Të flasësh shqip në një botë në anglisht 

Me Linda Mënikun, zyshën e drejtshkrimit u takuam për një podcast për shqipen.

Uroj ta shijoni këtë episod të ZëmeMirënpodcast sepse është gjuha jonë, gjuha amtare, e nënës, e zemrës, gjuha që shohim ëndrrat.

Siç tregon Linda, gjuhët mbijetojnë dhe ndryshimet, zhargonet, shkurtimet -nuk janë fundi i botës, aq më pak fundi i një gjuhe.

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Linda, sot një studim i Harvardit thoshte që nuk duhet të pyesin njerëzit e suksesshëm, “si je”? Domethënë, nuk pyesim “si je”, se këtë nuk e bëjnë të suksesshmit. Po mua më pëlqen, “si je”.

Linda Mëniku: Është pyetja normale, sepse kur pyet një njeri “si je”, e pyet për gjithçka që lidhet me të. “Si je” është gjendja emocionale. Është gjendja se si ndihet ai në ato moment, është një interes personal që ke për tjetrin. Është e përditshmja. “Si je” është edhe një lloj përshëndetje sot. Ne kur e shohim një person në Shqipëri themi: Ç`kemi? Si je? Dhe kjo jo detyrimisht meriton një përgjigje në lidhje me gjendjen reale. Është një përgjigje që thua “Mirë”, edhe kur nuk je mirë në fakt. Është një pyetje e kthyer në një përshëndetje tashmë edhe në gjuhën shqipe.

Mira Kazhani: E përdor shpesh, edhe vetë besoj?

Linda Mëniku: Patjetër. Është afërsia me njerëzit që ti interesohesh. E pyet se si është njeriu. Ajo është gjëja më e rëndësishme.

Mira Kazhani: Cili është mesazhi i fundit në telefonin tënd? Ka emoji?

Linda Mëniku: Mesazhi yt që më çove një buzëqeshje.

Mira Kazhani: Unë e përdor emojin e buzëqeshjes. Më pëlqen. Edhe ai me dy zemrat në sy. Më pëlqejnë emojit. Po një zyshë gjuhe a i pëlqen emojit?

Linda Mëniku: Është mënyra më e lehtë më e thjeshtë për të kumtuar diçka e cila vjen dhe me shpejtësinë e momentit kur nuk ke kohë. Dërgon një zemër, dërgon një fytyrë të buzëqeshur me zemra dhe me atë nuk ke nevojë të shpjegohesh gjatë se çfarë i thua tjetrit.

Mira Kazhani: Ndonjëherë emojit janë një zgjidhje shumë e mirë për shumë kleçka dhe ngërçe në komunikim. Madje thonë, japin mesazhet e veta. Nëse je i habitur, nëse po të pëlqen, nëse do ta kalosh me një fytyrë normale.

Linda Mëniku: Po ndonjëherë ka edhe keqkuptime. Se mund t`i çosh një fytyrë të menduar. Ose t`i çosh një person që hap sytë dhe nuk e kupton tjetri nëse është një habi, ose nëse është një moment që e lë pa tekst, e lë pa gojë. Është tjetër kur i thua tjetrit “më le pa tekst”, tjetër kur i çon një figure të habitur. Varet pra nga situata. Nuk mund të thuash cila do të ishte sot ajo që njerëzit preferojnë më shumë, por lehtësia e komunikimit dhe shpejtësia e komunikimit, ka kthyer njerëzit në kohërat e lashta kur komunikonin nëpërmjet figurave.

Mira Kazhani: Kjo është ajo që po ndodh Linda. Ne duke ecur shumë përpara po shkojmë në fakt edhe shumë mbrapa. Emojit janë shenja.

Linda Mëniku: Bota është mënyrë ciklike. Ka ngritjet e veta, uljet e veta. Është si puna e perandorive që arrijnë kulmet e tyre, shkatërrohen dhe bota shkon në një cikël rrethohet, ecën, zhvillohet, ngjitet lart, por sigurisht që kthehet në pikat fillestare shpeshherë.

Mira Kazhani: A e shqetëson një fakt i tillë një zyshë gjuhe si puna jote?

Linda Mëniku: Shqetësohet apo nuk shqetësohet një person që merret me gjuhën nuk ka lidhje me zhvillimet globale. Kjo është pjesë tashmë e teknologjisë. Do doja shumë të isha aq e fuqishme sa të ndaloja gjëra, por s`e kam atë fuqi. Është një situatë që ekziston. Njeriu duhet të pranojë momentin ku jeton. Duhet të pranojë atë që ndodh. Dhe duhet të kuptojë se si mund të përshtatet më së miri në një situate të tillë që është në nivel botëror. Po unë gjithmonë mendoj që është me prirje. Vjen një moment, ka një qasje të tillë. Bëhen shumë të ditës, shumë të kohës mënyra të caktuara komunikimi dhe pastaj dalin nga komunikimi. Për shembull ishte një periudhë kur përdoreshin shkurtimet shumë. Sot një pjesë e shkurtimeve kanë dalë, nuk përdoren aq shumë, por kanë mbetur disa shkurtime në komunikimin e përditshëm. Në shqip ka ngelur një “flm” , “klm”. Po përtej kësaj nuk ka më atë prirjen e para disa viteve kur njerëzit filluan të përdornin gjerësisht shkurtimet. Mendoj e njëjta gjë do ndodhë edhe me emoji, me ato që quhen ikona të komunikimit dhe mënyra e komunikimit është e ndryshme. Sot njerëzit dërgojnë mesazhe zanore, edhe më shkurt. E regjistrojnë veten dhe dërgojnë mesazhin për të qenë më të qartë në komunikim. Kështu që besoj që nëse teknologjia do sjellë një gjë të re do të përqafohet shpejt dhe do të ndryshojë kjo situatë. Mendoj se do të ndryshojë dhe kjo situatë është e përkohshme. Është e këtyre viteve të zhvilimit të teknologjisë.

Mira Kazhani: Çdo kohë lind fenomenet e veta. Shkurtimet asnjëherë nuk më kanë pëlqyer: “Çpb?”, “Klb”. Gjithmonë kam thënë “Faleminderit”. Nëse them “flm” jam një njeri që nuk të kam shumë për zemër.

Linda Mëniku: Në fakt unë kam të njëjtën ndjesi kur më thonë “flm”. Duket sikur s`e kanë marrë në konsideratë atë që unë kam bërë. Është një mënyrë gjysmë e sjellshme për ta falënderuar tjetrin dhe nuk më thotë asgjë kur e marrë atë “flm”. Është më mirë të çosh atë ikonën e buzëqeshjes ose falënderimit sesa “flm” që nuk të transmeton asgjë se janë tre bashkëtingëllore që nuk kanë asnjë kuptim nëse nuk kombinohen me zanoret, të krijojnë fjalën e bukur të shqipes. Për më tepër që fjala “faleminderit” në gjuhën shqipe është një nga fjalët më të bukura që ne kemi. “I falem nderit” është një nga shprehjet më të bukura që besoj edhe të huajt kur e mësojnë impresionohen, pasi është një gjë e bukur vërtet.

Mira Kazhani: E shqiptojnë kollaj ata? Është e vështirë për t`u shqiptuar?

Linda Mëniku: Gjuha shqipe? Varet nga cilën gjuhë kanë gjuhë amtare. Varet sigurisht nga personi. Nuk mendoj se është e përgjithshme dhe mund të përgjithësosh se si shqiptohet dhe sa lehtë shqiptohen tingujt e shqipes. Varet shumë nga gjuha amtare. Ka të huaj që flasin një shqipe të mrekullueshme, që të habisin. Ka dhe të huaj që përpiqen për ta mësuar dhe për aq sa i duhet e mësojnë. Po nuk mendoj se vështirësia në shqiptimin e një gjuhe lidhet me vështirësinë e vetë gjuhës. Ka gjuhë të vështira, për shembull ka gjuhë që ne nuk i kemi tingujt e arabishtes. Ne e kemi të vështirë të shqiptojmë ata që quhen tingujt grykor apo faringal. Nuk më duket se shqipja është kaq e vështirë. Unë kam përvoja shumë të mira me të huaj të kombësive të ndryshme që e kanë mësuar shqipen në nivele përsosmërie.

Mira Kazhani: Sa mirë, sepse nuk kam asnjë rast që të thotë që shqipja është e lehtë. Të gjithë “është shumë e vështirë gjuha shqipe”. Po ju keni eksperiencë, sepse jepni mësim të gjuhës shqipe në Arizona prej 20 vitesh.

Linda Mëniku: Po, sivjet festova 20-vjetorin e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Universitetin shtetëror të Arizonës.

Mira Kazhani: Kush vjen të mësojë shqip atje?

Linda Mëniku: Janë studentë amerikanë. Ka edhe studentë me origjinë shqiptare, sigurisht. Ka profesorë universiteti. Ka njerëz të cilët kanë një interes për të ardhur në Shqipëri, për të bërë kërkime. Nuk janë punonjës të qeverisë amerikane.

Mira Kazhani: Nuk janë të shërbimeve. (qesh)

Linda Mëniku: Jo. Ata kanë kurset e tyre të gjuhës shqipe. Po sistemi amerikan i shkollimit të universiteteve deri para një viti, se tani ka ndryshuar, ka pasur një nga kriteret marrjen e krediteve të gjuhëve. Dhe për të plotësuar numrin e krediteve studentët ishin të detyruar të zgjidhnin një gjuhë, të cilën mund ta ndiqnin gjatë vitit, ose mund ta ndiqnin në ato që janë kurse që ofrohen në verë. Ku jo të gjithë studentët qëndrojnë për të studiuar në verë. Zgjedhin të udhëtojnë në vendet e tyre, studentët e huaj, ose merren me punë. Po ka studentë të interesuar, edhe për shkak të karrierës së tyre. Ka njerëz që studiojnë një gjuhë të veçantë, pasi duan të merren me historinë e vendit, me arkeologjinë e vendit. Duan të merren me çështje të kulturës. Duan të shkruajnë tezat e tyre të masterit, ose të doktoratës për çështje që lidhen me një gjuhë të caktuar dhe brenda kësaj larmishmërie njerëzish, ka edhe njerëz që interesohen për shqipen. Kështu që unë duhet t`i falënderoj të gjithë, pasi është e rrallë që të gjesh njerëz që ta mësojnë shqipen mirë, por në radhë të parë të vënë zemrën e tyre në vlerësimin e kulturës shqiptare, në atë që ata shkruajnë. Ne kemi pasur gjithmonë në historinë tonë të huaj që e kanë vlerësuar kulturën shqiptare shpeshherë më shumë dhe se ne. Do t`u referohesha gjuhëtarëve gjermanë që ishin të parët që përcaktuan gjuhën shqipe si gjuhë indo-evropiane, si një gjuhët më të lashta, që vjen nga gjuhët më të lashta të botës. Kështu që edhe sot ka studiues të huaj që jo detyrimisht kanë marrë kursin e shqipes në Arizona, por që e njohin gjuhën shqipe. Japin kontributin e tyre në studimet që ata bëjnë. Për shembull, një nga studentet e mia ka qenë pjesë e grupit të arkeologëve në Universitetin e Miçiganit që po bëjnë një pune kërkimore shumë të rëndësishme në Kosovë. Ajo vetë po bën një temë doktorate për marrëdhëniet e Shqipërisë së Veriut me Jugun e Italisë. Ende nuk e di cilat janë rezultatet e kërkimit, por që do të ishte një punë që do të ndikonte në evidentimin, ose në faktimin e asaj që ne themi shpesh që kemi një kulturë të lashtë dhe vijmë nga popullsitë më të lashta të Ballkanit.

Mira Kazhani: Po, ne vijmë nga Ilirët. Nuk ke asnjë dyshim për këtë!

Linda Mëniku: Unë nuk kam asnjë dyshim që ne kemi qenë këtu prej mijëra vjeçarësh. Nuk kam asnjë dyshim që jemi pasardhës të një prej popullisve më të lashta që kanë jetuar në këtë zonë. Nuk dua t`iu hyj leksioneve të profesor Çabejt për autoktononinë, për emrat e vendeve apo toponomastikën, për emrat e njerëzve apo nomastikën. Për faktin që në të gjithë historiografinë botërore ilirët kanë ekzistuar, kanë qenë një popull shumë i rëndësishëm i kohës. Kanë lënë gjurmët e tyre në historinë botërore dhe këto janë fakte të padiskutueshme. Edhe për faktin që një pjesë e mirë e atyre që kanë qenë drejtues të Perandorisë Romake, por edhe të kishës kanë qenë me origjinë ilire. Unë shpesh e them në biseda që mjafton edhe një ngjashmëri e asaj çfarë bënin ilirët. Ilirët nuk merreshin vesh mirë mes fisive ilire… (qesh)

Mira Kazhani: Kjo më duket është dëshmi shumë e fortë (qesh)

Linda Mëniku: Dhe shpeshherë pushtimet kanë ndodhur pasi kanë arritur t`i përçajnë dhe pastaj ka triumfuar pushtimi i të tjerëve.

Mira Kazhani: Interesante! Mos më ik nga kjo, se është shumë e bukur!

Linda Mëniku: Jo, nuk do të iki nga kjo, por dua të them që ne i kemi trashëguar traditat e lashta. Ju e dini që kulti i diellit apo kulti i gjarprit që ilirët e kanë pasur, edhe sot ekziston. Në familjet shqiptare deri vonë gjarpri nuk prekej. Ishte gjarpri i familjes që tregon një marrëdhënie të fortë. Gjuha mbetet dëshmi e një lashtësie, kështu që unë personalisht nuk kam asnjë mëdyshje që në gjuhën tonë kanë mbetur dëshmi të kësaj, në kulturën, tonë dhe në legjendat tona kanë mbetur gjurmë të kësaj popullsie të lashtë.

Mira Kazhani: Edhe përçarja është dëshmi. E paskemi në ADN këtë që nuk merremi vesh me njëri tjetrin.

Linda Mëniku: Nuk dua të kaloj në çështjet e gjenetikës. (qesh) Po është interesante kur i lexon dhe kupton që sigurisht që pushtimet vijnë për shkak të përçarjes. Nuk ka ndodhur vetëm në historinë e ilirëve, por edhe të botës moderne. Por që nuk kemi ndryshuar shumë do të thosha unë.

Mira Kazhani: Linda, ngjan shqipja me ilirishten?

Linda Mëniku: Është e vërtetuar nga pjesa më e madhe e studiuesve, sigurisht që ka edhe një tezë tjetër për shkak të ngjashmërisë së fjalës shqipe me trakishten. Është një tezë atrakase, që nuk është pranuar gjerësisht nga studiuesit shqiptarë, pranohet teza ilire. Për fat të keq ka një numër jo shumë të madh fjalësh ilire të dokumentuara. Janë gjetur në zonën e mesapëve në Italinë e Jugut. Janë gjetur disa mbishkrime në varre. Për shembull një nga mbishkrimet që përmend profesor çabej është një mbishkrim në një varr: “Teodorida Teodori bilja”, që lidhet me fjalën “bijë” dhe e gjen në këtë variant, edhe tek çamët dhe arbëreshët. Do të thotë “Teodorida bija e Teodorit”. Mbishkrimet janë emrat e njerëzve të cilat i bëjnë studiuesit të mendojnë që vërtet mes shqipes dhe ilirishtes ka një marrëdhënie bijësie. Pra që shqipja është një bijë e ilirishtes. Këtu do të thosha një gjë shumë të rëndësishme që ne ende sot nuk kemi dëshmi të mbishkrimeve ilire në Ballkan. Ka diskutime edhe për këtë. Ka njerëz që mbishkrime të caktuara mendojnë se ndoshta shpjegohen nëpërmjet ilirishtes. Unë di profesorë të universiteteve amerikane që në studimet e tyre përpiqen që të shpjegojnë shumë elemente të panjohura të linearit A dhe B. Nuk po u hyj këtyre studimeve, sepse unë nuk jam e fushës së arkeologjisë. Përpiqem t`i shpjegoj nëpërmjet shqipes. Po ajo që mungon sot dhe që ka një keqpërdorim dhe mungesë vëmendje, por dhe një shkatërrim të kulturës shqiptare është fakti që ne nuk ruajmë atë çfarë del nga gërmimet që bëhen për pallatet e reja. I groposim. Kemi shkatërruar lagjen e vilave romake në Durrës. Portikun e Durrësit e kemi futur në një restorant dhe murin antik të qytetit, i cili në një shtet tjetër do të ishte një pikë shumë e rëndësishme turistike. Nuk i kushtojmë rëndësi pikërisht dokumentimit të së shkuarës tonë. Se është tjetër gjë të flasësh, tjetër gjë ta dokumentosh. Për shembull, e them shpesh, e ka thënë profesor Kristo Frashëri në studimin e tij për Tiranën, që kalaja që është në qendër të Tiranës do duhej të gërmohej, sepse ai realisht mendonte se gërmimi i kalasë do të jepte përgjigje për shumë pyetje. Ai mendon se mund të jetë e lidhur me tyrkanon, me të etruskishtes. Fakti që Tirana është e rrethuar nga 12 kështjella, kala rreth saj, tregon që ka qenë një zonë shumë e rëndësishme në historinë tonë të së shkuarës. A ka mundësi për të bërë gërmime? Tashmë jo më. Për shkak të zgjedhjes që është bërë. Po gjithsesi nëse do të gërmohej dhe nëse do të merreshin në konsideratë të gjitha kalatë e Shqipërisë, objektet arkeologjike të lëna shpesh edhe në harresë, historia e Shqipërisë do të ndryshonte rrënjësisht. Unë jam e bindur për këtë dhe ndjej keqardhje të vazhdueshme për faktin që ne nuk kuptojmë që ajo që ne i ofrojmë botës ndryshe është e shkuara jonë. Janë këto objektet arkeologjike që të tjerët nuk i kanë. Beton ka e gjithë bota. Gradaçela. Rrokaqiej, qiellgërvishtës ka e gjithë bota. Ne duhet të ruajmë atë që është e jona, që për fat të keq po zhduket.

Mira Kazhani: Ndërkohë që po dëgjoja nga ilirët deri tani, edhe pamundësinë për të gjetur dokumente, për të gjetur gjurmë dhe rrënjë, pra vetëm në pllakat e varrit, ndoshta e kemi në ADN edhe këtë që e kemi problem të ruajmë…

Linda Mëniku: Ne jemi një popull i vogël për fat të keq, por jemi popull që mbijetojmë.

Mira Kazhani: Po, mbijetues, shumë.

Linda Mëniku: Dhe të mendosh që ne kemi kaluar 500 vite pushtim vetëm të Perandorisë Otomane. Po kemi kaluar pushtimin romak. Shqipëria ka një histori mijëra vjeçare pushtimesh dhe të ruash gjuhën në mijëra vite është një gjë e jashtëzakonshme fakti që ka ndodhur me gjuhën shqipe sikurse ka ndodhur edhe me gjuhë të tjera të popujve të vegjël, kështu që nuk do të thosha që e kemi në ADN. Për fat të keq është ajo që thotë Faik Konica që Shqipëria është krijuar nga Zoti, ka mbijetuar nga rastësia, por ndoshta do ta shkatërrojnë politikanët. Më kujtohen shpesh fjalët e Konicës kur ka bërë një përshkrim jashtëzakonisht të bukur të mallit për Atdheun, për Mëmëdheun. Ku flet për marrëdhënien që njeriu ka me mungesën e Shqipërisë. Kur ikën jashtë, mbasi kënaqet syri, mrekullohet nga gjithçka tjetër, dalëngadalë të gjitha fashiten dhe e merr malli.

Mira Kazhani: Të mungon vuajtja. Edhe unë kur e kam lexuar këtë pjesë më ka ngelur mendja. Se tha 9 muajt e parë je i afashinuar, je i mahnitur nga kafenetë, nga lukset e jetës dhe pastaj fillon dhe të gërryen ajo vuajtja që ke lënë atje. Është vendi, vendi.

Linda Mëniku: Konica e shpjegon shumë bukur. Është dëshira dhe etja për gjuhën shqipe thotë. Janë kujtimet e fëmijërisë. Janë ato malet e Shqipërisë.

Mira Kazhani: Përmende pak më parë disa komunitete dhe është e vërtetë, është e admirueshme kur shoh fëmijë shqiptarësh që janë lindur dhe rritur në emigracion dhe flasin ndoshta jo shqipen e këtushme, se ka një lloj fonetike, një lloj shqiptimi pak më të vështirë dikush që është rritur në Angli, sipas thekseve dhe aksenteve të tyre. Po sikundër ka shumë që nuk flasin shqip. Mund të kuptojnë po nuk flasin asnjë fjalë shqip. Ke shumë në Tiranë që i dëgjon në parqe, në restorante që prindërit iu flasin në anglisht edhe pse janë shqiptarë. Anglishtja tashmë është shumë e gjerë. Është gjuha e botës. Tek fëmijët më shumë e kam këtë. Pse po flasin kaq shumë anglisht, përveç shkollës? Është prej iPad? Është ndoshta një fleksibilitet cerebral? Në mendje është më e lehtë të flasësh anglisht? Muzika?

Linda Mëniku: Gjërat ndryshojnë me ndryshimin e ngjarjeve historike. Dikur ka qenë frëngjishtja gjuha e diplomacisë. Italishtja ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme në periudhë e Rilindjes. Sot është anglishtja për shkak të zhvillimit ekonomik të jashtëzakoshëm, zhvillimit teknologjik të jashtëzakonshëm. Sot Amerikën ata e quajnë një vend ku janë përzierë gjithë kulturat, e quajnë “melting pot”. Anglishtja, po flasim për ndikimin e sotëm, nuk po flasim për ndikimin që ka pasur anglishtja nëpërmjet politikave koloniale të Britanisë së Madhe dhe gjithçkaje që ka ndodhur më përpara, por anglishtja sot, sepse është teknologjia. Teknologjia sot merret e gjitha në gjuhën angleze. Lojërat për shembull që kanë një ndikim sot të jashtëzakonshëm, janë të gjitha në gjuhën angleze dhe e kanë shumë më të lehtë kur luajnë me njëri-tjetrin të përdorin termat e lojës në anglisht. Sot është epoka e videove. Njerëzit lexojnë pak, por shohin shumë video. TikTok-u ka krijuar një përmasë të re të botës dhe sigurisht që edhe shprehjet e njerëzve sot janë shumë herë në anglisht. Për shembull “Friends”, një nga serialet më të njohur në botë, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe shumë vende të botës, të rinjtë njohin më shumë batutat e “Friends” sesa batutat e kinematografisë shqiptare. Pse? Është ndikimi i jashtëzakonshëm i kinematografisë amerikane.

Mira Kazhani: Siç ka qenë “Shi në plazh” për ne apo “Pallati 176”.

Linda Mëniku: Siç ka qenë kinematografia shqiptare. Njerëzit ruajnë batutën në gjuhën nga e marrin. Sot është ndikimi i Hollivudit i jashtëzakonshëm, i kulturës amerikane në përgjithësi, e cila ruhet në mënyra të ndryshme. Për shembull italianët i dublojnë filmat. Kanë politikën e dublimit të filmave. Nuk i lënë në anglisht.

Mira Kazhani: Mua më duket e mërzitshme, ose siç themi shpesh “boring”.

Linda Mëniku: Është e mërzitshme. Nuk e ka bukurinë e origjinalit ndoshta, por ato kanë politikën e ruajtjes së gjuhës së tyre. Gjithçka që ata i japin teleshikuesit italian ia japin në gjuhën italiane.

Mira Kazhani: Meloni ndryshoi edhe ligjin. E ka bërë me detyrim. Nuk lejojnë më asgjë, as termat në anglisht.

Linda Mëniku: Ata mendojnë edhe gjoba shumë të forta, por atje është një dukuri tjetër. Atje ka studiues. Ka institucione që punojnë në atë që është pasurimi i gjuhës. Për shembull në një nga artikujt e profesor Çabejt për pasurimin e gjuhës, ai përmend një fakt historik të rëndësishëm që irlandezët kur u ndanë nga Britania e Madhe, studiuesit, gjuhëtarët hapën arkivat e pluhurosura të teksteve të vjetra dhe rikthyen, risollën në jetë fjalë të vjetra, të harruara. Për t`i dhënë mundësi irlandishtes që të mbijetonte. Të njëjtën gjë mund të bëjmë ne në Shqipëri.

Mira Kazhani: Siç ka bërë Ismail Kadare me gjuhën shqipe.

Linda Mëniku: Ismail Kadare është edhe një krijues shumë i mirë i fjalëve të gjuhës shqipe. Ka shumë fjalë që ai i ka përdorur, i përdor që janë futur në fjalor një pjesë, por që mund të përdoren më gjerësisht. Se nuk është puna që futet në një libër. Puna është cila është frekuenca e përdorimit të fjalës. Kadare për shembull vetë e thotë që shqiptarët janë themelues dhe bartës të një prej 10 gjuhëve më të lashta të botës. Nuk vë në diskutim fare këtë gjë. Ajo që Kadare ka bërë me gjuhën dhe me kulturën është se ka rindërtuar atë Shqipërinë e ëndrrave, Shqipërinë e rëndësishme të asaj periudhe që realisht ka qenë. Po nuk është lehtësisht e dokumentueshme. Ai i përshkruan personazhet e tij si në kërkim të arkivave të familjes. Ka një personazh tek “Kush e solli Doruntinën” që hap arkivën e familjes dhe gjen ato tekstet e vjetra, hartat e vjetra, atë pemën e vjetër të familjes. Se indirekt ai u jep lexuesve të tij shqiptarë dhe të huaj idenë e një Shqipërie…

Mira Kazhani: Ai e ka rindërtuar…

Linda Mëniku: Sigurisht që nuk mund të ta rindërtojnë ata që të kanë pushtuar dhe që kanë dashur të të imponojnë kulturën e tyre, por e ka rindërtuar ashtu si ai ka menduar. Unë besoj një nga vlerat e Kadaresë është bukuria e gjuhës shqipe dhe pikërisht dhe ky rindërtim i historisë të së shkuarës të Shqipërisë, të mbijetesës në fakt. Të një kulture në përpjekje mbijetese të vazhdueshme.

Mira Kazhani: Është vërtet ashtu, e tregon koha që edhe pse një vend dhe popull kaq i vogël, shqipja ka mbijetuar. A mendon se do t`i mbijetojë edhe revolucionit teknologjik me anglishten? E sheh pas 50 vitesh Shqipërinë duke folur shqip? Këta fëmijë që po flasin më shumë anglisht sot do flasin shqip?

Linda Mëniku: Shqipja është gjuha e zemrës. Është gjuha e prindërve, e fëmijërisë, e marrëdhënieve me njerëzit më të afërt, më të dashur. Kështu që njerëzit edhe kur largohen nga Shqipëria marrin kujtimet, dashurinë, por edhe gjuhën me vete. Gjuhën që ia transmetojnë fëmijëve. A e kanë më të lehtë ata të flasin anglisht? Sa kohë që janë në Shqipëri dhe sa kohë që jetojnë në këtë mjedis, sigurisht që shqipja është gjuha mbizotëruese. Unë mendoj që ndikimi i anglishtes do të ndryshojë. Ka arritur në majën e vet.

Mira Kazhani: Do bëjë kurbën e saj.

Linda Mëniku: Ndoshta do të bjerë. Po gjuhët mbijetojnë. Gjuhët mbijetojnë në mënyrat e tyre. Janë ca mekanizma të fshehtë të mbijetesës së tyre. Nuk është se e kemi vetëm ne problem a do të flasë rinia në 50 vitet e ardhshme anglisht apo shqip. E kanë problem edhe vende më të mëdha. E ka problem Italia që është me miliona banorë. Po që në thelb, ajo që nuk i ndryshon gjuhës që është shumë e vështirë për të ndryshuar, është gramatika. Sado që të jetë ndikimi i fjalëve që hyjnë apo i përdorimit të një gjuhe tjetër, gramatika e një gjuhe mbetet, mbetet shumë më pak e ndryshueshme. Të gjitha fjalët që ne i marrim nga anglishtja ne i fusim në sistemin e lakimit apo zgjedhimin e gjuhës shqipe. Për fat të mirë tashmë kemi krijuar një terminologji edhe në informatikë në gjuhën shqipe. Themi shkarkoje, ngarkoje, ruaje, por edhe kur e thoshim dikur “Download-oje” e vendosnim prapashtesën e shqipes. Shqetësimi i të gjithëve është emigracioni i madh që ne po kalojmë. Popullsia e Shqipërisë është parashikuar të jetë diku tek 1 milion, nëse ecim me këto ritme dhe 800 mijë banorë. Kthehemi në fillim shekullin e 20-të. Kur në vitin 1923 kemi qenë 800 mijë banorë dhe ai që duhet të jetë shqetësim dhe që duhet të punojnë gjuhëtarët, por që bëhet me projekte shtetërore. Kështu që nëse nuk investohet në kinematografi, nuk investohet në art, nuk investohet në gjithçka shqip është e vështirë të thuash me saktësi se çfarë do të ndodhë. Besoj i kemi mbijetuar mijëvjeçarëve. Do i mbijetojmë edhe teknologjisë. Por kemi mundësi. Nëse dikur ishim nën pushtues, jemi prej 1912-ës një shtet i lirë dhe duhet të bëjmë shumë më shumë sesa bëjmë për kulturën shqiptare. Kemi pasur vitet e fundit arritje shumë të mëdha. Xhubleta u fut në Unesco, por humbëm lahutën për shembull. E kanë vënë serbët. E kanë si pasuri të tyren ndërkohë që në Serbi nuk dokumentohet përdorimi i saj, ndërsa në Shqipëri vazhdon dokumentohet. Mund të kishte qenë, sepse kush aplikon i pari me dosje…

Mira Kazhani: Këmbëshpejti punëmbaruari. Në këtë rast serbi.

Linda Mëniku: Është pikërisht kështu. Të tilla gjëra bëhet vetëm me investime shtetërore.

Mira Kazhani: Vajza e një shoqes time që jeton në Amerikë ishte me pushime këtë verë, edhe më tha: I keni ashensorët të vegjël në Shqipëri dhe “You people talk over each other, albanian people”. (qesh) Ne flasim mbi njëri-tjetrin, mbivendosemi. Është një gjë që ndodh rëndom, por sidomos ndjehet shumë ekraneve, në televizion. Edhe pse e ndërroj shpesh pultin pastaj.

Linda Mëniku: Ajo është çështje komunikimi, çështje e respektit që kemi ndaj tjetrit, çështje e të qenit të vetëdijshëm që ne jemi, unë jam më i miri, unë them mendimin tim. Ajo është një mënyrë komunikimi që mësohet që në vegjëli. Mësohet në kopsht, në shkollë, në familje në radhë të parë. Mësohet kudo. Ne e kemi këtë prirjen që përpiqemi të flasim shumë, mos të dëgjojmë tjetrin. Duke krijuar këtë kakofoninë e zërave mendojmë se kemi pasur një ndikim. Është edhe çështja se si televizionet sot e perceptojnë mënyrën se si ndikojnë tek publiku dhe çfarë synimesh kanë edhe ata që dalin. Ka njerëz që sot i quajnë zhurmues.

Mira Kazhani: Besojnë tek zhurma. Me zhurmën kanë ecur mirë.

Linda Mëniku: Dalin flasin nëpërmjet të bërit zhurmues, por pastaj i sheh dhe është shumë e thjeshtë për të kuptuar që nga zhurmues bëhet dikushi në politikë dhe e kupton që është paguar për zhurmën që ka bërë. Po përtej kësaj e kemi këtë.

Mira Kazhani: Mendo për shembull, këtë shtëpinë, këtë pronën këtu e kam nga zhurma. Këto pushimet i bëra falë zhurmës time.

Linda Mëniku: Ka njerëz shumë të zhurmshëm, që me zhurmën e tyre ia kanë dalë.

Është çështje e edukatës, e respektit. Ne e kemi humbur për fat të keq edhe mënyrën e komunikimit. Ne flasim me njëri tjetrin me ti. Nuk kemi ato që i quajmë regjistra gjuhësorë që i drejtohesh me “ti” bashkëmoshatarit. I drejtohesh me “ju” një personi më të rritur, një personi që ka një funksion pavarësisht a e pëlqen, a s`e pëlqen personin që drejton. Ke detyrimin ta respektosh si përfaqësues të shtetit në nivelin më të lartë. Je i detyruar t`i drejtohesh me “ju” dhe me fjalë respekti. Kjo ka humbur. Në Shqipëri njerëzit përdorin të gjithë “ti-në”. Edhe nëse nuk e përdorin direkt, përdorin foljet në vetën e dytë të njëjësit. Nuk e di nëse na erdhi për shkak të komunizmit ku ishim të gjithë “shokë e shoqe” dhe ajo barazia e përgjithshme na i fshiu marrëdhëniet e komunikimit apo ndodhi në këtë periudhën kaotike pas të ashtuquajturës rënie të komunizmit, sepse nuk besoj se ka rënë plotësisht. Pavarësisht të gjithave kultura të bën ndryshe. Të bën një njeri që mund të thuash të njëjtën gjë, por ta thuash me shumë edukatë. Pra nëse ne po flasim për bukurinë e shqipes, për ruajtjen e shqipes, nuk e bën një njeri i vetëm. E bën e gjithë shoqëria bashkë. Por atë që bën politika është që ka politika të caktuara shtetërore, investime të caktuara të cilat mund t`i japin realisht një zhvillim ndryshe kulturës shqiptare, qytetarisë në Shqipëri. Në këtë prizëm e kam. Nuk e kam thjesht në faktin që modelimi politik është nga një individ i caktuar. Është e gjithë shoqëria. Është një shoqëri shumë e vogël. Ne zyrtarisht jemi 2.7 milionë. Besoj se jemi 2.1 milionë. Nuk besoj se jemi më shumë.

Mira Kazhani: Po bëhet Censusi. Ta shohim.

Linda Mëniku: Po jemi pak.

Mira Kazhani: Zyshë Linda, nuk e di nëse e ke vënë re. Je vazhdimisht në auditore, më duket mua, qofsha e gabuar, por Gen Z (Gjenerata Z) ka një shqipe që e artikulon shumë ndryshe nga koha jonë. Hanë ndoshta disa zanore apo bashkëtingëllore.

Linda Mëniku: Unë kam përshtypjen që varet shumë edhe nga mënyra si modelon pedagogu. Pra nëse ne përpiqemi që të flasim një shqipe të pastër, të thjeshtë, por një shqipe që ua kërkojmë edhe studentëve, ata përgjigjen me të njëjtën mënyrë. A flasin ata, artikulojnë ndryshe? Sigurisht që ndikimi i intonacionit të anglishtes është shtuar. Ta kap veshi kur flasin me njëri tjetrin që përdorin fjalë të shkëputura të gjuhën angleze të cilat ndikojnë. Po në përgjithësi më shumë është futja e fjalëve të anglishtes sesa ndikim në intonacionin e përgjithshëm apo në tinguj. Nuk e ndjej kaq shumë në auditore.

Mira Kazhani: Unë në televizion, Instagram dhe TikTok e ndjej më shumë. Një e folur nxitimthi dhe fjalët nuk përkëdhelen fare.

Linda Mëniku: Atje është një situatë tjetër. Duhet të kuptoni një gjë. Në të gjitha emisionet e fundit që janë të modeluara sipas emisioneve të botës…

Mira Kazhani: Fjalës “njeri” i thonë “njëri”.

Linda Mëniku: Ka shumë shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që vijnë. Kanë atë ndikimin e theksit të një gjuhe tjetër. Ata bëhen interesantë për publikun. Ndoshta është edhe kjo një mënyrë, sepse rinia i ndjek këto.

Mira Kazhani: Jo, ajo është tjetër. Ajo është e këndshme.

Linda Mëniku: Jo, po është çështje edhe ajo e modelimit. Më shumë është ndikimi i fjalëve të shkëputura të anglishtes. Për shembull “like” e përdorin rregullisht edhe kur përgjigjen në mësim, sepse është bërë pjesë e fjalorit të tyre.

Mira Kazhani: Nuk ka problem për këtë? Mund të pajtohemi me disa fjalë që i themi të gjithë. Për të qenë “safe”, e them shpesh edhe unë.

Linda Mëniku: Është çështje personale, si e përdor gjuhën pastaj. A do ta pranosh. A e kupton tjetrin. Nëse ai e përdor “like” me gjyshin, me gjyshen, me kushërinj nuk e kupton njeri. Ai është i detyruar ta ndryshojë leksikun në varësi të personit me të cilin komunikon. Kështu që është çështje brezash.

Mira Kazhani: Këtu duhet studimi. Këtu duhet shteti. S`mjafton një podcast, as një pedagoge e mirë. (qesh)

Linda Mëniku: Këtu duhet shteti për të investuar tek pedagogët. Mësuesit bëjnë punën e tyre. Janë shumë të rëndësishëm, por dashurinë për letërsinë shqipe, për identitetin kombëtar nuk mund t`ia japë thjesht mësuesi i letërsisë. Duhet të jetë shumë më e gjerë, shumë me e thellë se kaq. Është çështje dashurie, e do apo s`e do. A të bën ty të qash flamuri kombëtar? A e këndon atë këngën “Mora fjalë për Adem Jasharin” dhe ngre peshë stadiumin? Po e ndiqja me shumë vëmendje ndeshjen edhe këngën që u këndua, ishte i gjithë stadiumi në korr. Pra ishte rinia që e dinte atë dhe ajo ka fjalë shumë të bukura si këngë dhe tregon që nëse do t`i japësh një përmasë tjetër shpirtërore rinisë, ia jep. Teksti i asaj kënge për shembull është vërtet i bukur.

Mira Kazhani: Edhe i Hajredin Pashës është shumë i bukur

Linda Mëniku: Shkon deri tek zogjtë e malit edhe rikthen legjendat, rikthen elementë, balada që ata ndoshta i kanë bërë në shkolla, por ti ua rikthen ndryshe. Prandaj kanë rëndësi edhe tekstet e këngëve. Ka sot studime që bëhen për tekstet e këngëve. Sa e ruajnë bukurinë e tyre. Italishtja vazhdon e mban. Italianët vazhdojnë i kushtojnë rëndësi poezisë së këngëve. Mund t`i kushtohet rëndësi, por nga ana tjetër nuk mund ta ndikosh atë tjetrin që e ka për treg, për marketim këngën, që t`i thuash do ta shkruash, do ta bësh tani vetëm gegnisht, nuk do futësh asnjë fjalë anglisht. Mekanizmat nuk mund të shkojnë deri këtu.

Mira Kazhani: Jo, jo. Dua Lipa do këndojë anglisht. Po këndoi një refren në shqip, qejfi na bëhet.

Linda Mëniku: Dua Lipa ka bërë mjaftueshëm për Shqipërinë.

Mira Kazhani: Ka bërë shumë për Shqipërinë

Linda Mëniku: Një meritë e jashtëzakonshme. Vetëm me emrin e saj Dua, që ata që e duan si këngëtare, e dinë që Dua në shqip ka një kuptim të caktuar dhe mjafton kaq. Ose Rita Ora me mbiemrin e vet “Ora” që sigurisht e ka ndryshuar, se e ka pasur Sahatçiu. I ka treguar botës – edhe pse “ora” nuk është vetëm në gjuhën shqipe, e ka edhe italishtja dhe gjuhë të tjera latine – por ja ky është ndikimi i të qenit patriot në mënyra të ndryshme. Dua nuk ka nevojë të flasë shqip, por mjafton të dalë dhe të kërcejë një valle shqiptare dhe të tregojë e të tregojë. Kështu që një meritë e jashtëzakonshme e vajzave të Kosovës.

Mira Kazhani: Këto gocat na kanë bërë aq shumë punë për hir të së vërtetës.
Për ta mbyllur, cila është fjala jote e preferuar në shqip përveç “faleminderit” qe e kuptova që në fillim…

Linda Mëniku: Mua më pëlqen shumë edhe fjala “tungjatjeta”, që ka përfunduar “tung”. Edhe ajo “tung” s`ka asnjë kuptim, por “tungjatjeta” është një nga fjalët e bukura të shqipes. Shqipja ka këto fjalët që ne i quajmë dhe të përngjitura, por edhe të përbëra ku ti transmeton shumë. T`i thuash një njeriu të të zgjatet jeta është një shprehje shumë e bukur. Gjëra të tilla mund të rikthehen në gjuhë, sepse fillon si prirje. Fillojnë njerëzit e përmendin, tungjatjeta, tungjatjeta dhe ajo hyn. Ky shqetësimi që ne kemi sot nuk është shqetësim vetëm i yni. Pjetër Budi në 1618-ën ankohej që njerëzit për shkak të pakujdesisë nuk po e përdornin bukur gjuhën shqipe. Bogdani, një nga njerëzit e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, me një shqipe të mrekullueshme thoshte bëra punë të madhe që të përdorja këto fjalë. Frank Bardhi thotë gjuha jonë po prishet. Kështu që ka qenë një shqetësim ky i hershëm.

Mira Kazhani: Gjithmonë jemi ankuar dhe kjo tregon që e duam shumë. Kemi merak për të.

Linda Mëniku: E duam shumë. Kështu që këto fjalët e bukura të shqipes që kanë qenë mund të rifuten, por nuk rifuten me normativë gjuhësore, po mund të futen në gjuhën e administratës. Mund të futen me shkresa, siç e bën Franca. Njëherë në disa kohë bën listën e fjalëve që duhet të futen në gjuhën e administratës dhe i miraton. Fjalë të cilat ata i quajnë neologjizma, i marrin i përkthejnë nga gjuha angleze.

Mira Kazhani: A po fusim ne fjalë të reja? A po i regjistrojmë diku apo varja (qesh). Se është kjo fjala, nuk e di sa e përdor.

Linda Mëniku: E dëgjon shpesh të përdorur, por nuk më pëlqen fare, sepse më thonë pse këmbëngul kaq shumë? Thashë, po nëse vazhdoni me këtë teorinë: Pune e madhe kjo, punë e madhe ajo, mos t`i kushtojmë rëndësi kësaj, mos t`i kushtojmë rëndësi asaj dhe asnjëri të mos bëjë atë detyrë të cilën ka marrë përsipër për ta bërë… Ka qenë zgjedhje e mirë ose e gabuar është çështje shumë e gjerë. Gjërat ikin dhe është shumë e vështirë që ti t`i kthesh pastaj atje ku do.

Mira Kazhani: Sa bukur e the! Faleminderit!

Linda Mëniku: Faleminderit juve!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *