Gjilpërat që (s`) vrasin bukurinë

Në këtë episod të ZëMeMirënPodcast do të dëgjoni dy mjekë që janë edhe çift në jetë. Rezarta Kapaj dhe Burak Koza do tregojnë sekretet e bukurisë, gjilpërat, të mirat dhe të këqijat, gabimet dhe korrigjimet dhe sidomos keqkuptimet më të mëdha të kohës së sotme për pamjen e jashtme.

Çfarë po zhduket, çfarë po vjen dhe çfarë nuk kthehet kurrë më si më parë?

Cila quhet sot një vajzë, grua, e bukur?

Burrat që bëjnë botoks dhe vajzat e vogla që kërkojnë të jenë Barbie.

A po e vrasim bukurinë me gjilpëra në përpjekje për ta shpëtuar?

Cila është ndërhyrja që bëjnë në Hollivud, por syri i lirë nuk e kupton?!

Ozempic apo Fasting?

Po truri si punon në varësi të ushqimit? Si ndizet ai dhe si fiket…?

Si do duken njerëzit pas disa dekadash?

Dëgjoni bisedën me genuinë, por dhe me profesionistë. Ajo shqiptare dhe ai turk që flet shqip, por sidomos troç.

Unë e kam shijuar pafund dhe i kam vëth në vesh këshillat e tyre.

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Unë do ta nis me bukurinë edhe pyetjen për ju, se me atë e nisa edhe këtë podcast. Rezi, për një doktoreshë estetike, për një kirurge të plastikës, çfarë është një grua e bukur?

Rezarta Kapaj: Kjo në fakt është një pyetje multidimensionale. Ekziston një fjalë që thotë se bukuria është në syrin e atij që e shikon. Është diçka shumë subjektive bukuria. Megjithatë ka disa kritere që janë vendosur që prej kohësh. Nëqoftëse flasim për gruan e bukur, simbol i bukurisë është Grace Kelly. Është më e bukura nga të gjitha fytyrat që janë parë deri tani. Ajo është me të gjitha proporcionet perfekte. Përveç bukurisë natyrale ka edhe një elegancë në të qëndruar, qafë të gjatë. Gratë bëjnë shumë gjëra për të qenë të bukura…

Mira Kazhani: Po, po e dimë. Ti e di më mirë nga të gjithë (qesh). Çfarë kërkojnë më shumë gratë?

Rezarta Kapaj: Sot për sot gratë janë shumë të fokusuara tek trupi. Kërkojnë shumë që të jenë në dimensione pothuajse të pamundura. Kërkohen shumë operacionet e trupit liposuksioni, abdominoplastika, operacionet e gjoksit. Ndërkohë që ka shumë operacione të cilat pak a shumë po dalin nga moda, siç janë operacionet e zmadhimit të vitheve, që kërkohet e palestruar, por nuk e kërkojnë më atë dimensionin e jashtëzakonshëm që kërkonin përpara tre-katër vitesh të themi.

Mira Kazhani: Bëhet një vithe e palestruar tek doktori?

Rezarta Kapaj: Po (qesh)

Mira Kazhani: Mos më thuaj! (qesh)

Rezarta Kapaj: Asgjë nuk është e pamundur. Ka disa gjëra që janë të pamundura.

Mira Kazhani: Çfarë është e pamundur?

Rezarta Kapaj: Për shembull të heqësh një shenjë e cila është krijuar në trup, është e pamundur akoma.

Mira Kazhani: Të bësh gabime?

Rezarta Kapaj: Jo, mbasi bën një operacion, një shenjë e cila ka mbetur në trup është e pamundur të zhduket. Nuk shuhet asnjëherë totalisht. Mund të zbehet, por asnjëherë nuk shuhet 100%. Një shenjë e vjetër djegjeje është akoma më e pamundur të hiqet. Janë disa ndërhyrje që akoma nuk janë arritur dot.

Mira Kazhani: Do t`i marrim me radhë të gjitha, po unë nuk dua ta humb edhe Burakun me një thënie për bukurinë. Çfarë është një grua e bukur për Burakun?

Burak Koza: Më e bukur, gruaja jote (qesh)

Mira Kazhani: Rezi domethënë është më e bukura?

Burak Koza: Po.

Mira Kazhani: E bukur është Rezi shumë.

Rezarta Kapaj: Përgjigje diplomatike.

Mira Kazhani: Në fakt është e vërtetë. E bukur është ajo që na pëlqen. Ajo që duam ne. Merr sytë e mi dhe shikoje, thotë populli shqiptar. Në Turqi e kanë këtë si shprehje?

Rezarta Kapaj: Po, po e kanë. Ekzaktësisht e njëjta shprehje.

Mira Kazhani: Ashtu? Epo mirë, është e shpjegueshme.

Rezi, shumë flitet për standardet e bukurisë sot. Më bën përshtypje, Hollivudi ndryshe nga Instagrami, nuk i ka përqafuar shumë ndërhyrjet kirurgjikale. Ato të dukshmet, drastiket, se me siguri të gjithë kanë doktorin e tyre. Kujdesen shumë për pamjen. Po shikon një lloj freskie. Shikon edhe buzë të holla. Shikon pak rrudha në ballë. Ralph Lauren e hapi sfilatën në Nju Jork me ish-modelen Christy Turlington, 54 vjeç, me pak thinja, me pak rrudha. Ishte e qëllimshme, por shumë sharmante. Jo të gjitha janë moshuar aq bukur sa ajo.

Rezarta Kapaj: Në fakt Hollivudi është duke përqafuar moshimin natyral, por që në fakt nuk është dhe aq natyral. Gjatë gjithë kohës, të gjitha aktoret, përveç momenteve që janë duke xhiruar, patjetër që përqafojnë mënyra të ndryshme të rinimit. Bëjnë procedura invazive dhe minimal invazive, gjithmonë duke qëndruar brenda kornizës. Për një aktore Hollivudi dhe për një aktore shqiptare është shumë e rëndësishme që të qëndrojnë brenda fytyrës së vet, sepse me atë fytyrë identifikohet. Ka dy lloj kategorish në Hollivud. Kategoria e parë, e cila bëjnë operacione që përpara se të bëhen të famshme dhe identifikohen me atë fytyrë. Në përgjithësi, të gjitha ndërhyrjet të cilat kanë përfunduar me një ndryshim të theksuar të portretit kanë përfunduar me një humbje të punës pastaj në Hollivud. Kjo është diçka që njihet. Kështu që edhe aktoret e Hollivudit, të cilat duket sikur janë natyrale, në fakt nuk janë dhe aq natyrale. Pika ku mund të flitet për një ndryshim midis Instagramit dhe Hollivudit është pika ku në njëfarë mënyre bëhet një kirurgji, e cila është kaq e suksesshme sa që syri i patrajnuar këtë kirurgji nuk arrin ta dallojë. Për kirurgët plastikë kjo është kirurgjia më e vështirë për t`u bërë. Kjo është kirurgjia më e suksesshme, që një sy i cili nuk është i trajnuar të mos e dallojë dot që ajo fytyrë është operuar, ose ai trup është operuar.

Mira Kazhani: Këto janë ndërhyrje atëherë.

Rezarta Kapaj: Kjo nuk diskutohet.

Mira Kazhani: Tani ma shuaj kuriozitetin. Si profesioniste, Jennifer Lopez ka bërë gjë?

Rezarta Kapaj: Patjetër që ka bërë.

Mira Kazhani: Vërtet? Se ajo duket sikur është thjesht e kururar. Ben Affleck thotë ha pasta dhe bën shumë palestër, por ka edhe këtë faktorin mbinjeri ajo, po ne nuk e dimë.

Rezarta Kapaj: Sigurisht që ka bërë diçka. Kjo nuk diskutohet. Është e pamundur që një person të ketë atë portret dhe atë trup dhe atë lloj tërheqje të fytyrës. Nuk është e arritshme.

Mira Kazhani: Po i ka rrudhat.

Rezarta Kapaj: Nuk është vetëm çështja e rrudhave. Plakja kryesore, sidomos tek aktoret nuk dallohet nga rrudhat. Ato rrudhat mundohen që t`i mbajnë. Në përgjithësi ajo që vlen në Hollivud është që midis roleve ato të bëjnë botokse në mënyrë që të mos dallohen. Gjatë kohës që ato bëjnë rolin sigurisht që nuk duhet të jenë të botoksuara, sepse duhet të kenë mimikën. Ndërsa gjatë kohës që janë pa aktruar, në atë kohë i bëjnë procedurat që kanë për të bërë, për të ruajtur freskinë. Në përgjithësi rrudhat ato mundohen që t`i ruajnë. Gjëja kryesore që e shfaq plakjen në Hollivud zakonisht është pjesa e nofullës. Dhe pjesën e nofullës të gjitha aktoret, edhe ato që janë 75-vjeçare e kanë të tërhequr. Kjo arrihet me kirurgji.

Mira Kazhani: Edhe Meryl Streep e ka të tërhequr. Edhe Helen Mirren e ka të tërhequr. Kanë rrudha, por…

Rezarta Kapaj: Ekzakt. Pjesën e nofullës dhe pjesën e mollëzës e kanë të ngritur. Kjo është një strukturë e cila tregon rininë. Ne të gjithë kemi rrudha. Edhe një 15-vjeçare ka rrudha.

Mira Kazhani: Si realizohet kjo?

Rezarta Kapaj: Me operacion.

Mira Kazhani: Me facelift.

Rezarta Kapaj: Me facelift.

Mira Kazhani: Duhet të jetë një kirurg shumë i zoti, me një dorë të artë?

Rezarta Kapaj: Sigurisht që duhet të jetë një kirurg shumë i zoti, sepse facelift është një operacion që ka shumë pak vend për gabime, sidomos tek personat e famshëm. Gjithashtu edhe aksesi i aktorëve të Hollivudit tek kirurgët më të mirë në botë është më i thjeshtë.

Mira Kazhani: Sa janë shanset që të bësh një ndërhyrje dhe të jesh një njeri tjetër, mos të të pëlqejë vetja e pastaj s`ka më kthim mbrapa.

Rezarta Kapaj: Kjo është një pyetje shumë e bukur, por kjo varet edhe ndërhyrja. Nëse flasim për facelift-in mundësia që të kesh një problem me operacionin e facelift-it është 5-10%.

Mira Kazhani: Në çfarë moshe duhet t`i fillojnë vajzat, edhe djemtë, por po e nis me vajzat se ato e aksesojnë më shumë dhe janë më të interesuara, botoksin apo pak filler? Ka një moshë? Se shoh vajza të vogla, të reja shumë e për këtë më vjen keq.

Rezarta Kapaj: Është e drejtë. Kjo moshë është zbritur shumë, shumë poshtë. Mund të themi që ka vajza 15-16 vjeçare të cilat vijnë me kërkesën për të bërë botoks.

Mira Kazhani: Është legale?

Rezarta Kapaj: Nuk është ilegale, por ka mbetur pak në skrupullin e mjekut. Nëqoftëse mjeku e sheh që një vajzë ka një deformim, i cili i shkakton probleme në jetën e përditshme atëherë edhe 16-17 vjeç mund të kryhen operacione ose ndërhyrje.

Mira Kazhani: Unë jam shumë dakord për disa korrigjime që të sjellin pastaj vetëvlerësimin. Jam shumë dakord për këtë. Po unë po flas për russian lips për ato buzët që i kanë shpikur rusët, që në foto në Instagram duken si trëndafil, por nga afër nuk duken aspak mirë, as në kamera.

Rezarta Kapaj: Po është shumë i vërtetë. Problemi i russian lips gjykoj unë si kirurge dhe si mjeke, besoj se është fakti që në fotografi nuk duken keq. Në fotografi duken mirë. Në momentin që fillojnë dhe lëvizin, fillon edhe e dallon. Se ka një mungesë të lëvizjes dhe kjo mungesë, edhe syrit të patrajnuar i tërheq vëmendjen. I duket sikur atje ka diçka dhe pikërisht kjo është ajo që…

Mira Kazhani: Cila është lëvizja se nuk e kam vënë re tamam? Thjesht kuptoj që buzët janë kështu lart (tregon me gjeste)

Rezarta Kapaj: Kur lëvizin buzët nuk është lëvizja kaq e lirshme sa një buzë e cila është e paprekur. Kjo nuk ndodh kur buza mbushet me dhjam. Kur buza mbushet me dhjam, megjithëse volumi mund të jetë i madh, përsëri lëvizshmëria nuk preket, sepse është e butë.

Mira Kazhani: Po thua me dhjamin…

Rezarta Kapaj: Po dhjamin e trupit, po.

Mira Kazhani: Mbushen edhe me dhjamin e trupit buzët?

Rezarta Kapaj: Po.

Mira Kazhani: O Zot, çfarë po puthin njerëzit kështu? Kë po puthin Burak? (qesh) Je dakord me këtë?

Burak Koza: Nuk është bukur. Nuk është natyrale.

Rezarta Kapaj: Është shumë subjektive, por për mua nuk është bukur. Nuk është natyrale.

Një qark vicioz që unë kam parë shumë shpesh tek vajzat që mbushin buzët është që i mbushin më shumë se ç`duhet. Se patjetër duhen respektuar proporcionet. Kjo që thotë Buraku është shumë e drejtë. Në momentin që mbushen buzët më shumë se ç`duhet pastaj fillojnë edhe zgjasin mjekrën, sepse buzët zënë shumë vend. Nuk e di se sa e ke parë këtë fenomen Mira tek shumë vajza vërdallë?

Mira Kazhani: Patjetër. Quhet blindfiller, që verbohesh nga filleri dhe nuk ndalon?

Rezarta Kapaj: Jo, nuk po flas për këtë. Po them për një vajzë e cila shkon për të mbushur buzët, mbush buzët më shumë se ç`duhet, se i pëlqen t`i mbushë shumë dhe pastaj buzët zënë shumë vend në fytyrën e poshtme dhe prandaj detyrohet të zgjatë mjekrën. Në momenti që zgjatet mjekra, bëhet nofulla e çuditshme dhe detyrohen të bëjnë Jawline. Bëjnë mollëzat në këtë moment. Në mënyrë që të balancohen dhe përfundojnë pastaj…

Mira Kazhani: Përfundojnë me të njëjtin portret. Që nuk është aspak e bukur kjo. Nuk është gjë e bukur që ne të gjithë të ngjajmë me njëri-tjetrin. Megjithatë të mos i bëjmë moral e të mos i gjykojmë. T`i kuptojmë. Është një lloj dëshire. Është një lloj trendi. Ka mënyra? Prodhon produkte që t`i zhbëjë këto mbushje dhe t`i çojë në vend? Mund të shkojë portreti në vend?

Rezarta Kapaj: Përsa i përket fillerave që përdoren më shpesh, që është acidi hialuronik, ekziston një enzimë e cila e shkrin fillerin. Shkrin vetëm fillerin e vendosur nga jashtë, jo acidin hialuronik aktiv të trupit. Megjithatë, asnjë enzimë nuk arrin dot të shkrijë 100% acidin hialuronik. Diçka mbetet.

Mira Kazhani: Po mund të përmirësohet.

Rezarta Kapaj: Patjetër që po.

Mira Kazhani: Më the në fillim që më shumë janë të interesuar për Liposuction.

Rezarta Kapaj: Sidomos përpara verës ne gjithmonë kemi një bum të vajzave që vijnë me kërkesa për të rregulluar trupin. Për fat të keq vajzat e vogla tani po luajnë me Barbie. Dhe Barbie ka proporcione trupore të paarritshme.

Mira Kazhani: Po ajo është kukull, nuk është njëri.

Rezarta Kapaj: Është kukull, por në momentin që luan me atë kukull, lexova një studim interesant… vajzat që luajnë me Barbie në krahasim me vajzat që luajnë me kukulla të cilat janë pak më të shëndosha, kanë më shumë pasiguri për trupin e vet sesa të tjerat që luajnë me kukulla që janë pak më të shëndosha.

Mira Kazhani: Të ndryshojnë Barbie-n dhe të qetësojnë fëmijët…

Rezarta Kapaj: Është një hap që duhet ndërmarrë.

Mira Kazhani: Ne nuk kemi pasur. Unë dhe ti jemi brez pa Barbie.

Rezarta Kapaj: Ne s`kemi pasur. Ne një kukull kishim.

Mira Kazhani: Të them të drejtën nuk është se po ma bën dhe shumë zili se e kanë tepruar aq shumë dhe tani ky beli me ato vithet ashtu duket kaq shabllon. Herë pas here më duket edhe banale, por ç`të bësh.

Rezarta Kapaj: Është një trend që me kalimin e kohës… dhe ka filluar që të thyhet si trend. Ndërkohë që gjoksi i madh i ka rezistuar kohës.

Mira Kazhani: Cili është numri më i kërkuar? Treshi apo katra?

Rezarta Kapaj: Numri ynë ideal është 36c. Do të thotë një tresh mesatar.

Mira Kazhani: I bollshëm.

Rezarta Kapaj: Po tresh i bollshëm të themi. Ai është numri ideal që konsiderohet.

Mira Kazhani: Ideal është. I bukur është.

Rezarta Kapaj: Është i bukur. Nuk diskutohet që është i bukur. Megjithatë, ndërkohë që modelet e viteve `90 ishin pa gjoks, prapë kërkohej gjoksi i madh tek kirurgu plastik. Prapë konsiderohej si seksi gjoksi i madh.

Mira Kazhani: Të pyesim Burakun…

Burak Koza: Gjoksi i madh historikisht, edhe përpara kirurgjisë estetike ka qenë edhe simbol i pjellorisë, mëmësisë. Gjoksi i madh është ok.

Mira Kazhani: Çfarë është gjoksi për ty? Si e sheh? Me çfarë syri e sheh ti si doktor?

Burak Koza: Kam punuar shumë edhe me tumoret e gjirit, kështu që gjiri për mua është një organ. Nuk e shikoj si simbol bukurie apo seksi.

Mira Kazhani: As tek Rezi nuk e sheh ashtu? (qesh)

Burak Koza: (qesh) Nuk është vetëm simbol seksi.

Mira Kazhani: E kuptoj. E sheh më shumë në pikëpamjen e shëndetit tani.

Burak Koza: Më shumë në pikëpamjen e shëndetit. Plus trupi nuk është pjesë pjesë.

Mira Kazhani: Patjetër, është në kompleks trupi i një gruaje. Ka diçka që do ta ndryshoje tek Rezi?

Burak Koza: Jo.

Rezarta Kapaj: Nuk ia mban.

Mira Kazhani: Rezi ti bën herë pas here botoks?

Rezarta Kapaj: Unë bëj herë pas here.

Mira Kazhani: Çfarë thotë Buraku?

Rezarta Kapaj: Herën e parë kur e ka parë fytyrën time me botoks, ishim në ashensor duke diskutuar për diçka edhe unë isha gjoja e nxehur (tregon me mimikë) dhe për fat të keq nuk po e tregoja dot atë nervin tim siç duhej për shkak të botoksit. Pas pak më tha:

Burak Koza: Ja, ky është efekti pozitiv.

Rezarta Kapaj: Mjaft diskutove dhe mos bëj më botoks (qesh).

Burak Koza: Se edhe nëse je e mërzitur, nuk të kuptoj.

Mira Kazhani: Unë ta bëj një botoks? Se bëj shumë mimika, e kam frikë.

Burak Koza: Jo, mos bëj.

Mira Kazhani: Mos ta bëj? Rezi ta bëjë.

Burak Koza: Rezi mund ta bëjë komplet botoks fytyrën dhe biem rehat.

Mira Kazhani: Temë e madhe që hap shumë diskutim është kjo puna e të bërit apo jo, masa pastaj. Se gjatë rrugës e humbet masën. Se duhet t`i rezistosh pak edhe vetes tënde. Fillon dhe beson që ti je ai portret. Nuk i ngjan më vetes tënde të dikurshme.

Rezarta Kapaj: Edhe çështja e Instagramit dhe filtrave na ka prishur shumë punë dhe na ka rregulluar punë gjithashtu.

Mira Kazhani: Se dua të bëhen si filtri.

Rezarta Kapaj: Vijnë shumë persona me fotografinë e vet me filtër dhe kërkojnë a më bën dot kështu?

Mira Kazhani: Çfarë u thua ti?

Rezarta Kapaj: Është një filtër. Është e pamundur që të arrihet. Sigurisht që është e pamundur që të arrihet. Ose kur bëjmë fotoshopin përpara operacionit të hundës, patjetër që duhet informuar personi në fjalë që kjo është thjesht një projektim. Edhe kur bëhet ndërtesa nuk del ekzaktësisht si ajo që bëhet në kompjuter. Simetria absolute ekziston vetëm në kompjuter, nuk ekziston në fytyrën e njeriut.

Mira Kazhani: Dhe s`është as e bukur thonë. Po t`i kemi fytyrat simetrike nuk do të ngjanim bukur. Kam parë ca foto të vipave të Hollivudit.

Rezarta Kapaj: Ne e duam imperfeksionin. Syri ynë e do imperfeksionin, sepse identifikon edhe veten e vet. Në njëfarë mënyre ne e kërkojmë atë. Edhe në një fytyrë që ne e konsiderojmë shumë atraktive, përsëri e duam një gjë të vogël atje.

Mira Kazhani: Po lexoja një trend të fundit në TikTok Treptoks. Nuk ishte botoksi, po ishte treptoksi dhe kishte të bënte me shpatullat.

Rezarta Kapaj: E thonë edhe Barbietoks. Ka edhe një emër tjetër. Përsëri ka pasur lidhje me gjithë këtë marketimin që iu bë filmit Barbie dhe kukullës Barbie që u rikthye sërish në modë. Është një metodë në të cilën bëhet botoks në muskulin e trapezës. Në këtë mënyrë sheshohet pak kjo zonë dhe duke u sheshuar kjo zonë duket sikur qafa është më e gjatë dhe shpatullat janë më të gjera.

Mira Kazhani: Po nuk je i ngrirë?

Rezarta Kapaj: Sigurisht që je i ngrirë. Një pjesë e funksionit të muskulit, se ky është një muskul funksional, ndryshe nga muskujt e tjerë të cilët mund të mos jenë kaq të rëndësishëm. Dhe mund të kesh dhimbje deri në një muaj.

Mira Kazhani: Më fal, po është e shëndetshme ta bësh atë? Të ngrish muskulin.

Rezarta Kapaj: Nuk ngrihet muskuli në 100%. Ky është një muskul shumë i madh, por bëhet një relaksim i muskulit.

Mira Kazhani: Si mendon Rezi se do jenë pas 50 vitesh 50-vjeçarët, ose 70-vjeçaret. Do duken të reja? Do ketë rrudha në të ardhmen?

Rezarta Kapaj: Rrudhat tani nuk është se janë konsideruar dhe aq…

Mira Kazhani: Jo rrudhatse nuk kemi dashuri të madhe për rrudhat, por po flas për një lloj sharmi në një moshë të caktuar. Të dukesh që je një grua e mbajtur tek 60-tat apo të 70-tat. Apo një grua e kuruar mirë si 50-vjeçare. Të mos jesh një 50-vjeçare me buzët e fryra dhe me mollëza sikur i ke pasur ato 20 vjeç. Se është e pamundur të qëndrojnë.

Rezarta Kapaj: Nuk është as e bukur ç`është e vërteta. Një 50-vjeçare do të duket si një 35-vjeçare.

Mira Kazhani: Po njerëzit që thonë nuk e di si shëndoshem se nuk ha asgjë? Është e vërtetë që nuk hanë asgjë dhe mund të shëndoshen me ujë dhe me ajër? Ka njerëz që ndoshta nuk dobësohen dot?

Rezarta Kapaj: Unë nuk kam parë ndonjë njeri që shëndoshet me ajër deri tani. Nuk e di, Burak ti ke parë ndonjë? (qesh)

Burak Koza: S`ka shanse. Është matematikë e thjeshtë. Nëse nuk merr kalori… Se trupi nuk mund të krijojë kalori nga hiçi. Duhet të marrë kalori që të shëndoshet. Kjo është matematikë e thjeshtë. Nuk ekziston kjo që të mos hash dhe të marrësh peshë. Nuk ekziston.

Mira Kazhani: Po çfarë nuk po lexojnë tek vetja? Pse janë në refuzim?

Burak Koza: Kanë parë shumë pasoja për obezitetin. Problemi është se njerëzit brenda ditës po hanë nga pak, nga mëngjesi në darkë. Nuk ulen në tavolinë po ama hanë sasi të vogla të ushqimeve me kalori të larta. Edhe vetë nuk e mendojnë që ky është ushqim. Se mendojnë që ushqim është vetëm ai kur ulesh në tavolinë. Nuk mendohen si kalori.

Mira Kazhani: Për shembull cilat janë ushqimet që kanë këto lloj kalorie.

Burak Koza: Pak kek, pak byrek, pak çokollatë. Nuk e konsiderojnë si ushqim.

Rezarta Kapaj: Pijet e gatshme.

Burak Koza: Po, pijet e gatshme. Pije me kalori. Kafe me shumë sheqer. Të gjitha këto janë kalori. Ama trupi vetë nuk mund të krijojë kalori pa ushqim. S`ka shans.

Mira Kazhani: Çfarë mendon Burak për intermittent fasting, ose e thënë shqip “të hash brenda një orari rë caktuar”, edhe mos të hash pastaj për një pjesë tjetër të ditës?

Burak Koza: Kjo në fakt ka ekzistuar. Nuk është një dietë moderne.

Mira Kazhani: Po, sepse në ato fillime njerëzit nuk kanë pasur të hanë.

Burak Koza: Në fillimet e njerëzimit ka ekzistuar intermittent fasting. Tani është bërë më trendi. Ama ka ekzistuar edhe para se të ekzistonte frigoriferi. Edhe kur nuk kanë qenë supermarketet, restorantet, që në fillimet e njerëzimit. Nuk mund t`i hanin tre vaktet mëngjes, drekë, darkë. Ose nuk mund ta ruanin ushqimin tek shtëpia për një kohë të gjatë. Ndaj hanin në orare të caktuara. Kur zgjoheshin për shembull nuk ishte mëngjesi gati. Duhej gatuar, duhej kohë për ta bërë ushqimin. Natën s`kishte elektricitet, s`kishte asgjë. Ndaj sapo ikte dielli, flinin gjumë. Nuk hanin ushqim. Kështu që kjo ka ekzistuar. Tani janë bërë disa studime. Se më përpara gjithë shkenca sugjeronte që mëngjesi duhej se është shumë i rëndësishëm.

Mira Kazhani: Drekën mikun, darkën armikut, thotë populli.

Burak Koza: Midis mëngjesit dhe drekës duhet të hash, por janë bërë shumë studime së fundmi dhe intermittent fasting është shumë funksional. Ka disa avantazhe të tjera. Për shembull intermittent fasting nuk ka asnjë kufizim për ndonjë ushqim specifik.

Mira Kazhani: Mund t`i hash të gjitha.

Burak Koza: Po, të gjitha. Sigurisht pa abuzuar. Pa abuzuar me sheqerin, pa abuzuar me ëmbëlsirat, ama nuk ka një kufizim. Kështu që kjo mënyrë është shumë më kollaj, më e thjeshtë.

Mira Kazhani: E bën fasting vetë Burak?

Burak Koza: Po.

Mira Kazhani: Në çfarë oraresh ha ti Burak?

Burak Koza: Unë zakonisht ha vetëm një herë, darkë.

Mira Kazhani: Pra kjo mendësia që ne kemi se darka të shëndosh?

Burak Koza: Nuk duhet të konsumosh ushqim katër orë përpara se të flesh gjumë.

Mira Kazhani: Pra në çfarë ore e konsumon darkën?

Burak Koza: Diku në orën 6, 6 e gjysmë.

Mira Kazhani: Se darkë ne në Shqipëri – duhet ta kesh kuptuar – quajmë orën 9.

Rezarta Kapaj: Darka në Turqi fillon midis orës 5 dhe orës 7.

Mira Kazhani: Si francezët e paskan edhe ata.

Rezarta Kapaj: Në atë orë e hanë darkën.

Mira Kazhani: Ky është problemi. Darka e vonë.

Burak Koza: Intermittent fasting ka një avantazh tjetër, se ka pesë lloje të intermittent fasting.

Mira Kazhani: Cili është më i miri Burak?

Burak Koza: Për vete e kam bërë 16 me 8.

Mira Kazhani: Që do të thotë?

Burak Koza: 16 orë pa asgjë.

Mira Kazhani: 8 orë mund të hash çfarë të duash?

Burak Koza: Brenda 8 orësh konsumon ushqime. 16 orë, asgjë. Ujë dhe kafe pa sheqer s`ka problem. Çaj nuk ka problem.

Mira Kazhani: Funksionon për të gjithë njësoj Burak apo trupi është ndryshe?

Burak Koza: Jo, nuk funksionon për të gjithë njësoj. Janë bërë shumë studime dhe edhe për trurin është shumë mirë. Kur ha ushqim shumë, truri nuk funksionon. Kur ha pak, ose nuk ha asgjë, truri funksionon akoma më mirë. Se truri është një organ në trup që punon pa sheqer. Mund të vazhdojë punën pa sheqer. Gjithë organeve u duhet glukozë, sheqer. Kurse truri mund të konsumojë edhe ketonet. Ketonet janë metabolitet e sheqerit, e proteinës kur kanë pastruar trupin. Dhjami është rezervuar. Kur duhet ujë, kur nuk ha shumë, ke rezervuar.

Mira Kazhani: Ke rezervat, ke magazinat.

Burak Koza: Po, rezervat, magazimet. Edhe kur fillon të shkrijë dhjami i trupit, del ketoni. Ky keton përdoret nga truri. Sa më shumë truri përdor ketonet, aq më shumë ka interaksion mes neuroneve, qelizave të trurit. Edhe sa më shumë ka interaksion, si bëhet palestra për krahët, për muskujt, edhe interaksioni i neuroneve është si palestër për trurin. Alzheimeri dhe Demenca të kapin më pak.

Mira Kazhani: Fantastike kjo që dëgjova. Kjo është hera e parë që e dëgjoj këtë.

Burak Koza: Problemi është se intermittent fasting nuk vlen për të gjithë. Nëse ke probleme me diabetin, rezultatet e insulinës bien me intermittent fasting. Ka edhe raste të sëmundjeve të veshkave që intermittent fasting nuk është i mirë.

Mira Kazhani: Çfarë mendon për mishin Burak?

Burak Koza: Mishi nuk është i mirë. Duhet konsumuar shumë pak. Ka shumë arsye.

Mira Kazhani: Sa pak?

Rezarta Kapaj: Mishi i kuq.

Burak Koza: Mishi i kuq. Edhe mishi i bardhë. Mishi i bardhë është i pastër. Po nëse nuk ha mish fare, njeriu mund të jetojë. Pa mish fare. Konsumimi i mishit është rritur shumë nëse e krahasojmë me vitet `60. Në vitet `60 nuk ekzistonte obeziteti. Mbipesha nuk ka ekzistuar.

Mira Kazhani: Po, njerëzit nëpër foto janë të gjithë të hollë në fakt.

Burak Koza: Kur shoh dokumentarë të vjetër të viteve `60-`70 nuk ka njerëz obezë në filma ose dokumentarë. Kurse tani janë 70%. Në Amerikë për shembull është sëmundje obeziteti. 70% e popujve. Në vitet `60 ka qenë 3 ose 15% maksimumi.

Mira Kazhani: Vjen e gjitha nga ushqimi dhe nga stili i jetesës. Ushqime të gatshme, fast food. Nuk gatuajnë në shtëpi.

Burak Koza: Kanë bërë tek binjakët studime, tek binjakët identikë se e kanë metabolizmin identik për indekset e muskulit dhe trurin. Studimi është bërë afatgjatë. Njëri prej binjakëve konsumoi mish, proteinë, mish të kuq, të bardhë, pulë, peshk. Tjetri i mori proteinat vetëm nga perimet. Thjerrëzat, fasulet, perimet. Në fund të studimit indeksi i muskulit ishte më i lartë tek binjakët që konsumuan perime.

Mira Kazhani: Edhe ne që mendojmë të bëjmë palestër dhe hamë mish.

Burak Koza: Indeksi i muskulit ishte më i lartë. Durimi më i lartë, truri funksionte më shpejt në krahasim me tjetrin. Edhe nëse bën 10 mijë hapa edhe lodhet (ata që hanë mish), grupi që konsumuan perimet bëjnë 20 mijë hapa pa u lodhur.

Mira Kazhani: Kjo e durimit më pëlqeu më shumë nga të gjitha Burak.

Burak Koza: Më përpara gjithashtu ka qenë shumë e vështirë për t`u gjetur.

Mira Kazhani: Duhet të rrinte një javë ai për të vrarë gjahun e për ta sjellë në shtëpi. Edhe pse nuk e di nëse je dakord apo jo, por çdo masë ekstreme është e tepruar. Për shembull pak nga të gjitha – e the edhe vetë – nuk na bën dëm.

Burak Koza: Patjetër. Nuk duhet të hiqet mishi totalisht.

Mira Kazhani: Ndarjet radikale më duken pak të frikshme.

Burak Koza: Nuk duhet konsumuar përditë.

Mira Kazhani: Burak, ka një debat shumë të madh në Amerikë, por kam dëgjuar që ka shumë raste edhe në Tiranë që po e aplikojnë, po e përdorin, Ozempic. është në fakt gjilpëra për diabetikët, por po përdoret shumë nga Hollivudi, po përdoret nga njerëzit me obezitet. Kam lexuar shkrime mjaft pozitive, por po kaq kam lexuar dhe shkrime kritike se e di unë është biznes kjo punë edhe secili e gjen mënyrën për ta mbështetur. Meqë kam këtu një doktor të sinqertë edhe jemi këtu vetëm për interesin publik. Nuk jemi për reklamë. Do themi të vërtetën.

Burak Koza: Ai është tamam biznes. Në fakt jemi duke pritur për një ilaç për obezitetin. Se obeziteti është shtuar shumë dhe gjithë kompanitë e ilaçeve kanë punuar për të bërë një ilaç për obezitetin, se fitimi është shumë i lartë. Përpara Ozempic ka qenë Saxenda, ilaç për humbjen në peshë. Pastaj Ozempic, Wegovy, ka shumë, por tre janë kryesorë. Në fakt janë ilaçe identike. Kompania ka prodhuar ilaçe për diabetin. Efekti është i njëjtë. Ato afektojnë receptorët e pankreasit. Kur bllokon receptorët, bie oreksi, rregullon sheqerin, është funksional. Po Saxenda duhet përdorur përditë me injeksion. Ozempic është i njëjti ilaç si Saxenda, por aplikimi është më kollaj, një herë në javë.

Mira Kazhani: Ku bëhet? Është gjilpërë?

Burak Koza: Gjilpërë.

Mira Kazhani: E bën vetë?

Burak Koza: Po vetë.

Mira Kazhani: Sa kushton?

Burak Koza: Shumë kushton. 15 mijë dollarë për një vit. Pak a shumë për ta aplikuar një herë në javë.

Mira Kazhani: Do ia sugjeroje një klienti, një njeriu tënd të dashur?

Burak Koza: Jo. Ozempic jo, sepse në 2017-ës e mori aprovimin e FDA-së. Dhe e ka marrë vetëm për diabetin. Kanë krijuar këtë lloj ilaçi për diabet, por ka efekt, si efekt anësor, pra efekt i dytë përveçse rregullimit të sheqerit, efekti i dytë është humbja e peshës. Humbja e peshës shikohet pas pesë muajsh përafërsisht 10%. Pastaj e arrin maksimumin deri në 11-12% të peshës totale të trupit. Vetëm se Ozempic duhet të përdoret gjithë jetën.

Mira Kazhani: Pra nuk mund të ndërpresësh atë?

Burak Koza: Jo.

Mira Kazhani: Do jetosh me atë gjë.

Burak Koza: E merr shumë shpejt prapë.

Mira Kazhani: Menjëherë e merr peshën që ke humbur.

Burak Koza: Menjëherë. Madje merr edhe shumë më tepër nga sa ke humbur.

Mira Kazhani: Duhet të kenë frikë ata që e kanë përdorur dhe që e bëjnë gjilpërën? Janë njerëz të shëndetshëm dhe e përdorin për të qenë më elegantë, më të hollë për të humbur peshë. Ka efekte anësore që i dimë apo nuk dihen?

Burak Koza: Patjetër ka shumë efekte anësore.

Mira Kazhani: Për shembull?

Burak Koza: Të krijon pankreatit, më shpesh efekte anësore. Fryrje barku, djegie të stomakut, dhimbje abdominale. Simptoma që të bezdisin jetën. Ka edhe efekte anësore si pankreatiti. Bën një inflamacion të pankreasit. Pankreatiti është një diagnozë e rëndësishme dhe e rrezikshme. Rrit edhe shanset për t`u prekur nga kanceri i tiroides, nga dy lloj të kancerit të tiroides. Ka disa lloje… Po me këtë ilaç rritet risku. Nëse keni një histori familjare të tumorit të tiroides, nuk mund ta merrni këtë lloj ilaçi. Madje ky lloj ilaçi, Ozempic aktualisht ka dalë off label për obezitet. Nuk mund ta japë një mjek vetëm për obezitet. Nëse ke diabet të Tipit 2, është ok. Ama vetëm për humbjen në peshë, jo. Wegovy është i njëjti ilaç, me dozë më të lartë. Të dobëson 18% maksimumi. 5 muaj pas përdorimit jep efekt për humbjen e peshës. Pastaj pas 68 javësh, në fund të javës së 68-të maksimumi humbet 18% të peshës së trupit.

Rezarta Kapaj: Kjo është shifër shumë e mirë. 20% gati.

Burak Koza: Ama problemi është se ky ilaç duhet marrë gjithë jetën.

Rezarta Kapaj: Pra nuk mund ta ndërpresësh.

Burak Koza: Nuk mund ta ndërpresësh. Ndërprije ilaçin dhe merr direkt peshën, madje ke probabilitet të marrësh më shumë. Nuk është një zgjidhje. Është ilaç për diabetik.

Mira Kazhani: Me sa kuptova unë, zgjidhja që këshillon Burak është fasting. Edhe trurit i bën mirë. Më të duruar e bën. Trupit i bën mirë. Edhe të provosh t`i hash nga pak të gjitha. Duket shumë e arsyeshme.

Burak Koza: Ama ka edhe pacientë që u duhet Ozempic. Po është ilaç për diabetikët, jo për qejf.

Mira Kazhani: E vërtetë. Është një ilaç që duhet ta përdorin ata dhe po të ishte në mungesë, do ishte fatale. Shumë e padrejtë të përdoret për dembelë.

Burak Koza: Aktualisht ka mungesë. Nëse po e përdor ilaçin kot, për qejf…

Mira Kazhani: Po ia merr një diabetiku, një njeriu që ka nevojë. Është në ndërgjegjen e çdokujt. Edhe në vullnetin dhe karakterin e çdokujt.

Burak Koza: Shumica gabojnë se nuk e mendojnë që duhet përdorur gjithë jetën. Mendojnë, ta përdorim këtë ilaçin 6 muaj, një vit, pastaj ta heqim. Të humbim peshën, pastaj do mbajmë dietë dhe nuk e marrim prapë.

Mira Kazhani: E bëjnë?

Burak Koza: Jo.

Mira Kazhani: Se mësohen keq.

Burak Koza: Mësohen shumë keq. Ky është gabimi më i madh. Nëse kanë humbur 10% të peshës, ose 15% pak rëndësi ka, me këtë ilaç, pasi heqin ilaçin nuk ka shans për ta mbajtur këtë peshë. Merr edhe më shumë kile, sepse nuk i keni humbur në mënyrë natyrale. E keni humbur me ilaçe dhe kur hiqet ilaçi, merr më shumë. Gjithë njerëzit mendojnë ta përdorin 6 muaj, një vit dhe e heqin pastaj. Gabim i madh.

Mira Kazhani: Zgjidhjet janë këtu (tregon me gisht), tek forca e trurit dhe e karakterit. Apo jo Burak?

Burak Koza: Janë shumë të rëndësishme.

Mira Kazhani: Ora është 6:39 e pasdites, që Buraku e quan darkë. Tani mund të ishe duke ngrënë darken tënde që do ishte?

Burak Koza: Do ha mish (qesh).

Mira Kazhani: Do hash mish sot? (qesh)

Burak Koza: Mos ta heqim mishin.

Mira Kazhani: Nuk jemi përjashtues. Atë po themi.

Burak Koza: Sot unë do ha mish (qesh).

Mira Kazhani: Të gjitha nga pak. Edhe pjesën estetike, edhe ushqimin. Vetëm dashurinë shumë.

Burak Koza: Po.

Mira Kazhani: Ishte shumë kënaqësi që ju pata të dyve dhe të ta jap një kompliment për shqipen?

Burak Koza: Shumë faleminderit! Rrofsh!

Mira Kazhani: Rrofsh! E the shumë mirë. Si thuhet rrofsh në turqisht?

Burak Koza: Eyvallah!

Mira Kazhani: Këtë e dija e kam dëgjuar nga gjyshja kushedi sa herë. (qesh)

Faleminderit Rezi dhe shpresoj ta shijoni podcastin!

Rezarta Kapaj: Faleminderit shumë Mira!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *