Sa e duam veten?

Esther Perel është një psikoterapiste që unë e pëlqej shumë. E ndjek në Instagram dhe i ftoj të gjithë ndjekësit e këtij podcast ta shohin psikoterapisten. Më pëlqen, sepse flet për raportet njerëzore me disa koncepte të reja. Të mëson t`i bësh pyetjet e duhura vetes. Po unë nuk kam ku ta gjej Esther Perel, se është në Amerikë dhe nuk e di a do e pranonte një intervistë me mua, ama kam gjetur versionin shqiptar të saj. Për mua, kjo është edhe më mirë akoma. Se ajo është shkrimtare nga përbërja e parë, por edhe neurologe dhe sot e kam ftuar vetëm si doktoreshë, si neurologe. Brunilda Zllami.

Podcasti i transkriptuar:

Mira Kazhani: Bruna Zllami, faleminderit që erdhe!

Brunilda Zllami: Është gjithmonë kënaqësi. Faleminderit që më ftuat sërish!

Mira Kazhani: Patjetër, do të të ftoj edhe herë të tjera, por këtë herë dua të flas me ty shumë për raportet njerëzore, për trurin. Pyetja e parë që më vjen ndërmend Bruna, është: Ne si njerëz, jemi të ndërtuar për të qenë të lumtur apo për të vrarë mendjen?

Brunilda Zllami: Kjo është një pyetje që nuk e di nëse do dija t`i përgjigjesha krejtësisht, por evolucioni na ka kushtëzuar që në radhë të parë të vrasim mendjen për të qenë të lumtur. Duket sikur në njëfarë mënyre ne jemi gjithmonë në kërkim të lumturisë dhe koncepti i lumturisë në të vërtetë ngelet një koncept abstrakt. Lumturia që kërkojmë sot, nuk është lumturia që do kërkojmë nesër. Varion shumë nga faktorët, ambienti, pritshmëritë, kërkesat, ambiciet. Ajo që të bën të lumtur ty, nuk më bën të lumtur mua. Kështu që edhe truri ynë nuk mund të ketë një programim për lumturinë që nuk është krejtësisht e prekshme dhe ndryshon nga njëri tek tjetri. Rrugëtimi drejt lumturisë është vetë rrugëtimi i jetës tonë. Duket sikur rendim drejt tërfilit me katër fletë gjithmonë, gjejmë tre dhe kërkojmë të katërtën. Por po, truri ynë ka qendra të veçanta në të cilat logjika dhe emocionet, pavarësisht se janë në vende të ndryshme të tij, kanë krijuar lidhje për t`i bashkuar këto në situata të veçanta. Truri i njeriut e tillë që unë e mendoj se lind me disa piketa. Po nuk janë ato piketa që na bëjnë ne kush jemi. Janë lidhjet. Nuk është Itaka, është rrugëtimi. Unë gjithmonë them që në rast se do të bësh një njeri, se njeriun edhe mund ta bësh, jo plotësisht, duhet të japësh eksperienca. Në mënyrë të tillë që truri të formojë lidhje. Janë pikërisht këto lidhje që në vend të kasolleve, ndërtojnë qytete. Në vend të vetmisë, kanë jetë. Çdonjëri prej nesh, brenda trurit të vet, ka qytetin e vet. Truri i njeriut nuk është një kompjuter që kur i ikën A+B bëjnë C, nuk di të orientohet. Truri i njeriut di të vërë variabla të tjerë në ekuacione e të gjejë zgjidhje të tjera. Truri i njeriut e ka kthyer tokën nga një planet i shkretë, në një planet që gjallon ditën dhe natën. Ka krijuar muzikën. Ka krijuar pikturat. Ka krijuar poezinë. Ka krijuar dashurinë. Ka krijuar dhe luftërat dhe urrejtjen dhe mijëra, mijëra gjëra të tjera. Është truri i njeriut. Ajo forcë e pashtershme e kërkesës dhe gjetjes së zgjidhjeve ndonjëherë që lidhen me të bukurën, ndonjëherë që lidhen me egon, ndonjëherë që lidhen me arritjen, ndonjëherë që lidhen me grykësinë. Të gjitha këto që ne i ndajmë në vlera të mira dhe të këqija, ndonjëherë nuk janë dhe kaq të ndara. Ndonjëherë dhe një person mund t`i ketë të gjitha këto. Bashkë si grupime njerëzore, që nga familja e deri në shoqëri e më tutje, se bota duket sikur nuk ka më kufij, jemi në një rrugëtim shumë më të vrullshëm se ka qenë më përpara, shumë më të hutuar. Duket sikur kemi shumë informacion. Mund të marrim dhe të zhvillojmë çdo gjë. Në të vërtetë ne shpesh përhumbemi në këtë informacion. Është shumë e vështirë që në një pirg me hedhurina të gjesh copëza diamantësh e rubinësh. Edhe kjo është e lodhshme.

Mira Kazhani: I ngjan shumë kohës që jetojmë kjo që sapo the.

Brunilda Zllami: I ngjan.

Mira Kazhani: Të duket sikur janë të gjithë diamantët në Facebook, në Instagram, në internet. Ti mund t`i kapësh të gjitha në jetë. Ka një ofertë. Ty të propozohet lumturia në çdo moment dhe mendon që edhe ti mund të jesh. Pra të gjithë e kanë këtë shans. Sa janë shanset për depresion? Sa janë shanset që truri kur të mos e realizojë atë që sheh, të tkurret edhe ta çojë njeriun në ato dhomat e errëta?

Brunilda Zllami: Shanset ekzistojnë gjithmonë, por përpos disa elementëve, po i quajmë edhe të lindur në këto predispozita, është edhe mënyra sesi jemi rritur që në momentin që jemi rrëzuar për herë të parë, kur kemi mësuar të ecim. Pra mënyra sesi ne e përballojmë rrëzimin, që janë disfatat tona të para në jetë dhe si ngrihemi në këmbë. Kjo është edhe disi personale, por edhe disi e induktuar nga ambienti. Nëqoftëse ti rrëzohesh, vjen dikush të merr, të përkëdhel, të thotë do vazhdosh. Kjo lloj ndjesie të ndjek më pas në jetë.

Mira Kazhani: Neve na kanë bërtitur pak kur rrëzoheshim. Kishim frikë të rrëzoheshim dikur.

Brunilda Zllami: Ne kemi qenë shumë të rreptë ndaj vetes. Prindërit tanë çuditërisht, për një vend që jetoi në komunizëm, na mësuan me idenë që nuk ka vend të dytë. Ne duhet të ishim të parët. Për mua kjo nuk është gjithmonë shumë e keqe. Është e dhunshme. Padyshim që është e dhunshme, por unë gjithmonë mendoj që noti nuk mund të vazhdohet në pishinë. Duhet të dalësh një ditë në det. Duhet të shikosh shkëmbinjtë. Duhet të përballesh me valët. Duhet të ndjesh rrezikun dhe të kesh atë përshkueshmërinë dhe marrjen e çmimit kur del në breg i lumtur. Kjo është jeta! Në njëfarë mënyre të shikosh të tjerët, që unë them vendi më i lumtur në botë duhet të jenë rrjetet sociale. Të gjithë janë të lumtur, të bukur, të qeshur. Ose ka edhe një valë tjetër. Të gjithë janë të inatosur, që nuk i pëlqen asnjë gjë. Ka rryma-rryma dhe të gjitha këto, nuk të mbushin me pozitivitet. Absolutisht që nuk të mbushin.

Mira Kazhani: Çfarë po na bëjnë ne?

Brunilda Zllami: Po na dëmtojnë.

Mira Kazhani: Çfarë po i ndodh shoqërisë së internetit?

Brunilda Zllami: Nuk e di nëse është nivel narcisizmi kjo dëshira për t`u dukur aq shumë. Nuk e di nëse është dëshirë për të fshehur atë që njerëzit janë vërtet dhe për të shfaqur një pamje si personazhe të krijuara. Secili nga ne po krijon një lloj avatari virtual. Një qenie që në thelbin e saj nuk ekziston.

Mira Kazhani: Një personalitet i dytë, një jetë e dytë.

Brunilda Zllami: Nuk e di nëse është krahasueshmëri. Pra dikush që njeh, bën diçka dhe në njëfarë mënyre ndoshta edhe të pandërgjegjshme je i detyruar të kesh këtë nivel kompeticioni. Mund të ketë shumë shkaqe, por një gjë është krejt e qartë: Jeta nuk është aq e bukur sa në rrjete sociale.

Mira Kazhani: Siç nuk ka qenë edhe më përpara, aq e bukur sa në filma.

Brunilda Zllami: Absolutisht. Nuk është aq e bukur. Filmi gjithsesi të jep një mesazh të bukur.

Mira Kazhani: Filmat të kënaqin.

Brunilda Zllami: Filmat janë menduar. Kanë tekste, kanë dritë, kanë emocione, përçojnë ndjenja, të bëjnë të mendosh…

Mira Kazhani: Të ëndërrosh…

Brunilda Zllami: Shpeshherë nga rrjetet sociale del si i nevrikosur kur bën një udhëtim sado të shkurtër aty. Gjithë kjo ndjesi të ngelet si një ndjesi negative. Unë mbaj mend gjëra që thuheshin dhe shkruheshin në rrjete sociale. Kishin një lloj elegance. Kishin një gramatikë më të pëlqyeshme. Kishin një lloj edhe naiviteti, sinqeriteti. Kishin një dashamirësi. Më pas filloi të shthurrej në një deformim të estetikës që ndodhi. Dalëngadalë nuk e kuptoje këtë lloj presioni që të vinte pikërisht nga një gjë e cila e cila quhej “wall”. Më duket sikur në njëfarë periudhe ne u kthyem në lashtësi. Sepse dhe në lashtësi, vizatimet bëheshin në muret e shpellave. Nga muret e shpellave, ne u kthyen në muret e ekraneve.

Mira Kazhani: Truri i njeriut e bëri edhe këtë.

Brunilda Zllami: Truri i njeriut e pëlqen të komplikuarën.

Mira Kazhani: Si është një komunikim i mirë për ty mes dy njerëzve? Kujt i thua komunikim të shëndetshëm?

Brunilda Zllami: Varet në çfarë marrëdhëniesh janë këta dy njerëz. Në marrëdhëniet në çift komunikimi tenton të jetë jo vetëm më i sinqertë, por në çift kuptohesh ndonjëherë me një shikim.

Mira Kazhani: Edhe pa folur…

Brunilda Zllami: Edhe pa folur. Dhe dëgjimi vetë është pjesë e komunikimit joverbal. Edhe heshtja është pjesë e komunikimit. Një përkëdhelje, një puthje…

Mira Kazhani: Ka disa momente që heshtja është komunikimi më i mirë në botë.

Brunilda Zllami: Siç kanë thënë: Kur nuk ke ndonjë gjë më të mirë të thuash, më mirë të heshtësh. Heshtja është diçka me të cilën nuk na kanë mësuar shumë. Heshtja na tremb. Nuk e di pse. Unë e kam shumë të nevojshme heshtjen. Se komunikimi nuk është të shprehësh, por është të shprehësh diçka që dikush ta kuptojë. Të kundërshtojë ose ta pranojë nuk ka rëndësi, por të kuptojë pikërisht atë që ti do të thuash. Komunikimi i ndërsjelltë është si një shkëmbim sinjalesh. Unë gjithmonë lidhjen e komunikimit e lidh me sinjalistikën e trurit. Shoh neurotransmetues që lëvizin mes njërit dhe tjetrit dhe çdo element i qenies së atij apo asaj që ke përballë, të indukton një përgjigje që do ishte ndryshe. Për shembull, në rast se ti je duke komunikuar formalisht dhe zgjedh fjalët e duhura, përdor “ju”, trupit i jep një komandë që të mos ketë shumë të folur të perceptueshme nga ana e tjetrit, por të shpëton një gjë. Se ne nuk e kontrollojmë shumë gjuhën e trupit kur jemi në dominancën e të menduarit. Se truri ka një dominancë në të majtë, në të cilën është gjuha, të menduarit, abstragimi.

Mira Kazhani: Cilat janë tiparet e një njeriu të pasigurt, në gjestikulacion, në komunikim, në shprehi, në qëndrim, që një neurolog e di?

Brunilda Zllami: Nuk mund ta thuash prerazi, por një njeri i pasigurtë zakonisht eviton kontaktin me sy. Pra nuk të shikon në sy. Ndonjëherë thotë copëza fjalësh, ndonjëherë flet shumë për të mbuluar pasigurinë e tij. Gjithmonë tenton të kapë elementë konfirmues ose jo të bisedës së tij dhe ndonjëherë rri struket dhe nuk flet fare. Kështu që secili pasigurinë e tij, ose ta jep si një shkul me njëmijë fjalë në qenien e tij, ose tërhiqet dhe mendon: Do vijë edhe dita ime që të flas.

Mira Kazhani: A mundet një njeri të bëhet i sigurt, të fitojë siguri? Ka njerëz që pavarësisht moshës kanë të njëjtin ankth sistematik. Ne të gjithë i njohim i kemi në jetë. Ndonjëherë jemi edhe vetë në disa gjëra, që nuk i mësojmë dot kurrë plotësisht, mbeten aty të vogla. A ka brenda njeriu fuqinë dhe aftësinë për ta korrigjuar, për ta rritur, për ta ndryshuar veten, në çdo moshë?

Brunilda Zllami: Absolutisht që ka. Po këto duan ose sistemi sociale. Pra familja, shoqëria e ngushtë, zgjedhja e rrjetit social real, jo virtual, ku do të jesh pjesë, por ka edhe programe më të rafinuara, në nivel më të gjerë, në të cilët mund të ketë kurse për të mësuar vetëbesimin, taktika.

Mira Kazhani: Cilat janë taktikat?

Brunilda Zllami: Njerëzit duhet të kenë qëllime të qarta për gjërat që duan të arrijnë. Duke pasur një qëllim të qartë, gjithë energjia që ka dikush fokusohet në atë qëllim. Është shumë e rëndësishme që kur njerëzit arrijnë diçka, të marrin edhe komplimentimin e duhur. Mua më bezdis shumë fakti që në shoqërinë tonë, pakkush di të të thotë “faleminderit”. Në shoqërinë tonë rrallëkush di të të thotë “Të lumtë”.

Mira Kazhani: Ndoshta do ndryshojë. Nuk i dihet.

Brunilda Zllami: Ne mund ta ndryshojmë. Po në këtë situatë, e cila është pak e amulltë, e mbingarkuar me të gjithë këta elementë, është e vështirë të ndryshosh diçka. Ti mund të bësh shpikjen më të madhe në planet, edhe prapë do kesh një grup njerëzish që do të thonë: Jo, nuk më pëlqen. Kemi këtë presionin e turmës. Presioni i turmës është si puna e një zamke. Kur ecën dhe të ngjiten këmbët. Edhe të ngadalëson ecjen, por të jep edhe komfort.

Mira Kazhani: Këtu dua të rrimë pak, se është një gjë që më karikon së brendshmi. Ndoshta në ato fillimet e mia të punës me podcast, ngaqë jemi në shoqërinë e keqkuptimit, gjithçka mund të keqinterpretohet, papritur dikush mund të ofendohet për një gjë që s`të shkon mendja. Të duket sikur duhet të pastrohemi nga metaforat. Duhet ta thuash mirë atë fjalinë se dikush mund ta shndërrojë dhe ti pastaj je objekt i një titulli që mbetet gjurmë aty në Google. Është një çmenduri. Është një çmendinë. Fillimisht kam pasur këtë pyetje me veten time: Do t`i them gjërat ashtu siç i mendoj? Do ftoj njerëz me të cilët do bisedoj në mënyrë të sinqertë? Apo do të jem e kujdesshme se kjo është shoqëria, duhet edhe të ruhemi? Gjatë rrugës unë kam kuptuar që duhet të them dhe të flas për ata që më kuptojnë, sepse ashtu rrezikon ta humbasësh veten. Është ky presioni i turmës që ti e përmende më përpara. Si t`ia bëjë njeriu? T`i ruhet turmës apo të ballafaqohet me turmën? Këtu nuk kam parasysh ata që ballafaqofen përditë dhe kthejnë përgjigje, se edhe ata kanë një problem më vete. Që në çdo moment janë duke u ballafaquar me turmën. Edhe me atë nuk jam dakord.

Brunilda Zllami: Realisht ne duhet të japim, të dyja palët, diçka të sinqertë. Nuk do heqim dorë nga metaforat. Metaforat tregojnë për një nivel më të lartë të qenies së mendjes. Të arrish që të bësh një krahasim figurativ, letrar, të dy gjendjeve krejt të ndryshme, të dy objekteve krejt të ndryshme, është diçka shumë e bukur.

Mira Kazhani: Edhe autoironia, edhe humori, ku shkuan dreqi ta hajë…

Brunilda Zllami: Edhe thjeshtësia është e çmuar, por thjeshtësia e tepërt, është si të marrësh një lule t`ia heqësh të gjitha gjethet e ta lësh ashtu. Ne nuk duam të kemi këtë. Nuk duhet të jemi tepër filozofikë. Nuk duhet të kemi një targetim të një klase të caktuar. Do flas për të gjithë. Do flas për 50… Nuk jemi ne ata që e vendosim.

Mira Kazhani: Mendimi apo eksitimi funksionon me trurin më mirë?

Brunilda Zllami: Varet nga njeriu.

Mira Kazhani: Pra është edhe pak çështje karakteri.

Brunilda Zllami: Ka edhe njerëz që mendimi i eksiton. Të gjeturit e një diçkaje. Leximi i një diçkaje i entuziazmon më shumë sesa një kontakt erotik. Nuk është për t`u habitur kjo. Se shpeshherë zonat e trurit që janë të ngjashme për pjesën e kënaqësisë kur ushqehesh, ose të drogërave, ose të seksit, janë pak a shumë në të njëjtat zona të trurit.

Mira Kazhani: Tek cila zonë janë?

Brunilda Zllami: Janë tek zonat e korteksit prefrontal, por sistemi limbik, aumigdala, ka shumë. Nuk është vetëm një zonë. Ndërveprojnë gjërat. Për shembull kur shikon një mollë dhe ti shikon ngjyrën, por në mendjen tënde, nëse e ke provuar edhe më përpara ndjen edhe aromën, ndjen edhe shije. Nëqoftëse ke kujtim nga fëmijëria kur ta kanë dhënë për herë të parë, kujton edhe atë moment, kujton edhe ambientin, kujton edhe ndjesinë që ke pasur. Truri është me njëmijë elementë të vegjël, të cilët emocionet i brumosin, të cilët për arsye të njohura, ose edhe të panjohura dalin në sipërfaqe edhe të japin një kontekst të plotë. Kështu që ideja e trurit që mendon, ideja e trurit që ndjen, ideja e trurit që vendos me logjikë, ideja e trurit që vendos me emocion, ndryshon nga njëri njeri në tjetrin, por edhe në situata të caktuara, edhe në nxitës të caktuar. Për shembull, je në luftë. Në luftë gjithçka që nxitet tek ne është t`ia mbathësh ose të luftosh, pra fight or flight. Janë hormone të veçanta, neurotransmetues të veçantë që e nxitin këtë. Janë të njëjtët që nxitin edhe gjendjen kur biem në dashuri.

Mira Kazhani: Flitet shpesh për seksin si një faktor ekuilibrues i mendjes së njeriut, i jetës së njeriut. Ka studime të ndryshme. Para disa ditësh e dëgjova në një podcast, thoshte që të gjithë përgjigjen që tre herë në javë aktivitet seksual të bën mirë, por nga një studim i fundit kishte dalë që dy herë në muaj është mëse i mjaftueshëm. Çfarë mendon ti si neurologe? Është i mbivlerësuar pak seksi? Apo në fakt është shumë, shumë i rëndësishëm?

Brunilda Zllami: Është i rëndësishëm. Nuk është i mbivlerësuar. Është i mbivlerësuar në mënyrën sesi e ekspozojnë. Pra numri që i vënë është pak qesharak në çdo aspekt. Se çdo njeri edhe në nevojat e veta personale, por edhe në mënyrën sesi ndërvepron në çift, për të qenë në një marrëdhënie je dy njerëz. Dy njerëz që kanë dëshira të përbashkëta, por edhe të ndryshme, edhe nevoja të ndryshme. Seksi dhe të bërit dashuri janë dy gjëra po të ndryshme. Kështu që unë mendoj që gjithsecili përcakton pace-in e vet. Që është i ndryshëm në kohë të ndryshme. Ka periudha mbingarkesash në punë ose në anën emocionale. Nuk mund të thuash: S`i kemi bërë tre herë këtë muaj. Ka edhe periudha në të cilat çifti reflekton herë pas here për këtë lidhje e cila është shumë e rëndësishme. Nuk tentoj dhe nuk dua ta nënvlerësoj për të thënë që nuk është i rëndësishëm, sepse është. Është i rëndësishëm edhe emocionalisht, por edhe fizikisht. Për shembull, ana emocionale është e lidhur me çlirimin e endonorfinave që janë neurotransmetues që i bëjnë mirë organizmit.

Mira Kazhani: Ajo çlirohet edhe kur bie në dashuri me dikë.

Brunilda Zllami: Edhe ajo, dopamina.

Mira Kazhani: Edhe pa seksin? Edhe kur je thjesht i dashuruar?

Brunilda Zllami: Është një lloj dashurie. Kur thua dashuri dhe seks duken si e njëjta gjë, por s`janë e njëjta gjë. Janë e njëjta gjë. Varet si jemi mësuar ne t`i kuptojmë këto dy entitete. Dikush që ka rënë në dashuri me dikë dhe ka eksperiencat e para, ndihet i përfshirë, dashuria dhe seksi janë e njëjta gjë për të. Ka të tjerë të cilët e kanë krejt të ndarë marrëdhënien fizike me të rënit në dashuri apo të bërit dashuri.

Mira Kazhani: Pse gjithmonë është dukur edhe duhet të jetë ashtu, që për burrat është më kollaj të kenë një marrëdhënie vetëm seksuale, kurse vajzat kryesisht e lidhin me dashurinë? Ka diçka ndryshe në trurin e meshkujve dhe të vajzave?

Brunilda Zllami: Është e lidhur edhe me konceptet e mënyrës sesi jemi rritur. Vajzat gjithmonë rriten me atë ndjesinë e romanticitetit. Lexojnë libra që kanë elementë të pjesës romantike. Po të shikosh edhe në nivelin e lexuesve më shumë ka femra se meshkuj. Nga ana tjetër, femrat janë pjesë edhe e disa hormoneve të ndryshme nga meshkujt që padyshim ndikojnë edhe tek truri. Po në të vërtetë unë kam përshtypjen që të dyja palët, edhe femrat, edhe meshkujt, duan që të duhen. Pra të ndihen të dashuruar. Vetëm që femrat ndoshta edhe e tregojnë më shumë. Ndoshta edhe për shkak të faktit që lidhja me dikë nuk është vetëm lidhje dashurie. Më vonë lidhja nënkupton edhe sigurinë, pozitën. Ke femra sa të duash që nuk duan dikë për ta dashur e duan dikë për pozitë. I bën gjë meshkuj kjo? Jo. Dhe po kaq lehtë e ndërrojnë anën romantike me erotike për të arritur diçka të caktuar. Të qenit në një marrëdhënie të shëndetshme, secili e përcakton në natyrën e çiftit që janë, se çfarë është e shëndetshme për ta, sa herë është e shëndetshme. Mënyra sesi bashkëveprojnë në harmoninë e tyre muzikore, është e përcaktuar nga çdo çift. Edhe në anën mjekësore është e rëndësishme, sepse ndikon tek ajo që ne e quajmë lumturi emocionale, ndikon në vlerat e tensionit, ndikon në sëmundjet e prostatës, në sëmundjet e pjesës pelvike të grave. Ka edhe vlera reale të anës mjekësore.

Mira Kazhani: Çfarë është diçka në trurin e njeriut, që njeriu bie në dashuri, tërhiqet shumë nga ajo që i mohohet, i refuzohet? Biem në dashuri pak me manipulatorin, me atë që nuk po na e jep atë qe duam. Është mungesa? E tërheq trurin mungesa? E sfidon?

Brunilda Zllami: Absolutisht trurin e tërheq edhe ajo që ka arritur, por ajo që s`ka arritur e tërheq më shumë. Ajo që nuk jemi na tërheq sepse ne e shikojmë edhe psikologjikisht si një sfidë. Si një sfidë për ta arritur. Ndoshta nuk pëlqen më këpucët e prishura të dikujt, por pëlqen statusin, rrobën e dikujt, mendjen e dikujt, rininë e dikujt. Jo të gjitha mund t`i kesh dhe jo të gjitha duhet t`i kesh, sepse s`duhet t`i kesh.

Mira Kazhani: Pse e kemi të vështirë për fillime të reja? Për shembull ndonjëherë me disa njerëz mund të bëjmë një rrugë të gjatë, edhe i duam e na duan shumë, por vjen një moment çuditërisht ndryshon, sepse njeriu ndryshon kohë pas kohe. Futesh në një kapitull të ri dhe megjithë dashurinë, nuk ke dëshirë të ecësh më me dikë. Kjo trajtohet shpesh si dramë dhe njerëzit mbeten aty, sepse janë peng i një raporti jo vetëm martesor apo dashuror, por edhe shoqëror.

Brunilda Zllami: E di si e quaj unë Mira? Po mendoja para disa ditësh, se gjithmonë jemi në dilema, edhe për gjëra krejt të imëta, edhe për gjëra të rëndësishme. Ndonjëherë gjendemi edhe në udhëkryqe. Them me vete, investimi mund të jetë në punë, në njerëz, në shoqëri, në lidhje, a ia vlen për hir të një investimi që ke bërë dikur që mund të jetë shumë i madh, të ka kushtuar shumë kohë, impenjim ti të vazhdosh diçka që nuk të pëlqen më. Shumica e këtyre dilemave janë të lidhura me punët në shumicën e rasteve. Ose me një shoqëri të vjetër. Po mendoja që investimi është si puna e një spirance. Të ka ndihmuar që të ankorohesh në një breg të caktuar.

Mira Kazhani: Po edhe e ke ndihmuar…

Brunilda Zllami: Të ka bërë të ndiheshe i sigurt, sepse ishe gjithmonë i ankoruar. Në pamjen tënde, është gjithmonë pamja e bregut. Të njëjtët njerëz. E njëjta punë. Po mbase je anije që do të eksplorosh. Investimi është pikërisht ajo spiranca. Ndonjëherë duhet të dish të ngresh spiranca. Nuk është e lehtë. Kërkon guxim. Po tek e fundit, në rast se ne nuk kemi guximin, ç`do na ndryshonte ne nga pemët që janë statike në një vend? Dakord, ato jetojnë më gjatë se ne. E marrin çmimin e qëndrueshmërisë së tyre në një vend, por ne nuk jemi bërë për të qëndruar në një vend. Ne jemi bërë për të eksploruar. Për çdo gjë që kemi bërë, shumë njerëz, shumica e njerëzve janë lodhur shumë. Kanë investuar shumë, por ajo nuk duhet t`i mbajë në vend. Investimi të mban në vend, kur e ardhmja e atij investimi është prapë diçka që të ngazëllen, diçka që të përmbush, të vlerëson. Jo diçka që të nënshtron, që të bën rrobë të vjetër, të bën mobilje, të bën pemë. Është shumë e vështirë. Sidomos për njerëz që janë mësuar të ndryshojnë pak, por realisht njerëzit duhet të kërkojnë më shumë për veten, gjithmonë. Nuk duhet ta presin veten me kutin e të tjerëve. Të tjerët jo gjithmonë njohin gjithçka që je ti. Të tjerët nuk janë të prirur të vlerësojnë gjithçka që je ti.

Mira Kazhani: Edhe ne vetë zbulojmë tek vetja kohë pas kohe gjëra të reja. Nuk e di a e kam të saktë, se diku e kam lexuar, çdo 7 vjet ne jemi njerëz të tjerë.

Brunilda Zllami: Ne jemi njerëz të tjerë çdo mëngjes që zgjohemi.

Mira Kazhani: Po, meqë ra fjala (qesh)

Brunilda Zllami: Truri ynë edhe në gjumë shikon ëndrra, proceson. Ne jemi njerëz të tjerë çdo ditë. Çdo 7 vjet dukemi edhe fizikisht që jemi njerëz të tjerë (qesh)

Mira Kazhani: Jo, jo nuk kemi ndryshuar fare.

Brunilda Zllami: Jemi njerëz të tjerë. Dikush mund të habitet. Sa ka ndryshuar, unë e njihja ndryshe!

Mira Kazhani: Po edhe ti ke ndryshuar, pa merak.

Brunilda Zllami: Të gjithë kemi ndryshuar. Prandaj them që është e rëndësishme edhe në marrëdhënie, sepse shumë prej nesh kanë edhe marrëdhënie miqësore apo romantike të gjata tashmë. Bukuria e një lidhjeje të gjatë, përveç qëndrueshmërisë, përveç komfortit që të jep, është pikërisht se ka gjithmonë mister. Se të dyja palët, të gjitha palët kur je në shoqëri ndryshojnë pak nga pak. A je i aftë? A ke kohë? A ke dëshirë të njohësh personin tjetër apo do ta mbash mend si ka qenë 20 vjet përpara? Se dhe kjo “E di unë si është”, është një besim i tepërt që ke tek vetja dhe është minimizim i gjithë evolucionit që ka pasur tjetri.

Mira Kazhani: Sapo më dhe një tezë interesante që ndoshta e kam menduar, ndoshta jo kaq bukur edhe mirë sa ti, që njeriu nuk ka pse t`i shkojë në fund njohjes së tjetrit, ndoshta edhe të vetes.

Brunilda Zllami: Edhe po e njohe deri në fund mund të mos jenë të bukura, por gjithmonë duhet të kërkosh. Të kërkosh lumturinë duket si një term infantil, sepse e di që në momentin kur afrohesh tek lumturia që ke menduar, ti je person tjetër dhe kërkon një lumturi tjetër. Pra evolucioni ynë e bën vërtet lumturinë një term abstrakt, por rrugëtimi për mua, është më i bukur sesa ajo që kemi menduar se do marrim.

Mira Kazhani: Se lumturia vetë… Ajo është lumturia vetë ndoshta? Kërkimi?

Brunilda Zllami: Ajo kam përshtypjen që është lumturia vetë.

Mira Kazhani: Faleminderit Bruna Zllami! Unë kisha shumë nevojë për një bisedë shpirtërore, mentale në një episod të podcastit edhe e dija shumë mirë që një shkrimtare dhe neurologe si ti do të ishte e duhura.

Brunilda Zllami: Shumë faleminderit! Edhe unë u ndjeva shumë mirë. Po të vazhdonim, do flisnim me orë të tëra (qesh)

Mira Kazhani: Neurotransmetuesit tanë…

Brunilda Zllami: Po, neurotransmetuesit tanë…

Podcasti “Zë me Mirën” u mbështet nga ABI Bank, Lajthiza

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen e editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *