janë serbë, edhe kam bërtit aq shumë. Se kam menduar që më morën. Po kur filloi të më fliste shqip tek veshi “Jo me xhaxhin, jo me xhaxhin”, e kuptova që po me fliste shqip edhe u qetësova. Ai ka qenë një moment për mua që… E kam ktheyr edhe njëherë kokën, si fëmijë e kam perceptuar që e lashë vendin që u rrita. A do të kthehem më? 8 vjeçe të kesh këto pyetje është me të vërtetë… Nuk je fëmijë më. Po kur e dëgjova policin duke folur shqip, thashë po mirë dhe këta shqiptarë qenkan. Se më përpara s`kemi qenë në Shqipëri asnjëherë. Ajo ka qenë hera e parë.

Mira Kazhani: Ku qëndruat në Shqipëri në atë kohë?

Elbenita Kajtazi: Pak kohë kemi qëndruar në Kukës. Pastaj kemi qëndruar me një familje nga Kosova që kanë jetuar në Fushë Krujë, tek xhaxhi Taf dhe xhaxhi Ilir. I përshëndes! Kemi qëndruar aty disa ditë. Pastaj kemi përfunduar në Durrës tek kampi i belgëve, tek kampi i refugjatëve belgë. Për herë të parë aty kam shkuar në det. Për herë të parë jam larë në det. Për herë të parë kam parë detin me sy. Ka qenë një emocion i papërshkrueshëm. Aty kam filluar të këndoja.

Mira Kazhani: Epo nuk është vetëm lumi Ibër. Është edhe deti Adriatik.

Elbenita Kajtazi: Është edhe deti Adriatik.

Mira Kazhani: E bukur shumë! Sa e dhimbshme, tragjike, aq edhe sfiduese, heroike dhe shumë e bukur si histori. Të rrisin disa drama. Të bëjnë më të fortë. Ne themi atë shprehjen klishe: Ç`nuk të vret, të bën më të fortë. Po duket kaq e vërtetë tek historia jote.

Kthehemi në Hamburg. Kthehemi tek skena dhe tek suksesi yt. Atje jeton vetëm apo ke dikë?

Elbenita Kajtazi: Për momentin jetoj me bashkëshortin, me Ardianin dhe më ka ardhur dhe motra e cila po studion në Hamburg. Jemi bërë një familje. Kemi filluar të bëhemi një familje e madhe. Po zgjerohemi. Kam edhe shoqëri të mrekullueshme, të cilët janë shqiptarë shumë të suksesshëm në Gjermani. Jam e rrethuar me të vërtetë me shumë dashuri prej tyre. E ndjej veten shumë mirë. Përveç motit, i cili më pengon. Bie shi shumë… Po mendoj pak të tërhiqem. Ndoshta ndryshoj vend, sepse edhe kontratën në Hamburg e kam të ndryshuar tani.

Mira Kazhani: Ku do të të pëlqente?

Elbenita Kajtazi: Do jetoja me shumë kënaqësi në Vjenë.

Mira Kazhani: Çfarë ka Vjena që të bën përshtypje, që të tërheq?

Elbenita Kajtazi: Vjena e ka çdo hap, kulturë. Çdo hap është kulturë. Unë jam adhuruese e flaktë e Mozartit dhe çdo rrugë e Vjenës, më duket sikur kthehem në kohën e tij. Kur shikoj pastaj ato pllakatat që thonë për shembull këtu Mozarti ka kompozuar Operën “Cosi Fan Tutte”, për mua është kënaqësi e papërshkrueshme. Kam dëshirë të gjendem në atë vend. Ose shtëpia e Korngold, kompozitorit tjetër, ose ku ka ndenjur Schubert. Vendi i kompozitorëve është Vjena. Prandaj e ndjej veten sikur përkas.

Mira Kazhani: Si piano gjigante duket Vjena. Shpresojmë të realizohet!

Elbenita Kajtazi: Uroj. Ia kam vënë pikën.

Mira Kazhani: Meqë ishe pak tek martesa, ndonjë plan për fëmijë? Do të kesh shumë fëmijë? Ke ndonjë plan të tillë? Se përgjithësisht gocat e karrierës, i merr njëçik kohë shumë karriera.

Elbenita Kajtazi: E vërtetë! Kjo është një temë shumë aktive në familjen tonë.

Mira Kazhani: Besoj dhe për mamin.

Elbenita Kajtazi: Për gjithë familjen. Po unë e ndjej veten sikur kam qenë një lloj nëne. Se unë jam më e madhja prej shtatë fëmijëve. Kam pesë motra edhe një vëlla. Edhe nuk ndihem e gatshme. Besoj që për të qenë nënë duhet të jesh në çdo aspekt e gatshme, sepse ke përgjegjësi një jetë. Do të sjellësh një jetë, e cila nuk të ka pyetur, a do më sjellësh në jetë. Ke vendosur ti vetë. Jam pak skeptike në këtë aspekt dhe jam shumë ithtare që gruaja duhet të zhvillohet, të emancipohet, të arrijë diçka në jetë përpara se të bëhet nënë, sepse pastaj je një shembull i mrekullueshëm për atë fëmijë që ke lind. Nëse je një grua e zonja, nëse ke arritur shumë në jetë. Po nuk jam kundër të gjitha atyre që zgjedhin të bëhen nëna. Gjithkush bën zgjedhjen e vet. Po unë kam një mendim tjetër në atë aspekt. Edhe jam ende në një rrugëtim që dua ta mbaj në karrierë edhe po pres. Kam kohë. Jam e re.

Mira Kazhani: Je shumë e re. Ke gjithë jetën përpara, ke kohë të presësh dhe mbi të gjitha unë i pëlqej shumë gocat dhe gratë që e kanë shqetësim përmbushjen e jetës së tyre dhe nuk kanë pse të ndjekin se s’bën klishetë, secili e di vetë.

Elbenita Kajtazi: Po. Pse duhet të jetohet jeta në bazë të mendimeve të të tjerëve. Unë nuk pajtohem asnjëherë.

Mira Kazhani: Çfarë çiltërsie të patendosur që ke. E ke shumë të qetë dhe përgjithësisht njerëzit edhe kur janë shumë lart unë kam vënë re edhe pasi i realizojnë të gjitha, janë pak populistë. Thonë gjëra që njerëzit mendojnë se publiku i pëlqen, ose u flasin njerëzve të tyre, vendit të tyre gjuhën që ata duan, domethënë është tek shumë, shumë personazhe, një gjë që nuk e mbështes dhe shpresoj mos të jetë pjesë e rrëfimeve të këtyre zërave që unë gjej në podcast, kështu që ruaje këtë se është shumë e rëndësishme, e paske shumë të mirë.

Elbenita Kajtazi: Nuk është e lehtë ta ruaj…

Mira kazhani: Jo

Elbenita Kajtazi: Nuk është aspak e lehtë sepse jam e sigurt që gjykohem, jam e sigurt që komentohem, por unë jam kjo dhe kjo do të mbetem gjithmonë. Kam qënë që fëmijë gjithmonë shumë e sinqertë dhe kam dhënë gjithmonë mendimet e mia. Familja ime në përgjithësi është një familje që është e përbërë nga gra shumë të forta, duke nisur nga nëna ime dhe pastaj të gjitha motrat dhe cilësohemi në rrethin familjar si familja e grave të “shtira”…

Mira Kazhani: Të “vshtira”

Elbenita Kajtazi: Të vshtira… Në Kosovë i themi janë të “shtira” ato, por është vetëm për shkak se jemi të drejta dhe kemi qëllime të tjera në jetë. Nuk kemi qëllim të jetojmë jetën pse ai ka thënë kështu, ose pse ai ka thënë ashtu. Ne e zgjedhim drejtimin tonë dhe ashtu do të vazhdojmë gjithmonë.

Mira Kazhani: Çfarë janë prindëtit e tu?

Elbenita Kajtazi: Mami është amvise, babin mësues të gjeografisë. Janë dy prindër të mrekullueshëm që kanë dhënë shumë për ne edhe në kushte shumë të vështira ekonomike gjithmonë janë gjendur të na shkollojnë që ne të jemi gra të pavarura në jetë. Mami është një engjëll i vërtetë. Mami im ka qënë shumë strikte në çështjen e shkollimit dhe unë kur ndonjëherë kam dashur të bëj tentene (punim me grep) i ka marrë dhe i ka futur në zjarr, sepse ka qënë kundër asaj.

Mira Kazhani: Ne ju themi çentro atyre ose qëndisje

Elbenita Kajtazi: Nuk e di… Mami është vetë rrobaqepëse, por gjithmonë ka qënë ithtare e shkollimit, e librave. Ende sot lexon gjithë kohën. Ne e kemi patur babin mësues në shkollë. Unë e kam pasur kujdestar për 5 vite, kështu që kam patur një kujdes të veçantë nga të dy prindërit gjithë kohës, si unë si unë si motrat e mia.

Mira Kazhani: Motrat e tua janë të talentuara në muzikë apo kanë drejtim tjetër, kanë profesione të tjera? Më trego pak për motrat.

Elbenita Kajtazi: Të tregoj me shumë krenari, sepse jam shumë krenare. Motra e dytë Mërgimja është avokate dhe punon në New York.

Mira Kazhani: Emër tipik kosovar.

Elbenita Kajtzi: Po, Mërgime sepse në atë kohë xhaxhallarët kanë emigruar, kur ka lindur Mërgimja dhe prandaj i kanë vendosur emrin Mërgime.

Mira Kazhani: Po Pavarësia quhet dikush tek ju?

Elbenita Kajtazi: Jo, por motra e katërt quhet Fitore…

Mira Kazhani: Epo ja… (qesh)

Elbenita Kajtazi: Sepse ka lindur me 10 qershor 1999 atë ditë që Millosheviç ka nënshkruar lirimin e Kosovës, ka lindur në Durrës, në Shqipëri…durrsake. Kurse motra e tretë në radhë është Mirjeta punon si deminere. Punon me bombat dhe minat i shpërthejnë, sepse ende në Kosovë ka shumë që kanë mbetur nga lufta. Fitojra, kjo e luftës, studion dhe punon në “Staatsoper” në Hamburg, në operën ku punoj unë edhe ajo punon, menaxhon dritat e teatrit…

Mira Kazhani: Shiko, shiko…

Elbenita Kajtazi: Ka një vit që ka ardhur dhe studion për piano, kuse Razita ka përfunduar për infermieri dhe Laura po studion për infermieri dhe princi i shtëpisë Bardhi, vëllai, është në shkollën e mesme dhe po mendon të ikë në Amerikë për studime. Kjo është familja ime e çmendur (qesh)

Mira Kazhani: Duket si një serial Netflix-i (qesh)

Elbenita Kajtazi: Right? (qesh). Kur iu tregoj historinë, ka njerëz që më pyesin në Gjermani, me dirigjentë kur diskutoj ose me drejtoreshën e teatrit dhe më thonë: “Duhet të bëjmë një film se është shumë interesant gjithë ky rrugëtim”. Unë u them që ka shumë raste të tilla në Kosovë.

Mira Kazhani: Kanë ardhur të gjithë në Hamburg?

Elbenita Kajtazi: Jo. Laura, Bardhi dhe prindërit ende nuk kanë ardhur. Motrat e tjera kanë qënë të gjitha.

Mira Kazhani: Unë gjithmonë harroj, por është problem shumë ajo viza dhe ne nuk e kemi shumë të largët, ndoshta për këtë arsye?

Elbenita Kajtazi: Për këtë arsye. Për të marrë një vizë duhet përkushtim, duhen shumë dokumenta me vlerë, duhet të shkoj unë në bashki të marrë një letër, është një procedurë për të cilën nuk kam pasur kohë të merrem. Tani do të vijnë, sepse do të këndoj në Mynih dhe prindërit më në fund do t`i marr të dy që të përjetojnë ata një emocion të veçantë bashkë me mua.

Mira Kazhani: Në operan e Mynih-ut çfarë pjese ke?

Elbenita Kajtazi: Do të këndoj Gretel, nga opera “Hänsel & Gretel” e kompozuar nga Humperdinck. Gretel është një rol që e admiroj, sepse mund të jem fëmijë përsëri. Kur këndoj rolin e Gretel ndihem fëmijë. Është një rol fëmije dhe atë fëmijërinë që ndoshta nuk e kam përjetuar, e përjetoj në ato dy orë që e këndoj këtë rol.

Mira Kazhani: Na e risjell pak fare?

Elbenita Kajtazi: Gretel?

Mira Kazhani: Pak fare!

Elbenita Kajtazi: (këndon një pjesë nga vepra “Hänsel & Gretel”)

Suse, liebe Suse, was raschelt im Stroh?

Die Gänse gehen barfuss und haben kein Schuh

Der Schuster hat’s Leder, kein Leisten dazu,

drum kann er den Gänslein auch machen kein’…(qesh)

Mira Kazhani: Po duket kaq fëmijënore dhe kaq e bukur! Ke mësuar gjermanisht shumë mirë.

Elbenita Kajtazi: Po, patjetër!

Mira Kazhani: E vështirë apo…? Si e mësove? Shkove në shkollë?

Elbenita Kajtazi: Besoj ne shqiptarët në përgjithësi nuk i kemi problem gjuhët e huaja, sepse besoj se gjuha shqipe është shumë e vështirë. Kam shkuar vetëm në fillim kur kam bërë Oper Studio në Berlin. Kam shkuar vetëm 6 muaj në fillim dhe kam mësuar gjërat bazë dhe pastaj automatikisht kur punon gjatë gjithë kohës me gjermanë dhe kur këndon, unë këndoj dhe repertor gjerman shumë dhe e kam mësuar.

Mira Kazhani: Përveçse është gjuha shqipe e vështirë, unë mendoj se ne shqiptarët i mësojmë gjuhët e huaja se jemi mbijetues.

Elbenita Kajtazi: Ke të drejtë!

Mira Kazhani: Nuk jemi vend i madh. Jemi vend i vogël.

Elbenita Kajtazi: Ke shumë të drejtë.

Mira Kazhani: Ok, është dhe kjo mbase.

Elbenita Kajtazi: Kur i futemi diçkaje e bëjmë!

Mira Kazhani: Gjermania është e bukur? Të pëlqen? Përtej asaj që do të shkosh të jetosh në Vjenë edhe kohës.

Elbenita Kajtazi: Unë në Gjermani e kam gjetur veten shumë. Gjermania më ka hapur dyert e suksesit, më ka hapur dyert e realizimit të ëndrrave të mia, por më duket se ka ardhur koha që të shkëputem pak…

Mira Kazhani: Çfarë nuk të pëlqen tek gjermanët për shembull? Se ne i mbivlerësojmë.

Elbenita Kajtazi: Ushqimi (qesh). Gjermanët janë goxha popull i ftohtë. Shumë e vështirë të fitosh zemrat e tyre dhe një gjë që urrej shumë është që gjithçka që thotë shteti, ligj është Zot për ta.

Mira Kazhani: Binden, janë të bindur. Përulen para fuqive.

Elbenita Kajtazi: Përulen përpara shtetit dhe këtë gjë kam filluar ta urrej gjatë kohës së koronës.

Mira Kazhani: Ne e shohim si disiplinë dhe si popull që ka zell dhe edukatë këtë. Interesant këndvështrimi yt.

Elbenita Kajtazi: Po, por ndoshta kur të vjen nga Kosova dhe Shqipërisë ndoshta të bëhet mjaft kjo. Unë jam shumë e përpiktë dhe jam për të respektuar ligjin, por gjatë koronës u panë si popull që filluan të bëhen të rrezikshëm dhe na shikonin me lupë se sa persona jemi në apartament…

Mira Kazhani: Shiko, shiko çfarë spiunësh…

Elbenita Kajtazi: Po, po dhe këto kontrolle… Nuk më ka pëlqyer kurrë të jetoj nën kontroll, e kontrolluar dhe ka filluar të më bezdisë kjo gjë, por sistemin e punës nuk do e ndërroja me asnjë sistem pune në botë se janë qen të punës (qesh) dhe janë të përpiktë dhe të përkushtuar, por kur vjen puna për një kafe, një drekë duhet të rezervosh më përpara sepse nuk mundesh spontanisht të ulesh në kafe dhe të rrish me ta.

Mira Kazhani: Epo po deshe kafe dhe drekë, eja në Shqipëri.

Elbenita Kajtazi: Po mirë, prandaj erdha (qesh)

Mira Kazhani: Çfarë mendon për Tiranën kur vjen, për ta mbyllur?

Elbenita Kajtazi: Tirana më jep kënaqësi shumë të veçantë. Më jep një lumturi të brendshme që nuk e marr shumë në vende të tjera. As në Prishtinë nuk ndihem kështu. Mitrovicën e kam në vendin e parë…

Mira Kazhani: Është zemër…

Elbenita Kajtazi: …sepse aty jam rrit dhe ajo kafja e mëngjesit tek Ibri është kënaqësia më e madhe që ndjej ndonjëherë. Po Tirana e ka një frymë interesante. Më jep jetë. Në çdo restorant që ulesh ushqimin e ke perfekt, fantazi. Kështu që edhe njerëzit më pëlqejnë, të gjithë ata që takoj dhe prandaj kam shumë kënaqësi kur vij këtu.

Mira Kazhani: Epo ngaqë nuk bindemi fare (qesh)

Elbenita Kajtazi: Ndoshta kjo gjë po më mungon, duhet të vij në një vend të tillë.

Mira Kazhani: Po të vish dhe të rrish gjatë do t`i moderosh disa nga këto deklarata, por gjithsesi bukur është. Me pushime është shumë, shumë mirë.

Elbenita Kajtazi: Po ne jemi dhe në jug të Shqipërisë çdo verë me familjen. E shijojmë jashtëzakonisht shumë. Shqipërinë ne e kemi quajtur nënë gjithmonë, kështu që ashtu e cilësojmë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *