Në jetë nuk duhet të jesh një “people pleaser”

Besa Kokëdhima, këngëtarja romantike e shumë hiteve, vjen në podcast-in e Mira Kazhanit me një rrëfim të vrullshëm, të sinqertë, për veten, jetën e re në Paris ku ka në plan të qëndrojë gjatë, familjen e saj të pushtetshme dhe si ka ndikuar tek ajo dhe dy motrat.

Dashurinë për kafshët, macet dhe nëse jeni të vëmendshëm do dyshoni se ka edhe një dashuri tjetër, por që Besa e lë të kuptohet. Ajo tani është në një fazë që e cilëson “jam e lumtur, e përmbushur”, por më herët për ZëmeMirën Podcast, ajo thotë se ka vetëm diçka që do e kishte ndryshuar tek vetja e saj më e re. S’do doja të kisha qenë aq “people pleaser” – që mendon të kënaqë të tjerët”.

Por tani nuk është më dhe mbi të gjitha është më e kënaqur vetë.

Podcast i transkriptuar

Mira Kazhani: Zëri i këtij podcast është literalisht një zë. Një zë i bukur që unë e kam dashur dhe e dua shumë. Këngët e saj kush nuk i këndon? Besa Kokëdhima!

Mirë se erdhe në podcast dhe mirë se u ktheve në skenë! Se e ke këtë natyrën atipike si artiste. Shfaqesh si meteor, largohesh, zhdukesh ca kohë, vjen prapë.

Besa Kokëdhima: Të falënderoj! Ndihem shumë mirë që kam ardhur sot. Nuk para i pëlqej shumë intervistat.

Mira Kazhani: Fare. Se kam kërkuar në Google dhe nuk gjeja asgjë për be.

Besa Kokëdhima: Po nuk para shfaqem, sepse kam dëshirë që kur shfaqem të kem çfarë të ndaj, ku ta ndaj. Të kem hapësirën e duhur për të arsyetuar veten, artin tim apo mendimet e mia të jetës. Kam ardhur para bankës së të akuzuarve (qesh)

Mira Kazhani: Jo, vetëm në këtë zërin tim nuk je ashtu. Kam pyetje për ty, po do ta nis me një kujtesë. Nuk e di nëse e mban mend. Ke qenë e vogël, 15 vjeç, kur ne jemi takuar për herë të parë. Unë isha 21 vjeçe. Gazetare shumë e re. Nuk do t`i thoja vetes gazetare.

Besa Kokëdhima: Mira, ti aq je sot! (qesh)

Mira Kazhani: 21 (qesh). Isha tek Shekulli, sa kisha nisur, prej dy muajsh. Ti kishe ardhur nga Londra dhe bëje prova në radio. Kemi bërë një bisedë bashkë dhe më ke treguar për ëndrrën tënde për t`u bërë këngëtare. Pastaj nuk të takova më, por ti këngëtare u bëre.

Besa Kokëdhima: Nuk e kujtoj ekzakt këtë episod, por më duket sikur të njoh prej gjithmonë. Nuk më çudit aspak që mund të të kem çarë kokën duke të folur për ëndrrën time që atëherë, sepse për aq kohë sa mbaj mend, kjo ëndërr më ka shoqëruar. Interpretimi i ëndrrës që dua të bëhem këngëtare në fakt në praktikë zbërthehet me muzikën që vitet e para të jetës sime që kujtoj, së paku që nga 5 vjeç, që ishte një mekanizëm sesi unë shprehja emocionet e mia, ose sesi përballoja emocionalisht gjithçka rreth meje. Kështu që në këtë sens është dhe ka qenë gjithnjë për mua përbushëse në sensin e parë të fjalës, të unit tim dhe të kontributit tim në një mënyrë, në atë që shpreh tek të tjerët, atë që ndjej vetë dhe përpiqem ta përcjell tek të tjerët.

Mira Kazhani: Sot pas një kohe relativisht të gjatë, çfarë do t`i thoje ti asaj Besës fëmijë, adoleshente, 15 vjeç?

Besa Kokëdhima: Do tregohem shumë e sinqertë në podcastin tënd. Kështu që do them edhe gjëra që ndoshta… Unë do t`i thoja, nuk na mësojmë mjaftueshëm herët që të kapitalizojmë kohën në mënyrën më të duhur të mundshme dhe për t`i qëndruar besnik vetes dhe për të mos iu akomoduar dëshirave apo skemave të të tjerëve sesi na shohin ne. Për të ndjekur realisht dhe në të gjithë shtrirjen e saj ëndrrën tënde, besimin tek vetja dhe puna. Se kryesorja është puna. Puna në të vërtetë është karburanti i gjithçkaje, por mbi të gjitha sidomos për vajzat, mendoj se në Shqipëri, në kulturën tonë në përgjithësi… Unë nuk kam vuajtur në familjen time në këtë sens. Ne kemi pasur shumë liri, por mendoj se nuk i mësojmë mjaftueshëm vajzat që të mos jenë akomoduese të dëshirave të të tjerëve, në sens personal, shoqëror, skema sociale, etj. Kështu që nëse do të kthehesha pas, do t`i thoja vetes time që “Ji më pak people pleaser”. Unë e kuptoj që është pjesë e karakterit tim dhe unë ndjej lumturi kur jap lumturi, ose kur i kënaq njerëzit, por kjo ndonjëherë vjen më shumë kosto emocionale dhe jo vetëm emocionale. Kështu që në këtë sens, do t`i thoja vetes time, mendo pakëz më pak për një mërzi momentale që mund t`u shkaktosh të tjerëve për vendimet që merr në lidhje me jetën tënde. Personi i parë për të cilin duhet të mendosh – nuk është egoiste të thuash veten tende – por në mënyrë të shëndetshme për të prioritarizuar emocionet e tua, dëshirat e tua, ëndrrat e tua dhe pa u bërë domosdoshmërisht pjesë e skemave të caktuara.

Mira Kazhani: Jemi pak viktima të rregullave që i kanë vënë të tjerët për ne, veçanërisht edhe për shkak se kemi ardhur nga diktatura. Po edhe tranzicioni ka qenë një diktaturë më vete, sepse vërtet ishim në demokraci, por një demokraci e brishtë, një shoqëri që disa koncepte i kishte për herë të parë. Një gjë që unë e vë re dhe të kuptova krejt saktë mendoj, është se ne na ka munguar kjo liria e brendshme. Se mund ta kesh për të veshur diçka apo edhe për të thënë diçka…

Besa Kokëdhima: Unë jam shumë rebele si natyrë dhe megjithatë më janë dashur shumë vite jetë që të mësoj të them Jo.

Mira Kazhani: Edhe Julia Roberts, titullin më të famshëm këtë ka pasur: “Imparare a dire No”. Ka qenë një revistë italiane.

Besa Kokëdhima: Është shumë e rëndësishme. Kjo jo për t`u interpretuar si një qasje arrogante, sepse të paktën në lidhje me personin tim unë vazhdoj të jem një person që është më emocional sesa më bën mirë, por pikërisht për të mbrojtur të brendshmen time, me një vështirësi të caktuar më është dashur të mësoj të them Jo, sepse përndryshe e ke të pamundur ta mbrosh.

Mira Kazhani: Çfarë është diçka që do i kishe thënë Jo, në ato fillimet e tua si artiste, tek të 20-tat?

Besa Kokëdhima: Si artiste…

Mira Kazhani: Edhe si vajzë

Besa Kokëdhima: Si vajzë mendoj se disa gjëra do t`i kisha bërë ndryshe. Si artiste mendoj se jam treguar rigoroze mjaftueshëm për rrethanat, ambientin e të tjera. Do kishte qenë mirë që të kisha ndjekur “gut feeling” është ajo intuita që themi ne. E ndjen përbrenda. Mendoj se mund të kisha qenë edhe më dëgjuese e intuitës time, për gjëra për të cilat jam bindur në kohë që kanë rezultuar ashtu siç i kam parandjerë.

Mira Kazhani: Tani je bërë më besnike e intuitës tënde. Je e fortë? Je natyrë intuitive?

Besa Kokëdhima: Jam goxha natyrë intuitive, megjithatë ajo që vë re unë, edhe kur analizon rastet në jetën tënde që nuk i ke besuar, ose nuk e ke dëgjuar intuitën tënde kemi atë gjënë: Po sikur të më provohet e kundërta?

Mira Kazhani: Ndonjëherë manipulojmë veten me mendimet tona. U japim një shans të dytë dhe kthehemi tek instinkti i parë.

Besa Kokëdhima: Bravo! Në fund ne kthehemi përsëri…

Mira Kazhani: Intuita thonë që është më e forta. Po mund të ketë raste që edhe me intuitë nuk bëhen të gjitha. Ndonjëherë je i detyruar…

Besa Kokëdhima: Nuk do marrësh atë që meriton në jetë, do marrësh atë që mendon se meriton. Kështu që nëse je një njeri modest, emocional ku bëj pjesë unë, jo domosdoshmërisht je aktivisht duke kërkuar atë që ti meriton, në gjithçka. Kështu që unë këtë do t`i jepja këshillë të tjerave, ngaqë jam djeg vetë (qesh).

Mira Kazhani: Nuk më dukesh që je djegur.

Besa Kokëdhima: Djegur tani. Shyqyr Zotit, jo djegur, por…

Mira Kazhani: Në atë kuptimin si e the ti, e thashë dhe unë.

Besa Kokëdhima: Sa më shpejt t`i mësosh disa gjëra, aq më mirë.

Mira Kazhani: Çfarë do të kishe dashur të kishe marrë diçka që mendon se e meriton?

Besa Kokëdhima: Kur e bën konkrete fare…

Mira Kazhani: S`gjendet përgjigjja (qesh)

Besa Kokëdhima: Jo, asgjë. Nuk them do kisha ikur nga vendi se nuk më pëlqen Shqipëria. Absolutisht, e dashuroj Shqipërinë. Thjesht në sensin e zhvillimit të karrierës ndoshta do duhej ta kisha ndjekur pak më herët.

Mira Kazhani: Meqë më dole tek Shqipëria. Ti po jeton mes Parisit dhe Tiranës. Më shumë je në Paris. Nuk po të pyes, pse po jeton në Paris. Çfarë bën atje?

Besa Kokëdhima: Unë atje bëra një shkollim jazz, muzikor dhe kjo ishte më shumë për kulturën time personale, sepse qëllimi dhe sesi rezultoi më pas, është që unë atje gjeta një menaxhim shumë të mirë. Një kompani investuese, që investoi albumin tim atje dhe është bërë gjithçka gati për një lançim në Francë të produktit tim dhe në fakt pavarësisht dëshirës së kahershme për të marrë pjesë tek festivali i fundvitit, shtysa kryesore ishte për të bërë që ky mozaiku i aksioneve, të korrelonte dhe të bashkëvepronte.

Mira Kazhani: Bashkimi bën fuqi. E kuptoj, në funksion edhe të karrierës tënde atje, të imazhit tënd, do të ishte mirë një Eurovizion. Vetëm me muzikë merresh në Paris, Besa?

Besa Kokëdhima: Po.

Mira Kazhani: Ti këndon, jeton, ia del vetë edhe financiarisht? Se po fus hundët aty ku s`duhet…

Besa Kokëdhima: Jo, aspak. Mos u shqetëso. Unë atje punoj edhe me disa live muzikore, bands, që bëjnë evente disi më selektive. E para, do ta bëja edhe sikur të mos më paguanin, sepse një nga gjërat më të mrekullueshme që unë pëlqej në muzikë, është bashkëveprimi me talente të tjerë, talente prej vërteti. Artistë prej vërteti, që të bërit muzikë me ta, të bën të ndihesh gjallë. Ti e perfeksionon artin tënd dhe vazhdimisht shkëmben energji, multikulturalizëm, art.

(Shfaqet një mace)

Besa Kokëdhima: Ka një mace… e tmerrshme Mira, mua më ndjekin kudo (qesh) Është e pabesueshme.

Mira Kazhani: Macet?

Besa Kokëdhima: Mace, qen, kafshët vdes, i dashuroj, i adhuroj. Meqë ra fjala Mira, të ma lejosh që në këtë rastësi, sigurisht gjërat edhe në Shqipëri vërej që janë duke ndryshuar, por do t`i ftoja të gjithë njerëzit të tregoheshin sa më miqësorë të munden me kafshët dhe veçanërisht kafshët endacake. Nuk e varfëron askënd një ndihmesë e vogël.

Mira Kazhani: Janë aq të mirë.
Si është dita jote në Paris? Zgjohesh në mëngjes, kur? Çfarë bën? Se ne e shohim Parisin nga Instagrami. Edhe kur e kemi vizituar e lidhim me croissant.

Besa Kokëdhima: Ajo është pak a shumë nëse je turist. Nëse s`je turist pastaj merr një trajtë pak më normale.

Mira Kazhani: Na thuaj Parisin real.

Besa Kokëdhima: Një trajtë pakëz më normale, unë një angazhim që bëj tjetër, e bëj remotely, që atje, por ndërlidhet me këtu, në lidhje me Abissnet, me marketingun e Abissnet. Në orët e para të ditës merrem me çfarë është bërë, çfarë s`është bërë, çfarë duhet përgatitur. Paketa promocionale, kjo, ajo, etj. Pastaj do duhet të dëgjohem për studio, që kemi punuar materiale të ndryshme. Kemi punuar shumë materiale dhe kemi zgjedhur shumë pak. Pastaj mund të kem prova me band-et. Në varësi të cilit band dhe të cilit event duhet bërë repertori nga fillimi. Pastaj kam pasur të ndërlidhur shkuarjen në shkollën e jazz, piano, kanto… S`jam duke bërtitur. S`më pëlqen si kumbon zëri.

Mira Kazhani: S`ka gjë, është zëri, teatri.

Besa Kokëdhima: E pëlqej shumë në fakt një gjë në Paris që kam shumë dëshirë të eci në qytet dhe kam shumë dëshirë që të vizitoj muze të ndryshme, galeri, ose thjesht të humbas.

Mira Kazhani: Ke mësuar frëngjisht?

Besa Kokëdhima: Oui.

Mira Kazhani: Mais oui.

Besa Kokëdhima: Mais bah oui. Evida mais.

Mira Kazhani: Është shumë gjuhë e bukur. Është shumë simpatike.
Albumin që po bën atje, po e bën në shqip, në anglisht apo në frëngjisht?

Besa Kokëdhima: Albumi është gjysmë në frëngjisht dhe gjysmë në anglisht. Është bërë në Los Angeles. Koncepti ka qenë që duke qenë një artiste që nuk jam franceze, ka një tentativë për integrim, me disa këngë frëngjisht, por që sjell një frymë disi më ndërkombëtare dhe në këtë sens është përpiluar.

Mira Kazhani: Çfarë mendon ti për Taylor Swift, për fenomenin e saj në Amerikë? Më ka kuriozuar shumë ajo vajzë.

Besa Kokëdhima: Mendoj se është shumë inteligjente. Është artiste shumë e mirë. Punëtore. Po mendoj se janë edhe disa karakteristika qoftë vokale të saj, qoftë pamja e saj, qoftë kultura, background…

Mira Kazhani: Vetë tekstet e saj… Ajo ka vendosur gjithë historitë e veta në tekstet e saj dhe e bëri për vete gjithë Amerikën. Adoleshentët, të rinjtë, të gjithë.

Besa Kokëdhima: Ka edhe një gjë. Kjo është e gjitha çështje marketingu. Ne dimë që ajo ka bërë historitë e veta, po ne a e dimë vërtet që kanë historitë e veta?

Mira Kazhani: Po ç`rëndësi ka. Ne i kemi tonat dhe kemi frikë t`i themi.

Besa Kokëdhima: Është e vërtetë. Po çështja është që kjo gjë po ndryshon. Brezi i ri është shumë më pak i kompleksuar për të ndarë. Rreziku i kësaj është vetëm një gjë, që mos të jetë qëllimi për të ndarë, i vetmi qëllim. Pra qëllimi në vetvete të ndajmë, prandaj po ndajmë. Të ketë substancë pse po ndajmë, çfarë po ndajmë, në ç`mënyrë. Pastaj Taylor Swift ka edhe diçka tjetër që unë mendoj se konceptualisht unë mendoj që qëndron në kulturë. Vjen nga “country music” dhe është në ADN-në e saj, “American sweetheart in a way”.

Mira Kazhani: Ikim nga Amerika.

Besa Kokëdhima: Ikim nga Amerika Mira, se na çove shumë larg tani.

Mira Kazhani: Nuk i dihet asnjëherë!

Besa Kokëdhima: I dihet, i dihet.

Mira Kazhani: Ndonjëherë njeriut i realizohen gjëra që as nuk i ka ëndërruar. Të ka ndodhur në ndonjë gjë të vogël?

Besa Kokëdhima: Ke shumë të drejtë! Më ka ndodhur. Ajo që kam vërejtur unë është që njeriut mund t`i ndodhë në tre muaj, çfarë mund të mos i ketë ndodhur në pesë vite. Ndonjëherë është një “chain reaction”, një reaksion zinxhir.

Mira Kazhani: Ndonjëherë në tre minuta, pesë minuta. Atë që bën dita, s`e bën viti.

Besa Kokëdhima: Ndonjëherë është e vështirë ta ndryshosh jetën tënde me një mendim. Apo me një: Hajt, unë tani do ndryshoj jetën time. Ky mendim është mbytës, ngaqë është kaq i madh, sa është frikësues, intimidues.

Mira Kazhani: Është ekzaltues. Se ti mendon që do ta ndryshosh dhe e qetëson veten, por të ndryshosh jetën, nuk ndodh duke medituar dhe duke qëndruar në vend. Jeta ndryshon kur t`i lodhesh për të.

Besa Kokëdhima: Unë i admiroj shumë ata blogerët që thonë: Ti ndryshon gjithçka. Mendoje që bën… Bravo u qoftë! Mua më ka ndodhur duke menduar… Patjetër mendo pozitivisht, por kryesorja është mendo jashtë kutisë, sesa mendo pozitivisht. Nuk e di nëse të mendoj pozitivisht, do mjaftojë.

Mira Kazhani: Dikush mund të thotë që Besa e ka më të lehtë ta ndryshojë jetën për shkak të familjes që i përket, të bizneseve, të mundësive, te fakti që është këngëtare, është artiste. Mund ta gjejë veten. Për dikë tjetër kjo është më e kushtëzuar. Si do t`u përgjigjeshe ti atyre që mendojnë kështu?

Besa Kokëdhima: Unë do t`i përgjegjesha që ata kanë të drejtë në një mënyrë, por mendoj se të gjithë kanë kusuret e tyre dhe zinxhirët e tyre. Nëse ato që ata përcaktojnë si penguese në jetën e tyre, mund të mos jenë në jetën time dhe në jetën time ka ca pengesa të tjera. Kështu që secili ka të vetat mbi kurriz.

Mira Kazhani: Në Paris jeton vetëm?

Besa Kokëdhima: Po.

Mira Kazhani: Si ka mundësi?

Besa Kokëdhima: Po, ka mundësi (qesh)

Mira Kazhani: Nuk është se habitem shumë. Se unë jetoj në Tiranë vetëm.

Besa Kokëdhima: Po pse po të të thonin të shkoje të jetoje në Paris? Nuk do të jetoje vetëm? Nuk do ishte okay për ty?

Mira Kazhani: Nuk e di. Si të jetë më mirë. Je vetëm në këtë periudhë të jetës? Je single? Je mirë me veten? Apo je “it`s too complicated”. Se ajo më shkrin fare.

Besa Kokëdhima: Në këtë moment të jetës time jam shumë e lumtur.

Mira Kazhani: Kjo ka rëndësi.

Besa Kokëdhima: Ndihem shumë e përmbushur emocionalisht.

Mira Kazhani: Po ta thonë sytë. Të shkëlqejnë sytë Besa. Në fillim më përmende pak familjen dhe the: Pavarësisht se unë mendoj që do doja të kisha qenë më pak “People pleaser”, njeri që u bën qejfin të tjerëve, mendon të kënaqë të tjerët më shumë sesa veten, kam pasur liri. Ti je rritur bashkë me dy motrat e tjera, në vitet ’90 dhe 2000, në një periudhë suksesi të prindërve të tu. Gazeta “Shekulli” ka qenë media më e pushtetshme në vend. Prindërit e tu ishin njerëz shumë të rëndësishëm. Ata vazhdojnë të jenë njerëz të rëndësishëm. Por po them, si është për disa vajza të vogla, të rriten nën hijen e suksesit, të rriten në një familje që gëzon pushtet, influencë? Tani që e shikon me këtë pjekurinë, se e shikoj që je reflektive dhe analitike, si ka ndikuar tek ty Besa?

Besa Kokëdhima: Si fillim, unë vitet e para të jetës time i kam kaluar në Qeparo, me gjyshen time. Këtu bën sens më shumë ajo gjëja “People Pleaser”. Në sensin e rritjes, pavarësisht se gjyshja ime është një nga njerëzit më vetësakrifikues, të dashur, humanistë, e të tjerë, patjetër që e kemi të instaluar thellë që tek vajzat ka një edukatë të caktuar, të imponuar, që ndonjëherë s`ka lidhje me edukatën, po ka lidhje me pavarësinë e mendimeve dhe veprimeve. Pavarësisht kësaj, unë duke qenë një natyrë emocionale, gjithmonë, artistike, e lidhur gjithmonë me UFO-t (qesh), ne në familje kemi pasur shumë liri. Ne e kemi thënë mendimin tonë që të vogla. Gjëra që nuk i kemi parë edhe në familje të tjera. Prindërit tanë asnjëherë nuk na kanë reklektuar ne arrogancë të sensit: Ne jemi të rëndësishëm, ose jemi të parëndësishëm. Ose të transferuarit të influencave në familje, të bisedave në familje. Në sensin, është kjo dhe do bëjmë këtë, duke “tregtuar” apo instaluar sens protagonizmi tek ne. Përkundrazi, në familjen tonë, ne si fëmijë jemi shkolluar, sepse na është kërkuar shumë rigorozisht që të shkollohemi dhe madje me përulje, sepse nuk kanë qenë ndonjëherë prindër që kanë reflektuar tek ne… përkundrazi. Ka qenë shumë e vështirë të gëzoje prindërit tanë. Isha në kolegj turk dhe u futa në konkursin e shkollave. Nuk ma kërkoi askush. Erdhën bënë një regjistrim, edhe unë thashë po futem. Nuk e mbaj mend, dola në vend të dytë apo në vend të tretë në rang republike dhe babi im tha: Mirë, po pse s`dole e para? Pavarësisht se askujt s`i kisha thënë që as do merrja pjesë, as do futesha. Nuk është siç mund të mendojnë njerëzit, familje e pushtetshme, fryjnë fëmijët. Ne si kosto të punës tejet të madhe të prindërve tanë, kemi pasur distancën me prindërit. Mungesën e tyre. Kanë qenë vazhdimisht, tmerrësisht të zënë dhe rruga që ata kanë zgjedhur në jetë, siç rezulton në gjithë historikun e karrierës së tyre, ka qenë një rrugë e gjatë, me këmbë në tokë, e ndershme dhe punëtore, por kjo ka kosto. Suksesi ka kosto. E di që thonë: Mund t`i kishe të gjitha. Unë mendoj se mund t`i kesh të gjitha, por jo të gjitha ashtu siç mund të doje ti në raportet që mund të duash ti apo ata që të rrethojnë ty.

Mira Kazhani: Sado mirë të duket te të tjerët, askush nuk i ka të gjitha ato që do. Do ketë gjithmonë mungesa në jetë. Është normale.

Besa Kokëdhima: Nëse ti je një gazetare në karrierë, ti e shikon vetë se çfarë lloj angazhimi kërkon, qoftë edhe.. e kushtëzoj vetëm tek ky podcast.

Mira Kazhani: Pa seriozitet dhe mund asgjë nuk bëhet. Motrat çfarë bëjnë? Janë këtu në Tiranë?

Besa Kokëdhima: Bora është duke përfunduar koleksionin e ri. Është kthyer në Tiranë. Ka bërë një superkoleksion që e prezanton tani së shpejti. Era është në Firence. Po merret me një projekt të sajin që nuk dëshiron që unë ta ndaj ende.

Mira Kazhani: Jo, mos fol në emër të Erës (qesh)

Besa Kokëdhima: Jemi të treja goxha të ndryshme dhe me prirje e talentet tona që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Mira Kazhani: Jeni të lidhura shumë me njëra-tjetrën?

Besa Kokëdhima: Jemi të lidhura, po.

Mira Kazhani: Prindërit kanë të preferuar mes jush? Ndjen ti ndonjë preferencë të veçantë apo jo?

Besa Kokëdhima: Unë jam shumë e lumtur që të kenë të preferuar Erën.

Mira Kazhani: Është e vogla Era.

Besa Kokëdhima: Është e vogla. Nuk e di a e kanë të preferuar. Unë personalisht mendoj që të gjithë prindërit kanë, jo të preferuar si për nga niveli i dashurisë. Po me një nga fëmijët mund të kenë një marrëdhënie disi pak më të mirë, më të afërt, ose i ngjan pak më shumë. Edhe prindërit njerëz janë.

Mira Kazhani: Po edhe nuk lind njeri prind, lind njeri. Unë mendoj që i duan njësoj, por jam e bindur që ka të preferuar. Unë jam e fundit në shtëpi.

Besa Kokëdhima: Jo, s`e besoj këtë.

Mira Kazhani: Po, po.

Besa Kokëdhima: Ashtu?

Mira Kazhani: Po kështu mendoj dhe jam e saktë. Mos ki dyshim tek inteligjenca ime emocionale.

Besa Kokëdhima: Mira, ti ke vëllezër apo motra?

Mira Kazhani: Kam një vëlla, kam edhe një motër më të vogël. Unë jam në mes.

Besa Kokëdhima: Aaa, ti je në mes. Shiko Mira, çfarë është kjo. Kam lexuar një studim që thoshte, përgjithësisht fëmijëve të mesit u krijohet një lloj sindrome, mendimi që i madhi merr vëmendje për shkak se është i madhi dhe i japin ca përgjegjësi, i vogli merr pak më shumë ledhe se është i vogli dhe amnistohet më kollaj dhe i mesit rrjedhimisht ndihet pak më… Po jo se…

Mira Kazhani: Punë e madhe dhe sikur të jetë ashtu (qesh). E rëndësishme është t`i duam e t`i kemi afër familjen dhe prindërit. Një martesë për shembull e mendon, e ëndërron Besën nuse.

Besa Kokëdhima: Unë nuk dua të kem një dakordësi apo diçka supernatyrore. Ose o e dua të jetë ajo gjëja e çmendur fare, ose nuk e dua fare. Jam pak ekstremesh.

Mira Kazhani: Ndoshta ka ndodhur, ndoshta do ndodhë. Se këtë nuk e morëm vesh. Po kështu si po qesh edhe po lëviz ti, që flet me këmbë e duar…

Besa Kokëdhima: Jo është thjesht energjia jote Mira, të lutem.

Mira Kazhani: S`e di unë e imja apo e ndonjë tjetri (qesh)

Besa Kokëdhima: Është energjia jote e veçantë.

Mira Kazhani: Me këngën do të shkosh në Eurovizion. Eurovizioni më është dukur mua një skenë që e aspirojnë të gjithë këngëtarët në Shqipëri, ata më të talentuarit, më të famshmit. Sado që kanë suksese, e duan atë Eurovizionin, sepse është një skenë ndërkombëtare. Ama unë kam gjithmonë një shqetësim për ata që shkojnë në Eurovizion, sepse ajo vota është pak politike. Nuk e di sa është zëri dhe kënga ajo që vendos. Vendos deri diku për ata që shkojnë në finale dhe ecin mirë, por në fund fare vota është politike. Të tremb, të shqetëson kjo?

Besa Kokëdhima: Jo, nuk më tremb, as më shqetëson. Thjesht e kam të pranuar si fakt që influenca dhe pushteti ynë lobues apo kontribues financiar atje, ose në organizime të tilla, mund të jetë më i limituar se disa shtete të tjera, në një sens apo në një tjetër. Kështu që kjo është e pranuar. Unë me veten time e kam ndarë që unë dua të bëj më të mirën e mundshme në të gjitha proceset që shoqërojnë këtë udhëtim. Kur them udhëtim, jo në sens literal. Dua që ne të kemi në tërësi një përfaqësim që në sytë e kujtdo është universalisht e bukur. Me këtë koncept kam instiluar që në fillim për të bërë skuadrën për ribërjen e këngës, për tekstin, për klipin e gjithçka. Kam dashur gjithmonë kryefjala të jemi inovativë, universalisht emocionues – pra se e dëgjon një gjerman, kinez, Indian, ideja është që të jetë universalisht e bukur, të jetë e freskët, të jetë cool. Këto janë për mua të rëndësishme në këtë përfaqësim. Dëshira ime është të sjellim frymën e re dhe moderne të Shqipërisë së re dhe moderne. Deri tani jemi në rrugën e duhur. Jam shumë e lumtur që është pritur mirë ribërja e këngës. Është bërë një punë kolosale për këtë gjë dhe të gjitha këto procese. Nëse gjithçka shkon siç unë e perceptoj artistikisht vërtet konkurruese, në top, pjesëmarrjen sivjet, nuk më shqetëson pastaj, nuk është detyra ime të merrem për pjesën e renditjes, ose për pjesën e rezultatit. Nëse unë e kryej detyrën time deri në fund, gjërat që janë përtej meje nuk…

Mira Kazhani: E mora përgjigjen. A ke dikë, një emër që i je mirënjohëse dhe do doje t`ia thoje publikisht?

Besa Kokëdhima: Kam po patjetër që kam. Emër, mbiemër?

Mira Kazhani: Si të duash ti. Thuaj dhe vetëm emër.

Besa Kokëdhima: Do ta bëj kështu, se ti e di që unë jam dhe pak diplomate. Dua shumë, shumë, shumë t`i falënderoj bashkëpatriotët e mi për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë në gjithë vitet e mia. Edhe pse sigurisht që më është dashur ta provoj veten. Dua t`i falënderoj shumë, gjithmonë, në gjithë këto vite. Dua të falënderoj shumë dhe veçanërisht fansat e mi, të cilët edhe në kohën dhe në vitet që unë nuk kam qenë aq prezente në muzikë, kanë qenë vazhdimisht incentivues për mua.

Mira Kazhani: Më kanë mbajtur në makinë (qesh)

Besa Kokëdhima: Po, është e vërtetë. Është shumë e bukur kur shikon sesi këngët e tua prekin jetët e njerëzve. Ajo del nga ty. Një këngë në momentin që del nga studio, nuk është më pronë e askujt nga ne që kemi lidhje me bërjen e këngës. Dua të falënderoj shumë dhe gjithmonë familjen, sepse realisht unë jam shumë e lidhur me familjen, edhe në koncept, edhe në praktikë. Mendoj se është pema ku rrimë dhe është celula më e rëndësishme. Në këtë projekt që kemi relizuar këto kohë, kam pasur fatin që të kem disa bashkëpunëtorë shumë të rëndësishëm. Nuk do futem të përmend emra, sepse kam merakun do të harroj ndonjë prej tyre. Po do t`i vendosim me titra pastaj në fund, ok? (qesh). Dua t`i falënderoj shumë sepse po bëjnë, kanë bërë dhe kanë dhënë gjithë dedikimin e tyre për një punë fantastike.

Mira Kazhani: A ke dikë që do t`i kërkojë falje? Që e ke lënduar pa dashje?

Besa Kokëdhima: Me dashje e di, pa dashje… (qesh) Bëj shaka. Unë jam karagjoze Mira. Do ta njohësh dhe këtë pjesë timen.

Mira Kazhani: E di që nuk e dija, që ishe karagjoze (qesh)

Besa Kokëdhima: Nuk e di nëse jam koshiente në këtë moment për një lëndim që kam bërë, sepse po ta di që kam bërë një lëndim të them të drejtën nuk e pres të vij këtu ta them. S`kam gjë me të. Po e kam fjalën, nuk pres një emision. Për këdo që mua më njeh, e di shumë mirë që unë nuk jam një person që nisem ndonjëherë me mendimin për të lënduar dikë specifikisht. Nëqoftëse bëj diçka që mendoj se është në të mirën e një fenomeni, ose të një diçkaje që e besoj realisht dhe si rezultat i kësaj dikush lëndohet, kjo mund absolutisht të ndodhë dhe mua më vjen shumë keq për lëndimin që mund t`i ndodhë çdokujt. Keq specifikisht njeriu nuk di t`i kem bërë dhe nuk jam natyrë që i bien në qafë njeriu.

Mira Kazhani: Ke dikë që nuk e fal?

Besa Kokëdhima: Moj Mira, ti qenke e tmerrshme (qesh).

Mira Kazhani: E hape vetë portën. The: Kam ardhur dhe do të flas sinqerisht për çdo gjë.

Besa Kokëdhima: Pra dikë që unë nuk e fal.

Mira Kazhani: Nuk e fal.

Besa Kokëdhima: Ata që bëjnë akte kriminale ndaj kafshëve nuk i fal. Kjo pastaj nuk domethënë që ata që bëjnë akte kriminale ndaj njerëzve unë i fal. Absolutisht jo. Po për ata ekziston gjykata… Janë të tjerë njerëz që…

Mira Kazhani: Ndoshta njerëzit mund të mbrohen.

Besa Kokëdhima: Po, njerëzit mund të mbrohen. Kurse ndaj kafshëve nuk është se bëhet ndonjë ndarje përgjegjësish dhe nuk kanë zë të arsyetojnë.

Mira Kazhani: Ke pasur gjatë rrugës një periudhë të vështirë të jetës tënde dhe cila ka qenë terapia jote? Si e ke zgjidhur? Si përballesh ti me një krizë?

Besa Kokëdhima: Thjesht e lë të ndodhë.

Mira Kazhani: Në fakt s`kemi çfarë i bëjmë. Fjalë kemi.

Besa Kokëdhima: Kam dëgjuar shumë, jo bëj këtë, bëj atë. Përpiqem të ruaj një konstante avancimi të punëve të mia ditë për ditë, pavarësisht në një periudhë që mund të jetë jo e mirë, ose e vështirë. Ta ruaj përparimin…

Mira Kazhani: Pra po përpiqesh të thuash që nuk mbyllem në shtëpi, por çohem dhe iki në punë. Përpiqem të vazhdoj punët e mia siç i kam bërë gjithmonë.

Besa Kokëdhima: Minimalisht të lëviz nga një centimetër në çdo drejtim të punëve që duhet të lëviz. Kur them centimetër, është një vlerë hipotetike. Pra nga një hap përpiqem ta shtyj, t`i shtyj punët e mia, pavarësisht sesa keq mund të jem. Kjo nuk do të thotë që gjithmonë ia dal. Pastaj pjesa tjetër është thjesht e lë të ndodhë. Dëshpërohem dhe kaq…

Mira Kazhani: Njeriu i parë ku ti shkon kur ke një problem dhe do të mbështetësh kokën. Edhe metaforikisht.

Besa Kokëdhima: Do tingëllojë e çuditshme, por nëse është një hall që kërkon zgjidhje të menjëhershme, patjetër që do flas me familjen time.

Mira Kazhani: Me mamin apo me babin?

Besa Kokëdhima: Në varësi të llojit të problemit. Nëse është një hall, i cili nuk kërkon një zgjidhje të menjëhershme, por thjesht unë kam nevojë për komfortin e dikujt, për t`u ngushëlluar apo suportuar emocionalisht nga dikush, nuk i them askujt. Ose maksimumi i them motrës.

Mira Kazhani: Erës apo Borës?

Besa Kokëdhima: Erës, sepse Bora shqetësohet dhe panikon.

Mira Kazhani: Ke një lajm në Google me emrin tënd që do kishe dëshirë ta fshije, t`i bëjë ‘delete’?

Besa Kokëdhima: Sa të duash. Ku e di unë çfarë ka tani po…

Mira Kazhani: Nuk gjeta shumë lajme për ty.

Besa Kokëdhima: Përgjithësisht nuk di të ketë lajme të këqija për mua, se jam një njeri disi serioz në jetën time. Mendoj se jam përpjekur të jem – për aq sa më përket mua – e dinjitetshme.

Mira Kazhani: Mos më thuaj që s`ke bërë ndonjë çmenduri në jetë? Ti artiste, gjithë emocione. Aventurë.

Besa Kokëdhima: Çfarë definon me çmenduri?

Mira Kazhani: Çmenduri sipas teje. Diçka që ke dalë jashtë kuadratit. Diçka që ke dalë jashtë normave. Një moment. Të gjithë kemi. Është njerëzore.

Besa Kokëdhima: Unë jam rebele dhe dal jashtë kuadratit tërë kohën. Por jo ndoshta në sens social. Jo në sensin që të përbëj një fenomen që mund të ketë ndonjë interes të veçantë publik.

Mira Kazhani: Këtu në Tiranë kur vjen ke shtëpinë tënde? Nuk jeton me Koçon dhe Brixhidën.

Besa Kokëdhima: Jo. Jo. Kam tre mace unë Mira.

Mira Kazhani: Si quhen?

Besa Kokëdhima: Didi, Tuki, Tigres.

Mira Kazhani: Nëse do ishe një kafshë, cilën do kishe zgjedhur të ishe?

Besa Kokëdhima: Ndoshta luan, puma, panterë.

Mira Kazhani: Të gjitha të mira i zgjodhe. Shumë faleminderit Besa!

Besa Kokëdhima: Faleminderit ty!

Podcasti “Zë me Mirën” u mbështet nga Credins Bank, Melia Durrës

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *