Jeta si boheme e shqiptares që punon për qeverinë e Spanjës

Këtë të premte Mira Kazhani sjell në episodin e podcast Armelën, 40-vjeçaren nga Elbasani që jeton dhe ka ndërtuar karrierën e saj në Madrid të Spanjës.

Emigrantët e edukimit janë herë pas here në ZëmeMirënPodcast, për të kuptuar mbi historitë e tyre, zigzaget dhe shijen e një karriere në gjuhë të huaj. Por edhe jetën e thjeshtë, botët që na bashkojnë e ndajnë.

Njihuni me Armela Dinon!


Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: E ftuara e këtij episodi në Podcast jeton në një lagje shumë simpatike të Madridit, aq sa kur erdhëm këtu, patëm atë dëshirën tipike që na ndodh ne: Mund të kishim jetuar shumë mirë.

Të pëlqen kështu shtëpia minimaliste?

Armela Dino: Po jam minimaliste.

Mira Kazhani: Ka shumë në Madrid që e pëlqejnë këtë jetën kështu?

Armela Dino: Ishallah sa më shumë, sepse më pak, është më shumë.

Mira Kazhani: Armela, më pëlqeu lagjja jote.

Armela Dino: Faleminderit që e nise këtë me lagjen! Është Armela Dino, ajo që jeton në Lavapies, Madrid.

Mira Kazhani: Funksionon në Madrid kështu? Se dhe ne dikur i kemi pasur… Lagjet sikur po e humbasin pak sensin në Shqipëri, po dikur kanë qenë të forta.

Armela Dino: Ku jeton është e rëndësishme. Varet pastaj në çfarë konteksti po flet. Po për mua, ku jetoj, besoj se për këtë intervistë, është e rëndësishme. Mbaj mend kur jetova në Katalonia, në Barcelonë, që punova atje, gjithmonë më prezantonin: Është Armela, punon këtu. Puna është ajo që na bën. Puna është ajo që bën jetën. Çfarë jemi, çfarë identiteti kemi. Kështu që këtë e dyshoj. Megjithëse disa prej nesh kemi fatin që bëjmë një punë që na pëlqen. Është qejfi, gëzimi, kënaqësia ato që na bëjnë ajo që jemi.

Kështu që mirëseerdhët në Lavapies! Aty nga dritarja shihen ca tjegulla të kuqe që janë tipike e gjithë Europës së Jugut. Edhe është shumë romantike të shohësh qiellin e Madridit.

Mira Kazhani: Armela, si përfundove ti në Madrid? Ti nuk ke studiuar në Spanjë?

Armela Dino: Kam studiuar në Spanjë, por fillimisht nuk erdha në Spanjë. Unë linda në vitin 1982 dhe dola nga Shqipëria në vitin 2000. Isha 18 vjeç. Në atë kohë, në vitin 2000, Spanja dhe Shqipëria nuk kishin këto lidhje që kanë sot. Unë si 18-vjeçare, në atë kohë që ishte ai emigrimi për edukim, nuk ishte emigrimi ekonomik i viteve `90, por ishte emigrimi për edukim, kishim atë diapazonin tonë. Do shkonim ose në Lindje, në Rumani, disa në Bullgari, ose në Itali. Ishte fillimi i atyre viteve. Atje ku të mundnim, ose atje ku kishim familjarë që mund t`i njihnim, ose atje ku dinim gjuhën. Ajo më ndodhi mua. Unë studiova në Angli, por e hodha edhe për në Itali, edhe për në vende të tjera. Siç thoshim: E hodha. Shiko sa bukur! E hodha fatin! Apo jo? E hodha mundësinë. Pastaj ia lë energjisë, universit se ku del. Prandaj unë studiova në Angli. Në Angli më dhanë shumë bursa për të bërë një degë që i interesonte gjithashtu edhe universitetit. Dega që më dhanë, që ishte me më shumë bursa dhe që unë mora, nuk ishte dega uau (dhe ky është një mesazh për të rinjtë) që unë doja. Isha pak konfuze. Është normale. Je 18 vjeç. E rëndësishme për mua ishte të shkoja në Londër. Walking on the streets of London. Dhe ashtu e kalova atë vitin e parë e çuditur që isha në Londër. Dega që më dhanë ishte Marketing French and Spanish. Në Angli në atë kohë dhe besoj se vazhdojnë, i kombinojnë shumë degët e universitetit, sepse univeristeti shihet vetëm si një fazë tjetër e edukimit të personit. Kështu që duke bërë unë marketing frëngjisht dhe spanjisht, në vitin e tretë duhet të dilja nga Anglia për të bërë një Erasmus në Francë dhe e bëra në Francë semestrin e parë dhe semestrin e dytë e bëra këtu në Madrid. Dhe është ashtu siç njoha Spanjën. Ishte një pjesë e Universitetit.

Mira Kazhani: Pati ti atëherë një ide se ku do doje të jetoje dhe të punoje?

Armela Dino: Jo. Në atë kohë isha shumë intuitive. Kisha fatin e madh. Besoj se çdo fëmijë dhe çdo adoleshent e ka një intuitë të brendshme shumë të fortë që besoj se duhet të dijë të ndjekë. Duhet të ketë një farë lloj besimi që këtë brum që ka, bashkë me diçka, punim të këtij brumi, që janë këshillat që mund të të japin të tjerët, formimi që mund të kesh… Unë ndjeva kur erdha këtu në Madrid një dritë të bardhë të qiellit që ishte ndryshe nga drita e Parisit. Një gëzim tek njerëzit dhe një lloj jete në rrugë, në sheshe që ishte e përgjithshme që nga fëmijët e deri tek pleqtë. Kjo gjë më lidhi shumë me atë pjesën e Mesdheut ku unë u linda dhe që ishte vendi im dhe që është Shqipëria. Pata një lloj dëshire që ta njihja më shumë Madridin dhe Spanjën, por jo që të punoja, e të bëja…

Mira Kazhani: Edhe ne që erdhëm gjysmë turistë e gjysmë për punë, e ndjejmë këtë buzëqeshjen e Madridit dhe njerëz të qeshur shumë. Njeriu në fund të fundit është e rëndësishme që të bëjë karrierë dhe të ketë një punë të mirë, të ketë para, të bëjë gjërat që do, secili ka kërkesat dhe ambiciet e veta, por në fund fare është kaq e rëndësishme kjo drita, kjo energjia që ti merr nga njerëzit dhe këtu është shumë e fortë. Ti ke qenë gjeni në shkollë?

Armela Dino: Jooo.

Mira Kazhani: Po ke fituar aq shumë bursa?!

Armela Dino: Unë kam qenë sistematike. Në klasa ne kemi pasur nxënës të tjerë që kanë qenë më të fortë sesa unë. Unë hyja tek personat që ishin të mirë me mësime dhe që ishin shumë sistematikë.

Mira Kazhani: Kur thua sistematike, çfarë ke parasysh? Sa orë në ditë ke studiuar ti kur ishe studente?

Armela Dino: Kur isha studente në Angli apo kur isha në Shqipëri nxënëse?

Mira Kazhani: Kur ishe në Shqipëri dhe më pas në Angli. Kur ishe në Shqipëri, sa studioje ti?

Armela Dino: Isha në shkollë, pastaj kthehesha nga shkolla, bëja detyrat.

Mira Kazhani: Ti ku ke lindur dhe je rritur? Në Elbasan?

Armela Dino: Po. Në Elbasan. Shkollën fillore 8-vjeçare e kam bërë tek “Naim Frashëri” dhe gjimnazin tek “Dhaskal Todri”. Jam krenare për këtë, prandaj po i them këto dy emra.

Mira Kazhani: Ke qenë më e mira e shkollës? Ke ndonjë mësuese që do doje ta përshëndesje?

Armela Dino: Patjetër! Mësuesen time të Letërsisë, Rukie Kilën, mësuesen e Matematikës Liljana Gjevorin. Këto janë të 8-vjeçares. Në gjimnaz pastaj ishim pak më të rritur. Do të thoja: Natasha Poroçanin e Letërsisë, Teuta Radoniqin e Matematikës.

Mira Kazhani: A komunikon me to ndonjëherë tani?

Armela Dino: Po, patjetër.

Mira Kazhani: Ato duhet të jenë shumë krenare që ti ke ecur shumë në jetë.

Armela Dino: Besoj se është pjesë e tyre gjithashtu ajo fara që nxorën tek unë.

Mira Kazhani: Flasim pak për punën tënde në Madrid. Ti punon në Ministrinë e Shkencës. Unë u futa për të parë se çfarë bëje ti, ishte aq e vështirë ajo puna jote… Pra ti punoje për të thjeshtuar gjëra të vështira, kështu që do ma bësh dhe mua të thjeshtë dhe publikut të podcastit punën tënde.

Armela Dino: Unë jam analiste politiko-shkencore në Ministrinë e Shkencës dhe Inovimit. Jam nëpunëse civile e administratës shtetërore spanjolle. Puna ime ndahet në tre pjesë. Në radhë të parë unë bëj përfaqësimin e Spanjës në dialogje ndërkombëtare, sidomos në Bashkimin Europian. Pra jam përfaqësuese e Spanjës në dialogun për bashkimin për Mesdheun, për disa gjëra të politikës shkencore. Politika shkencore është strategjia e Sektorit të Shkencës dhe Inovacionit. Siç mund të kemi dhe strategji të energjisë, të transportit. E shpjegoj këtë, sepse shpeshherë kur flas me shumë njerëz është një politikë e re që po mundohemi që ta shtyjmë. Kuptohet, edhe në vendet më të vogla, ka politikë shkencore. Kjo është pjesa e parë. Pra unë jam spanjolle, jam përfaqësuese e Spanjës. Në radhë të dytë, unë merrem me ndihmën për lidhjet bilaterale që kemi në Spanjë. Pra kur takohen ministri e ministrja jonë e Spanjës, me atë të Argjentinës apo të tjera vende, sepse në BE funksionojmë jashtë si një dhe ka më pak lidhje bilaterale, sesa me jashtë Bashkimit Europian. Personi që i përgatit informacionin shefave dhe superiorëve të mi, që nga ministra, sekretarë të përgjithshëm etj, personi i parë jam unë. Në radhë të tretë më duhet të merrem me një njohje të përgjithshme, me një kritikë, të di të ndërtoj kritikë për zhvillimet e fundit në kërkimet shkencore që ndodhin në botë.

Mira Kazhani: Pra nëse një ministër i kabinetit do të bëjë një takim me një ministër të një vendi tjetër, ti i dërgon ato informacionet apo analizat kryesore, por në fushën e shkencës vetëm dhe çfarë konkretisht?

Armela Dino: Për shembull, politika shkencore merret me zhvillimin e shkencës dhe inovacionit dhe për të arritur që ne të krijojmë opinion… kur bën politikë nuk është vetëm nga lart poshtë. Pra çfarë thonë politikanët, ne bëjmë “policy”, pra duhet të ndërtojmë opinion. Për këtë unë duhet të këshillohem me tre agjencitë e financimit që kemi. Për shembull do takohet ministrja me ministrin e Brazilit, ose me Shtetet e Bashkuara apo Kanadanë. Duhet të dimë se çfarë interesash kemi. Për të ditur interesat, duhet të dimë ku kemi bashkëpunimin më të fortë dhe ku mund të hapim bashkëpunime të tjera në interes të përgjithshëm dhe sidomos të Spanjës dhe të BE-së. Spanjë për shembull është shumë e fortë në kërkimin shkencor mbi ujin, thatësirën dhe kjo futet në ndryshimin klimatik etj etj. Këtë lloj interesi, unë duhet t`ia vë në letër një personi që mbase nuk është shkencëtar, sepse është politikan dhe të dijë ta lexojë me një formë të thjeshtë dhe të bukur. Këtu vjen ajo vlera e të mësuarit, e të bërit hartime dhe ese që bënim.

Mira Kazhani: Të hyn në punë letërsia që ke bërë atëherë për këtë që bën tani?

Armela Dino: Patjetër. Shumë. Madje shumë, shumë vite përpara se të bëja doktoraturën, mendoja se deri në 9 vjeç mund të arrijë edukimi, sepse ti kupton numrat, tekstet, duhet të lexosh shumë dhe krijon një opinion.

Mira Kazhani: Më thuaj një tekst të bukur që ke bërë kohët e fundit.

Armela Dino: Mbrëmë për shembull u ula, u qetësova, u frymëzova dhe kam shkruar disa gjëra për veten time që duhet të flas të martën. Të martën është një mbledhje ndërkombëtare e shumë ministrive të shkencës, të botës dhe do flasim për barazinë gjinore dhe përgjithshmërinë, diversitetin, ndryshueshmërinë. Atje dua të jap këtë mesazh: Bota është shumë komplekse. Edhe politika shkencore është e tillë, shumë komplekse dhe duke e pranuar dhe përqafuar këtë kompleksitet dhe këtë ndryshueshmëri që kemi të gjithë brenda njëri-tjetrit, ashtu besoj se mund të bëjmë një punë më të mirë për të avancuar, edhe interesat e shkencës. Se shkencës Europiane sot e kësaj dite dhe asaj botërore i mungon diversiteti.

Mira Kazhani: Kur thua diversiteti, për çfarë e ke fjalën taman?

Armela Dino: Për shembull, emigrantët. Të bësh shkencë është diçka elitare. Se duhet të kesh instrumenta. Kjo është një hapësirë. Emigrantët, diversiteti, racat e ndryshme etj, etj, për shembull vetëm një të dhënë të dimë, gjenoma humane, pra gjenetika, ADN-ja humane që njihet është 85% e të gjithë datave të gjenetikës humane që kemi sot e kësaj dite në botë është e njeriut dhe e gruas së bardhë, kaukaze. Pra nuk dimë akoma cila është ADN-ja e një personi të një race tjetër, ndërsa gruaja dhe burri i bardhë, jemi vetëm 30% e popullsisë botërore. Këto janë gjëra që pak nga pak po punojmë me shumë butësi. Se duhet të ruajmë ekuilibrin e politikanëve me interesat e përgjithshme. Po me këto gjëra punojnë persona si puna ime.

Mira Kazhani: Njerëz që hapin mendje.

Armela Dino: Me shumë përulje.

Mira Kazhani: Vetëm këta mund ta bëjnë. Këta janë mendjehapur, njerëzit e përulur. Apo jo?

Armela Dino: Ashtu mendoj!

Mira Kazhani: Çfarë mendon ti për politikën në Spanjë dhe politikanët?

Armela Dino: Jam në një pozitë shumë të vështirë, sepse jam pjesë e administratës publike. Administrata publike është e pavarur nga politikanët, por koka e administratës publike, udhëheqja e administratës publike janë politikanët që dalin nga zgjedhjet e lira. Unë mendoj se motori i politikanëve janë interesat dhe jo interesat personale. Janë interesa të forta ekonomike. Politikanët u përgjigjen interesave ekonomike dhe aty ndërhyn ai ekuilibri që ata duhet të kenë kujdes, të gjithë shtresat e politikanëve dhe politikanëve të ndryshëm. Një ekuilibër ndërmjet interesave ekonomike dhe interesave të tjera.

Mira Kazhani: Si të duket ty udhëheqësia në botë në përgjithësi? Politikanët e sotëm? Në Amerikë, në Angli, në Francë, në përgjithësi kur i shikon, retorika e tyre. Se janë të ndarë. Disa thonë për shembull, dikur kanë qenë më të mirë, nuk ka më burra shteti si dikur apo gra si Thatcher. Qenia njerëzore ka këtë prirjen për të qenë nostalgjik ndoshta dhe gjithmonë nuk e vlerësojmë atë që ndodh tani.

Armela Dino: Po sepse është më e lehtë të japësh një opinion duke krahasuar.

Mira Kazhani: Pastaj minimizohen ato problemet e së shkuarës dhe mllefet, inatet.

Armela Dino: Siç thoshte Obama që rruga e progresit nuk është e drejtë. Nuk është një vijë e drejtë. Madje edhe progresi vetë si concept çfarë është, nuk dihet.

Mira Kazhani: Si mendon se po e ndikon po e përfshin teknologjia kohën që jetojmë?

Armela Dino: Kuptohet teknologjia është një tjetër pjesëmarrës në këtë sistemin e mirëqenies tonë. Nuk më ngel që tjetër përveçse ta pranoj. Dhe për ta pranuar duhet ta kuptoj akoma dhe më shumë, jo vetëm si përdoruese, por edhe sesi funksionon, edhe ta përqafoj dhe ta marrim në këtë rrugën tonë të njerëzve.

Mira Kazhani: Vura re që nuk ke shumë raport me telefonin. Për shembull, është ora 12:00 e drekës në Madrid dhe deri para pak minutash që prej orës 20:00 të mbrëmjes së shkuar, ti nuk e ke hapur fare. Kjo nuk ndodh zakonisht me mua apo me shumë njerëz rreth meje.

Armela Dino: Kjo ka të bëjë me higjienën time mendore.

Mira Kazhani: Lum si ti!

Armela Dino: Nëqoftëse unë dua të kem një natë të qetë, ripërtëritëse, gjumi duhet të jetë ripërtëritës, këshillojnë të diturit. Dhe unë pasi kam dëgjuar dhe lexuar disa prej tyre, u kam marrë ca këshilla dhe i kam vënë në praktikë. Këshillohet që dy deri në katër orë përpara gjumit do ishte mirë t`i fiknim këto…

Mira Kazhani: Mjetet elektronike.

Armela Dino: Ajo higjiena ime mendore para gjumit është e tillë. Për shembull, unë normalisht meditoj pak. Pastaj më pëlqen të lexoj libër. Kjo më pëlqen mua. Unë e di që libri m`i ul frekuencat.

Mira Kazhani: Shtëpia jote është më minimalistja që mund të kem parë në jetën time.

Armela Dino: Mirëseerdhët!

Mira Kazhani: Që nga fëmijëria, dikur kështu i kemi pasur, kaq të thjeshta, por jemi rritur neve. Po në vitet e fundit, kjo është një shtëpi shumë minimaliste. Të pëlqen minimalizmi dhe pse?

Armela Dino: Nëqoftëse mund të kem një karakteristikë që e quaj veten të tillë, është që jam minimaliste. Jam minimaliste me ndërgjegje dhe më të vërtetë besoj që më pak gjëra materiale është më shumë cilësi. Gjërat që unë kam këtu rreth e qark janë gjëra që me të vërtetë më pëlqejnë dhe që i dua.

Mira Kazhani: Shqiponjën që ke pas…

Armela Dino: Po shqiponjën dhe fikusin. Kam dhe shumë nevojë për hapësirë dhe pastërti. Mure të bardha…

Mira Kazhani: Nuk ke televizor në shtëpi?

Armela Dino: Jo, nuk kam.

Mira Kazhani: Sa vite ke që nuk e ke mbajtur televizorin?

Armela Dino: Nuk e mban mend. Shumë vite. Mbase mbi 10 vjet. Nuk kam televizor, po nuk do të thotë që nuk shoh televizor.

Mira Kazhani: Ku sheh?

Armela Dino: Në celular ose në kompjuter.

Mira Kazhani: E ndjek Shqipërinë?

Armela Dino: Po e ndjek.

Mira Kazhani: Me interes?

Armela Dino: Po, me interes. Shpeshherë e ndjek.

Mira Kazhani: Çfarë të bën përshtypje nga Shqipëria kur e sheh nga televizori në ekranin tënd të vogël dhe kur vjen atje për vizitë?

Armela Dino: Unë e lashë Shqipërinë në vitin 2000. Kanë kaluar 23 vjet dhe Shqipëria po ndryshon shumë. Në televizor shoh shumë vrull. Shoh një shqipe të re me shumë huazime. Ka filluar të ndryshojë edhe sintaksa, domethënë ndërtimi i fjalisë.

Mira Kazhani: Një fjali që të bezdis kur e dëgjon, ma thuaj!

Armela Dino: Për shembull: “Sot dakortësuam”. Dakortësuam është një huazim i sintaksës angleze: “Ëe agreed”. Ne në shqip, më përpara, tani mbase unë do arrij të flas shqipen etnike… “ramë dakord”. Në njëfarë mënyre e bëmë me ndërgjegje, por kur bie dakord e bën edhe me një subkoshiencë. Kjo është e sintaksës. Pastaj në morfologji ka huazime për shembull: “Shumë u surprizova” dhe bëhet ajo “U çudita”, bëhet me një përdorim më familjar dhe më të vogël. Po flitet shumë tani në media, u surprizova etj etj gjëra të tilla. Unë kur kthehem në Shqipëri rri më shumë me familjen time që janë në Elbasan.

Mira Kazhani: Ngjan Shqipëria që sheh në televizor me atë që sheh ti me sytë e tu kur shkon?

Armela Dino: Shumë pyetje inteligjente! Në njëfarë mënyre jo, sepse ky është ai ndryshimi i të dhënit lajm me një zë shumë të lartë që ka televizori, por që në njëfarë mënyre e kuptoj sepse publiku ka nevojë për diçka të jashtëzakonshme që të krijojë njëfarë tërheqjeje ndaj asaj gjëje.

Mira Kazhani: A ndodh kjo në Spanjë?

Armela Dino: Patjetër. Televizori ka pak cilësi.

Mira Kazhani: I respektojnë spanjollët politikanët, gazetarë?

Armela Dino: Shumë. Aq shumë, sa që dje po bisedoja me një kolege për atë përgjigjen aq rigoroze që jepnin këtu gjatë pandemisë kur duhej të vihej apo mos të vihej maska. Për shembull, thonin në televizor: Qeveria ra dakord që të enjten, datë 20 mars të vihen maskat. Dhe unë dilja në rrugë, kuptohet pa maskë, dhe shihja të gjithë njerëzit me maskë. Po një ditë më përpara nuk e kishin. (qesh). Me të vërtetë një bindje dhe një përgjegjësi e çuditshme, marramendëse.

Mira Kazhani: Po ti nuk e vije maskën?

Armela Dino: Unë nuk e vija sepse jashtë isha. Po pastaj e vija kur ishin gjithë këta njerëz. Po unë çuditesha për gjithë këtë lloj bindje. Kjo është e rëndësishme, se na ndodh shpesh. Kjo ka të bëjë me lidhjen që ti ke me institucionet.

Mira Kazhani: Mua më pëlqen kjo. Më pëlqen respekti për institucionet. Shoqëritë që i respektojnë institucionet janë në rrugën e duhur. Duhe të kesh dhe institucione që t`i mira që t`i respektosh, se dhe kur të zhgënjejnë shumë pastaj…

Armela Dino: Ne i bëjmë institucionet në njëfare mënyre.

Mira Kazhani: Ja, njerëzit si ti i bëjnë institucionet.

Armela Dino: Jo vetëm si unë. Ne të gjithë.

Mira Kazhani: A do vije të punoje ndonëjherë në Shqipëri po të ta kërkonin?

Armela Dino: Patjetër. Unë po bashkëpunoj me Shqipërinë. Jam në Këshillin e Lartë të Kërkimit Shkencor. Është një grup personash që herë pas here na mbledh Ministria e Arsimit për të na informuar, ose pë rtë na kërkuar këshilla.

Mira Kazhani: Edhe ministren e Arsimit e ke nga Elbasani.

Armela Dino: Po ashtu është, por nuk e njihja më përpara (qesh).

Mira Kazhani: Prindërit e tu janë krenarë për ty? Çfarë të thonë? A të këshillojnë më për ndonjë gjë? Se prindërit mbeten prindër.

Armela Dino: Unë besoj se janë shumë krenarë, por prindërit e mi asnjëherë nuk më kanë këshilluar për ndonjë gjë të karrierës time. Ashtu më kanë këshilluar. Në këtë farë mënyre. Duke mos më këshilluar drejtpërsëdrejti. Jo vetëm të karrierës, as të shkollës. Ata të dy morën një shkollë që e vendoste tjetërkush. Pra kur bëheshin listat në vitet `70 ti mund të bëje një zgjedhje, por aty arrinte ndikimi i pushtetit në dëshirat personale. Është një gradë e diktaturës, autokracisë, që ata të dy nuk morën atë që donin të bënin.

Mira Kazhani: Çfarë kanë dashur ata të bënin?

Armela Dino: Më duket se im atë donte të bëhej artist dhe u bë mjek, ndërsa ime ëmë donte të studionte letërsi dhe u bë mjeke.

Mira Kazhani: Janë të lumtur tani që ishin të dy mjekë? Se gjatë rrugës zbulon dashuri që ndoshta nuk i dije.

Armela Dino: Patjetër. Të jesh mjek unë besoj që është një profesion që të jep kënaqësi, sepse ti sheh sesi po përmirësohen shumica e pacientëve.

Mira Kazhani: Ti ke motra apo vëllezër?

Armela Dino: Po, kam një motër, Orgesën.

Mira Kazhani: Ku jeton ajo?

Armela Dino: Orgesa jeton në Tiranë me të shoqin dhe me një vajzë, Dean.

Mira Kazhani: Po jeta jote private, personale, miqësore, si është në Madrid?

Armela Dino: Është në harmoni me atë që unë dëshiroj dhe me atë që universi dëshiron për mua. (qesh)

Mira Kazhani: Çfarë dëshiron universi për ty?

Armela Dino: Të vazhdoj në harmoni me të.

Mira Kazhani: Më pëlqen. Tregon që je njeri shumë privat. Çfarë bën ti? Shkon në kinema? Cila është rutina jote? Për shembull, të shtunën çfarë bën, kur nuk ke intervistë për Shqipërinë si në këtë rast? (qesh)

Armela Dino: Çfarë kënaqësi e madhe që jeni sot këtu! Pastaj do e festojmë! Një nga hobet e mia në nivel artistik dhe më duket se tani kam arritur në atë konkluzion, është kinemaja. Kam qenë e abonuar në Opera. Kam shkuar shumë nëpër opera, nëpër teatro, por kam arritur në përfundimin që më pëlqen të shoh një film një film në kinema. Pse e dua këtë gjë? Sepse nuk mundem më me emocionet e skenës. Jam aq empatike me ata aktorë, sa që kam frikë se mos bëjnë ndonjë gabim. Nga njëra anë më pëlqen që i shoh që shkëlqejnë në skenë, po nga ana tjetër e ndjej atë ankthin. Kur jam në kinema, të paktën e di që është një vepër e përfunduar (qesh), që ata që kanë dashur ta bëjnë atë vepër, po na tregojnë atë vepër, dhe shkoj e shoh ashtu e qetë. Pra ky është një nga hobit e mi.

Mira Kazhani: Nëse dikush do të pyeste nëse je apo jo e lumtur, si do t`i përgjigjeshe ti? Çfarë mendon për lumturinë? I pyes të gjithë të ftuarit për këtë.

Armela Dino: Faleminderit për pyetjen! Jam e lumtur! Për mua lumturia është ashtu siç e thashë është të dish të notosh, të lundrosh në ato valët e universit që herë hapen dhe herë mbyllen. Janë si valët gravitacionale. Ashtu jemi edhe ne brenda nesh. Kështu që nëse personi di të notojë e të lundrojë në këto valë, ajo është lumturia.

Mira Kazhani: A ka gjasë që me karrierën tënde ti të kesh ndonjë shteg apo mënyrë për t`u future në politikë? Nuk e di nëse të intereson. E ke ti një ambicie për të qenë edhe politikane në të ardhmen?

Armela Dino: Unë e kam të qartë që jo. Nuk dua të futem në politikë.

Mira Kazhani: Pse?

Armela Dino: Sepse nuk mund të lë që motori im të jenë interesat ekonomikë.

Mira Kazhani: Tipike e intelektualëve që e refuzojnë politikën dhe pastaj të gjithë ankohemi për politikën.

Armela Dino: Në njëfarë mënyre unë kontribuoj që politika të jetë më e mirë, sepse merrem me politikën sektoriale dhe krijoj atë lloj ekuilibri. Mendoj se në këtë anë nuk kam përgjegjësi dhe shkoj votoj si qytetare. Po është një pyetje shumë e mirë. Tjetra gjë është që më duket politika diçka shumë e thjeshtë. Apo këtë mbase nuk do e xhironi?

Mira Kazhani: Më pëlqeu shumë kjo. Kjo ishte më e bukura. Faleminderit shumë Armela Dino për këtë bisedë shumë të veçantë edhe ndryshe, që të jem e sinqertë. Je personazh i veçantë në gjithë ciklin e podcast-eve. Më the qëparë që do na qerasësh me një shampanjë, si e quaje ti? Ecologico?

Armela Dino: Po është cava. Është shampanjë që bëhet në Katalonia dhe është ekologjike, është bio. Pastaj kemi edhe disa hurma arabie dhe luleshtrydhe.

Mira Kazhani: Kur mendoj që gjithçka po bëhet ecologico, ku po shkon kjo botë? Po atje ku nisi ndoshta. Vetëm se atëherë s`kishte shampanjë. Çdo gjë ishte ekologjike, po jo shampanjë.

Armela Dino: Verëra ka pasur.

Mira Kazhani: Ata perandorët e Romës vetëm me verë e kanë shtyrë jetën e tyre të mërzitshme. (qesh)

Armela Dino: Tepër të mërzitshme… (qesh)

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *