T`i bësh të gjitha si Abigeila

Abigeil Voshtinën vendosa ta ftoj në podcast kur isha në TKOB për të parë Aidën e Verdit. Më bëri përshtypje sjellja e lirshme, pa kompleks.

Vetëm më vonë, kur u ula të bëj kërkimet për të, mësova se kishte pasur një jetë interesante. Zbulova aq shumë rastësi, kryqëzime fatesh dhe një grua kokëfortë me jetën.

Qëkur ia kishte dalë që me një violinë 8 mijë lekëshe të bënte për vete profesorin italian dhe me forcën e temperamentit të vet kish shkruar në një mënyrë edhe fatin dy shoqeve të saj, që së bashku të treja, në vitet e para të `90-ës shkuan studente me bursë në Itali.

Dhe nuk po ju flas për një fëmijë gjeni, as nga ata që kanë yllin në ballë. Përkundrazi, Abigeila thotë se nuk ka pasur shumë që do vinin bast për të.

Më vonë, ajo jo vetëm ndërtoi një karrierë të suksesshme në Itali dhe Spanjë, por u kthye në 2013-ën dhe gur pas guri ndërtoi karrierën e saj në Shqipëri.

Ne themi si ia dalin njerëzit jashtë, në fakt, vlen të thuhet se ata që kthehen, të ikurit në vitet `90, kanë po aq sfidë në Atdhe. Shumë pothuaj nuk e kapin më realitetin këtu. Kam parë shumë raste që figura interesante janë kthyer dhe janë tërhequr mbrapsht.

Ndërsa Abigeila ia doli dhe sot TKOB më pëlqen shumë në drejtimin e saj.

Edhe në jetën private është një tip i hapur. Në podcast do ta dëgjoni sesi flet për mëmësinë në moshën 48-vjeçare. Si e vendosi me partnerin e saj prej tre vjetësh, Hektorin, edhe pse kishte vetëdijen se në moshën e saj nuk kishte aq shanse.

Ja që ndodhi. Me Zotin dhe shkencën me vete, sigurisht. Dhe sot është mami e një djali 1 vjeç, bjond me kaçurrela.

Siç thotë Abigeila, në jetë kalojnë shumë trena, duhet vetëm t’i marrësh e mos t`i lesh të ikin.

Ndiqeni këtë podcast sepse është si një digë motivimi…

Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: Në fund të qershorit isha në Teatrin e Operas dhe Baletit për të parë Aida-n. Sigurisht, sot nuk do të flas as për Verdin, as për Aida-n, por për njeriun që duartrokiste më shumë nga të gjithë. Thoshte shpesh: Bravooo. Ishte Abigeil Voshtina.

Abigeil, po të duartrokisje kështu (tregon me duar) nuk e di a do e kisha pasur idenë për të të ftuar në podcast. Edhe pse gabim do ishte, se do të kisha gjykuar.

Abigeila Voshtina: E di pse nuk duartrokas ashtu? Nganjëherë më vriten duart nga unazat, sepse ka kaq shumë orë pune mbrapa atij 3 apo 4 orë. Aida zgjat midis 3 orë e 45. Vetëm ideja që do përballesh me publikun katër orë, të duhet një maratonë. Unë kam qenë vrapiste, nuk jam më vrapiste. Këto dy vitet e fundit kam ndaluar për të tjera arsye. Gjëja më e vështirë kur ti përgatitesh për një maratonë, janë 10 km e fundit. Flitet për The Wall, mbas 30 km ke një “break” i cili vjen nga truri. Truri yt thotë: Nuk mund t`ia dal akoma. Në të vërtetë asnjë stërvitje nuk zgjat 42 km e 195 metra, po maksimumi që jepet janë 30, 31, 32… Domethënë është gjithmonë një surprizë. Është si puna e koncertit. Ti asnjëherë s`e ke bërë këtë rrugëtimin kaq të gjatë. Prandaj unë duartrokas kaq shumë. Se e di se çfarë pune ka mbrapa.

Mira Kazhani: Je njeri pasionant?

Abigeila Voshtina: Shumë. Pasioni është një drejtim, të cilit po i dhe zë, arrin të të çojë në maja të jashtëzakonshme. Logjika gjithmonë frenon. Nëqoftëse këto të dyja, atë që unë e quaj shumë herë intuitë, lidhen bashkë, japin disa shkëndija, unë gjithmonë e ndjek.

Mira Kazhani: Mua më bëri përshtypje që Drejtoresha e TKOB ishte fanse e orkestrës së saj. Fanse duhet të jetë në fakt, por mënyra sesi e shprehje, atë natë unë mendova që ndoshta e ke për shkak të përvojës tënde jashtë Shqipërisë. Ndoshta ngaqë ti u formove jashtë. Ke ikur nga Shqipëria 19 vjeç.

Abigeila Voshtina: Ne ishim një kuintet, i cili luante shpeshherë në Ambasadën Italiane dhe kjo ka qenë mundësia për të bërë këtë konkursin që e bëmë në një nga shkollat më prestigjioze italiane, që është Shkolla e Muzikës Fiezoles dhe kishte profesorë që për mua ngelen ato figurat që kur ti shikon figurën e Verdit në një portret apo Brahms-it, unë kam Brengola-n, kam Zanetovic, Farulli-n.

Mira Kazhani: Ke Verdët e tu.

Abigeila Voshtina: Po, sepse ata ishin njerëz që kishin bërë një karrierë të jashtëzakonshme. Ishin njerëz mbi të 70-tat kur unë isha një studente 19-vjeçare dhe për mua ngeleshin kolosët e asaj dijes që ishte shkruar brenda notave, të cilën ne nuk dinim ta lexonim. Dinim ta luanim, por jo ta interpretonim.

Mira Kazhani: Çfarë të mësuan konkretisht?

Abigeila Voshtina: Më mësuan stilin. Do të të them një gjë shumë të bukur. Ne kishim një trio harqesh. Unë, Elida, që sot është koncertino i mazho muzikales dhe Irma, e cila sot është spala e Lisbonës, e Orkestrës Simfonike. Zakonisht temat në atë periudhë, siç ka qenë Mozart dhe Bethoven nuk ka qenë aq e zhvilluar muzika e dhomës për të tre instrumentet. Pavarësisht se këto ishin tre instrumenta solistikë. Violina kishte rolin kryesor. Unë luaj tempon time dhe accompagnamento-n nuk e luajta. Më thotë Baldovino – siç ne kemi pasur Robert Papavramin, ishte Baldovino në Fiezole. Më fal – më thotë – çfarë je duke bërë ti? Po dëgjoj koleget, i thashë. Po ti ke një part për të luajtur. Maestro, unë nuk shoqëroj. Unë luaj vetëm solot.

Mira Kazhani: Violinë e parë (qesh)

Abigeila Voshtina: Mund ta kuptoni shumë mirë dhe pse i kuptoj kaq mirë sopranot (qesh) Isha 19 vjeç. Pastaj ai në forma nga më të ndryshmet, nuk e kishte zakon të bënte mësim në shtëpinë e tij, kishte një kështjellë, vinte nga një familje shumë e pasur… kalonte me ne gjithë ditën. Na thërriste, sepse zbavitej me naivitetin, me atë ndryshimin e jashtëzakonshëm të këtyre tre vajzave që kalonin një tranzicion midis një bote që kishin jetuar gjithmonë mbërthyer dhe të thyer.

Mira Kazhani: Nga apartamentet e Tiranës parafabrikatë, tek kështjella e profesorit. Ndryshim i madh.

Çfarë gjërash të bënë përshtypje fillimisht kur shkove në Itali?

Abigeila Voshtina: Është një gjë shumë e vogël, se sot për fëmijët nuk do të ketë në të vërtetë asnjë lloj sensi por bananet, luleshtrydhet dhe shumëllojshmëria e çokollatave. Kjo ka qenë gjëja që unë kaloja me orë të tëra duke parë raftet dhe thoja: Po kjo çfarë shije do jetë? Po kjo çfarë do jetë?

Mira Kazhani: Kishe para t`i blije?

Abigeila Voshtina: Kisha bursë. Dhe ashtu si çdo fëmijë që nuk ka pasur asnjëherë lekë, bursa mbaronte përpara se të fillonte.

Mira Kazhani: E bëje çokollata ti (qesh)

Abigeila Voshtina: Pas gjashtë muajsh që bursa mbaroi, ne nuk kishim shtëpi dhe unë mbaj mend që kam marrë tim atë në telefon dhe i thashë: Unë nuk dua të kthehem. Ai më thotë: Unë të kam dhënë gjithçka që munda. Tani duhet ta zgjidhësh vetë. Unë mendoj që Zoti ka shumë dimensione dhe unë kam vendosur të bëhem Katolike mbas këtij episodi. Nuk kisha shtëpi dhe shkoj tek murgeshat e manastirit. Ato janë njerëz që nuk komunikojnë me njerëz që janë jashtë. Janë persona të cilët kanë bërë një betim dhe ky betim është që të mos komunikojnë me askënd. Pra që i përket vetëm ambientit të tyre të brendshëm. Nuk e di për çfarë arsye unë arrita t`i them që jam një studente që jam pa shtëpi dhe pa lekë. Ngjitur me këtë manastirin e tyre ishte një shtëpizë e vogël, një dhomë, në Fiezole. Atë natë më kanë dhënë çelësin dhe unë kam fjetur aty. Jo për një muaj, por për një muaj e gjysmë. Vinim nga Komunizmi. Unë shikoja vërtet mrekullitë e Firences. Po ishte thjesht arkitekturë e bukur. Thashë, atëherë paska Zot. Mbas kësaj fillova punë si kameriere. Isha një gjë e tmerrshme. Unë nuk dija të servirja, sepse unë dija t`i bija vetëm violinës.

Mira Kazhani: Sa vite qëndrove në Itali?

Abigeila Voshtina: Nuk kam jetuar vetëm në Itali, por kryesisht në Itali unë kam jetuar 20 vjet. Jam kthyer në dhjetor të 2013-ës. Në fund të dhjetorit.

Mira Kazhani: Më thuaj pse u ktheve?

Abigeila Voshtina: Ambicia. Jam kthyer në nëntor. Është një histori çudie, sepse njerëzit nuk e besojnë, por është e vërteta. Kur diçka është shkruar për ty… dhe këtë ma ka treguar jeta edhe më vonë, do vijë. Është nisur për të ardhur tek ty dhe ti nuk e di akoma. Erdha në nëntor, thosha kam 20 vjet, shoh që kthehen shumë njerëz në Shqipëri për të luajtur dhe të paktën për t`i thënë familjes kush janë bërë. Mamaja ka ardhur disa herë. Babai ka ardhur disa herë. Mamaja ka ardhur edhe në La Scala, në koncertin e parë që kam pasur, sepse ashtu qëlloi. Mamaja ka ardhur kur unë kam luajtur për një opera të Giorgio Strehler, që është një nga dramaturgët më të mëdhenj, me Kaufman që s`ishte akoma Kaufman. Karriera ime ka kaluar shumë gjëra të ndryshme. Unë them episode që sot më bëjnë të buzëqesh. Se nga një anë më duket sikur ka qenë shumë e madhe dhe nga ana tjetër thosha, po sikur të bëja dhe ca gjëra më shumë. Kështu që jam gjithmonë midis dy botëve. Po kthimi ishte ky. Atëherë kërkova një takim me Drejtorin e Përgjithshëm që ishte Ilir Kerni sapo i emëruar. Po s`ishte aq e thjeshtë. Unë kisha marrë një javë pushime dhe thashë, po e takova mirë, po s`e takova prapë mirë. Doja të takoja edhe Ambasadorin Italian, sepse unë kam dalë nga Ambasada Italiane. Më priti dhe më ftoi në shtëpi, në rezidencë dhe më tha ndoshta takon edhe drejtorin, sepse e kam ftuar. Nuk e di a di vijë apo jo. Dhe kështu qëlloi. Unë takova drejtorin atë natë në rezidencë. Mbaj mend që kishim nga një gotë të dy. Kemi ndenjur dy orë në të njëjtin pozicion. Për një balerin është normale, por për një violiniste jo (qesh).

Mira Kazhani: Po mirë dorën e keni stërvitur edhe ju.

Abigeila Voshtina: E kemi dhe qafën e stërvitur… Dhe kemi folur jashtëzakonisht për teatrin. Ai me shumë spontanitet më tha: Do ishe në gjendje të bëje një sezon artistik? I thashë, nuk mendoj që duhet ndonjë shpikje e madhe, por dua të kuptoj se çfarë skenografish keni në teatër, për ta filluar nga një gjë që nuk ka kosto. Kështu ishte. Më kërkoi edhe disa gjëra specifike të tjera. Unë ia dorëzova dhe u nisa.

Mira Kazhani: Abigeil, ndoshta më është fiksuar nga një rrëfim i Tedi Papavramit, – të cilin do doja ta takoja shumë për podcast – sikur ai procesi i mësimit të violinës është pak i dhimbshëm. Shumë i lodhshëm… Sa orë në ditë duhet të punojë një violinist i mirë?

Abigeila Voshtina: Mos harro vetëm një gjë. Ne jetonim në një kafaz të mbyllur, me një konkurrencë shumë të fortë. Se atëherë kishte shumë numra dhe ishin numra të cilët punonin me të vërtetë. Kërkohej një makineri teknike shumë e mirë. Nuk do të thosha të njëjtën gjë sot. Sot kanë ndryshuar shumë gjërat. Nuk jam këtu për të ngritur gishtin mbi një gjë apo një gjë. Janë shumë faktorë të jetës që kanë ndryshuar. Jeta ekonomike. Jeta sociale. Jeta e rrëmbyer. Jeta e 30 sekondit të diçkaje, se më shumë nuk ka interes ta dëgjosh dhe kjo tregon që fëmijët tanë, brezat tanë të rinj nuk kanë vëmendje dhe e dyta nuk janë në gjendje të zgjedhin. Se shumë, është asgjë.

Mira Kazhani: Është shoqëria e rritjes tashmë, e performancës. E “dua” jo “duhet”. Unë e dua.

Abigeila Voshtina: Po duhet të kuptojmë se çfarë është një dëshirë me çfarë është një zjarr që digjet brenda.

Mira Kazhani: Të shpresojmë që do e kërkojnë njerëzit sërish zjarrin dhe do rrinë tek zjarri. Po disa gjëra kanë ndryshuar përgjithmonë. Duhet të bëhemi gati ta pranojmë kontekstin e kohës ku jetojmë.

Abigeila Voshtina: Absolutisht që po.

Mira Kazhani: Është e dhimbshme violina?

Abigeila Voshtina: Unë kam qenë një fëmijë, i cili nuk premtonte shumë. Një fëmijë i cili koncentrohej shumë pak. Po e nis nga vetja këtë gjë. Kam kaluar dorë më dorë, thoshin atëherë. Domethënë ata nxënësit që nuk kishin atë yllin në ballë thoshin: Po e mbajmë, po të shohim se ç`do bëjë. Ishte një diamant që kishte ndonjë refleks tek tuk ndonjëherë…

Mira Kazhani: Po nuk është se ishe tipikisht njeriu me yllin në ballë? Që kjo do të bëhet diçka.

Abigeila Voshtina: Jo.

Mira Kazhani: Këta njerëzit kështu më pëlqejnë mua. Se kur e ke një yll në ballë të ndihmon ylli, të çon ylli përpara.

Abigeila Voshtina: Jo, unë s`kam pasur asnjë lloj ylli.

Mira Kazhani: Po kur e bën vetë yllin më pëlqen (qesh).

Abigeila Voshtina: Është shumë e vërtetë. Madje kam takuar Mond Sinanin që ka qenë një nga pedagogët e mi dhe më tha: Kur të thosha ‘është hera e fundit’ ekzekutoje jashtëzakonisht mirë. I thosha: Përsërite edhe njëherë. Se ka qenë gjithmonë ajo ideja që ta luash njëherë mirë dhe ta bësh edhe dy herë të tjera që të vendoset dhe unë e luaja skandal. I njëjti person. Mbas një sekonde. Mendoj që kjo ka qenë problematike. Sigurisht të studioje kur njerëzit luanin me litar apo me peta, me arushin me dy veshë, ishte e dhimbshme. Unë shumë herë i bija notave kot edhe shikoja nga dritarja. Pastaj dëgjoja zërin e gjyshes që më ulërinte – se kam jetuar me gjyshërit – apo më vinin një tas me fasule dhe më thoshin: Sa herë që do ta përsëritësh këtë pasazh do vësh një fasule. Edhe unë thosha: Pse të vë një? Do vë 2-3.

Mira Kazhani: Do habiten njerëzit pse ke jetuar me gjyshen dhe me gjyshin, flet edhe për prindërit njëkohësisht. Ke jetuar në Tiranë për shkak të shkollës, sepse siç i bënte diktatura atëherë, prindërit i dërgonte në vende të ndryshme. Kanë qenë në Burrel. Mami Natasha, zysha e frëngjishtes. Për rastësi mund të ishim parë ndonjëherë në verë unë dhe ti në Burrel, po unë nuk të kujtoj. Jam dhe pak më e vogël.

Abigeila Voshtina: Po, je pak më e vogël. Unë kam pas ardhur shumë pak.

Mira Kazhani: Vetëm në verë.

Abigeila Voshtina: Vetëm në verë. Vija nja dy javë dhe pastaj largoheshim, sepse mamaja ime mamanë e vet e kishte në Sarandë kështu që ne shkonim në plazh.

Mira Kazhani: Miksimet e asaj kohe që kanë pasur kuptimin e vet. Për disa ndoshta ishte e dhimbshme, po për disa të tjerë ishte interesante. Çfarë të ka mësuar jeta profesionalisht Abigeil, – por edhe si njeri – jashtë vendit tënd? Si është për një njeri të ndërtojë një karrierë në Itali, në Spanjë, diku jashtë vendit të vet? Për shumë njerëz që kam takuar në podcast dhe që kanë ndërtuar karriera jashtë thonë që është shumë më e vështirë, dyfish, trefish. Nuk është e lehtë të vish nga jashtë, edhe sado i talentuar, sado të punosh, për një vendas është gjithmonë më llokum.

Abigeila Voshtina: Do ta lidh me një legjislacion që ka pasur Italia, që ka qenë shumë i dhimbshëm. Për ekstra komunitarët nuk kishin të drejtë të futeshin në konkurse për vende pune, politikëbërje. Pse? Le të mbajmë fort tanët deri në njëfarë lloj pike. Mbas disa vitesh që kam qenë në Itali ky kanalizim u hap, sepse ishte shkolla shqiptare, por ishte edhe shkolla ruse. Ka qenë një orkestër, Orkestra Cantelli, e cila kishte jashtëzakonisht shumë rusë. Krijohen dashje pa dashje influencat e njohjeve edhe të gjuhëve edhe në vendet e huaja. Më në fund pastaj u hap dhe ishte e mundur që me dokumentin e “Permesso di soggiorno” të merrje pjesë në konkurse. Është e vështirë? Absolutisht po. Ti je një numër. Mendoj që këmbëngulja, bindja që je dikush brenda vetes nuk duhet të mungojë në asnjë moment. Unë jam e mendimit që duhet ta kafshosh momentin. Duhet ta marrësh nëqoftëse të takon. Kjo pa i bërë dëm askujt. Kur e shikon që po afrohet diçka që është ajo që ti do, nuk duhet ta lësh të ikë. Ka gjithmonë edhe një mundësi tjetër. Unë nuk mendoj që ka vetëm një tren në jetë. Ka disa trenë në jetë, por po nuk e more do degëzohesh në shumë gjëra të tjera. Unë kam qenë e bindur që violina do ishte pjesë e pandarë e jetës time. Sado që kam bërë lloj lloj punësh, sepse nuk kisha mundësi për t`u mbajtur. Nuk kisha një violinë. Unë kam vajtur me një violinë që prindërit e mi me zor e blenë. Ishte 8 mijë lekë. Kur më kanë dëgjuar me atë violinën dhe i ka marrë pedagogu për t`i rënë një pasazhi më tha: E dashur bija ime – se unë isha shumë e vogël- gjëja e parë që duhet të bëjmë, është të ndryshojmë violinën (qesh). Sigurisht që më duheshin të ardhura për të filluar dhe për të qenë një pjesë e asaj shoqërie, sepse të shikonin çuditshëm, mënyrën sesi visheshe. Ne kishim një kulturë veshje që s`ishte sigurisht ajo e Italisë. Shikonin çuditshëm se çfarë kapaku violine kishe. Ishin shumë gjëra që të ndryshonin nga të tjerët. Ama kur merrje violinën në dorë dhe me atë violinën 8 mijë lekëshe ti tregoje që stofi yt ishte. Ndaj them që këmbëngulje, objektiv i qartë se ku do të arrish dhe kafsho momentin.

Mira Kazhani: Personaliteti të ndihmon. Kur e ke atë me nota të forta, me pigment të fortë…

Abigeila Voshtina: Mendoj që kushdo që ka arrirë, në çfarëdolloj fushe janë disa gjëra që jane shumë të përafërta.

Mira Kazhani: Pak fat, pak punë… Të gjitha nga pak. Një profesor i mirë që e takon gjatë rrugës.

Abigeila Voshtina: Profesorët i kam pasur me të vërtetë shumë të mirë. Më kanë mësuar gjatë rrugës. Bazat teknike i kam marrë në Shqipëri. Megjithëse isha kjo vajza që nuk do vinin bast shumë veta. Pastaj pati një moment në jetën time… Atëherë kur i thanë prindërve për probleme politike: Vajza duhet të shkojë në Shkodër. Vetëm nëqoftëse do dalë e parë, mund të qëndrojë në Tiranë. Që aty e kupton që duhet të forcosh muskujt. Unë i thashë: Në Shkodër nuk shkoj.

Mira Kazhani: Po pse Shkodra është shumë e bukur?

Abigeila Voshtina: Sepse për mua gjithçka ishte Tirana. Ai Liceu, ato pemët e Liceut. Për shumë vite jam kthyer në Shqipëri dhe shkoja shikoja atë rrugën dhe thosha: Po pse nuk ndjej unë po të njëjtin emocion? Isha e lidhur me një emocion të jashtëzakonshëm. Ato trungjet e Liceut ishin një pikturë perfekte për ne që duhet të studionim në atë shkollë.

Mira Kazhani: Sa punon një balerin në Teatrin e Operës dhe Baletit në Milano dhe sa punon një balerin në Tiranë?

Abigeila Voshtina: Do ju them diçka për Roberto Bolle-n që duket e pabesueshme. Po flasim për yllin e baletit të Italisë po e po, por edhe më shumë. Është një nga ata balerinë që mbas performancave, futet në sallën e baletit, shikon gabimet dhe studion po atë natë. Gjë që as unë nuk e bëj dhe sigurisht nuk kam arritur atë që ka arritur ai. Është maniakal. Një trup për të qenë në formë ka një orë e gjysmë ngrohje dhe pastaj zakonisht koreografët punojnë 6-8 orë. Nëqoftëse do ta thosha këtë do të fillonin puantet, kushtet e punës kjo dhe ajo. Gjithmonë kam pyetur veten. Sa forcë duhet brenda vetvetes për t`u parë në pasqyrë? Se nëqoftëse rrethanat janë ato që kushtëzojnë jetën tonë, atëherë kush jemi ne? Kjo është ajo që unë dëgjoj në teatër. Teatri ka qenë shumë më ndryshe. Një nga pikat që më ka bërë të vuaj ka qenë me të vërtetë si e kam gjetur teatrin. Se unë kur vija këtu dhe e shikoja… kam parë Invën, kam parë Editin, kam parë Ilirin në skenë. Për mua ishte kulti. Ishte maksimumi. Ishte ëndrra. Thosha: O Zot, po sikur unë?! Kam parë Klodiana Skënderin në orkestër. Ishte një ëndërr. Kur e pashë ashtu me ato karriget e thërrmuara nga koha, me shkallët e ngrëna, me mermerin e ngrënë, thashë: O Zot, si nuk… Ndoshta ishte ndërtuar edhe një ëndërr. Pritshmëria e një ëndrre, kur ti e shikon realitet pastaj… Salla e orkestrës ishte…(psherëtin). Shumë vegla nuk ishin në gjendje. Kemi akoma probleme me veglat. Po fakti që ti sot futesh në një teatër që është dinjitoz… Unë kam vajtur në shumë teatro. Kam shëtitur në shumë teatro. Mund të them që ne kemi një teatër që duhet të krenohemi për atë që kemi. Jo çdo vend e ka. Dikush mund ta ketë 200-vjeçar, por e ka shumë të vogël. Dikush e ka akoma më të madh, por sigurisht varet edhe nga publiku. Unë them që kjo është përmasa e duhur që duhet të ketë Tirana. Ka një teknologji të mirë. E mira nuk ka fund. Teknologjia ecën me një ritëm të jashtëzakonshëm. Ne sot mund të bëjmë shfaqje dinjitoze, ashtu siç e kemi treguar. Shteti ka treguar vëmendje. Nuk po flas për investime dhe nuk po flas në mënyrë politike.

Mira Kazhani: Detyrën ka bërë! Shumë mirë ka bërë!

Abigeila Voshtina: Ka treguar vëmendje në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në shumë pikëpamje. Ti çfarë i kërkon vetes? Është ajo e para në pasqyrë. Prandaj them që punohet, por nuk punohet aq sa duhet për të pasur me të vërtetë ndryshim radikal, e para mentale, se vjen nga mendja dhe e dyta fizike. Ky është gap-i më i madh. Ne shqiptarët jemi silueta më perfekte e ndryshimit, jashtë, ku terreni nuk lejon ta bësh në mënyrën tënde, ashtu siç ti di apo ti do, sepse ka rregulla. Jemi ushtarët më të pabindur në vendin tonë, ku duhet të krenohemi se kush jemi ne.

Mira Kazhani: Si e shpjegon?

Abigeila Voshtina: Them që është një tranzicion i gjatë në të cilin akoma nuk konceptohet qartë se ku qëndrojnë vlerat. Vlera monetare vjen dhe ikën. Këtë e tregon historia e shumë vetave që kanë fituar lotari të jashtëzakonshme. E tregojnë shumë veta që e kanë ndërtuar pasurinë, e kanë humbur dhe e kanë rindërtuar akoma më të madhe. Është ajo që ju thashë: Dija, e cila është vlerë. Vlerë morale. Vlerë etike. Vlerë përgjegjshmërie. Është e vetmja gjë që rri me ty, vdes me ty dhe është pasaporta jote për vendin tjetër të punës.

Mira Kazhani: Edhe për të blerë violinën e mirë nëpërmjet asaj.

Abigeila Voshtina: Edhe për ta lënë teatrin e Tiranës, për të vajtur, për të konkurruar në Milano.

Mira Kazhani: Dëgjova dikë që thërriste në korridor: O Abi! Kështu të thërrasin?

Abigeila Voshtina: Po. Nuk e kam asnjë lloj problemi. Kur ti lind, nuk lind as gjeneral, as drejtor, as violinist. Ti lind dhe ke një emër. Emri mendoj që është koka e fatit tënd. Kështu që preferoj të më thërrasin në emër dhe nuk krijon personalitetin e figurës e thirrura kështu apo ashtu.

Mira Kazhani: Kuptimi i Abigeil?

Abigeila Voshtina: Prindërit e mi kanë lexuar shumë gjithë jetën. Madje kishin të njëjtin roman me disa përkthime. Kur e kemi ndërruar shtëpinë na është dashur t`i falim librat se nuk dinim ku t`i çonim. Babai lexonte “Shtrigat e Salemit”, i cili është një përpunim i një fakti real që ka ndodhur në Minnesota. Kanë qenë dy mbesat e një prifti, të cilat u vunë në turrën e druve, u dogjën, sepse ishin rastet e para të epilepsive. Nuk kuptohej nga ana shkencore dhe mendonin se ishin të poseduara nga djalli. Historia është shumë e dhimbshme. Kurse romani bën që Abigeil të ishte një “deus ex machina” e gjithë lëvizjes së fshatit. Arriti t`i burgosë të gjithë, edhe priftin e fshatit. E kundërta e asaj që ndodhi. (qesh) Kështu që nuk e di.

Mira Kazhani: Ok, por i ka pëlqyer emri. Mirë që ia kanë regjistruar në atë kohë.

Abigeila Voshtina: Abigeila ishte me të vërtetë shumë i veçantë për `74-ën.

Mira Kazhani: Cilët janë kompozitorët e tu të preferuar? Shqiptarë dhe të huaj.

Abigeila Voshtina: Do filloj nga të huajt, sepse me ata jam rritur. Mos harro që ne bënim pjesë shqiptare, sepse ishim të detyruar ta bënim. Unë me atë rebelimin ndaj komunizmit, i cili nuk më linte të shprehesha, të vishesha, të lyhesha, ndonëse tani që mund të lyhem, nuk lyhem fare, se është gjithmonë e kundërta… ma ka mbajtur atë Shqipërinë larg. E kam zbuluar kur jam rikthyer si Drejtor Artistik dhe forcën e kompozicionit shqiptar. Unë dashuroj Mahler-in. Dashuroj Shtraus-in. Janë njerëz të cilët kanë futur përveç lidhjes që kanë pasur me Zotin – se duhet të kesh një lidhje të jashtëzakonshme me Zotin për të arritur të shkruash tema të atij lloji. Po ndërthurja e temave, patosi i temave, përpunimi orkestral që ata kanë bërë në të gjitha veglat e orkestrës, është një gjë që nuk ka fjalë që mund ta përshkruajë muzikën. Më besoni! Nuk ka fjalë me atë që ti ndjen brenda. Edhe tek Mahleri kjo është një përsosmëri. Mahler mund ta kuptosh mbasi e ke luajtur. Ne violinat kemi fat në orkestër se mund të bësh violinën e parë, ose violinën e dytë. Është e shkruar kaq bukur! Është një tapet i thurur kaq mirë, sa që kur ti ulesh në një sektor tjetër, ti ndjen diçka tjetër.

Mira Kazhani: Si ka mundësi që gjithë gjenitë janë të palumtur dhe krijojnë në dhimbje e sipër? Pra dhimbja lind perla.

Abigeila Voshtina: Sepse të bën të prekësh limitet e jetës tënde.

Mira Kazhani: Duhet të jesh shumë artist për t`i shkuar në fund vetes? Dhe ia vlen të jesh artist i madh dhe të jesh kaq i palumtur në jetë?

Abigeila Voshtina: Nuk do të thosha që duhet të jesh artist për t`i shkuar në fund jetës. Mund të jesh edhe sportist.

Mira Kazhani: I talentuar.

Abigeila Voshtina: Duhet të sfidosh vetveten për të shkuar në fundin e asaj që ti mund të bësh. Nuk ka limit. Pavarësisht se ne rritemi me “mos” dhe po ta thotë një nënë e re.

Mira Kazhani: Jemi rritur. Tani rriten me “ti mundesh”, “Yes you can”. Ka ndryshuar.

Abigeila Voshtina: Unë mundohem në çdo moment që t`i jap liri fëmijës tim, sepse mendoj që do ta shoqërojë deri diku në jetën e tij dhe pastaj duhet ta përqafojë jetën vetëm.

Mira Kazhani: Çfarë muzike i ke vënë djalit tënd 1 vjeç?

Abigeila Voshtina: Mozart. Që bebe.

Mira Kazhani: E pëlqen ai?

Abigeila Voshtina: Unë kam parë një reagim të djalit me Liqenin e Mjellmave, duke parë një video në telefon, që më ka bërë shumë përshtypje. Se unë ndjek shumë teatro në Instagram. Mendoj që e ndjen, sepse unë kam luajtur muzikë, kam dëgjuar gjatë gjithë kohës muzikë. Dëgjoj muzikë klasike. Nuk dëgjoj asnjë zhaner tjetër. Më falni për injorancën. Jam krejt e dashuruar me këtë që bëj. Edha sa shumë gjëra nuk kam dëgjuar akoma. Nuk është se nuk toleroj asnjë lloj muzike tjetër, por adhuroj këtë.

Mira Kazhani: Ne folëm për punën, folëm për ty, por unë do guxoj, meqë ishim tek djali, që është vetëm 1 vjeç, me lejen tënde, mund të të pyes se është interesante, që ti u bëre mami siç thonë italianët “A una certa eta”. Nuk do ta them unë moshën. Do ta thuash vetë nëse e ndjen, por je bërë mami në…

Abigeila Voshtina: … moshën 48 vjeç. Për herë të parë ëë. Se është për t`u thënë dhe kjo.

Mira Kazhani: Zoti dhe këtu!

Abigeila Voshtina: Po patjetër Zoti. Unë me babain e Eneas vendosëm që ta provonim. Unë isha gati për të birësuar një fëmijë, sepse mendoja që sigurisht mosha bën të vetën. Në paqe me mendimet e mia thashë: Pse jo? Jam shumë e hapur. Fillojmë një praktikë birësimi.

Mira Kazhani: Çfarë tha Hektori?

Abigeila Voshtina: Hektori më tha: Edhe një shans i vetëm do provoja të kisha fëmijën tim. Atëherë thashë ok, le të armatosemi dhe le të shkojmë. Sigurisht le të armatosemi dhe të shkojmë bëhet fjalë për mamanë, se babai… (qesh). Dhe kështu ishte. Vajtëm tek Hygeia, pa dashur t`i bëj publicitet spitalit. Mjeku më dha shpresa 75%. Unë vija nga një eksperiencë shumë më e re 36 vjeç që nuk ia dola dot dhe provova dy herë. Prandaj kisha hequr dorë, si shumë njerëz, të cilët thonë: E provova dy herë. Po të ishte për të ardhur, do kishte ardhur. Për çfarë ta provoj? Ka edhe njerëz që e provojnë 7 herë dhe unë i admiroj. Se kanë një dëshirë kaq të madhe. Nuk mendoj që është një shenjë egoizmi. Është një dëshirë për të ndjerë diçka që është… Të fola kaq shumë për muzikën, po në momentin që kam pasur Enean në trup ka qenë një nga ndjesitë që nuk mund ta krahasoj me asnjë gjë tjetër. Aty mund të thuash që Zoti është… dhe mund ta thuash me të vërtetë me plot gojën. Jo vetëm se si ndodhi në rastin tim. Filluam procedurën dhe vendosëm që do ta bënim vetëm një herë. Unë i thashë Hektorit, ne jemi lidhur me njëri-tjetrin për t`i dhënë kënaqësi njëri-tjetrit, për ta kaluar jetën më bukur bashkë. Ky nuk mund të jetë qëllimi i jetës tonë. Po erdhi, welcome!

Mira Kazhani: Me ndihmën e shkencës e bëtë? Kur thua “procedurat”.

Abigeila Voshtina: Me ndihmën e shkencës, absolutisht. Kështu që të gjitha grave që kanë ëndërr, dëshirë, atë zjarrin që nuk shuhet patjetër ta provojnë. Nuk i dihet asnjëherë.

Mira Kazhani: Ma kujtove këtë shprehjen që “jeta nis 40 vjeç”. Të ka nisur 40 vjeç më duket, në 2013-ën, kur erdhe (qesh).

Abigeila Voshtina: Kam qenë 39 në fakt, por në prag. Kështu ndodhi… Enea duhet të lindte në datën 22 korrik, sepse unë nuk kisha asnjë lloj dëshire që të ishte në të njëjtën ditë me lindjen time, sepse me atë pak egoizëm që më ka ngelur akoma brenda vetes thashë: Ta kem dhe unë një ditë gjithë ditën për mua (qesh). Më kanë filluar dhimbjet të shtunën, duke bërë buxhetimin e kalendarit artistik të TKOB-it, sepse isha prej as dy javësh drejtuese. Kam filluar punë në datën 1 korrik, atëherë kam marrë mandatin dhe kolegia ime që po më ndihmonte më tha: Më duket se ke dhimbjet e lindjes. Po unë sigurisht s`kisha qenë ndonjëherë shtatzënë dhe thashë: Po ç`lindje? Unë do lind në datë 22. Më tha: Do të pyesë ty se kur do lind (qesh).

Mira Kazhani: Edhe shkenca është e limituar. Vetëm ai lart është i palimituar.

Abigeila Voshtina: Ndërkohë s`ishte as Hektori në shtëpi. Ne ishim me idenë në datë 22. E kemi marrë me shumë sportivitet në fakt, të dy, që në fillim. Më thanë: Mos dil nga shtëpia. Thosha: Unë një xhiro këtej nga Liqeni do ta bëj. Nuk kam qenë kurrë strikte. Kam pasur një bindje që do shkonte mirë. Unë e ndjeja veten shumë mirë. Mbas momentit të parë që fillon bën disa analiza, sidomos për rastet in vitro siç kam qenë unë, çdo dy ditë, vërtet ke atë makthin. Po kur po e shikoja që po ecte thashë, më duket se Zoti e ka vendosur këtë gjë. E vërteta është që Enea në orën 5 e gjysmë të mëngjesit, në datën 18 korrik tha, do t`i them Po botës. Ku je?

Mira Kazhani: Në një ditë me mamim… Edhe është si engjëll. Se e pashë në foto. Shumë histori e bukur dhe vërtet më ka impresionuar kur e kam dëgjuar për herë të parë. Po atë nate që ishim tek Aida – shumë shfaqje e bukur dhe e gjatë, – të pyeta se me kë e lije djalin, se e dija që e kishe edhe me gji. Edhe më the: Kujdeset i ati. është Hektori. Merret shumë me djalin. Jam me fat Mira. Dhe ti ishe duke duartrokitur. Ora 11 e mbrëmjes. Është fat ky.

Abigeila Voshtina: është shumë e vërtet. është fat, por unë them që është edhe përgjegjëshmëri. Hektori është një burrë 55 vjeç. Është fëmija i parë.

Mira Kazhani: Sa vite keni bashkë?

Abigeila Voshtina: Tre. Kur gjërat jane nisur për t`u bërë mendoj që gjithë baballarët që nuk kalojnë kohë me fëmijët, humbin një gjë që nuk kthehet më mbrapa. Pse? Se ti fillon dhe kupton personalitetin e fëmijës. Ti njeh tingëllimin e zërit që është kërkesa e një gjëje apo një gjëje tjetër. Shumë baballarë nuk e kuptojnë. Është një komunikim i brendshëm që u ngelet vetëm nënave. Të mos harrojmë që gruaja sot ka një sfidë në shtëpi. Një sfidë se duhet të jetë nënë e duruar, që t`i edukojë mirë këta fëmijët. Një sfidë me shoqërinë, sepse duhet të jetë në formë, e bukur. Domethënë, sa presione ka kjo grua?

Mira Kazhani: E ke këtë sfidën e bukurisë?

Abigeila Voshtina: Unë jo.

Mira Kazhani: Se dukesh shumë e rehatuar.

Abigeila Voshtina: E pranoj moshën që kam. Them që mosha është gjëja më e bukur, sepse na jep pjekuri. Na jep një sensacion ekuilibri midis dëshirës dhe mendimit që është me të vërtetë shumë e përafërt.

Mira Kazhani: Po kur vijnë mundësitë nuk je i pjekur. Pastaj kur piqesh mungon mundësia. Por jo në rastin tënd.

Abigeila Voshtina: Mundësitë vijnë gjithmonë. Jam e sigurt. Nganjëherë i shohim. Nganjëherë nuk i shohim se varet dhe si i ke ti pritshmëritë ose sytë. Nga çfarë anë e botës i mban. Po jo. Unë nuk e kam frikë moshën. Më pëlqen mosha. Madje gjithmonë kam dashuruar shumë Virna Lisin. Ishte një grua e cila edhe thinjat e veta, me atë ngjyrën bionde që kishte, fisnikërinë e saj, ishte një portret perfekt për mua.

Mira Kazhani: I shkonte Virnës. Ishte shumë e bukur. Nuk e di si është për këngëtaret sopranot kjo çështja e plastikës. Tani ka shumë botokse. Ka shumë ndërhyrje tek bukuria. A është e dëmshme? Ndikon plastika tek performanca?

Abigeila Voshtina: Janë muskuj facialë. E para, nëqoftëse flasim për interpretim, në momentin që unë nuk rrudhem, nuk rrudh sytë, unë nuk shpreh. Se fytyra në fund fare – përveç syve që janë pasqyra e shpirtit – po fytyra shpreh nëpërmjet mimikës. Nga ana e interpretimit skenik, unë mendoj që humbin shumë. Personalisht jam kundër. Nuk po them diçka të vogël, ndonjëherë. Po që nuk mund të jetë një sëmundje në të cilën duhet të jem një pasqyrë që reflektoj diellin. Balerinës do t`i shikosh shprehjen e fytyrës kur bën vdekjen. Flas më shumë për gratë, sepse burrat – ndoshta edhe ata e bëjnë, por me sa shikoj në botën e teatrit, shumë më pak. E vërteta është që ka një tendencë, shumë regjisorë që janë sot Drejtorë Artistikë të kërkojnë një perfeksion edhe në nivelin e kileve dhe të trupit. Gjë që mund ta kuptoj tek baleti, se është e domosdoshme, është një kriter. Nuk është bullizëm. Sa më i dobët të jesh, aq më i lehtë je, edhe për partnerin edhe për veten. Për të gjitha lëvizjet që bën. Kurse tek opera nuk do ta kuptoja Ulrikën nëqoftëse nuk do kishte edhe pak bark domethënë. Se po flasim për një shtrigë. Nuk mendoj që shtrigat kanë qenë nga ato që vinin botoks. Nuk të bën sens edhe libreti i operës. Unë jam për sportin. Më pëlqen sporti.

Mira Kazhani: Më the që kishe vrapuar shumë.

Abigeila Voshtina: Po, po të gjithë në familje kanë bërë sport, përveç meje që studioja violinë. Se o do bëje njërën, o tjetrën. Ky ishte komunizmi. Nuk të linte t`i bëje të dyja. Fëmijët sot janë me shumë fat. E kam filluar shumë vonë sportin dhe e kam filluar për të rënë nga kilet, sepse u ktheva nga Amerika dhe isha shumë e shëndoshë. Nuk kam asnjë foto, kështu që askush nuk mund t`i gjejë. I kam grisur të gjitha se më dukej e çuditshme. Është një botë shumë e relaksuar. Nuk i shikon këto gjëra. Nuk është baza e komunikimit. Pastaj kam dashuruar shumë se është një dimension ashtu si muzika që ti mund të jesh me veten, mund të zbulosh veten, mund të sfidosh veten. Mund të bësh çdo ditë diçka më shumë.

Mira Kazhani: E vërtetë! Kështu jemi kthyer nga vera. Edhe djemtë e Barrakës kanë ardhur më elegantë dhe më fit. Kanë bërë shumë not më duket. Faleminderit shumë Abigeil Voshtina! Më pëlqen shumë historia jote. Jam e bindur që ndjekësit e këtij podcast do ta shijojnë shumë se i ka të gjithë elementët, por sidomos një lloj ekuilibri mes ndjekjes së ëndrrës, karrierës, dashurisë, familjes, surprizës, Zotit, karakterit. Të gjitha bashkë i ke.

Abigeila Voshtina: Shumë faleminderit! Mua më pëlqen shumë emisionit yt. E kam ndjekur prej vitesh. E shikoj shumë afër natyrës së vërtetë njerëzore. Diçka që është unike.

Mira Kazhani: Të gjejmë njeriun tek personazhi, jo të gjejmë personazhe tek njerëzit.

Abigeila Voshtina: Shumë e bukur! Këtë do ta vjedh (qesh).

Mira Kazhani: Mund ta marrësh!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *